Presidenti i Shqipërisë: Mbështesim plotësisht paketën “Ahtisari”


TIRANE - Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu mbështet plotësisht Planin Ahtisari si një dokument kompromisi dhe kontribut real për një Kosovë të pavarur. Kreu i Shtetit Shqiptar, Alfred Moisiu, mori pjesë në Samitin e 14-të të Presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore, që u zhvillua në Brno (Çeki), në datat 24-26 maj. Gjatë punimeve të këtij Samiti, Kryetari i Shtetit zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me homologë nga rajoni dhe në seancën e dytë, ditën e sotme, mbajti një fjalë në të cilën theksoi se “pranimi dhe mbështetja e Planit Ahtisari do të ishte një kontribut real për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike, ku garantohen dhe mbrohen të drejtat e pakicave”.
Duke aluduar qartë ndaj fjalës së Presidentit të Serbisë, Tadiç, një ditë më parë, Presidenti Moisiu tha se nuk është normale të flitet për zgjidhjen e problemit të Kosovës, sikur atje të mos kishte ndodhur asgjë në këto dy dekadat e fundit. Me referencë në të kaluarën së afërt të rajonit të Ballkanit me ngjarje tronditëse, luftëra dhe gjakderdhje, madje dhe spastrim etnik, Presidenti Moisiu nënvizoi se “çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës erdhi si domosdoshmëri e përballimit të realiteteve të reja, e ndryshimeve të thella që ndodhën në Ballkan pas shembjes së Murit të Berlinit, fundit të Luftës së Ftohtë dhe përmbysjes së komunizmit. ishin këto motive madhore që ndihmuan në ndryshimet e thella që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë”. “Të mbyllësh sytë para këtij realiteti te ri”, - u shpreh Presidenti, “do të thotë të mbetesh peng i së kaluarës” dhe shtoi se “çdo tentativë për të sjellë edhe një herë në hapësirën ballkanike ngricat e Luftës së Ftohtë, jo vetëm është anakronike dhe kundër rrjedhave të kohës, por është dhe e rrezikshme”, - theksoi z. Moisiu. Në vijim fjalës së tij, Kryetari i Shtetit vlerësoi Planin e Presidentit Atisari, si një dokument realist, kompromisi, i cili është mbështetur edhe nga vetë qytetarët e Kosovës dhe që është pranuar jo vetëm nga shqiptarët, por shihet edhe nga faktorë relevante ndërkombëtare si një bazë e mirë që shpie në zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Ne mendojmë se tetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund represionit serb në Kosovë, qytetarët e Kosovës meritojnë ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre”, - tha Presidenti Moisiu, duke nënvizuar se “çdo shtyrje jo vetëm do të ishte e pajustifikueshme, por do të nxiste rritjen e frymës dhe grupeve ekstremiste, do ta privonte Kosovën nga marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare për të marrë kredi të huaja, për thithje investimesh, për zhvillim ekonomik dhe për të forcuar stabilitetin e brendshëm”. Çështjes së Kosovës iu kushtua një vëmendje e veçantë në Samtin e Bërnos. Gjatë seancës së parë ditën e djeshme Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shprehu qëndrimin e njohur të shtetit të tij ai drejton se Kosova është historikisht pjesë integrale e Serbisë, se statusi i saj duhet të jetë i pranueshmë për të gjitha palët, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët e Kosovës dhe se ai duhet të jetë një zgjidhje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti Tadiç vuri në dukje se tashmë Serbia e ka treguar karakterin evropian të saj dhe është për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut dhe kompromisit dhe jo nëpërmjet konflikteve. Presidentë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së, të cilët morën pjesë në Samit, shprehën mbështetjen për proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar faktin se perspektiva evropiane është një stimul i brendshëm për këto vende për forcimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit ligjor, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe se një Ballkan i stabilizuar, që ka lënë pas të kaluarën problematike dhe që ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, një Ballkan i qetë, me vlera dhe atribute demokratike, është një garanci për integrimin e tij dhe prosperitetin në Bashkimin Evropian. Dy çështje të tjera që u trajtuan nga Presidenti i Republikës në fjalën e tij, të përfshira po ashtu në axhendën e këtij Samiti, ishin dhe sigurimi i energjetikës dhe marrëdhëniet me vendet fqinje të rajonit. Sa i përket pikës së parë, z. Moisiu vuri në dukje se “shtetet e rajonit mund të kenë një bashkëpunim më të mirë në koordinimin e projekteve dhe veprimeve pлr shfrytëzimin racional të burimeve të energjetikës, por ndërkohë ne mendojmë se BE-ja duhet të jetë e pranishme me investime dhe projekte rajonale, siç është edhe projekti “AMBO” për furnizimin me gaz apo ai i “Korridorit 8”. Ndërsa për çështjen tjetër, Kryetari i Shtetit ritheksoi se “Shqipëria i kushton rëndësi prioritare marrëdhënieve të mira dhe intensive me fqinjët dhe vendet e rajonit. Fakti që në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Serbi, Greqi, Itali etj., jeton një numër i madh shqiptarësh e bën bashkëpunimin tonë me këto vende të një rëndësie të veçantë”. Sa i përket çështjes së integrimit të vendeve të rajonit në BE, Presidenti Moisiu shprehu qëndrimin se "Shqipëria mendon se procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj duhet të mbetet i hapur dhe i vazhdueshëm. Prirjet hezituese apo lodhja ndaj zgjerimit nuk duhet lejuar të të ndëshkojë aspiratat e një pjese të madhe të qytetarëve të vjetër të Europës, për tu bërë edhe qytetarët më të rinj të saj” dhe se “ne shohim integrimin në BE si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve historike të rajonit tonë”. Presidenti Moisiu pati sot takime bilaterale me Presidentin e Polonisë, Leh Kazinski, Presidentin e Austrisë, Hans Fisher dhe Presidentin e Çekisë, Vaslav Klaus. Përveç marrëdhënieve dypalëshe temë bisedimesh në këto takime ishte çështja e Kosovës. Samiti i 14-të i Presidentëve të Evropës Qendrore mbylli sot punimet e tij. Samiti i ardhshëm do të mbahet në Maqedoni. Në mbrëmje Presidenti Moisiu do të kthehet në atdhe. Burimi: Faqja zyrtare e Presidencës

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania