FJALA E PRESIDENTIT ALFRED MOISIU NË SAMITIN E BËRNOS (Çeki)


26 maj 2007
I nderuar zoti President Klaus,
Të nderuar kolegë Presidentë,
Shpreh kënaqësinë që jemi këtu së bashku për të diskutuar mbi çështje me interes të përbashkët dhe që aktualisht qëndrojnë lart në axhendën tonë politike.
Ky Samit tashmë ka krijuar një traditë të vlefshme, duke ndikuar në forcimin e bashkëpunimit politik dhe shërbyer si mundësi e mirë për të përfituar nga përvojat e suksesshme.
Jam i prirur të falenderoj ata që mendojnë edhe për vendet që akoma nuk janë në BE. Shqipëria mendon se procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj duhet të mbetet i hapur dhe i vazhdueshëm. Pritjet hezituese apo lodhja ndaj zgjerimit nuk duhen lejuar të ndëshkojnë aspiratat e një pjese të madhe të banorëve të vjetër të Evropës, për t’u bërë edhe qytetarët më të rinj të saj.Pas pranimit të dy shteteve të rajonit tonë si anëtare të BE-së, ka mbetur një ishull shtetesh me rreth 25 milionë banorë, të cilët gjithashtu aspirojnë anëtarësimin. Zhvillimi demokratik dhe përparimi i përgjithshëm i vendeve tona si edhe mbështetja e BE-së për këto zhvillime përbëjnë rrugët paralele, të cilat do t’i shpien ato drejt vendmbërritjes së aspiruar të anëtarësimit në BE.Në Salsburg, Mamaja, Zagreb, Varna dhe qytete të tjera evropiane kemi bërë temë të diskutimeve tona nevojën e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, sfidat ekonomike dhe problemet e bashkëpunimit konkret si dhe çështje të tjera të trashëguara apo të krijuara në rrjedhën e kohës. Procesi mbetet i hapur, ndaj debati i sotëm është i dobishëm dhe i nevojshëm.
Në vijim të fjalës time dëshiroj të ndalem në disa çështje të përfshira në axhendën e Samitit. Çështja e parë lidhet me Kosovën, si një problem shqetësues i rajonit nga vjen dhe që ka të bëjë me aktualitetin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe për të cilat BE-ja është e interesuar.
Tashmë janë bërë të njohur mendimi i Kosovës dhe i Serbisë, si edhe ai i Shqipërisë dhe i shteteve të tjera. Mëse njëherë kemi dëgjuar të flitet për Kosovën, madje dhe dje kishte një artikulim për të, sikur atje të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të kemi mbërritur në këtë pikë ku jemi nga një vakum. Dhe dihet që e vërteta është krejt ndryshe. Pa qënë nevoja të futem thellë në historinë e Ballkanit, ose ish- Jugosllavisë, tashmë është bërë e njohur se çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës erdhi si domosdoshmëri e përballimit të realiteteve të reja, e ndryshimeve të thella që ndodhën në Ballkan pas shembjes së Murit të Berlinit, fundit të Luftës së Ftohtë dhe përmbysjes së komunizmit. Këto ndryshime epokale zgjuan aspiratën e popujve për liri, demokraci dhe vetëvendosje. Ishin këto motive të thella që çuan në shkëputjen e ish-republikave dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Sikurse e dimë, kjo shpërbërje u bë me tronditje, me luftra dhe gjakderdhje, bile edhe me spastrim etnik. Kjo sepse nacionalizmi agresiv serb, me përfaqësuesin e vet, Millosheviçin, nuk u pajtua dot me këtë zhvillim të rëndësishëm post-komunist. Por në të kundërtën, bëri të tijën ëndrrën e krijimit të Serbisë së Madhe. Ai, shpërbërjen e Jugosllavisë u përpoq ta shndërronte në realizimin e Serbisë së Madhe. Të gjithë janë dëshmitarë për çmimin e lartë që paguan popujt e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 90-të.
Në rastin e Kosovës, ishte njësi konstituive e Federatës Jugosllave, dhuna dhe represioni serb, të cilët nuk kishin munguar edhe më parë, si në ‘68 dhe ‘81, në ‘89 dhe më pas morën trajta të egra dhe të përçudnuara. Ato mbërritën kulmin gjatë pranverës së ‘99 me përzënien me forcë nga shtëpitë dhe trojet e veta të 1.3 milion kosovarëve dhe vrasjen e mijëra të tjerëve. Kjo i detyroi kosovarët të organizonin luftën e tyre për shpëtim kombëtar. Kjo ishte dhe arsyeja themelore që NATO-ja u detyrua të ndërhynte me fushatën e saj ajrore për t’i dhënë fund kësaj situate të rëndë, e cila mori trajtat e spastrimit etnik dhe shpërnguljeve me forcë të Luftës së Dytë Botërore. Kjo s’mund të tolerohej më në fund të shekullit të XX. Pas kësaj, Kosova kaloi nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara dhe Serbia humbi të drejtën morale dhe juridike për ta qeverisur atë. Pra, sot ne përballemi me një realitet të ri; Kosova gjendet de facto jashtë Serbisë dhe nuk ka rrugë tjetër veçse që ky realitet të shndërrohet në de juro. Kjo është arsyeja që komuniteti ndërkombëtar përmes Grupit të Kontaktit dha këtë formulë për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës; Kosova nuk mund të kthehet aty ku ishte para ‘99; ajo nuk duhet të ndahet dhe nuk duhet t’i bashkangjitet ndonjë shtetit tjetër. Kjo formulë është shprehje e Real Politikës. Të mbyllësh sytë para këtij realiteti të ri do të thotë të mbetesh peng i së kaluarës. Sot jo vetëm nuk ekziston më ish-Federata Jugosllave dhe njësitë e saj përbërëse, por në vend të saj është krijuar një realitet i ri historik si pjesë e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në të gjithë Ballkanin. Sot në Ballkan nuk dëgjohen më armët – ai është i qetë dhe i orientuar drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit duke e parë të ardhmen e vet si pjesë e integrimeve euro-atlantike. Çdo tentativë për të sjellë edhe njëherë në hapësirën ballkanike ngricat e Luftës së Ftohtë jo vetëm është anakronike dhe kundër rrjedhave të kohës, por është dhe e rrezikshme.
Tashmë jashtë nesh kemi një plan të Presidentit Atisari, një plan realist, kompromisi, i cili është mbështetur edhe nga vetë qytetarët e Kosovës. Ky plan, është pranuar jo vetëm nga shqiptarët, por shihet edhe nga faktorë relevante ndërkombëtare si një bazë e mirë që shpie në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ne mendojmë se pranimi dhe mbështetja e këtij plani do të ishte një kontribut real për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike, ku garantohen dhe mbrohen të drejtat e pakicave.
Ne mendojmë se tetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund represionit serb në Kosovë, qytetarët e Kosovës meritojnë ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre. Sot në Kosovë po rritet një brez i ri, i cili lindi dhe u rrit me frikën nga ndëshkimi i krimeve të Millosheviçit, dhe për të cilin, NATO-ja, BE-ja dhe Perëndimi u bënë engjëj mbrojtës, simbole të lirisë dhe demokracisë. Ky potencial i madh njerëzor ndeshet me varfërinë, papunësinë si dhe provokimet e grupeve ekstremiste, relike të frymës nacionaliste të Millosheviçit. Aktualisht në Kosovë nuk ka parti politike që kërcënojnë me luftë vende fqinje, por në kryeqytetet e tjera ka të tilla, madje me një përfaqësim të lartë në parlament. Ne mendojme se shtyrja e mëtejshme e statusit është e pajustifikueshme, e dëmshme dhe e rrezikshme. Tratativat mbi një vit e gjysëm të z. Atisari treguan se ajo që mund të arrihej është ezauruar. Pra çdo shtyrje jo vetëm nuk justifikohet, por do të nxiste rritjen e frymës dhe grupeve ekstremiste, do ta privonte Kosovën të futej dhe të lidhej me institucionet financiare ndërkombëtare për të marrë kredi të huaja, për thithje investimesh, për zhvillim ekonomik dhe për të forcuar stabilitetin e brendshëm. Kosova ka bërë progres të dukshëm. Ajo ka institucionet e veta legjitime, ka siguri e stabilitet në rritje dhe vullnet të qartë për të ardhmen euro-atlantike të saj. Ne presim që BE-ja, por edhe Këshilli i Sigurimit të mbështesë Planin Atisari, në mënyrë që Kosova të fitojë sa më parë statusin e saj të ri dhe t’u bashkohet rrjedhave demokratike e integruese të të gjithë rajonit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Një muaj më parë kryetarët e shteteve të Evropës Juglindore u mblodhën në Ohër për të folur për nevojën e bashkëpunimit në fushën energjitike. Një takim tjetër është programuar në Kroaci, takime të tilla po bëhen edhe në nivel qeverish dhe ekspertësh. Kriza energjitike e vitit të kaluar rrezikon të përsëritet duke prekur ndjeshëm standartet e jetesës dhe ekonomitë tona. Po përballemi me mungesë energjie në tregun rajonal, me pamundësi për shfrytëzimin si duhet të burimeve të brendshme energjitike si dhe me rrezikun që kriza të bëhet rajonale. Ne mendojmë se shtetet tona mund të kenë një bashkëpunim më të mirë në koordinimin e projekteve dhe veprimeve për shfrytëzimin racional të burimeve të energjitikës, por ndërkohë ne mendojmë se BE-ja duhet të jetë e pranishme me investime dhe projekte rajonale, siç është edhe projekti AMBO për furnizimin me gaz apo ai i Korridorit 8. Çështje të tjera ekonomike me rëndësi për rajonin mbeten nevojat për mbështetje në zhvillimin e infrastrukturës, lëvizjes së lirë të mallrave, rritjes së shkëmbimeve teknologjike e të turizmit, etj.
Të nderuar kolegë,
Shqipëria i kushton rëndësi prioritare marrëdhënieve të mira dhe intensive me fqinjët dhe vendet e rajonit. Fakti që në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Serbi, Greqi, Itali etj., jeton një numër i madh shqiptarësh e bën bashkëpunimin tonë me këto vende të një rëndësie të veçantë. Tashmë janë bërë periodike takimet dhe vizitat në nivelet e larta politike me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, vend në të cilin gjatë mandatit tim presidencial kam qenë dy herë dhe po ashtu kam pritur në Tiranë Presidentin e Federatës dhe atë të Serbisë. Po ashtu, në favor të frymës së bashkëpunimit kanë punuar edhe nivelet e tjera të politikës dhe ekzekutivit, të ekspertëve, grupeve akademike, etj, çka e bën atë të prekshme edhe në nivele të tjera të shoqërisë. Ne pohojmë me krenari se në asnjë rast qëndrimet dhe veprimet tona nuk kanë rënë ndesh me stabilitetin e rajonit, përkundrazi, ashtu siç ka pohuar bashkësia ndërkombëtare në mëse një rast, ato i kanë shërbyer forcimit të paqes e stabilitetit dhe të marrëdhënieve të mirëkuptimit e bashkëpunimit në rajon. Ne kemi nënshkruar një vit më parë MSA me Bashkimin Evropian, dokument i cili është rafitikuar nga një pjesë e vendeve të BE-së. Me këtë rast dëshiroj t’i drejtohem Presidentëve të pranishëm të vendeve anëtare të BE-së me kërkesën që parlamentet e vendeve të tyre të shohin mundësinë e përshpejtimit të ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë. Shqipëria mendon se procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj duket të mbetet i hapur dhe i vazhdueshëm. Prirjet hezituese apo lodhja ndaj zgjerimit nuk duhet lejuar të të ndëshkojë aspiratat e një pjese të madhe të qytetarëve të vjetër të Evropës, për tu bërë edhe qytetarët më të rinj të saj. Pas pranimit të dy shteteve të rajonit tonë si anëtarë të BE-së, ka mbetur një ishull shtetesh me rreth 25 milion banorë, të cilët gjithashtu aspirojnë anëtarësimin. Zhvillimi demokratik dhe përparimi i përgjithshëm i vendeve tona si dhe mbështetja e BE-së për këto zhvillime përbëjnë rrugët paralele, të cilat do t’i shpien ato drejt vendmbërritjes së aspiruar të anëtarësimit në BE. Ne e shohim integrimin në BE si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve historike të rajonit tonë. Integrimi sjell stabilitet politik, hapësirë për zhvillim ekonomik, besim e bashkëpunim reciprok si dhe krijimin e mentaliteteve të reja në rajon, i cili pas viteve ’90 përjetoi katër luftra etnike. Përcaktimi i kryeqytetit të përbashkët, Brukselit, do të ishte një përgjigje më e mirë dhe afatgjatë për qarqet ekstremiste dhe nacionaliste që ende kanë pozita vendimmarrje në politikat rajonale, si dhe të do ishte një mbështetje e fuqishme për forcat demokratike në rajon. Në përfundim të fjalës time, dëshiroj të theksoj se vendi im çmon së tepërmi këtë Forum të Kryetarëve të Evropës Qendrore dhe beson se institucionalizimi i tij edhe nga pikëpamja strukturore dhe e funksionimit do të prodhonte rezultate më konkrete e të ndjeshme në bashkëpunimin midis vendeve tona dhe vetë hapësirës së Evropës Qendrore si pjesë e BE-së. Po ashtu dëshiroj të falenderoj Presidentin Klaus dhe shtetin çek për pritjen dhe organizimin e shkëlqyer të këtij Samiti.
Ju faleminderit!

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania