Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi zhvilloi sot një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Schefer. Kreu i shtetit shqiptar ndodhet për vizitë pune në Shtabin e Përgjithshëm të Organizatës së Atlantikut Verior. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Schefer tha se ftesat për anëtarësim në NATO bazohen në ecurinë e reformave të shteteve kandidate.
“Rëndësi të veçantë paraqesin reforma në drejtësi dhe klima e qetë politike”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm Schefer pas takimit me Presidentin e Shqipërisë. Kreu i Organizatës së Atlantikut Verior, bëri thirrje që shumica dhe pakica politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Schefer: Anëtarësimi në NATO varet nga reforma në drejtësi dhe stabiliteti politik
FJALA E PRESIDENTIT TOPI në Institutin Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, EGMONT

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jam shumë i nderuar që ndodhem sot në foltoren e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve më Jashtë, EGMONT sepse e konsideroj këtë vend si një tribunë të demokracisë, të fjalës së lirë, si një hapësirë nga ku lindin, shkëmbehen dhe shpërndahen ide, mendime, opinione për çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e shteteve, kombeve dhe njerëzimit.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj!
Zonja dhe zotërinj,
Jam sot në Bruksel, me cilësinë e Presidentit të Shqipërisë, në viziten time të parë jashtë vendit tim, për të sjellë në këtë kryeqytet të Evropës përgjegjësinë, mesazhin, vullnetin e sinqertë dhe aspiratën historike të popullit tim për t’u bërë pjesë e pandarë e familjes euroatlantike, si dhe një pasqyrë të kontributit tonë modest në përballjen e sfidave globale të politikës së sotme ndërkombëtare.
Këtë përgjegjësi, të nderuar pjesëmarrës, do ta ndaj së pari nesër me përfaqësuesin më të lartë të NATO-s, Sekretarin e Përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer dhe të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe, javën që vjen, me Presidentin e Komisionit Evropian, Manuel Barroso, me Komisionerin për Zgjerimin, Olli Rehn dhe në pritje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, të cilët kanë qenë jo vetëm nxitësit, por edhe këshilltarët më të mirë dhe të sinqertë të Shqipërisë në sfidën e saj historike integruese. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë publikisht!
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian (BE) mbeten dy përparësitë kombëtare për popullin shqiptar.
Shqipëria po përjeton sot një nga transformimet më të mëdha në historinë e saj.
Ky vend, i cili feston këtë vit 95- vjetorin e krijimit të shtetit të pavarur, ka kaluar më shumë se gjysmën e moshës së tij nën diktaturën më të ashpër të kohëve moderne, ku NATO ishte armiku i betuar, ku demokracia, liria e individit dhe e fjalës ishin të dhunuara, ku bota perëndimore ishte shumë e largët në horizont, ku izolimi kishte mbuluar çdo rreze drite, por shpresa për një të ardhme më të mirë qëndronte e fshehur në shpirtin shqiptar.
Rrëzimi i Murit të Berlinit, përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe ndryshimet demokratike që pësoi Shqipëria i dhanë asaj rilindjen e shpresës së fshehur historike, evropiane. Shqipëria ishte vendi i parё, nga ato tё ish bllokut komunist, qё nënshkroi Dokumentin Themelor të PfP, mё 23 shkurt 1994 dhe qё kёrkoi zyrtarisht anëtarёsimin nё NATO.
Sot 94% e shqiptarëve mbështesin integrimin euroatlantik të vendit të tyre. Kjo është prova e pakundërshtueshme që integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbeten përparësi kombëtare të të gjitha forcave politike dhe qeverive shqiptare.
Vij këtu sot, të dashur miq, si Presidenti i Shqipërisë i zgjedhur në linjë kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky veprim tregoi maturinë e klasës politike parlamentare e cila, jo vetëm e ktheu procesin e vështirë të zgjedhjes së Presidentit në rrugën e vet kushtetuese dhe ndaloi një nga krizat më të thella politike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë që mund të kalonte ky vend pas asaj të vitit 1997, por e zgjidhi këtë situatë pa nevojën e ndërmjetësimit ndërkombëtar.
Në fjalën time të betimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 20 korrik 2007, unë premtova se do të jem një President mbi palët dhe mes palëve gjatë ushtrimit të misionit tim, konform Kushtetutës së Shqipërisë.
Gjykoj sot se debati politik në Shqipëri është në nivelin e një debati pluralist në Kuvendin e Shqipërisë, në media dhe në publik, në funksion të shprehjes së ideve dhe alternativave mbi çështje dhe probleme, të brendshme apo të jashtme, të cilat shqetësojnë shoqërinë shqiptare në funksion të programeve politike të secilës parti.
Që në fillim, në takimet e organizuara me kryetarët e partive parlamentare gjeta dëshirën dhe vullnetin për të përshpejtuar reformën në sistemin e drejtësisë, reformën zgjedhore, për të nxitur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si rruga e vetme për vendosjen e një demokracie të shëndoshë e funksionale dhe forcimin e shtetit ligjor.
Në tryezën e partive politike parlamentare mbi reformën në sitemin e drejtësisë të organizuar nga Presidenti i Republikës, më 17 shtator 2007, u nënvizua domosdoshmëria e krijimit të një drejtësie të pavaruar dhe larg influencave e mbështetjeve politike dhe u vendos njëzëri krijimi i një komisioni të posaçëm parlamentar i mbështetur nga një komision tjetër me ekspertë të fushës, vendas dhe të huaj. Përshëndes sot, mbledhjen disa ditë më parë, të komisionit parlamentar dhe përgjegjësinë, me të cilën u diskutua në të!
I përgjegjshëm se kjo klimë pozitive politike dhe debati midis pozitës dhe opozitës ka nevojë për frymëmarrje dhe mirëkuptim social e kam shtrirë këtë debat të rëndësishëm, jo vetëm në nivelin e pushtetit lokal, por edhe në Organizatat Jofitimprurëse (OJF) dhe mediat ku kam gjetur mbështetje, përgjegjësi dhe angazhim.
Kam bindjen se edhe komisioni bipartizan parlamentar i 31 majit 2007, për plotësimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve mbi reformimin e sistemit zgjedhor në një proces konform normave të një shteti demokratik, krahas të tjerave, tregon një përgjëgjesi, vullnet dhe emancipim të përbashkët (pozitë-opozitë) politik në Shqipëri.
Ecuria e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike me konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike dhe të mbarë shoqërisë shqiptare është kthyer në një projekt madhor, gjithëpërfshirës, me rëndësi strategjike për kombin dhe shtetin shqiptar, një aspiratë që tejkalon çdo barrierë ideologjike apo çdo interes individual të formacioneve të ndryshme politike. Unë shpreh bindjen se qeveria dhe opozita janë të sinqerta dhe të gatshme të bashkëpunojnë, në mënyrë konstruktive, për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.
Në një vlerësim sintetik, ekonomia e Shqipërisë, megjithëse është duke e përballuar pasojat e krizës energjetike, karakterizohet nga një situatë e qëndrueshme makroekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) ka pësuar rritje vjetore 6%, me një inflacion të kontrolluar në kuotën 2,4 % dhe me një deficit të brendshëm buxhetor prej 2.6%. Eksportet shqiptare janë rritur në 28% gjatë vitit 2007. Investimet e huaja direkte (FDI) janë tre herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditimi i bankave në ekonomi është rritur në rreth 30% të GDP nga 70% shkojnë drejt kreditimit të biznesit privat. Shqipëria po vendoset në fokus të interesit të investitorëve të fuqishëm të huaj duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si ato të energjisë, minierave, bankave tregëtare, turizmit dhe infrastrukturës. Reforma fiskale e këtij viti, me taksën e sheshtë prej 10% më të ulët nga të gjitha vendet e Evropës, si dhe krijimi i agjensisë së regjistrimit të bisnesit vendas në sistemin One-stop-shop gjykoj që krijojnë terren për tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbështetje për bizneset vendas. Kjo klimë pozitive dha një sezon të suksesshëm turistik për Shqipërinë, me një rritje të numrit të turistëve në 70%, në krahasim me vitin e kaluar.
Vlerësimi i progresit në fushat e mësipërme, si dhe synimi për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, i hapën rrugën nënshkrimit, vitin e kaluar, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, si dhe, pak kohë më parë, të Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave me BE-në. Nënshkrimi i MSA-së është një nga arritjet më të rëndësishme për progresin dhe afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria ka siguruar një dokument substancial ku do të mbështetet në të ardhmen e afërt për të kryer reformat komplekse, që do e afrojnë jo vetëm me BE-në, por njëkohësisht dhe më shpejt me NATO–n.
Reforma në Forcat e Armatosura
Qëllimi ynë është krijimi i një force të armatosur nëpërmjet identifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të specializuara (Niche capabilities), për t’u përshtatur me nevojën e NATO-s për forca të specializuara.
Ndihem krenar teksa deklaroj se Shqipëria, në sajë të programit Nun-Lugar, ka eliminuar me sukses të gjitha armët kimike, duke u bërë vendi i parë në botë pa materiale dhe arme kimike. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Zvicrës, të cilat kanë dhënë një mbështetje teknike dhe financiare të çmueshme për të kryer këtë objektiv mjaft të rëndësishëm.
Kujdes i veçantë i është kushtuar aftësive të ardhshme operacionale (veprimeve strategjike) sipas rekomandimeve që dolën nga Samiti i Rigës.
Më duhet të nënvizoj që, së fundi u miratua buxheti i mbrojtjes prej 2% të GDP në 2008, dy vjet para afatit të përcaktuar, ndërsa transformimi i ushtrisë në një ushtri tërësisht profesionale, do të plotësohet në vitin 2010, në vend të vitit 2013 që ishte planifikuar më parë.
Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e deputetëve të nderuar në delegacion, dëshiroj të përmend rëndësinë që po merr kontrolli parlamentar mbi ecurinë e procesit për anëtarësimin e vendit në NATO. Kuvendi i SHqipërisë po luan një rol gjithnjë e më thelbësor në monitorimin e zbatimit të programeve dhe reformave të domosdoshme për standardet euroatlantike. Pjesë e këtij angazhimi parlamentar është dhe krijimi i komisionit të përkohshëm bipartizan për promovimin e reformave përkatëse legjislative për integrim në NATO.
Bashkëpunimi me Aleancën e Atlantikut të Veriut
Gjatë 15 vjetëve, vendi ka pasur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vënë në dispozicion të saj portet, aeroportet, territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Gjatë këtij procesi bashkëpunimi, ne shpesh kemi vepruar si anëtarë de facto të Aleancës. Në këtë frymë do të vijojmë dhe pas anëtarësimit de jure në të.
Transparenca dhe konstruktiviteti kanë qenë tipar themelor i këtij bashkëpunimi Shqipëri – NATO, tipar që u përsos dhe u pasurua më tej, pas Samitit të Uashingtonit, me krijimin e procesit të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP). Shqipëria e konsideron procesin e MAP-it si mekanizmi kryesor për vlerësimin e kandidaturave, i mbështetur në performancën individuale të çdo vendi. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj vendet tuaja për mesazhet tepër inkurajuese dhe mbështetjen ndaj aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO, në takimin që hapi ciklin e 9-të të MAP-it për vendin tim, datë 25 shtator 2007! Unë jam i bindur se vizioni perëndimor i veprimit dhe reformave, përqafuar tashmë nga politika dhe mbarë shoqëria shqiptare, si dhe ristrukturimi dhe modernizimi i Forcave tona të Armatosura, na bëjnë gjithnjë e më shumë pjesë të vlerave themelore, mbi të cilat mbështeten strukturat euroatlantike.
Mbështetja e gjerë popullore që gëzon anëtarësimi i vendit tonë në NATO, është një tjetër shtysë, që politika në vend duhet të jetë totalisht e angazhuar, në mënyrë që, në Samitin e Bukureshtit, pritshmëria e njerëzve të bëhet një realitet.
Lufta kundër terrorizmit dhe operacionet paqeruajtëse
Më lejoni të ritheksoj se ngjarjet tronditëse të 11 shtatorit nuk globalizuan fenomenin e terrorizmit, ato globalizuan luftën kundër tij. Këto ngjarje gjeneruan, ndër të tjera, jo vetëm solidaritetin e njerëzve me njerëzit (people to people solidarity), por dhe koalicionin më të gjerë të organizatave dhe shteteve në të dy anët e Atlantikut, pavarësisht madhësisë dhe fuqisë specifike reaguese të gjithësecilit. Në këtë kuadër, dëshiroj të përmend kontributin e Shqipërisë në të dy planet: në planin e përbashkët dhe atë individual. Shqipëria, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, kanë dërguar Skuadrën e Përbashkët Mjekësore në Afganistan.
Vendi im është një nga pjesëmarrësit aktivë në Operacionin “Iraku i Lirë”, me një kontingjent prej 120 trupash komando, si dhe në Operacionin ISAF të udhëhequr nga NATO me një kontingjent prej 135 vetësh.
Një tjetër kontribut, prej 70 vetash, Shqipëria jep në operacionin ALTHEA të udhëhequr nga BE.
Hartimi i legjislacionit përkatës, ngrirja e pasurive të personave të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste, si dhe dëbimi nga vendi i personave të dyshuar, që kanë lidhje me to, janë ndër masat konkrete që janë marrë brenda vendit për të kontribuar në këtë luftë.
Politika e jashtme rajonale e Shqipërisë
Politika e jashtme e Shqipërisë është, me të drejtë, një nga arritjet e saj të viteve të transformimit, sidomos në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. Në shërbim dhe në përmbushje të detyrimeve që vendi im ka në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian e në NATO të harmonizuara me interesat kombëtare Shqipëria ka dhënë shembullin e një politike për forcimin e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon, duke nxitur një klime besimi reciprok nëpërmjet zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, politike e kulturore me të gjitha vendet e rajonit.
Më vjen mirë të përmend se prej vitesh, politika e jashtme e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj këtij vlerësimi dhe ka përforcuar filozofinë perëndimore për bashkëpunim, stabilitet dhe përparim. Ajo e sheh këtë filozofi si një shtysë edhe më të madhe në afrimin më të shpejtë të anëtarësimit të saj euroatlantik.
Në kuadër të veprimtarive të NATO-s, si dhe të nismave dhe organizatave të tjera rajonale, Shqipëria ka zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët në shumë çështje me interes të përbashkët, si: lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe drogave, manaxhimi i integruar dhe siguria e kufijve, krijimi i masave të besimit reciprok, shkëmbimet tregtare dhe ekonomike.
Karta e Partneritetit A-3 që kemi me Kroacinë dhe Maqedoninë, është pjesë domethënëse e një mentaliteti krejtësisht ndryshe tashmë në Ballkan.
Bashkëpunimi i frytshëm që ne kemi vendosur ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e besimit reciprok ndërmjet tre vendeve tona. Ndarja e vlerave dhe qëllimeve të njëjta i kanë dhënë këtij procesi bashkëpunimi rëndësinë e një çasti historik, të nevojshëm për stabilitetin e rajonit, në një kohë, që ndryshime të rëndësishme e presin atë.
Shqipëria është kthyer tashmë nga një vend konsumator i sigurisë, në një vend që prodhon siguri rajonale edhe globale. Ai është shembulli një vendi, që nuk ka asnjë çështje apo problem të hapur me ndonjë vend tjetër për t’u zgjidhur drejtpërdrejt apo nëpërmjet një arbitrazhi a palë të tretë, e cila do të cënonte sigurinë, paqen, apo procesin integrues të vetin edhe të rajonit.
Duke besuar se edhe ju çështjen e Kosovës e konsideroni të rëndësishme si në planin rajonal, ashtu edhe në atë evropian, por edhe më gjerë, më lejoni të ndalem duke shprehur pikëpamjen time:
Unë mendoj se çështja e Kosovës është çështje që duhet të gjejë sa më parë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë duke garantuar jo vetëm tërësinë tokësore të Kosovës, por edhe integritetin funksional të institucioneve të saj në të gjitha planet. Ajo nuk mund të mbetet peng i një statusi të papërcaktuar, as i statuquo-së së përjetshme dhe as pjesë e papërfunduar e një procesi demokratik të domosdoshëm, të nisur nga NATO-ja dhe BE-ja që në vitin 1999. Kosova nuk mund të bëhet shembulli evropian i dështimit të proceseve të zbatimit dhe shtrirjes së sigurisë, ashtu edhe precedenti i mungesës së një qëndrimi të unifikuar të politikës së jashtme të BE-së.
Gjykoj në të kundërtën se Kosova mund të bëhet shembulli më i mirë i zbatimit të sigurisë dhe demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe të shtetit të së drejtës nën veprimin e përbashkët të të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, OKB-së, NATO-s, BE-së, Grupit të Kontaktit, Trojkës dhe SHBA-së, të cilët kanë investuar kohë, energji dhe burime njerëzore në këtë proces.
Së bashku me shpresën, më lejoni të ndaj edhe shqetësimin se ndërlikimet e padëshirueshme dhe të pajustifikueshme në procesin e përcaktimit të statusit do të kishin një ndikim negativ me kosto të lartë politike dhe ekonomike për Kosovën, Ballkanin e më gjerë, si dhe do të minonin të gjitha përparimet e arritura nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme në Kosovë.
Jam shumë i motivuar të nënvizoj këtu dhe të përshëndes të gjithë përgjegjësinë dhe pjekurinë politike të autoriteteve të Kosovës që në fillimet e procesit dhe, njëkohësisht, të shpreh keqardhjen për veprimet refuzuese, paragjykuese dhe mohuese të Beogradit ndaj të gjithë hallkave apo nismave të ndërmarra në mënyrë të sinqertë nga të mandatuarit e partnerëve ndërkombëtarë.
Unë jam i nxitur të vlerësoj në mënyrë optimiste çdo çast të kohës 120-ditore, i cili do t’i vlente përfundimit të një marrëveshjeje mes palëve në bisedime, por në të njëjtën kohë, optimizmi im bëhet më pragmatik kur shikoj se me kalimin e kohës, shtrihet bindja se programi më evropian, më integrues dhe më i plotë, për momentin, për të ndërtuar një shtet ku demokracia dhe të drejtat e njeriut e ato të minoriteteve, konsiderohen vlera sociale të garantuara me ligj, mbetet Plani i Presidenit Ahtisari.
Kam bindjen se zbatimi sa më parë i këtij plani do të ishte hapi më i madh historik jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Shpresoj se të gjithë popujt e Ballkanit e shikojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në NATO dhe BE dhe jo peng të konflikteve të dhunshme historike, etnike, fetare, nacionaliste dhe dhimbjeve të tyre të shkaktuara nga këto konflikte. Kjo kërkon të dish të falësh. Më duket se shqiptarët e Kosovës e kanë bërë këtë veprim.
Mendoj, së fundmi, se integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, ashtu si dhe integrimi i rajonit, në perspektive do të konsiderohej si një sukses i rëndësishëm i arritur në kontinentin evropian me shmangien e luftërave dhe shndërrimin demokratik të shoqërive diktatoriale të Luftës së Ftohtë. Siguria e shoqërive do të jetë e konsoliduar, qytetarët, me rënien e komunizmit dhe zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, do ndihen më të sigurt dhe më të përgatitur për sfidat dhe rreziqet e tjera rajonale dhe globale që kanosin sigurinë e tyre.
Zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të krijonte, në planin gjeostrategjik, një NATO me karakter Adriatiko-Jonian, dhe mbylljen e plotë të gjirit të rëndësishëm që laget nga këto dete, lidhjen pa pengesa me detin e Mesdheut, duke zgjeruar e forcuar perimetrin e zonës së stabilitetit edhe në këtë rajon të rëndësishëm e të pasur, si dhe duke i dhënë sigurisë globale një dimension të rëndësishëm mesdhetar.
Një Ballkan në NATO do të thotë që këto vende të bëhen më tërheqëse për investime direkte, më të suksesshme në përdorimin e burimeve të tyre njerëzore, natyrore dhe turistike, më të afta për të ndërtuar vlera evropiane dhe më të sigurta për qytetarët e tyre. Ndoshta në fjalën time nuk kam mundur të plotësoj interesimin tuaj të plotë mbi zhvillimet dhe rolin e vendit tim në rajon, ndaj mbetem i hapur për çështjet që dëshironi të ngrini.
Falemnderit!
Presidenti i Shqipërisë zhvillon vizitë zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel

18 tetor, 2007
Presidenti i Republikës, Bamir Topi filloi vizitën zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), në Bruksel (Belgjikë). Në këtë vizitë të tij, Kryetari i Shtetit shoqërohet nga z. Fatos Beja dhe z. Ylli Bufi, Nënkryetarë të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i Republikës mbajti një fjalë në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku është përqendruar në procesin dhe ecurinë e reformave të rëndësishme për integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit i është përgjigjur edhe interesimit të pjesëmarrësve lidhur me aspekte të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe me këndvështrimet e tij sa i përket të ardhmes integruese të vendit. Të pranishmit vlerësuan figurën dhe përvojën politike të z. Topi, e cila është kurorëzuar me zgjedhjen e tij si President i Republikës në mënyrë kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Ditën e nesërme, Kryetari i Shtetit do të ketë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, në përfundim të së cilit do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp. Presidenti Topi do zhvillojë gjithashtu një takim edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Kjo vizitë e parë zyrtare e Kryetarit të Shtetit jashtë vendit vjen në momentin, kur Shqipëria po vijon në rrugën e reformave të saj për integrim dhe është në pritje të samitit të zgjerimit të NATO-s, që do mbahet vitin e ardhshëm në Bukuresht, ku vendi ynë shpreson të marrë ftesën e anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të zhvillojë, në datat 18-19 tetor, një vizitë zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), në Bruksel (Belgjikë). Kjo vizitë e parë zyrtare e Kryetarit të Shtetit jashtë vendit vjen në momentin, kur Shqipëria po vijon në rrugën e reformave të saj për integrim dhe është në pritje të Samitit të zgjerimit të NATO-s, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Bukuresht, ku vendi ynë shpreson të marrë ftesën e anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Në këtë kuadër, Presidenti Topi do të ketë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, në përfundim të së cilit do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp. Presidenti Topi do zhvillojë një takim edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa do të mbajë një fjalë në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Bruksel.
Shqipëria mikpritëse e njërës prej stërvitjeve më të mëdha të Nato-s për 2007-ën

Ilirian Agolli 18-10-2007 NATO po organizon këto ditë në Shqipëri njërën nga stërvitjet e saj më të mëdha për vitin 2007। Komandantë dhe ushtarë të mbi 20 shteteve anëtare dhe kandidate të Aleances po kryejnë në Tiranë stervitje komandë dhe nesër fillojnë manovrat në terren. Shefi i Shtabit te Pergjithshem të ushtrisë shqiptare, gjeneral lejtnant Luan Hoxha thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se trupat shqiptare në këtë stërvitje do të vlerësohen se sa janë ato teknikisht të gatshme për antarësim në NATO.
Zëri i Amerikës: Duke ju uruar për punën me stërvitjen e re shumëkombshe, që sapo ka filluar, ju lutem na tregoni diçka për sfidat e organizimit të kësaj stërvitje dhe pjesën e kontributit të Shqipërisë si një vend mikpritës në të.
Luan Hoxha: Besoj se ardhja juaj dhe e shumë mediave të tjera, shpreh interesin e madh për këtë stërvitje. Kjo është një nga stërvitjet më të mëdha të zhvilluara në vendin tonë, jo vetëm për vendin tone, por edhe një nga stërvitjet më të mëdha që NATO zhvillon në Shqipëri. Është një stërvitje e cila ka filluar me kohë. Ka më se 7-8 muaj që ka filluar konferenca planëzuese për stërvitjen, një stërvitje që ka një përfshirje shumë të madhe. Janë mbi 20 vende që marrin pjesë, nga këto janë shumë vende të NATO-s, vende partnere dhe aspirante, si dhe vendeve të Dialogut Mesdhetar. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë stërvitje është shumë e madhe, për vetë faktin që ne shërbejmë si vendi pritës për zhvillimin e stërvitjes dhe në këtë stërvitje, në të gjitha fazat e saj, përfshihen rreth 120 oficerë e nënoficerë shqiptarë. Në fazën e dytë, “Lancer”, janë përfshirë edhe trupa që do të lëvizin dhe marrin përsipër stimulime të ndryshme në terren, veçanërisht nga Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe Rregjimenti Komando.
Zëri i Amerikës: Zoti gjeneral, cila është e reja e kësaj stërvitjeje? Kemi dëgjuar që ka një pjesë teorike, ku komandat po mundohen të gjejnë gjuhën e përbashkët në veprimet e përbashkëta. Pra, cila është e veçanta e kësaj stërvitjeje? Ku ndryshon ajo nga stërvitjet e tjera?
Luan Hoxha: Veçanëria e kësaj stërvitje qëndron në faktin se është stërvitje Komando-Shtabi dhe, në vetvete, ka si synim të unifikojë veprimet dhe të standardizojë të gjitha proçeset vendimmarrëse në stërvitjet e tjera Komando-Shtabi për shtabet multinacionale. Duke qënë një stërvitje e tillë, që bazohet në shumë norma e standarde, ose me kodin që përdor, “CPX”, i jep mundësi të gjithë personelit të punojë me një gjuhë të përbashkët, me një kod të përbashkët, me një simbolikë të përbashkët për të ushtruar gjatë stërvitjes të gjitha kompetencat dhe veprimet që kanë të gjitha pjesët përbërëse të shtabit dhe për të dalë në vendimmarrjeje, të cilën e merr komandanti i Brigadës Shumëkombëshe. Veçanëri tjetër është që, në këtë stërvitje personeli shqiptar, i cili është angazhuar totalisht, është zgjedhur qëllimisht që të përfitojë nga kjo stërvitje, në rastin e një anëtarësimi të mundshëm dhe të dëshirueshëm në Aleancë. Ky personel duhet të jetë i gatshëm të punojë me këto standarde, duke përfaqësuar denjësisht dhe cilësisht oficerin shqiptar, në përbërje të shtabeve shumëkombëshe që do të bëhen në të ardhmen.
Zëri i Amerikës: Zoti gjeneral, ju lutem na tregoni diçka lidhur me përpjekjet e FA shqiptare për t’u antarësuar në NATO. Cilat janë detyrat e fundit të cilat kanë mbetur pa u kryer për të plotësuar kriteret, pra për të marrë një ftesë për t’u pranuar si anëtar i plotë?
Zëri i Amerikës: Nuk është vetëm Shqipëria që pret një ftesë, janë edhe Kroacia e Maqedonia, si vende të “Kartës së Adriatikut”. Cili është mendimi juaj për bashkëpunimin dhe garën mes këtyre tre vendeve?
Marrë nga Zëri i Amerikës (VOA)
Italia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe në NATO

Ministria e Integrimit dhe Komisioni Europian nënshkruajnë Marrëveshjen Kuadër për programin e para anëtarësimit

Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan nënshkruan sot Marrëveshjen Kuadër mes Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian për menaxhimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian nën Instrumentin e Ndihmës së Para Anëtarësimit (IPA).E veçanta e kësaj Marrëveshjeje qëndron në faktin se përgjegjësia për implementimin e IPA-s në vitet në vijim do të transferohet tek autoritetet kombëtare, ndërkohë që dokumenti parashikon rregulla të përcaktuara mirë lidhur me përgjegjësitë e secilit prej aktorëve të përfshirë në manaxhimin e fondeve të ndihmës të Programit IPA. “Ndihma financiare e ofruar nga Bashkimi Evropian përbën shtyllën kryesore mbështetëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Qëllimi i saj është mbështetja e Shqipërisë në procesin integrues të vendit duke përfshirë mbështetjen për forcimin e shtetit të së drejtës dhe stabilizimin demokratik, vendosjen e standarteve europiane si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, tha ministrja Majlinda Bregu, menjëherë pas nënshkrimit. Ndërsa ambasadori Lohan tha se “Komisioni Europian pret që administrata shqitare të marrë në dorë gjithnjë e më shumë programimin dhe përgjegjësinë e vënies në jetë të aktiviteteve të financuara nga IPA”. Z.Lohan sqaroi më tej se IPA ka për qëllim t’i japë ndihmë Shqipërisë për përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, për forcimin e institucioneve demokratike dhe vendosjes së shtetit ligjor, reformën në administratën publike, për reformën ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve dhe barazisë gjinore, zhvillimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimit rajonal, për mbështetjen e zhvillimit dhe zbutjen e varfërisë. Nga viti 2007, vendi ynë mbështetet nga Instrumenti i ri i Parazgjerimit (IPA), i cili është një vazhdimësi e Programit CARDS. Shuma e programuar për vitin 2007 është 54.3 milion euro dhe do të mbështesë kryesisht projekte të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, ngritjen e qendrave të paraburgimit, forcimin e SME-ve, pjesëmarrjen në programet me shumë përfitues (Tempus, Erasmus Mundus) etj.IPA është një istrument i unifikuar për të gjithë vendet kandidate dhe potencial kandidate dhe ka si qëllim forcimin e kapaciteteve të këtyre vendeve për zbatimin e acquis (bazes ligjore te BE). Shuma totale e fondeve akorduar vendit tonë për periudhën 2007 – 2009 është 219.9 milion Euro. Alokimi i këtyre fondeve është një tregues i qartë i mbështetjes në rritje të Bashkimit Evropian, por edhe një kusht për administratën e vendit përfitues për të forcuar kapacitetet e tij me qëllim përfitimin në kohë të kësaj asistence.
Italia dhe Britania e Madhe ratifikojnë MSA-në me Shqipërinë

Gjithashtu, edhe Britania e Madhe ka ratifikuar së fundmi MSA-në me Shqipërinë duke çuar në 12 numrin e vendeve që kanë ratifikuar këtë Marrëveshje me vendin tonë: Letoni, Lituani, Luksemburg, Poloni, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Hungari, Irlandë, Itali, Britani e Madhe.
Vizita e Topallit, Kanadaja konfirmon votën pro për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Kryetari i Senatit kanadez: “Jemi shumë të impresionuar me pasurimin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe ky është atribut i Kryetares së Kuvendit dhe i parlamentit tuaj.” Fillim të një epoke të re në marrëdhëniet dypalëshe, u konsiderua vizita e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në Kanada nga autoritet më të larta të shtetit të dytë më të madh në botë. Vizita e zonjës Topalli dhe e delegacionit parlamentar shqiptar, ndër të parat vizita zyrtare të këtij niveli në Kanada u realizua me ftesë të Kryetarit të Dhomës kanadeze të Përfaqësuesve, Peter Milliken. Me një axhendë mjaft të ngjeshur me takime me përfaqësuesit e lartë të shtetit kanadez, kjo vizitë merr një rëndësi të veçantë në prag të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për antarësim në NATO dhe përpara zgjidhjes së statusit të Kosovës. Këto ishin edhe dy çështjet kryesore të diskutuara në takimet që Kryetarja e Kuvendit zhvilloi në ditën e parë të vizitës së saj. Në takimin mjaft miqësor me Kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noël Kinsella, Kryetarja Topalli i shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë edhe përmes projekteve të saj. Pasi e njohu zotin Kinsella me reformat, rezultatet dhe sfidat në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë, zonja Topalli tha se Shqipëria ka si prioritete të saj antarësimin në BE dhe NATO. Nga ana e tij, zoti Kinsella theksoi se Shqipëria ka bërë një progres impresionues në forcimin e demokracisë dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij në proceset integruese të vendit tonë. Çështja e Kosovës ishte një tjetër pikë e diskutimit në takim. Zonja Topalli theksoi qëndrimin e Shqipërisë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje për paqen e qëndrueshme në rajon e më gjerë. Zoti Kinsella tha se Kanadaja mbështet propozimet e Paketës Ahtisari dhe se në Kosovë mund të funksionojë shteti multietnik. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rolin e diplomacisë parlamentare dhe se vizita të tilla duhet të nxisin bashkëpunimin mes parlamenteve, por edhe shkëmbimin e vizitave të grupeve të të rinjve dhe të studentëve. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë e ftoi zotin Kinsella për një vizitë në Shqipëri, në vendin e paeksploruar, siç u shpreh ajo, që po thith gjithnjë e më shumë turistë dhe investitorë të huaj.
Në fund të takimit zonja Topalli dhe zoti Kinsella dhanë një intervistë për mediat shqiptare:
Pyetje: Zoti Kinsella, cila është pikëpamja juaj mbi zhvillimin e Shqipërisë?
Pyetje: Si e shihni antarësimin e Shqipërisë në NATO, në një kohë kur shqiptarët shpresojnë në marrjen e ftesës në Samitin e ardhshëm?
Pyetje: Cili është vizioni juaj për çështjen e Kosovës?
Pyetje: Si e shihni Paketën Ahtisari?
Pyetje: Zonja Topalli, si e vlerësoni këtë vizitë tuajën në Kanada?
Zonja Topalli: Është një ndër vizitat më të rëndësishme që unë kam bërë gjatë karrierës si Kryetare e Kuvendit. Kjo, jo se nuk ka pasur të tjera takime, por nuk ka pasur vizita zyrtare me takime të një niveli kaq të lartë, në një moment vendimtar siç është ai i marrjes së mbështetjes për ftesën për anëtarësim në NATO dhe, në të njëjtën kohë, për mbështetjen për statusit final të Kosovës, pavarësinë. Edhe në takimin që kam pasur me Ministrin e Jashtëm edhe në takimin me Kryetarin e Senatit kam gjetur mbështetje maksimale për këto dy pika kryesore që janë sfida të kohës për Shqipërinë dhe rajonin dhe unë i jam shumë mirënjohëse, jo vetëm për mbështetjen që kanë dhënë në procesin e antarësimit në NATO, por edhe në perspektivën për t’i bërë më dinamike, më reale dhe më konkrete marrëdhëniet tona, duke shpresuar që kjo vizitë, e para zyrtare, do të pasohet me të tjera vizita shumë të rëndësishme, që do të bëjnë të mundur jo vetëm shkëmbimin e vizitave të grupeve të studentëve, por edhe mbërritjen e investimeve të kompanive më serioze të Kanadasë në Shqipëri. Besoj se është një ndër vizitat më të suksesshme dhe me programin më të veçantë e të ngjeshur që kam realizuar.Në takimin me Ministrin e Jashtëm, Maxime Bernier, Kryetarja e Kuvendit mori garancinë se në politikën e saj të jashtme Kanadaja është partnere dhe mbështetëse në antarësimin e vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut.Kryetarja Topalli e njohu shkurtimisht ministrin Bernier me prioritetet e shtetit shqiptar duke u fokusuar në prioritetet e politikës sonë të jashtme. Ajo nënvizoi rezultatet e arritura në sajë të reformave të guximshme në luftëm kundër krimit, kundër informalitetit dhe në fushën ekonomike.
Rreth meje
- Trazhgim Sokolaj
- GAZETAR / Journalist
Lidhje ne Fokus
Lidhje
- Krasta Krau
- Artikujte tjere ne Google nga T.Sokolaj
- Artikuj nga T.Sokolaj (Ne Google)
- Levizja MJAFT
- Sajmir Kola
- Turizmi Shqiptar, Albanian Turism, Guide
- Gazeta Start
- NATO
- Keshilli i Larte i Drejtesise
- Ministria e Drejtesise
- Partia Demokratike
- Partia Socialiste
- Presidenca e Shqiperise
- Ministria e Kultures, Turizmit, Rinise dhe Sporteve
- Photo from Albania
- Peshku pa Uje, Blogger
- Ministria e Integrimit
- Deutsche Welle (In Albanian)
- BBC (In Albanian)
- Vioce of America (In Albanian)
- Ministria e Mbrojtjes
- Ministria e Brendshme
- Parlamenti Shqiptar
- Qeveria Shqiptare
- Express, Kosove
- Televizioni i Kosoves
- E-mail (Hotmail)
- E-mail (Yahoo)
- Motor Kerkimi (Google)
- Portali Shqiptar
- Revista MAPO
- Tv Klan
- Vizion Plus
- Top Channel
- Gazeta Panorama
- Gazeta Shekulli
- Albania Photo Album (Alket Islami)
Arkivi i blogut
Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE
Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana
Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush
President George W.Bush in Tirana
President Bush, in Fushe-Kruja, Albania
President Bush, in Fushe-Kruja, Albania