
BRUKSEL - Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha prezantoi sot (e enjte 24 maj 2007) në Këshillin e Ambasadorëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut progresin e bërë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në kuadër të Planit kombëtar të Veprimit të Anëtarësimit (MAP). Në këtë takimin, që u zhvillua në mbyllje të ciklit të 8-të të MAP-it për Shqipërinë, u vlerësuan arritjet në fushën e mbrojtjes dhe të reformave në Forcat e Armatosura Shqiptare, veçanërisht rritja e buxhetit për mbrojtjen në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2008, masat për rritjen e forcës goditëse në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe treguesit ekonomiko-financiarë. Gjithashtu qeveria shqiptare u vlerësua për politikën e saj të jashtme dhe rolin moderator në rajon në drejtim të paqes dhe sigurisë, si dhe kontributin e saj në misionet e drejtuara nga NATO, ku merr pjesë Shqipëria dhe në luftën kundër terrorizmit. Duke folur në Këshillin e Ambasadorëve, Kryeministri Berisha konfirmoi vendosmërinë e palëkundur të qeverisë shqiptare për integrimin në NATO. Kryeministri tha se në sajë të reformave të ndërmarra, gjatë periudhës së ciklit të 8-të të Planit të Veprimit të Anëtarësimit, janë arritur rezultate konkrete në të gjitha fushat. Procesi i MPA-it ndihmon vendet aspirantë në përpjekjet e tyre për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Dokumenti i Planit të Veprimit për Anëtarësim mbulon pesë fusha: çështjet politiko-ekonomike, çështje të mbrojtjes, çështje të burimeve të mbrojtjes, çështje të sigurisë së informacionit, çështje ligjore.
Nuk ka komente:
Posto një koment