Tiranë, Presidenti dekoron ambasadoren amerikane në Shqipëri Marsi Ries


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Marsi Ries u dekorua në Tiranë nga presidenti Alfred Moisiu. Kreu i shtetit shqiptar i dorëzoi ambasadores Ries "Medaljen e Mirënjohjes" në shenjë respekti dhe vlerësimi të lartë për kontributin e dhënë prej saj gjatë aktivitetit diplomatik në Shqipëri. Sipas motivacionit të medaljes veprimtaria e ambasadores Ries ka forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë e të bashkëpunimit që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ambasadorja Ries filloi punën e saj në krye të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë në tetor të vitit 2004. Mandati i saj përfundonte në fillim të vjeshtës, por ajo do të largohet pak ditë pas vizitës së presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë. Ambsadorja Ries është ngarkuar me një tjetër detyrë, atë të këshilltares për çështjet politiko ushtarake në Irak. Në vend të ambasadores Ries, presidenti Bush ka propozuar që në Tiranë, selia diplomatike të drejtohet nga Xhon Uidhërs, i dytë.
Marrë nga Zëri i Amerikës

Bruksel, Komisioni Europian kërkon më shumë nga Shqipëria për reformën zgjedhore, kthimin e pronave dhe të drejtat e të burgosurve


Zhvillohet në Bruksel CTF-ja e 16-të (Consultative Task Force) midis përfaqësuesve të BE-së dhe Shqipërisë. Takimi i 16-të Grupit të Përbashkët Konsultativ (CTF) midis BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 5 qershor në Bruksel. Takimi i Grupit të Përbashkët Konsultativ u përqendrua në progresin e Shqipërisë në një numër prioritetesh të përcaktuara në dokumentin e Partneritetit Europian me Shqipërinë, ku bëjnë pjesë reforma zgjedhore, rikthimi i pronave, liria e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve. Ministrja Bregu përshkroi progresin e Shqipërisë në këto fusha dhe planet e qeverisë për përmirësime të mëtejshme. Në lidhje me reformën zgjedhore, Komisioni Europian përshëndet ngritjen e komisionit të ri parlamentar për reformën zgjedhore, por kërkoi një angazhim më të madh mes partive për reformën zgjedhore e cila tashmë është e shtyrë në kohë. Komisioni përshëndeti ngritjen e strukturave të reja për reformën e kthim/kompensimit të pronave, por nënvizoi se përshpejtimi i regjistrimit, rikthimit dhe kompensimit të pronave janë jetike për përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri. Komisioni nënvizoi se ligjet e reja për median duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së për të promovuar sa më mirë lirinë e shprehjes. Në lidhje me të drejtat e njeriut, Komisioni theksoi se Shqipëria duhet të bëjë progres të mëtejshëm në mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve dhe në ndëshkimin e fajtorëve. Komisioni inkurajoi Shqipërinë që të marrë masa për analizimin e saktë të përmasave të minoriteteve, dhe që të shtojë përpjekjet për të promovuar punësimin e romëve. Këtu janë fusha kyçe për të pasur sukses në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në këtë aspekt, ato janë jetike për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Komisioni nënvizoi se përmirësimi i bashkëpunimit dhe stabilitetit ekonomik është thelbësor për miratimin dhe zbatimin e legjislacion efikas të reformave. Komisioni Europian shtoi se progesi I reformave të Shqipëri do të vlerësohet në Progres Raportin që publikohet në nëntor. Ministrja Bregu siguroi Komisionin se Shqipëria do të tregojë vendosmëri në përmbushjen e angazhimeve që ka marrë. Delegacioni i Shqipërisë kryesohej nga Ministrja e Integrimit Europian, Znj.Majlinda Bregu. Delegacioni i BE-së kryesohej nga Znj.Andrea Berdesinski në emër të Presidencës gjermane të BE-së, dhe nga Z.Pierre Mirel, I ngarkuari i Komisionit Europian për çështjet e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës.
Burimi: Ministria e Integrimit Europian Komisioni Europian

Ministri Mediu takohet me përfaqësues të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë



TIRANE - Në pasditen e datës 4 qershor 2007, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka pritur në një takim të veçantë përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, të kryesuar nga presidenti i saj Mehdi Pogaçi. Në takim krerët e kësaj Shoqate i kanë parashtruar Ministrit Mediu kërkesat kryesore të tyre për mbrojtjen e interesave të ushtarakëve në rezervë, duke i qëndruar fort linjës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me strukturat shtetërore dhe veçanërisht me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA-së. Problemi kryesor i bisedës ishte zbatimi i ligjit për pensionet e ushtarakëve, duke e parë këtë në raport me kërkesat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26.02.2007, duke respektuar për këtë afatet e caktuara edhe në urdhrin e Kryeministrit Berisha për ngritjen e grupi ndërdikasterial të punës për trajtimin financiar të ushtarakëve në rezervë. Krahas këtij problemi, përfaqësuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, i kanë parashtruar ministrit të Mbrojtjes edhe disa probleme të tjera, si përgatitjen dhe pajisjen e ushtarakëve në rezervë me dokumente identifikimi, dhënien në përdorim të Shoqatës të disa objekteve të mundshme që aktualisht zotërohen nga ushtria, përfitimin e kredive për ushtarakët në rezervë e në pension, për përgatitjen e rregullores së ceremonialit etj. Në këtë takim, Ministri Mediu shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për një bashkëpunim të mëtejshëm me Shoqatën e Ushtarakëve në Rezervë jo vetëm për pensionet, por edhe për çështje të tjera në ndihmë të ushtarakëve. Kështu ai tha se, po punohet për përgatitjen e kartave të identitetit të ushtarakëve të liruar dhe në pension, ndërsa për objekte që i nevojiten shoqatës, Ministri Mediu nënvizoi se do shihet mundësia që në ish-shtëpitë e ushtarakëve të jepen ambjente për zyra, sidomos për degët e kësaj shoqate në rrethe. Për çështjen e pensioneve të ushtarakëve, zoti Mediu u shpreh se kjo çështje nuk është vetëm e Ministrisë së Mbrojtjes, por kryesisht është e Ministrisë së Financave, e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Për këtë, theksoi ai, është kërkuar që të verifikohen në mënyrë krahasuese të dhënat që ka ISSH me ato që ka Ministria e Mbrojtjes për të përcaktuar numrin e ushtarakëve përfitues. Duke folur për faturën financiare të lartë që kërkon trajtimi i ushtarakëve me pensione suplemetare, Ministri Mediu u shpreh se duhet të gjenden forma të pranueshme e të përballueshme nga palët, si shtrirja në kohë e përfitimit të tyre etj. Për të gjitha problemet dhe shqetësimet e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, theksoi në përfundim të këtij takimi Ministri Mediu, duhet të rritet fryma e bashkëpunimit dhe të mbahet kontakt i vazhdueshëm me strukturat përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
Burimi: Ministria e Mbrojtjes

Shenim: Pak kohë më parë, gjatë një takimi me gazetarët shqiptarë në Selinë e NATO-s në Bruksel, ushtarakët e Organizatës së Atlantikut Verior, u shprehën se për një vend, ushtarakët në rezervë, janë shumë të rëndësishëm. Ministria e Mbrojtjes, duhet të ketë një database lehtësisht të shfrytëzueshme në çdo moment, për ushtarakët në rezervë, me natyrën e detyrave që ata kanë kryer, vendndodhjen, specializimet dhe trajnimet në fushën ushtarake me qëllim që edhe ata të japin kontribut në zhvillimin e Forcave të Armatosura.

Deputetët grekë: Athina do të asistojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO


TIRANE – Greqia mbështet procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Kështu u shprehën deputetët e Parlamentit grek, anëtarë të grupit të miqësisë pas takimit që zhvilluan në kryeqytetin shqiptar me kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Parlamentarët grekë të cilët mbërritën një ditë më parë në Tiranë për vizitë zyrtare, konfirmuan se qeveria e tyre do të ndihmojë dhe asistojë çdo përpjekje të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Europian. Gjatë takimeve të tyre në Tiranë, deputetët e Parlamentit të Athinës, shfaqën interes lidhur me respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri dhe më pas vlerësuan korrektësinë e qeverive shqiptare, të majta apo të djathta lidhur me trajtimin e këtij minoriteti në Shqipëri. Deklaratat e deputetëve grekë vijnë një vit para samitit të Bukureshtit, ku qeveritarët shqiptarë janë shprehur se Shqipëria shpreson të marrë ftesën për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut Verior, NATO.

Presidenti Moisiu: Studentët e dalluar, ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Europë


TIRANE - Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ishte i ftuar në ditën e hapjes së projektit “Udhëtim në Evropë” të organizuar nga lëvizja “Mjaft” në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Republikës së Gjermanisë në vendin tonë, si dhe Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Me këtë rast, të pranishëm në mjediset e Akademisë së Arteve, ku u zhvillua ky aktivitet ishin të pranishëm, z. Hans Peter Anen, Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, z. Shezai Rrokaj, Rektor i Universitetit të Tiranës, z. Erjon Veliaj, Drejtues i lëvizjes “Mjaft”, të tjerë bashkëpunëtorë në këtë nismë, si dhe disa studentë nga fakultete të ndryshme me rezultate të dalluara. Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Moisiu vuri në dukje dhe vlerësoi rolin shumë të madh të rinisë në jetën e çdo kombi e sidomos të atij shqiptar, që është një komb me histori, kulturë dhe tradita të lashta, por që për shumë arsye historike virtytet e popullit shqiptar ende mbeten për tu nxjerrë në pah. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit nënvizoi rëndësinë dhe vlerat e nismave si kjo në fjalë për të mundësuar lëvizjen nëpër Evropë të një grupi studentësh të dalluar për arritjet e tyre në mësime, të cilët me kulturën dhe me sjelljen e tyre do të ndihmojnë realisht në njohjen e vlerave tona nga qytetarët evropianë, por dhe do të sjellin në Shqipëri një eksperiencë të veçantë. Në mënyrë të veçantë, Presidenti foli për bashkëjetesën, harmoninë dhe tolerancën fetare që është një traditë në vendin tonë, por dhe një vlerë e paçmuar, që shërben si pikë referimi dhe për vendet e tjera. “Ne jemi një ndër vendet e rralla ku tre besimet fetare bashkëjetojnë në mirëkuptim, në paqe dhe në tolerancë me njëri-tjetrin dhe rëndësia dhe vlerat e kësaj nuk janë aq të thjeshta për tu kuptuar të dashur miqtë e mi”, - iu drejtua z. Moisiu të rinjve në sallë, duke shtuar “shpesh qytetarët e vendeve të tjera evropiane befasohen, kur ne i themi se si është e ndërtuar familja shqiptare në aspektin fetar dhe se si ne bashkëpunojnë me njëri-tjetrin”. “Megjithatë ne shqiptarët që të gjithë besojmë tek Zoti dhe kjo është një gjë me të vërtetë shumë e madhe”, - u shpreh Presidenti.Në vijim, Presidenti Moisiu vuri në dukje që është koha tashmë në Shqipëri që vlerat të vihen në pah dhe të shpërblehen dhe se ky është një stimul për këdo dhe në mënyrë të veçantë për studentët. “Ju jeni elita e ardhshme e këtij vendi, ju do të jeni drejtuesit e ardhshëm të këtij vendi, ju do do të jeni biznesmenët e ardhshëm të këtij vendi, ju do të jeni drejtuesit dhe promovuesit e kulturës të këtij vendi dhe kështu me radhë. Kjo bazohet jo vetëm në dëshirë, por edhe në mund, në përpjekje për të mësuar sa më shumë, për të nxënë sa më shumë, për të marrë sa më shumë nga kushtet që ju ofrohen”, - u shpreh Presidenti dhe theksoi se “duhet të mësoheni nga mangësitë që keni evidentuar në jetën tonë, për tu bërë më të mirë për të qenë të dobishëm në radhë të parë për veten tuaj, për familjen tuaj, për kombin tuaj dhe për të qenë të bindur se asgjë nuk vete dëm”. Në këtë drejtim, z. Moisiu mori shembull nga puna e bujkut, i cili sa më shumë i shërben bimës, aq më shumë fruta ajo i jep. “Edhe ju, sa më shumë t’i bëni shërbim kulturës, dijeve, profesionit tuaj, aq më të aftë do të jeni. Konkurenca e lirë e ekonomisë së tregut nuk është aq e thjeshtë, por ajo kërkon përzgjedhje dhe përzgjedhja bëhet në bazë të aftësive”, - u shpreh Presidenti. Të pranishmit në këtë takim që morën fjalën po ashtu vlerësuan se një nismë e tillë i shërben promovimit të vlerave më të mira të popullit shqiptar në Evropë, përmes këtyre ambasadorëve të dijes dhe të kulturës. Ata theksuan se për një përfaqësim dinjitoz brezi i ri duhet të ketë të gjitha kushtet dhe mundës që e mbështesin dhe inkurajojnë atë.

Burimi: Faqja Zyrtare e Presidencës

Delegacioni shqiptar drejt Brukselit për ecurinë e reformave


Ilirian Agolli, Tirane, 03-06-2007
Një delegacion i qeverisë shqiptare niset këtë fillimjave në Bruksel për bisedime me ekspertët e Bashkimit Europian lidhur me disa nga çështjet që kanë shqetësuar më shumë forcat politike dhe shoqërinë shqiptare. Temat kryesore në këto bisedime janë reforma zgjedhore, liria e shtypit dhe kthimi i pronave. Opozita mendon se periudhën e fundit, qeveria ka bërë hapa prapa në detyrimet që ka për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Qeveria shqiptare do të bisedojë në fillim të javës me përfaqësues të Bashkimit Europian lidhur me ecurinë e reformave në fushën e medias dhe demokracisë, në valën e kritikave për marrëdhëniet me shtypin dhe biznesin. Ministrja e integrimit, Majlinda Bregu, thotë se në këto takime vend kryesor do të zënë veprimtaria e komisionit të sapongritur parlamentar për reformën zgjedhore, si edhe çështje të pronave dhe të mediave. "Temat që do të diskutohen janë reforma zgjedhore, kthimi i pronave, liria e shprehjes, të drejtat e minoriteteve, respektimi i ligjeve ndërkombëtare dhe sistemi i drejtësisë. Tani është shumë i rëndësishëm sepse diskutohen në nivel politik" - thotë zonja Bregu. Opozita Socialiste e ka vlerësuar me skepticizëm ecurinë e deritanishme të reformave europiane të Shqipërisë. Deputeti i opozitës, Petro Koçi, nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, thotë se shumica miratoi pak ditë më parë një ligj për mediat pa përfillur asnjë rekomandim të Bashkimit Europian. "Fatkeqësisht qeveria ka bërë hapa prapa në plotësimin e standardeve dhe kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në këtë proces policia nuk po arrin dot të bëjë detyrat e shtëpisë. Në trajtimin e medias janë bërë hapa prapa, BE solli para disa ditësh disa rekomandime konkrete se si duhej trajtuar transmetimi numerik në Shqipëri, por maxhoranca votoi në parlament kundër atyre sugjerimeve" - thotë zoti Koçi. Por ministrja e integrimit hodhi poshtë akuzat e opozitës për goditje të mediave dhe marrëdhënie klienteliste me to. Zonja Bregu thotë se marrëdhëniet e qeverisë me shtypin janë shumë të mira, dhe nuk priste kritika nga Brukseli në këtë udhëtim. "Nuk pres kritika në Bruksel, dhe këto takime bëhen pikërisht për të marrë vlerësimet e ekspertëve europianë për reformat në Shqipëri. Ka rezultate dhe pika që ende duhen plotësuar" - thotë zonja Bregu. Ndërkaq opozita shprehet e shqetësuar edhe për ligjet e reja që qeveria po sjell në fushën e ekonomisë. Zoti Koçi i PS thotë se ato janë masa shtrënguese ndaj biznesit, i cili po dëmtohet përsëri, dhe qeveria po kalon pa mirëkuptimin e opozitës ligje të rëndësishme, duke acaruar situatën politike. "Qeveria ka marrë një pozicion thjesht represiv ndaj biznesit. Gjobat po mbizotërojnë në marrëdhëniet e qeverisë me biznesin, dhe jo hapësira dhe liria e tregut për veprim. Kjo situatë po shoqërohet me një klimë të ashpër konfliktuale të qeverisë me opozitën. Qeveria do të duhej të ishte e prirur për të ndërtuar një klimë mirëkuptimi me opozitën pas zgjedhjeve vendore të 18 shkurt dhe në prag të zgjedhjes së presidentit, por në fakt ka bërë të kundërt" - thotë zoti Koçi. Ndërkohë që po punon për të arritur standardet e kërkuara të anëtarësimit të plotë, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe tani pret që ajo të ratifikohet nga të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian. Marrë nga Zëri i Amerikës, VOA

Shqipëri, miratohet mes debateve parlamentare projektligji “Për Policinë e Shtetit”




TIRANE - Projektligji për Policinë e Shtetit, u miratua sot në Parlamentin shqiptar pas debateve të shumta mes deputetëve dhe maxhorancës dhe opozitës. Seanca plenare në të cilën është diskutuar projektligji i cili më pas u hodh në votim, ka qenë e mbushur me kritika dhe pikëpyetje nga deputetët e opozitës si dhe me lavdërime dhe vlerësime nga deputetët përfaqësues të maxhorancës dhe nga Ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Ai tha se “në projektligj parashikohen qartësisht dhe në mënyrë eksplicite kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për t'u emëruar në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm apo të zv/Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, si dhe koha e qëndrimit në këto pozicione. Fryma e gradave ka pasur një amulli deri më sot. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji çdo punonjës policie nga niveli më i ulët, deri tek ai më i lartë, në varësi të aftësive profesionale, të konkurrencës dhe testeve ka të drejtë të përfitojë një gradë dhe nga ky moment, ai automatikisht merr një pozicion të caktuar. Shpallja e vendeve për ta përfituar bëhet për ato pozicione që janë të lira dhe iu korrespondojnë gradave përkatëse”, tha Ministri i Brendshëm z. Bujar Nishani. Vetë Kryeministri Berisha, i bëri thirrje Kuvendit të votonte projektligjin për policinë e shtetit. Pyetjet që i janë drejtuar Ministrit të Brendshëm para se projektligji të hidhej në votim, kanë qenë të shumta. Kryeministri Berisha, e vlerësoi projektligjin si të merituar për policinë, ndërsa nënvizoi më tej se ai i jep mundësinë policisë të zhvendosë punën e saj në një nivel më të lartë. Më pas, Kryeministri Sali Berisha kërkoi që diskutimet për projektligjin të mos politizohen. “Policia e shtetit ka dhënë prova të funksionimit të saj si një polici e një vendi të lirë dhe demokratik. Në dinjitet te saj të madh është qëndrimi në dy proceset e fundit zgjedhore ku policia dha kontributin në mënyrë më profesionale, duke u shkëputur nga një tradite dhe jo aq e mirë. Ajo është kthyer në një institucion të rëndësishëm ne procesin e integrimit te vendit. Në rast se u realizua firmosja e MSA me BE, në rast se u arrit një përparim i ndjeshëm në zbatimin e saj si dhe një afrim thelbësor në procesin e integrimit të NATO, një rol nder me kryesoret ka policia e shtetit”, ka vlerësuar Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Deputeti Leonard Demi, në emër të grupit parlamentar të PD-së, i bëri thirrje opozitës që të votojë në Kuvend projektligjin "Për Policinë e Shtetit", pasi ai depolitizon këtë institucion, e bën atë të pavarur dhe ligjëron profesionalizmin. Deputeti Leonard Demi, njëkohësisht Kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, duke folur në emër të grupit të PD-së, theksoi se projektligji "sjell praktika europiane në trajtimin e personelit dhe e menaxhon policinë e shtetit sipas strukturave moderne". Ai vlerësoi se p/ligji "është hartuar me ndihmesën profesionale të misionit policor europian në Shqipëri, si dhe me asistencën e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, OSBE-së etj". Opozita e kushtëzon miratimin në Kuvend të projektligjit "Për Policinë e Shtetit" me kërkesën për ruajtjen e gradave sipas ligjit ekzistues, si dhe me korrigjimin e disa neneve që cenojnë të drejtat e njeriut. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Petro Koçi, tha se "opozita do ta votojë këtë draft në rast se ai garanton ruajtjen e gradave sipas ligjit në fuqi, gjë që të jetë e shprehur në mënyrë eksplicite në projekt". Po ashtu, ai kërkoi korrigjimin e neneve që cenojnë të drejtat e njeriut (neni 113) dhe rishikim të neneve 110, 111, 112". Në emër të grupit të PS-së, Koçi tha se "ndonëse ne kemi shumë vërejtje për ligjin, pasi duhet të kishte qenë më i plotë, por meqë e kërkon momenti i integrimit dhe konsensusi ne presim reflektimi e maxhorancës për këto aspekte të tij". Në procesin e votimit, projektligji për Policinë e Shtetit mori 72 vota pro nga deputetët si dhe 13 vota kundër.

Shqipëri, goditet grupi kriminal në Gjirokastër, rekrutoi edhe punonjës policie



TIRANE - Strukturat e Ministrise se Brendshme arrestojnë ne Gjirokastër, 9- persona, pjesëtarë të një Grupi të Strukturuar Kriminal. Pas një procesi të gjatë hetimor dhe ndjekjeje nga strukturat e luftës kundër Krimit te Organizuar dhe Shërbimit te Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme , në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda u arrestuan anëtarët e një Grupi të Organizuar Kriminal prej 9 vetash, për veprat penale të “Dhënies ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit” , “Pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” dhe “Korrupsionit” parashikuar nga nenet 259, 298 dhe 333/a te K.Penal. Ky grup drejtohej nga shtetasi : Arben SULA banues në Gjirokastër, dhe kishte në përbërje shtetasit ; Ermal Koçaj, Ermal Fidhi, Florenc Meçe, Krenar Boçi. Aktiviteti i tyre kriminal , mbështetej në bashkëpunim nga drejtues dhe punonjës të strukturave të policisë së shtetit ; Hodo Korra –Shef i Policisë Kufitare në Komisariatin Gjirokastër, Albert Golemi– komandant n/grupit operativ special të policisë kufitare, Gjirokastër, Ergest Rabaj -inspektor në seksionin kundër krimit ekonomiko- financiar, Gjirokastër, Aleko Puci -punonjës policie në komisariatin Gjirokastër
Arrestimi i tyre u bë pas caktimit të masave të sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata Për Krime të Rënda. Ne bazë të hetimeve disa mujore nga SHKB-ja dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, është vërtetuar se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe duke shfrytëzuar funksionin shtetëror të punonjësit të policisë, kanë kryer dhe favorizuar trafikun e qenieve njerëzore në drejtim te Greqisë. Të arrestuarit, për çdo kalim të paligjshëm të kufirit tokësor në zonën e Gjirokastrës, përfitonin shuma të konsiderueshme parash që shkonin deri në 2000 euro për person. Gjatë arrestimit të tyre u janë sekuestruar disa autovetura, motorcikleta, telefona celularë, armë të cilat i mbanin pa leje dhe sende te tjera. Hetimet vazhdojnë për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik.
Burimi: Ministria e Brendshme

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania