Trazhgim Sokolaj / TIRANE
Qëndrimet që mbajnë të huajt kur flasin për procesin e afrimit të Shqipërisë me Organizatën e Atlantikut Verior, NATO, janë optimiste. Në takime a konferenca të përbashkëta me shtetarë shqiptarë përfaqësues dhe qeveritarë të shumicës së vendeve anëtare të NATO-s, kanë vlerësuar përparimin e Shqipërisë dhe kanë nxituar realizimin e reformave. Pak ditë më parë teksa ndodhej me vizitë zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në një deklaratë të Silvio Berluksonit i cili pohoi mbështetjen ndaj Shqipërisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ishte në Spanjë javën e kaluar nga ku mori konfirmimin se ky vend mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut Verior. Përfaqësuesi anglez në NATO, i cili së fundi ishte për një vizitë pune në Tiranë shprehu vlerësim për reformat e ndërmarra dhe tha se Shqipëria ka mbështetjen e Qeverisë britanike në përpjekjet për tu afruar me NATO-n. Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim por shtoi se reformat e ndërmarra do të jenë në mbikëqyrje deri në momentin e fundit kur pritet të merret një vendim në Samitin e Bukureshtit në 2008. Kryeministri i vendit Sali Berisha disa herë në deklaratat e tij e ka shpallur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si një nga prioritetet kryesore të vendit dhe qeverisjes së ekzekutivit aktual. Anëtarësimi në NATO gjendet gjithnjë e më shumë edhe në fjalimet e Presidentit të vendit Bamir Topi kur është fjala për reformën në sistemin zgjedhor apo luftën kundër informalitetit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Parlamenti i Shqipërisë ndoshta përjetoi ditën më “paqësore” të tij kur para mbylljes së sesionit 2006-2007 miratoi me konsensusin e forcave politike, krijimin e Komisionit Parlamentar për Integrimin e vendit në NATO. Afrimi dhe anëtarësimi në strukturat e BE-së dhe NATO-s ka hyrë tanimë në axhendën e krerëve të partive politike duke filluar nga më e madhja në opozitë e drejtuar nga Edi Rama dhe duke vijuar deri në subjektet e vogla politike të dy krahëve politikë.
Në të vërtetë duket se brenda vendit ka një sensibilizim të madh lidhur me rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO. Është me rëndësi të theksohet mbështetja amerikane që Shqipëria gëzon në këtë drejtim. Vendet anëtare të Organizatës dhe vetë forumet e saj duket se kanë një “dashamirësi” ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për tu anëtarësuar në NATO, për të luajtur një rol konstruktiv në rajon dhe për të marrë pjesë në fushatën ndërkombëtare kundër terrorizmit. Por ndërsa imazhi sipërfaqësor i krijuar lidhur me shanset për pranimin e vendit në NATO duket optimist, realiteti ngjan të jetë paksa i ndryshëm. Është e qartë se vendet anëtare të NATO-s dhe forumet e kësaj organizate do të bëjnë një vlerësim objektiv të gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria, reformave dhe përparimit të bërë, ashtu sikurse objektivisht dhe në dritën e diellit do të vlerësohen edhe mangësitë. Nëse ka pikëpyetje lidhur me reformat e bëra qoftë edhe nga një anëtar i vetëm i NATO-s lidhur me Shqipërinë dhe nëse ndonjë vend anëtar vendos veto, atëherë gjithçka mbetet në vend.
A ekziston rreziku që të ndodhë kjo?
Kërkesat bazë për anëtarësimin në NATO, janë: Reforma në mbrojtje, kontrolli demokratik i Forcave të Armatosura, bashkëveprimi i ushtrisë shqiptare me forcat e NATO-s, buxheti i mbrojtjes kërkohet të jetë 2 për qind e GDP-së. Më pas renditet lufta kundër krimit të organizuar, ecuria e institucioneve demokratike, zgjedhjet, mardhëniet mes partive, gjykata, qeveria, Presidenca, transparenca, shteti juridik, aftësitë e policisë, gjyqësori, siguria, çka nënkupton pozicionin e vendit në ajon, mundësia për të dhënë stabilitet.
Kultura që tregoi klasa politike në procesin e pjesshëm zgjedhor në zonën 31 në Tiranë, kriza energjetike, perceptimi për nivelin e korrupsionit, niveli i informalitetit dhe krimi i organizuar si dhe kriza energjetike dhe problemet ekonomike të vendit janë çështje që shkojnë në favor të mospranimit të Shqipërisë në NATO. Problemet e pronësisë, drejtësisë, biznesit, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit ekonomik janë sërish fusha në të cilat Shqipëria nuk vlerësohet mirë. Por nga ana tjetër, në kohën kur përcaktimi i statusit të Kosovës po afron gjithnjë e më shumë duket se roli i Shqipërisë në rajon është më i rëndësishëm se kurrë ndonjëherë. Aq i rëndësishëm saqë është e pamundur të kuptohet cili do të jetë vendimi që Organizata e Atlantikut Verior do të marrë në samitin e Bukureshtit 2008 lidhur me Shqipërinë. Deri atëherë një gjë është e sigurt: Që Shqipëria do të jetë në monitorim deri në momentin e fundit. Dhe këtë, më shumë se kushdo tjetër është e rëndësishme ta kuptojnë qeveritarët dhe shtetarët e këtij vendi që anëtarësimi i vendit në NATO të mos jetë prioritet vetëm “në letrat” e fjalimeve pompoze ku nuk ka asnjë vlerë.
Nuk ka komente:
Posto një koment