Tmerr në spitalet shqiptare!

TIRANE

Kam parë tmerr në atë spital! Isha me një të afërmin tim që kohet e fundit ka pasur probleme me zemrën. Më kërkoi ta shoqëroja sepse nuk ndihej mirë, madje kishte frikë se do ti binte të fikët. Qe e premte, 10 gusht 2007, mesditë, ishim në Spitalin Qendror Universitar Nene Tereza. Para se të shkonim aty, ishim tek një klinikë private, të cilës nuk dua ti bëj publicitet ndaj nuk po e përmend. I afërmi im u vizitua aty pastaj vendosëm të shkonim tek spitali shtetëror. Qe këmbëngulja e të sëmurit që ishte bërë fort merak për problemet në zemër dhe deshi të vizitohej edhe në shtet. Shkuam dhe hymë në spital. Në krah të majtë të derës kryesore, po punohej, nuk e di për çfarë por ekskavatorët kishin shkatërruar gjithë atë sipërfaqe toke teksa po hapnin gropat mbi të cilat ndoshta do të ngrihet një ndërtesë. Hymë brenda në spital dhe që aty, filloi tmerri. Pllakat të palara, të vjetra dhe gjysmë të thyera. Dyert dukej se nuk qëndronin në vendin e tyre, të nxira nga pisllëku i kohës. Njerëz të shumtë që lëvizin nëpër korridore e shkallë dhe pacientë, në katet lart, që qëndrojnë në ballkonet e shkallmuara derisa nuk durojnë dot më tej qëndrimin në shtrat.

Menduam të mos mundoheshim shumë. Ecëm drejt në atë korridor gjysmë të errët derisa mbërritëm tek një derë e mbyllur, ngjyrë qumështi ku një dorë e shkujdesur kishte shkarravitur "ECO Zemre". Ndaluam aty, pritëm disa çaste dhe askush nuk doli prej asaj dere, brenda nuk dëgjohej asgjë. Para se të largoheshim pyetëm disa të mbërritur më parë aty që po prisnin. Na thanë se kishin hyrë dy veta rreth 40 minuta më parë dhe akoma nuk kishin dalë. Ikëm. U ngjitëm tek kati i dytë, ku qëndronte një roje private, me sa kuptova unë në hyrje të pavijonit. E pyetëm atë polic që më shumë rrinte brenda derës së mbyllur dhe nuk e di çfarë ruante, ku ishte infermierja që po kërkonim dhe na tha se duhej të zbrisnim poshtë, në katin e parë. U kthyem, lamë pas shkallët dhe u ndodhëm prapë tek dera kryesore, në katin e parë. Në atë gjysmë errësirë, një njeri pa bluzë të bardhë, që ngjante me një pacient të shtruar padrejtësisht në spital na u ofrua të na jepte ndihmë kur na shikoi se po qëndronim disi në mëdyshje dhe paksa të trembur. I thamë se po kërkonim atë infermieren që njihnim dhe na tregoi se duhej të zbrisnim poshtë tek Urgjenca, sepse personi që kërkonim ne, në fakt ishte kryeinfermierja. Kuptova se ai interesohej vetëm për qytetarët që kërkonin disa mjekë të caktuar, përmendi dy emra gjatë kohës që po bisedonim. Hymë në ato shkallët e ngushta që të çonin në Urgjencë. Në të dy anët kishte qese dhe shishe plastike të hedhura, vinte era myk dhe hekurat anash shkallëve ishin të ndryshkur dhe të pistë nga gjëra të hedhura nga lart në hapësirën që krijonin dredhitë e shkallëve. Aty ishte vetëm një grua e cila nuk kishte nevojë të fliste, pasi kur shkuam ne, ishte duke pastruar dhomën e çrregullt të urgjencës. E përshëndetëm dhe u kthyem mbrapsht. Dolëm nga bodrumi dhe ndodheshim për të tretën herë në katin e parë të spitalit. Aty u kujtuam të pyesnim tek një gjysmë dritare e hapur në duralumin dhe na thanë se duhej të hynim brenda, të shkonim në fund të korridorit për ë takuar D, infermieren që po kërkonim. Ia arritëm qëllimit. Ajo mbante një palë syza të vogla dhe një bluzë ë bardhë. E gjetëm ë fund të korridorit pasi kishim lënë pas dyert e hapura të dhomave ku ishin shtruar të sëmurët. Prej andej vinin aroma nga më të ndryshmet: gjellë të nxehta, bukë e ndenjur, barna dhe djersë. Anash dyerve ishin hedhur lëvozhga kastravecësh, copa buke apo mbeturina të tjera domatesh. Nuk më ra në sy një pacient i vetëm që po qëndronte drejt në shtrat. Të gjithë kishin gjetur një mënyrë për tu shtrembëruar. Kryeinfermierja na tha se kishim shkuar vonë, "profesorët" ishin me pushime dhe nuk kishte mjekë. megjithatë tha se duhej të shkonim tek urgjenca e zemrës se do të bënte diçka. E falënderuam dhe zbritem edhe njëherë në urgjencë. Në atë korridor të gjatë më shumë se gjysma e mureve mbanin lagështirë. Pjesa më e madhe e dhomave ishin kthyer në depozita për karrige te thyera apo barela të sakatosura. Në fund në një dhomë të çrregullt dhe pa derë dukeshin disa barna, serume dhe pajisje të tjera mjekësore. Në korridorin e gjatë ndodheshin edhe dy tre barela të njollosura, të pista gjysmë të shkatërruara. Arritëm në fund dhe infermieres që na doli përpara i dhamë letrën që na kishte dhënë kolegia e saj një kat më lart. Prisni aty na tha. Ishte ora 13:10, ajo doli tek dera e jashtme e urgjencës dhe i foli një mjeku, i cili me një qëndrim të rëndë dhe të bezdisur i tha "të presin do të shkoj të pi kafe". Infermierja u kthye, mori pacientin e futi në urgjencë, i tha të shtrihej dhe i vendosi rrotull zemrës disa pajisje në formën e llullave që përdorin mjekët. Pas pak pacienti, njeriu im i afërt, doli me një shirit të bardhë në duar, ishte Elektro Kardiograma e Zemrës. Pashë djersë në ballin e tij teksa po ulej në njërën prej barelave të shkatërruara, nuk qëndronte dot në këmbë. Pritëm aty derisa erdhi mjeku të cilin infermierja e bezdisi edhe njëherë. Ai hyri nga dera e urgjencës, u afrua dhe mori nga duart e pacientit shiritin e letrës së bardhë. Pa grafikun, tha se kishte një aritmi të theksuar dhe pastaj tërhoqi pacientin brenda në urgjencë. Më vonë dolën të dy dhe u ndanë. Pacienti nuk harroi ti thoshte mjekut të bezdisur se "do të shihemi të hënën". Jam lodhur tha i afërmi im, kam dy ditë pa ngrënë, më dhemb këtu në të majtë të gjoksit....ndërsa isha duke menduar për atë klinikën private, ku në mure kisha parë dhe disa simbole që nuk i kam hiç simpati, mu shfaqën sportelet, shkallët, tabelat dhe korridoret ku qëndronin njerëzit si njerëz. Edhe unë ndihesha i lodhur ndërsa i afërmi im mezi po priste të ulej diku te merrte frymë pas gjithë asaj që ndodhi...një shkak më shumë për të mos qenë sëmurë, nuk e di si arrihet kjo!

PS: Unë u thashë të gjithëve aty në spital, se isha gazetar. Më hapën rrugën, nuk më penguan. Realisht ky i afërmi im nuk ishte shumë rëndë, por dhëntë Zoti për ata që mbërrijnë në atë spital por edhe në ndonjë tjetër, që kur të mbërrijnë ata, mjekët të kenë pirë kafen, ta kenë ndarë mendjen për punë, korridoret dhe shkallët të jenë larë e pastruar mirë dhe Ministri i Shëndetësisë të shkojë të shikojë si qëndrojnë njerëzit në një vend të përshtatshëm për kafshë që më pas të përpiqet të gjejë një rrugëzgjidhje për këtë gjendje dhe për korrupsionin që bëhet aty nga sekserët pacientë...sepse përndryshe nuk shkojmë dot në Kamëz dhe jo më të kalojmë kufijtë.....

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania