
Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje në mbrëmje një rezolutë të propozuar nga Partia Socialiste lidhur me procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Dokumenti mori shumicën e votave nga partitë e gjithë spektrit politik shqiptar, ndërsa Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi gjatë seancës parlamentare më shumë angazhim nga politika dhe institucionet në hartimin e legjislacionit të ri zgjedhor dhe në fushën e reformës në drejtësi. Të dyja këto bëjnë pjesë në kërkesat imediate të artikuluara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Miratimi i rezolutës është përshëndetur nga përfaqësues të Qeverise dhe të opozitës si dhe nga vetë Presidenti i vendit Bamir Topi. Rezoluta për anëtarësimin e vendit në NATO, është argumenti i parë që shënon “paqe të nënshkruar” mes qeverisë dhe opozitës aktuale në Shqipëri. Pak kohë më parë, kryetari i Partisë më të madhe në opozitë deklaroi gatishmërinë për bashkëpunim lidhur me plotësimin e reformave të nevojshme për marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Edhe më parë, Kryetarja e Parlamentit ka përshëndetur këtë qëndrim të opozitës dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim. Shqipëria po bën përpjekje për plotësimin e kushteve të kërkuara deri në Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në Bukuresht në muajin prill të këtij viti.
Nuk ka komente:
Posto një koment