
TIRANE - Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ishte i ftuar në ditën e hapjes së projektit “Udhëtim në Evropë” të organizuar nga lëvizja “Mjaft” në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Republikës së Gjermanisë në vendin tonë, si dhe Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Me këtë rast, të pranishëm në mjediset e Akademisë së Arteve, ku u zhvillua ky aktivitet ishin të pranishëm, z. Hans Peter Anen, Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, z. Shezai Rrokaj, Rektor i Universitetit të Tiranës, z. Erjon Veliaj, Drejtues i lëvizjes “Mjaft”, të tjerë bashkëpunëtorë në këtë nismë, si dhe disa studentë nga fakultete të ndryshme me rezultate të dalluara. Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Moisiu vuri në dukje dhe vlerësoi rolin shumë të madh të rinisë në jetën e çdo kombi e sidomos të atij shqiptar, që është një komb me histori, kulturë dhe tradita të lashta, por që për shumë arsye historike virtytet e popullit shqiptar ende mbeten për tu nxjerrë në pah. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit nënvizoi rëndësinë dhe vlerat e nismave si kjo në fjalë për të mundësuar lëvizjen nëpër Evropë të një grupi studentësh të dalluar për arritjet e tyre në mësime, të cilët me kulturën dhe me sjelljen e tyre do të ndihmojnë realisht në njohjen e vlerave tona nga qytetarët evropianë, por dhe do të sjellin në Shqipëri një eksperiencë të veçantë. Në mënyrë të veçantë, Presidenti foli për bashkëjetesën, harmoninë dhe tolerancën fetare që është një traditë në vendin tonë, por dhe një vlerë e paçmuar, që shërben si pikë referimi dhe për vendet e tjera. “Ne jemi një ndër vendet e rralla ku tre besimet fetare bashkëjetojnë në mirëkuptim, në paqe dhe në tolerancë me njëri-tjetrin dhe rëndësia dhe vlerat e kësaj nuk janë aq të thjeshta për tu kuptuar të dashur miqtë e mi”, - iu drejtua z. Moisiu të rinjve në sallë, duke shtuar “shpesh qytetarët e vendeve të tjera evropiane befasohen, kur ne i themi se si është e ndërtuar familja shqiptare në aspektin fetar dhe se si ne bashkëpunojnë me njëri-tjetrin”. “Megjithatë ne shqiptarët që të gjithë besojmë tek Zoti dhe kjo është një gjë me të vërtetë shumë e madhe”, - u shpreh Presidenti.Në vijim, Presidenti Moisiu vuri në dukje që është koha tashmë në Shqipëri që vlerat të vihen në pah dhe të shpërblehen dhe se ky është një stimul për këdo dhe në mënyrë të veçantë për studentët. “Ju jeni elita e ardhshme e këtij vendi, ju do të jeni drejtuesit e ardhshëm të këtij vendi, ju do do të jeni biznesmenët e ardhshëm të këtij vendi, ju do të jeni drejtuesit dhe promovuesit e kulturës të këtij vendi dhe kështu me radhë. Kjo bazohet jo vetëm në dëshirë, por edhe në mund, në përpjekje për të mësuar sa më shumë, për të nxënë sa më shumë, për të marrë sa më shumë nga kushtet që ju ofrohen”, - u shpreh Presidenti dhe theksoi se “duhet të mësoheni nga mangësitë që keni evidentuar në jetën tonë, për tu bërë më të mirë për të qenë të dobishëm në radhë të parë për veten tuaj, për familjen tuaj, për kombin tuaj dhe për të qenë të bindur se asgjë nuk vete dëm”. Në këtë drejtim, z. Moisiu mori shembull nga puna e bujkut, i cili sa më shumë i shërben bimës, aq më shumë fruta ajo i jep. “Edhe ju, sa më shumë t’i bëni shërbim kulturës, dijeve, profesionit tuaj, aq më të aftë do të jeni. Konkurenca e lirë e ekonomisë së tregut nuk është aq e thjeshtë, por ajo kërkon përzgjedhje dhe përzgjedhja bëhet në bazë të aftësive”, - u shpreh Presidenti. Të pranishmit në këtë takim që morën fjalën po ashtu vlerësuan se një nismë e tillë i shërben promovimit të vlerave më të mira të popullit shqiptar në Evropë, përmes këtyre ambasadorëve të dijes dhe të kulturës. Ata theksuan se për një përfaqësim dinjitoz brezi i ri duhet të ketë të gjitha kushtet dhe mundës që e mbështesin dhe inkurajojnë atë.
Burimi: Faqja Zyrtare e Presidencës
Nuk ka komente:
Posto një koment