Forcat kryesore politike në Shqipëri keqpërdorin mesazhet e ndërkombëtarëve


Trazhgim Sokolaj/KOMENT
TIRANE – U zhvillua sot më 25 qershor 2007 në Tiranë, raundi i katërt i negociatave mes dy forcave kryesore politike lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Qytetarët e kanë të paqartë çfarë konkretisht ka ndodhur në tavolinën e negociatave. Negociatorët po tregohen të kujdesshëm në deklarata me qëllim që të mos dëmtojnë frymën e mirëkuptimit që sikurse pretendohet karakterioi bisedimet e deritanishme, të filluara vetëm një ditë para afatit kushtetues për votimin e Presidentit në Parlament. Analistë të shumtë në Tiranë, janë vendosur në pozicione të ndryshme sa i përket zgjedhjes së Presidentit dhe praktikës që ndjekur deri më tani. Ata po fajësojnë kryesisht dy forcat më të mëdha politike se kanë zvarritur procesin, se kanë shtyrë negociatat të cilat mund të filloheshin më parë dhe në fund, se këto dy forca politike realisht po emërojnë Presidentin dhe se Kreu i Shtetit nuk po vjen si produkt i zgjedhjes por ai produkt i zgjidhjes së “të mesmes së artë” mes pretendimeve të dy kampeve kryesore politike. Zërat që kritikojnë këtë proces negociatash, thonë se dy partitë kryesore së pari nuk po zhvillojnë negociata të zgjeruara, pasi në tavolinën e bidesimeve përfaqësohen vetëm dy partitë e mëdha ndërsa përfaqësuesit politike të partive të vogla, nuk janë ftuar në bisedime. Kritizerët e negociatave, thonë se bisedimet në tavolinë për emrin e Presidentit, si dhe fakti se asnjë forcë politike apo grup deputetësh nuk paraqiti propozime në seancën e zhvilluar në Parlament në afatin kushtetues të votimit të Presidentit, tregon qartë se dy partitë kryesore politike, po e emërojnë Presidentin. Kritikët thonë se Presidenti sipas Kushtetutës, është përfaqësues i Unitetit të Popullit dhe i zgjedhur nga Parlamenti me më shumë se 84 vota. Negociatat mes dy partive kryesore politike, shikohen si një nënshtrim i votave përkatëse në Parlament nga dy kampet kryesore politike, të cilat deri tani janë të bindura se deputetët do të votojnë emrat që hidhen në tavolinën e negociatave. Partia Demokratike drejtpërdrejt dhe indirekt aleatët e saj në qeverisje, e lidhin zgjedhjen e Presidentit më së shumti me shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Fakt për këtë janë deklaratat e dy kandidatëve të vetëshpallur për President, Bamir Topi dhe Fatos Nano, të cilët publikisht kanë pranuar se do ta shkarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm nëse zgjidhen në karrigen e Presidentit. Kjo duket një përpjekje e të dyve për të siguruar vota nga kapitali parlamentar i djathtë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste e lidh zgjedhjen e Presidentit me një paketë reformash e cila siç është deklaruar, është miratuar nga përfaqësuesit e djathtë në negociata. Pjesë e kësaj platforme është edhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, çka nënkupton veç të tjerave edhe mosshkarkimin e Kryeprokurorit. Duket se Presidenti i ardhshëm do të jetë i kushtëzuar së tepërmi nga dokumenti i firmosur nga dy palët në negociata, por më shumë sesa kaq, kreu i ardhshëm i shtetit, duket se do të jetë tërësisht “i kapur” nga mesatarja e artë mes interesave të dy kampeve kryesore politike. A është atëherë ky, Presidenti që i duhet dhe që mund ti shërbejë Shqipërisë? A do të jetë ky President i pavarur në detyrën e tij? A do të përfaqësojë ai Unitetin e Popullit? A janë parimet e paketës së reformave, në përputhje me prioritetet që i duhen Shqipërisë tani në fazën intensive të përafrimit me Bashkimin Evropian dhe me Organizatën e Atlantikut Verior? Dhe a është kjo, e negociatave, një përvojë antidemokratike që po krijohet tashmë në mënyrën e përcaktimit të Presidentit të vendit? Të gjitha këto janë pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje nga aktorët e dukshëm dhe të padukshëm që po luajnë “serialin” e zgjedhjes së Presidentit. Qytetarët fillimisht dhanë idenë se ishin të ndjeshëm lidhur me zgjedhjen e Presidentit, pasi në fjalorin politik po shfaqej termi “zgjedhje të parakohshme”. Interesi u rrit më tej kur përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, bënë thirrje për zgjedhjen e Presidentit sipas parimeve Kushtetuese, dhe për shmangien e zgjedhjeve të parakohshme. Tani, kur loja është komplikuar dukshëm, dhe kur gjithnjë e më shumë po përflitet se President i Shqipërisë do të jetë një emër i pa dëgjuar më parë, qytetarët të shtyrë edhe nga temperaturat e larta që kanë mbërthyer vendin, duket se e kanë humbur durimin të ndjekin apo të hulumtojnë ecejaket e zgjedhjes së Presidentit, nënkuptimet në deklaratat e negociatorëve, rënien në humnerë të kandidatëve të përfolur deri tani dhe mbi të gjitha, shfrytëzimin e keq dhe të turpshëm që dy forcat politike po i bëjnë apelit ndërkombëtar për zgjedhjen e Presidentit sipas parimeve kushtetuese, duke e emëruar Presidentin, duke e kapur atë dhe duke paracaktuar me diktatin e liderit, numrin e votave që kandidati për kryetar shteti do të marrë në Parlament. Dhe siç ndodh gjithnjë në Shqipëri, zgjidhja më e drejtë, duket e pamundur. Ish-Presidenti Rexhep Meidani, e ka bërë publike idenë e tij se zgjedhja e Presidentit nga populli do të ishte ideja dhe zgjidhja më e mirë. Por klasa politike në pushtet dhe në opozitë, justifikohet ta shmangë këtë, duke thënë se Shqipëria është Republikë Parlamentare, së vendi nuk ka infrastrukturë zgjedhore dhe se nuk mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë. Kur forcat politike kanë pasur interesa jetike, në mesin e armiqësisë së shtirur mes tyre, kanë bashkuar votat dhe kanë ndryshuar Kushtetutën. Tani pikëpyetjet janë: A po e zhdukin pluralizmin parlamentar në këtë vend, dy forcat politike dhe udhëheqësit e tyre? A po i keqkuptojnë në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq a po i keqpërdorin forcat kryesore politike në Shqipëri mesazhet e ndërkombëtarëve? Çfarëdo që të ndodhë, koston duket se do ta paguajnë qytetarët shqiptarë që jetojnë edhe në vitin 2007 në një diferencë të largët me realitetin evropian, ndërsa politikanët duket se do të vazhdojnë shfaqjet e tyre aktoriale, rotacionin politik dhe mbajtjen peng të votave jo vetëm në Parlament por edhe në çdo cep të Shqipërisë ku ushtrojnë terror e gënjejnë qytetarët, sa herë që zhvillohen zgjedhje dhe më pas zhduken në kafenetë e Bulevardit kryesor të Tiranës.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania