
29 gusht 2007
TIRANE - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-ve në Tiranë, Dr. Xhon L. Uithers II, i cili i paraqiti Letrat-kredenciale. Ambasadori amerikan i përcolli Presidentit Topi përshëndetjet e Presidentit të SHBA-ve Xhorxh W. Bush. Kreu i shtetit e siguroi Ambasadorin amerikan për vendosmërinë e tij në shpënien përpara të reformave institucionale të domosdoshme në Shqipëri dhe i kërkoi t’i përcillte Presidentit Bush përshëndetjet e Tij më të përzemërta.
Gjatë ceremonisë u shpreh reciprokisht dëshira dhe vullneti në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve ku ambasadori amerikan siguroi Presidentin Topi se SHBA-të mbeten mbështetës të fortë të Shqipërisë në aspiratat e saj për integrimin në NATO. Duke biseduar për situatën në rajon e veçanërisht mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, Presidenti shqiptar dhe Ambasadori amerikan ndanë besimin për një Kosovë të pavarur dhe për zgjidhjen e statusit te saj në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur.
Nuk ka komente:
Posto një koment