Shqipëri, hapet stërvitja e përbashkët shqiptaro-amerikane “Shqiponja Guximtare 07”


Në territorin e BRSH u çel ceremonia e stërvitjes dy palëshe midis nënreparteve të Batalionit të Dytë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe Gardës Kombëtare të Neë Jersey-it, të SHBA-së. Kjo stërvitje e emërtuar “Shqiponja guximtare 07” është një tjetër bashkëpunim, që dy vendet tona kanë zhvilluar prej vitesh edhe në fushën ushtarake. Ajo synon rritjen cilësore të ndërveprimit, perfeksionimin e procedurave standarde të veprimit të NATO-s, njohjen e armatimit, zhvillimin e qitjeve luftarake, aftësimin e drejtuesve të niveleve taktike, rritjen e nivelit të nënoficerëve, dhënien e ndihmës së parë mjekësore, orientimin topografik, si dhe mjaft elementë të tjerë luftarak, dhe aspekte të tjera të karakterit psikologjik, kulturor, social, të mësimit të gjuhës angleze etj. Të gjitha këto synojnë rritjen cilësore dhe në përputhje me standardet e NATO-s të kapaciteteve tona luftarake, praktikimin e përbashkët të përvojave më të mira të Gardës së Neë Jersey-it dhe veçanërisht rritjen e besimit reciprok për pjesëmarrjen në misione të përbashkëta në interes të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Nga pala shqiptare marrin pjesë 33 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, ndërsa nga pala amerikane 47 ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe një ekip mjekësor. Stërvitja do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë ka filluar më 7 korrik dhe përfundon më 21 korrik 2007 dhe do të zhvillohet në rajonin e dislokimit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr. Faza e dytë do të zhvillohet nga data 11-25 gusht 2007 në Bazën Ushtarake të Fort Drum-it, Neë Jork, SHBA. Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Gardës së Neë Jerseit, ka filluar që në maj të vitit 2001, duke përfshirë fushat e shërbimit zjarrfikës, operacionet e emergjencave civile, të ruajtjes së mjedisit, shkëmbim midis universiteteve, binjakëzim të qyteteve, asistencë për shërbimin shëndetësor dhe operacione të sigurimit të kufirit dhe luftës kundër trafikut. Kontigjenti shqiptar që merr pjesë në këtë stërvitje, është përzgjedhur nga kompania e dytë, e cila sapo kaloi me sukses vet-vlerësimin e nivelit të parë, sipas konceptit të NATO-s për vlerësimin e aftësive operacionale [OCC]. Në këtë ceremoni ishin të ftuar zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Krabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral major Luan Hoxha, komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral brigade Shpëtim Spahiu, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë gjeneral brigade Anastasios Rintis, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjitshëm. I pranishëm gjithashtu ishte edhe zv.ambasadori amerikan në Tiranë Stephan Christina, atasheu ushtarak amerikan Cdr. Bryan Moore, përfaqësues të tjerë të Ambasadës Amerikane, të Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak Shqipëri-SHBA etj. Në fjalën që mbajti komandanti i BRSH kolonel Vladimir Qiriazi, theksoi se ne do të stërvitemi së bashku për një periudhë dy javore. BRSH është njësia kryesore e FA dhe ajo vijon të stërvitet sipas standardeve të NATO-s, në bashkëpunim me partnerët tanë. Duke iu drejtuar ushtarëve të B2K të BRSH-së, kolonel Qiriazi theksoi se, ju do të përfitoni shumë nga përvoja e kolegëve tuaj amerikan, por edhe do të njihni kolegët tuaj me traditat, arritjet dhe përvojën tonë të mirë. Më pas të pranishmit i përshëndeti zv.ministri i Mbrojtjes Karabina, i cili që në fillim të fjalës së tij vuri në dukje bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë dhe SHBA-së, e cila i ka rrënjët në miqësine e vjetër midis dy vendeve tona dhe ka shënuar progres të vazhdueshëm në të gjitha fushat, politike, ekonomike, të mbrojtjes, diplomacisë, ligjore dhe çeshtjet e sigurisë. ”Në bashkëpunimin në fushën ushtarake,- nënvizoi zoti Karabina,- SHBA-ja është për Shqipërinë partneri strategjik dhe zë vendin kryesor në modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Ky bashkëpunim përfshin Programin e Luftës kundër Terrorizmit, të Edukimit dhe Stërvitjes, të Financimit të Projekteve të Mbrojtjes, asistencës humanitare, mbështetjes logjistike, modernizimin e FASH, nismën e Kartës së Adriatikut, emergjencat civile, etj”. Në përfundim të fjalës së tij, zv.ministri Karabina, duke iu drejtuar ushtarakëve pjesëmarrës në stërvitje, tha: “Jam plotësisht i bindur se ju së bashku, do të realizoni objektivat e kësaj stërvitje për familjarizimin me procedurat standarde të veprimit të NATO-s, njohjen e armatimit, aftësimin e drejtuesve të niveleve taktike, aftësimin e nënoficerëve në rolin e drejtuesit të stërvitjes dhe aspekte të tjera kulturore dhe psikologjike, duke forcuar më tej miqësinë e bashkëpunimin midis dy vendeve tona”. Të pranishmit u përshëndetën edhe nga shefi i Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak pranë MM-së major Lary Harison dhe zv.ambasadori amerikan në Tiranë Stephan Christina.

Burimi: Ministria e Mbrojtjes

Shqipëri “e pasigurt””


Trazhgim Sokolaj / Tirane

Askush nuk e di çdo të ndodhë. Do të kemi një President edhe ne si pjesa tjetër e botës, apo do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Duket se nuk di shumë as Fatos Nano, që dje demonstroi dijeninë e tij edhe për orarin e kthimit në biletën e kandidatit konsensual për President Arian Zaimi. “Nga të dhënat qytetare që kam, më rezultoi se Ai do të kthehet nesër në ora 05:00 në Bruksel me avionin e Vjenës (siç ndodh zakonisht)”, tha Nano, i cili gjithsesi nuk po mundet të shikojë fundin e tunelit të errët presidencial derisa nuk ka reklamuar ndonjë zgjidhje apo rezultat të mundshëm. Berisha duket se ka gjetur një zgjidhje morale derisa çoi kandidaturën e Barmit Topit në Parlament, duke shuar një zjarr të brendshëm Brenda PD-së që ishte hapur me tërheqjen e kandidaturës së nënkryetarit të demokratëve. Si dhe duke llogaritur ndoshta, se është më mirë të shkohet në zgjedhje të parakohshme, për të cilat edhe e majta nuk duket tërësisht e përgatitur sesa të bëhet një kompromis për Presidentin duke sakrifikuar qëndrimin në detyrë të Kryeprokurorit. Largimi i tij mund të cilësohet ndoshta kauza e kryeministrit actual të Shqipërisë. Edi Rama tha se PS ka ndezur motorët e zgjedhjeve të parakohshme ndërsa pohoi gatishmërinë e qëndrueshme të opozitës për të votuar kandfidatin e cilësuar konsensual Arian Zaimi. Nuk dihet nëse motorët e të majtës janë zgjedhur vërtet për në zgjedhje apo jo, por dihet se deri më tani, edhe pse më parë opozita kishte deklaruar objektivin e saj për zgjedhje të parakohshme, se të majtët morën pjesë në ngociata ashti siç mori pjesë edhe Sali Berisha, njëriu që sot në Shqipëri është ndoshta më pak i interesuari për zgjedhje të parakohshme. Nga ana tjetër pas acarimit të mardhënieve me Bamir Topin, Sali Berisha ka rrezikuar seriozisht edhe me Fatmir Mediun, aleatin e tij më potencial. Ministri actual i Mbrojtjes, ka qenë autori i hedhjes së emrit të Arian Zaimit në tryezën e negociatave për zgjedhjen e Presidentit. Mospranimi i kësaj kandidature nga Berisha thuhet se ka shkaktuar një “tërmet’ në komunikimin mes të dyve. Duket se Ministri i Mbrojtjes është tronditur më shumë nga dështimi i negociatave, sesa nga refuzimi që Sali berisha i ka bërë kandidaturës së hedhur nga Mediu. Ky i fundit deklaroi publikisht se negocioi takimin Berisha-Rama dhe bisedimet mes tyre, vetëm sepse zgjedhja kushtetuese e Presiodentit është kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë që do të japin edhe vlerësimin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Rasti më i afërt kur mund të ndodhë kjo, është Samiti i Bukureshtit 2008. Fatmir Mediu e theksoi disa herë se arritja e konsensusit duhej ti dedikohej edhe atyre kushteve dhe kërkesave të bëra nga ndërkombëtarët. Porn ë kushtet ku jemi, kur nuk dihet çfarë do të ndodhë pas pak orësh ndërsa parashikimet me ditë e me muaj, janë tërësisht të pashpresa, duket se kjo është gjendja më katastrofike në të cilën një vend mund të ndodhet në vitin 2007. Pa krye. Në një kohë kur politika duhet të jetë e angazhuar me turizmin, ndonjë aktivitet kulturor apo argëtues, me mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike, me problemet ekonomike që nuk po marrin fund asnjëherë apo qoftë edhe me korrupsionin, vendi ynë humbet kohë më Presidentin, pa dëshmkuar se mund të zgjidhë edhe këtë problem. Dhe në këto kushte ku ndodhet sot Shqipëria si dhe ku ka gjasa të shkojë, në vërtet nuk do të mundemi të luajmë atë rol që duhet në rajon, dhe veçanërisht në stadin ku ndodhet procesi për pavarësinë e Kosovës. Prej Shqipërisë kërkohet importim i sigurisë, kur Shqipëria në fakt, është e pasigurt së brendshmi në një kënvështrim.

Dubrovnik, Shefi i NATO-s: Vendet e “A3” të hartojnë Programeve Kombëtare Vjetore për anëtarësim në Aleancë


TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Lulzim Basha mori pjesë në Samitin “Jugu i Ri i Europës” që u zhvillua në Dubrovnik të Kroacisë më 06-07 korrik 2007. Në këtë Samit morën pjesë kryetarë shtetesh, kryetarë të qeverive, ministra të jashtëm nga vendet e rajonit, Sekretari i Përgjithshem i NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer, Kryesuesi i radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Spanjës z. Miguel Angel Moratinos, , Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës z. Terri Davis, Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Daniel Fried, opinionbërës të njohur si Zbignieë Brzezinski, Janusz Bugajski, etj. Samiti u zhvillua nën kujdesin dhe drejtimin e Kryeministrit të Kroacise, z. Ivo Sanader. Në Fjalen e tij, Ministri Basha midis të tjerave, u ndal në transformimet e mëdha që ka pësuar rajoni në 15-20 vitet e fundit, duke e shndëruar atë nga një rajon konfliktual në një rajon që gjeneron çdo ditë e më tepër paqe, stabilitet, siguri dhe progres. Më tej, Ministri Basha theksoi se sfida e integrimit në të dy nivelet – në atë rajonal dhe në atë europian, përbën sfidën më madhore që qëndron para vendeve tona. Duke vënë në dukje disa nga arritjet e fundit në konkretizimin e bashkëpunimit rajonal, Ministri Basha u shpreh se thellimi i integrimit të vendeve të rajonit nuk mund të kuptohet pa lëvizjën e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të kapitaleve. Ai e quajti jo normale situatën aktuale, kur ekzistojne një numur barrierash për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë brenda rajonit dhe kërkoi reciprocitetin e vendeve fqinje në drejtim të liberalizimit apo të heqjës së regjimit të vizave. Duke u ndalur në statusin përfundimtar të Kosovës, z. Basha e vlerësoi atë si një çështje madhore, jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe më gjërë, që për fat të keq, mbetet ende e pazgjidhur, si pasojë e përpjekjeve nga faktorë brenda dhe jashtë rajonit për ta shtyrë pa fund përcaktimin e statusit të saj. Në këtë kontekst ai vuri në dukje disbalancen që egziston midis pretendimeve të ndonjë faktori të jashtëm për vendimmarrje lidhur me çështjen e Kosovës, duke e mbajtur peng statusin e saj të papërcaktuar dhe angazhimteve të tij konkrete për zgjidhjen e problemeve reale të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Unilateralizmin bllokues në Këshillin e Sigurimit e konsideroi si pengesë për miratimin e rezolutës që do ti hapte rrugë sanksionimit de jure të gjendjes se re të krijuar në terren, pavarësisë de fakto të Kosovës, të mbikqyrur nga faktori ndërkombëtar. Duke përfunduar, Ministri Basha theksoi se plani i Ahtisarit është një plan realist dhe që ka në themel kompromisin dhe bëri thirrje që sa më shpejt që të njihet dhe të pranohet ky plan, i diktuar nga realitetet dhe sensibilitetet në Kosovë, aq më mirë do të jetë për vetë Kosovën, për fqinjët e saj dhe krejt rajonin tonë. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer, gjatë fjalës së tij, shprehu bindjen e thellë se integrimi euro-atlantik ofron kuadrin e nevojshëm për reforma të pakthyeshme në gjithë rajonin e Europës Juglindore. Tre vendet aspirante, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, theksoi ai, kanë ndërmarrë reforma të guximshme që i kanë afruar më shumë, jo vetëm me NATO-n, por edhe me BE. Hapi i ardhshëm i tyre tani është hartimi i Programeve Kombëtare Vjetore për anëtarësim në Aleancë. Gjithashtu ai kërkoi angazhimin e Parlamenteve përkatëse si dhe informimin e opinioinit publik për avantazhet, por edhe për përgjegjësitë që bart anëtarësimi në NATO. Lidhur me çëtjen e Kosovës, z. Scheffer theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i rajonit varet nga stabiliteti, i cili do të forcohej shumë me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Planin e Ahtisarit e quajti një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, mbi të cilën mund të mbeshtetet vendimi i Keshillit të Sigurimit. Scheffer bëri thirrje që të shmangen vonesat e panevojshme për gjetjen e zgjidhjes të statusit të Kosovës. Nga ana e tij Ndihmes Sekretari i Shtetit i SHBA-se, z. Daniel Fried, pjesën më të madhe të fjalës së tij ia kushtoi Kosovës. Ai e quajti atë një sfide që nuk mund të shmanget. Sipas tij, statukuoja aktuale nuk funksionon, ndërkohe që Plani i Ahtisarit është mjaft i qartë dhe ofron zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Këshilli i Sigurimit duhet të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon dhe të miratojë rezolutën e re. Në çdo rast, përfundoi ai, ne duhet të ecim përpara. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është ne Europë. Analisti dhe studjuesi i njohur, Zbignieë Brzezinski u ndal në konceptin e „lodhjes“ së Evropes nga zgjerimi i mëtejshëm i saj, duke e cilësuar atë si një koncept që mund të çojë në destabilizim. Sipas tij, proceset integruese duhet të përfshijnë jo vetëm Ballkanin Perendimor, por edhe Turqinë, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Për çështjen e Kosovës, ai u shpreh se populli i saj meriton vetvëndosjen. Ai theksoi se ky parim nuk duhet të bllokohet nga shtetet që kanë një rekord negativ në respektimin e të drejtës së popujve për vetvëndosje. Gjatë zhvillimit të punimeve të Samitit, Ministri Basha zhvilloi, gjithashtu, disa takime informale dypalëshe si me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer, Kryeministrin e Kroacisë, z. Ivo Sanader, Kryeministrin e Kosovës, z. Agim Çeku, Ministren e Punëve të Jashtme të Kroacisë, znj. Kolinda Grabar Kitarovic, Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë z. Karl Bild, Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë z. Lazar Elenovski, etj. Burimi: Ministria e Jashtme

Shqipëri, dritëhijet presidenciale

Trazhgim Sokolaj

TIRANE - Ka pluhur në rrugët që pastrohen rrallë. Asfalti është mbuluar me një shtresë të ndyrë dhe të lëvizshme prej dheu të hollë. Në trotuare nuk gjenden vetëm bishta cigaresh, por edhe kosha plehrash të sakatosur e të deformuar, shishe plastike të boshatisura plotësisht ose përgjysmë, qese mbeturinash te hedhura nga pallatet e larta, që kanë shpërthyer në momentin e rënies në tokë apo kushedi se kur. Autobusët që lëvizin gjithë ditën në Unazën e Tiranës duket sikur po kalojnë çastet e fundit para shpërthimit. Në shtyp kam lexuar që i cilësuan “sauna lëvizëse” por gjithsesi qytetarët e Tiranës në përpjekje për ti shpëtuar vapës përveluese dhe pluhurit të merzitshëm, përsëri lëvizin me autobusë, i mbushin plot ata. Tirana po përjeton ato momentet kur banorët fillojnë dhe rrallohen dhe në rrugë duken gjithnjë e më pak njerëz. Kjo vazhdon deri në ditët e fundit të muajit gusht kur ndodh e kundërta. Është vapë këto ditë. Ambienti duket si një furrë e madhe që nxeh e nxeh krejt i pavarur nga gjendja e energjisë elektrike. Bën vapë kur ka energji por edhe kur mungon ajo. Kohët e fundit po na ndodh që po flemë gjithnjë e më vonë. Qëndrojmë zgjuar sepse duam të mësojmë ç`po ndodh në vendin e shqipeve, çfarë përfundimesh dhe pretendimesh kërkesash a kontestimesh po bisedohen në atë proces negociatash të stërgjatura dhe të vonuara që po konkurron dukshëm me çdo program televiziv edhe pse me audiencë gjithnjë në rënie. Mungesa e gjumit na e mpin kokën krejt, skemi durim, jemi nervozë për shumëçka. Në këto ditë të vapshme, kur na mungojnë shumë gjëra, jemi kapluar si mos më keq nga ngerçi presidencial nga i cili vendi dhe politikanët tanë nuk po dalin dot. Sikur të mos mjaftonin të gjitha të tjerat edhe kjo na mungonte. Na kërcënohet një notë dhe vlerësim negativ nga ndërkombëtarët, zgjedhje te parakohshme dhe një katrahurë të paparë që askush nuk e merr me mend konkretisht. E pra, ja ku jemi. Në udhëkryq. Pjesa më e madhe e punonjësve të administratës por edhe punëmarrësit në subjektet privatë ose janë duke marrë pushimet, ose po i planifikojnë e ndoshta i kanë filluar ato. A është i shkrehur shteti? Ministritë ku pati ndryshime pas zgjedhjeve të 18 shkurtit kur u bënë edhe ndërhyrje në Qeveri, duket se kanë përfunduar ambientimin me “reformat” e radhës. Në Polici, pak ditë para se të merrnin pushimet, 852 punonjës morën mandatën se u janë shkurtuar funskionet organike, ose shkurt e thjeshtë: janë shkarkuar nga puna. Ministri i Brendshëm i Kosovës, i ankua pak ditë më parë tek homologu i tij shqiptar se kosovarët që po vijnë për turizëm në Shqipëri, po lënë kokën rrugëve, një familje kosovare u shua gati e gjitha pas një aksidenti të tmerrshëm në afërsi të Elbasanit. Prokuroria është në ethe. Pjesë e negociatave dhe bisedimeve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, është bërë edhe kushti i maxhorancës aktuale për ndryshime në statusin e Prokurorit të Përgjithshëm, konkretisht kalim i varësisë së tij nën Qeverinë dhe kufizimi i mandatit për ushtrimin e funskionit. Si një jurist me përvojë dhe një profesionist i matur dhe i duruar, Sollaku ka heshtur deri më tani edhe pse duket se ka një pezmatim nga fakti se politika për interesa të saj e përfshiu së fundi edhe Prokurorinë, në “pazarin presidencial”. Në disa zona të vendit ka probleme me ujin e pijshëm dhe me furznimimin me energji elektrike. Gjithandej thuhet se po bien zjarre që po bëjnë kërdinë, ndërsa maturantët e dalluar të gjimnazeve të Tiranës janë llaftarisur kur për herë të parë pas katër viteve që kur kanë frekuentuar shkollën e mesme, kanë marrë nota të tilla si 5, 6 apo 7, në provimin e Letërsisë për Maturën Shtetërore. Kryeministri i vendit duket sikur ka harruar fare funskionin e tij qeverisës, ose kështu shfaqet publikisht së paku, ashtu si kryetari i opozitës i cili edhe ai, nuk po bën oponencën e qeverisë për vendimet e saj të radhës. Është me vend të përsëritet ndoshta, se negociatat dhe mënyra si u zhvilluan ato, lanë të kuptohej emërimin dhe jo zgjedhjen e Presidentit kushdo qoftë ai, ndërs nxorën jashtë loje institucionin bazë të demokracisë, Parlamentin. Megjithatë vlen të theksohet se së paku, këto negociata që na futën tmerrin dhe na stresuan këto ditë të vështira, na shërbyen për disa gjëra. Disa gjëra të shtrenjta për ne, por jo për kombe të tjera të Europës. E kam fjalën për uljen në një tavolinë të dy kundërshtarëve kryesore politikë të këtij vendi që vetëm kanë thumbuar njëri-tjetrin duke bojkotuar çdo kontakt të mundshëm mes tyre. Nuk e kam fjalën vetëm për efektin viziv që na dha ulja e Ramës dhe Berishës në një tavolinë, por edhe per produktin: Reforma në Drejtësi, kjo e shumëpërfolur reformë në prokurori, gjykata, KLD etj. Besoj se këto ishin produkte të mira të këtyre negociatave të mërzitshme dhe të mos harrojmë, pas uljes së Ramës dhe Berishës në tryezë, emrat e kandidatëve për President filluan ti largohen gjithnjë e më shumë botës politike, ndikimit dhe prejardhjes së saj. Kjo mendoj se është me gjithë mend një gjë e mirë. Përkundër të gjitha këtyre, edhe njëherë klasa jonë politike, e shfaqi veten të paaftë për dialog dhe për marrëveshje. Natyrisht, kjo nuk është një skenë e mirë në sytë e ndërkombëtarëve dhe për këtë mjafton të kujtojmë fytyrën e vërenjtur të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili sikurse thuhet, negocioi takimin Berisha-Rama. Mediu jam i bindur se e di mirë, çfarë kërkohet nga Shqipëria në Samitin e ardshëm të NATO-s në Bukuresht. Me sa dijeni kam unë, kërkohet: Stabiliteti politik mes të tjerash, qëndrueshmëria dhe digalogu politik ndoshta është më e rëndësishmja që kërkojnë nga ky vend. Ndaj për këtë stabilitet ende të munguar kam përshtypjen se ishte i shqetësuar Fatmir Mediu, sepse pa stabilitet politik, ekonomia nuk mund të jetë e qëndrueshme ndërsa institucionet nuk mund të përforcohen. Dhe Mediut besoj se i ka ndodhur, për shkak të detyrës që kryen, që ndërkombëtarët t`ia përsërisin disa herë atë që kërkojnë aktualisht nga Shqipëria për të dhënë më pas OK-un e japjes së portave të integrimit.

Jugu i Ri i Europës, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në Samitin e Dubrovnikut


Ministria e Jashtme në Tiranë njoftoi se më 6 korrik 2007, kreu i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha, në kryesim të një delegacioni zyrtar, do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë, të titulluar “Jugu i ri i Europës”. Aktiviteti është organizuar dhe mbahet në Dubrovnik të kroacisë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme në Tiranë, “ky Samit do të zhvillohet në qytetin kroat të Dubrovnikut, më 6- 7 korrik 2007 ndërsa do të marrin pjesë kryeministra, ministra të jashtëm si dhe personalitete të tjera të larta të vendeve të rajonit tonë, të disa vendeve europiane si dhe të SHBA–ve”. Në deklarratën e Ministrisë së Jashtme në Tiranë, thuhet se në Samit “do të jenë të pranishëm gjithashtu edhe përfaqësues të lartë të BE-së, NATO-s dhe të Këshillit të Europës. Në këtë Samit, në të cilin Ministri i Jashtëm z.Basha do të mbajë një fjalë në emër të delegacionit shqiptar, pritet të trajtohen ccështje të rëndësishme si bashkëpunimi rajonal, procesi i integrimit në BE dhe NATO, cështja e përcaktimit të statusit final të Kosovës etj. Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, Ministri Basha sipas konfirmimeve zyratare do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me përfaqësuesit e vendeve apo organizatave pjesëmarrëse në aktivitetin që zhvillohet në Dubrovnik.

Luksemburgu ratifikon marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë

Në datë 3 korrik 2007, Dhoma e Deputetëve e Dukatit të Madh të Luksemburgut ka ratifikuar me unanimitet Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit me Shqipërinë.Luksembourgu bëhet kështu vendi i dhjetë i BE-së që e ka ratifikuar marrëveshjen duke iu bashkuar Letonisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Polonisë, Suedisë, Hungarisë, Spanjës, Lituanisë dhe Irlandës.Vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian janë në përfundim të procedurave të ratifikimit. Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron këtë process si një ndër aspektet më të rëndësishëm të aktivitetit të saj. Ajo është në kontakt të vazhdueshëm me vendet anëtare të BE-së për të mundësuar ecurinë normale të procesit të ratifikimit të MSA-së në përputhje me procedurat përkatëse të çdo vendi.

“Franca mbështet integrimin euroatlantik të Shqipërisë”


Trazhgim Sokolaj / TIRANE
“Shqipëria është përfshirë në reforma të rëndësishme të mbrojtjes me qëllim integrimin euroatlantik, ju siguroj edhe njëherë mbështetjen e Francës në këtë përpjekje”. Ky është një fragment i letrës që Ministri Shqiptar i Mbrotjes Fatmir Mediu ka marrë nga homologu i tij francez Herve Morin. Burime zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, deklaruan se Ministri Fatmir Mediu ka marrë një letër nga ministri i Mbrojtjes i Francës Herve Morin, i cili i shpreh falenderimet e tij për mesashin dashamirës që Ministri shqiptar Mediu i ka dërguar këto ditë atij me rastin e emërimit në postin e lartë të Ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e re të Francës. “Ju falenderoj përzemërsisht për mesazhin dashamirës që ju më keni drejtuar me rastin e emerimit tim në postin e Ministrit të Mbrojtjes”, i shkruan, ndër të tjera, Ministrit Mediu homologu i tij francez Morin. Më tej, ministri franzez ka theksuar se, jam i kënaqur nga intensifikimi i marrëdhenieve dypalëshe midis dy vendeve tona në këto vitet e fundit dhe ju siguroj edhe njëherë për ndjenjat e forta të Francës për lidhjet e miqësisë dhe besimit që na bashkojnë. “Shqipëria është përfshirë në reforma të rëndësishme të mbrojtjes me qëllim integrimin euroatlantik, vijon më tej në letrën e tij ministri francez i Mbrojtjes Morin, u siguroj edhe njëherë mbështetjen e Francës në këtë përpjekje. Të jeni të sigurt se do të gjeni tek unë një bashkëbisedues të vëmendshëm dhe disponibël, gjithmonë të gatshëm për të punuar për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes”. “Duke ju përsëritur falenderimet e mia, ju lutem të besoni, Zoti Ministër, në sigurimin e konsideratës më të lartë”, e mbyll letrën e tij drejtuar zotit Mediu, kreu i Mbrojtjes Franceze, Herve Morin. Ministri i Mbrojtjes Mediu, ka zhvilluar një aktivitet të dendur në zgjerimin e mardhënieve me vendet anëtare të Organizatës së Atlantikut Verior, të cilat duhet të votojnë në rast se Shqipëria ftohet në Samitin e radhës të NATO-s në Bukuresht. Pjesa më e madhe e këtyre vendeve janë vizituar deri më tani nga Mediu i cili ka marrë mbështetje për procesin e integrimit dhe veccanërisht vlerësime për përparimin në fushën e Mbrojtjes.

Përfaqësuesit e kompanive McDonald’s dhe Heineken, takime me Kryeministrin e Shqipërisë


Trazhgim Sokolaj/TIRANE
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka pritur sot në një takim në zyrën e tij pranë Këshillit të Ministrave përfaqësues të lartë të dy kompanive të mëdha Haineken dhe McDonald’s. Sipas burimeve zyrtare nga Këshilli i Ministrave, mësohet se Drejtori për Evropën Qendrore për Heineken z. Xavier Belison i ka shprehur në këtë takim Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha interesin për të filluar aktivitetin e prodhimit të birrës Heineken edhe në Shqipëri. Të njëjtin interes, për ngritjen e një rrjeti McDonald’s jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë i ka shprehur Kryeministrit Berisha edhe menaxheri i përgjithshëm i McDonald’s z. Zoran Matliesvski. Burimet zyrtare thanë se Kryeministri u ka garantuar përfaqësuesve të këtyre kompanive mbështetjen e qeverisë shqiptare për kapërcimin e procedurave administrative, që të bëhet e mundur zhvillimi i këtyre dy aktiviteteve të mëdha në Shqipëri. Gjatë pjesës së parë të ditës Kryeministri Berisha ka pritur ne zyrën e tij drejtues të lartë të kompanisë italiane COLACER. Presidenti i kompanisë Pasquale Colaiacovo dhe adminitratori Carlo Colaiacovo i kanë paraqitur Kryeministrit projektin e ndërtimit të një fabrike çimentoje në Lezhë, me vlerë 200 milionë dollarë. Një projekt ky që ka marrë gjithashtu mbështetjen e Kryeministrit Berisha. Interesimi i kompanive të huaja për tu njohur me klimën e biznesit në Shqipëri vjen vetëm pak kohë pas vizitës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Një eveniment historik i cili sicc është pranuar masivisht në Shqipëri, ka ndikuar së tepërmi në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar për vendin e vogël ballkanik. Situta e rendit dhe qetësisë vlerësohet pozitivisht krahasuar me dhjetë vitet e fundit ndërsa i vetmi aspekt ku artikulohen kritika është stabiliteti politik.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania