BRUKSEL - Koordinatori Kombëtar për Çështjet e NATO-s, zoti Glori Husi, në krye të një delegacioni, zhvilloi sot një vizitë në selinë e NATO-s, në Bruksel. Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar prezantoi para Komitetit të Lartë Politik të Përforcuar të NATO-s. dokumentin e ciklit të 9-të Programit Kombëtar vjetor, në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësim në NATO (MAP). Cikli i 9-të i Planit të Veprimit të për anëtarësim në NATO është ndër më të rëndësishmit, pasi në muajin prill do të mbahet Samiti i Bukureshtit i vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior. Gjatë takimit, delegacioni shqiptar prezatoi arritjet e Shqipërisë gjatë periudhës së ciklit të 8-të të MAP, zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake në vend, si dhe objektivat e Shqipërisë për reformat që do të ndërmerren në kuadër të ciklit të 9-të të MAP-it. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kordinatori Kombëtar për Çështjet e NATO-s, zoti Husi, tha:
“Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,
Jam i lumtur që jam këtu sot për t’ju njohur me progresin dhe arritjet e reformave që kemi përvijuar në Programin Kombëtar Vjetor të Shqipërisë, si dhe me planet e mëtejshme për ciklin e nëntë të Planin të Veprimit për Anëtarësim, e më tej.
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbetet një nga prioritetet kryesore kombëtare dhe ka mbështetjen e të gjitha partive politike shqiptare dhe të mbi 94 për qind të qytetarëve shqiptarë. Samiti i Rigës i dërgoi dy mesazhe të qarta vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e Aleancës: një mesazh inkurajimi dhe mbështetjeje, për të cilin falënderojmë NATO-n dhe gjithë anëtarët e saj, si dhe një mesazh që ftesa për anëtarësim do të varet nga performanca e këtyre vendeve. Gjatë vizitave të tij në Këshillin e Atlantikut të Veriut, në nëntor 2005 dhe maj 2007, Kryeministri shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha, e siguroi dhe një herë Këshillin se shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për përfitimet që do të kenë nga anëtarësimi në NATO, por janë edhe të ndërgjegjshëm për detyrimet që lidhen me këtë anëtarësim. Kryeministri Berisha i konfirmoi Këshillit vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe për të paguar çdo çmim, në mënyrë që Shqipëria të plotësojë të gjitha standardet dhe kërkesat për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO. Në këto takime dhe në takime të tjera midis përfaqësuesve të NATO-s dhe zyrtarëve shqiptarë të të gjitha niveleve, ne kemi identifikuar së bashku fushat në të cilat duhet të jepen rezultate më konkrete dhe ne i dhamë këto rezultate. Më lejoni t’ju paraqes disa fakte dhe shifra konkrete të arritjeve tona në të gjitha këto fusha, gjatë ciklit të 8-të. Ne kemi rënë dakord së bashku që një dialog konstruktiv më i madh midis partive politike në parlamentin shqiptar është i domosdoshëm për suksesin e reformave. Më 18 shkurt 2007, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje me një atmosferë shumë të qetë dhe paqësore. Pavarësisht nga disa vonesa për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështje teknike dhe të infrastrukturës, zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të qetë dhe bashkëpunues, rezultati i tyre shprehu vullnetin demokratik të votuesve, dhe ato u pranuan nga të gjitha partitë politike. Policia shqiptare tregoi profesionalizëm, ndërsa media vendase dhe ndërkombëtare pati akses të pa kufizuar dhe transmetoi të gjitha zhvillimet e ditës së zgjedhjeve drejtëpërsëdrejti. Më 31 maj 2007, parlamenti shqiptar krijoi një komitet bipartizan ad-hoc, i cili drejtohet nga përfaqësues të koalicionit në pushtet dhe nga përfaqësues të opozitës, me qëllimin promovimin e të gjitha reformave legjislative që kanë të bëjnë me integrimin në NATO. Më 20 korrik 2007, parlamenti shqiptar zgjodhi presidentin e ri të vendit me konsensusin më të gjerë të mundur dhe nëpërmjet një procedure krejtësisht kushtetuese, që u mirëprit nga të gjithë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kjo u mundësua nga bashkëpunimi midis koalicionit në pushtet dhe opozitës. Forcat politike shqiptare në parlament vendosën të mos e pengojnë ritmin e reformave, duke e kthyer vendin në zgjedhje të reja, por të zgjedhin një politikan të matur dhe me përvojë për President të Republikës, si një garanci dhe shtysë e mirë për proceset e reformës. Ne kemi rënë dakord që reforma në drejtësi, që ka për synim të forcojë më shumë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit tonë të drejtësisë, ka rëndësi të madhe për rrugën drejt të ardhmes. Më 17 shtator 2007, udhëheqësit e të gjitha partive politike në parlamentin shqiptar u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët, të iniciuar nga Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi. Në këtë mbledhje, udhëheqësit politikë shqiptarë vendosën të krijojnë një komision special parlamentar, i cili, me mbështetjen e një grupi ekspertësh nga institucionet kushtetuese, ekzekutivi dhe gjyqësori, do të përgatisë dhe do t’i paraqesë parlamentit të gjitha instrumentet e duhura ligjore që nevojiten për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të gjyqësorit. Reforma e sistemit zgjedhor, që garanton zgjedhje që i përmbushin të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është thelbësore për çdo sistem demokratik. Komisioni bipartizan i krijuar nga parlamenti shqiptar po punon për krijimin dhe dorëzimin në parlament të këtyre iniciativave për sistemin elektoral, para fundit të vitit. Përpjekjet e qeverisë tani janë fokusuar tek krijimi i një regjistri elektronik të sigurt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe së shpejti do të hapet dhe një tender ndërkombëtar për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave dixhitale. Reforma e pronave ka bërë hapa të mëtejshëm përpara. Shqipëria vazhdon të jetë e angazhuar në zbatimin dhe arritjen e standardeve më të larta për respektimin e të drejtave të të gjitha minoriteteve, në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane “Për mbrojtjen e minoriteteve”. Nga ekonomia shqiptare vijnë lajme të mira. Situata ekonomike karakterizohet nga ritme të larta zhvillimi dhe nga një mjedis makroekonomik i qëndrueshëm. Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet me rreth 6 për qind çdo vit, inflacioni është i qëndrueshëm me vlerë rreth 2.4 për qind dhe defiçiti buxhetor është rreth 2.6 për qind. Eksportet shqiptare u rritën me rreth 28% gjatë vitit 2007. Investimet e huaja ishin tri herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditë bankare për ekonominë u rritën dhe tani janë rreth 30% e PBB-së dhe 70% e tyre i jepen biznesit privat. Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj të mëdhenj që janë të interesuar në eksplorimin e mundësive për investim në fushat e energjisë, minierave, bankave tregtare, turizmit, infrastrukturave të rëndësishme, etj. Reforma fiskale që u paraqit këtë vit nga qeveria do të thjeshtojë procedurat e taksave personale dhe të biznesit dhe do ta zëvendësojë taksën me një taksë të sheshtë prej 10%, më e ulëta në Evropë, me qëllim krijimin e një ambienti më tërheqës për investimet e huaja. Lufta kundër informalitetit vazhdon të jetë një nga prioritetet e axhendës së qeverisë. U vendosën paga dhe çmime reference për të eliminuar evazionin tatimor. Përpjekjet tona për të tërhequr turistë të huaj kanë dhënë rezultat. Numri i turistëve në vitin 2007 u rrit me 70%, në krahasim me vitin 2005. Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar vazhdon të japë rezultate. Mbi 851 anëtarë dhe drejtues të 202 grupeve të ndryshme kriminale janë arrestuar dhe 191 të kërkuar janë ekstraduar nga vendet e rajonit. Shqipëria nuk është më vend burimi ose tranziti për trafikun e qenieve njerëzore. Ajo nuk është më as rruga e preferuar e trafikut të heroinës ose kokainës. Moratoriumi trevjeçar për mjetet lundruese motorike tregoi se ishte një mekanizëm shumë i suksesshëm për këtë qëllim. U miratua ligji i ri për Policinë e Shtetit, i përgatitur me ndihmën e PAMECA-s dhe ICITAP-it. Shqipëria vazhdon bashkëpunimin e saj të ngushtë dhe frytdhënës me fqinjët, BE-në, SHBA-të dhe agjencitë e tyre të rendit dhe të zbulimit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u krijua një sektor i ri i Antikrimit Ekonomik dhe Pastrimit të Parave, kurse, në bashkëpunim të ngushtë me FBI-në dhe Komisionin Evropian u krijua një Task Force e Përbashkët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar. Puna e këtyre sektorëve të rinj ka dhënë rezultate të prekshme. Janë shkatërruar 30 grupe që merreshin me krim ekonomik dhe janë ndaluar 150 anëtarë të këtyre grupeve. Lufta kundër korrupsionit ka vazhduar me tolerancë zero dhe pa marrë në konsideratë ngjyrat politike. Janë shkatërruar 10 grupe dhe janë arrestuar mbi 47 persona me akuza korrupsioni. Jo më larg se javën e kaluar u arrestuan një numër punonjësish të punëve publike dhe transportit, nën akuzën e korrupsionit, përfshi dhe një zyrtar të lartë. Mbrojtja me ligj e informatorëve për rastet e korrupsionit, si dëshmitarë të krimeve të rënda, si dhe shpërblimi me 6% të vlerës së aferës korruptive që kanë denoncuar, ka treguar se është efikase. Në javët në vijim do të shqyrtohet në parlament ligji i ri për kufizimin e imunitetit për zyrtarët, në raste korrupsioni. Lufta kundër korrupsionit në dogana dhe në shërbimet tatimore ka sjellë një rritje prej 27% të të ardhurave dhe menaxhimi më i mirë i burimeve publike ka ulur shpenzimet me 40%. Lufta kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe kontrabandës, bëri të mundur që qeveria shqiptare të miratojë në qershor 2006 dhe qershor 2007 buxhete shtesë, me vlerë deri në 24% të buxhetit të zakonshëm të shtetit. Kjo mundësoi financimin e plotë të reformave për mbrojtjen, duke planifikuar që buxheti i mbrojtjes të jetë në nivelin 2% të PBB-së për vitin 2008, ose dy vjet më herët se ç’ishte planifikuar, si dhe arritjen e një ushtrie tërësisht profesioniste në vitin 2010 dhe jo në vitin 2013, siç mendohej më parë. Këtë tetor do të zbatohen projekte të rëndësishme antikorrupsion për prokurimin elektronik, nën kornizën e ndihmës së Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit. Është krijuar zyra e Avokatit të Popullit për prokurimet publike. Kemi filluar nga puna për procedurat e administrimit të taksave elektronike. Korniza ligjore do të jetë gati në fund të vitit. Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit filloi nga puna në fillim të shtatorit, duke u bazuar në parimin e ofrimit të të gjitha shërbimeve në të njëjtin vend dhe duke e ulur kohën e regjistrimit për kompanitë nga 46 ditë, në 24 orë, nëpërmjet procesit elektronik të regjistrimit. Edhe reforma në sektorin e mbrojtjes ka qenë e suksesshme. Falë bashkëpunimit me NATO-n dhe vendet e tij anëtare, reforma në fushën e mbrojtjes po i transformon Forcat e Armatosura në një ushtri moderne, krejtësisht profesioniste, të pajisur dhe të trajnuar mirë dhe që mund të ndërveprojnë dhe të mbështesin operacionet e udhëhequra nga NATO-ja, kudo nëpër botë. Unë shfrytëzoj këtë rast, për të theksuar se qeveria shqiptare do ta mbështesë plotësisht, në mënyrë financiare dhe në çfarëdo mënyrë tjetër, reformën në fushën e mbrojtjes. Për këtë qëllim, qeveria e ka rritur buxhetin e mbrojtjes për 2007-ën në 1.84 % të PBB-së dhe ka planifikuar që buxheti i mbrojtjes për 2008-ën të jetë në nivelin 2% të PBB-së. Buxheti i mbrojtjes do të mbetet në këto nivele deri në vitin 2020.
Zonja dhe zotërinj,
Si njohje e këtij përparimi Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit me Bashkimin Evropian, më 12 qershor 2006. Kjo ngjarje u pasua nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave në Bruksel. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, zbatimi i Marrëveshjes së Ndërmjetme ka qenë i suksesshëm në rastin e Shqipërisë. Shqipëria do ta vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe do të vazhdojë të luajë rol moderator dhe konstruktiv në rajon. Në këtë kontekst, ne mbështesim plotësisht propozimin e Presidentit Ahtisari, si zgjidhja më e mirë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të inkurajojë lidershipin e Koosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin konstruktiv me faktorin ndërkombëtar gjatë periudhës 120 ditore të negociatavve. Ne shohim me keqardhje sinjalet radikale që vijnë nga Beogradi kohët e fundit. Në qoftë se ky qëndrim jo produktiv dhe jorealist i Beogradit vazhdon dhe, nëse tryeza dështon, ne besojmë se BE dhe NATO duhet të marrin iniciativën diplomatike për implementimin e paketës Ahtisari. Kjo vjen nga bindja jonë se projekti i Presidentit Ahtisari ofron standardet më të mira të mundshme për mbrojtjen e minoriteteve dhe për të drejtat e tyre dhe, në të njëjtën kohë, respekton dëshirën dhe ëndrrën e popullit të Kosovës për pavarësi, si një kusht thelbësor për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kartën e Adriatikut në mënyrë aktive dhe ka arritur suksese të mëdha në bashkëpunimin me dy vendet e tjera të A-3-it. Ne vazhdojmë të mbështesim iniciativën e SEDM, SEEBRIG, RACVIAC, ADRION dhe SEEC-në. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë anëtarët e rinj të Partneritetit për Paqe, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, në përpjekjet e tyre për t’u integruar. Bashkëpunimi ynë i ngushtë me NATO-n do të arrijë maja më të larta gjatë ciklit të nëntë dhe unë do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të falënderuar NATO-n, vendet anëtare, përfaqësuesit e tyre dhe, në veçanti, taksapaguesit e vendeve tuaja, për mbështetjen që i keni ofruar Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Republika e Shqipërisë dënon të gjitha aktet terroriste dhe do të vazhdojë të mbështesë operacionet ndërkombëtare kundër këtij rreziku. Trupat tona do të vazhdojnë të marrin pjesë në operacionet e udhëhequra nga NATO, BE-ja dhe operacione të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë dhe ISAF-in në Afganistan dhe Iraqi Freedom. Ne kemi vendosur të çojmë një kompani tjetër në Afganistan. Kemi firmosur pjesëmarrjen në operacionin Active Endeavour, në detin Mesdhe dhe kemi shprehur vullnetin politik për të marrë pjesë në grupin e Forcave të gatshme të NATO-s.
Z. Kryetar,
Të nderuar përfaqësues të vendeve anëtare,
Tetë ciklet e Planit të Anëtarësimit kanë qenë për ne edhe sfidë edhe mësim. Me ndihmën tuaj ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm dhe mirëpresim atë që na pret. Dokumenti që do të shqyrtojmë jep një imazh pozitiv të asaj që kemi bërë dhe të mundësive tona për të vazhduar të përparojmë në periudha afatshkurtra dhe afatmesme. Megjithatë, ne e dimë shumë mirë dhe nuk hezitojmë të vëmë në dukje se ka akoma një numër mangësish që nuk janë plotësuar. Por një gjë është e sigurt: asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar më shumë se Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit të tranzicionit dhe transformimit. Demokracia jonë është e re, por funksionale, me institucione të konsoliduara dhe me një ndarje të qartë të pushteteve. Ekonomia jonë e tregut po zhvillohet me ritmet më të shpejta në rajon dhe ligji sundon kudo dhe mbi këdo. Gjatë këtyre 2 viteve të fundit Shqipëria kaloi tre provime të rëndësishme, zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, zgjedhjet vendore në shkurt të vitit 2006 dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës para dy muajsh, duke treguar në këtë mënyrë se procesi i reformës është me baza dhe i pakthyeshëm dhe se Shqipëria nuk do t’i habisë më kurrë partnerët dhe aleatët e saj. Ne besojmë se duke pranuar Shqipërinë dhe dy vendet e tjera të Kartës Adriatik 3, si anëtarë, në Samitin e Bukureshtit, Aleanca do të bëhet më e fortë dhe krahu i saj juglindor do të më i sigurt dhe më i qëndrueshëm. Në muajt që do të vijnë, Shqipëria do të vazhdojë të tregojë pjekurinë e shoqërisë së saj, aftësinë për të reformuar dhe konsoliduar më tej institucionet e saj demokratike dhe shtetin ligjor, si dhe zhvillim të mirë ekonomik. Besimi ynë i patundur në vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, si dhe aspiratat e ngahershme të kombit tonë për t’u kthyer e ribashkuar me familjen Euro-Atlantike, do të vazhdojnë të shërbejnë si shtysë që do ta ndihmojë Shqipërinë të plotësojë kërkesat dhe standardet e duhura, për të merituar ftesën për në NATO në samitin e ardhshëm të zgjerimit.
Ju faleminderit.”
Fjala e Koordinatorit Kombëtar për Integrimin e Shqipërisë në NATO
“Shqipëria, e vendosur të ndërmarrë çdo reformë për anëtarësim në NATO”
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Rreth meje
- Trazhgim Sokolaj
- GAZETAR / Journalist
Lidhje ne Fokus
Lidhje
- Krasta Krau
- Artikujte tjere ne Google nga T.Sokolaj
- Artikuj nga T.Sokolaj (Ne Google)
- Levizja MJAFT
- Sajmir Kola
- Turizmi Shqiptar, Albanian Turism, Guide
- Gazeta Start
- NATO
- Keshilli i Larte i Drejtesise
- Ministria e Drejtesise
- Partia Demokratike
- Partia Socialiste
- Presidenca e Shqiperise
- Ministria e Kultures, Turizmit, Rinise dhe Sporteve
- Photo from Albania
- Peshku pa Uje, Blogger
- Ministria e Integrimit
- Deutsche Welle (In Albanian)
- BBC (In Albanian)
- Vioce of America (In Albanian)
- Ministria e Mbrojtjes
- Ministria e Brendshme
- Parlamenti Shqiptar
- Qeveria Shqiptare
- Express, Kosove
- Televizioni i Kosoves
- E-mail (Hotmail)
- E-mail (Yahoo)
- Motor Kerkimi (Google)
- Portali Shqiptar
- Revista MAPO
- Tv Klan
- Vizion Plus
- Top Channel
- Gazeta Panorama
- Gazeta Shekulli
- Albania Photo Album (Alket Islami)
Nuk ka komente:
Posto një koment