Presidenti i Shqipërisë: Integrimi i vendit në NATO dhe BE, përparësi kombëtare


Pallati i Brigadave, 31 tetor, 2007

Të nderuar anëtarë të Qeverisë, Të nderuar ambasadorë, Zonja dhe zotërinj, Politika e jashtme e Shqipërisë, veprimtaria, vizioni dhe strategjia e saj për të përballuar me sukses partneritetin dypalësh dhe shumëpalësh, për të pasur një zë të nderuar në debatin e vështirë të politikës ndërkombëtare, për të ofruar një kosto sa më të vogël në konkurrencën e vështirë të procesit të globalizimit politiko-ekonomik në shërbim të interesave afatgjatë kombëtarë mbetet, jo vetëm në vëmendje dhe në ndjekje të afërt, por përbën edhe një nga përparësitë e Presidentit të Republikës. Unë mendoj se rezultatet e politikës së jashtme janë të lidhura ngushtë me zhvillimin politiko-ekonomik të një vendi dhe me mirëqenien e shtetasve të tij. Vetëm në këtë mënyrë përfaqësuesit tanë diplomatikë, kudo ku ata janë, të të gjitha niveleve, duhet të ndiejnë përgjegjësitë e përfaqësimit dhe të përllogarisin vlerat e tyre në shoqërinë shqiptare, pjesë e së cilës ata janë dhe së cilës duhet t’i shërbejnë me devotshmëri.
Viti që kaloi dhe viti që jemi na japin një bilanc ngjarjesh politike në planin e brendshëm dhe të jashtëm, të cilat kanë nevojë për një analizë të hollësishme.
Shqipëria sot, megjithëse është duke përballuar pasojat e një krize të rëndë energjetike, karakterizohet nga një situatë e qëndrueshme makroekonomike dhe nga një ecuri e domosdoshme reformash. Investitorë të huaj, duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si ato të energjisë, minierave, bankave tregtare, turizmit dhe infrastruktures provojnë se ky vend ka një të ardhme më të mirë. Kjo klimë e përgjithshme pozitive rriti ndjeshëm numrin e turistëve, në krahasim me vitin e kaluar.
Debati politik në Shqipëri po provon dukshëm se ky vend është, në mënyrë të pakthyeshme, i vendosur të ndërtojë demokracinë pluraliste, jo vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në media dhe në publik. Unë do të vazhdoj të nxis debatin dhe shprehjen e ideve alternativave mbi çështje dhe probleme, të brendshme apo të jashtme, të cilat shqetësojnë shoqërinë shqiptare siç janë reforma në drejtësi apo ajo zgjedhore, raportet midis pushtetit qendror e vendor, integrimi i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, çështja e Kosovës, gjithnjë në funksion të interesave kombëtarë të vendit.
Bota dhe zhvillimi njerëzor, në fillimet e këtij mijëvjeçari të tretë, së bashku me zhvillimin dhe shpresën për të jetuar në një shoqëri të hapur, në paqe dhe begati, po përjeton edhe pasigurinë për të ardhmen.
Terrorizmi global, varfëria, prapambetja e uria, krizat rajonale politike apo ekonomike, dhunimi i të drejtave të njeriut nga regjime diktatoriale, të cilat kërcënojnë miliona njerëz, janë përballja me sfida të mëdha, me sfida që kërkojnë përgjigje të ngutshme, përgjigje që duhet të artikulohen jo mbi baza të interesave të ngushtë kombëtarë apo rajonalë, por më tepër mbi bazat e interesave të mirëfilltë të komunitetit botëror dhe të racës njerëzore.
Zonja dhe zotërinj,
Dëshiroj të konfirmoj edhe një herë se dy përparësitë kombëtare të shtetit shqiptar mbeten integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vizitat e mia të para në Bruksel më përforcuan bindjen se Shqipëria ka miq shumë të mirë, të cilët janë të gatshëm të na japin një partneritet të ndershëm, afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Unë besoj se ne jemi të përgatitur t’i përgjigjemi me të njëjtën ndershmëri e përgjegjshmëri miqve tanë në Bruksel.
NATO-ja po jeton sot periudhën më impenjative që prej kohës së krijimit të saj. Shndërrimi i saj, nga një qasje gjeografike në një qasje funksionale të sigurisë, përbën logjikën e partneritetit global dhe sigurisë globale, në përballje me “pasigurinë e globalizuar”.
Përtej bilancit të reformave të brendshme dhe të angazhimeve në partneritete ushtarake jashtë vendit, të detyrueshme për standartet e Aleancës, të cilat tanimë njihen nga të gjithë, argumentet e kontributit të Shqipërisë brenda saj, mund të renditen në vendosmërinë e vendit tonë për përballimin dhe ndarjen e rreziqeve dhe barrës së kërcënimeve ndaj pasigurive rajonale apo globale, ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe organizatave të tyre. Ne mund të kontribuojmë në ndërtimin e kapaciteteve individuale të përshtatshme të sigurisë, në koordinimin sa më të mirë me të gjithë aleatët për siguri dhe zhvillim, si dhe në përsosjen e vlerave strategjike të partneritetit ose të rrjeteve të tjera të tij. Ne e shikojmë NATO-n, si një tribunë të debatit politik në zgjidhjen e natyrës së ndërlikuar të mjedisit tonë të sigurisë, si një forum që gjeneron forcë dhe ofron mundësi sigurie, zhvillim rajonal dhe global, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Nuk mund të ketë zhvillim pa siguri.
Shqipëria në NATO do të ndihmojë zvogëlimin e perimetrit të pasigurisë brenda kontinentit evropian, do të japë modelin e suksesit më të rëndësishëm të arritur në një vend ish-komunist dhe në një rajon nga ku kanë filluar konflikte rajonale dhe botërore dhe, së fundi, do të japë provën se, demokratizimi i shoqërive diktatoriale, janë e vetmja rrugë e drejtë, për t’u shkëputur nga e kaluara e tyre. NATO-ja, me Shqipërinë, do të siguronte shtrirjen e saj Adriatiko-Joniane dhe lidhjen me partneritetet e rëndësishme si Dialogu Mesdhetar dhe Nisma Bashkëpunuese e Stambollit.
Shqipëria është gati për këto sfida partneriteti. Samiti i ardhshëm i Bukureshtit duhet të marrë në konsideratë këto garanci.
Nënshkrimi vitin e kaluar i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian shënon arritjen më të madhe të Shqipërisë në historinë e raporteve të saj me Evropën dhe botën e qytetëruar. Asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë më afër asaj, së cilës ajo i përket që në lashtësi; asnjëherë shqiptarët nuk kanë qenë më afër rikthimit në etnogjenezën e tyre. Ky nënshkrim përmbylli një kapitull të gjatë dhe shumë të vështirë transformimesh të domosdoshme dhe të rëndësishme demokratike, politike, ekonomike, sociale e institucionale. Vlerësimi i përparimit në raportet me Bashkimin Evropian i hapën rrugën nënshkrimit sivjet të Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave me BE-në.
Tashmë, përballë nesh, sfida është më e madhe, më e vështirë, më përgjegjëse, por më konkrete. Brukseli nuk është Santa Klausi. Ai është kryeqyteti administrativ dhe politik i Evropës, ai është e vetmja mbërritje pas një rruge të gjatë, por të vendosur drejt demokracisë. Ai është mishërimi i idesë dhe përpjekjeve të mendimtarëve dhe burrave të mëdhenj si: Monnet, Schuman, Adenauer, De Gasperi.
Sivjet, në 50-vjetorin e “Traktatit të Romës“, Evropa miraton “Traktatin e ri të Lisbonës”, duke e cilësuar këtë si një fitore evropiane, e cila mund të shohë përpara drejt së ardhmes me më shumë besim, duke i dhënë fund pasigurisë së saj institucionale të dy viteve të fundit.
Bisedimet për anëtarësim zhvillohen në Bruksel, por reformat duhet të zbatohen në Shqipëri. Procesi i bisedimeve me institucionet evropiane është vetëm një pjesë e vogël dhe e dukshme e punës, në krahasim me vështirësitë e zbatimit në mjedisin shqiptar.
Për këtë arsye, çdo çështje apo kapitull bisedimesh duhet mirëfilli të përkthehet në veprime konkrete dhe jo të politizohet me ekzaltime nga një anë dhe kritika nga ana tjetër. Suksesi i këtij zbatimi nuk duhet të varet kurrë më nga rezultatet elektorale dhe nga zyrtarët e zgjedhur. Këto dhe sisteme të tjera kombëtare duhet të fillojnë të funksionojnë, pavarësisht nga zyrtarët e emëruar.
Nga ana tjetër, çdo fshehje e problemeve tona apo fajësimi i të tjerëve, do të vonojë dhe do të ngadalësojë procesin e bisedimeve. Ne jemi duke kaluar një periudhë nën një vëzhgim të detajuar dhe diagnostikues në të gjitha fushat nga partnerët tanë në Bashkimin Evropian, të cilët na kanë ofruar kapacitetet thithëse të tyre në shkëmbim të standardeve demokratike .
Unë besoj në marrëveshjen rreth interesave madhorë kombëtarë dhe të zhvillimit; unë jam i gëzuar që ato deklarohen publikisht dhe në mënyrë të qartë, duke mos qenë subjekt i asnjë kundërshtie nga krahët e ndryshëm politikë në Shqipëri.
Shtetet dhe institucionet evropiane dhe euroatlantike janë partnerët tanë në bisedime dhe reforma. Por ka edhe një partner tjetër ekstremisht të rëndësishëm: shoqëria dhe publiku ynë, i cili duhet të përfshihet, duhet të informohet dhe duhet të motivohet duke u bërë pjesë. Publiku duhet të informohet jo vetëm në fund të bisedimeve, jo vetëm në gjysmën e dytë të tyre, jo vetëm thjesht me gjysmë të vërteta, por me fakte dhe argumente që prej minutës së parë të procesit.
Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të realizuar zbatimin e suksesshëm dhe të shpejtë të reformave që na shkurtojnë kohën e mbërritjes në NATO dhe në Bashkimin Evropian; kjo besoj, është e vetmja provë e seriozitetit dhe e përgjegjësisë sonë përballë partnerëve tanë dhe popullit shqiptar.
Zonja dhe zotërinj,
Vendet e Evropës Juglindore po përjetojnë sot zhvillimet më dinamike të historisë së tyre. Udhëheqësit politikë dhe qeveritë e tyre ofrojnë modelet specifike të zhvillimeve demokratike, por brenda një orientimi: integrimit euro-atlantik të vendeve të tyre. Diplomacia rajonale e Shqipërisë, megjithë qëndrimet e qarta dhe maturinë e saj për të cilat është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, duhet të ndërtojë programe dhe strategji të drejtpërdrejta rezultative për Shqipërinë në planin dypalësh me të gjitha vendet e rajonit, shumë të afërta dhe të afërta gjeografikisht. Ajo duhet të vihet në ndjekje të përvojës pozitive të tyre për të krijuar jo vetëm bashkëpunim politik, por edhe ndërvarje dhe liri tregjesh e kapitalesh, shkëmbime energjish dhe burimesh njerëzore.
Shqipëria mbetet një portë strategjike hyrje në tregun ballkanik.Vendodhja gjeografike e saj krijon një akses shumë të mirë në tregjet falë edhe nënshkrimit të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë dhe më vonë CEFTA-n me vendet e rajonit përbëhet nga 25 milionë konsumatorë, të cilët nxiten drejt tregtisë së lirë të produkteve industriale, bujqësore dhe shërbimeve në një zonë ekonomike sipas normave evropiane.
Integrimi i suksesshëm i Shqipërisë në strukturat euroatlantike mund të përmbushet vetëm duke zhvilluar një partneritet dypalësh me vendet anëtare të këtyre strukturave dhe me të gjitha vendet e tjera. Intensifikimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me këto vende duhet të jetë përparësi e diplomacisë dypalëshe të Republikës së Shqipërisë dhe të konsiderohet si çelësi i suksesit të integrimit të vendit. Nëpërmjet thellimit të marrëdhënieve dypalëshe me Italinë, Greqinë e Turqinë, si vende fqinje dhe Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën apo vendet e vjetra dhe të reja, anëtare të BE-së dhe NATO-s, ne duhet të përpiqemi të sjellim në ekonominë shqiptare teknologjitë e reja evropiane të zhvillimit dhe të sigurisë.
Politika e jashtme e Shqipërisë duhet të vlerësojë seriozisht në planin dypalësh marrëdhëniet me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe me të gjitha vendet e tjera, pavarësisht sa larg apo afër Shqipërisë ndodhen ato.
Vizita e Presidentit të SHBA-së George W. Bush në Shqipëri është ngjarja më kulmore në ecurinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është suksesi më i madh në historinë e politikës së jashtme të Shqipërisë. Mesazhet e saj shumëdimensionale vlerësuan arritjet demokratike në Shqipëri, inkurajuan politikën rajonale të saj, mbështetën procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen euroatlantike, dëshmuan për një klimë sigurie në ekonominë shqiptare, krijuan një pasaportë të re për imazhin e saj në botë dhe vërtetuan qëndrimin e SHBA-së se ka ardhur koha që Kosova të jetë e pavarur.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Zotërinj ambasadorë,
Kosova është dhe duhet të jetë e pavarur.
Kosova është e pavarur, sepse ajo nuk mund të kthehet më në situatën e para vitit 1999; ajo nuk mund të bashkohet me asnjë vend tjetër dhe as nuk mund të ketë më në territorin e saj rikthim të forcave ushtarake serbe. Këto parime të pranuara nga të gjithë u bënë bazë e pandryshuar e procesit të bisedimeve Ahtisaari dhe të Planit të tij.
Kosova është e pavarur, sepse ajo ka institucionet e saj të zgjedhura në mënyrë demokratike, ka Presidentin e saj, Kuvendin dhe Kryeministrin me një qeveri të përgjegjshme.
Kosova është e pavarur, sepse ka buxhetin e saj të pavarur, ka programet e saj të zhvillimit, ka ushtrinë e saj dhe forcat e saj policore dhe doganore.
Ajo është e pavarur, sepse në të gjitha raportet e saj me partnerët ndërkombëtarë, me NATO-n, Bashkimin Evropian, me OKB-në po sillet me një pjekuri të pashembullt, me një përgjegjshmëri evropiane, e denjë për të qenë subjekt ndërkombëtar.
Përse ajo duhet të jetë e pavarur?
Sepse Kosova, si procesi i pakthyeshëm, nuk mund të mbetet peng i një statusi të papërcaktuar, as i status quosë së përjetshme dhe as pjesë e papërfunduar e një procesi demokratik të domosdoshëm, të nisur nga NATO dhe BE në vitin 1999;
Kosova nuk mund të bëhet shembulli evropian i dështimit të proceseve të zbatimit dhe shtrirjes së sigurisë, as edhe precedenti i mungesës së një qëndrimi të unifikuar të politikës së jashtme të BE-së;
Ajo mund të ndihmojë, në të kundërtën, në përmirësimin e marrëdhënieve NATO-BE dhe, duke patur parasysh përmasat e sfidave të sotme të sigurisë, do t’i sjellë më afër këto dy struktura në një dialog të qëndrueshëm dhe në një harmonizim të patrazuar për të ardhmen. Kjo marrëdhënie mund të shërbejë si çelës për zhvillimin e një qasjeje vërtet tërësore për sigurinë ndërkombëtare;
Ndaj shqetësimin se ndërlikimet e mëtejshme, të padëshirueshme dhe të pajustifikueshme në procesin e përcaktimit të statusit do të kishin një ndikim negativ me kosto të lartë politike dhe ekonomike për Kosovën, Ballkanin e me gjerë, si dhe do të minonin të gjitha përparimet e arritura nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet vetëqeverisëse të përkohshme në Kosovë.
Shqipëria ndjek me shumë vëmendje procesin e tanishëm të Trojkës, por në pikëpamjen tonë, dhe të një shumice në rritje të vendeve anëtare të OKB-së, fundi i 120-ditëshit është edhe fundi i proceseve të angazhimit të palëve për gjetjen e një zgjidhjeje, dhe, pas kësaj, duhet të kalohet në veprime. Në tryezë kemi një produkt të balancuar, të drejtë, të qëndrueshëm të OKB-së, që është Plani Ahtisaari;
Kosova është një çështje evropiane; Ne gjykojmë se integrimi i Serbisë në BE e NATO mund të merret në konsideratë edhe në varësi të qëndrimit konstruktiv ose jo, të Beogradit në procesin mjaft të rëndësishëm rajonal, evropian e më gjerë, për percaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës;
Shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk është skenari i preferuar për Shqipërinë, por nëse kjo është e vetmja alternativë që i lihet Kosovës, rajonit e vendeve që kanë investuar kaq shumë në stabilitetin e tij, atëherë është në përgjegjësi dhe detyrim moral të hidhet hapi tjetër. Ne do të qëndrojmë afër Kosovës në përcaktimin e të ardhmes së saj jo vetëm si një detyrim kombëtar, por si të vetmin qëndrim që ndihmon Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin që, të ardhmen e brezave që do të vijnë, ta ndërtojnë larg luftrave të dhunshme etnike, nacionaliste dhe fetare, ta ndërtojnë në Evropën e lirë dhe të civilizuar.
Zotërinj ambasadorë,
Dëshiroj së fundi të ndalem në një çështje shumë të rëndësishme.
Për Shqipërinë, emigrimi mbetet ende një problem tejet i madh. Me mbi 20 për qind të popullsisë totale ose me më shumë se 30 për qind të popullsisë aktive, të larguar nga vendi në këto 17 vitet e fundit, Shqipëria përbën një rast unikal, duke u klasifikuar në grupin e vendeve me rrjedhjen më të lartë emigruese në botë. Përmasa të tilla të fluksit migrator e bëjnë, maksimalisht të domosdoshme nevojën që të gjitha institucionet shtetërore pa përjashtim, në mënyrë të veçantë Ministria e Punëve të Jashtme, Trupi ynë Diplomatik, të vihen si duhet në rolin e bashkëbiseduesit kryesor sensibilizues për institucionalizimin e mirëkuptimit dhe bashkërendimit të punëve midis komuniteteve shqiptare kudo në botë dhe shtetit të tyre. Këtë detyrë kushtetuese e përforcon dhe e bën edhe më të ngutshme Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që nënshkruam me Bashkimin Evropian.
Gjykoj që menaxhimi i fenomenit të migrimit, si një çështje madhore me rëndësi parësore edhe për diplomacinë tonë, mund e duhet të përmirësohet më tej në të ardhmen.
Nga ky këndvështrim, kërkohet një vizion më i qartë e bashkëkohor për lidhjen e ngushtë që ekziston midis procesit integrues në BE dhe emigracionit shqiptar. Ky vizion do të mënjanonte çdo lloj defekti të konstatuar deri tani në procesin e hartimit të politikave dhe përparësive në fushën e emigracionit, nëpërmjet një programi realist e të detajuar të diplomacisë sonë për përmirësimin e imazhit për Shqipërinë dhe për emigrantët shqiptarë. Përfaqësitë tona diplomatike e konsullore duhet të përballojnë më me përgjegjesi sfidën për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave demokratike të emigrantëve tanë, të shtetasve tanë, në vendet pritëse, në përputhje me detyrimet që burojnë nga ligji themelor, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Diplomacia jonë, duhet të vlerësojë gjithnjë e më objektivisht ankesat e emigrantëve tanë për vonesat e papërligjura në procesin e legalizimit të tyre, për shfaqje të një klime jofavorizuese, madje deri diskriminimi e ksenofobie, që manifestohen jo rrallë ndaj tyre në disa nga vendet pritëse; po kështu kërkohet një angazhim më i madh për t’i lehtësuar ata në procesin e globalizimit dhe për t’u integruar sa më mirë e denjësisht në tregun ndërkombëtar të punës.
Këto procese integruese, të realizuara sipas standardeve më të përparuara të BE-së, nënkuptojnë edhe një punë tuajën më aktive për integrimin social, ekonomik e kulturor të emigrantëve tanë, duke e gërshetuar këtë me ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Sigurisht, këtu nuk e kam fjalën për romantizmin e folklorizmin e dikurshëm, por që t’i kushtohet kujdesi i duhur problemeve të tilla: fëmijëve shqiptarë të mos u nxirren pengesa për mësimin plotësues në gjuhën amtare dhe të mos u mungojnë librat; të ngrihen realisht Qendrat e Kulturës Shqiptare e të mos vazhdohet me premtime boshe, siç ka ndodhur për vite me radhë; të bashkëpunohet më ngushtë me shoqatat dhe drejtuesit e tyre; të promovohen rregullisht emigrantët e sukseshëm; të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme e transparente problemi i dërgesave në para nga emigrantët, nëpërmjet bashkëpunimit të gjitha institucioneve e faktorëve që lidhen me të, për të rritur ndikimin e këtyre dërgesave në zhvillimin e vendit etj. Sa më mirë të punohet për sa më sipër, aq më normalisht do të ecet edhe për kurorëzimin me sukses të Kongresit të Diasporës, që është planifikuar të zhvillohet në Tiranë, në vitin 2009, për të cilin Instituti Kombëtar i Diasporës dhe gjithë Trupi ynë Diplomatik kanë detyra dhe përgjegjësi esenciale.
Zonja dhe zotërinj ambasadorë,
Dëshiroja të ndaja me ju, në këtë takim të parë, këto mendime, mbi sfidat e vështira që politika e jashtme e Shqipërisë e ka për mision të përballë me sukses në të ardhmen e saj, një të ardhme ambicioze dhe të denjë. Unë besoj se i gjithë Trupi Diplomatik i Shqipërisë e ka tashmë të qartë se vendi ynë i vogël nuk ka kohë të humbë në shpejtësinë e tij integruese. I gjithë trupi ynë diplomatik duhet të jetë sinonim i përgjegjësive, mishërim i interesave kombëtare, njohës shumë i thellë i historisë sonë dhe asaj botërore, vlerësues i vëmendshëm i tendencave ekonomike, i aftë të fitojë, jo vetëm garën informuese me sistemin mediatik, por dhe miqësinë e tij në ndjekjen e zhvillimeve të ditës, krijues në koncepte dhe strategji, i vendosur e i guximshëm për zgjidhje të vështira, parashikues dhe së fundi, vetëm profesionist e aspak partiak.
Jam i prirur të besoj se vetëm këto kritere i japin diplomacisë sonë një fytyrë të re për ta kthyer atë nga një nocion teoriko-mistik, në një shkencë bashkëkohore në shërbim të interesave të shtetasve shqiptarë.
Me këtë rast, ju uroj suksese në përmbushjen e misionit tuaj!

Fjala e Presidentit në konferencën me Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë

Gjenerali amerikan: Trupat ushtarake shqiptare kanë arritur nivelin e NATO-s


TIRANE - 29 tetor 2007
Në mjediset e Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar në Stërvitjen “Cooperative Lancer/Longbow 2007”. Në këtë veprimtari ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, zv.komandanti i Komponentit Tokësor i NATO-s në Heidelberg në Gjermani, gjeneral lejtnant John D. Gardner, komandanti i Forcës së Bashkuar, njëkohësisht dhe bashkëdrejtues i kësaj stërvitje gjeneral major Shpëtim Spahiu, bashkëdrejtuesi tjetër i Stërvitjes gjeneral brigade Claudio Vercelloti, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të NATO-s dhe të Forcave tona të Armatosura, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë etj. Kjo stërvitje ka filluar që me datë 9 tetor 2007 dhe është më e madhja që zhvillohet në vendin tonë në bashkëpunim me NATO-n. Në të marrin pjesë afërsisht 1100 ushtarakë nga 23 vende të NATO-s, PfP-së dhe të Dialogut të Mesdheut. Stërvitja u zhvillua në dy faza. Faza e parë ishte stërvitje e shtabit të një Brigade Shumëkombëshe dhe u zhvillua në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ndërsa faza e dytë ishte stërvitje fushore e një batalioni shumëkombësh për përfshirje në operacione paqeruajtëse, e cila për disa ditë rresht u zhvillua në rajonin e Zall-Herrit. Gjatë kësaj faze është realizuar një program që ka pasur si qëllim trajnimin, stërvitjen dhe nxitjen e ndërveprimit të forcave të PfP, NATO-s dhe vendeve të Dialogut të Mesdheut, duke përdorur standarde të NATO-s në skenarin e një operacioni reagimi në rast krizash. Disa prej detyrave themelore të kësaj stërvitjeje kishin të bënin me sigurimin e pikave kyçe, si dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurtë, duke u përqendruar në operacione kundër terrorizmit që parandalojnë destabilizimin e një rajoni. Pas një brifingu që u mbajt për qëllimin, forcat pjesëmarrëse, detyrat, angazhimin dhe arritjet e shënuara përgjatë këtyre 20 ditëve në këtë stërvitje, Dita e Vizitorëve të Shquar ka vijuar me zhvillimin e një varg demonstrimesh, nëpërmjet të cilave u kombinuan aftësitë dhe përvoja e fituar nga forcat pjesëmarrëse gjatë stërvitjes së tyre. Ndër demonstrimet më kryesore ishin ato të zhvilluara në dislokimin e kompanisë së parë me trupa shqiptare “Zemër luanët” e b.2.k të BrRSH si organizimi i ruajtjes së bazës, veprimet në pikën e kontrollit, menaxhimi i turmës etj. Më tej, kompania multinacionale demonstroi veprime në pikat e kontrollit të lëvizshëm, ndërsa në stacionin e fundit të stërvitjes trupat multinacionale demonstruan veprime luftarake në qendrat e banuara. Vlen të theksohet se, ndonëse në një terren të vështirë dhe në kushte atmosferike të vështira, trupat pjesëmarrëse në të gjithë elementët që demonstruan pasqyruan disiplinë dhe dinamizëm, shpirt sakrifice dhe profesionalizëm në lartësinë e standardeve të NATO-s. Zv.komandanti i Komponentit Tokësor i NATO-s në Heidelberg, gjeneral lejtnant John D. Gardner duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për rolin dhe profesionalizmin e shfaqur nga ushtarakët shqiptarë në këtë stërvitje, theksoi se gjatë këtyre tre jave trupat pjesëmarrëse kanë punuar shumë, ato janë stërvitur në mënyrë intensive duke përballuar më sukses jo vetëm kërkesat e larta që kishte stërvitja, por edhe vështirësitë e tjera të motit, të terrenit etj. “Ne jemi të impresionuar nga bashkëpunimi që kemi pasur me forcat shqiptare që nga fillimi dhe deri më sot, - tha ndër të tjera gjeneral Gardner, - Ky bashkëpunim ka qenë jo vetëm në planin e planizimit të përbashkët të stërvitjes, por edhe gjatë gjithë zhvillimit të saj”. “Ne jemi të impresionuar, ka vijuar më tej ai, nga shkalla e përgatitjes së oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë dhe shpreh konsideratën tim se trupat ushtarake shqiptare janë në nivelin e standardeve të NATO-s. Kjo më bën të pohoj se Shqipëria duhet të jetë krenare për Forcat e saj të Armatosura”. Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, pasi vlerësoi rëndësinë dhe arritjet e shënuara në këtë stërvitje, falenderoi Komandën e Komponeneti Tokësor në Heidelberg në Gjermani që zgjodhi Shqipërinë për zhvillimin e stërvitjes. Ai falenderoi gjithashtu të gjithë trupat pjesëmarrëse për disiplinën dhe profesionalizmin e lartë të manifestuar gjatë stërvitjes, për ndërveprimin e shkëlqyer mes tyre dhe përvojën e fituar, e cila do t’i shërbejë akoma më shumë stërvitjeve tona të përbashkëta në kuadër të NATO-s. Stërvitja e përbashkët “Cooperative Longbow/Lancer 2007” përfundon më 30 tetor 2007.

Shqipëria, gati për kontribute shtesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan


Në datën 24 tetor 2007, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të cilat marrin pjesë në Misionin ISAF në Afganistan, që u zhvillua në Noordvijk të Holandës. Ministri Mediu njohu të pranishmit me reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në prag të Samitit të NATO-s të pranverës së ardhshme në Bukuresht, ku vendi ynë pritet të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Në Samitin e Rigës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërkoi kontribute shtesë nga vendet pjesëmarrëse në Misionin ISAF në Afganistan. Shqipëria iu përgjigj menjëherë kësaj thirrje, duke dërguar një kompani shtesë nën komandën Italiane në Herat”, - theksoi Ministri Mediu. – “Aktualisht, Shqipëria është e pranishme në Afganistan me tre kontribute të rëndësishme, një togë nën Komandën Turke në Kabul, një kompani në Herat dhe ekipin e përbashkët mjekësor në kuadër të Kartës së Adriatikut, nën komandën Çeke”. Ministri Mediu, konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë për të dërguar specialistë ushtarakë në Afganistan, të cilët do të ndihmojnë në rritjen e profesionalizmit të Ushtrisë dhe Policisë Afgane. Ky është prioriteti aktual i NATO dhe ISAF lidhur me Afganistanin. “Shqipëria do të qëndrojë në Afganistan deri në përfundim të Misionit ISAF. Ky angazhim është serioz dhe i pandryshueshëm, për të ndërtuar një demokraci përmes paqes dhe stabilitetit”, theksoi Ministri Mediu. Gjatë takimit me Komandantin Suprem të Aleancës për Europën, Gjeneral John Craddock, u fol për kontributet paqeruajtëse të Shqipërisë dhe mbi çështjen e Kosovës. Gjenerali Craddock u shpreh që “NATO është e përgatitur të qëndrojë në Kosovë, të ruajë sigurinë e saj dhe të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve kosovare të sigurisë”. Ministri Mediu zhvilloi një takim dypalësh edhe me homologun e tij danez Soren Gade. Të dy ministrat shprehën nevojën e shtimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Danimarkës. Ministri danez Gade theksoi se vendi i tij mirëpret anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit me Ministrin Sllovak të Mbrojtjes Frantisek Kasicky, u rikonfirmua mbështetja e Sllovakisë për zgjerimin e Aleancës me vende të tjera. Të dy ministrat shprehën të njëjtën mendim që çdo vonesë në përcaktimin e statusit final të Kosovës, nuk sjellë asnjë të mirë për rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Presidenti i Shqipërisë merr mbështetje nga BE për thellimin e reformave


Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, shprehu mbështetjen e tij që Shqipëria të vazhdojë reformat në vend, pas një takimi me kreun e Shtetit Bamir Topi.“Shqipëria ka një perspektivë të qartë dhe ambicioze europiane me qëllimin përfundimtar, anëtarësimin në BE. Rruga e integrimit europian dihet tashmë dhe kërkon, përmbushjen e kushteve për demokracinë, shtetin ligjor, dhe standardet europiane – tha zoti Barroso. Në takim është folur gjithashtu për statusin e Kosovës. Topi ka bërë të ditur qëndrimin e Shqipërisë pro planit Ahtisaari si një mundësi e mirë për të qetësuar situatën në rajon. Ndërsa Presidenti i Komisionit Evropian Barroso ka bërë të ditur se statusi i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për Ballkanin. "Ne do të presim raportin nga sekretari i përgjithshëm dhe i inkurajojmë të gjitha palët të negociojë me një shpirt të mirë", tha ai.

Sekretari i Mbrojtjes: SHBA mbështet aspiratat e vendeve të “A3” për në NATO


Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe homologët e tij kroat dhe maqedonas patën një takim të veçantë, në formatin US-A3, me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Robert M. Gates, i cili mori pjesë në punimet e takimit të përvitshëm të SEDM-it, që u zhvillua në Kiev të Ukrainës. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Gates vlerësoi me nota pozitive kontributin e vendeve të A3, duke theksuar se: “Për SHBA ju keni qenë aleatë të mirë”. Sekretari Gates përgëzoi ministrat e Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut për progresin e arritur në reformat në fushën e mbrojtjes. “Amerika”, - u shpreh ai, - “vazhdon të jetë mbështetëse e fuqishme e aspiratës suaj për integrim në NATO”. Si shprehje të mbështetjes për vendet e Kartës së Adriatikut, Sekretari Gates pohoi synimin e zhvillimit të një takimi US-A3 në Washington, në janar të vitit 2008. Duke folur në këtë takim të rëndësishëm me Sekretarin Gates, Ministri Mediu bëri një ekspoze të reformave që janë ndërmarrë dhe po intensifikohen për integrimin euroatalantik të vendit tonë, sidomos për progresin e bërë në reformimin e Forcave të Armatosura, përkushtimin tonë për të vazhduar misionin në Irak, përpjekjet për të arritur 8 % të komponentit tokësor të dislokueshëm në dispozicion të NATO-s dhe 40% gati për rotacion etj. Në këtë kontekst, Sekretari Gates u shpreh se do të ishte i kënaqur nëse do të shihte tek aleatët e tjerë të NATO-s gatishmërinë për të kontribuar në Irak dhe Afganistan, siç e sheh tek vendet e Kartës së Adriatikut. Lidhur me çështjen e Kosovës, Sekretari për Mbrojtjen Gates në fjalën që mbajti në takimin e SEDM-it, u shpreh që “po i japim shansin e duhur bisedimeve për konsensus, por më 10 dhjetor NATO, BE dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare duhet të jenë të përgatitur për hapin tjetër. Dhe ai do të jetë zbatimi i planit të Ahtisaarit”. Në ditën e dytë të takimit të SEDM-it Ministri Mediu u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë Vecdi Gonul, ku u fol për marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona , anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe mbështetjen në këtë proces nga Turqia, situatën në Irak si dhe mbi të ardhmen e Kosovës. Gjithashtu Ministri Mediu me datë 22 tetor u takua me Ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Dragan Sutanovac. Ministri Mediu rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e Planit Ahtisaari mbi të ardhmen e Kosovës së pavarur. Ministri Serb Sutanovac deklaroi se: “Bashkëpunimi me KFOR-in ka qenë shumë i mirë dhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë të kemi të njëjtin bashkëpunim të mirë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në Kosovë. Serbia nuk ka asnjë qëllim për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë”. Gjatë takimit të SEDM-it në Kiev, Ministri Mediu pati një takim edhe me komandantin e Komandës së NATO-s në Napoli , Admiralin Ulrich, me të cilin diskutoi për reformimin e Forcave tona të Armatosura, për pjesëmarrjen e e tyre në operacionet e NATO-s në rajon e më gjerë.

Fillimi i besimit të BE-së ndaj kapaciteteve menaxhuese të Shqipërisë


Ani Ruci/ TIRANE
Kohët e fundit BE decentralizoi menaxhimin e mbeshtetjes financiare per vendet kandidate për anëtarësim. 220 milionë eurot e Brukselit për Shqipërinë do të menaxhohen nga vetë autoritetet e saj. Një instrument i unifikuar i BE për vendet kandidate dhe kandidatë potenciale „Ndihma para anëtarësimit“ bën të mundur që edhe Shqipëria, të përfitojë prej tij: një mbështetje financiare prej 220 milionë eurosh për periudhën 2007- 2009. Kjo ndihmë financiare shënon fillimin e besimit të BE tek aftësitë menaxhuese te aktorëve vendas. Ndryshe nga deri më sot kur ato janë menaxhuar nga vetë BE përmes agjensive të tij, kësaj here do të jenë autoritetet kombëtare ato që do të mbulojnë gjithë hallkat e përdorimit të ndihmës financiare të BE. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan e quajti këtë risi „decentralizim të menaxhimit“. Duke dhënë disa hollësi gjatë nënshkrimit të marrveshjes në Tiranë Lohan tha se“ kjo do të thotë që vetë autoritetet shqiptare janë përgjegjese për programimin prokurimet dhe përdorimin e kësaj shume.“ Por marrëveshja parashikon rregulla të përcaktuara mirë, të detyrueshme për t´u zbatuar nga gjithe aktorët lokalë që do të merren me menaxhimin e 220 milion eurove. Instrumenti i ri i Parazgjerimit, i BE, (IPA) nuk është asgjë tjetër veçse vazhdimi i Programit CARDS. Ai synon të forcojë kapacitetet e vendeve kandidate apo të kandidateve potenciale siç është rasti i Shqipërisë për të zbatuar bazën ligjore të BE.
Si do të përdoren fondet? Gjatë dy muajve që kanë mbetur nga 2007 do të përdoren vetëm 54.3 milionë euro, Kjo shumë do të mbështesë projekte të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve, ngritjen e qendrave të paraburgimit, forcimin e ndërmarjeve të vogla dhe të mesme, pjesëmarrjen në programet e BE me shumë përfitues si Tempus, Erasmus Mundus. Pjesa tjeter prej 185,7 milion eurosh do të përdoret deri në vitin 2009 për përafrimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE, forcimin e institucioneve demokratike dhe vendosjes së shtetit ligjor, reformën në administratën publike, reformën ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve, zhvillimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin rajonal, mbështetjen e zhvillimit dhe zbutjen e varfërisë. Marrëveshja e sapo nenshkruar shihet në Shqipëri si një ngjarje e shënuar, që mbyll një etapë dhe hap një tjetër në marrëdhëniet e Tiranës me Brukselin: atë të besimit të BE në kapacitete menaxhusese vendase. Rritja e këtyre kapaciteteve duket se ecën në të njëjtin kah me rritjen e përqindjes së popullsisë pro anëtarësimit. Në bazë të një sondazhi të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombetare, të publikuar sot në Tiranë, shqiptaret dëshirojnë integrimin europian më shumë se të gjitha vendet e tjera kandidate. 92.5 për qind e të intervistuarve ne rastin e nje referendumi, do të votonin në favor të anëtarësimit të vendit në BE dhe vetëm 1,5 % rezultojnë kundër. Marrë nga Deutsche Welle (shqip)

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, çfarë do të ndodhë në Bukuresht 2008?!


Trazhgim Sokolaj/ TIRANE

Kryeministri Sali Berisha në mënyrë të përsëritur dhe figurative është shprehur kohët e fundit se Shqipëria ndodhet në kilometrin e fundit të rrugës së anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut Verior, NATO. Kreu i Qeverisë shqiptare thotë më tej se hyrja në NATO është prioritet dhe qëllim kryesor i ekzekutivit shqiptar teksa i referohet Samitit të pritshëm të Bukureshtit, ku vendet anëtare të NATO-s pritet të marrin një vendim rreth anëtarësimit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë dhe Maqedoninë, si vende anëtare të kartës “Adriatik 3”.

Presidenti i vendit Bamir Topi i cili pak ditë më parë zhvilloi takime në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel si dhe me vetë Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jap de Hoop Schefer, e cilësoi si shumë të rëndësishëm procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu duket se është aktiv në këtë drejtim. Gjithçka lidhet me anëtarësimin e vendit në NATO por edhe me marëdhëniet me vendet e “A3” duket se është në vëmendjen e Ministrit shqiptar të Mbrojtjes, i cili tashmë i ka sqaruar për të gjithë të mirat që i sjell vendit anëtarësimi në Organizatën e Atlantikut të Veriut.

Por çfarë do të ndodhë? Çfarë ka bërë dhe nuk ka bërë Shqipëria për të merituar ose për të mos merituan ftesën në Bukuresht në prillin e vitit 2008?

Nëse i referohemi deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, pas takimit që ai zhvilloi me Presidentin Topi, është e qartë se mendimi i tanishëm i krijuar rreth Shqipërisë nuk parashikon përgatitjen e ndonjë ftese apo siç u cilësua “bilete” për në NATO. Dhe kjo deklaratë në fakt nuk duhet të kuptohet keq, pasi në të vërtetë filozofia e anëtarësimit në NATO, parashikon që vendet aspirante të monitorohen me kujdes deri në momentin e fundit.

Sekretari i Përgjithshëm Schefer tha se anëtarësimi i Shqipërisë varet shumë nga dy elementë, stabiliteti politik dhe reforma në drejtësi. Pikërisht këtij momenti mendoj se duhet ti kushtohet rëndësi referuar asaj që po ndodh në Tiranë. Politika shqiptare në fakt, duket se i ka kthyer në prioritet dhe tema të ditës dy argumentet e përmendura nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Çështja është si po punohet në këto dy drejtime. Maxhoranca duket e interesuar deri në fund për reformë në drejtësi, ndërsa opozita kërkon që reforma të mos lidhet me emrin e Kryeprokurorit Sollaku, i cili po hyn në vitin e dytë të konfliktit të hapur me Qeverinë dhe anëtarët e ekzekutivit. Të djathtët e argumentojnë këtë qëndrim të opozitës me faktin se ish-qeveritarët që kanë kryer abuzime kanë një garanci tek Sollaku. Nga ana tjetër të majtët, konsiderojnë se tentativat dhe sulmet për largimin e Sollakut jo vetëm që janë pa argumente por edhe nuk kanë të bëjnë shumë me vetë Kryeprokurorin sesa me përpjekjen e Qeverisë për të futur nën ndikimin e saj organin e akuzës. Stabiliteti politik në Shqipëri duket lehtësisht i ndikueshëm nga humori i liderëve apo politikanëve të ndryshëm. Në fakt këtë vit përplasjet në Parlament kanë munguar. Edhe komunikimi dhe dialogu politik duket se është maturuar. Por çfarë do të ndodhë? Askush nuk e di! Është e qartë se vendimi për Shqipërinë do të merret nga vendet anëtare të NATO-s në momentin fundit. Deri atëherë do të ketë kohë të mjaftueshme për të parë ecurinë dhe legjitimitetin e reformës në drejtësi por edhe garancitë dhe qëndrueshmërinë e stabilitetit politik.

Kryeministri i Shqipërisë: Po përpiqemi intensivisht për anëtarësimin në NATO


TIRANE - Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e 12-të të Këshillit të Atlantikut për Shqipërinë, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave në vend dhe rezultateve konkrete dhe të prekshme të tyre. Kryeministri u ndal në rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, në reformën në administratë, reformën në fushën ekonomike, lehtësitë e krijuara për biznesin dhe investimet dhe shmangien e procedurave burokratike, dixhitalizimin e shërbimeve kryesore, reformën në fushën ushtarake, zhvillimin e turizmit, etj. Kryeministri tha se përpjekjet dhe rezultatet e qeverisë në këto dy vjet, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve kanë qenë thelbësore. “Në dy vjet, Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë dhe kjo është arritur me një punë të jashtëzakonshme, duke aplikuar zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”, vijoi Kryeministri. Ai theksoi se organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri ia kanë dalë të çmontojnë mbi 204 grupe dhe organizata kriminale të vendit, 850 anëtarë dhe drejtues të tyre janë vendosur para ligjit, ndërkohë janë vendosur para ligjit mbi 1200 të tjerë, të cilët ishin persona në kërkim. “Ka një rënie dramatike të trafiqeve dhe këtë nuk e tregojnë vetëm statistikat tona, por këtë gjë e tregojnë statistikat e Italisë, bregut përkarshi, të cilat këtë vit janë tërësisht ndryshe dhe tregojnë një rënie shumë të madhe”, u shpreh kryeministri. Në këtë rënie të trafiqeve, shtoi ai, një ndihmesë të madhe ka dhënë ligji i ndalimit të skafeve në ujërat tona territoriale. Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë çdo marrëveshje me qeveritë e vendeve të tjera për të adaptuar në Shqipëri dhe kudo, “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar. Duke u ndalur në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri tha se në një hark kohor të shkurtër ka rezultate konkrete inkurajuese, duke permendur ketu shkurtimin e shpenzimeve operative në administratë me 40 për qind, shkurtimin e administratën qendrore me 25 për qind dhe punonjësit e saj me 30 për qind, ulja e kostos së prokurimeve publike me 23 për qind, nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, duke ligjëruar se cilido që gjendet në administratë në konflikt interesi, largohet prej saj. Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria ka realizuar dixhitalizimin e një seri procedurash dhe po privatizon një sërë shërbimesh të tjera. Kryeministri tha se për dy vjet me radhë parlamenti shqiptar ka votuar në muajin qershor një buxhet të dytë suplementar, rreth 24 për qind të buxhetit vjetor, ndërkohë që të ardhurat në buxhetin e shtetit për këtë vit janë 27 për qind, krahasuar me 22 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto që ishin në vitin 2005. “Ne ia kemi dalë të rrisim të ardhurat me 1.2 miliardë dollarë në buxhetin tonë”, tha Kryeministri. Kryeministri siguroi se në drejtim të luftës kundër korrupsionit, ligji nuk do të kursejë asnjë njeri që do të mund të përdorë paratë publike për qëllimet e veta. Me gjithë vështirësitë e njohura që janë hasur, tha kryeministri, janë vendosur para ligjit rreth 50 zyrtarë nga të gjitha nivelet. “Demokracia dhe varfëria nuk ecin njëra me tjetrën. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, të jashtëzakonshme, potenciale të mëdha njerëzore, burime të mëdha natyrore, e megjithatë ajo renditej poshtë në nivelin e tërheqjes së investimeve të huaja. Korrupsioni, krimi i organizuar, burokracia, mungesa e transparencës, të gjitha këto kishin bërë që Shqipëria, ky vend me potenciale shumë të mëdha, të humbasë interesin e biznesit ndërkombëtar”, vijoi Kryeministri. Duke iu referuar nismave të marra për nxitjen e investimeve në vend, Kryeministri theksoi se objektivi më ambicioz i qeverisë ishte të shndërronte Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja dhe kjo është bërë këtë atëherë kur ky objektiv dukej shumë i largët. Krahas luftës kundër krimit e korrupsionit, Kyeministri tha se është bërë një punë shumë serioze në zvogëlimin e barrës burokratike për biznesin. Nëse dy vjet më parë koha e regjistrimit të një biznesi ishte 42 ditë, sot një biznes regjistrohet brenda një ore në “One Stop Shop”. Së shpejti, nis punën nisma “One Stop Shop” edhe për licencat dhe lejet. Një javë më parë, u inaugurua taksa on-line dhe kjo do të jetë edhe për doganat. Shqipëria ka inauguruar dhe së shpejti e instalon përfundimisht prokurimin elektronik, si formën më transparente të prokurimit. Tashmë, Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, vendi me koston e prodhimit më të lirë në Evropë, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se këto dy objektiva janë realizuar plotësisht. Për sa i përket zhvillimit të turizmit, Kryeministri tha se në dy vite Shqipëria ka pasur një bum të madh turistik dhe në këto dy vite turizmi është rritur me 70 për qind. Nga ana tjetër, Kryeministri vuri në dukje se nuk është regjistruar në regjistrat e policisë shqiptare as edhe incidenti më i vogël, qoftë edhe ndaj një turisti të vetëm. Kryeministri u ndal edhe në përpjekjet e qeverisë për krijimin e zonave industriale dhe të parqeve Industriale, ndërsa theksoi se ligji i ri mbi Partneritetin Publik Privat, në disa sektorë, ka një funksionim të shkëlqyer, ndërsa ligji i ri për prokurimet publike i ka bërë ato më transparente. Duke renditur rezultatet e këtyre reformave dhe treguesit e ekonomisë shqiptare, kryeministri tha se ka 28 për qind rritje të eksporteve, ka 22 për qind rritje të indeksit të shitjes, ka 25 për qind rritje të depozitave bankare, ka pothuaj dyfishim të kreditit bankar për ekonominë dhe ka një fluks të panjohur më parë të kompanive të mëdha. Kompani të mëdha nga vendet të huaja, nga Norvegjia në Qipro, ndodhen në Shqipëri, të cilat marrin pjesë me investime në punët publike apo private. Kompani shumë të mëdha janë vendosur në tregjet bankare dhe financiare, të tjera në fushën e energjetikës, në turizë, në çimento. Kryeministri iu referuar shkrimit të një gazete të njohur të Londrës, “Observer”, e cila disa ditë më parë shkruante se Shqipëria është një nga 20 vendet më të përshtatshme për investime dhe për investitorët vendas dhe të huaj dhe siguroi se ambicia e qeverisë mbetet që të konsiderojë këto që janë arritur vetëm si hapat e parë. “Ne mbetemi të vendosur që ta shndërrojmë vërtetë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Ne jemi shumë të inkurajuar për këto rezultate, por absolutisht ato janë thjesht një stacion për të arritur rezultate të tjera”, tha Kryeministri. Për sa i përket reformës në fushën ushtarake, Kryeministri Berisha nënvizoi se ushtria shqiptare është një nga institucionet më të reformuara të këtij vendi, me një ushtri të vogël, profesionale, të mirë trajnuar. Njësitë tona janë shndërruar në përfaqësues të shkëlqyer të vendit dhe të kombit tonë në misionin që kryejnë në Bosnje, në Afganistan, në Irak.“Nga Bukureshti na ndajnë 4 muaj, disa e quajnë 100 metërshi i fundit, disa të tjerë 400 metërshi, por unë e quaj kilometri i fundit. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje me reformat në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake, reformën zgjedhore, reformën në sistemin e drejtësisë dhe reforma të tjera. Jemi të vendosur të aftësojmë çdo ditë e më shumë njësitë tona ushtarake, në mënyrë që këtë kilometër ta përshkojmë ashtu siç kërkohet nga Aleanca e Atlantikut për të arritur kriteret dhe standardet e saj dhe të meritojmë ftesën”, tha Kryeministri Berisha.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania