Ministri gjerman i Mbrojtjes: Shqipëria partner serioz në rrugën drejt anëtarësimit në NATO-s



Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, priti dje në mbrëmje Ministrin e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Dr. Franc Jozef Jung. Gjatë takimit u evidentua niveli mjaft i mirë i marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në fushën ushtarake. Presidenti Topi veçoi rreshtimin në misionet e përbashkëta antiterror në Afganistan e Bosnje-Hercegovinë si një eksperiencë që e çon përpara Shqipërinë në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s. Në këndvështrimin e Presidentit Topi dhe të ministrit Jung, Paketa Ahtisari është rruga e duhur për të ardhmen e Kosovës. Presidenti Topi nënvizoi se në këto momente është i domosdoshëm përcaktimi i pavarësisë së Kosovës në një kohë sa më të shpejtë, ndërsa Shqipëria është kundër çdo skenari ndarjeje të Kosovës.”Jam i bindur u shpreh Kryetari i Shtetit se përpjekjet e BE-së, të SHBA-ve, të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së e të Trojkës do arrijnë në një përfundim legjitim mbi statusin e Kosovës, duke i hapur rrugën integrimit të saj në familjen europiane”.Ministri gjerman i Mbrojtjes u shpreh se Gjermania do të mbështesë të gjitha përpjekjet për një zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës, si kushti paraprak për një zhvillim sa më të shpejtë të saj. Në përfundim të takimit Presidenti Topi dhe Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Jung, iu përgjigjën interesimit të mediave.

Presidenti i Republikës Bamir Topi:
Me zotin Ministër të Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë diskutuam rreth marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona, duke specifikuar fushën e mbrojtjes si mjaft të rëndësishme pasi një nga aspiratat tona është pikërisht integrimi i Shqipërisë në NATO, duke shpresuar shumë në një ftesë në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Jemi shprehur gjithashtu për çështje të politikës rajonale. Unë i shpreha z. ministër që Shqipëria është kontribuuese e paqes në rajon. Diskutuam në mënyrë të veçantë për problemin e pavarësisë së Kosovës. I shpreha z. ministër qëndrimin e shtetit shqiptar se një Kosovë e pavarur, demokratike dhe subjekt i të drejtës ndërkombëtare do të bënte të mundur që të gjitha vendet e rajonit t’i largohen me shpejtësi të kaluarës dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre europiane dhe euroatlantike. Gjithashtu, shpreha dëshirën që këto marrëdhënie në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë dhe Gjermanisë të jenë të tilla që të garantojnë një të ardhme të sigurt pasi vendet tona janë pjesë e sistemit kundër terrorizmit ndërkombëtar, janë pjesë e misioneve të përbashkëta. Natyrisht që gjeta gatishmërinë tek z. ministër për t’i avancuar këto marrëdhënie në të ardhmen.

Ministri i Mbrojtjes i Republikës Federale të Gjermanisë, Dr. Franc Jozef Jung:
Do të nënvizoja me këtë rast që pata kënaqësinë të flisja me z. President për këto probleme të përbashkëta. Konstatova se ne jemi përgjithësisht të një mendimi sa i përket çështjeve të rëndësishme për të dy popujt tanë. Dhe fusha e mbrojtjes është baza për një zhvillim paqësor dhe marrëdhëniet tona dypalëshe në këtë fushë po zhvillohen mjaft mirë. Ne që prej gati dhjetë vitesh jemi duke dhënë një kontribut të përbashkët në Bosnje-Hercegovinë, si dhe për luftimin e terrorizmit në Afganistan. Jemi të mendimit që ne kemi nevojë për një zgjidhje sa më të shpejtë në Kosovë. Po të jetë e mundur kjo zgjidhje duhet të gjendet mbi bazën e Planit Ahtisari. Ne duam një zhvillim paqësor dhe stabël në Kosovë dhe përtej Kosovës. Dua të falënderoj Presidentin për këtë bisedë, si dhe për marrëdhëniet shumë të mira midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Dje ministri gjerman i Mbrojtjes zhvilloi një takim edhe me homologun shqiptar Fatmir Mediu, ku shprehu mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Në kuadrin e disa vizitave të ndërmarra në Kroaci-Maqedoni-Shqipëri, vizitoi për herë të parë vendin tonë, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Dr.Franz Josef Jung”, thanë burimet zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes në Tiranë. Sipas tyre, përmes një ceremonie të veçantë me bandë e truprojë nderi, në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministri Gjerman u prit nga homologu i tij shqiptar z.Fatmir Mediu. Gjatë bisedimeve mes dy homologëve të mbrojtjes, Ministri Mediu e vlerësoi vizitën e z.Jung të një rëndësie të veccantë dhe Gjermaninë një partner të rëndësishëm për Shqipërinë. Gjermania është një ndër vendet që ka dhënë kontribut të veçantë në fushën e bashkëpunimit ushtarak, bashkëpunim i cili i ka fillimet e veta që në vitin 1992 dhe është shtrirë kryesisht në fushën e arsimimit dhe kualifikimit të personelit ushtarak dhe atë logjistik. Më tej, ai vijoi me prezantimin e reformave të ndërmarra në Forcat tona të Armatosura në përputhje me standardet e kërkuara nga NATO. Lidhur me to, një mbështetje të madhe ka dhënë dhe vazhdon të jap Qeveria Shqiptare, e cila ka parashikuar një rritje graduale nga viti në vit, deri në vitin 2010, kur buxheti i mbrojtjes do të jetë 2% e GDP. Një pikë tjetër e bisedimeve dypalëshe ishte edhe politika e përbashkëta evropiane në fushën e sigurisë si dhe kontributi i dy vendeve tona për ruajtjen e saj, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Në këtë kuadër Gjermania dhe Shqipëria janë angazhuar së bashku për sigurimin e paqes në Bosnjë-Hercegovinë, në kuadrin e misionit Althea, të drejtuar nga BE . “Ky mision përfaqëson përpjekjen e parë të Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me trupa ushtarake në shërbim të paqes jashtë kufijve të saj, ku padyshim Gjermania ka meritën e vet”,-vuri në dukje Ministri Mediu. Nga ana e tij ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, vlerësoi rezultatet e Forcave të Armatosura dhe mbështetjen që qeveria u jep për t’u integruar sa më shpejtë në Aleancë. Ai u shpreh i gatshëm për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe institucioneve homologe, i cili është jo vetëm i nevojshëm, por edhe plotësisht i mundshëm. “Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo kontribut në mbështetje të modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare”,-u shpreh z.Jung. Për Gjermaninë, Ballkani është një rajon që paraqet një interes të veçantë dhe në këtë kuadër, bashkëpunimi me Shqipërinë është me rëndësi të madhe. Më tej ministri Gjerman Jung vuri në dukje se Gjermania ka njohur dhe vlerësuar rolin moderues të Shqipërisë në Ballkan, ku veçanërisht i rëndësishëm është roli i saj në problemet që kanë të bëjnë me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Kjo vjen si për shkak të fqinjësisë me këto vende, ashtu dhe për shkak të rolit të popullsisë shqiptare atje. Ministri Jung e konsideroi Shqipërinë një partner serioz në rrugën e integrimit në NATO, rrugë në të cilën pa dyshim do të ketë edhe mbështetjen e Gjermanisë. Në përfundim të takimit, dy ministrat e Mbrojtjes dolën në një konferencë për shtyp dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ministri Gjerman i Mbrojtjes vijoi takimet, sipas agjendës së tij me personalitetet më të larta të shtetit.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania