Topi: Do të jem plotësisht mbi palët, për një politikë bashkëpunuese



MIRELA MILORI/Uashington/ 21/07/2007
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë Bamir Topi tha se do të jetë mjaft objektiv dhe promotor që klima politike shqiptare të jetë bashkëpunuese në interes të sfidave madhore që ka Shqipëria: rritjen ekonomike të vendit, qetësinë shoqërore si dhe dy sfidat më të mëdha që janë integrimi në Europë dhe në NATO
Zëri i Amerikës: Zoti Topi, si garantues i unitetit të vendit dhe i zbatimit të kushtetutës, si mendoni ta realizoni këtë synim, i cili padyshim që nënkupton një ekuilibër të vështirë, aq më tepër që ju vini nga një e kaluar partiake? Pra si do te mund te beni ju shkeputjen e plote nga partia juaj?

Bamir Topi: Natyrisht sot unë duhet të flas ndryshe nga dita e djeshme jo sepse brenda 24 orësh ndryshon pozicioni në mënyrë radikale por ka qenë një bindje e thellë qysh në momentin kur unë vendosa të pranoj kandidimin për kreun e shtetit. Pra isha i prirur të lançoja një platfortë të qartë që kishte të bënte pikërisht me dokumentin themeltar të shtetit, i cili qoftë në frymë apo në gërmë, garanton jo vetëm balancimin e institucioneve por presidenti i republikës është institucioni që garanton edhe ekuilibër të plotë midis partive politike dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Nga kjo pikpamje gjëja më e rëndësishme e këtij procesi që u realizua ndoshta në një klimë të ndërlikuar në mënyrë artificiale, ishte kthimi te Kushtetuta, te dokumenti themeltar i shtetit, e cila presupozonte në mënyrë të qartë që gara presidenciale zhvillohej jo në tryeza partish por në kuvendin e Shqipërisë, aty ku përfaqësuesit kishin jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin kushtetues si atribut i njerëzve të zgjedhur nga populli në 100 zona elektorale, ku 40 të tjerë janë në listën proporcionale, pikërisht për të zgjedhur me votën e tyre të fshehtë dhe të lirë presidentin, që kërkonte sipas Kushtetutës 84 vota. Nga kjo pikëpamje, gjithçka që u konsumua në fillim nuk ishte në linjën e procesit kushtetues ndërsa në momentin kur në garë u fut zoti Nano, u regjistrova edhe unë. Besoj se qysh nga ai moment, gara u fut në linjë kushtetuese, e pranuar nga të gjithë sepse nuk do të kishte asnjë lloj sensi nëse presidenti i republikës do të dilte jashtë dokumentit themeltar të shtetit për të cilin ai mban përgjegjësi dhe është i detyruar t’i referohet. Në momentin kur u fut zoti Ceka në lojë, natyrisht procesi ishte legjitim, atij iu shtua legjitimiteti dhe u garantua që gara do të shkonte deri në fund. Nga kjo pikpamje, unë mendoj se si proces kushtetues ai tashmë është realizuar dhe presidenti i shtetit duhet që, në mënyrë të detyrueshme, ato që ka thënë me fjalë t’i realizojë me vepra hap pas hapi, duke qenë rigoroz jo vetëm në atë çka është e shkruar në dokumentin themeltar të shtetit por të kontribuojë me të gjitha mënyrat e veta për një detantë midis të gjitha partive politike, për të qenë në një pozicion të barasvlefshëm dhe për të injektuar në shoqërinë shqiptare, për fat të keq problematike, të gjithë ata elementë të civilizimit dhe të standardeve që ne kërkojmë të arrijmë sipas atyre që kemi premtuar për t’u integruar në familjen europiane dhe euroatlantike.
Zëri i Amerikës: Zoti Topi, duket se shija e fitores sikur eshte cënuar disi nga qendrimi kritik i opozitës ndaj procesit të votimit që ju solli ju në postin më të lartë të shtetit. E majta flet për blerje votash dhe në fakt ju u votuat edhe nga ata që kishin kundërshtuar kandidaturën tuaj, ndjekësit e zotit Nano. Në një situatë të tillë, si mund ta rifitoni ju besimin e opozitës?
Bamir Topi: Unë mendoj se, që të marrësh 85 vota në parlament, natyrisht që kësaj mund t’i bësh shumë komente nga pozicione të ndryshme politike por ju e dini se gara u realizua edhe me qejfmbetje nga kampet respektive, qoftë nga zoti Nano apo nga zoti Ceka. Por e rëndësishme është se të gjithë deputetët që ishin të pranishëm duhen konsideruar nga një tjetër këndvështrim si deputetë të përgjegjshëm, të cilët në respekt të votës që kanë marrë nga shoqëria shqiptare dhe nga populli erdhën për të plotësuar një detyrim kushtetues për të mos e lënë vendin në krizën e zgjedhjeve të parakohëshme. Nga kjo pikëpamje, sa kohë që procesi konsiderohet legjitim, pa asnjë lloj paragjykimi që vjen nga një parti e majtë, do të thoja që presidenti i republikës duhet t’u largohet paragjykimeve dhe duhet të jetë mbi palët. Unë u premtoj, në këtë moment që flas, jo vetëm partive të djathta por edhe partive të majta, në mënyrë të veçantë partisë më të madhe opozitare, Partisë Socialiste, që do të jem totalisht mbi palët, do të jem në një pozicion mjaft objektiv dhe promotor që klima politike shqiptare të jetë bashkëpunuese në interes të sfidave madhore që ka Shqipëria: rritjen ekonomike të vendit, qetësinë shoqërore dhe besoj për dy sfidat më të mëdha që janë integrimi në Europë dhe në NATO.
Zëri i Amerikës: Shkaku që prishi konsensusin për një president konsensual ishte çështja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshem. Për zgjedhjen tuaj nuk u vu ky kusht. A duhet ta marrim të mirëqenë se ju do ta shkarkoni kreun e akuzës? Nëse po, si do te realizohej kjo?
Bamir Topi: Unë e kam shprehur edhe më parë që Presidenti i Republikës nuk zgjidhet duke u kondicionuar nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm. Presidenti i Republikës, sikurse është premtuar, do të jetë iniciues dhe bashkëpunues në reformimin e sistemit të drejtësisë i cili është shfaqur mjaft problematik. Ky nuk është koment dhe pozicioni që është marrë vetëm nga partitë politike shqiptare por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kjo presupozon që institucioni i prokurorit të përgjithshëm është një etapë e cila duhet patjetër tejkaluar jo vetëm për shkak të punës së pamjaftueshme, mjaft problematike, por për shkak të atij pozicioni të palimituar që e çon institucionin e prokurorit të përgjithshëm në një mandat të paprecedent ndërkohë që të gjithë personalitetet, qofshin këto në nivelet më të larta të shtetit, por qoftë edhe në nivelin e prokurorit të përgjithshëm në vende të tjera, kanë një afat. Nga kjo pikëpamje, pozicioni i institucionit të prokurorit të përgjithshëm do të jetë pjesë e një reforme të thellë ku natyrisht presupozohet edhe një marrje në konsideratë e pozicionimit të ri për institucionin e prokurorit.
Zëri i Amerikës: Zoti Topi, ndër deklarimet tuaja të para mbrëme ishte edhe ai për pavaresinë e Kosovës. Situata është kritike për shkak se rezoluta për Kosovën nuk do të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit. Cili do të ishte mesazhi juaj për Kosovën në këto momente?
Bamir Topi: Mesazhi im për Kosovën në këto momente është që të jetë pikërisht në kohezion të plotë me pjesën më substacionale të mendimit të faktorit ndërkombëtar, të jetë në koherencë të plotë me ato pozicione që marrin miqtë e mëdhenj të Kosovës, të Shqipërisë dhe të vendeve demokratike, pra të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat me kohë kanë projektuar një të ardhme të re për Kosovën। Unë jam i bindur që populli i Kosovës është një popull i cili jo vetëm ka vuajtur por është formuar gjatë procesit të izolimit dhe të diskriminimit social dhe ka arritur në një pjekuri politike ku klasa politike e Kosovës sot është e sinkronizuar, është në një mendim unik. Besoj që së shpejti ai do të gëzojë frytet e pavarësisë së Kosovës, status që do të vijë patjetër, natyrisht jo i vetmuar por si pjesë e një koalicioni të gjerë botëror i cili e ka projektuar në mënyrë të padiskutueshme statusin e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës, VOA

Balkantimes: Bashkëpunimi gjyqësor, një domosdoshmëri për integrimin


Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 16/07/07

Anëtarësimi në BE dhe NATO varet nga bashkëpunimi gjyqësor
Anembanë Evropës Juglindore, reformat gjyqësore dhe lufta kundër krimit të organizuar janë kyç për perspektivat e integrimit. Veçanërisht për shkak të veprimeve kriminale ndërkufitare, bashkëpunimi midis vendeve është jetik. Maqedonia dhe Serbia ofruan së fundmi shembuj të vlefshëm të një bashkëpunimi të tillë duke punuar së bashku në dy raste kriminale të profilit të lartë. Në janar, policia serbe arrestoi Stanislava Kokorovska-Poletan me akuzat e kondrabandës së gati 500 kg kokainë në Maqedoni. Poletan, e cila ka shtetësi të dyfishtë maqedonase e serbe, jetonte atë kohë në Serbi. Pasi autoritetet në Shkup lëshuan një urdhër-arrest ndërkombëtar për të, policia serbe e ndaloi. Sipas autoriteteve, Poletan është përfshirë në kontrabandën e cigareve dhe alkoolit që nga koha e Millosheviçit. Në qershor 2006, policia në Beograd arrestoi Metodija Smilenski, një biznesmen i dyshuar për mashtrim e parregullsi që kishte shkaktuar dëme që shkonin në 50 milion euro. Smilenski që ka shtetësi të dyfishtë maqedonase e austriake, u kap gjatë një kontrolli rutinë. Një ditë përpara se afati përfundimtar një-vjeçar i ekstradimit të skadonte, Smilenski ju dorëzua autoriteteve maqedonase. Zyra e prokurorisë maqedonase pret që deklarimet e Smilenskit mund të shpien në zyrtarë të tanishëm e të mëparshëm të nivelit të lartë që qenë përfshirë si mbrojtës apo partnerë në bëmat e tij. Zyrtarët thonë se një bashkëpunim i tillë gjyqësor dërgon një mesazh të fuqishëm për kriminelët, duke i paralajmëruar ata se nuk do të jenë më në gjendje të kërkojnë mbrojtje duke shkarë nëpër kufij dhe se sjellja e tyre nuk do të tolerohet në cilindo vend.
Nga bashkëpunimi midis institucioneve dhe autoriteteve, të gjithë ata që kanë kryer akte kriminale do të mbahen përgjegjës për krimet e tyre, u zotua kohët e fundit ministri maqedonas i drejtësisë Mihajlo Manevski. Vrulli i kohëve të fundit drejt bashkëpunimit mund t'i vishet ofertave të vendeve për në BE e NATO. Anëtarësimi në dy organizatat ndërkombëtare është kushtëzuar me ngritjen e sektorëve të pavarur gjyqësorë dhe mbështetjen e një lufte të efektshme kundër krimit. Një gjyqësor i dobët dhe mungesa e bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe rajonal e bën të pamundur luftimin e krimit të organizuar. "Maqedonia dhe Serbi-Mali i Zi, si edhe vendet e tjera në rajon nuk kanë alternativë tjetër me përjashtim të koalicionit tashmë ekzistues rajonal për të kundërshtuar botën e paligjshme kriminale me organizim edhe më të mirë, krahasuar me periudhën e mëparshme të bashkëpunimit ndërqeveritar," tha presidenti maqedonas Branko Crvenkovski në një intervistë vitin e kaluar. Policia maqedonase transferon Stanislava Kokorovska-Poletan, organizatoren e dyshuar të një dërgese rekord kokaine, nga një pikë kalimi kufitar në një makinë të policisë në 10 majShumë krerë rajonalë kanë shprehur pikëpamje të ngjashme në takimet mbajtur nën patronazhin e BE, NATO, Paktit të Stabilitetit dhe Këshillit të Evropës. Vitin e kaluar një konferencë në Moskë organizuar nga Këshilli Evropian përfundoi me një zotim për të nisur një luftë edhe më të suksesshme kundër krimit, veçanërisht nëpërmjet procedimeve penale më të efektshme. Midis strategjive të diskutuara ishte krijimi i një baze të dhënash që rreshton procedurat ekzistuese në vendet pjesëmarrëse lidhur me tipe të ndryshme krimesh dhe formimin e një rrjeti me persona të kontaktit.Në shkurt të vitit të kaluar, ministrat e drejtësisë e të brendshëm të dhjetë vendeve të Evropës Juglindore ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut njerëzor dhe terorizmit. Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina (BiH), Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Molldavia, Rumania, Serbi-Mali i Zi dhe Turqia u zotuan të miratojnë ligjet e tyre që përmbushin standardet e BE dhe të Këshillit të Evropës. Ministrat ranë gjithashtu dakord të ngrenë grupe pune me prokurorë e oficerë policie për të hetuar krimin e organizuar në nivelet kombëtare e rajonale. BE dhe NATO kanë ngritur programe që synojnë rritjen e bashkëpunimit nëpërmjet edukimit dhe trainimit. Një sërë projektesh për trainim gjyqtarësh, buxhetimin, zhvillimin institucional , krijimin e institucioneve të reja gjyqësore dhe programet e mbrojtjes së dëshmitarëve janë mbajtur në tërë rajonin nëpërmjet programit të BE, CARDS. Vendet në rajon duhet të kapërcejnë dobësitë dhe të arrijnë bashkëpunim më të mirë për një numër arsyesh. Së pari, gjyqësori i pavarur e i besueshëm është një çelës për stabilitetin institucional. Së dyti, një sistem gjyqësor efektiv e i ndershëm është edhe më i rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Së treti, sistemet gjyqësore në rajon priren të jenë të ngadalta dhe kanë raste të panumërta të pazgjidhura prej kohësh. Dështimi i këtyre sistemeve rrit mungesën e besimit të qytetarit në qeverinë dhe institucionet e saj. Kjo, nga ana e vet, shpie në krim e korrupsion të mëtejshëm, kështu që krijohet një rreth i mbyllur. Ekspertët theksojnë se kufijtë, kombësitë dhe feja nuk duhet të bëhen pengesë për kapjen e kriminelëve. Ajo që është penalisht e papranueshme në një vend duhet të mos tolerohet në një tjetër. Bashkëpunimi në çështjet gjyqësore do të forcojë çdo vend individualisht duke rritur kështu opinionin për rajonin si të tërë. Në të njëjtën kohë, suksesi në nivelin rajonal do të forcojë gjithashtu perspektivat për vendet individuale.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com

Senatorët amerikanë Nunn dhe Lugar përshëndesin shkatërimin e agjentëve kimikë në Shqipëri


TIRANE / 20 korrik 2007
Ministria e Mbrojtjes në Tiranë, deklaroi sot, më 20 korrik 2007 se në përgjigje të konferencës për shtyp të datës 11 korrik 2007, të zv/ministrit Petrit karabina, për shkatërrimin e armëve dhe të agjentëve kimikë në Shqipëri, zyra e Senatorëve Nunn dhe Lugar në SHBA në adresë të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes ka dërguar një njoftim për shtyp, ku që në krye të tij nëvizohet: “Shkatërrohen mbetjet e armëve kimike në Shqipëri”. Në këtë njoftim theksohet: “Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi shkatërrimin e mbetjeve të armëve kimike, për të parën herë jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, nëpërmjet Programit të Reduktimit të Rrezikut të Kërcënimit Nunn-Lugar. “Theksoj se bashkëpunimi dhe mbështetja nga SHBA, nëpërmjet programit të reduktimit të kërcënimeve nga armët kimike, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, inicuar dhe mbështetur nga Senatorët e nderuar amerikan Nunn dhe Lugar, ka qenë faktor mjaft i rëndësishëm për realizimin me sukses të këtij projekti.” - tha zv.ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Petrit Karabina. “Puna për shkatërrimin e kimikateve në vendin tonë fillojë pas miratimit të fondeve për këtë projekt nga Kongresi Ammerikan, - deklaroi Karabina javën e kaluar,- Në dhjetor 2002 u bë zbulimi i Armëve Kimike, të një sasie prej rreth 16 tonësh, disa prej të cilave nga më të rrezikshmet që njihen deri më sot” Senatori Lugar, në gusht të vitit 2004, vizitoi vendin e magazinimit të armëve kimike në Shqipëri për të diskutuar për përmirësimitn e masave të ruajtjes dhe për planin e asgjesimit të tyre. Pajisjet e shkatërrimit u transportuan për në Shqipëri vitin e shkuar. “Unë përgëzoj Qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin e ngushtë dhe përpjekjet për asgjesimin e këtyre Armëve të Shkatërrimit në Masë. Bota është më e sigurtë dhe një kontribut domethënës është bërë për sigurinë rajonale dhe atë ndërkomëbëtare,” –tha Senatori Lugar. Në vitin 2003, Kongresi miratoi Ligjin e Zgjerimit Nunn-Lugar, me autor Senatorin Lugar, i cili lejojë Presidentin Bush të përdorë 50 milion USD në fondet Nunn-Lugar për aktivitetet jashtë ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti Bush nënshkroi autorizimin për punën në Shqipëri në vitin 2004. “Programi Nunn-Lugar ka krijuar një rezervuar të thellë ekperience dhe talenti, që mund të zbatohet anembanë botës, për të arritur objektivat e mospërhapjes. Ligji origjinal Nunn-Lugar, ishte i lidhur vetëm me ish- Bashkimin Sovjetik, sepse aty ishin dhe mbetjet më të mëdha të armëve dhe materialeve të shkatërrimit në masë. Sot ne duhet të jemi të përgatitur me para dhe ekspertizë, për të zgjeruar konceptin Nun-Lugar, kudo ku mund të zbatohet.” - deklaroi Senatori Lugar, anëtari më i vjetër dhe ish-kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit. “Në nëntor 1991, Senatori Lugar dhe ish-Senatori Nunn u bënë autorë të ligjit Nunn-Lugar, që krijojë Programin e Reduktimit të Kërcënimit. Ky program ka siguruar fonde dhe ekspertizë për të ndihmuar ish- Bashkimin Sovjetik për ruajtjen dhe çmontimin e mbetjve të panumërta nukleare, të Armëve Kimike dhe Biologjike, si dhe materialeve që lidhen me to e Sistemeve të Shpërndarjes së tyre. Programi Nunn-Lugar tashmë shënon një total prej 6,982 kokash bërthamore të ç’aktivizuara, 651 Raketa Balistike Ndërkontinentale të shkatërruara, 485 ICBM silos të shkatërruara, 101 ICBM lëshues të lëvizshëm të shkatërruar, 612 lëshues raketash balistike nëndetsesh, 436 SLBM lëshues të shkatërruar, 30 nëndetëse bërthamore të afta për lëshimin e raketave balistike të shkatërruara, 155 bombardues të shkatërruar, 906 Raketa Ajër-Tokë të shkatërruara, 194 tunele të provave bërthamore të shkatërruar, 351 trena transportues të armëve bërthamore, 12 vendruajtje armësh kimike janë sot me sistem ruajtje të përmirësuar dhe janë ndërtuar 9 stacione biologjike për monitorimin. Ndoshta më e rëndësishme është që Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani janë vende të pastra nga armët bërthamore, si rezultat i Programit Nunn-Lugar. Këto vende renditeshin i treti, i katërti dhe i teti në listën e fuqive të vendeve bërthamore. Përtej asgjesimit bërthamor, programi Nunn-Lugar siguron dhe shkatërron armët kimike, biologjike dhe bërthamore dhe ka mundësuar ripunësimin e shkenctarëve në iniciativat kërkuese paqeruajtëse. Qëndrat Ndërkombëtare Teknologjike dhe Shkencore, të cilat sponsorizohen nga SHBA, angazhojnë afro 58000 ish-shkencëtar bërthaamor. Programi Ndërkombëtar i Parandalimit ka financuar 750 projekte dhe përfshirë 14 000 shkëncëtar armësh, si dhe ka krijuar 580 vende pune. Senatori Lugar realizon udhëtime vjetore inspektimi në vendmagazinimet e këtyre armëve në ish-Bashkimin Sovjetik. Këtë gusht vizita do të përfshijë aktivitete në Moskë dhe në Astana, duke përkujtuar 15-vjetorin e Programit Nunn-Lugar.

Gjenerali John Reith: Shqipëria hapa të dukshëm për anëtarësimin në NATO


TIRANE / 18 Korrik 2007
Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu priti në një takim të veçantë zv.komandantin e Komandës Strategjike të Aleancës në Europë dhe komandant i Operacionit ALTHEA të BE-së, gjeneralin John Reith, i cili, në krye të një delegacioni, ka ardhur për vizitë zyrtare në vendin tonë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA–së gjeneral major Luan Hoxha. Ministri Mediu, duke i uruar mirëseardhjen në vendin tonë ushtarakut të lartë të NATO-s dhe delegacionit që ai kryeson, shprehu falenderimet e tij dhe të qeverisë shqiptare për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura kanë patur dhe kanë nga strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut në procesin e reformave integruese euroatlantike. Më tej, Ministri Mediu informoi gjeneralin Reith për punën e bërë për transformimin dhe modernizimin e FA Shqiptare, duke u ndalur sidomos në implementimin e strukturës së re, në krijimin dhe funksionimin tashmë të Komandës së Forcës së Bashkuar, në rritjen e profesionalizmit të Forcave tona të Armatosura me qëllim që ato, brenda vitit 2010 të jenë një Forcë e vogël në numër, por tërësisht profesioniste dhe të ndërveprueshme me NATO-n. Pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse dhe në luftën kundër terrorizmit përkrah forcave aleate në disa pika të nxehta të globit, theksoi ndër të tjera Ministri Mediu, është një tregues i qartë jo vetëm i angazhimit tonë, por edhe i rritjes së shkallës së profesionalizmit dhe të operacionalitetit të trupave dhe strukturave tona ushtarake. Edhe shtimi 113 trupave të Reagimit të Shpejtë në operacionin e drejtuar nga NATO në Herat të Afganistanit është një tjetër dëshmi e kësaj rritjeje dhe këtij angazhimi që ka Shqipëria në operacionet për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në botë. Gjenerali John Reith vlerësoi arritjet dhe treguesit pozitiv në rrugën e reformave për transformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, si dhe angazhimin serioz të qeverisë shqiptare për mbështetjen që i jep reformave në fushën e mbrojtjes dhe reformimit e modernizimit të FA, duke rritur për këtë qëllim edhe buxhtin financiar. Gjenerali Reith vlerësoi veçanërisht pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse shqiptare në misionet në Irak e Afganistan në përbërje të Koalicionit Ndërkombëtar, si dhe në operacionin ALTHEA të BE-së në Bosnjë-Hercegovinë. Duke folur për procesin e anëtarësimit në NATO, ai theksoi se Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura kanë bërë hapa të dukshëm në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në NATO. Gjeneral Reith dhe delegacioni që ai kryeson u prit në takim një takim të veçantë edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral major Luan Hoxha, ndërsa më pas për delegacionin e lartë të NATO-s u dha një brifing për transformimin e FA të Republikës së Shqipërisë dhe integrimin në NATO.

Ministri Mediu takon zv.asistentin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Larry Butler


TIRANE / 17 Korrik 2007
Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu priti në një takim të veçantë zv.asistentin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Larry Butler, i cili shoqërohej nga drejtori i OSD për Koalicionin Peter McVety, i ngarkuari me punë në Tiranë Stephen Christina, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë të tjerë të lartë amerikan në Shqipëri. Burimet zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, njoftuan se “në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral major Luan Hoxha, komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral brigade Shpëtim Spahiu, si dhe drejtorë dhe ushatarkë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes”. Sipas burimeve zyrtare, Ministri Mediu, pasi i uroi mirëseardhjen në Tiranë ambasadorit Butler, vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Shqipërisë dhe SHBA-së, duke theksuar se “angazhimi ynë është që të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për ta forcuar më tej këtë bashkëpunim në të ardhmen”. Ministri Mediu nënvizoi edhe njëherë rëndësinë historike të vizitës së Presidentit Bush në Tiranë, duke e vlerësuar atë si një mbështetje të fuqishme të SHBA-së për vendin tonë. Më tej, Ministri Mediu u ndal në pjesëmarrjen e trupave tona ushtarake në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, të cilat i kanë kryer dhe po i kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e ngarkuara. Ne, nënvizoi Ministri Mediu, jemi dhe do të vazhdojmë të jemi të angazhuar përkrah SHBA-së dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse në Koalicionin Ndërkombëtar kundër terrorizmit. Pjesëmarrja e trupave tona në këto misione tashmë u ka dhënë atyre një përvojë të re, e cila po u shërben edhe trupave të tjera të Forcave tona të Armatosura. Gjithashtu, theksoi zoti Mediu, pjesëmarrja në këto misione u jep mundësi ushtarakëve tanë jo vetëm që të komunikojnë më trupat ushtarake të vendeve aleate, por edhe të krijojnë marrëdhënie miqësore e njerëzore që zgjasin edhe pas kryerjes së këtyre misioneve.

Presidenti Amerikan George W.Bush i shkruan Sali Berishës: Vazhdo të punosh për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

TIRANE – Zëdhënësi i Qeverisë shqiptare Dritan Mishta, në një konferencë shtypi lajmëroi sot në Tiranë se Kryeministri i vendit Sali Berisha, ka marrë një mesazh falendertimi nga Presidenti i SHBA, George W.Bush. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka inkurajuar Kryeministrin shqiptar të vazhdojë punën për integrimin e vendit në NATO. Më pas, Bush falenderon Sali Berishën, për mikpritjen gjatë vizitës në Tiranë. “Jam këtu për t’ju informuar se sot Kryeministri i Republikës, z. Sali Berisha ka marrë një mesazh të ngrohtë përshëndetjeje, falenderimi dhe inkurajimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Xhorxh W. Bush, i cili, me një akt të pazakontë dhe shumë miqësor, e ka shkruar këtë letër tërësisht me dorën e tij”, tha zëdhënësi i Qeverisë. Ai më pas lexoj mesazhin tekstualisht:

“I dashur Sali!
Ju falenderoj për mikpritjen tuaj të ngrohtë. Udhëtimi ishte një sukses i madh.
Faleminderit gjithashtu për bisedën tonë konstruktive.
Vazhdo të punosh shumë për reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO.
Me urimet më të mira dhe falenderimet e sinqerta.
Xhorxh W. Bush”

Njoftim i Presidences se Shqiperise:

Presidenti Moisiu merr një mesazh nga Presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush.


Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, mori sot paradite një mesazh falenderimi në dorëshkrim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush lidhur me vizitën e tij në Tiranë në datën 10 qershor 2007, ku shprehet me fjalë shumë të ngrohta e miqësore për pritjen që iu bë, ashtu edhe për bisedimet dhe pikëpamjet e shprehura nga Presidenti Moisiu.

"I dashur Alfred,

Faleminderit për mikpritjen Tuaj të ngrohtë! Udhëtimi në Shqipëri ishte një përvojë e mrekullueshme. Faleminderit edhe për dialogun tonë të rëndësishëm! Unë i vlerësoj pikëpamjet tuaja", - shkruan ndër të tjera në mesazhin e tij Presidenti i SHBA-së, Bush.

“Publiku i përjashtuar nga drama politike e Shqipërisë”

Nga Klodjan Seferaj për Southeast European Times në Tiranë – 13/07/07

“Politikanët shqiptarë, mbërthyer në një tërheqje litari, nuk po u a vënë veshin shqetësimeve të qytetarëve të thjeshtë, sugjeron një bloger”
Opinioni publik është lënë jashtë ekuilibrit politik, thonë blogerët.
Shqipëria erdhi më pranë zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare këtë javë pasi negociatat mbi një kandidat të përbashkët presidencial dështuan. Demokratët e kryeministrit Sali Berisha mbeten disa vota më pak se 84 të nevojshme për të zgjedhur kandidatin e tyre Bamir Topi dhe socialistët e opozitës vazhdojnë të bojkotojnë dhe t'i mohojnë parlamentit kuorumin e kërkuar.
Duke shkruar në peshkupauje, Blendi ja vesh politikanëve të vendit të ndalurit efektiv të qytetarëve shqiptarë nga procesi. "Majtas apo djathtas, lart apo poshtë, kudo që të shohësh gjatë këtyre ditëve të nxehta të korrikut, shohim politikanët shqiptarë të përfshirë në një garë të madhe për të zgjedhur presidentin e ri... Është e dukshme se opinioni publik është eleminuar me sukses nga i gjithë ekuilibri."
"Edhe në qoftë se quhet 'forca e katërt' opinioni publik në Shqipëri nuk ka ndonjë funksion real," shton Blendi. "Publiku nuk është një faktor përcaktues në marrjen e një vendimi."
StrangeMan komenton: Ti ke të drejtë Blendi, por më thuaj, si mund ta bëjmë publikun një faktor? Këta politikanë arritën një sukses të madh ndërsa ja dolën ta mbajnë popullin e zakonshëm injorant. Në qoftë se ky vend nuk nis seriozisht të kujdeset për arsimin e një brezi të ri me vlera të vërteta...ne me të vërtetë nuk kemi asnjë shans."
E ardhmja e kryeprokurorit Theodhori Sollaku u dëshmua të jetë pengesë e pakapërcyeshme për kompromisin, vë në dukje Olsi. Berisha dhe demokratët e tij qenë përgatitur të mbështesnin një kandidat presidencial nga e majta për deri sa Sollaku të shkarkohej. "Në momentin e fundit, opozita ngurroi, duke e transformuar këtë problem në problemin më të rëndësishëm."
Olsi mbron këmbënguljen e demokratëve për heqjen e Sollakut. "Shumica mori përgjegjësi përpara popullit shqiptar për të luftuar korrupsionin dhe grupet kriminale dhe për dy vjet ka qenë krejtësisht e bllokuar."
Abdullah Zeneli në Thopia sheh një luftë më të gjerë politike. "Krahu i majtë, e rregullt apo e parregullt kjo, nuk do të lejonte shumicën të kishte kryeministrin, kreun e parlamentit dhe presidentin. Krahu i djathtë ...ngurron të lejojë të majtën të ketë në të njëjtën kohë kryetarin e bashkisë së Tiranës që është kreu i partisë më të madhe të opozitës, dhe presidencën."
Më së fundi, Drejteuropes qahet se kaq shumë çështje janë lënë pas dore ndërsa nëvendnumërimi vazhdon. "Në një periudhë kur politikanët duhet të kujdeseshin për turizmin, për veprimtaritë kulturore apo pushuese, mungesën e ujit e të elektricitetit, problemet ekonomike që nuk mbarojnë kurrë, apo me problemet e korrupsionit, vendi ynë humbet kohën me zgjedhjen e presidentit.
"Ne nuk jemi me të vërtetë në gjendje të luajmë rolin që kemi në rajon dhe veçanërisht në këtë kohë kur pavarësia e Kosovës është në proces."
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com

Kushtet për anëtarësimin në NATO, Shqipëria asgjëson lëndët kimike


Trazhgim Sokolaj/ TIRANE
“Një hap tjetër më pranë NATO-s”. Kjo është fjalia me të cilën Ministria e Mbrojtjes në Tiranë e perkufizoi përfundimin e procesit të shkatërrimit të armëve dhe agjentëve kimikë në të gjithë vendin. “Republika e Shqipërisë arriti të shkatërrojë armët dhe agjentët kimikë tepër të rrezikshëm për popullsinë duke ruajtur një ambient të sigurt. Sot ne deklarojmë se me shkatërrimin e tyre, vendin e bëjmë më të sigurtë dhe njëkohësisht realizojmë detyrën për arritjen e standardeve të kërkuara nga NATO”, u shpreh zv/ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina në konferencë shtypi. Konventa e Ndalimit të Armëve Kimike është firmosur në vitin 1993 dhe është ratifikuar brenda të njëjtit vit. Ajo ka hyrë në fuqi më 29 prill të vitit 1997. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht në këtë organizatë janë të anëtarësuar 182 shtete dhe Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend anëtar që realizoi detyrimin e Konventës sipas standardeve. Ministria e Mbrojtjes deklaroi se realizimi me sukses i këtij projekti të rëndësishëm dhe të vështirë, i dedikohet bashkëpunimit të shkëlqyer të stafit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, i të gjithë institucioneve të vendit tonë me organizata dhe vende të tjera mike. “Theksoj se bashkëpunimi dhe mbështetja nga SHBA, nëpërmjet programit të reduktimit të kërcënimeve nga armët kimike, në kuadër të luftës kundër terrorizmit, inicuar dhe mbështetur nga senatorët e nderuar amerikan Noon dhe Lugar, ka qenë faktor mjaft i rëndësishëm për realizimin me sukses të këtij projekti”, u shpreh më tej zv/ministri i Mbrojtjes Karabina. Me miratimin nga Kongresi Amerikan të fondit përkatës lidhur me këtë projekt në vendin tonë filloi puna për shkatërrimin e armëve kimike. Në dhjetor 2002 u bë zbulimi i armëve kimike, të një sasie prej rreth 16 tonësh, disa prej të cilave nga më të rrezikshmet e njohura deri më tani.
Ministria e Mbrojtjes tha se procesi i shkatërrimit u realizua në 4 faza:
1. Faza e parë, deklarimi i agjentëve kimikë në OPCË, Hagë, Hollandë;
2. Faza e dytë, siguria fizike e depos me elementë shtese;
3. Faza e tretë, përgatitja e kuadrit ligjor për t’i paraprirë procesit të shkatërrimit;
4. Faza e katërt, procesi i shkatërrimit të agjentëve kimikë
Mbështetja financiare e këtij projekti është bërë nga qeveria e SHBA, ndërsa mbështetja financiare për koston e inspektimit është bërë nga qeveria zvicerane dhe qeveria greke”. Zv/ministri shqiptar falenderoi të gjithë kontribuesit në procesin e shkatërrimit të armëve kimike që ndodheshin në Shqipëri. Zyrtarë të NATO-s e kanë cilësuar asgjesimin e lëndëve kimike dhe radioaktive në Shqipëri si një proces të domosdoshëm për shkak se përqendrimi i lëndëve të tilla në raport me sipërfaqen dhe popullsinë ka qenë i madh. Më përfundimin e këtij procesi, besohet se Shqipëria ka arritur të plotësojë edhe një tjetër standard në fushën e Mbrojtjes, të kërkuar për anëtarësimin në NATO-s. Përqendrimi i madh i lëndëve kimike ushtarake shpjegohet me politikat e mbrojtjes të ndjekura nga udhëheqja e Shqipërisë gjatë viteve të regjimit komunist.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania