INTEGRIMI NË NATO, NJË NDËR PROJEKTET MË MADHORE TË SHQIPËRISË


TIRANË, 11 Nëntor 2007 - Integrimi në NATO mbetet një ndër projektet më madhore të Shqipërisë dhe qeverisjes së saj. Në këtë kuadër, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, me qëllim marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit në prill të vitit 2008.
Aktualisht vendi ynë është më afër se kurrë procesit të anëtarësimit në NATO dhe ky proces, përveç se ka mbështetjen e gjithë politikës shqiptare, gëzon mbështetjen edhe të mbi 94 % të shqiptarëve. Ministria e Mbrojtjes, pas Samitit të Rigës, me synimin për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, hartoi një platformë me 15 objektiva. Shumë prej tyre do të realizohen para Samitit të Bukureshtit, që do të mbahet në prill të vitit 2008, dhe të tjera parashikohen deri dhe matanë vitit 2010. Objektivat ambicioze, por të planifikuara, janë të mbështetura me fonde, me përgjegjësi dhe me afate të përcaktuara qartë.

ECURIA E INTEGRIMIT NË NATO DHE
PLANI AFATGJATË DERI NË VITIN 2020
Ndër objektivat më të rëndësishme të platformës është implementimi i konceptit “Joint & Jointness” jo vetëm përsa i përket strukturës së FA, por edhe përsa i përket trajnimit, doktrinës dhe operacioneve të përbashkëta, sistemeve dhe pajisjeve te ndërveprueshme, dhe atje ku është e mundur, edhe vendosjes në vendbazime të përbashkëta.
Përmbushja e Direktivës së Samitit të Rigës për të zhvilluar 8 % të sasisë së komponentit tokësor të aftë për pjesëmarrje të menjëhershme në operacione të drejtuara nga NATO dhe 40 % të komponentit tokësor deri në 2013 janë të tjera objektiva të platformës.
Plani Afatgjatë, i cili shtrihet deri në 2020, ka një vizion strategjik që mbështetet në disa prioritete; Planin Afatgjatë të Zhvillimit të FA, ku përfshihet vizioni strategjik i Ministrisë së Mbrojtjes, 2007 – 2020. Disa supozime të Planit Afatgjatë të Zhvillimit të FA-së, deri në vitin 2020, janë; mjedisi strategjik i sigurisë të mos ketë ndryshime madhore; marrja e ftesës për në NATO do të realizohet në Samitin e Bukureshtit 2008, parashikojmë dhe pranimi si anëtar me të drejta të plota do të bëhet para vitit 2010; krijimi i forcës 100% profesioniste do të bëhet sipas planit deri në fund të vitit 2010; mbështetja e Planit Afatgjatë të zhvillimit me rritje vjetore konstante të buxhetit të mbrojtjes te paktën 2% të PPB nga 2008-2020; rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) të vendit, me 5-6% për çdo vit si dhe mbajtjes nën kontroll të inflacionit në 3%; përmbushja nga ministritë dhe institucionet e tjera përkatëse te detyrimeve në kuadrin e MAP-it.
Plani Afatgjatë i Zhvillimit 2020 reflekton me koherencë angazhimet e Qeverisë në fushën e mbrojtjes dhe integrimit në NATO. Gjithashtu ai orienton zhvillim të kapaciteteve operacionale, sipas eksperiencës së vendeve të NATO-s dhe konceptit Strategjik të Aleancës. Plani Afatgjatë i zhvillimit 2020 mbështetet në dy vlerësimet e mbrojtjes të bëra gjatë vitit 2006, nga Komanda për Transformimin e NATO-s (ACT) dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA (US OSD).
Shqipëria është Anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut që nga qershori 1992, bëhet e ditur nga historiku dhe të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes, të bëra publike në faqen zyrtare të saj.
Sipas këtij historiku, Shqipëria përkrahu Iniciativën e Partneritetit për Paqe në janar 1994 dhe nënshkroi Dokumentin Kuadër më 23 shkurt 1994, duke u bërë vend anëtar i Partneritetit për Paqe. Më 22 shtator 1994, paraqiti Dokumentin e Prezantimit, në të cilën përcaktohen fushat, përmasat dhe niveli i pjesëmarrjes në bashkëpunim me NATO-n.
Dokumentet e mësipërme përbënë dhe bazën e hartimit të Programit Individual të Partneritetit për vitet 1995, 1996, 1997, Programet Individuale Speciale NATO -Shqipëri për vitet 1997-2000.
Programi i Partneritetit Individual (IPP) është zhvilluar që të përkrahë programet kryesore që burojnë nga rishikimi i mbrojtjes. Ky program përforcon vazhdimësinë e procesit të ristrukturimit, duke synuar rritjen e aftësive operacionale të FA. Prioritetet kryesore të mbrojtjes për 2002 u fokusuan në zhvillimin e një strategjie ushtarake kombëtare, të shoqëruar nga një strukturë organizimi, e orientuar në nivel të lartë profesionalisht, me një numër më të vogël të FA, adaptimin e konceptit të trajnimit të forcës, një sistem menaxhimi personeli dhe një sistem menaxhimi burimesh.
Programi i Partneritetit Individual (IPP), i vitit 2002, synoi tre çështje kryesore bashkëpunimi; të ndihmojë Shqipërinë në ristrukturimin e FA të saj, nën kontrollin demokratik të autoritetit civil, sipas planit afatgjatë të implementimit; të sigurojë përkrahjen në fusha të interesit të NATO-s dhe Shqipërisë; t’i japë më shumë përmbajtje marrëdhënieve me PfP, në një afat kohor më të gjatë.
Qëllimi kryesor për NATO-n dhe Shqipërinë në IPP 2002, ishte arritja e rezultateve konkrete, me qëllim që të demostrohen efektet pozitive të PfP.
Shqipëria ka marrë pjesë dhe në Proçesin e Planifikim - Rishikimit që nga viti 1996 e në vazhdim. Për vitin 2000, ajo pranoi 53 Objektiva Partneriteti, ndërsa në shkurt 2002 diskutoi për Paketën e Re të tyre.
Në nëntor 1999, Shqipëria paraqiti Planin e Veprimit për Antarësim, duke u bërë një nga 9 vendet aspirante për antarësim në Aleancë.
MAP (Membership Action Plan), Plani i Veprimit për Antarësim është fokusuar në përpjekjet që bën Shqipëria në rrugën e saj drejt Integrimit.
Shqipëria konsideron se anëtarësimi saj në NATO do të paraqiste në shtrirjen natyrale të Aleancës në krahun e saj Juglindor. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë është i favorshëm për implementimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s, të aprovuar në Samitin e Washingtonit.
Nëpërmjet MAP-it, Shqipëria është e angazhuar të arrijë këto objektiva; të vazhdojë të përmirësojë rendin dhe ekonominë e tregut, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të rendit dhe luftës kundër korrupsionit; të inkurajojë dhe zhvillojë respektin për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve; të forcojë institucionet demokratike dhe, si pasojë, rolin e tyre në shoqëri; të vendosë një administratë publike efektive; të forcojë kontrollin civil demokratik mbi FA; të ruajë rezultatet e arritura vitet e fundit në rritjen ekonomike dhe të vazhdojë reformat e saj ekonomike, veçanërisht në fushën e privatizimit, etj.

BASHKËPUNIMI SHQIPËRI-SHBA
Ndërkohë, në fushën e mbrojtjes, Shqipëria ka bashkëpunime dypalëshe me vende të ndryshme. Përsa i përket bashkëpunimit dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai mbështetet në Memorandumin e Mirëkuptimit për marrëdhëniet ushtarake midis Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë (tetor 1993); Memorandumin e Mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Komandës Europiane të SHBA-së për mbështetjen (LIASON TEAM) (janar 1993); Memorandumin e Marrëveshjes, lidhur me studimet hidrografike (korrik 1994); Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së SHBA për Sigurimin e Pajisjeve të Komunikimit SY-71E për vendet partnere (1998); Memorandumin e Mirëkuptimit midis Task Force dhe Drejtorisë së Aviacionit Civil mbi kontrollin e aeroportit të Rinasit (maj 1999); Marrëveshje midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA (USDAO) për punësimin e nje koordinatori për problemet e PfP-SE (qershor 2000); Marrëveshje sigurimi midis SHBA dhe Qeverisë shqiptare, në lidhje me masat e sigurimit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ushtarak; Marrëveshje midis Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë për shkatërrimin e municioneve (dhjetor 2001).
Për realizimin e bashkëpunimit, SHBA kanë ngritur disa struktura; Ekipi Amerikan i Koordinimit ne MM, që mbulon shkëmbim ekipesh për dhënie asistence teknike dhe familjarizim me përvojën e SHBA-së, asistencë për Ristrukturimin e FA, plotësim të kuadrit ligjor të FA; Zyra e Asistencës së Sigurimit, që mbulon Menaxhimin e Programit të Asistencës së Sigurimit.

SHQIPËRIA NË MISIONE PAQERUAJTËSE
Shqipëria është pjesëmarrëse me forca paqeruajtëse në Forcën e Stabilizimit (SFOR), e drejtuar nga NATO në Bosnje dhe Hercegovinë. Misioni parësor i SFOR-it është që të kontribuojë për një situatë të qetë dhe të sigurtë çka është e nevojshme për konsolidimin e paqes.
Në Shtator 1996, Shqipëria dërgoi 33 trupa për të shtuar Forcën e Aplikimit të Paqes “Peace Implementation Force” (IFOR). Këta ushtarë u dërguan nga Gjermania, ku kishin marrë pjesë në trajnime paqeruajtëse. Ata e filluan dislokimin duke u vendosur fillimisht në Kroaci, por tani janë të vendosur në Kampin Franko – Gjerman në Rajlovac.
Nga viti 2000, në Bosnje Shqipëria dërgon një personel prej 70 officerë, n/oficerë dhe ushtarë. Deri tani Shqipëria ka dërguar 15 misione ushtarake në Bosnjë.
Detyra e Paqeruajtësve shqiptarë në Afganistan është ruajtja dhe sigurimi i aeroportit te Kabulit, në kuadrin e një njësie shumëkombëshe të përbërë prej 1400 vetësh, me forca nga shtetet anëtare të NATO-s. Kontigjenti i parë ka filluar misionin në terren më datë 16.08.2002. Ishin 30 paqeruajtës shqiptarë, efektiv i Batalionit special “Komando”, trupa profesioniste dhe ndër më të përgatiturit për situata paqeruajtese, si ajo në Afganistan.
Përsa i përket forcave komando në Irak, misioni i tyre është përgatitja dhe zhvillimi i operacioneve stabilizuese dhe të sigurimit, në mbështetje të koalicionit “Liria e Irakut”. Përbërja e kontigjentit është; 9 oficerë, 17 kapterë, 3 ushtarë profesionistë, 42 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm.
Detyrat që ka kontigjenti ynë paqeruajtës në Irak janë shoqërim konvoi, pikë kontrolli (check point), patrullim në qytet, kontroll objektesh (banesash), ruajtja e qetësisë dhe e rendit publik (gaz, karburant), detyra siguruese (sigurimin e bazës, të shtabit, stacioni i trenit, etj), patrullim brenda dhe jashtë perimetrit të bazës.

KONTRIBUTI I SHQIPËRISË NË SEEBRIG
Iniciativë, që konsiston në qëllimet dhe principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB), është dhe SEEBRIG. Duke besuar se bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet vendeve të Evropës Jug – Lindore duhet të zhvillohet më tej dhe duke patur në konsideratë dedikimin e këtyre vendeve që të kontribojnë për siguri dhe stabilitet në rajon, si dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet këtyre vendeve, Ministrat e Mbrojtjes së shtatë vendeve pjesëmarrëse firmosën në Shkup më 26 shtator 1998, Marrëveshjen për një Forcë Shumëkombëshe për Paqe të Europës Jug-Lindore.
Sllovenia dhe Shtetet e Bashkuara, si vende vëzhguese, shprehën mbështetjen e tyre totale dhe dedikimin për të kontribuar në këtë iniciativë.
Gjatë takimit të pestë të SEDM-it në Selanik më 9 tetor 2000, Kroacia u pranua si vëzhguesi i tretë në Forcën Shumëkombëshe për Paqe të Europës Jug-Lindore. Pas kësaj, Ukraina u bë vëzhguesi i radhës gjatë Takimeve Ministrore në Proçesin e SEDM-it.
Në përgjigje të ofertës së forcës, dërguar NATO-s në prill 2003, një grup i NATO-s vizitoi Shtabin e SEEBRIG-ut në shtator, me qëllim caktimin e programit të vlerësimit dhe të kritereve. Në prill 2004, NATO bëri vlerësimin e Aftësisë Fillestare Operacionale. Në përfundim të këtij proçesi, SEEBRIG-u do të çertifikohej nga NATO si e aftë për pjesëmarrje në Operacione në Mbështetje të Paqes të drejtuara nga NATO ose EU.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, janë zhvilluar disa stërvitje përgjatë viteve.

Shenim i Agjencise Telegrafike Shqiptare

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania