Bruksel, Ministri shqiptar i Mbrojtjes, në takimin e homologëve të NATO-s


13 qeshor 2008. Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe kontribuese në KFOR, që u mbajt me 12 qershor 2008 në Bruksel. Ky ishte takimi i parë i këtij formati që Shqipëria mori pjesë, pas marjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Në këtë takim u diskutua mbi vlerësimin e situatës së sigurisë dhe për rrugët që duhen ndjekur për një komunitet të sigurtë ndërkombëtar në këtë periudhë të komplikuar. Në fjalën që mbajti në këtë takim Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, theksoi se mbledhja e sotme e vendeve që kontribuojnë në KFOR mbahet në një nga momentet më të rëndësishme. Kosova, theksoi ai, po përshkon çdo ditë një periudhë delikate. Vetëm në 3 ditë autoritetet e Kosovës po ndërmarin përgjegjësi të reja dhe roli i misioneve të ONU-t dhe të Bashkimit Europian në këtë vend ka njohur një zhvillim substancial. Prezenca e KFOR-it dhe mandati i tij në Kosovë, deri më tani nuk ka ndryshuar, u shperh z. Scheffer. KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë, mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe derisa Këshilli i Sigurisë të marrë një vendim tjetër. Kemi rënë të gjithë dakort sot, u shpreh numri një i Aleancës së Veriatlantikut, se NATO ka detyra të reja në Kosovë. Me këtë vendim NATO do të jetë në gjendje të asistojë Kosovën dhe nevojat e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të sigurta. KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë për të mbajtur një mjedis të sigurtë për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Gjatë vizitës së tij në Bruksel, shefi i Mbrojtjes Shqiptare pati një takim me përfaqësues të NAMSA-s, të cilët i bënë atij një prezantim të projekteve dhe mundësive që NAMSA ofron në bashkëpunimin me Shqipërinë dhe, veçanërisht përsa i takon shkatërrimit të municioneve të tepërta. Në të njëjtën kohë, Ministri Oketa diskutoi me ekipin e NAMSA-s dhe për mundësi të tjera bashkëpunimi, si në në fushën e llogjistikës, të menaxhimit të burimeve financiare, projekteve të modernizimit etj. Nga ana e tij, Ministri Oketa vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me NAMSA, si dhe kontributin e dhënë prej saj në realizimin e dy projekteve të rëndësishëm për shkatërrimin e armatimeve dhe municioneve të tepërta, si minat antipersonel, armët e vogla e të lehta etj. Z. Oketa shprehu angazhimin e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të vazhduar këtë proces. Në këtë kuadër, ai kërkoi asistencën e NAMSA-s për të vazhduar punën në realizimin e objektivit kryesor që ka Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë për shkatërrimin e municioneve të tepërta. Gjithashtu, Ministri Oketa kërkoi që NAMSA të angazhohet edhe në projekte të tjera në interes të Forcave të Armatosura Shqiptare. Vendi ynë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Organizatën për Furnizim dhe Mbështetje të NATO-s (NAMSA) mbi bashkëpunimin për mbështetje logjistike. Ky memorandum është nënshkruar që në janar të vitit 2001 dhe në kuadër të tij janë firmosur e kanë përfunduar edhe dy marrëveshje të suksesshme implementuese. Gjatë qëndrimit në Bruksel ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa pati takime të veçanta me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Scheffer, me ministrin e Mbrojtjes të Belgjikes Pieter De Crem, me ministrin e Mbrojtjes të Rumanise Teodor Melescanu, me ministrine Mbrojtjes të Gjermanisë Jung, si dhe me homologë të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës.

Liberalizimi i vizave: BE-ja përcakton kushtet për Shqipërinë


02-06-2008

Komisioni europian ka përcaktuar kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të arritur një marrëveshje për liberalizimn e vizave. Dokumenti i cili do të jetë udhërrëfyesi i gjithë këtij procesi, një kopje të të cilit e ka siguruar Zëri i Amerikës, pritet t’i dorëzohet nesër ministrit të Jashtëm shqiptar Lulëzim Basha në Bruksel. Sipas dokumentit Shqipërisë i kërkohen ndërhyrje të shumta në legjislacion, ngritjen e një sërë strukturash, trajnimin e tyre dhe mbështetje të konsiderueshme financiare.Në fillim të muajit mars të këtij viti, zëvendëspresidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian Franco Frattini, hapi zyrtarisht në Tiranë bisedimet për liberalizimin e vizave. Pas këtij angazhimi, i cili përfshin edhe vendet e tjera të Ballkanit për heqjen, ndaj qytetarëve të këtyre vendeve, të të gjitha pengesave për udhëtim në vendet Shengen, Brukseli ka përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë. Dokumenti është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe nesër pritet t’i dorëzohet zyrtarisht ministrit të Jashtëm Shqiptar Lulëzim Basha. Ai është i ndarë në katër blloqe kryesore që përmbledhin fushat ku kërkohet ndërhyrje dhe përcakton në mënyrë të qartë atë çka Shqipëria dhe autoritetet e saj duhet të realizojnë.Lidhur me dokumentat e udhëtimit ajo që kërkohet qartë është prodhimi e pajisja e qytarëve shqiptare me pasdaporta biometrike, marrja e masave për të garantuar integritetin dhe sigurinë e procesit të shpërndarjes, programe trajnimi për zyratrët dhe autoritet që do të merren me to, raportimin në Interpol të pasaportave të humbura apo të vjedhura.Përsa i përket cështjes së Administrimit të kufijve Komisioni kërkon përshtatjen dhe zbatimin e legjislacionit që rregullon lëvijen e personave të kufitë e jashtëm, mas buxhetore dhe administrative që të sigurojnë infrastrukturë efikase, pajisje dhe teknologji si dhe programe trajnimi me policinë kufitare, doganierët dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë. Shqipërisë I kërkohet ngritja dhe zbatimi I mekanmizmave për kontrolin e flukseve migratore, mbajtjen e të dhënave si për emigracionin e ligjshëm ashtu dhe atë illegal apo ngritjen e strukturave për analizimin e tyre. Po ashtu kërkohet përmirësimi edhe në hetimin e rasteve te trafiqeve të organizuara.Rendi Publik dhe Siguria janë një tjetër fushë ku kërkohen ndërhyrje të shumta. Në dokument theksohet se shqipëria duhet të zbatojë strategjinë e luftës kundër krimit të organizuar me një plan veprimi që të ketë afate të përcaktuara kohore e të mbështetet nga burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. E njëjta gjë kërkohet edhe për luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore apo kundër korrupsionit. Lufta kundër pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasuriove të kriminelëve apo dhe zbatimi i strategjisë kombëtare kundër trafikut të drogës janë cështje të tjera ku kërkohet të merren masa. Në dokument nënvozohet nevoja e bashkëpunimit të strukturave gjyqësore dhe të prokurorisë me shtetet anëtare të Be dhe vendet e rajonit apo dhe një ndërveprim efikas edhe mes vetë strukturave të brendshme shqiptare.Kërkesat e detajuara të Komisionit europian do të kërkojnë një angazhim serioz të strukturave të shtetit shqiptar. Theksi kudo vihet në nevojën për zbatimin e ligjeve apo konventave ndërkombëtare, një mangësi e dukshme e institucioneve shqiptare. Shqipëria do të duhet të ngrejë një sërë strukturash të reja dhe të japë për to mbështetjen e nevojshme financiare. Sic theksohet edhe në dokument, shpejtësia e lëvizjes drejt liberalizimit do të varte nga progresi I bërë nga secili vend në përmbushje të kushteve të vëna. I gjithë progresi do të vëzhgohet nga afër prej Këshillit dhe komisionit europian. Komisioni do të raportojë rregullisht për ecurinë në zbatimin e kërkesave. Raportimi i parë do të jetë para fundit të këtij viti. Në mbyllje të procesit do të jetë Komisioni europian i cili do t’i propozojë Këshillit të ministrave, pas konsultimit me Parlamentin europian marrjen e vendimit. Një vendim i cili do të kërkojë një votim më shumicë të kualifikuar të vendeve anëtare.VOA

Puna pas “Bukureshtit” një angazhim serioz


Takimi i shefave të Shtabeve të NATO-s dhe vendeve
partnere në Shtabin e NATO-s në Bruksel, merr pjesë edhe shefi i shtabit të FASH gjeneral lejtnat Luan hoxha

Ushtarakët më të lartë të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere u takuan në Shtabin e NATO-s në Bruksel, në 14-15 maj 2008, në takimin e tyre të pranverës. Për herë të parë, shefat e Mbrojtjes të vendeve që nuk janë anëtarë të NATO-s, vendet e të cilëve japin kontributin e tyre në operacionet që udhëhiqen nga NATO në Afganistan dhe Kosovë, morrin pjesë në një diskutim të përbashkët. Ky është edhe takimi i parë, nga tre të planifikuar, për t’u mbajtur gjatë këtij viti me shefat e Shtabeve të vendeve të NATO-s. Më shumë se 60 shefa të Mbrojtjes nga vendet e NATO-s, nga vendet që japin kontribut në NATO, nga vendet e Partneritetit për Paqe, vendet e Medheut të përfshira në Dialogun Mesdhetar (Ukraina dhe Rusia), ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet, duke e bërë këtë, takimin më të madh në numër dhe të nivelit më të lartë në historinë e ekspertizës ushtarakë të NATO. Për më tepër, në këtë takim u realizua edhe ceremonia e firmosjes së Memorandumit të Mirëkuptimit midis NATO-s dhe shtatë vendeve, në lidhje me ngritjen e Qendrës së Mbrojtjes nga Pirateria Kompjuterike në Estoni. Në këtë Samit të nivelit të Lartë u mbajtën disa sesione, ku u përfshinën drejtpërsëdrejti shefat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s। Sikurse mësohet, çështjet kryesore të trajtuara ishin: operacionet (trajtimi tërësor i misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO, ISAF dhe KFOR në veçanti) dhe, diskutimi për masat që duhen marrë në lidhje me zbatimin e vendimeve që u muarrën në Samitin e Bukureshtit.Ndërkohë, takime të tjera shtesë, në formatin e Këshillit të Partneritetit Euro Atlantik, u mbajtën me synim shkëmbimin e eksperiencës për operacionet që udhëhiqen nga NATO, diskutime në lidhje me zhvillimet ushtarake të Partneritetit pas Samitit të Bukureshtit; dialogu me vendet e Mesdheut (diskutime për zgjerimin e bashkëpunimit Ushtarak midisvendeve), përditësimi i transformimit të Forcave të Armatosura të Ukrainës si dhe vlerësimi vjetor i Planit të Punës vjetor për vitin 2008 midis NATO-s dhe Ukrainës, shkëmbim pikëpamjesh me Rusinë për çështje Operacionale si dhe rishikimi i progresit të planit të punës për vitin 2008. Ky ishte edhe takimi i fundit i shefave të Shtabeve që u drejtua nga gjeneral Ray Henault, i cili do të largohet nga radhët e Forcave të Armatosura në fund të qershorit të këtij viti.

Gazeta “Ushtria”

Bruksel, Shqipëria mbyll raundin e dytë të negociatave për anëtarësim në NATO


“Më 9 maj 2008, përfunduan me sukses, në selinë e NATO-s, në Bruksel, negociatat zyrtare ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Republikës së Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, dhe në përputhje me deklaratën përfundimtare te Samitit të NATO-s në Bukuresht”, bëri me dije Qeveria shqiptare. “Janë zhvilluar gjithsej dy raunde bisedimesh ndërmjet ekipit negociator të Qeverisë Shqiptare dhe Përfaqësuesve të Lartë të Aleancës. Ne këto bisedime, Shqipëria u angazhua, që si anëtare e Aleancës, të mbrojë dhe promovojë parimet dhe vlerat e sanksionuara në Traktatin e Uashingtonit, si dhe të ndajë me Aleatët të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet e vendit anëtar me të drejta të plota”, tha Koordinatori Kombëtar për integrimin e Shqipërisë në NATO, Glori Husi. “Shqipëria merr përsipër të jetë një aleate e denjë dhe luajale e NATO-s, dhe e vendeve Aleate, si dhe të japë kontributin e saj për garantimin e paqes dhe sigurisë së rajonit Euroatlantik, e më gjerë”, thuhet më tej nga burimet e Qeverisë shqiptare. Sipas tyre, Përfaqësuesit e lartë të NATO-s vlerësuan qarte se ishin arritjet e padiskutueshme të reformave të thella e të gjithanshme ato që bënë të mundur marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit. Ishte rezultati i këtyre reformave të suksesshme, që mundësoi mbylljen me sukses të plotë të negociatave zyrtare me NATO-n, në një kohe rekord, vetëm një muaj pas këtij Samiti. “Me mbylljen e negociatave hapet rruga për nënshkrimin e protokolleve të pranimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të cilat pritet të nënshkruhen mbas dy muajsh, pra në Korrik 2008, në selinë e NATO-s ne Bruksel”, paralajmëroi Qeveria e Shqipërisë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, mbyllet raundi i parë i negociatave

U u mbyll në Bruksel raundi i parë i negociatave ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Republikës së Shqipërisë. Ekipi negociator shqiptar kryesohej nga z. Glori Husi, Koordinator Kombëtar për çështjet me NATO-n. Negociatat e sotme u përqëndruan në çështjet politike dhe të mbrojtjes. Shqipëria angazhohet të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga parimet bazë të Traktatit të Washingtonit. Pas këtij raundi të bisedimeve, më 9 maj 2008 do të mbahet edhe një raund tjetër, gjatë të cilit do të negociohet për çështje të karakterit tekniko-ligjor, çështje të sigurisë dhe të burimeve financiare dhe njerëzore. Pas përfundimit të negociatave dhe konsultimeve do të aprovohet një plan masash dhe veprimesh me afate të përcaktuara qartë, të domosdoshme për anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë, të cilat do të përmbushen gjatë kësaj periudhe, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Sekretari i NATO-s Scheffer: Shqipëria e Kroacia të fillojnë bisedimet për anëtarësim të plotë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hoop Scheffer kërkon që Shqipëria dhe Kroacia të fillojnë bisedimet për tu bërë anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Nëpërmjet letrave të komunikimit zyrtar me qeveritë e dy vendeve që morën ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit, Scheffer i fton Shqipërinë dhe Kroacinë të dërgojnë pa humbur kohë ekipet e tyre për bisedime lidhur me anëtarësimin me të drejta të plota.
“Shqipëria dhe Kroacia të fillojnë bisedimet për tu bërë anëtare me të drejta të plota të Aleancës. Këto dy vende nuk duhet të humbasin kohë por të dërgojnë ekipet e tyre për nisjen e bisedimeve të cilat do të zgjasin disa javë”, është shorehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap të Hoop Scheffer. Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësim, në Samitin e NATO-s në Bukuresht i cili zhvilloi punimet më 2-4 prill 2008. Dy vendet e ftuara për anëtarësim në Aleancë morën pjesë në “Kartën e Adriatikut” bashkë me Maqedoninë e cila nuk mori ftesë për anëtarësim në NATO pas mosmarrëveshjeve me Greqinë lidhur me çështjen e emrit.

Shqipëria merr ftesën për anëtarësim në NATO

Pas përfundimit të punimeve të seancës së parë të Samitit të NATO-s, i cili u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, bëri të ditur në një konferencë për shtyp se të 26 vendet anëtare të NATO-s, miratuan ftesën për anëtarësim të Shqipërisë, si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Shqiptarët shpresojnë tek ftesa për hyrjen e vendit në NATO

Qytetarët shpresojnë se Samiti i Bukureshtit do ti japë Shqipërisë një ftesë për anëtarësim në NATO. Ata thonë se hyrja e vendit në Aleancën Veri-Atlantike është një zhvillim historik pozitiv për vendin. Sipas pyetësorëve më shumë se 94 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin hyrjen e vendit në NATO. Qytetarët mendojnë se anëtarësimi do të thotë më shumë siguri, stabilitet, luftë kundër krimit e korrupsionit dhe një shtet më funksional. Njerëzit e thjeshtë nuk e dinë megjithatë, se anëtarësimi i vendit në Organizatën më të madhe ushtarake-politike të Atlantikut të Veriut vecc përfitimeve ka edhe kosto e detyrime që duhen përmbushur.

Delegacioni zyrtar që do të përfaqësojë Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësim në Samitin e NATO-s është nisur sot për në Bukuresht në një atmosferë optimiste. Presidenti, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e grupeve parlamentare të maxhorancës dhe opozitës shpresojnë të kthehen në Tiranë me një ftesë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Sali Berisha duke shprehur bindjen e tij për marrjen e ftesës, e krahasoi atë me një zhvillim historik po aq të rëndësishëm sa shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 dhe rënia e diktaturës komuniste në vitet `90.

Përpjekjet e Shqipërisë për të plotësuar kushtet për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO, kanë qenë argumenti i vetëm politik për të cilin maxhoranca dhe opozita të karakterizuara tradicionalisht nga një komunikim i tensionuar dhe mungesa e dialogut kanë bërë konsensus dhe kanë pranuar të ulen në bisedime rreth reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Kryetari i Partisë më të madhe në opozitë, Edi Rama, është shprehur se vendi duhet të vazhdojë reformat dhe ti thellojë më tej ato për të qenë një vend i denjë si anëtar i NATO-s.

Para Samitit të Bukureshtit ku mes të tjerash pritet të diskutohet edhe për pranimin e tri vendeve kandidate të Kartës së Adriatikut, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mesazhe optimiste duke thënë se hyrja në NATO e vendeve të “A3” ndikon në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan dhe se vendet aspirante për anëtarësim kanë bërë përparime të dukshme.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania