SHBA rezolutë për marrjen e ftesës së NATO nga Shqipëria

Kur ka mbetur edhe një muaj nga Samiti i Bukureshtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë qëndrimin e tyre për marrjen e ftesës nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia në prill në Samitin e Bukureshtit. Senatori Richard Lugar, i njohur për mbështetjen e tij pro vendeve të A3 për t'u anëtarësuar në NATO, i është drejtuar senatit amerikan me një rezolutë, ku mbështetet marrja e ftesës nga ana e tre vendeve të rajonit në Bukuresht në fillim të muajit prill. Rezoluta është miratuar fillimisht më 25 shkurt në komisionin e jashtëm të senatit amerikan dhe nga aty ka kaluar për t'u miratuar në senat. Në dokumentin e senatorit Lugar vlerësohet progresi i bërë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia në tetë vitet e fundit në forcimin e demokracisë në këto vende dhe në transformimin e tregut të lirë. "Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, në përgatitjet për anëtarësimin në NATO prej më shumë se 8 vitesh kanë kaluar nëpër procese historike të forcimit të demokracisë, transformimin e tregut të lirë; për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë progrese të rëndësishme për të vendosur kontrollin civil të ushtrive të tyre duke demonstruar zotësinë për të operuar me forcat e NATO-s dhe standardet e aleancës", thuhet në rezolutën e paraqitur nga senatori Lugar. Në të njëjtën kohë, vendet e Kartës Adriatik 3 vlerësohen edhe për diversitetet etnike të cilat ekzistojnë në to, respektimi i të drejtave të njeriut, ndërtimi i tregut të lirë dhe marrëdhëniet e mira që kanë me fqinjët. Gjithashtu marrja e ftesës nga këto tre vende shikohet edhe në favor të stabilitetit në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, vlerësohen edhe për rolin e rëndësishëm që luajnë përmes pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet e NATO-s, për të ndaluar çdo përpjekje për dhunë në këtë rajon. Për të gjitha këto arsye, senatori Lugar i propozon senatit amerikan që "SHBA duhet të kenë rolin e liderit në suportin e anëtarësimit të shteteve si Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia për t'iu bashkuar aleancës në prill të 2008". Në të njëjtën kohë senati amerikan, sipas Lugar, duhet të rikonfirmojë mbështetjen për procesin e zgjerimit të NATO-s, për vendet kandidate.

Rezoluta e propozuar nga senatori Lugar
Duke shprehur mbështetjen e fortë të Senatit për NATO, për projektin e zgjerimit me dhënien e ftesave për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në Samitin e Bukureshtit në prill 2008 dhe për qëllime të tjera;
Ku NATO do të mbajë një takim mes krerëve të shteteve dhe qeverive në Samitin e Bukureshtit, në Rumani në prill 2008;
Ku NATO ka mbrojtur me sukses territorin dhe interesat e anëtarëve të tij për më shumë se 50 vjet dhe ka kontribuar në lirinë, demokracinë, stabilitetin dhe paqen në të gjithë Evropën;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, në përgatitjet për anëtarësimin në NATO prej më shumë se 8 vitesh kanë kaluar nëpër procese historike të forcimit të demokracisë, transformimin e tregut të lirë;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë progrese të rëndësishme për të vendosur kontrollin civil të ushtrive të tyre duke demonstruar zotësinë për të operuar me forcat e NATO-s dhe standardet e aleancës;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia vazhdojnë të japin kontributin e tyre të vyer në krah të forcave të Kombeve të Bashkuara, në forcat ndërkombëtare të asistencës dhe sigurisë nën lidershipin e NATO-s në Afganistan, për të stabilizuar dhe rindërtuar këtë shtet;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë hapa të rëndësishme për të vendosur proceset e tyre të demokratizimit, përfshirë këtu:
1. Përqafimin e diversiteteve etnike
2. Respektimin e të drejtave të njeriut
3. Ndërtimin e një tregu të lirë
4. Promovimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinjë
Për shkak se NATO ka kryer një ndërhyrje ushtarake kundër Republikës Federale të Jugosllavisë për të vendosur paqen në Kosovë;
Për shkak se diplomacia amerikane e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës dhe duhet të mbështesë integrimin e saj në institucionet euro-atlantike;
Për shkak se stabiliteti dhe siguria afatgjatë në Evropën Juglindore kërkon integrimin ushtarak, ekonomik dhe politik të demokracive të reja në strukturat ekzistuese evropiane;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në aktivitetet e NATO-s në Evropën Juglindore nëpërmjet pozicionit unik gjeostrategjik dhe duke ndaluar dhe frenuar çdo përpjekje të çdo lloj pale për të destabilizuar rajonin nëpërmjet dhunës;
Për shkak se neni 10 i marrëveshjes veri-atlantike, i përpiluar në Ëashington më 4 prill 1949, citon se "çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të përmbushë principet e kësaj marrëveshje dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës veri atlantike", mund t'i garantohet anëtarësimi në NATO; dhe
Për shkak se deklarata e Samitit të Rigës, e realizuar nga NATO në nëntor 2006 riafirmon se "NATO mbetet e hapur për anëtarë të rinj evropianë":
Bën që senati amerikan të dalë me përfundimin se:
1. Pavarësia politike dhe integriteti territorial i demokracive emergjente në Evropën Juglindore është i një rëndësie vitale për paqen, sigurinë e Evropës dhe është në interes të SHBA.
2. Zgjerimi i NATO-s, kontribuon në efikasitetin dhe aftësinë e vazhdueshme të Aleancës.
3. Senati riafirmon suportin e tij për procesin zgjerues të NATO-s përfshirë këtu vendet kandidate.
4. SHBA duhet të kenë rolin e liderit në suportin e anëtarësimit të shteteve Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia për t'iu bashkuar aleancës në prill të 2008.
Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk janë perfekte dhe kanë nevojë të bëjnë ende progres në fushën ekonomike dhe politike. Megjithatë të tre vendet kanë bërë përparime të dukshme. "Kroacia ka performancën më impresionuese ekonomike dhe në çmimet e pasurive të patundshme në krahasim me çdo vend tjetër në Evropën jugore. Në vitet e fundit Shqipëria ka kontribuar me më shumë ushtarë në misionet në Irak dhe Afganistan dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë si të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s. Dhe që nga fundi i luftërave ballkanike në vitin 1999, Maqedonia ka ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe të integruar në kohën më të shkurtër se çdo komb tjetër në Evropë. Tashmë ne kemi një shans të sjellim në komunitetin euroatlantik të demokracive Kroacinë katolike, Shqipërinë me shumicë myslimane dhe shumetnike dhe Maqedoninë Ortodokse. Kjo nuk është keq.

Kongresmenët
Pak ditë më parë, një delegacion me 6 kongresmenë mbështetën marrjen e ftesës nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit. "Vendimet në NATO merren në bazë të parimit të konsensusit. Shpresojmë që vendet të marrin një ftesë, por ajo që unë them këtu, që kongresi i SHBA-ve i mbështet aspiratat për anëtarësim në NATO të Shqipërisë", theksoi kongresmeni amerikan Tanner gjatë vizitës në Tiranë.

Marrë nga Gazeta “Panorama”, Tiranë

Pentagoni: Vendet e “Adriatik 3” kanë përmbushur kushtet ushtarake për të hyrë në NATO

SHBA do të kenë vetëm një nga 26 votat e vendeve anëtare të NATO-s në Samitin e Bukureshtit, por Pentagoni mendon se vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia kanë përmbushur standardet për të marrë ftesën e hyrjes në Organizatën e Atlantikut të Veriut.
“Nëse flasim për zgjerimin e NATO-s, kjo ndërtesë mendon se kriteret ushtarake gjithsesi janë përmbushur nga vendet e A3”, tha zv/ministri Amerikan i Mbrojtjes Daniell Fata, përgjegjës për Europën dhe NATO-n gjatë konferencës së shtypit që mbajti në Pentagon. Deklarata e zyrtarit të lartë amerikan është bërë pas takimeve të tij me ministrat e mbrojtjes të tri vendeve të “A3” aspirante për anëtarësim në NATO, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni.
Pasi vlerësoi përparimet e arritura, zv.ministri Amerikan i Mbrojtjes tha se gjithsesi vendet e Kartës së Adriatikut, kanë ende punë për ta bërë me qellim që të bindin vendet anëtare të NATO-s se kanë përmbushur reformat e duhura për të hyrë në Organizatën e Atlantikut te Veriut.
"SHBA-të vlerësojnë se të tri shtetet e “Adriatik 3” i përmbushin kriteret e duhura. Besojmë se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të jenë të ftuara për të qenë anëtare të NATO-s", tha zv.ministri Amerikan i Mbrojtjes gjatë konferencës së shtypit mbajtur në ndërtesën e Pentagonit në Uashington.

David L. Filips: NATO duhet ta ftojë Shqipërinë për anëtarësim

"NATO duhet të ftojë Shqipërinë që të aderojë pranë aleancës". Kështu deklaroi dje pasdite, David L. Filips, drejtuesi i Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme amerikane gjatë prezantimit të raportit mbi progresin e reformave të Shqipërisë.Raporti i paraqitur titullohet "Shqipëria, një shtet i brishtë me partner të besueshëm ndërkombëtar". Ky raport analizon reformat dhe rezultatet e qeverisë shqiptare, të cilat, sipas tij, mundësojnë anëtarësimin e saj në NATO. Ai ka qenë i ftuar në Tiranë nga shoqata shqiptare e Atlantikut, që drejtohet nga deputeti Arjan Starova. "Duke vlerësuar progresin e arritur gjatë këtyre 30 muajve, sugjerojmë që NATO ta ftojë Shqipërinë të aderojë në aleancë nëpërmjet Samitit të Bukureshtit në prill të 2008-ës. Së bashku me vendet e NATO-s, Shqipëria ofron kushte të favorshme, duke bërë pjesë si faktor stabiliteti në vendet e Evropës Juglindore, në momentin kur rajoni përgatitet të përballet me rajonin e Kosovës", thuhet në raportin e paraqitur nga Filips. Ai ka vlerësuar progresin e bërë nga ana e Kroacisë dhe Shqipërisë, duke bërë të ditur se Maqedonia ndodhet më prapa në krahasim me dy vendet e tjera të Kartës së Adriatikut. Sipas tij, do të ishte mirë që tre vendet e A3-it, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të merrnin njëherësh ftesën nga Samiti i Bukureshtit, por progresi i vendeve nuk mund të pengojë në marrjen e ftesës dhe në mënyrë të veçantë të këtyre shteteve. "Marrja e ftesës nga ana e Shqipërisë do të ndihmonte NATO-n që të forconte pozitat e saj në Evropën Juglindore. Shqipëria ka nevojë për NATO-n dhe NATO-ja ka nevojë për Shqipërinë", deklaroi për median Filips. Ndërsa raporti i paraqitur thekson dhe një veçori, apo një arsye më shumë se pse Shqipëria duhet të pranohet në aleancën më të madhe ushtarake. Pranimi i Shqipërisë në të njëjtën kohë mund të shërbejë si një sinjal pozitiv për vendet e tjera që kanë besime të ndryshme dhe vende multietnike me popullsi myslimane", thuhet në raportin e paraqitur. Ndërsa ky raport nuk rekomandon të njëjtën gjë edhe për BE-në për këtë periudhë. "Për të mbështetur vazhdimësinë e progresit të reformave të Shqipërisë, raporti propozon mbështetjen suplementare nga NATO dhe BE-ja. Për t'u bërë një anëtar i BE-së është një proces i gjatë dhe i vështirë, është një objekt i realizuar për afatgjatë. Perspektiva e vullneti i vendosur i të gjitha vendeve të BE-së do të ndihmojë që të pranojë angazhimet për arritjet e standardeve ndërkombëtare e do të rigarantonte vendet e NATO-s që janë të interesuara për ndjekjen e këtij procesi", thuhet në dokumentin prej rreth 30 faqesh. Raporti e cilëson si mjaft pozitiv rotacionin paqësor të pushtetit të ndodhur me zgjedhjet parlamentar të vitit 2005. "Pavarësisht problemeve teknike që u vërejtën në zgjedhjet lokale të vitit 2007, si dhe zgjedhja e presidentit në korrik të vitit 2007, ishin gjithashtu një gur i rëndësishëm në zhvillimin demokratik të Shqipërisë", thuhet në raport. Ndërsa për çështjen e ekonomisë në vend, theksohet se problem mbetet ekonomia informale. "Ekonomia informale zë ende një vend të rëndësishëm, duke përbërë 24-28% të PPB-së. Titujt e pamjaftueshëm të pronësisë kanë dobësuar përpjekjet për krijimin e një tregu të besueshëm të pronave. Dhe nuk ka ndonjë planifikim për adresimin e problemit mbi qartësimin dhe sigurimin e të drejtave të pronësisë. Numri i shqiptarëve që jetojnë në varfëri ekstreme (më pak se 1 USD në ditë, ra nga 5% në 2002 në rreth 3.5% në 2005. Numri i njerëzve që jetojnë në varfëri (më pak se 2 USD në ditë) ra nga 25.4% në 2002, në 18.5% në 2005. Në 2002, papunësia e grave ishte 19.1% dhe 13.6% për burrat. Ndërsa papunësia totale për 9 muajt e parë të 2007-ës ishte 13.2%", thuhet në raport.

Qëndrimet e raportit

  1. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ofron përfitime për Aleancën, duke zgjeruar zonën e stabilitetit në Evropën Juglindore, në një kohë kur rajoni është duke iu përshtatur Pavarësisë së Kosovës.
  1. Qeveria shqiptare hedh poshtë idenë e "Shqipërisë së Madhe", që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ajo ka rikonfirmuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen e saj për ruajtjen e kufijve ndërkombëtarë në Ballkan, përfshirë Kosovën.
  1. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ishte një sinjal i mirë për vendet e tjera me popullsi myslimane, që kanë diversitet fetar dhe popullsi multietnike.
  1. Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të sigurojë asistencë shtesë në mbështetje të vazhdimit të progresit të reformave në Shqipëri. Megjithëse, Shqipëria nuk i mbush kushtet për anëtarësim në BE këtë radhë.
  1. Anëtarësimi në BE do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, i realizueshëm, por një objektiv i largët.
  1. Perspektiva për anëtarësim në BE do të ndihmojë që Shqipëria të garantojë angazhimin e vazhdueshme për përmbushjen e standardeve evropiane, dhe do të risigurojë vendet e NATO-s, që janë të shqetësuara për një kthim të mundshëm mbrapa.
  1. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mire janë një kriter i rëndësishëm për anëtarësimin në NATO. Qeveria shqiptare është një mbështetëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe ka luajtur një rol të dobishëm në inkurajimin e moderimit mes liderëve politikë kosovarë dhe ka mbështetur përpjekjet e NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në nxitjen e stabilitetit.
  1. Ekonomia informale zë ende një vend të rëndësishëm, duke përbërë 24-28% të PPB-së. Titujt e pamjaftueshëm të pronësisë kanë dobësuar përpjekjet për krijimin e një tregu të besueshëm të pronave. Dhe nuk ka ndonjë planifikim për adresimin e problemit mbi qartësimin dhe sigurimin e të drejtave të pronësisë.
  1. Në lidhje me reformën juridike, qeveria e Shqipërisë ka rritur besimin e njerëzve në sistemin gjyqësor, duke miratuar një legjislacion që përkrah një sistem gjyqësor të pavarur, duke forcuar kontrollet dhe ekuilibrin ndërmjet degëve të qeverisë. Vendimet gjyqësore tani publikohen për të rritur përgjegjësinë.
  1. Megjithëse kushtet e punës për gjykatësit janë përmirësuar dhe rekrutimi i gjyqtarëve të rinj bazohet në meritë, Shqipëria ka ende nevojë të përmirësojë cilësinë e prokurorëve publikë dhe të sigurojë zbatim të plotë të vendimeve gjyqësore. Një bashkëpunim më i madh mes qeverisë së Shqipërisë dhe partive të opozitës do ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë objektivin e saj për reformë të plotë të sistemit gjyqësor.
  1. Shqipëria ka qenë historikisht një pikë tranziti për heorinën, kokainën dhe kanabisin e rritur në vend, por kjo situatë është përmirësuar si pasojë e përforcimit të ligjeve dhe rritjes së bashkëpunimit me autoritet ndërkombëtare. Të gjitha këto zhvillime tregojnë një progres të konsiderueshëm, por - sipas informacioneve që GOA zotëron - trafikimi është një problem që kryhet në bashkëpunim me zyrtarë të korruptuar. Plani anti-trafikim i GOA-s ka përfunduar dhe nuk është ripërtërirë.

Uashington, Mediu takohet me Gejt dhe Negroponten

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë vizitës zyrtare në SHBA ka marrë mbështetjen e Departamentit Amerikan për Anëtarësimin në NATO. Mediu së bashku me homologët e tij të vendeve të Ballkanit, të Maqedonisë dhe Kroacisë, që përfshihen në vendet e Kartës së Adriatikut (A 3). Sipas "Zërit të Amerikës", ministri Mediu u prit dje nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robet Gejts. Më pas mësohet se Mediu është takuar edhe me nënsekretarin e Shtetit amerikan, Negroponte. Në këto takime mësohet se ministri shqiptar i Mbrojtjes ka marrë mbështetjen e plotë të shtetit amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku në muajin prill mbahet Samiti i Aleancës në Bukuresht të Rumanisë. Tre ministrat e Mbrojtjes do të miratojnë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të SHBA-ve - Karta e Adriatikut. Njëra prej temave për të cilën do të bisedohet gjatë vizitës janë edhe të arriturat e forcave të armatosura, të domosdoshme për anëtarësim në NATO, stërvitjet e përbashkëta, pjesëmarrjen në misionin ISAF në Afganistan.


Kush është David L. Filips

David L. Phillips, drejtor i Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme amerikane, ka punuar si Këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe në sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, si dhe ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme akademike në universitete të njohura të botës. Ai është autor i shumë librave dhe raporteve politike, si dhe i mbi 100 artikujve, në gazeta si: “New York Times”, “Wall Street Journal”, “Finnacial Times”, “International Herald Tribune” and “Foreing Affairs”.

Marrë nga gazeta “Panorama”, Tiranë

Ambasada Amerikane në Tiranë: NATO ende nuk ka vendosur për anëtarësimin e Shqipërisë

Trazhgim Sokolaj
TIRANE – Ambasada Amerikane në Tiranë bëri një sqarim rreth lajmit të publikuar në median elektronike e më pas atë të shkruar në Shqipëri, se Organizata e Atlantikut të Veriut- NATO, tashmë kishte marrë një vendim formal pozitiv e paraprak për procesin e anëtarësimit. Deklarata është bërë publike ditën e sotme në rrugë zyrtare nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Ajo i referohet raportimeve të cilat u shfaqën fillimisht në median elektronike dhe më pas në median e shkruar në Tiranë. Këto raportime pretenduan se NATO kishte vendosur paraprakisht ti jepte Shqipërisë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit që pritet të mbahet në muajin prill të 2008. Në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, vlerësohet fryma bipartizane që po demonstron politika shqiptare për përmbushjen e reformave të kërkuara nga Plani i Veprimit për Anëtarësim në NATO, por theksohet se Shqipëria ka ende shumë për të bërë megjithë përparimin e arritur deri më tani. Më poshtë deklarata e Ambasadës Amerikane:

--------------------------

Deklaratë për Shtyp (8 Shkurt 2008)
Si Ambasada që shërben si pikë kontakti e NATO-s, kemi vënë re raportime nga media në datat 5 e 6 shkurt që sugjerojnë se Aleatët e NATO-s kanë marrë tashmë një vendim për t’i ofruar ftesën e anëtarësimit Shqipërisë apo vendeve të tjera të Kartës së Adriatikut. Dëshirojmë të sqarojmë që asnjë vendim formal nuk është marrë ende në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në NATO për Shqipërinë apo ndonjë prej vendeve të Adriatikut 3. Të 26 Aleatët duhet të jenë në një mendje në mënyrë që të ofrohet një ftesë.
Kohët e fundit, kemi vënë re përparim domethënës në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur standardet e bazuara mbi rezultate të NATO-s, siç janë përvijuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Megjithëkëtë, mbetet më shumë për t’u bërë.
Jemi inkurajuar nga qëndrimi i përmirësuar bipartizan kundrejt bashkëpunimit, diçka e evidentuar, midis të tjerash, nga miratimi unanimisht i një rezolute të paraqitur nga opozita në mbështetje të reformave për të përmbushur kriteret e NATO-s. Megjithatë, një numër domethënës reformash, specifikisht në fushat e reformës zgjedhore dhe gjyqësore, mbeten të paplota. Vazhdojmë të presim përparim të mëtejshëm drejt këtyre reformave për t’u siguruar që Shqipëria të jetë kandidatja më e fortë e mundshme në kohën kur të merren vendimet përfundimtare të NATO-s.

Shqipëria nënshkruan marrëveshje me NATO-n për operacionet detare Antiterror


Në kuadër të bashkëpunimit me Komandën e Bashkuar të NATO-s në Napoli, sot në mesditë në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit Taktik të Mirëkuptimit për Pjesëmarrjen dhe Kontributin e Shqipërisë në Operacionin “Active Endeavour” (TMOU). Në ceremoni ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe komandanti i Komponentit Detar në Komandën e Bashkuar të NATO-s në Napoli, admiral Cesaretti, si dhe ushtarakë të tjerë që e shoqëronin me këtë rast. Memorandumi Taktik i Mirëkuptimit për Pjesëmarrjen dhe Kontributin e Shqipërisë në operacionin “Active Endeavour” u nënshkrua nga komandanti i CC MAR Napoli, admirali Cesaretti dhe komandanti i Brigadës Detare, Kapiten i Rangut të Parë Kristaq Gerveni. Z.ministri Karabina, duke folur pas këtij nënshkrimi, theksoi se tashmë Shqipëria është fare pranë NATO-s dhe nënshkrimi i këtij Memorandumi është një tjetër evenimet i rëndësishëm që konfirmon këtë moment. Tashmë Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura bëhen plotësisht pjesë e kësaj iniciative të rëndësishme të NATO-s që ka të bëjë me pjesëmarrjen dhe kontributin e saj të drejtpërdrejtë në operacionin “Active Endeavour, i cili është një operacion nga më të rëndësishmit të NATO-s që ushtron aktivitetin e tij në hapësirat detare të rajonit tonë. FA Shqiptare, nënvizoi më tej ai, obilgohen që t’i shërbejnë sigurisë jo vetëm të rajonit tonë, por edhe më gjërë. Zoti Karabina falenderoi sidomos komandantin e Komponentit Detar të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, admiralin Cesaretti, cili “sot është prezent në këtë ceremoni dhe nënshkruan këtë Memorandum të rëndësishëm”. Ndërsa Admirali Cesaretti e cilësoi nënshkrimin e Memorandumit si një moment historik midis FA Shqiptare dhe NATO-s. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe të Forcave të saj të Armatosura në rajon dhe theksoi se, tani Shqipëria do të jetë një pjesëtare aktive në ndërveprime të tjera të rëndësishme të NATO-s, siç është edhe operacioni “Active Endeavour, ku do të jap një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë detare dhe në luftën kundër terrorizmit në rajonin tonë. Më herët, Admirali Cesaretti u prit në një takim të veçantë nga zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina. Zv.ministri Karabina vlerësoi kontributin e dhënë nga Admirali Cesaretti, sidomos në ideimin dhe vlerësimin e stërvitjes “Cooperative Engagment 05”, si dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i TMOU-së për pjesëmarrjen dhe kontributin e Shqipërisë në operacionin “Active Endeavour”. Operacioni “Active Endeavour” ka për mision për të treguar vendosmërinë dhe solidaritetin e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut për të parandaluar, luftuar dhe shpërbërë aktivitetet terroriste në Detin Mesdhe dhe Detin e Zi. Ky operacion është një nga masat e NATO-s për të zbatuar Nenin 5 të Traktatit të Washingtonit me qëllim zgjerimin e mundësive në fushatën kundër terrorizmit. Duke filluar që nga viti 2001 ky operacion ka arritur suksese të mëdha në nivelin strategjik, operacional dhe taktik, duke e pozicionuar NATO-n si instrument pararojë për të luftuar terrorizmin detar. Shqipëria ka qenë një nga vendet e para të PfP-së që tregoi interesim dhe vendosmëri për të marrë pjesë dhe kontribuar në këtë Operacion. Dhe në maj të vitit 2007, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Shefer miratoi kërkesën e qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen dhe kontributin në operacionin “Active Endeavour”. Që nga kjo kohë vendi ynë rreshtohet përkrah aleatëve duke dhënë kontributin e tij modest në këtë operacion me rëndësi të madhe për sigurinë detare dhe duke konfirmuar edhe njëherë aspiratat tona për integrimin euroatlantik. Ky bashkëpunim konsiton në shkëmbimin e informacionit për situatën detare, caktimin e oficerëve ndërlidhës në strukturat e NATO-s, kontrollin e anijeve të dyshimta në ujrat tona territoriale, lejimin e bordimit të anijeve me flamur shqiptar nga anijet e NATO-s dhe caktimi i pikës kombëtare të koordinimit. Një takim të veçantë me Admiralin Cesaretti pati edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral lejtnant Luan Hoxha.

Scheffer-Berishës: Reformat e kërkuara nga NATO të jenë të qëndrueshme


BRUKSEL

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha zhvilloi në Bruksel, një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë pohuan se gjatë këtij takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, është shprehur se muajt në vazhdim janë shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka bërë hapa të mëdha në drejtim të zbatimit të reformave, me qëllim integrimin në NATO. Sipas Qeverisë Shqiptare, Sekretari i Përgjithshëm Scheffer e përgëzoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e mirë me opozitën dhe ndërtimin e një kulture të duhur politike, kulturë kjo e domosdoshme për çdo demokraci, por veçanërisht për ato vende që inspirojnë të hyjnë në NATO. Kreu i Aleancës Scheffer u shpreh se një tregues i qartë i kësaj fryme bashkëpunimi me opozitën është dhe delegacioni, i cili shoqëron Kryeministrin në Bruksel, një delegacion multipartiak, i cili është një shembull i fuqishëm se si ka ndryshuar kultura politike në Shqipëri gjatë këtyre viteve. Sekretari i NATO-s theksoi se do të ketë një vlerësim pozitiv, në vendimin për të integruar Shqipërinë në NATO, edhe roli i Shqipërisë në stabilitetin e rajonit. “Roli i Shqipërisë ka qenë vendimtar për të ruajtur ekuilibrat në rajon, sidomos lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Shqipëria, është bërë eksportuese e stabilitetit në të gjithë rajonin”, tha Scheffer i cili më tej vlerësoi klimën shumë të mirë të bashkëpunimit që Shqipëria ka ndërtuar me vendet e tjera të rajonit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vlerësoi pozitivisht kontributin e Shqipërisë, në misionet paqeruajtëse përkrah trupave të NATO-s në Ballkan, Irak, Afganistan, si dhe së shpejti në vende të tjera, i cili sipas Scheffer është mjaft i rëndësishëm në ruajtjen e demokracisë në këto vende. Kreu i NATO-s shprehu vlerësim të veçantë për vendimin e Qeverisë me qëllim rritjen me 2 % të GDP-së për Forcat e Armatosura, për të cilin Scheffer tha se Shqipëria po jep një shembull pozitiv për vende të tjera që janë larg këtij standardi. “Tashmë, kilometri i fundit drejt marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit është afruar edhe më shumë dhe Shqipëria po ecën në rrugë të mbarë. Në këtë pikë, është e domosdoshme që zbatimi i reformave të bëhet mbi baza të qëndrueshme dhe zhvillimi i tyre të jetë i pakthyeshëm”, tha Scheffer. Ai vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkaq Kryeministri Berisha u shpreh se është vendimtare për qeverinë shqiptare që procesi i zhvillimit të reformave të jetë i pakthyeshëm. Berisha shprehu bindjen e tij të plotë se ky proces është i tillë. “Ka një klimë të re bashkëpunimi me forcat politike, në interes të kombit dhe të integrimit në NATO”, tha Berisha i cili konfirmoi se ekziston mbështetja e plotë e opozitës në zbatimin e reformave kryesore, të cilat kanë si objektiv integrimin e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit.

Takimi Rajs – Basha


Zëri i Amerikës
Uashington
29-01-2008

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, u takua sot me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Lulzim Basha. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës pas takimit se Sekretarja Rajs përshëndeti përparimin e bërë nga Shqipëria drejt plotësimit të standardeve të anëtarësimit në aleancën e NATO-s, përfshirë përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Zonja Rajs i bëri thirrje ministrit Basha të vazhdojë dialogun me vendet e tjera të NATO-s para takimit të nivelit të lartë të Bukureshtit. Sekretarja e Shtetit po ashtu shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria në rajon.

Basha në Uashington: Shqipëria - më pranë se kurrë anëtarësimit në NATO

Laura Konda
Zëri i Amerikës
29-01-2008
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, u takua sot paradite në Departamentin e Shtetit me Sekretaren Kondoliza Rajs. Takimi u përqëndrua në përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet euro-atlantike dhe tek gjendja në rajon, tani që Kosova ndodhet pranë shpalljes së pavarësisë. Ministri Basha ishte edhe në Zërin e Amerikës, ku dha një intervistë për programin "Ditari".
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju sapo keni ardhur nga një takim, që e përfunduat ndoshta më pak se një orë më pare, me Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs. Për çfarë biseduat në takim?
Lulzim Basha: Takimi me Sekretaren Rajs vjenë në një moment shumë të veçantë për Shqipërinë, disa javë para Samitit të Bukureshtin dhe në një moment kulmor përsa i përket statusit të Kosovës dhe si i tillë, ishte një moment shumë i rëndësishëm për ne, për të njohur zonjën Rajs, administratën amerikane, me përparimin e bërë nga Shqipëri në reforma të ndryshme, që nga takimi i fundit, në maj të vitit të kaluar, si dhe për të rrahur mendimet dhe për të koordinuar veprimet, si për çështjet rajonale në veçanti, statusit politik të Kosovës, qoftë përsa i përket finishit, deri në Bukuresht, në këtë samit historik, ku Shqipëria shpreson të marrë ftesën për anëtarësim. Takimi ishte jashtëzakonisht i përzemërt, mund të them se ndonëse ka një diferencë prej 6 orësh midis Tiranës dhe Washingtonit, akrepat e orave tona rrahin me të njëjtin ritëm, sinkronizimi ynë është i plotë, përsa i përket çështjeve rajonale, përsa i përket çështjes së Kosovës, por edhe përsa i përket perspektivës euroatlantike të Shqipërisë, dhe në fakt të të gjithë rajonit. Kjo sigurisht na jep një këanqësi të veçantë, është fryt i përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për t’u afirmuar dhe për të siguruar perspektivën e saj euroatlantike, dhe vjen në një moment, kur Shqipëria me krenari, tregon arritjet e saj në reforma të ndryshme, dhe në saj të bashkëpunimit dhe pjekurisë të klasës politike shqiptare, është në gjendje të demonstrojë progres të veçantë edhe në ato fusha, të cilat janë në qendër të vëmendjes së partnerëve euroatlantike, siç është reforma në drejtësi dhe reforma elektorale. Prandaj largohem nga ky takim, nga kjo vizitë me përshtypjet më të mira; mendoj se ka qenë një vizitë shumë e suksesshme, dhe mendoj se ashtu siç janë shprehur aleatët tanë në Washington, dhe në kryeqytetet evropiane, Shqipëria ndodhet më afër se kurrë marrjes së ftesës për anëtarësim në aleancën e Atlantikut të Veriut, në Samitin e Bukureshtit.
Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur vazhdimisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar Nato, dhe siç jeni shprehur edhe ju, ky anëtarësim është më tepër një gjest politik se sa ushtarak. A jeni ju i mendimit se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar në Aleancë?
Lulzim Basha: Ka një mekanizën objektiv, i cili quhet “plani i anëtarësimit”, veprimi i anëtarësimit, plan veprimi i anëtarësimit, i cili aplikohet ndaj vendeve që synojnë të marrin ftesën dhe në fakt nesër, kryeministri Berisha është nisur tashmë drejt Brukselit dhe unë do t’i bashkangjitem nesër, për të bërë prezantimin e arritjeve të Shqipërisë në ciklin e 9-të, i cili tashmë shpresojmë që të jetë edhe cikli i fundit, në të cilin shpresojmë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Ky cikël përbëhet nga dy elementë: elementi i parë përbëhet nga reformat, nga hapat që qeveria e vendit aspirant parashtron se do të ndërmarrë gjatë periudhës së ciklit dhe elementi i dytë është vlerësimi, monitorimi i ecurisë së këtyre reformave, të cilat do të jetë në formën e një progres-raporti. Takimi me zonjën Rajs, siç thashë, shërbeu siç thashë, në këtë drejtim, edhe për të ilustruar përparimin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në fusha si lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër informalitetit dhe masat e marra për gjallërimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë, të ilustruara këto nga rritja e vazhdueshme, galopante e investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe nga rritja e eksporteve, nga rritja e të ardhurave buxhetore, pavarësisht uljes së taksave në një nivel rekord më të ulët në Evropë, konsolidimi i praktikave buxhetore, të orjentuar në 5 drejtime kryesore, që janë infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, dhe pensionet, që tregojnë që Shqipëria ka sot teksturën e duhur ekonomiko-politike për të qenë një anëtar i Aleancës, një anëtar i cili i sjell vlera Aleancës, në stabilitetin e brendshëm dhe në aftësinë për të eskportuar sigurinë jo vetëm në rajon, siç bojmë sot, si pjesë e politikës sonë të jashtme, por edhe në Afganistan dhe Irak. Nga ana tjetër, angazhimet tona për këtë cickël, që përkojnë me reforma të tilla si ajo elektorale dhe refroma në drejtësi, kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë një shpirt bashkëpunimi bipartisan, i cili është qartësisht i evidentueshëm sot në Tiranë, jo vetëm për vëzhguesit e brendshëm, por edhe për vëzhguesit e jashtëm, dhe mendoj se parë në totalitet, vlerësimi për Shqipërinë do të jetë një vlerësim pozitiv. Kjo ka shumë rëndësi, pasi pavarësisht prej dëshirës dhe vullnetit të shprehur, për të konsideruar futjen e të tri vendeve në Aleancë, vlerësimi për çdo vend bëhet në mënyrë të veçantë, në bazë të përpjekjeve dhe të sukeseve që ai vend ka arritur, në reformat e parashikuara.
Zëri i Amerikës: Në kushtet kur po thuhet se zgjidhja e statusit të Kosovës, shpallja e pavarësisë është çështje ditësh, në këto momente përgatitjesh të fundit, cili është roli po luan Shqipëria?
Lulzim Basha: Edhe në këtë çështje, ashtu sikurse thashë, gjatë vizitës sime të pare në Shtetet e Bashkuara, ne kemi qenë të sinkronizuar për këtë çështje me Washingtonin. Shqipëri beson se zgjatja e procesit mbart rreziqe, se tani ka ardhur koha që procesi të finalizohet, dhe se është plotësisht e panevojshme të paguhet një kosto e përditshme, pa patur një benefit; sepse çdo ditë, apo çdo javë që kalon, me një zgjatje jo konstruktive të procesit, sjell pasoja negative, duke forcuar radikalët, dhe duke dobësuar të moderuarit, ndërkohë që një zgjidhje në bazë të Planit Ahtisaari, i cili ka dhe vazhdon të ketë një mbështetje të gjerë, jo vetëm tek aleatët tanë euroatlantikë, por edhe në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit, do t’i jepte fund këtij procesi të lodhshëm, do të hapte perspektivën jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, që t’i bashkangjietet një vizioni euroatlantik, që sot e ndjanë nga të gjitha kryeqytetet e tjera të rajonit. Pra, në këtë kuadër, Shqipëria, jo vetëm që mbështet fuqimisht vënien në zbatim të planit Ahtisaari, pa vonesë, por në koordinim të plotë me Prishtinën, Washingtonin dhe me kryqytetet e tjera evropiane, mendoj se edhe pa u formalizuar pavarësia e Kosovës, çka është me të vërtetë një çështje kohe shumë e shkurtër, Kosova ka filluar tashmë të dëshmojë atributet e një shteti, e një subjekti sovran të së drejtës ndërkombëtare, i cili ka orjentime të qarta dhe ka një vision të qartë. Çfarë dua të them me këtë? Udhëheqja kosovare në Prishtinë, presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi, në të gjitha bisedat e tyre me partnerët ndërkombëtarë, tashmë janë tërësisht të orjentuar jo vetëm tek momenti i shpalljes së pavarësisë, por edhe tek sfidat që vijnë menjëherë pas këtij momenti, në veçanti tek e ardhmja e Kosovës, sigurimi i një jete më të mirë për qytetarët, dhe sigurimi i një perspektive të sigurtë politike për Kosovën, e cila pa dyshim, do të ketë perspektiva euroatlantike.
Zëri i Amerikës: Pikërisht, le të qëndrojmë tek sfidat. Çfarë ndihme do të ofronte Shqipëria për Kosovën, në rast se ajo do të përballej me bllokadë ekonomike nga ana e Serbisë?
Lulzim Basha: Serbia nuk është në gjendje të bëjë bllokadë ndaj Kosovës, pasi Kosova rrethohet nga shumë fqinjë. Përpjekjet për të përdorur ndalimin e shkëmbimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, në radhë të parë do të dëmtonin vetë Serbinë, qytetarët dhe bizneset serbe; do të ishte një gjest që nuk do të vlerësohej pozitivisht nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që sigurisht Kosova i ka rrugët e hapura në të gjitha drejtimet e tjera, për të vazhduar funksionimin normal nëpërmjet tregëtisë, shkëmbimit dhe lëvizjes së lirë. Kështu që, në këtë kuadër, nuk parashikoj që ndonjë përpjekje për të “ndëshkuar”, nëse mund ta them kështu, zhvillimin e pandalshëm të shpalljes së pavarësisë me masa të iniciuara nga Beogradi do të ishte në radhë të parë e drejtuar ndaj publikut në Serbi, drejt opinionit publik në Serbi, sesa ndaj Kosovës. Ndikimet ndaj Kosovës do të ishin shumë të vogla. Sigurisht që ne kemi dhe do të vazhdojmë të mbajmë intensivisht kontakt me autoritetet në Prishtinë për çdo fushë ku ata do të ndjejnë nevojën e një asistence apo bashkëpunimi në rritje për një periudhë kalimtare ne do të jemi të hapur që nga energjitika, transportet e çdo fushë tjetër. Por mendoj se nuk duhet mbivlerësuar aftësia e Serbisë për të patur ndikim mbi Kosovën shpejt të pavarur, nëpërmjet masave të tilla represive. Edhe një herë them që masa të tilla do të kishin në radhë të parë një efekt demagogjik tek vetë qytetarët serbë.
Zëri i Amerikës: Kalojmë tek një çështje tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit ditët e fundit, ndoshta pikërisht ditën kur ju jeni nisur për në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar në Prokurori një raport ku vihte re se ka patur shkelje në rrugën Rrëshen-Kalimash. Tashmë ky është një institucion i specializuar. Cili do të ishte komenti juaj?
Lulzim Basha: Unë nuk jam njohur me raportin pasi kam qenë në udhëtim, siç thatë edhe ju. Sigurisht që institucionet kanë të drejtën e tyre për të vepruar në këtë drejtim dhe fjala e fundit i takon gjithmonë drejtësisë. Unë i mbetem asaj që ky është investimi jo vetëm më madhor në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por është edhe investimi më transparent që është kryer nodnjëherë, dhe këtu fus çdo lloj investimi, nga ato më të voglat, tek ato më të mëdhatë.
Zëri i Amerikës: Pak a shumë në raport flitet për shkelje në procedurat e tenderit, shkelje më vonë në procesin e ndërtimit...
Lulzim Basha: Nuk njihem me detajet e raportit, por mund t’ju them se procedurat e tenderimit të kësaj rruge janë të niveleve më të larta ndërkombëtare. Ato janë më të larta se kërkesat e atëhershme të ligjit shqiptar. Transparenca e këtyre procedurave është vërtetuar katërcipërisht dhe e pranuar si e tillë nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në procedurë. Rruga Shqipëri-Kosovë, e cila është rruga e integrimit euro-atlantik është e pandalshme. Dhe pavarësisht prej përpjekjeve të palëve që mund të kenë interes në ngadalësimin e këtij ritmi, Shqipëria do të ecë e vendosur në këtë drejtim dhe investimet në infrastrukturë dhe veçanërisht investimet në rrugën Durrës-Kukës-Morinë janë vetëm një mishërim i kësaj vendosmërie të Shqipërisë për të kapitalizuar mbi këtë moment të ëndërruar nga breza të tërë dhe për t’i hapur vendit dhe shqiptarëve kudo që janë, horizontet e një prosperiteti vetëm të ëndërruar më parë.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, çështja e vizave të Maqedonisë për shtetasit shqiptarë. A mund të thuhet se është e kaluar tashmë?
Lulzim Basha: Ne vazhdojmë diskutimet me Maqedoninë në këtë drejtim. Me Maqedoninë na bashkojnë aspirata dhe vizione të mëdha, siç është vizioni euro-atlantik. Ne gjithashtu ndajmë shumë aspekte të tjera të bashkëpunimit qoftë në punët e jashtme, qoftë në ekonomi apo në bashkëpunimin kulturor dhe arsimor dhe besoj se kemi bazë të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme, e cila ka për bazë parimet e lëvizjes së lirë midis dy vendeve tona. Kështu që pavarësisht prej vështirësive momentale, shpreh bindjen time dhe besimin tim që asnjë vështirësi e këtij lloji nuk mund të mbetet pa u tejkaluar.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju faleminderit për intervistën.
Lulzim Basha :Ju faleminderit ju.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të BE-së: Shqipëria e angazhuar në sfidat që kërkon anëtarësimi në NATO


Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvilloi një takim të veçantë kryetarin e Komitetit Ushtarak të BE-së, gjeneral Henri Bentegeat, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, shprehu falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe jep Bashkimi Evropian për Shqipërinë, për ecurinë dhe progresin e bërë në reformimin e institucioneve dhe gjithë strukturave tona shtetërore. Mediu e njohu ushtarakun e lartë të BE-së edhe me disa nga arritjet e shënuara në FA Shqiptare, si dhe me angazhimin e gjithanshëm të tyre për të plotësuar objektivat dhe standardet që kërkon anëtarësimi në NATO. Duke folur për angazhimin dhe kontributin e strukturave ushtarake të BE-së, Ministri Mediu theksoi se, pas përfundimit me sukses të misionit ALTHEA në Bosnje-Hercegovië, Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura janë të gatshme për t’u angazhuar me trupa ushtarake edhe në misione të tjera të BE-së, siç është misioni në Çad. Gjenerali Henri Bentegeat vlerësoi arritjet dhe përpjekjet që ka bërë Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura për integrimin euroatlantik. Ai vlerësoi si mjaft konstruktiv rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, si dhe angazhimin e saj për të përballuar të gjitha sfidat që kërkon anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shqipëria, theksoi ai, është pjesë e kontributit të NATO-s, por edhe të BE-së në misionet në interes të ruajtjes së paqes dhe lirisë në botë. Një vend të veçantë në takim zuri situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili konsiderohet si prioritet i parë për BE. Në këtë kontekst u diskutua edhe për çështjen e Kosovës dhe të statusit të saj. Gjenerali Bentegeat tha se BE po bën të gjitha përpjekjet që të jetë unike në mendimin për statusin e Kosovës dhe se plani Ahtisaari është zgjidhja e saj. Kryetari i Komitetit Ushtarak të BE-së gjeneral Henri Bentegeat u prit në një takim të veçantë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha, ndërsa më pas për gjeneral Bentegeat dhe delegacionin që ai kryeson u dha një brifing për reformimin dhe transformimin e FA Shqiptare dhe integrimin e tyre në NATO.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania