Topi: Do të jem plotësisht mbi palët, për një politikë bashkëpunuese



MIRELA MILORI/Uashington/ 21/07/2007
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë Bamir Topi tha se do të jetë mjaft objektiv dhe promotor që klima politike shqiptare të jetë bashkëpunuese në interes të sfidave madhore që ka Shqipëria: rritjen ekonomike të vendit, qetësinë shoqërore si dhe dy sfidat më të mëdha që janë integrimi në Europë dhe në NATO
Zëri i Amerikës: Zoti Topi, si garantues i unitetit të vendit dhe i zbatimit të kushtetutës, si mendoni ta realizoni këtë synim, i cili padyshim që nënkupton një ekuilibër të vështirë, aq më tepër që ju vini nga një e kaluar partiake? Pra si do te mund te beni ju shkeputjen e plote nga partia juaj?

Bamir Topi: Natyrisht sot unë duhet të flas ndryshe nga dita e djeshme jo sepse brenda 24 orësh ndryshon pozicioni në mënyrë radikale por ka qenë një bindje e thellë qysh në momentin kur unë vendosa të pranoj kandidimin për kreun e shtetit. Pra isha i prirur të lançoja një platfortë të qartë që kishte të bënte pikërisht me dokumentin themeltar të shtetit, i cili qoftë në frymë apo në gërmë, garanton jo vetëm balancimin e institucioneve por presidenti i republikës është institucioni që garanton edhe ekuilibër të plotë midis partive politike dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Nga kjo pikpamje gjëja më e rëndësishme e këtij procesi që u realizua ndoshta në një klimë të ndërlikuar në mënyrë artificiale, ishte kthimi te Kushtetuta, te dokumenti themeltar i shtetit, e cila presupozonte në mënyrë të qartë që gara presidenciale zhvillohej jo në tryeza partish por në kuvendin e Shqipërisë, aty ku përfaqësuesit kishin jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin kushtetues si atribut i njerëzve të zgjedhur nga populli në 100 zona elektorale, ku 40 të tjerë janë në listën proporcionale, pikërisht për të zgjedhur me votën e tyre të fshehtë dhe të lirë presidentin, që kërkonte sipas Kushtetutës 84 vota. Nga kjo pikëpamje, gjithçka që u konsumua në fillim nuk ishte në linjën e procesit kushtetues ndërsa në momentin kur në garë u fut zoti Nano, u regjistrova edhe unë. Besoj se qysh nga ai moment, gara u fut në linjë kushtetuese, e pranuar nga të gjithë sepse nuk do të kishte asnjë lloj sensi nëse presidenti i republikës do të dilte jashtë dokumentit themeltar të shtetit për të cilin ai mban përgjegjësi dhe është i detyruar t’i referohet. Në momentin kur u fut zoti Ceka në lojë, natyrisht procesi ishte legjitim, atij iu shtua legjitimiteti dhe u garantua që gara do të shkonte deri në fund. Nga kjo pikpamje, unë mendoj se si proces kushtetues ai tashmë është realizuar dhe presidenti i shtetit duhet që, në mënyrë të detyrueshme, ato që ka thënë me fjalë t’i realizojë me vepra hap pas hapi, duke qenë rigoroz jo vetëm në atë çka është e shkruar në dokumentin themeltar të shtetit por të kontribuojë me të gjitha mënyrat e veta për një detantë midis të gjitha partive politike, për të qenë në një pozicion të barasvlefshëm dhe për të injektuar në shoqërinë shqiptare, për fat të keq problematike, të gjithë ata elementë të civilizimit dhe të standardeve që ne kërkojmë të arrijmë sipas atyre që kemi premtuar për t’u integruar në familjen europiane dhe euroatlantike.
Zëri i Amerikës: Zoti Topi, duket se shija e fitores sikur eshte cënuar disi nga qendrimi kritik i opozitës ndaj procesit të votimit që ju solli ju në postin më të lartë të shtetit. E majta flet për blerje votash dhe në fakt ju u votuat edhe nga ata që kishin kundërshtuar kandidaturën tuaj, ndjekësit e zotit Nano. Në një situatë të tillë, si mund ta rifitoni ju besimin e opozitës?
Bamir Topi: Unë mendoj se, që të marrësh 85 vota në parlament, natyrisht që kësaj mund t’i bësh shumë komente nga pozicione të ndryshme politike por ju e dini se gara u realizua edhe me qejfmbetje nga kampet respektive, qoftë nga zoti Nano apo nga zoti Ceka. Por e rëndësishme është se të gjithë deputetët që ishin të pranishëm duhen konsideruar nga një tjetër këndvështrim si deputetë të përgjegjshëm, të cilët në respekt të votës që kanë marrë nga shoqëria shqiptare dhe nga populli erdhën për të plotësuar një detyrim kushtetues për të mos e lënë vendin në krizën e zgjedhjeve të parakohëshme. Nga kjo pikëpamje, sa kohë që procesi konsiderohet legjitim, pa asnjë lloj paragjykimi që vjen nga një parti e majtë, do të thoja që presidenti i republikës duhet t’u largohet paragjykimeve dhe duhet të jetë mbi palët. Unë u premtoj, në këtë moment që flas, jo vetëm partive të djathta por edhe partive të majta, në mënyrë të veçantë partisë më të madhe opozitare, Partisë Socialiste, që do të jem totalisht mbi palët, do të jem në një pozicion mjaft objektiv dhe promotor që klima politike shqiptare të jetë bashkëpunuese në interes të sfidave madhore që ka Shqipëria: rritjen ekonomike të vendit, qetësinë shoqërore dhe besoj për dy sfidat më të mëdha që janë integrimi në Europë dhe në NATO.
Zëri i Amerikës: Shkaku që prishi konsensusin për një president konsensual ishte çështja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshem. Për zgjedhjen tuaj nuk u vu ky kusht. A duhet ta marrim të mirëqenë se ju do ta shkarkoni kreun e akuzës? Nëse po, si do te realizohej kjo?
Bamir Topi: Unë e kam shprehur edhe më parë që Presidenti i Republikës nuk zgjidhet duke u kondicionuar nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm. Presidenti i Republikës, sikurse është premtuar, do të jetë iniciues dhe bashkëpunues në reformimin e sistemit të drejtësisë i cili është shfaqur mjaft problematik. Ky nuk është koment dhe pozicioni që është marrë vetëm nga partitë politike shqiptare por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kjo presupozon që institucioni i prokurorit të përgjithshëm është një etapë e cila duhet patjetër tejkaluar jo vetëm për shkak të punës së pamjaftueshme, mjaft problematike, por për shkak të atij pozicioni të palimituar që e çon institucionin e prokurorit të përgjithshëm në një mandat të paprecedent ndërkohë që të gjithë personalitetet, qofshin këto në nivelet më të larta të shtetit, por qoftë edhe në nivelin e prokurorit të përgjithshëm në vende të tjera, kanë një afat. Nga kjo pikëpamje, pozicioni i institucionit të prokurorit të përgjithshëm do të jetë pjesë e një reforme të thellë ku natyrisht presupozohet edhe një marrje në konsideratë e pozicionimit të ri për institucionin e prokurorit.
Zëri i Amerikës: Zoti Topi, ndër deklarimet tuaja të para mbrëme ishte edhe ai për pavaresinë e Kosovës. Situata është kritike për shkak se rezoluta për Kosovën nuk do të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit. Cili do të ishte mesazhi juaj për Kosovën në këto momente?
Bamir Topi: Mesazhi im për Kosovën në këto momente është që të jetë pikërisht në kohezion të plotë me pjesën më substacionale të mendimit të faktorit ndërkombëtar, të jetë në koherencë të plotë me ato pozicione që marrin miqtë e mëdhenj të Kosovës, të Shqipërisë dhe të vendeve demokratike, pra të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat me kohë kanë projektuar një të ardhme të re për Kosovën। Unë jam i bindur që populli i Kosovës është një popull i cili jo vetëm ka vuajtur por është formuar gjatë procesit të izolimit dhe të diskriminimit social dhe ka arritur në një pjekuri politike ku klasa politike e Kosovës sot është e sinkronizuar, është në një mendim unik. Besoj që së shpejti ai do të gëzojë frytet e pavarësisë së Kosovës, status që do të vijë patjetër, natyrisht jo i vetmuar por si pjesë e një koalicioni të gjerë botëror i cili e ka projektuar në mënyrë të padiskutueshme statusin e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës, VOA

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania