
Hyrja e vendeve të “A3” në NATO vendim politik i momentit të fundit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Reformat mjaftojnë për kualifikim, por duhet të jenë të qëndrueshme
Departamenti i Shtetit: Lufta kundër narkotikëve në Shqipëri, frenohet nga korrupsioni
Në raportin e përvitshëm për drogën dhe pastrimin e parave, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se Shqipëria ka bërë përmirësim në luftën kundër narkotikëve dhe krimit financial, por se përpjekjet e saj pengohen nga korrupsioni, mangësitë profesionale në strukturat e rendit, sistemi i pareformuar gjyqësor, si edhe ekonomia informale.
Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në BE dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin.
Shqipëria thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, shërben si një vend tranzit për trafikun e heroinës nga vendet e Azisë Qendrore në Evropën perëndimore.
Në vitin 2007, kapja e heroinës ra disi, ndërsa kapja e drogave të tjera mbeti e lartë. Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, në përgjigje të trysnisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, po i lufton më me agresivitet elementët kriminalë, por puna e saj vazhdon të pengohet nga mungesa e burimeve dhe përhapja e madhe e korrupsionit.
Portet, kufijtë jo shumë të ruajtura tokësore, së bashku me një polici dhe dogana të financuara e menaxhuar keq dhe me mangësi në paisje, e bëjnë Shqipërinë një vend të lakmueshëm tranzit për trafikantët që transportojnë droga në Evropën Perëndimore.
Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë disa hapa kundër korrupsionit: si miratimi i ligjit për Parandalimin e Konflikteve të Interesave dhe nxjerrja e një afati kohor për zbatimin e tij. Po ashtu vëzhdimi nga ana e shoqërisë civile i ka rritur shpresat se korrupsioni do të bjerë. Qeveria nxorri jashtë ligjit qarkullimin e gomoneve dhe disa llojeve të tjera mjetesh lundruese në të gjitha ujrat territoriale për një periudhë prej tre vjetësh, gjë që duket se e ka pakësuar lëvizjen e drogave përmes mjeteve të vogla të lundrimit veçanërisht në Itali. Shqipëria punon me fqinjët në marrëdhënie dypalëshe dhe nisma rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet.
Sipas raportit, policia shqiptare vazhdoi të shënojë përparim në operacionet kundër narkotikëve. Sasia e drogës së kapur si nga Italia, ashtu edhe Greqia ka rënë çka do to thotë se Shqipëria ka pasur sukses në përpjekjet e saj. Bashkëpunimi ndërkombëtar u rrit, përfshirë operacione të përbashkëtar me autoritetet italiane, maqedonase, greke dhe turke.
Në raport thuhet se korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Pagat e ulëta, rryshfetet dhe rrjetet e lidhje të ngushta sociale në Shqipëri e vështirësojnë luftën ndaj korrupsionit në polici, gjykata dhe dogana. Në kuadër të përpjekjeve anti-korrupsion, Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB-së kundër korrupsionit. Në vitin 2007 policia dhe gjyqësori u bënë më aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të rendit për korrupsion. Në raport përmenden shifrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme në bazë të së cilave nga rritja 13 për qind e rasteve që arritën të paraqiten në gjykata, shumica kishte të bënte me korrupsionin, veprimtaritë e paligjshme të zyrtarëve të qeverisë dhe trafikimin.
Grupet e krimit të organzuar, thekson më tej raporti, vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si pikë tranziti për drogat dhe kontrabanda të tjera, për shkak të pozitës strategjike gjeografike të vendit, dobësisë së shtetit ligjor dhe sistemit të pareformuar gjyqësor, si edhe kufijve lehtësisht të depërtueshëm. Shqipëria është pikë tranziti për heroinën që vjen nga Afganistani, përmes rrugës së Ballkanit Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri pastaj në Itali, Mal të Zi, Greqi dhe pjesën tjetër të Evropës Perëndimore. Një sasi e kufizuar por që sa vjen e rritet e kokainës kontrabandohet nga Amerika Jugore në Shqipëri, si për konsum të brendshëm dhe për eksport. Përveç kësaj rrjetet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë shqiptarët për të transportuar koakinë dhe heroinë nga vendet e tjera në Shqipëri, Itali dhe Greqi.
Qeveria e Shqipërisë vazhdon të mirëpresë ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore. Shtetet e Bashkuara po i intensifikojnë aktivitetet në fushat e rendit dhe reformës ligjore. Një nga problemet e hasura lidhur me ndihmën në kualifikim, është politizimi i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes që sjell si rezultat mungesën e një administrate civile të fortë, kështu që shumë punonjës që i nënshtrohen kualifikimit, bëhen objekt largimi nga detyra gjatë tranizicioneve politike. Ky problem ishte veçanërisht i mprehtë në policinë e shtetit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 për qind e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur, apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit.
Shqipëria e ka bërë përparësi luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut dhe policia po e rrit rolin në operacionet kundër narkotikëve. Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë për të bërë përaparim në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, për të përdorur me efektivitet të ndihmës për strukurat e rendit dhe për të mbështetur reformën ligjore.
Si vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave
Në kapitullin për pastrimin e parave, raporti thekson se Shqipëria nuk ështe qendër e rëndësishme financiare rajonale. Megjithatë, thekson raporti, duke qënë një vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Të ardhurat që sigurohen me rruge kriminale burojnë kryesisht nga trafiqet, korrupsioni zyrtar dhe mashtrimet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Përmasa e saktë që të shumat nga këto aktivitete të paligjshme zenë tek të ardhurat totale të krimit dhe të pastrimit të parave nuk dihet.
Kriminelët investojnë para të pista në ndërtimin e banesave dhe në projektet e zhvillimit të bizneseve. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrollit të dobët në dogana. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë operacionesh për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh i kthejnë fitimet e paligjshme në Shqipëri. Fitimet nga këto aktivitete pastrohen lehtësisht në Shqipëri falë ekonomisë që zhvillohet me para në dorë dhe kontrollit të dobët të qeverisë ndaj veprimtarive bankare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, 25 për qind e parave në qarkullim janë jashtë sistemit bankar, krahasuar me 10 për qind në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga imigrantët hyjnë në vend përmes kanaleve jozyrtare. Këmbimet në tregun e zi janë ende të pranishme me gjithë përpjekjet e qeverisë. Sipas shifrave të qeverisë, të ardhurat nga tregu informal përbëjnë 30-60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithëse ka pasur nisma të vazhdueshme për të përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar krimet financiare dhe pastrimin e parave, mungesa e rezultateve pozitive dhe paaftësia për t’u bërë ballë siç duhet mangësive në programe, vazhdojnë të pengojnë përparimin।
SHBA rezolutë për marrjen e ftesës së NATO nga Shqipëria
Rezoluta e propozuar nga senatori Lugar
Duke shprehur mbështetjen e fortë të Senatit për NATO, për projektin e zgjerimit me dhënien e ftesave për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në Samitin e Bukureshtit në prill 2008 dhe për qëllime të tjera;
Ku NATO do të mbajë një takim mes krerëve të shteteve dhe qeverive në Samitin e Bukureshtit, në Rumani në prill 2008;
Ku NATO ka mbrojtur me sukses territorin dhe interesat e anëtarëve të tij për më shumë se 50 vjet dhe ka kontribuar në lirinë, demokracinë, stabilitetin dhe paqen në të gjithë Evropën;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, në përgatitjet për anëtarësimin në NATO prej më shumë se 8 vitesh kanë kaluar nëpër procese historike të forcimit të demokracisë, transformimin e tregut të lirë;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë progrese të rëndësishme për të vendosur kontrollin civil të ushtrive të tyre duke demonstruar zotësinë për të operuar me forcat e NATO-s dhe standardet e aleancës;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia vazhdojnë të japin kontributin e tyre të vyer në krah të forcave të Kombeve të Bashkuara, në forcat ndërkombëtare të asistencës dhe sigurisë nën lidershipin e NATO-s në Afganistan, për të stabilizuar dhe rindërtuar këtë shtet;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë hapa të rëndësishme për të vendosur proceset e tyre të demokratizimit, përfshirë këtu:
1. Përqafimin e diversiteteve etnike
2. Respektimin e të drejtave të njeriut
3. Ndërtimin e një tregu të lirë
4. Promovimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinjë
Për shkak se NATO ka kryer një ndërhyrje ushtarake kundër Republikës Federale të Jugosllavisë për të vendosur paqen në Kosovë;
Për shkak se diplomacia amerikane e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës dhe duhet të mbështesë integrimin e saj në institucionet euro-atlantike;
Për shkak se stabiliteti dhe siguria afatgjatë në Evropën Juglindore kërkon integrimin ushtarak, ekonomik dhe politik të demokracive të reja në strukturat ekzistuese evropiane;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në aktivitetet e NATO-s në Evropën Juglindore nëpërmjet pozicionit unik gjeostrategjik dhe duke ndaluar dhe frenuar çdo përpjekje të çdo lloj pale për të destabilizuar rajonin nëpërmjet dhunës;
Për shkak se neni 10 i marrëveshjes veri-atlantike, i përpiluar në Ëashington më 4 prill 1949, citon se "çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të përmbushë principet e kësaj marrëveshje dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës veri atlantike", mund t'i garantohet anëtarësimi në NATO; dhe
Për shkak se deklarata e Samitit të Rigës, e realizuar nga NATO në nëntor 2006 riafirmon se "NATO mbetet e hapur për anëtarë të rinj evropianë":
Bën që senati amerikan të dalë me përfundimin se:
1. Pavarësia politike dhe integriteti territorial i demokracive emergjente në Evropën Juglindore është i një rëndësie vitale për paqen, sigurinë e Evropës dhe është në interes të SHBA.
2. Zgjerimi i NATO-s, kontribuon në efikasitetin dhe aftësinë e vazhdueshme të Aleancës.
3. Senati riafirmon suportin e tij për procesin zgjerues të NATO-s përfshirë këtu vendet kandidate.
4. SHBA duhet të kenë rolin e liderit në suportin e anëtarësimit të shteteve Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia për t'iu bashkuar aleancës në prill të 2008.
Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk janë perfekte dhe kanë nevojë të bëjnë ende progres në fushën ekonomike dhe politike. Megjithatë të tre vendet kanë bërë përparime të dukshme. "Kroacia ka performancën më impresionuese ekonomike dhe në çmimet e pasurive të patundshme në krahasim me çdo vend tjetër në Evropën jugore. Në vitet e fundit Shqipëria ka kontribuar me më shumë ushtarë në misionet në Irak dhe Afganistan dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë si të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s. Dhe që nga fundi i luftërave ballkanike në vitin 1999, Maqedonia ka ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe të integruar në kohën më të shkurtër se çdo komb tjetër në Evropë. Tashmë ne kemi një shans të sjellim në komunitetin euroatlantik të demokracive Kroacinë katolike, Shqipërinë me shumicë myslimane dhe shumetnike dhe Maqedoninë Ortodokse. Kjo nuk është keq.
Kongresmenët
Pak ditë më parë, një delegacion me 6 kongresmenë mbështetën marrjen e ftesës nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit. "Vendimet në NATO merren në bazë të parimit të konsensusit. Shpresojmë që vendet të marrin një ftesë, por ajo që unë them këtu, që kongresi i SHBA-ve i mbështet aspiratat për anëtarësim në NATO të Shqipërisë", theksoi kongresmeni amerikan Tanner gjatë vizitës në Tiranë.
Marrë nga Gazeta “Panorama”, Tiranë
Pentagoni: Vendet e “Adriatik 3” kanë përmbushur kushtet ushtarake për të hyrë në NATO
SHBA do të kenë vetëm një nga 26 votat e vendeve anëtare të NATO-s në Samitin e Bukureshtit, por Pentagoni mendon se vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia kanë përmbushur standardet për të marrë ftesën e hyrjes në Organizatën e Atlantikut të Veriut.
“Nëse flasim për zgjerimin e NATO-s, kjo ndërtesë mendon se kriteret ushtarake gjithsesi janë përmbushur nga vendet e A3”, tha zv/ministri Amerikan i Mbrojtjes Daniell Fata, përgjegjës për Europën dhe NATO-n gjatë konferencës së shtypit që mbajti në Pentagon. Deklarata e zyrtarit të lartë amerikan është bërë pas takimeve të tij me ministrat e mbrojtjes të tri vendeve të “A3” aspirante për anëtarësim në NATO, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni.
Pasi vlerësoi përparimet e arritura, zv.ministri Amerikan i Mbrojtjes tha se gjithsesi vendet e Kartës së Adriatikut, kanë ende punë për ta bërë me qellim që të bindin vendet anëtare të NATO-s se kanë përmbushur reformat e duhura për të hyrë në Organizatën e Atlantikut te Veriut.
"SHBA-të vlerësojnë se të tri shtetet e “Adriatik 3” i përmbushin kriteret e duhura. Besojmë se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të jenë të ftuara për të qenë anëtare të NATO-s", tha zv.ministri Amerikan i Mbrojtjes gjatë konferencës së shtypit mbajtur në ndërtesën e Pentagonit në Uashington.
David L. Filips: NATO duhet ta ftojë Shqipërinë për anëtarësim
"NATO duhet të ftojë Shqipërinë që të aderojë pranë aleancës". Kështu deklaroi dje pasdite, David L. Filips, drejtuesi i Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme amerikane gjatë prezantimit të raportit mbi progresin e reformave të Shqipërisë.Raporti i paraqitur titullohet "Shqipëria, një shtet i brishtë me partner të besueshëm ndërkombëtar". Ky raport analizon reformat dhe rezultatet e qeverisë shqiptare, të cilat, sipas tij, mundësojnë anëtarësimin e saj në NATO. Ai ka qenë i ftuar në Tiranë nga shoqata shqiptare e Atlantikut, që drejtohet nga deputeti Arjan Starova. "Duke vlerësuar progresin e arritur gjatë këtyre 30 muajve, sugjerojmë që NATO ta ftojë Shqipërinë të aderojë në aleancë nëpërmjet Samitit të Bukureshtit në prill të 2008-ës. Së bashku me vendet e NATO-s, Shqipëria ofron kushte të favorshme, duke bërë pjesë si faktor stabiliteti në vendet e Evropës Juglindore, në momentin kur rajoni përgatitet të përballet me rajonin e Kosovës", thuhet në raportin e paraqitur nga Filips. Ai ka vlerësuar progresin e bërë nga ana e Kroacisë dhe Shqipërisë, duke bërë të ditur se Maqedonia ndodhet më prapa në krahasim me dy vendet e tjera të Kartës së Adriatikut. Sipas tij, do të ishte mirë që tre vendet e A3-it, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të merrnin njëherësh ftesën nga Samiti i Bukureshtit, por progresi i vendeve nuk mund të pengojë në marrjen e ftesës dhe në mënyrë të veçantë të këtyre shteteve. "Marrja e ftesës nga ana e Shqipërisë do të ndihmonte NATO-n që të forconte pozitat e saj në Evropën Juglindore. Shqipëria ka nevojë për NATO-n dhe NATO-ja ka nevojë për Shqipërinë", deklaroi për median Filips. Ndërsa raporti i paraqitur thekson dhe një veçori, apo një arsye më shumë se pse Shqipëria duhet të pranohet në aleancën më të madhe ushtarake. Pranimi i Shqipërisë në të njëjtën kohë mund të shërbejë si një sinjal pozitiv për vendet e tjera që kanë besime të ndryshme dhe vende multietnike me popullsi myslimane", thuhet në raportin e paraqitur. Ndërsa ky raport nuk rekomandon të njëjtën gjë edhe për BE-në për këtë periudhë. "Për të mbështetur vazhdimësinë e progresit të reformave të Shqipërisë, raporti propozon mbështetjen suplementare nga NATO dhe BE-ja. Për t'u bërë një anëtar i BE-së është një proces i gjatë dhe i vështirë, është një objekt i realizuar për afatgjatë. Perspektiva e vullneti i vendosur i të gjitha vendeve të BE-së do të ndihmojë që të pranojë angazhimet për arritjet e standardeve ndërkombëtare e do të rigarantonte vendet e NATO-s që janë të interesuara për ndjekjen e këtij procesi", thuhet në dokumentin prej rreth 30 faqesh. Raporti e cilëson si mjaft pozitiv rotacionin paqësor të pushtetit të ndodhur me zgjedhjet parlamentar të vitit 2005. "Pavarësisht problemeve teknike që u vërejtën në zgjedhjet lokale të vitit 2007, si dhe zgjedhja e presidentit në korrik të vitit 2007, ishin gjithashtu një gur i rëndësishëm në zhvillimin demokratik të Shqipërisë", thuhet në raport. Ndërsa për çështjen e ekonomisë në vend, theksohet se problem mbetet ekonomia informale. "Ekonomia informale zë ende një vend të rëndësishëm, duke përbërë 24-28% të PPB-së. Titujt e pamjaftueshëm të pronësisë kanë dobësuar përpjekjet për krijimin e një tregu të besueshëm të pronave. Dhe nuk ka ndonjë planifikim për adresimin e problemit mbi qartësimin dhe sigurimin e të drejtave të pronësisë. Numri i shqiptarëve që jetojnë në varfëri ekstreme (më pak se 1 USD në ditë, ra nga 5% në 2002 në rreth 3.5% në 2005. Numri i njerëzve që jetojnë në varfëri (më pak se 2 USD në ditë) ra nga 25.4% në 2002, në 18.5% në 2005. Në 2002, papunësia e grave ishte 19.1% dhe 13.6% për burrat. Ndërsa papunësia totale për 9 muajt e parë të 2007-ës ishte 13.2%", thuhet në raport.
Qëndrimet e raportit
- Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ofron përfitime për Aleancën, duke zgjeruar zonën e stabilitetit në Evropën Juglindore, në një kohë kur rajoni është duke iu përshtatur Pavarësisë së Kosovës.
- Qeveria shqiptare hedh poshtë idenë e "Shqipërisë së Madhe", që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ajo ka rikonfirmuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen e saj për ruajtjen e kufijve ndërkombëtarë në Ballkan, përfshirë Kosovën.
- Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ishte një sinjal i mirë për vendet e tjera me popullsi myslimane, që kanë diversitet fetar dhe popullsi multietnike.
- Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të sigurojë asistencë shtesë në mbështetje të vazhdimit të progresit të reformave në Shqipëri. Megjithëse, Shqipëria nuk i mbush kushtet për anëtarësim në BE këtë radhë.
- Anëtarësimi në BE do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, i realizueshëm, por një objektiv i largët.
- Perspektiva për anëtarësim në BE do të ndihmojë që Shqipëria të garantojë angazhimin e vazhdueshme për përmbushjen e standardeve evropiane, dhe do të risigurojë vendet e NATO-s, që janë të shqetësuara për një kthim të mundshëm mbrapa.
- Marrëdhëniet e fqinjësisë së mire janë një kriter i rëndësishëm për anëtarësimin në NATO. Qeveria shqiptare është një mbështetëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe ka luajtur një rol të dobishëm në inkurajimin e moderimit mes liderëve politikë kosovarë dhe ka mbështetur përpjekjet e NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në nxitjen e stabilitetit.
- Ekonomia informale zë ende një vend të rëndësishëm, duke përbërë 24-28% të PPB-së. Titujt e pamjaftueshëm të pronësisë kanë dobësuar përpjekjet për krijimin e një tregu të besueshëm të pronave. Dhe nuk ka ndonjë planifikim për adresimin e problemit mbi qartësimin dhe sigurimin e të drejtave të pronësisë.
- Në lidhje me reformën juridike, qeveria e Shqipërisë ka rritur besimin e njerëzve në sistemin gjyqësor, duke miratuar një legjislacion që përkrah një sistem gjyqësor të pavarur, duke forcuar kontrollet dhe ekuilibrin ndërmjet degëve të qeverisë. Vendimet gjyqësore tani publikohen për të rritur përgjegjësinë.
- Megjithëse kushtet e punës për gjykatësit janë përmirësuar dhe rekrutimi i gjyqtarëve të rinj bazohet në meritë, Shqipëria ka ende nevojë të përmirësojë cilësinë e prokurorëve publikë dhe të sigurojë zbatim të plotë të vendimeve gjyqësore. Një bashkëpunim më i madh mes qeverisë së Shqipërisë dhe partive të opozitës do ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë objektivin e saj për reformë të plotë të sistemit gjyqësor.
- Shqipëria ka qenë historikisht një pikë tranziti për heorinën, kokainën dhe kanabisin e rritur në vend, por kjo situatë është përmirësuar si pasojë e përforcimit të ligjeve dhe rritjes së bashkëpunimit me autoritet ndërkombëtare. Të gjitha këto zhvillime tregojnë një progres të konsiderueshëm, por - sipas informacioneve që GOA zotëron - trafikimi është një problem që kryhet në bashkëpunim me zyrtarë të korruptuar. Plani anti-trafikim i GOA-s ka përfunduar dhe nuk është ripërtërirë.
Uashington, Mediu takohet me Gejt dhe Negroponten
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë vizitës zyrtare në SHBA ka marrë mbështetjen e Departamentit Amerikan për Anëtarësimin në NATO. Mediu së bashku me homologët e tij të vendeve të Ballkanit, të Maqedonisë dhe Kroacisë, që përfshihen në vendet e Kartës së Adriatikut (A 3). Sipas "Zërit të Amerikës", ministri Mediu u prit dje nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robet Gejts. Më pas mësohet se Mediu është takuar edhe me nënsekretarin e Shtetit amerikan, Negroponte. Në këto takime mësohet se ministri shqiptar i Mbrojtjes ka marrë mbështetjen e plotë të shtetit amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku në muajin prill mbahet Samiti i Aleancës në Bukuresht të Rumanisë. Tre ministrat e Mbrojtjes do të miratojnë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të SHBA-ve - Karta e Adriatikut. Njëra prej temave për të cilën do të bisedohet gjatë vizitës janë edhe të arriturat e forcave të armatosura, të domosdoshme për anëtarësim në NATO, stërvitjet e përbashkëta, pjesëmarrjen në misionin ISAF në Afganistan.
Kush është David L. Filips
David L. Phillips, drejtor i Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme amerikane, ka punuar si Këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe në sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, si dhe ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme akademike në universitete të njohura të botës. Ai është autor i shumë librave dhe raporteve politike, si dhe i mbi 100 artikujve, në gazeta si: “New York Times”, “Wall Street Journal”, “Finnacial Times”, “International Herald Tribune” and “Foreing Affairs”.
Marrë nga gazeta “Panorama”, Tiranë
Ambasada Amerikane në Tiranë: NATO ende nuk ka vendosur për anëtarësimin e Shqipërisë
Trazhgim Sokolaj
TIRANE – Ambasada Amerikane në Tiranë bëri një sqarim rreth lajmit të publikuar në median elektronike e më pas atë të shkruar në Shqipëri, se Organizata e Atlantikut të Veriut- NATO, tashmë kishte marrë një vendim formal pozitiv e paraprak për procesin e anëtarësimit. Deklarata është bërë publike ditën e sotme në rrugë zyrtare nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Ajo i referohet raportimeve të cilat u shfaqën fillimisht në median elektronike dhe më pas në median e shkruar në Tiranë. Këto raportime pretenduan se NATO kishte vendosur paraprakisht ti jepte Shqipërisë ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit që pritet të mbahet në muajin prill të 2008. Në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, vlerësohet fryma bipartizane që po demonstron politika shqiptare për përmbushjen e reformave të kërkuara nga Plani i Veprimit për Anëtarësim në NATO, por theksohet se Shqipëria ka ende shumë për të bërë megjithë përparimin e arritur deri më tani. Më poshtë deklarata e Ambasadës Amerikane:
--------------------------
Deklaratë për Shtyp (8 Shkurt 2008)
Si Ambasada që shërben si pikë kontakti e NATO-s, kemi vënë re raportime nga media në datat 5 e 6 shkurt që sugjerojnë se Aleatët e NATO-s kanë marrë tashmë një vendim për t’i ofruar ftesën e anëtarësimit Shqipërisë apo vendeve të tjera të Kartës së Adriatikut. Dëshirojmë të sqarojmë që asnjë vendim formal nuk është marrë ende në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në NATO për Shqipërinë apo ndonjë prej vendeve të Adriatikut 3. Të 26 Aleatët duhet të jenë në një mendje në mënyrë që të ofrohet një ftesë.
Kohët e fundit, kemi vënë re përparim domethënës në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur standardet e bazuara mbi rezultate të NATO-s, siç janë përvijuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Megjithëkëtë, mbetet më shumë për t’u bërë.
Jemi inkurajuar nga qëndrimi i përmirësuar bipartizan kundrejt bashkëpunimit, diçka e evidentuar, midis të tjerash, nga miratimi unanimisht i një rezolute të paraqitur nga opozita në mbështetje të reformave për të përmbushur kriteret e NATO-s. Megjithatë, një numër domethënës reformash, specifikisht në fushat e reformës zgjedhore dhe gjyqësore, mbeten të paplota. Vazhdojmë të presim përparim të mëtejshëm drejt këtyre reformave për t’u siguruar që Shqipëria të jetë kandidatja më e fortë e mundshme në kohën kur të merren vendimet përfundimtare të NATO-s.
Shqipëria nënshkruan marrëveshje me NATO-n për operacionet detare Antiterror

Në kuadër të bashkëpunimit me Komandën e Bashkuar të NATO-s në Napoli, sot në mesditë në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit Taktik të Mirëkuptimit për Pjesëmarrjen dhe Kontributin e Shqipërisë në Operacionin “Active Endeavour” (TMOU). Në ceremoni ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe komandanti i Komponentit Detar në Komandën e Bashkuar të NATO-s në Napoli, admiral Cesaretti, si dhe ushtarakë të tjerë që e shoqëronin me këtë rast. Memorandumi Taktik i Mirëkuptimit për Pjesëmarrjen dhe Kontributin e Shqipërisë në operacionin “Active Endeavour” u nënshkrua nga komandanti i CC MAR Napoli, admirali Cesaretti dhe komandanti i Brigadës Detare, Kapiten i Rangut të Parë Kristaq Gerveni. Z.ministri Karabina, duke folur pas këtij nënshkrimi, theksoi se tashmë Shqipëria është fare pranë NATO-s dhe nënshkrimi i këtij Memorandumi është një tjetër evenimet i rëndësishëm që konfirmon këtë moment. Tashmë Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura bëhen plotësisht pjesë e kësaj iniciative të rëndësishme të NATO-s që ka të bëjë me pjesëmarrjen dhe kontributin e saj të drejtpërdrejtë në operacionin “Active Endeavour, i cili është një operacion nga më të rëndësishmit të NATO-s që ushtron aktivitetin e tij në hapësirat detare të rajonit tonë. FA Shqiptare, nënvizoi më tej ai, obilgohen që t’i shërbejnë sigurisë jo vetëm të rajonit tonë, por edhe më gjërë. Zoti Karabina falenderoi sidomos komandantin e Komponentit Detar të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, admiralin Cesaretti, cili “sot është prezent në këtë ceremoni dhe nënshkruan këtë Memorandum të rëndësishëm”. Ndërsa Admirali Cesaretti e cilësoi nënshkrimin e Memorandumit si një moment historik midis FA Shqiptare dhe NATO-s. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe të Forcave të saj të Armatosura në rajon dhe theksoi se, tani Shqipëria do të jetë një pjesëtare aktive në ndërveprime të tjera të rëndësishme të NATO-s, siç është edhe operacioni “Active Endeavour, ku do të jap një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë detare dhe në luftën kundër terrorizmit në rajonin tonë. Më herët, Admirali Cesaretti u prit në një takim të veçantë nga zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina. Zv.ministri Karabina vlerësoi kontributin e dhënë nga Admirali Cesaretti, sidomos në ideimin dhe vlerësimin e stërvitjes “Cooperative Engagment 05”, si dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i TMOU-së për pjesëmarrjen dhe kontributin e Shqipërisë në operacionin “Active Endeavour”. Operacioni “Active Endeavour” ka për mision për të treguar vendosmërinë dhe solidaritetin e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut për të parandaluar, luftuar dhe shpërbërë aktivitetet terroriste në Detin Mesdhe dhe Detin e Zi. Ky operacion është një nga masat e NATO-s për të zbatuar Nenin 5 të Traktatit të Washingtonit me qëllim zgjerimin e mundësive në fushatën kundër terrorizmit. Duke filluar që nga viti 2001 ky operacion ka arritur suksese të mëdha në nivelin strategjik, operacional dhe taktik, duke e pozicionuar NATO-n si instrument pararojë për të luftuar terrorizmin detar. Shqipëria ka qenë një nga vendet e para të PfP-së që tregoi interesim dhe vendosmëri për të marrë pjesë dhe kontribuar në këtë Operacion. Dhe në maj të vitit 2007, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Shefer miratoi kërkesën e qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen dhe kontributin në operacionin “Active Endeavour”. Që nga kjo kohë vendi ynë rreshtohet përkrah aleatëve duke dhënë kontributin e tij modest në këtë operacion me rëndësi të madhe për sigurinë detare dhe duke konfirmuar edhe njëherë aspiratat tona për integrimin euroatlantik. Ky bashkëpunim konsiton në shkëmbimin e informacionit për situatën detare, caktimin e oficerëve ndërlidhës në strukturat e NATO-s, kontrollin e anijeve të dyshimta në ujrat tona territoriale, lejimin e bordimit të anijeve me flamur shqiptar nga anijet e NATO-s dhe caktimi i pikës kombëtare të koordinimit. Një takim të veçantë me Admiralin Cesaretti pati edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral lejtnant Luan Hoxha.
Rreth meje
- Trazhgim Sokolaj
- GAZETAR / Journalist
Lidhje ne Fokus
Lidhje
- Krasta Krau
- Artikujte tjere ne Google nga T.Sokolaj
- Artikuj nga T.Sokolaj (Ne Google)
- Levizja MJAFT
- Sajmir Kola
- Turizmi Shqiptar, Albanian Turism, Guide
- Gazeta Start
- NATO
- Keshilli i Larte i Drejtesise
- Ministria e Drejtesise
- Partia Demokratike
- Partia Socialiste
- Presidenca e Shqiperise
- Ministria e Kultures, Turizmit, Rinise dhe Sporteve
- Photo from Albania
- Peshku pa Uje, Blogger
- Ministria e Integrimit
- Deutsche Welle (In Albanian)
- BBC (In Albanian)
- Vioce of America (In Albanian)
- Ministria e Mbrojtjes
- Ministria e Brendshme
- Parlamenti Shqiptar
- Qeveria Shqiptare
- Express, Kosove
- Televizioni i Kosoves
- E-mail (Hotmail)
- E-mail (Yahoo)
- Motor Kerkimi (Google)
- Portali Shqiptar
- Revista MAPO
- Tv Klan
- Vizion Plus
- Top Channel
- Gazeta Panorama
- Gazeta Shekulli
- Albania Photo Album (Alket Islami)
Arkivi i blogut
Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE
Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana
Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush
President George W.Bush in Tirana
President Bush, in Fushe-Kruja, Albania
President Bush, in Fushe-Kruja, Albania