Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, shprehu bindjen e tij se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e Aleancës Veriatlantike që pritet të mbahet në Bukuresht gjatë ditëve të para të muajit prill.
Diplomati John Withers që përfaqëson SHBA-të në Tiranë, e bëri këtë deklaratë në një takim me drejtuesit e opozitës. Ambasadori amerikan përshëndeti kontributin e opozitës shqiptare në procesin e integrimit të vendit në NATO duke pohuar se anëtarësimi nuk do të shikohet nga Shtetet e Bashkuara si një meritë e një grupi të caktuar politik, por si një arritje të Popullit Shqiptar.
“Është e rëndësishme ftesa e Shqipërisë në NATO. Mund të jeni informuar dje se Presidenti Bush shprehu vendimin e tij se do të ndihmojë vendet e Kartës së Adriatikut, mes tyre dhe Shqipërinë për ftesën në NATO. Shpresojmë që kjo të bëhet realitet në ditët që vijnë”, tha ambasadori amerikan në Tiranë.
Drejtuesi i partisë më të madhe në opozitë, Edi Rama tha se integrimi i vendit në NATO kërkon thellimin e mëtejshëm të reformave.
SHBA: Shpresojmë të hyni në NATO, anëtarësimi është meritë e gjithë popullit shqiptar
"Mos na gërric shumë..."
Së bashku me një kolegun tim, ndodhesha diku në brendësi të fshatit Gërdec, atje ku më tepër se një javë më parë, ndodhi shpërthimi i një fabrike demontimi municionesh luftarake që shkaktoi tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Isha zgjuar në mëngjes me idenë se kjo është një ditë e diel, kur në Tiranë nuk ka shumë aktivitete, me idenë se kaloi një javë nga tragjedia e Gërdecit, dhe, se tani ja vlente të shkoje edhe njëherë atje, për të parë më ftohtë pasojat e asaj që ka ndodhur. Po ecnim në një rrugicë të fshatit, ishim nisur drejt zonës ku ndodhej krateri i shpërthimit, kur një makinë e policisë ushtarake, u shfaq në fund të rrugicës. Prej saj zbritën dy efektiva të policisë ushtarake. Vërshëlluan prej larg ndërsa u nisën me vrap drejt nesh. “Kjo është zonë e ndaluar”, thanë duke na zënë rrugën e më pas duke na thënë se “duhet të ktheheni, kemi urdhër të mos ju lejojmë”. I kërkova një urdhër, policit që në moshë dukej më i madh, i thashë dua ta shikoj atë urdhër zotëri. Hajde të shkojmë tek komandanti tha, është atje poshtë, tek postblloku. Epo mirë i thashë, shkojmë. Në fund të rrugicës, ndodhej po aty ku kishte ndaluar më parë, makina e policisë ushtarake. Njëri nga efektivat hapi derën dhe na ftoi në makinë. Jo zotëri i thashë, unë do të eci në këmbë, dua të shikoj fshatin, nëse mundeni më shoqëroni deri tek komandanti juaj, unë nuk jam kriminel dhe as keqbërës që të më ndaloni, të më shoqëroni me makinë. Kjo ndjesi me nervozoi pak. U thashë se do të ishte mirë sikur të merreshin me banorët e zonës që kanë nevojë për ndihmë dhe të mos harxhonin kohë me gazetarët. Ky natyrisht nuk ishte një incident. Unë nuk e konsideroj të tillë, por pas kësaj që u thashë dy policëve, njëri prej tyre mu kthye duke më thënë “ec ore, mos na gërric shumë”. Ndalova. Iu afrova dhe i kapa uniformën ushtarake në krahun e majtë. “Zotëri i thashë, respektoje këtë uniformë që ke veshur, unë nuk po kërkoj të më respektosh. Ky që përdor ti, nuk mundet të jetë kurrë, fjalor i një ushtaraku që ka vend në NATO”. U step por nuk kisha dëshirë të vazhdoja më tej. U pendova që ia thashë tani këto fjalë, sepse në fakt kisha menduar tja thosha në sy të Komandantit. Fillova ecjen dhe pashë se po afroheshim tek qendra e Komandës. I pyeta ku ndodhej Komandanti. Njëri nga policët më tha se ai ishte lart në zonë. Sa mund të vonohet zotëri. Nuk e di më tha. Unë nuk kam kohë të pres këtu me orë i thashë, por ai si duket nuk e kishte mendjen. Ia përsërita dhe mu kthye gjithë ironi: Përse zotëri doni të hyni në atë zonë, përse doni të filmoni?. E sqarova duke i thënë se unë nuk dua të filmoj, dua të flas me njerëzit, ti pyes. “Kush ti pyesë, ti?, mu përgjigj. Po unë i thashë do ti pyes, kam dëshirë të shkruaj për ata dhe jo për ju. Në këtë kohë mbërriti komandanti, i cili nuk kishte qenë aty. Policët e tij më kishin gënjyer kur më thanë hajde se na pret komandanti poshtë. Ai erdhi pasi kisha pritur rreth 35 minuta. U zemërua me një kolegun tim, u tha ushtarëve se kishin bërë shumë mirë që ishin sjellë në atë mënyrë me të, dhe harroi fare që unë, i kisha bërë një telefonatë dhe i kisha thënë se po prisja një konfirmim nga ai për të hyrë në zonë. Kaloi kufizimin e zonës ushtarake dhe po ecte. I thirra disa herë por nuk ktheu kokën. E telefonova kur kishte hyrë brenda çadrave ushtarake dhe i thashë se të paktën duhej të komunikonte me mua. Përfundimisht unë hyra në zonë dhe mbarova çfarë kisha për të bërë. Ky episod mu fiksua keq në mendje, parë në dritën e një diskutimi që kam pasur këtu e muaj të shkuar me një Komandant të Forcave Speciale Gjermane. E pata takuar në repartin RENEA. “Problemi kryesor i Shqipërisë është reformimi. Unë nuk e di çfarë nënkuptojnë politikanët tuaj me reforma, por unë flas për reformimin e njeriut. Ju keni policë të mirë, ata kanë vullnet dhe aftësi, por më vjen keq kur i shikoj që vijnë në punë sa për të qenë, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë nga vetja. Nuk përpiqen çdo ditë ti japin një kuptim asaj që bëjnë, nuk mundohen të gjejnë forma për tu përmirësuar gradualisht”. Ngjarja e mësipërme dhe dialogu me efektivin gjerman mu kujtuan ndërsa po mendoja edhe unë si shumëkush në këtë vend: A do të ketë ndikim ngjarja e Gërdecit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO? Pa dyshim që do të ketë ndikimin e saj, por gjithsesi, Shqipëria hyn në NATO atëherë kur ta meritojë. Atëherë kur ushtarët e saj, të paktën në kohën kur kanë uniformën mbi trup, të lënë mënjanë fjalorin prej gangsteri, atë sjelljen prej rrugaçi dhe zyrtari që bën insinuata personale ndaj shtetasve të këtij vendi. Edhe nëse Shqipëria nuk hyn në NATO, për shqiptarët do të jetë një fitore e madhe nëse reformohen këta njerëz, nëse policia ushtarake, apo çdo efektiv i ushtrisë, e konsideron vetën në shërbim të qytetarit dhe partner të denjë e të besueshëm të tij. Unë kam qenë i ftuar në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, kam qenë edhe në Komandën e Operacioneve në Mons, një qytet thuajse tërësisht ushtarak në Belgjikë. Aty kam pasur rastin të komunikoj me ushtarakë të ndryshëm gjatë qëndrimit disaditor. Nuk më vjen aspak mirë, që ushtarakët grekë, italianë, francezë apo polonezë, u sollën dhe komunikuan me mua në një mënyrë shumë më zyrtare, njerëzore dhe korrekte, sesa ushtarakët e vendit tim, Shqipërisë, të cilët doja të doja me gjithë shpirt, që një ditë të silleshin, të shërbenin dhe të komunikonin me qytetarët si ata, ushtarakët e NATO-s.
Qeveria Shqiptare miraton Strategjinë e Integrimit 2007-2013
Hyrja e vendeve të “A3” në NATO vendim politik i momentit të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Reformat mjaftojnë për kualifikim, por duhet të jenë të qëndrueshme
Departamenti i Shtetit: Lufta kundër narkotikëve në Shqipëri, frenohet nga korrupsioni
Në raportin e përvitshëm për drogën dhe pastrimin e parave, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se Shqipëria ka bërë përmirësim në luftën kundër narkotikëve dhe krimit financial, por se përpjekjet e saj pengohen nga korrupsioni, mangësitë profesionale në strukturat e rendit, sistemi i pareformuar gjyqësor, si edhe ekonomia informale.
Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në BE dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin.
Shqipëria thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, shërben si një vend tranzit për trafikun e heroinës nga vendet e Azisë Qendrore në Evropën perëndimore.
Në vitin 2007, kapja e heroinës ra disi, ndërsa kapja e drogave të tjera mbeti e lartë. Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, në përgjigje të trysnisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, po i lufton më me agresivitet elementët kriminalë, por puna e saj vazhdon të pengohet nga mungesa e burimeve dhe përhapja e madhe e korrupsionit.
Portet, kufijtë jo shumë të ruajtura tokësore, së bashku me një polici dhe dogana të financuara e menaxhuar keq dhe me mangësi në paisje, e bëjnë Shqipërinë një vend të lakmueshëm tranzit për trafikantët që transportojnë droga në Evropën Perëndimore.
Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë disa hapa kundër korrupsionit: si miratimi i ligjit për Parandalimin e Konflikteve të Interesave dhe nxjerrja e një afati kohor për zbatimin e tij. Po ashtu vëzhdimi nga ana e shoqërisë civile i ka rritur shpresat se korrupsioni do të bjerë. Qeveria nxorri jashtë ligjit qarkullimin e gomoneve dhe disa llojeve të tjera mjetesh lundruese në të gjitha ujrat territoriale për një periudhë prej tre vjetësh, gjë që duket se e ka pakësuar lëvizjen e drogave përmes mjeteve të vogla të lundrimit veçanërisht në Itali. Shqipëria punon me fqinjët në marrëdhënie dypalëshe dhe nisma rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet.
Sipas raportit, policia shqiptare vazhdoi të shënojë përparim në operacionet kundër narkotikëve. Sasia e drogës së kapur si nga Italia, ashtu edhe Greqia ka rënë çka do to thotë se Shqipëria ka pasur sukses në përpjekjet e saj. Bashkëpunimi ndërkombëtar u rrit, përfshirë operacione të përbashkëtar me autoritetet italiane, maqedonase, greke dhe turke.
Në raport thuhet se korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Pagat e ulëta, rryshfetet dhe rrjetet e lidhje të ngushta sociale në Shqipëri e vështirësojnë luftën ndaj korrupsionit në polici, gjykata dhe dogana. Në kuadër të përpjekjeve anti-korrupsion, Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB-së kundër korrupsionit. Në vitin 2007 policia dhe gjyqësori u bënë më aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të rendit për korrupsion. Në raport përmenden shifrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme në bazë të së cilave nga rritja 13 për qind e rasteve që arritën të paraqiten në gjykata, shumica kishte të bënte me korrupsionin, veprimtaritë e paligjshme të zyrtarëve të qeverisë dhe trafikimin.
Grupet e krimit të organzuar, thekson më tej raporti, vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si pikë tranziti për drogat dhe kontrabanda të tjera, për shkak të pozitës strategjike gjeografike të vendit, dobësisë së shtetit ligjor dhe sistemit të pareformuar gjyqësor, si edhe kufijve lehtësisht të depërtueshëm. Shqipëria është pikë tranziti për heroinën që vjen nga Afganistani, përmes rrugës së Ballkanit Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri pastaj në Itali, Mal të Zi, Greqi dhe pjesën tjetër të Evropës Perëndimore. Një sasi e kufizuar por që sa vjen e rritet e kokainës kontrabandohet nga Amerika Jugore në Shqipëri, si për konsum të brendshëm dhe për eksport. Përveç kësaj rrjetet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë shqiptarët për të transportuar koakinë dhe heroinë nga vendet e tjera në Shqipëri, Itali dhe Greqi.
Qeveria e Shqipërisë vazhdon të mirëpresë ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore. Shtetet e Bashkuara po i intensifikojnë aktivitetet në fushat e rendit dhe reformës ligjore. Një nga problemet e hasura lidhur me ndihmën në kualifikim, është politizimi i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes që sjell si rezultat mungesën e një administrate civile të fortë, kështu që shumë punonjës që i nënshtrohen kualifikimit, bëhen objekt largimi nga detyra gjatë tranizicioneve politike. Ky problem ishte veçanërisht i mprehtë në policinë e shtetit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 për qind e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur, apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit.
Shqipëria e ka bërë përparësi luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut dhe policia po e rrit rolin në operacionet kundër narkotikëve. Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë për të bërë përaparim në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, për të përdorur me efektivitet të ndihmës për strukurat e rendit dhe për të mbështetur reformën ligjore.
Si vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave
Në kapitullin për pastrimin e parave, raporti thekson se Shqipëria nuk ështe qendër e rëndësishme financiare rajonale. Megjithatë, thekson raporti, duke qënë një vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Të ardhurat që sigurohen me rruge kriminale burojnë kryesisht nga trafiqet, korrupsioni zyrtar dhe mashtrimet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Përmasa e saktë që të shumat nga këto aktivitete të paligjshme zenë tek të ardhurat totale të krimit dhe të pastrimit të parave nuk dihet.
Kriminelët investojnë para të pista në ndërtimin e banesave dhe në projektet e zhvillimit të bizneseve. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrollit të dobët në dogana. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë operacionesh për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh i kthejnë fitimet e paligjshme në Shqipëri. Fitimet nga këto aktivitete pastrohen lehtësisht në Shqipëri falë ekonomisë që zhvillohet me para në dorë dhe kontrollit të dobët të qeverisë ndaj veprimtarive bankare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, 25 për qind e parave në qarkullim janë jashtë sistemit bankar, krahasuar me 10 për qind në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga imigrantët hyjnë në vend përmes kanaleve jozyrtare. Këmbimet në tregun e zi janë ende të pranishme me gjithë përpjekjet e qeverisë. Sipas shifrave të qeverisë, të ardhurat nga tregu informal përbëjnë 30-60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithëse ka pasur nisma të vazhdueshme për të përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar krimet financiare dhe pastrimin e parave, mungesa e rezultateve pozitive dhe paaftësia për t’u bërë ballë siç duhet mangësive në programe, vazhdojnë të pengojnë përparimin।
Rreth meje
- Trazhgim Sokolaj
- GAZETAR / Journalist
Lidhje ne Fokus
Lidhje
- Krasta Krau
- Artikujte tjere ne Google nga T.Sokolaj
- Artikuj nga T.Sokolaj (Ne Google)
- Levizja MJAFT
- Sajmir Kola
- Turizmi Shqiptar, Albanian Turism, Guide
- Gazeta Start
- NATO
- Keshilli i Larte i Drejtesise
- Ministria e Drejtesise
- Partia Demokratike
- Partia Socialiste
- Presidenca e Shqiperise
- Ministria e Kultures, Turizmit, Rinise dhe Sporteve
- Photo from Albania
- Peshku pa Uje, Blogger
- Ministria e Integrimit
- Deutsche Welle (In Albanian)
- BBC (In Albanian)
- Vioce of America (In Albanian)
- Ministria e Mbrojtjes
- Ministria e Brendshme
- Parlamenti Shqiptar
- Qeveria Shqiptare
- Express, Kosove
- Televizioni i Kosoves
- E-mail (Hotmail)
- E-mail (Yahoo)
- Motor Kerkimi (Google)
- Portali Shqiptar
- Revista MAPO
- Tv Klan
- Vizion Plus
- Top Channel
- Gazeta Panorama
- Gazeta Shekulli
- Albania Photo Album (Alket Islami)