Shanse konsensusi politik në Tiranë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Trazhgim Sokolaj
Pas një viti të tendosur politik në komunikimin e marëdhëniet pozitë-opozitë, kur ndodhemi ende në ditët e para të vitit të ri 2008, në Tiranë u shfaqën shenjat e para të konsensusit politik lidhur me reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit në NATO. Kryetari i Partisë Socialiste, më e madhja në opozitë deklaroi publikisht se mbështet të gjitha nismat që do të ndikonin në afrimin e Shqipërisë me Aleancën e Atlantikut Verior. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste tha se Grupi Parlamentar i partisë së tij do të paraqesë në Kuvend një projektrezolutë përmes të shprehet gatishmëria për bashkëpunim në plotësimin e reformave të kërkuara për hyrjen në NATO. “Partia Socialiste e Shqipërisë, e ndërgjegjshme për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për vendin tonë, Samiti i NATO-s, që do të mbahet në prill të këtij viti, shpreh mbështetjen e saj të plotë për të gjitha masat e nevojshme dhe të domosdoshme që duhen realizuar, që në këtë samit Shqipëria të marrë ftesën historike për anëtarësim në NATO, si dhe siguron e garanton për gatishmërinë dhe vendosmërinë e saj për të kryer të gjitha detyrimet që asaj i takojnë në këtë proces”, tha Edi Rama, kryetari i partisë më të madhe të opozitës shqiptare.
Vetëm pak orë pas këtij qëndrimi të kreut të opozitës ka ardhur edhe reagimi i parë nga kampi tjetër politik. Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka përshëndetur qëndrimin e kreut të Partisë Socialiste si dhe rezolutën që pritet të paraqitet në Kuvend nga grupi parlamentar i kësaj partie. “Jam gati që nesër të mbledh Konferencën e Kryetarëve që të nisim sa më parë punën me komisionet në mënyrë për shqyrtimin e rezolutës së opozitës, që deklaratat të kthehen në veprime”, tha kryeparlamentarja Topalli. Ajo është shprehur e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme me deputetët për të miratuar çdo nismë lidhur me integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Këto duket se janë shanset e para të një konsensusi politik për reformat e nevojshme që Shqipëria duhet të përmbushë me qëllim përafrimin me NATO-n. Fjalori i përdorur nga të dy përfaqësuesit e lartë politikë ka qenë i qetë dhe me terma bashkëpunues. Komunikimi është i hapur dhe deri më tani nuk ka shkak për të paragjykuar se ky aksion i filluar nga opozita dhe i mbështetur deri më tani nga Kryetarja e Parlamentit mund të dështojë apo të transformohet. Megjithatë koha që ka mbetur është shumë pak. Samiti i NATO-s zhvillohet në muajin prill në Bukuresht. Kanë mbetur vetëm më pak se katër muaj kohë. Sfidat që duhet të kalojë Shqipëria në këtë hark kohor janë të mëdha. Bëhet fjalë për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën zgjedhore, pajisjen e shtetasve me karta identiteti, modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, stabilitetin politik dhe një sërë reformash në fusha të tjera. Megjithatë ka gjasa që nëse deklaratat e sotme të dy kampeve politike kthehen në veprime, të krijohet një atmosferë besimi për përmbushjen e reformave e cila mund të marrë vlerësim pozitiv në Bukuresht. Politika shqiptare nuk kishte asnjë pengesë që deklaratat dhe veprimet bashkëpunuese ti artikulonte që vitin e kaluar, atëherë kur realisht kishte më tepër kohë dhe shanse që ky vullnet i përbashkët politik bashkëpunimi të konkretizohej derisa në Bukuresht të mblidheshin përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania