Rezoluta e propozuar nga senatori Lugar
Duke shprehur mbështetjen e fortë të Senatit për NATO, për projektin e zgjerimit me dhënien e ftesave për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në Samitin e Bukureshtit në prill 2008 dhe për qëllime të tjera;
Ku NATO do të mbajë një takim mes krerëve të shteteve dhe qeverive në Samitin e Bukureshtit, në Rumani në prill 2008;
Ku NATO ka mbrojtur me sukses territorin dhe interesat e anëtarëve të tij për më shumë se 50 vjet dhe ka kontribuar në lirinë, demokracinë, stabilitetin dhe paqen në të gjithë Evropën;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, në përgatitjet për anëtarësimin në NATO prej më shumë se 8 vitesh kanë kaluar nëpër procese historike të forcimit të demokracisë, transformimin e tregut të lirë;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë progrese të rëndësishme për të vendosur kontrollin civil të ushtrive të tyre duke demonstruar zotësinë për të operuar me forcat e NATO-s dhe standardet e aleancës;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia vazhdojnë të japin kontributin e tyre të vyer në krah të forcave të Kombeve të Bashkuara, në forcat ndërkombëtare të asistencës dhe sigurisë nën lidershipin e NATO-s në Afganistan, për të stabilizuar dhe rindërtuar këtë shtet;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë bërë hapa të rëndësishme për të vendosur proceset e tyre të demokratizimit, përfshirë këtu:
1. Përqafimin e diversiteteve etnike
2. Respektimin e të drejtave të njeriut
3. Ndërtimin e një tregu të lirë
4. Promovimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinjë
Për shkak se NATO ka kryer një ndërhyrje ushtarake kundër Republikës Federale të Jugosllavisë për të vendosur paqen në Kosovë;
Për shkak se diplomacia amerikane e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës dhe duhet të mbështesë integrimin e saj në institucionet euro-atlantike;
Për shkak se stabiliteti dhe siguria afatgjatë në Evropën Juglindore kërkon integrimin ushtarak, ekonomik dhe politik të demokracive të reja në strukturat ekzistuese evropiane;
Për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në aktivitetet e NATO-s në Evropën Juglindore nëpërmjet pozicionit unik gjeostrategjik dhe duke ndaluar dhe frenuar çdo përpjekje të çdo lloj pale për të destabilizuar rajonin nëpërmjet dhunës;
Për shkak se neni 10 i marrëveshjes veri-atlantike, i përpiluar në Ëashington më 4 prill 1949, citon se "çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të përmbushë principet e kësaj marrëveshje dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës veri atlantike", mund t'i garantohet anëtarësimi në NATO; dhe
Për shkak se deklarata e Samitit të Rigës, e realizuar nga NATO në nëntor 2006 riafirmon se "NATO mbetet e hapur për anëtarë të rinj evropianë":
Bën që senati amerikan të dalë me përfundimin se:
1. Pavarësia politike dhe integriteti territorial i demokracive emergjente në Evropën Juglindore është i një rëndësie vitale për paqen, sigurinë e Evropës dhe është në interes të SHBA.
2. Zgjerimi i NATO-s, kontribuon në efikasitetin dhe aftësinë e vazhdueshme të Aleancës.
3. Senati riafirmon suportin e tij për procesin zgjerues të NATO-s përfshirë këtu vendet kandidate.
4. SHBA duhet të kenë rolin e liderit në suportin e anëtarësimit të shteteve Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia për t'iu bashkuar aleancës në prill të 2008.
Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk janë perfekte dhe kanë nevojë të bëjnë ende progres në fushën ekonomike dhe politike. Megjithatë të tre vendet kanë bërë përparime të dukshme. "Kroacia ka performancën më impresionuese ekonomike dhe në çmimet e pasurive të patundshme në krahasim me çdo vend tjetër në Evropën jugore. Në vitet e fundit Shqipëria ka kontribuar me më shumë ushtarë në misionet në Irak dhe Afganistan dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë si të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s. Dhe që nga fundi i luftërave ballkanike në vitin 1999, Maqedonia ka ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe të integruar në kohën më të shkurtër se çdo komb tjetër në Evropë. Tashmë ne kemi një shans të sjellim në komunitetin euroatlantik të demokracive Kroacinë katolike, Shqipërinë me shumicë myslimane dhe shumetnike dhe Maqedoninë Ortodokse. Kjo nuk është keq.
Kongresmenët
Pak ditë më parë, një delegacion me 6 kongresmenë mbështetën marrjen e ftesës nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit. "Vendimet në NATO merren në bazë të parimit të konsensusit. Shpresojmë që vendet të marrin një ftesë, por ajo që unë them këtu, që kongresi i SHBA-ve i mbështet aspiratat për anëtarësim në NATO të Shqipërisë", theksoi kongresmeni amerikan Tanner gjatë vizitës në Tiranë.
Marrë nga Gazeta “Panorama”, Tiranë