Hyrja e vendeve të “A3” në NATO vendim politik i momentit të fundit


Afrimi i kohës së paralajmëruar për zhvillimin e punimeve të Samitit të NATO-s në Bukuresht është shoqëruar me rritjen e interesit publik lidhur me këtë proces, në tri vendet ballkanike që aspirojnë të bëhen anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në dialogun politik dhe veprimtarinë institucionale të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë gjithnjë e më shumë muajt dhe javët e fundit zë vend integrimi në NATO dhe përpjekjet për përmbushjen e kushteve e reformave të kërkuara. Rritja e dukshme e interesit publik lidhur me këtë proces, është pasqyruar edhe në Shqipëri. Politikanët dhe shtetarët gjithnjë e më shumë veprimtarinë shtetërore të kohëve të fundit ia referojnë përgatitjeve për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO. Mediat gjithashtu po i kushtojnë më tepër hapësirë se më parë, çdo reagimi nga brena apo jashtë Shqipërisë që flet për procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Kjo rritje e interesit publik, në rastin e medias ka shkaktuar brenda Shqipërisë edhe konfuzion. Disa javë më parë, Ambasada Amerikane në Tirënë u detyrua të sqaronte publikisht se nuk kishte ndonjë ftesë të firmosur për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Përfaqësia diplomatike e SHBA-ve në Shqipëri, sqaroi po ashtu se vendimi do të merrej në përfundim të monitorimit të përparimit që ka bërë vendi deri momentin e fundit dhe se, vendimi për ftesën, i përkiste të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Ky sqarim erdhi pasi mediat referuar burimeve qeveritare nga Tirana, e bënë fakt të kryer marrjen e ftesës nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit. Pak kohë më vonë, mediat shqiptare, kësaj radhe referuar burimeve nga Brukseli, përmendën se NATO kishte nënshkruar tri ftesa “të bardha” në të cilat nuk ishte hedhur ende emri i ndonjë shteti kandidat. Nga ana tjetër, Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili përgjigjet drejtpërdrejt për procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe reformat në fushën e mbrojtjes, ka pasur një aktivitet intensiv muajt e fundit. Ai ka zhvilluar takime të rëndësishme në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe në Qeverinë Britanike në Londër, ku ka marrë mbështetje dhe sinjale pozitive rreth hyrjes së Shqipërisë në NATO. Qëndrimi i deritanishëm i faktorit ndërkombëtar rreth përpjekjeve të Shqipërisë me qëllim meritimin e ftesës së NATO-s në Bukuresht, mund të konsiderohet pozitiv. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike Jaap de Hoop Scheffer ka vlerësuar reformat e ndërmarra së fundi nga Shqipëria, konkretisht konsensusin politik mbi reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. Scheffer kërkoi konsolidimin e këtyre reformave duke thënë se dyert e NATO-s janë të hapura për vendet e Kartës së Adriatikut nëse ato i përmbushin kushtet për anëtarësim në NATO. Është e qartë se Aleanca e Atlantikut të Veriut ka një objektivat e saj zgjerimin në Ballkan përmes anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. Ndryshe nuk do të kishte kuptim mardhënia aktuale e partneritetit mes këtyre tri vendeve dhe NATO-s. Nga ana tjetër një prani më e zgjeruar e NATO-s në Ballkan, do të thotë më tepër siguri, stabilitet dhe demokratizim. Roli i NATO-s në rajonin e Ballkanit, si një faktor madhor në ruajtjen e sigurisë bashkë me faktorin amerikan, u konfirmua edhe njëherë gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë nga Republika e Kosovës. Mirëpo përkundër këtyre argumenteve, votimi i vendeve anëtare të NATO-s në Bukuresht, në fakt veç të tjerave, do të vlerësojë mbi një parametër të domosdoshëm: Arritjet dhe reformat e ndërmarra nga secili prej vendeve kandidate. Sikurse mund të mendohet, pavarësisht gjithë faktorëve të tjerë nxitës, anëtarësimi i vendeve të “A3” në këtë moment mund të konsiderohet i vështirë. Secili vend anëtar i NATO-s rreth 2 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm, ia dedikon fushës së mbrojtjes. Kjo është bërë shkak për përparime dhe përmirësime të dukshme jo vetëm të forcës ushtarake të secilit vend anëtar të NATO-s, por edhe për vetë Aleancën. Nga ana tjetër, për të gjitha operacionet ushtarake ndërkombëtare të NATO-s, secili vend anëtar paguan dhe paguan shumë në fakt, për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe të paqes. Vendet e Kartës së Adriatikut nuk kanë shumë për ti ofruar NATO-s, në fakt. Shqipëria aktualisht nuk ka asnjë skuadër avionësh gjuajtës nga ata që i afrohen parametrave të NATO-s. Më tepër si rezultat i programeve të mbërritura në kuadër të përpjekjeve dhe programit të anëtarësimit, Forcat e Armatosura shqiptare kanë krijuar një trupë elitë, e cila është stërvitur dhe formuar mbi bazën e koncepteve të NATO-s. Është e vërtetë së FA-të Shqiptare e kanë arritur këtë, ato janë të pranishme në disa misione paqeruajtëse ndërkombëtare në kuadër të Partneritetit për Paqe. Pra Shqipëria me kapacitetet e saj po importon siguri. Nga ana tjetër, roli i Shqipërisë në rajon është vlerësuar pozitiv ashtu si dhe mardhëniet e saj me fqinjët apo edhe me vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Është e qartë se në shumë fusha është bërë përparim ashtu sikurse ka shumë për të bërë në drejtime të tjera të domosdoshme. Rezultantja e të gjithë këtyre do të mësohet në fund të punimeve të Samitit të Bukureshtit. Vendimi siç e kanë përsëritur vazhdimisht zyrtarët ndërkombëtarë, do të jetë politik. Është e qartë se vendimi do të merret në momentin e fundit, sepse në fakt nuk është një vendim i lehtë, jo vetëm sepse kërkon votën e 26 vendeve anëtare të NATO-s, por sepse vendosja në peshore e arritjeve dhe të metave të tri shteteve kandidate, duket se ka shkaktuar diskutime serioze edhe brenda vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania