Qytetarët, politika shqiptare dhe iluzioni i integrimit

Trazhgim Sokolaj
Politikëbërësit shqiptarë kanë qenë optimistë gjatë muajve të fundit lidhur me përpjekjet e vendit për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në samitin e Bukureshtit në pranverë 2008. Në fakt përpjekjet dhe rëndësia e procesit të anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut Verior kishin disa muaj që ishin kthyer në pjesë të përditshme të ligjërimit politik dhe publik të politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë. Është përmendur se Shqipëria ndodhej në kilometrin e fundit të rrugës së saj drejt NATO-s. Ka pasur pretendime se pas arritjeve të vlerësuara në fushën e mbrojtjes, kryesisht me reformimin e Forcave të Armatosura dhe plotësimin e 2 për qind të GDP-së për investime në këtë fushë, anëtarësimi do të ishte më i lehtë dhe më i sigurt. Të dy krahët e politikës janë përpjekur të “rrëmbejnë” suksesin e përafrimit me NATO-n ose ti faturojnë kundërshtarit mangësitë që na shkaktojnë vështirësi në përpjekjet për anëtarësim. Së fundi morëm dy mesazhe shumë të rëndësishme lidhur me përpjekjet e vendit për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut. Ambasadorja e SHBA-ve në NATO, konfirmoi se tani, Shqipëria nuk është gati për ftesën. Po kështu raport-progresi i autoriteteve evropiane gjeti përparim në disa fusha por mangësi të dukshme dhe të theksuara sa i përket luftës efektive kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, stabilitetit dhe dialogut politik dhe reformës zgjedhore. Në fakt këto nuk janë gjëra që thuhen për herë të parë. Gjithnjë kemi pasur probleme në këto aspekte. Çfarë po ndodh? Po ndodh që politikëbërësit dhe vdimarrësit e këtij vendi jo vetëm që nuk po i kuptojnë ose nuk po duan ti kuptojnë mesazhet e Brukselit por nuk po na lejojnë edhe ne qytetarëve të kuptojmë si duhet. Sepse pas çdo raporti apo deklarate të Brukselit lidhur me Shqipërinë dhe procesin e saj të hyrjes në BE apo anëtarësimit në NATO, vendimarrësit tanë dalin në konferenca shtypi dhe na bëjnë interpretime boshe për qëllime krejt elektorale. Përfundimisht nuk kemi nevojë për këtë gjë, i ka ikur koha. Tani na duhet që të kemi vendimarrës dhe politikëbërës që i dëgjojnë mirë këshillat dhe kërkesat e Brukselit dhe që mbi të gjitha përpiqen seriozisht ti zbatojnë ato në mënyrë të efektshme gjatë mandatit të tyre qeverisës si dhe të hedhin baza për pasardhësit e tyre në vendimmarrje që procesi të mos ndalojë. Pra nesh arrijmë përparim në një fushë të caktuar, të ecim përpara aty dhe jo të ndodhë siç në fakt ka ndodhur që me rotacionet politike gjithçka është arritur shkatërrohet dhe këtu e kam fjalën për ata nëpunës të zotë që duhet të vazhdojnë të punojnë seriozisht për të kapur standardet dhe kërkesat e BE-së dhe NATO-s, pa menduar se një ditë të bukur zgjedhjesh do të mësojnë lajmin e shkarkimit nga puna. Tani nuk kemi nevojë të na mburren politikanët se 2 për qind të GDP-së po e investojnë në fushën e mbrojtjes, dhe kjo është një arritje sepse këtë kërkon NATO. Ka vende anëtare të NATO-s që nuk investojnë 2 për qind të GDP-së në fushën e mbrojtjes dhe pse përpiqen të jenë afër kësaj shifre. Kjo ndodh sepse në këto vende demokratike, qytetarët janë aktivë dhe pjesëmarrës në vendimmarrje dhe duan që veç ushtrisë së fortë e moderne të kenë edhe shkolla, spitale, librari, rrugë, kanalizime dhe infastrukturë. Në Shqipëri politikanët nuk u vendosën asnjëherë jo vetëm nën presionin e qytetarëve po as përballë tyre, për të debatuar nëse është me vend që ato pak miliona të GDP-së në masën 2 për qind ti harxhojmë për investime në fushën e mbrojtjes. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur kemi probleme me rrugët, spitalet, shkollat, kanalizimet, ujësjellësit, rrjetin e transmetimit të energjisë apo krizën energjetike. Më shumë se 92 për qind e shqiptarëve janë dakord me anëtarësimin e vendit në NATO edhe pse sondazhet tregojnë se qytetarët nuk janë të qartë me përfitimet apo detyrimet që vijnë nga anëtarësimi. Mbi të gjitha konferencat e shtypit të ministrave dhe qeveritarëve që dalin dhe “zbusin” kritikat e Brukselit për Shqipërinë përbëjnë një kohë të çmuar që nëse do të harxhohej duke punuar do të kishim bërë ca përpara në fushat ku kritikohemi më shumë, lufta kundër korrupsionit, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Komunikimi politik natyrisht që nuk zgjidhet me një ditë, ai më së shumti ka të bëjë me karakterin e gjithsecilit aktor në politikë dhe mënyrën se ai ka vendosur të ndërtojë aksionin e tij politik. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë mirënjohës ndaj atyre që nuk na lejuan të krijojmë iluzione për anëtarësimin e sigurt në NATO në Bukuresht, sepse nëse do të vazhdonim të dëgjonim politikëbërësit tanë, atëherë kur të mësonim vendimin e Samitit të ardhshëm do të pësonim një zhgënjim të madh. Deri atëherë do të ndërgjegjësohemi për problemet që kemi dhe për ato që nuk shkojnë në mënyrë që kur të mësojmë se duhet bërë akoma më shumë, së paku të mos zhgënjehemi por të fillojmë të arsyetojmë shkaqet e vendimit.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania