
TIRANE - Projektligji për Policinë e Shtetit, u miratua sot në Parlamentin shqiptar pas debateve të shumta mes deputetëve dhe maxhorancës dhe opozitës. Seanca plenare në të cilën është diskutuar projektligji i cili më pas u hodh në votim, ka qenë e mbushur me kritika dhe pikëpyetje nga deputetët e opozitës si dhe me lavdërime dhe vlerësime nga deputetët përfaqësues të maxhorancës dhe nga Ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Ai tha se “në projektligj parashikohen qartësisht dhe në mënyrë eksplicite kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për t'u emëruar në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm apo të zv/Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, si dhe koha e qëndrimit në këto pozicione. Fryma e gradave ka pasur një amulli deri më sot. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji çdo punonjës policie nga niveli më i ulët, deri tek ai më i lartë, në varësi të aftësive profesionale, të konkurrencës dhe testeve ka të drejtë të përfitojë një gradë dhe nga ky moment, ai automatikisht merr një pozicion të caktuar. Shpallja e vendeve për ta përfituar bëhet për ato pozicione që janë të lira dhe iu korrespondojnë gradave përkatëse”, tha Ministri i Brendshëm z. Bujar Nishani. Vetë Kryeministri Berisha, i bëri thirrje Kuvendit të votonte projektligjin për policinë e shtetit. Pyetjet që i janë drejtuar Ministrit të Brendshëm para se projektligji të hidhej në votim, kanë qenë të shumta. Kryeministri Berisha, e vlerësoi projektligjin si të merituar për policinë, ndërsa nënvizoi më tej se ai i jep mundësinë policisë të zhvendosë punën e saj në një nivel më të lartë. Më pas, Kryeministri Sali Berisha kërkoi që diskutimet për projektligjin të mos politizohen. “Policia e shtetit ka dhënë prova të funksionimit të saj si një polici e një vendi të lirë dhe demokratik. Në dinjitet te saj të madh është qëndrimi në dy proceset e fundit zgjedhore ku policia dha kontributin në mënyrë më profesionale, duke u shkëputur nga një tradite dhe jo aq e mirë. Ajo është kthyer në një institucion të rëndësishëm ne procesin e integrimit te vendit. Në rast se u realizua firmosja e MSA me BE, në rast se u arrit një përparim i ndjeshëm në zbatimin e saj si dhe një afrim thelbësor në procesin e integrimit të NATO, një rol nder me kryesoret ka policia e shtetit”, ka vlerësuar Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Deputeti Leonard Demi, në emër të grupit parlamentar të PD-së, i bëri thirrje opozitës që të votojë në Kuvend projektligjin "Për Policinë e Shtetit", pasi ai depolitizon këtë institucion, e bën atë të pavarur dhe ligjëron profesionalizmin. Deputeti Leonard Demi, njëkohësisht Kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, duke folur në emër të grupit të PD-së, theksoi se projektligji "sjell praktika europiane në trajtimin e personelit dhe e menaxhon policinë e shtetit sipas strukturave moderne". Ai vlerësoi se p/ligji "është hartuar me ndihmesën profesionale të misionit policor europian në Shqipëri, si dhe me asistencën e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, OSBE-së etj". Opozita e kushtëzon miratimin në Kuvend të projektligjit "Për Policinë e Shtetit" me kërkesën për ruajtjen e gradave sipas ligjit ekzistues, si dhe me korrigjimin e disa neneve që cenojnë të drejtat e njeriut. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Petro Koçi, tha se "opozita do ta votojë këtë draft në rast se ai garanton ruajtjen e gradave sipas ligjit në fuqi, gjë që të jetë e shprehur në mënyrë eksplicite në projekt". Po ashtu, ai kërkoi korrigjimin e neneve që cenojnë të drejtat e njeriut (neni 113) dhe rishikim të neneve 110, 111, 112". Në emër të grupit të PS-së, Koçi tha se "ndonëse ne kemi shumë vërejtje për ligjin, pasi duhet të kishte qenë më i plotë, por meqë e kërkon momenti i integrimit dhe konsensusi ne presim reflektimi e maxhorancës për këto aspekte të tij". Në procesin e votimit, projektligji për Policinë e Shtetit mori 72 vota pro nga deputetët si dhe 13 vota kundër.
Nuk ka komente:
Posto një koment