BRUKSEL - Vendet anëtare të Bashkimit Europian të cilat bëjnë pjesë në NATO, shprehen pro dhënies së ftesës së anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike për vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni. Vendet e BE-së u shprehën dakord që ftesa për vendet e “A 3” të bëhet gjatë Samitit të shteteve anëtare të NATO-s që pritet të zhvillohet në Bukuresht në muajin prill të vitit 2008. Në Samitin e mbajtur në Bruksel, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, dhanë mesazhin se Aleanca e Atlantikut të Veriut mbetet e gatshme të zgjerojë radhët e saj. “Konfirmojmë se Aleanca është e hapur për të pranuar anëtare të rinj në Europë, në zbatim të nenit 10 të traktatit të NATO-s”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s.
Nga deklaratat e zyrtarëve dhe diplomatëve perëndimorë, nuk kuptohet qartë cila nga vendet e Kartës “Adriatik 3” është më pranë anëtarësimit në NATO. Shqipëria është vlerësuar për reformat në fushën e mbrojtjes por ka marrë kritika lidhur me stabilitetin dhe dialogun politik, hartimin e kartave të identitetit, ndërtimin e një kornize të qëndrueshme ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve, reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Nuk ka komente:
Posto një koment