Takimi Rajs – Basha


Zëri i Amerikës
Uashington
29-01-2008

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, u takua sot me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Lulzim Basha. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës pas takimit se Sekretarja Rajs përshëndeti përparimin e bërë nga Shqipëria drejt plotësimit të standardeve të anëtarësimit në aleancën e NATO-s, përfshirë përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Zonja Rajs i bëri thirrje ministrit Basha të vazhdojë dialogun me vendet e tjera të NATO-s para takimit të nivelit të lartë të Bukureshtit. Sekretarja e Shtetit po ashtu shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria në rajon.

Basha në Uashington: Shqipëria - më pranë se kurrë anëtarësimit në NATO

Laura Konda
Zëri i Amerikës
29-01-2008
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, u takua sot paradite në Departamentin e Shtetit me Sekretaren Kondoliza Rajs. Takimi u përqëndrua në përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet euro-atlantike dhe tek gjendja në rajon, tani që Kosova ndodhet pranë shpalljes së pavarësisë. Ministri Basha ishte edhe në Zërin e Amerikës, ku dha një intervistë për programin "Ditari".
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju sapo keni ardhur nga një takim, që e përfunduat ndoshta më pak se një orë më pare, me Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs. Për çfarë biseduat në takim?
Lulzim Basha: Takimi me Sekretaren Rajs vjenë në një moment shumë të veçantë për Shqipërinë, disa javë para Samitit të Bukureshtin dhe në një moment kulmor përsa i përket statusit të Kosovës dhe si i tillë, ishte një moment shumë i rëndësishëm për ne, për të njohur zonjën Rajs, administratën amerikane, me përparimin e bërë nga Shqipëri në reforma të ndryshme, që nga takimi i fundit, në maj të vitit të kaluar, si dhe për të rrahur mendimet dhe për të koordinuar veprimet, si për çështjet rajonale në veçanti, statusit politik të Kosovës, qoftë përsa i përket finishit, deri në Bukuresht, në këtë samit historik, ku Shqipëria shpreson të marrë ftesën për anëtarësim. Takimi ishte jashtëzakonisht i përzemërt, mund të them se ndonëse ka një diferencë prej 6 orësh midis Tiranës dhe Washingtonit, akrepat e orave tona rrahin me të njëjtin ritëm, sinkronizimi ynë është i plotë, përsa i përket çështjeve rajonale, përsa i përket çështjes së Kosovës, por edhe përsa i përket perspektivës euroatlantike të Shqipërisë, dhe në fakt të të gjithë rajonit. Kjo sigurisht na jep një këanqësi të veçantë, është fryt i përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për t’u afirmuar dhe për të siguruar perspektivën e saj euroatlantike, dhe vjen në një moment, kur Shqipëria me krenari, tregon arritjet e saj në reforma të ndryshme, dhe në saj të bashkëpunimit dhe pjekurisë të klasës politike shqiptare, është në gjendje të demonstrojë progres të veçantë edhe në ato fusha, të cilat janë në qendër të vëmendjes së partnerëve euroatlantike, siç është reforma në drejtësi dhe reforma elektorale. Prandaj largohem nga ky takim, nga kjo vizitë me përshtypjet më të mira; mendoj se ka qenë një vizitë shumë e suksesshme, dhe mendoj se ashtu siç janë shprehur aleatët tanë në Washington, dhe në kryeqytetet evropiane, Shqipëria ndodhet më afër se kurrë marrjes së ftesës për anëtarësim në aleancën e Atlantikut të Veriut, në Samitin e Bukureshtit.
Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur vazhdimisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar Nato, dhe siç jeni shprehur edhe ju, ky anëtarësim është më tepër një gjest politik se sa ushtarak. A jeni ju i mendimit se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar në Aleancë?
Lulzim Basha: Ka një mekanizën objektiv, i cili quhet “plani i anëtarësimit”, veprimi i anëtarësimit, plan veprimi i anëtarësimit, i cili aplikohet ndaj vendeve që synojnë të marrin ftesën dhe në fakt nesër, kryeministri Berisha është nisur tashmë drejt Brukselit dhe unë do t’i bashkangjitem nesër, për të bërë prezantimin e arritjeve të Shqipërisë në ciklin e 9-të, i cili tashmë shpresojmë që të jetë edhe cikli i fundit, në të cilin shpresojmë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Ky cikël përbëhet nga dy elementë: elementi i parë përbëhet nga reformat, nga hapat që qeveria e vendit aspirant parashtron se do të ndërmarrë gjatë periudhës së ciklit dhe elementi i dytë është vlerësimi, monitorimi i ecurisë së këtyre reformave, të cilat do të jetë në formën e një progres-raporti. Takimi me zonjën Rajs, siç thashë, shërbeu siç thashë, në këtë drejtim, edhe për të ilustruar përparimin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në fusha si lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër informalitetit dhe masat e marra për gjallërimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë, të ilustruara këto nga rritja e vazhdueshme, galopante e investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe nga rritja e eksporteve, nga rritja e të ardhurave buxhetore, pavarësisht uljes së taksave në një nivel rekord më të ulët në Evropë, konsolidimi i praktikave buxhetore, të orjentuar në 5 drejtime kryesore, që janë infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, dhe pensionet, që tregojnë që Shqipëria ka sot teksturën e duhur ekonomiko-politike për të qenë një anëtar i Aleancës, një anëtar i cili i sjell vlera Aleancës, në stabilitetin e brendshëm dhe në aftësinë për të eskportuar sigurinë jo vetëm në rajon, siç bojmë sot, si pjesë e politikës sonë të jashtme, por edhe në Afganistan dhe Irak. Nga ana tjetër, angazhimet tona për këtë cickël, që përkojnë me reforma të tilla si ajo elektorale dhe refroma në drejtësi, kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë një shpirt bashkëpunimi bipartisan, i cili është qartësisht i evidentueshëm sot në Tiranë, jo vetëm për vëzhguesit e brendshëm, por edhe për vëzhguesit e jashtëm, dhe mendoj se parë në totalitet, vlerësimi për Shqipërinë do të jetë një vlerësim pozitiv. Kjo ka shumë rëndësi, pasi pavarësisht prej dëshirës dhe vullnetit të shprehur, për të konsideruar futjen e të tri vendeve në Aleancë, vlerësimi për çdo vend bëhet në mënyrë të veçantë, në bazë të përpjekjeve dhe të sukeseve që ai vend ka arritur, në reformat e parashikuara.
Zëri i Amerikës: Në kushtet kur po thuhet se zgjidhja e statusit të Kosovës, shpallja e pavarësisë është çështje ditësh, në këto momente përgatitjesh të fundit, cili është roli po luan Shqipëria?
Lulzim Basha: Edhe në këtë çështje, ashtu sikurse thashë, gjatë vizitës sime të pare në Shtetet e Bashkuara, ne kemi qenë të sinkronizuar për këtë çështje me Washingtonin. Shqipëri beson se zgjatja e procesit mbart rreziqe, se tani ka ardhur koha që procesi të finalizohet, dhe se është plotësisht e panevojshme të paguhet një kosto e përditshme, pa patur një benefit; sepse çdo ditë, apo çdo javë që kalon, me një zgjatje jo konstruktive të procesit, sjell pasoja negative, duke forcuar radikalët, dhe duke dobësuar të moderuarit, ndërkohë që një zgjidhje në bazë të Planit Ahtisaari, i cili ka dhe vazhdon të ketë një mbështetje të gjerë, jo vetëm tek aleatët tanë euroatlantikë, por edhe në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit, do t’i jepte fund këtij procesi të lodhshëm, do të hapte perspektivën jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, që t’i bashkangjietet një vizioni euroatlantik, që sot e ndjanë nga të gjitha kryeqytetet e tjera të rajonit. Pra, në këtë kuadër, Shqipëria, jo vetëm që mbështet fuqimisht vënien në zbatim të planit Ahtisaari, pa vonesë, por në koordinim të plotë me Prishtinën, Washingtonin dhe me kryqytetet e tjera evropiane, mendoj se edhe pa u formalizuar pavarësia e Kosovës, çka është me të vërtetë një çështje kohe shumë e shkurtër, Kosova ka filluar tashmë të dëshmojë atributet e një shteti, e një subjekti sovran të së drejtës ndërkombëtare, i cili ka orjentime të qarta dhe ka një vision të qartë. Çfarë dua të them me këtë? Udhëheqja kosovare në Prishtinë, presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi, në të gjitha bisedat e tyre me partnerët ndërkombëtarë, tashmë janë tërësisht të orjentuar jo vetëm tek momenti i shpalljes së pavarësisë, por edhe tek sfidat që vijnë menjëherë pas këtij momenti, në veçanti tek e ardhmja e Kosovës, sigurimi i një jete më të mirë për qytetarët, dhe sigurimi i një perspektive të sigurtë politike për Kosovën, e cila pa dyshim, do të ketë perspektiva euroatlantike.
Zëri i Amerikës: Pikërisht, le të qëndrojmë tek sfidat. Çfarë ndihme do të ofronte Shqipëria për Kosovën, në rast se ajo do të përballej me bllokadë ekonomike nga ana e Serbisë?
Lulzim Basha: Serbia nuk është në gjendje të bëjë bllokadë ndaj Kosovës, pasi Kosova rrethohet nga shumë fqinjë. Përpjekjet për të përdorur ndalimin e shkëmbimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, në radhë të parë do të dëmtonin vetë Serbinë, qytetarët dhe bizneset serbe; do të ishte një gjest që nuk do të vlerësohej pozitivisht nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që sigurisht Kosova i ka rrugët e hapura në të gjitha drejtimet e tjera, për të vazhduar funksionimin normal nëpërmjet tregëtisë, shkëmbimit dhe lëvizjes së lirë. Kështu që, në këtë kuadër, nuk parashikoj që ndonjë përpjekje për të “ndëshkuar”, nëse mund ta them kështu, zhvillimin e pandalshëm të shpalljes së pavarësisë me masa të iniciuara nga Beogradi do të ishte në radhë të parë e drejtuar ndaj publikut në Serbi, drejt opinionit publik në Serbi, sesa ndaj Kosovës. Ndikimet ndaj Kosovës do të ishin shumë të vogla. Sigurisht që ne kemi dhe do të vazhdojmë të mbajmë intensivisht kontakt me autoritetet në Prishtinë për çdo fushë ku ata do të ndjejnë nevojën e një asistence apo bashkëpunimi në rritje për një periudhë kalimtare ne do të jemi të hapur që nga energjitika, transportet e çdo fushë tjetër. Por mendoj se nuk duhet mbivlerësuar aftësia e Serbisë për të patur ndikim mbi Kosovën shpejt të pavarur, nëpërmjet masave të tilla represive. Edhe një herë them që masa të tilla do të kishin në radhë të parë një efekt demagogjik tek vetë qytetarët serbë.
Zëri i Amerikës: Kalojmë tek një çështje tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit ditët e fundit, ndoshta pikërisht ditën kur ju jeni nisur për në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar në Prokurori një raport ku vihte re se ka patur shkelje në rrugën Rrëshen-Kalimash. Tashmë ky është një institucion i specializuar. Cili do të ishte komenti juaj?
Lulzim Basha: Unë nuk jam njohur me raportin pasi kam qenë në udhëtim, siç thatë edhe ju. Sigurisht që institucionet kanë të drejtën e tyre për të vepruar në këtë drejtim dhe fjala e fundit i takon gjithmonë drejtësisë. Unë i mbetem asaj që ky është investimi jo vetëm më madhor në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por është edhe investimi më transparent që është kryer nodnjëherë, dhe këtu fus çdo lloj investimi, nga ato më të voglat, tek ato më të mëdhatë.
Zëri i Amerikës: Pak a shumë në raport flitet për shkelje në procedurat e tenderit, shkelje më vonë në procesin e ndërtimit...
Lulzim Basha: Nuk njihem me detajet e raportit, por mund t’ju them se procedurat e tenderimit të kësaj rruge janë të niveleve më të larta ndërkombëtare. Ato janë më të larta se kërkesat e atëhershme të ligjit shqiptar. Transparenca e këtyre procedurave është vërtetuar katërcipërisht dhe e pranuar si e tillë nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në procedurë. Rruga Shqipëri-Kosovë, e cila është rruga e integrimit euro-atlantik është e pandalshme. Dhe pavarësisht prej përpjekjeve të palëve që mund të kenë interes në ngadalësimin e këtij ritmi, Shqipëria do të ecë e vendosur në këtë drejtim dhe investimet në infrastrukturë dhe veçanërisht investimet në rrugën Durrës-Kukës-Morinë janë vetëm një mishërim i kësaj vendosmërie të Shqipërisë për të kapitalizuar mbi këtë moment të ëndërruar nga breza të tërë dhe për t’i hapur vendit dhe shqiptarëve kudo që janë, horizontet e një prosperiteti vetëm të ëndërruar më parë.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, çështja e vizave të Maqedonisë për shtetasit shqiptarë. A mund të thuhet se është e kaluar tashmë?
Lulzim Basha: Ne vazhdojmë diskutimet me Maqedoninë në këtë drejtim. Me Maqedoninë na bashkojnë aspirata dhe vizione të mëdha, siç është vizioni euro-atlantik. Ne gjithashtu ndajmë shumë aspekte të tjera të bashkëpunimit qoftë në punët e jashtme, qoftë në ekonomi apo në bashkëpunimin kulturor dhe arsimor dhe besoj se kemi bazë të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme, e cila ka për bazë parimet e lëvizjes së lirë midis dy vendeve tona. Kështu që pavarësisht prej vështirësive momentale, shpreh bindjen time dhe besimin tim që asnjë vështirësi e këtij lloji nuk mund të mbetet pa u tejkaluar.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju faleminderit për intervistën.
Lulzim Basha :Ju faleminderit ju.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania