Shqipëri, dritëhijet presidenciale

Trazhgim Sokolaj

TIRANE - Ka pluhur në rrugët që pastrohen rrallë. Asfalti është mbuluar me një shtresë të ndyrë dhe të lëvizshme prej dheu të hollë. Në trotuare nuk gjenden vetëm bishta cigaresh, por edhe kosha plehrash të sakatosur e të deformuar, shishe plastike të boshatisura plotësisht ose përgjysmë, qese mbeturinash te hedhura nga pallatet e larta, që kanë shpërthyer në momentin e rënies në tokë apo kushedi se kur. Autobusët që lëvizin gjithë ditën në Unazën e Tiranës duket sikur po kalojnë çastet e fundit para shpërthimit. Në shtyp kam lexuar që i cilësuan “sauna lëvizëse” por gjithsesi qytetarët e Tiranës në përpjekje për ti shpëtuar vapës përveluese dhe pluhurit të merzitshëm, përsëri lëvizin me autobusë, i mbushin plot ata. Tirana po përjeton ato momentet kur banorët fillojnë dhe rrallohen dhe në rrugë duken gjithnjë e më pak njerëz. Kjo vazhdon deri në ditët e fundit të muajit gusht kur ndodh e kundërta. Është vapë këto ditë. Ambienti duket si një furrë e madhe që nxeh e nxeh krejt i pavarur nga gjendja e energjisë elektrike. Bën vapë kur ka energji por edhe kur mungon ajo. Kohët e fundit po na ndodh që po flemë gjithnjë e më vonë. Qëndrojmë zgjuar sepse duam të mësojmë ç`po ndodh në vendin e shqipeve, çfarë përfundimesh dhe pretendimesh kërkesash a kontestimesh po bisedohen në atë proces negociatash të stërgjatura dhe të vonuara që po konkurron dukshëm me çdo program televiziv edhe pse me audiencë gjithnjë në rënie. Mungesa e gjumit na e mpin kokën krejt, skemi durim, jemi nervozë për shumëçka. Në këto ditë të vapshme, kur na mungojnë shumë gjëra, jemi kapluar si mos më keq nga ngerçi presidencial nga i cili vendi dhe politikanët tanë nuk po dalin dot. Sikur të mos mjaftonin të gjitha të tjerat edhe kjo na mungonte. Na kërcënohet një notë dhe vlerësim negativ nga ndërkombëtarët, zgjedhje te parakohshme dhe një katrahurë të paparë që askush nuk e merr me mend konkretisht. E pra, ja ku jemi. Në udhëkryq. Pjesa më e madhe e punonjësve të administratës por edhe punëmarrësit në subjektet privatë ose janë duke marrë pushimet, ose po i planifikojnë e ndoshta i kanë filluar ato. A është i shkrehur shteti? Ministritë ku pati ndryshime pas zgjedhjeve të 18 shkurtit kur u bënë edhe ndërhyrje në Qeveri, duket se kanë përfunduar ambientimin me “reformat” e radhës. Në Polici, pak ditë para se të merrnin pushimet, 852 punonjës morën mandatën se u janë shkurtuar funskionet organike, ose shkurt e thjeshtë: janë shkarkuar nga puna. Ministri i Brendshëm i Kosovës, i ankua pak ditë më parë tek homologu i tij shqiptar se kosovarët që po vijnë për turizëm në Shqipëri, po lënë kokën rrugëve, një familje kosovare u shua gati e gjitha pas një aksidenti të tmerrshëm në afërsi të Elbasanit. Prokuroria është në ethe. Pjesë e negociatave dhe bisedimeve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, është bërë edhe kushti i maxhorancës aktuale për ndryshime në statusin e Prokurorit të Përgjithshëm, konkretisht kalim i varësisë së tij nën Qeverinë dhe kufizimi i mandatit për ushtrimin e funskionit. Si një jurist me përvojë dhe një profesionist i matur dhe i duruar, Sollaku ka heshtur deri më tani edhe pse duket se ka një pezmatim nga fakti se politika për interesa të saj e përfshiu së fundi edhe Prokurorinë, në “pazarin presidencial”. Në disa zona të vendit ka probleme me ujin e pijshëm dhe me furznimimin me energji elektrike. Gjithandej thuhet se po bien zjarre që po bëjnë kërdinë, ndërsa maturantët e dalluar të gjimnazeve të Tiranës janë llaftarisur kur për herë të parë pas katër viteve që kur kanë frekuentuar shkollën e mesme, kanë marrë nota të tilla si 5, 6 apo 7, në provimin e Letërsisë për Maturën Shtetërore. Kryeministri i vendit duket sikur ka harruar fare funskionin e tij qeverisës, ose kështu shfaqet publikisht së paku, ashtu si kryetari i opozitës i cili edhe ai, nuk po bën oponencën e qeverisë për vendimet e saj të radhës. Është me vend të përsëritet ndoshta, se negociatat dhe mënyra si u zhvilluan ato, lanë të kuptohej emërimin dhe jo zgjedhjen e Presidentit kushdo qoftë ai, ndërs nxorën jashtë loje institucionin bazë të demokracisë, Parlamentin. Megjithatë vlen të theksohet se së paku, këto negociata që na futën tmerrin dhe na stresuan këto ditë të vështira, na shërbyen për disa gjëra. Disa gjëra të shtrenjta për ne, por jo për kombe të tjera të Europës. E kam fjalën për uljen në një tavolinë të dy kundërshtarëve kryesore politikë të këtij vendi që vetëm kanë thumbuar njëri-tjetrin duke bojkotuar çdo kontakt të mundshëm mes tyre. Nuk e kam fjalën vetëm për efektin viziv që na dha ulja e Ramës dhe Berishës në një tavolinë, por edhe per produktin: Reforma në Drejtësi, kjo e shumëpërfolur reformë në prokurori, gjykata, KLD etj. Besoj se këto ishin produkte të mira të këtyre negociatave të mërzitshme dhe të mos harrojmë, pas uljes së Ramës dhe Berishës në tryezë, emrat e kandidatëve për President filluan ti largohen gjithnjë e më shumë botës politike, ndikimit dhe prejardhjes së saj. Kjo mendoj se është me gjithë mend një gjë e mirë. Përkundër të gjitha këtyre, edhe njëherë klasa jonë politike, e shfaqi veten të paaftë për dialog dhe për marrëveshje. Natyrisht, kjo nuk është një skenë e mirë në sytë e ndërkombëtarëve dhe për këtë mjafton të kujtojmë fytyrën e vërenjtur të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili sikurse thuhet, negocioi takimin Berisha-Rama. Mediu jam i bindur se e di mirë, çfarë kërkohet nga Shqipëria në Samitin e ardshëm të NATO-s në Bukuresht. Me sa dijeni kam unë, kërkohet: Stabiliteti politik mes të tjerash, qëndrueshmëria dhe digalogu politik ndoshta është më e rëndësishmja që kërkojnë nga ky vend. Ndaj për këtë stabilitet ende të munguar kam përshtypjen se ishte i shqetësuar Fatmir Mediu, sepse pa stabilitet politik, ekonomia nuk mund të jetë e qëndrueshme ndërsa institucionet nuk mund të përforcohen. Dhe Mediut besoj se i ka ndodhur, për shkak të detyrës që kryen, që ndërkombëtarët t`ia përsërisin disa herë atë që kërkojnë aktualisht nga Shqipëria për të dhënë më pas OK-un e japjes së portave të integrimit.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania