Kryeministri i Shqipërisë: Anëtarësimi në NATO, objektivi më madhor i sigurisë ndërkombëtare



TIRANE - Kryeministri Berisha informoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për krijimin e njësisë së Koordinatorit Kombëtar që do të koordinojë punën me të gjitha institucionet për procesin e anëtarësimit në NATO. Njësia e Koordinatorit Kombëtar të integrimit në NATO, e cila ngrihet nën drejtimin e Kryeministrit do të ketë si detyrë kryesore bashkërendimin e përpjekjeve të ministrive dhe agjencive, si dhe koordinimin me pushtetet e tjera, parlamentin, presidencën dhe me të gjitha institucionet që kanë rol themelor në procesin e integrimit në këtë Aleancë. Kjo njësi, u shpreh Kryeministri, që do të kryesohet nga Koordinatori Kombëtar do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha zyrat, me të gjitha agjencitë dhe ministritë veprimtaria e të cilave është përcaktuese në përmbushjen e kërkesave të Ciklit të 9-të të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit, me realizimin e reformave thelbësore dhe arritjeve në luftën kundër kriminalitetit, në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes, si dhe me pjesëmarrjen aktive të Njësive ushtarake shqiptare, përkrah njësive të NATO-s, në Bosnje, Afganistan, Irak.

Kryeministri nënvizoi se çdo hap, çdo përparim dhe afrim drejt kësaj aleance bazohet dhe do të bazohet në suksesin e reformave, në përformancën më të mirë të reformave që do ndërmarrë ekzekutivi, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftën për sigurimin e kufijve, kundër trafiqeve, si dhe detyrat e mëdha që ka parlamenti për reformën zgjedhore. Çdo dite qe kalon ka peshën e vet te madhe për arritjen e reformave te nevojshme për anëtarësimin ne NATO, tha Kryeministri. Duke theksuar se anëtarësimi në NATO përbën objektivin më madhor në fushën e sigurisë ndërkombëtare, Kryeministri Berisha u shpreh se shqiptarët e konsiderojnë këtë projekt si të ardhmen e tyre më të shkëlqyer dhe më të sigurte. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë bërë përpjekje të mëdha gjatë këtyre 15 viteve të fundit për të merituar anëtarësimin, duke e renditur opozitën shqiptare ndër të parat e vendeve ish komuniste që kërkoi anëtarësimin e vendit në NATO. Ndër të tjera Kryeministri theksoi se procesi i anëtarësimit në NATO te mbarë qytetarëve shqiptarë. Duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që Aleanca e Atlantikut të Veriut ka dhënë në reformimin e ushtrisë shqiptare, Kryeministri theksoi se këto reforma i kanë afruar ndjeshëm standardet e ushtrisë shqiptare me ato të NATO-s. Një vend të rëndësishëm theksoi Kryeministri do të zënë në procesin e Integrimit edhe reformat e mëdha që do të ndërrmerren nga Presidenti i Republikës me pushtetin gjyqësor në bashkëpunim me institucionet e tjera. Në këtë mënyrë, u shpreh Kryeministri, progresi drejt NATO-s është një progres që varet nga tërësia e reformave që do të ndërrmerren në ciklin e 9-të të MAP, cikël i cili përbën një kërkesë themelore për vendet që pretendojnë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:

Do të veçoja vendimin për krijimin e Koordinatorit Kombëtar për koordinimin e punës së të gjitha institucioneve tona për anëtarësimin në NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën objektivin më madhor në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Shqiptarët konsiderojnë këtë projekt si të ardhmen e tyre me të shkëlqyer, më të sigurte.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë bërë përpjekje të mëdha, në këto 15 vite, për të merituar këtë anëtarësim. Opozita shqiptare ishte e para opozitë në vendet ish komuniste, që kërkoi anëtarësimin e vendit në NATO. Menjëherë pas fitores së forcave demokratike në vitin 1992, Shqipëria vendosi një bashkëpunim të ngushte më Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ndër të parat vende firmosi nismën e partneritet për paqe. Në 15 vite ajo ka vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut në të gjitha fushat. Portet, aeroportet, territori i vendit, janë vënë në dispozicion të Aleancës, në të gjitha operacionet që ajo ka ndërrmarrë në Ballkan në këto 15 vitet e fundit. Njësitë ushtarake shqiptare janë shpalosur së bashku me njësitet e NATO-s, në Bosnje, Afganistan, në Irak. Vetëm dy muaj më parë ne nisëm një kompani në Afganistan, me mision të plotë dhe luftarak në Irak me njësitë italiane. Aleanca e Atlantikut të Veriut ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në reformimin e ushtrisë shqiptare. Reforma të cilat kanë afruar shumë standardet e ushtrisë shqiptare me ato të NATO-s. Duke vlerësuar të gjitha këto qëndrime , reforma dhe përpjekje, vendime të Shqipërisë gjatë gjithë viteve të fundit, mbështetjen që ka procesi i anëtarësimit nga të gjitha forcat politike të vendit dhe nga mbarë qytetarët shqiptarë, në Samitin e Rigës, Aleanca e Atlantikut të Veriut solli mesazhin e shpresës për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë , si tre vende të mundshme , për të merituar shtesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Presidenti Bush u shpreh qartë se SHBA-të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Ky është mesazhi që unë mora në Bruksel në takimin me Këshillin e Ambasadorëve të Atlantikut të Veriut. Natyrisht çdo hap, çdo përparim dhe afrim drejt kësaj aleance bazohet dhe do të bazohet në reforma dhe në suksesin e reformave, në përformancën më të mirë të të gjitha reformave të vendit, reformave dhe detyrimeve të mëdha që ka ekzekutivi, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftën për sigurimin e kufijve kundër trafiqeve, detyrat e mëdha që ka parlamenti për reformën zgjedhore, reformat e mëdha që do të ndërrmerren nga presidenti i Republikës me pushtetin gjyqësor në bashkëpunim me institucionet e tjera, pra progresi drejt NATO-s është një progres që varet nga tërësia e reformave që ne do të ndërrmarrim në ciklin e 9-te, cikël i cili përbën një shtesë që ministrat e jashtëm të Atlantikut të Veriut në Oslo kërkuan nga vendet që pretendojnë për të marrë ftesën në Samitin e Bukurershtit. Për të bashkërenduar të gjitha këto veprime të agjencive të ndryshëm të ekzekutivit, të ministrive dhe agjencive të tjera, nën drejtimin e kryeministrit ngrihet edhe Koordinatori kombëtar I integrimit në NATO , I cili ka për detyre kryesore bashkërendimin e përpjekjeve të agjencive si dhe me pushtet të tjera, me parlamentin, me presidencën si dhe me të gjitha institucionet që kanë rol themelor në procesin e integrimit në këtë Aleancë. Kjo njësi që do të kryesohet nga Koordinatori Kombëtar do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha zyrat, me të gjitha agjencitë dhe ministritë, veprimtaria e të cilave është përcaktuese në përmbushjen e kërkesave të Ciklit të 9-të të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndaj dhe duke ju falënderuar ju për të gjitha kontributet që keni dhënë dhe ato kanë qenë thelbësore. Kanë qenë thelbësore reformat në ushtri, kanë qenë thelbësore reformat në fusha të tjera deri edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, ishte një arritje shumë e madhe në drejtim të anëtarësimit të vendit në NATO, sepse mua mu tha qartas në Bruksel: Në rast se ju shkoni drejt zgjedhjeve nuk bindni dot njeri se do të bëni paralelisht edhe zgjedhje edhe reforma dhe në këtë frymë qe fat i madh sepse aty ishte e pranishme edhe opozita e cila ka një qëndrim qartësisht pro-atlantist u arrit të zgjidhej detyra e rëndësishme që kishim, por edhe një seri detyrash të tjera janë për tu zgjidhur dhe dua t`ju kërkoj që në këtë proces çdo ditë ka peshën e vetë të madhe sepse Samiti i Bukureshtit vërtetë mblidhet nga mesi i vitit që vjen por ne duhet të avancojmë me shpejtësi në të gjitha detyrimet tona, në reformat shumëplanëshe, reformën zgjedhore, reformën në fushën e drejtësisë, luftën kundër kriminalitetit, kundër korrupsionit, kundër trafiqeve, pra krahas krijimit të këtij funksioni Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, por veçanërisht Ministria e Jashtme ka një axhendë jashtëzakonisht të ngjeshur në lobingun e saj për të bërë që Shqipëria të marrë ftesën, por për të gjithë zyrtarët dhe forcat politike të këtij vendi objektivi i parë madhor është ftesa në Samitin e Bukureshtit.
Burimi: Këshilli i Ministrave

DW: Shqipëria përgatitet të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO më 2008


Qeveria e Tiranës miratoi krijimin e njësisë së koordinimit kombëtar, strukturë e re pranë kryeministrit për të përshpejtuar reformat që lidhen me integrimin e Shqipërisë në NATO. Një njësi koordinimi e kryesuar nga një koordinator kombëtar dhe e varur drejtpërdrejt nga kryeministri, është një përpjekje me shumë e qeverisë së Tiranës për të realizuar shpresën e saj të madhe për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në samitin e Bukureshtit, vitin e ardhshëm. “Kjo njësi dhe koordinatori kombëtar që e kryeson atë, tha kryeministri Berisha, ka për detyrë bashkërendimin e përpjekjeve të agjencive, të Parlamentit, të Presidencës, të gjithë institucioneve që kane një rol të rëndësishëm në kryerjen e detyrimeve për integrimin në Aleancën Atlantike. (Deutsche Velle, shqip)

Balkantimes:Shqipëria merr normimin e parë më të lartë nga Moody's


Vendi tani planifikon të financojë pjesë të borxhit të vet kombëtar nëpërmjet kredive të huaja.
Nga Jonilda Koçi për Southeast European Times në Tiranë – 16/08/07
Shqipëria po bën tranzicionin nga një ekonomi e drejtuar, e izoluar në një ekonomi tregu, sipas Moody's Investor's Service. Më parë këtë verë, agjensia ndërkombëtare e normimit i dha vendit normimet e para më të larta: Ba1 për bonot e valutës së huaj dhe një B1 për detyrimet e qeverisë ndaj borxhit. Shqipëria mori gjithashtu një B2 për depozitat bankare në monedhë të huaj. Moody's tha se normimi i përgjithshëm i caktuar Shqipërisë ka një opinion të qëndrueshëm. Shqipëria, së bashku me Biellorusinë qenë të vetmet vende në rajon që nuk kishin një normim më të lartë. "Marrja e një normimi krediti ...redukton të çarën e informacionit dhe e vë Shqipërinë vendosmërisht në hartën e investitorëve të botës, duke krijuar nxitje të mëtejshme si për investimet e huaja të drejtpërdrejta ashtu dhe portfolion e investimeve," thotë En Margaret Vestin, përfaqësuesja e FMN në Tiranë.
Normimet absolute janë përdorur nga qeveritë për të ngritur kapital për financimin e borxhit kombëtar. Ato i japin qeverisë mundësinë të sigurojë fonde shtesë me çmime më konkuruese. Qeveria shqiptare thotë se ka në plan tani të lëshojë eurobono me qëllim që të financojë pjesë të borxhit të vet. "Ne jemi të interesuar në normimin e vendit tonë, në mënyrë që mund të përfitojmë prej kredive të huaja me norma më të ulta interesi," tha ministri i financave Ridvan Bode, gjatë një takimi me ekspertët e Moody's në Tiranë.
Bazuar në planin ekonomik e fiskal të qeverisë shqiptare për dy vitet e ardhëshme, rreth 100 milion eurobono ka gjasa të shiten në treg. Qëllimi është të zëvendësohet gradualisht borxhi i vendit me borxh të huaj, nga 5% në 10% nëpërmjet përdorimit të eurobonove. "Vlerësimi i riskut do ta nxjerrë vendin tonë nga anonimiteti dhe risku i pranuar maksimal," thotë Milva Ikonomi, drejtore ekzekutive e Agenda, një institut studimor shqiptar. Megjithatë, shton Ikonomi, është vendimtare që sasia e borxhit të huaj të fiancuar nga eurobonot të kqyret nga afër. Në një orvatje për të mbajtur kontrollin e borxhit të huaj, FMN dhe Banka Qendrore do të mbikqyrin procesin e huamarrjes. Siç konfirmon Vestin, "brenda programit të FMN, ne kemi kufij në huamarrjen e jashtme që do të vërë një tavan në atë se sa shumë qeveria mund të lëshojë në këtë stad."Sipas disa ekspertëve financiarë, risku i këmbimit i përdorimit të eurobonove është një dobësi e mundëshme në transaksionet e ardhëshme. Leku është monedha kombëtare e Shqipërisë ndërsa borxhi do të lëshohet në euro, tregojnë ata.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Materiali eshte marre nga website: http://www.balkantimes.com

Sondazhi i IMN: 92.5 për qind e shqiptarëve pro anëtarësimit të vendit në BE


TIRANE – Publiku shqiptar gjithnjë e më shumë po mbështet integrimin e vendit në Bashkimin Europian ndërsa qëndrimet e qytetarëve pro këtij procesi janë rritur dukshëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE.
Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare ka zhvilluar së fundi një sondazh me qytetarët shqiptarë dhe sipas rezultateve, 92.5 për qind e të anketuarve, janë pro anëtarësimit dhe hyrjes së vendit në BE.
Qytetarët shqiptarë konceptojnë se hyrja në Bashkimin Europian lidhet më shumë me heqjen e vizave të udhëtimit sesa me treguesit e zhvillimit ekonomik, standardin e jetesës apo stabilitetin politik dhe zhvillimin e demokracisë. Duket se qytetarët nuk e lidhin integrimin në BE me lirinë e shtypit, trajtimin e minoriteteve apo çështje të tilla të ndjeshme sicc mund të jenë edhe proceset zgjedhore tek të cilat vënë theksin autoritetet evropiane në kërkesat e tyre ndaj kandidatëve për anëtarësim.
Rreth gjysma e të anketuarve, 49 për qind, besojnë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të hyrë në BE ndërsa 23 për qind e qytetarëve të anketuar mendojnë se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim edhe pse ka treguar mangësi në disa fusha dhe si rrjedhim nuk është gati për të qenë anëtarë e BE-së.
Sipas sondazhit, pjesa më e madhe e të anketuarve kanë qenë punonjës të administratës shtetërore dhe organizatorët me shqetësim thonë se 54 për qind e kësaj kategorie të anketuarish nuk kanë dijeni nëse vendi është gati për të hyrë në BE. Ata nuk kanë informacion lidhur me pozicionin ku ndodhet Shqipëria në raport me hyrjen në BE dhe kërkesat që janë plotësuar apo që duhet të përmbushen në të ardhmen.

Tmerr në spitalet shqiptare!

TIRANE

Kam parë tmerr në atë spital! Isha me një të afërmin tim që kohet e fundit ka pasur probleme me zemrën. Më kërkoi ta shoqëroja sepse nuk ndihej mirë, madje kishte frikë se do ti binte të fikët. Qe e premte, 10 gusht 2007, mesditë, ishim në Spitalin Qendror Universitar Nene Tereza. Para se të shkonim aty, ishim tek një klinikë private, të cilës nuk dua ti bëj publicitet ndaj nuk po e përmend. I afërmi im u vizitua aty pastaj vendosëm të shkonim tek spitali shtetëror. Qe këmbëngulja e të sëmurit që ishte bërë fort merak për problemet në zemër dhe deshi të vizitohej edhe në shtet. Shkuam dhe hymë në spital. Në krah të majtë të derës kryesore, po punohej, nuk e di për çfarë por ekskavatorët kishin shkatërruar gjithë atë sipërfaqe toke teksa po hapnin gropat mbi të cilat ndoshta do të ngrihet një ndërtesë. Hymë brenda në spital dhe që aty, filloi tmerri. Pllakat të palara, të vjetra dhe gjysmë të thyera. Dyert dukej se nuk qëndronin në vendin e tyre, të nxira nga pisllëku i kohës. Njerëz të shumtë që lëvizin nëpër korridore e shkallë dhe pacientë, në katet lart, që qëndrojnë në ballkonet e shkallmuara derisa nuk durojnë dot më tej qëndrimin në shtrat.

Menduam të mos mundoheshim shumë. Ecëm drejt në atë korridor gjysmë të errët derisa mbërritëm tek një derë e mbyllur, ngjyrë qumështi ku një dorë e shkujdesur kishte shkarravitur "ECO Zemre". Ndaluam aty, pritëm disa çaste dhe askush nuk doli prej asaj dere, brenda nuk dëgjohej asgjë. Para se të largoheshim pyetëm disa të mbërritur më parë aty që po prisnin. Na thanë se kishin hyrë dy veta rreth 40 minuta më parë dhe akoma nuk kishin dalë. Ikëm. U ngjitëm tek kati i dytë, ku qëndronte një roje private, me sa kuptova unë në hyrje të pavijonit. E pyetëm atë polic që më shumë rrinte brenda derës së mbyllur dhe nuk e di çfarë ruante, ku ishte infermierja që po kërkonim dhe na tha se duhej të zbrisnim poshtë, në katin e parë. U kthyem, lamë pas shkallët dhe u ndodhëm prapë tek dera kryesore, në katin e parë. Në atë gjysmë errësirë, një njeri pa bluzë të bardhë, që ngjante me një pacient të shtruar padrejtësisht në spital na u ofrua të na jepte ndihmë kur na shikoi se po qëndronim disi në mëdyshje dhe paksa të trembur. I thamë se po kërkonim atë infermieren që njihnim dhe na tregoi se duhej të zbrisnim poshtë tek Urgjenca, sepse personi që kërkonim ne, në fakt ishte kryeinfermierja. Kuptova se ai interesohej vetëm për qytetarët që kërkonin disa mjekë të caktuar, përmendi dy emra gjatë kohës që po bisedonim. Hymë në ato shkallët e ngushta që të çonin në Urgjencë. Në të dy anët kishte qese dhe shishe plastike të hedhura, vinte era myk dhe hekurat anash shkallëve ishin të ndryshkur dhe të pistë nga gjëra të hedhura nga lart në hapësirën që krijonin dredhitë e shkallëve. Aty ishte vetëm një grua e cila nuk kishte nevojë të fliste, pasi kur shkuam ne, ishte duke pastruar dhomën e çrregullt të urgjencës. E përshëndetëm dhe u kthyem mbrapsht. Dolëm nga bodrumi dhe ndodheshim për të tretën herë në katin e parë të spitalit. Aty u kujtuam të pyesnim tek një gjysmë dritare e hapur në duralumin dhe na thanë se duhej të hynim brenda, të shkonim në fund të korridorit për ë takuar D, infermieren që po kërkonim. Ia arritëm qëllimit. Ajo mbante një palë syza të vogla dhe një bluzë ë bardhë. E gjetëm ë fund të korridorit pasi kishim lënë pas dyert e hapura të dhomave ku ishin shtruar të sëmurët. Prej andej vinin aroma nga më të ndryshmet: gjellë të nxehta, bukë e ndenjur, barna dhe djersë. Anash dyerve ishin hedhur lëvozhga kastravecësh, copa buke apo mbeturina të tjera domatesh. Nuk më ra në sy një pacient i vetëm që po qëndronte drejt në shtrat. Të gjithë kishin gjetur një mënyrë për tu shtrembëruar. Kryeinfermierja na tha se kishim shkuar vonë, "profesorët" ishin me pushime dhe nuk kishte mjekë. megjithatë tha se duhej të shkonim tek urgjenca e zemrës se do të bënte diçka. E falënderuam dhe zbritem edhe njëherë në urgjencë. Në atë korridor të gjatë më shumë se gjysma e mureve mbanin lagështirë. Pjesa më e madhe e dhomave ishin kthyer në depozita për karrige te thyera apo barela të sakatosura. Në fund në një dhomë të çrregullt dhe pa derë dukeshin disa barna, serume dhe pajisje të tjera mjekësore. Në korridorin e gjatë ndodheshin edhe dy tre barela të njollosura, të pista gjysmë të shkatërruara. Arritëm në fund dhe infermieres që na doli përpara i dhamë letrën që na kishte dhënë kolegia e saj një kat më lart. Prisni aty na tha. Ishte ora 13:10, ajo doli tek dera e jashtme e urgjencës dhe i foli një mjeku, i cili me një qëndrim të rëndë dhe të bezdisur i tha "të presin do të shkoj të pi kafe". Infermierja u kthye, mori pacientin e futi në urgjencë, i tha të shtrihej dhe i vendosi rrotull zemrës disa pajisje në formën e llullave që përdorin mjekët. Pas pak pacienti, njeriu im i afërt, doli me një shirit të bardhë në duar, ishte Elektro Kardiograma e Zemrës. Pashë djersë në ballin e tij teksa po ulej në njërën prej barelave të shkatërruara, nuk qëndronte dot në këmbë. Pritëm aty derisa erdhi mjeku të cilin infermierja e bezdisi edhe njëherë. Ai hyri nga dera e urgjencës, u afrua dhe mori nga duart e pacientit shiritin e letrës së bardhë. Pa grafikun, tha se kishte një aritmi të theksuar dhe pastaj tërhoqi pacientin brenda në urgjencë. Më vonë dolën të dy dhe u ndanë. Pacienti nuk harroi ti thoshte mjekut të bezdisur se "do të shihemi të hënën". Jam lodhur tha i afërmi im, kam dy ditë pa ngrënë, më dhemb këtu në të majtë të gjoksit....ndërsa isha duke menduar për atë klinikën private, ku në mure kisha parë dhe disa simbole që nuk i kam hiç simpati, mu shfaqën sportelet, shkallët, tabelat dhe korridoret ku qëndronin njerëzit si njerëz. Edhe unë ndihesha i lodhur ndërsa i afërmi im mezi po priste të ulej diku te merrte frymë pas gjithë asaj që ndodhi...një shkak më shumë për të mos qenë sëmurë, nuk e di si arrihet kjo!

PS: Unë u thashë të gjithëve aty në spital, se isha gazetar. Më hapën rrugën, nuk më penguan. Realisht ky i afërmi im nuk ishte shumë rëndë, por dhëntë Zoti për ata që mbërrijnë në atë spital por edhe në ndonjë tjetër, që kur të mbërrijnë ata, mjekët të kenë pirë kafen, ta kenë ndarë mendjen për punë, korridoret dhe shkallët të jenë larë e pastruar mirë dhe Ministri i Shëndetësisë të shkojë të shikojë si qëndrojnë njerëzit në një vend të përshtatshëm për kafshë që më pas të përpiqet të gjejë një rrugëzgjidhje për këtë gjendje dhe për korrupsionin që bëhet aty nga sekserët pacientë...sepse përndryshe nuk shkojmë dot në Kamëz dhe jo më të kalojmë kufijtë.....

Përpjekje për anëtarësim në NATO


TIRANE (BBC)- Presidenti shqiptar, Bamir Topi, u ka bërë thirrje ushtarakëve shqiptarë për të përshpejtuar përpjekjet për të marrë një ftesë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit.
“Puna për të marrë një ftesë në samitin e Bukureshtit, duhet të vazhdojë me ritme më të shpejta” tha ai.
Kjo është deklarata e parë e zotit Topi si kryekomandant i forcave të armatosura shqiptare, të cilën ai e bëri në komandën e Zallherrit në regjimentin e forcave komando.
Ndërkohë ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka bërë të ditur se gjatë një takimi me presidentin Topi ka marrë mbështetjen për nismat ligjore dhe kushtetuese për anëtarësimin.
Në shtator pritet që në Bruksel të dorëzohen dokumentet për reformat në forcat e armatosura shqiptare që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. (BBC)

Shqiperia nënshkruan me KE-në kontratat për dy Programe të Bashkëpunimit Ndërkufitar


TIRANE – Deklarate e Perbashket e Ministrisë së Integrimit dhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë.

Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu dhe Kryetari i Delegacionit të Komisonit Evropian Ambasadori Helmuth Lohan nënshkruan sot kontrata me vlerë 417 000 euro për të mbështetur zbatimin e programeve të bashkëpunimit ndërkufitar në kuadrin e programeve të asistencës së Bashkimit Evropian. Njëra kontratë për asistencë teknike prej 201 000 eurosh do t’u mundësojë specialistëve të Ministrisë së Integrimit si dhe stafit të përfituesve të projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, që të marrin pjesë në takime me grupe interesi shqiptare dhe të huaja, dhe të përfitojnë nga aktivitete trajnuese. Kontrata tjetër prej 216 000 eurosh do të bashkëfinancojë kontributin e Ministrisë ë Integrimit për një projekt të përbashkët me Qendrën Helene për Zhvillim dhe Novacion, për krijimin e Akademisë Evropiane në Vlorë, Shqipëri dhe Janinë, Greqi. “Ministria e Integrimit do të ofrojë gjithë eksperiencen e akumuluar ne koordinimin e asistences komunitare ne dispozicion te Akademise Europiane. Nga ana tjetër, partneri grek do te ofroje kapacitetet e tij më të mira për të transferuar eksperiencen e nje vendi anetar te BE ne raport me absorbimin e asitences komunitare”, tha ministrja Bregu pas nënshkrimit. “Detyra e kësaj akademie do të jetë të mbështesë përfituesit potencialë apo finalë që aplikojnë për projekte të bashkëpunimin ndërkufitar” – tha Ambasadori Lohan me rastin e nënshkrimit të kontratave. Këto kontrata janë pjesë e një asistence me vlerë 8.7 milion euro që po kontraktohet aktualisht me një numër përfituesish shqiptarë në kuadrin e Programeve CARDS për Fqinjësinë. Edhe 31.7 milion euro të tjera janë rezervuar për periudhën 2007-2010 në kuadrin e IPA-s (Instrumenti i Asistencës së Para-aderimit). Programet e bashkëpunimit ndërkufitar adresojnë çështje të përbashkëta që lindin nga afërsia e shteteve, si për shembull zhvillimi social dhe ekonomik në zonat kufitare, bashkimi i përpjekjeve për të ruajtur mjedisin dhe shëndetin publik, parandalimi dhe lufta kundër krimit të organizuar, sigurimi i kufijve dhe promovimi i aktiviteteve të përbashkëta të komuniteteve lokale. Ministria e Integrimit vepron si Koordinatore Kombëtare e programimit dhe zbatimit të këtyre programeve në Shqipëri, dhe merr pjesë plotësisht në struktura të përbashkëta menaxhuese me partnerë përtej kufijve, ndërsa Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri vepron si Autoritet Kontraktues. Thirrjet për paraqitjen e projekteve në kuadrin e IPA-s pritet të lançohet nga viti 2008 e tutje. Bashkëpunimi ndërkufitar i IPA-s në Shqipëri do të përfshijë programe nbga të cilat përfitojnë rajonet shqiptare që janë në kufi me: Greqinë, rajonin e Adriatikut, Malin e Zi, Ish-Republikën Jusogosllave të Maqedonisë dhe Kosovën (UNSCR 1244).

Ministria e Integrimit Europian Delegacioni i Komisionit Europian

Sfidat e radhës për Shqipërinë


Trazhgim Sokolaj/TIRANE

- Shqipëria e kaloi në muajin korrik një prej momenteve më të rëndësishme dhe provave më të forta të parashikuara për këtë vit. Zgjedhja e Presidentit të Republikës erdhi si pasojë e një marifeti autokton shqiptaro-parlamentar por që gjithsesi shpëtoi vendin nga ajo që të gjithë faktorët seriozë kishin kërkuar të mos ndodhte: Zgjedhjet e Parakohshme. Të gjithë përfaqësuesit e BE, KE, SHBA dhe NATO-s fillimisht artikulonin se zgjedhja e Presidentit duhej të ishte kushtetuese mirëpo klasa politike shqiptare e cila nuk po jepte shenja dialogu deri në tejkalim të afateve ligjore e kushtetuese, u përball kësaj here me mesazhin e qartë: të shmangeshin zgjedhjet. Tani ky problem ka kaluar, pavarësisht moralit të diskutueshëm që përmban zgjidhja e tij. Sfida të tjera presin Shqipërinë dhe shqiptarët brenda këtij viti por më së shumti vitin e ardhshëm. Më së shumti duket se këto sfida, lidhen me Presidentin e ri të shqiptarëve dhe me kreun e Ekzekutivit.

Ashtu si organet e Bashkimit Europian dhe KE-së do të japin vlerësimet e tyre lidhur e MSA-në e nënshkruar me Shqipërinë, edhe Organizata e Atlantikut Verior, NATO, ku Shqipëria aspiron të anëtarësohet, do të marrë një vendim në Samitin e Bukureshtit që mbahet në pranverë 2008. Askush nuk e di cili do të jetë vendimi edhe pse është e qartë dhe e sigurt se ai do të jetë në përputhje me nivelin deri ku Shqipëria i ka plotësuar kërkesat që i janë bërë dhe jo vetëm kaq. NATO vendos në bazë të votës së 27 vendeve anëtare dhe natyrisht numri i votave pro anëtarësimit të Shqipërisë varet dukshëm edhe nga raportet e vendit tonë me secilin nga këto vende. Gjithçka do të dështonte nëse vetëm një anëtar i NATO-s, vendos veton. Politika e Tiranës përpiqet ti marrë me optimizëm gjithë mesazhet që vijnë nga Brukseli. Por është e qartë se kërkesat që duhet të plotësohen janë jo vetëm të shumta por edhe të vështira. Pikësëpari, NATO nuk është e interesuar për anëtarë të cilët nuk mund të kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Për këtë kërkohet veç të tjerave edhe stabilitet politik, funksionimi i zgjedhjeve, qëndrueshmëri e ekonomisë, funksionim dhe pavarësi e drejtësisë dhe policisë, ushtri e modernizuar dhe e demokratizuar dhe e bashkëveprueshme me forcat e NATO-s.
Është e qartë se kriza e dukshme energjitike në kulmin e sezonit turistik por edhe ndonjë “incident” Qeveri-Biznes, kanë krijuar në perceptim të errët për gjendjen e biznesit në Shqipëri.
Sistemi i drejtësisë cilësohet nga të gjitha testimet dhe sondazhet si sektori më i korruptuari në vend dhe paraqet ende një impakt negativ në jetën e qytetarëve.
Stabiliteti politik i ka munguar Shqipërisë gjatë vitit të fundit edhe pse tani në muajin gusht, kur politikanët po kalojnë pushimet e verës ngjan sikur ka rënë paqja.
Për të gjitha këto, Shqipëria ka marrë kritika të ashpra prej ndërkombëtarëve sa herë ka qenë rasti.
Sektori ku vlerësohet se janë bërë reforma të qëndrueshme edhe është arritur shumë drejt standardeve të NATO-s, është mbrojtja. Reforma në Forcat e Armatosura është vlerësuar dukshëm por edhe këtu ka probleme, mjetet, pajisjet dhe sistemet ushtarake që Shqipëria ka aktualisht nuk mund të ndërveprojnë as në komunikim me mjetet e NATO-s edhe nëse trupat e FA-ve shqiptare kanë arritur atë standard.
Nga ana tjetër edhe dy vende të tjera ballkanike këkrojnë të anëtarësohen në NATO, Maqedonia dhe Kroacia. Kjo e fundit duket të ketë bërë përparim të dukshëm dhe një krahasim me Shqipërinë do të kishte pasoja dëshpëruese.
Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në Shqipëri Së fundi ai ka marrë një rol protagonisti edhe në reformën e pritshme në Prokurorinë e Përgjithshme, institucion super i fuqishëm sipas ligjit shqiptar në fushën e ndjekjes penale. Bamir Topi gjithashtu po zhvillon një aktivitet intensiv në drejtim të vendosjes së kontakteve dhe dialogut me gjithë klasën politike shqiptare. Ai gjithashtu ka për kompetencë të dekretojë ligjet që pritet të hartohen lidhur me Reformën Zgjedhore, një pikë mjaft e kritikuar për Shqipërinë. A do të mundet ai të japë kontributin e tij në fushat ku ai e ka impaktin të sigurt?
Është e paqartë. Publiku duket sikur ka besim tek Bamir Topi, së paku sipas sondazheve. Edhe politika duket e është tërhequr tanimë nga akuzat për mënyrën e zgjedhjes së tij. Presidenti i Shqipërisë duket se përballet me të njëjtat sfida që përballet edhe vendi i tij. Është e qartë se ajo që do të ndodhë do të peshojë më së shumti në supet e Bamir Topit dhe kreut të Partisë ku ai ishte anëtar derisa mori funksionin e Presidentit. Kreu i Shtetit, i cili deri më tani nuk njihet të ketë përvoja të gjata në drejtim apo në menaxhim tanimë përballet edhe me një sfide tjetër përballë të cilës e vënë të gjithë: Sa i pavarur do të jetë ai si Kryetar Shteti nga Sali Berisha? Ndërkombëtarët kërkojnë reforma të besueshme, transparente dhe të menduara mirë dhe ajo ndryshime që kanë në thelb qëllimin për të frikësuar, trembur apo ndëshkuar kundërshtarët. Nuk kam dëgjuar përshembull, ndonjë ndërkombëtar, edhe pse nuk është e nevojshme ti dëgjojmë pa fund, që të thotë se dosjet e vitit 1997 duhet të hapen. Policia shqiptare tani ndodhet në një angazhim total. Ok, jam dakord që të vendoset drejtësi, por aman, në rrugët e Shqipërisë po bëhet nami, vdesin mesatarisht dy veta në çdo ditë. Ok edhe që kjo nuk është vetëm përgjegjësi e policisë, por gjithsesi policia ka ndikimin e saj. Gjithë të tjerat kanë të bëjnë me mirëqenien, ëndrrën tonë për të shkuar në Europë por para së gjithash, a nuk kemi të drejtë të jetojmë dhe a nuk e ka për detyrë ky shtet të na garantojë jetën në maksimum si një nga të drejtat elementare të njeriut? Edhe rrugët kanë të bëjnë me hyrjen në BE ose në NATO, po, po, europianët apo ndërkombëtar nuk do të qenë të interesuar për një vend i cili nuk ka rrugë ku të kalojnë njësitë ndërkombëtare në rast të një ndërhyrje apo operacioni ushtarak në Ballkan.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania