Ngec shkrirja e gjykatave e prokurorive


STUDIMI/ Kostoja e një dosje 64 dollarë në Delvinë, vetëm 13 dollarë në Tiranë. Në rrezik reforma.Ministria e Drejtësisë pa strategji për riorganizimin gjyqësor”
Trazhgim Sokolaj
“Ngrin” projekti për shkrirjen e gjashtë gjykatave dhe prokurorive. Ministria e Drejtësisë nuk ka strategji për riorganizimin e gjyqësorit, konkretisht për zbatimin e reformës. Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë ka kërkuar që shkrirja e paralajmëruar e gjashtë gjykatave të bëhet duke u bazuar në një strategji 5 ose 10-vjeçare. Por dikasteri përkatës nuk ka përgatitur planin e kërkuar të veprimit për gjykatat e qyteteve Gramsh, Skrapar, Mirditë, Has, Librazhd, Përmet ose Delvinë që pritet të shkrihen nga funksionimi. Prej më shumë se një viti, Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se gjashtë gjykatat që kishin në shqyrtim një numër dosjesh gjithnjë në rënie vitet e fundit do të shkriheshin. Dalja nga funksioni i gjashtë gjykatave të shkallës së parë në qytetet përkatëse u parashikua të shoqërohej edhe me shkrirjen e gjashtë prokurorive. Nxjerrja jashtë funksionit e gjykatave dhe prokurorive u bë për shkak të numrit të vogël të dosjeve që ato shqyrtonin gjatë një viti dhe shpenzimeve të mëdha në këto institucione krahasuar me volumin e punës që ato përballonin. Pavarësisht se riorganizimi i pushtetit gjyqësor shihet nga partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Drejtësisë si një veprim i duhur, për këtë reformë EURALIUS ka kërkuar strategji konkrete.
RekomandimiLëvizjet demografike të popullsisë nga veriu dhe jugu në drejtim të pjesës qendrore të Shqipërisë kanë rritur numrin e popullsisë në këtë pjesë. Rritja e numrit të popullsisë është shoqëruar me më shumë vepra penale të regjistruara, më shume konflikte dhe konkretisht me më tepër dosje në gjykatat dhe prokuroritë që kanë në juridiksion qytetet e kësaj zone të vendit. Nga ana tjetër, disa gjykata dhe prokurori, ndërsa konsumonin para nga buxheti i shtetit, janë përballur me rënie të dukshme të ngarkesës në punë. Për këtë shkak është vendosur shkrirja e gjashtë gjykatave, një reformë kjo për të cilën misioni EURALIUS ka kërkuar hartimin e një strategjie pesë ose dhjetëvjeçare. Sipas rekomandimit, strategjia duhet të marrë në konsideratë mundësinë e banorëve për t’ju drejtuar gjykatës, rendimentin e punës së gjyqtarëve, transparencën e pushtetit gjyqësor, zhvillimin e infrastrukturës, aspektet kulturore, historike, etnike dhe politike. Një problem serioz që paraqitet në këtë rast është largësia e gjykatave më të afërta me banorët e qyteteve ku ndodhen gjykatat që do të shkrihen. Por ndërkohë që organeve kompetente u mungon strategjia e riorganizimit të gjyqësorit misionet e huaja të asistencës kërkojnë që procesi i reformës të fillojë sa më shpejt.
StudimiMisioni evropian për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë ka bërë një studim të gjyqësorit shqiptar. Në kushtet e mungesës së strategjisë së riorganizimit, EURALIUS propozon zbatimin e një programi pilot në këtë drejtim. Sipas studimit, Tirana ka nevojë për një gjykatë me 50 gjyqtarë, në mënyrë që ata të mos jenë të mbingarkuar me dosje. Gjithashtu raporti thekson se kostoja financiare e gjykimit të një dosje është shumë e lartë në qytetet e vogla, ku edhe gjykatat kanë më pak dosje, sesa në gjykatat e mëdha. Kostoja mesatare financiare për një dosje që shqyrtohet në Tiranë llogaritet me 13 dollarë, ndërsa kostoja e një dosje që shqyrtohet në Delvinë, shkon në mbi 64 dollarë. Për këtë shkak, edhe me qëllimin e uljes së shpenzimeve gjyqësore dhe kanalizimin e fondeve në institucionet ku ka më shumë nevojë, EURALIUS rekomandon që sa më parë të fillojë riorganizimi i sistemit gjyqësor shqiptar, bazuar në një projekt pilot që mund të zhvillohet më tej deri në vitin 2011. Në raportet e mëparshme të EURALIUS është theksuar edhe “luksi” i gjykatave shqiptare, ku me paratë e shtetit blihen makina luksoze nga drejtuesit e tyre, duke u bërë shkak për rritjen e shpenzimeve dhe përdorimin e fondeve pa efekt në dhënien e drejtësisë.

Në Gjykatën e Tiranës, proceset në zyrat e gjyqtarëve
Gjyqtarët shqiptarë nuk janë të ngarkuar me punë, s‘kanë produkt
TIRANE – Projekti për shkrirjen e gjashtë gjykatave i shpallur tashmë prej më shumë se një viti, ka sjellë edhe një efekt tjetër të papritur. Sipas studimeve të EURALIUS, rezulton se në gjykatat që është parashikuar të shkrihen, ka pasur në periudha të caktuara vende gjyqtarësh të mbetura vakante. Kjo për shkak se vetë gjyqtarët kanë kërkuar të transferohen në rrethe të tjera gjyqësore. Mirëpo një fenomen i tillë në disa qytete, i vetorganizimit të gjykatave për shkak të mungesës së strategjisë, ka sjellë pasojat e veta. Studimi i misionit evropian citon se gjyqtarët shqiptarë krahasuar me ata të vendeve të huaja, nuk janë të ngarkuar me punë dhe për më tepër nuk kanë shumë rezultat në kuptimin e numrit të dosjeve që marrin në shqyrtim dhe dhënien e vendimeve. “Ideja e riorganizimit të gjykatave të rrethit, e shpallur në vitin 2004, (mbyllja e gjykatave të vogla), ndoshta vepron si katalizator i disa proceseve spontane që ndodhin në vendet e tjera të Shqipërisë. Për shembull, gjyqtarët nuk i mbushin aktivisht vendet vakante në këto gjykata”, citohet në një studim të misionit EURALIUS. Një situatë e tillë krijon pak mundësi edhe për planifikimin e investimeve në këto gjykata. Ndërkaq, rasti i Gjykatës së Tiranës është cilësuar si një problem i vërtetë jo vetëm nga raportet e huaja por edhe nga juristët vendas. Aty mungojnë sallat e gjyqeve dhe pjesa më e madhe e proceseve zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Sipas studimeve të bëra në këtë fushë, zhvillimi i seancave në këtë formë krijon mundësi për një raport jo të drejtë dhe të dyshimtë mes palëve në gjyq, prokurorëve, gjyqtarëve dhe avokatëve. Në ambientet ku zhvillohen gjyqet në Gjykatën e Tiranës media e ka të vështirë të monitorojë proceset dhe gjyqeve u mungon ambienti që mund të krijojë një sallë e mirëfilltë gjyqi. Deri pak kohë më parë, gjykata nuk kishte kafaze metalike për mbajtjen e të akuzuarve për krime të rënda. t.s

Shkak, numri i vogël i dosjeve
Pas gjykatave në rrezik 6 prokurori
TIRANE – Një prokuror në Prokurorinë e Tiranës heton mesatarisht 22-23 dosje penale। Një numër të tillë dosjesh hetojnë gjatë një viti disa prokurori në rrethe apo qytete të ndryshme të vendit. Për këtë shkak, që vitin e kaluar Prokuroria e Përgjithshme kishte parashikuar shkrirjen e mundshme të gjashtë prokurorive. Shkrirja e tyre do të bëhej me argumentin e ngarkesës së vogël me dosje, por siç duket, ndryshe nga Ministria e Drejtësisë, organi i akuzës kishte një strategji. Zyrtarët e akuzës konfirmuan se shkrirja e gjashtë prokurorive ishte parashikuar të mos krijonte distancë me qytetarët apo me policinë e lokaliteteve, ku nuk do të kishte më organe të ndjekjes penale. Pra, edhe pse do të shkriheshin gjashtë prokurori në qytetet ku do të shkriheshin edhe gjykatat, ndjekja penale e krimeve në këto zona do të bëhej nga Prokuroria më e afërt ku organet e akuzës që ishte planifikuar të shkriheshin do të funksiononin si zyra më të kufizuara në organikë. Por edhe shkrirja e prokurorive siç duket është një proces që diktohet nga ajo që pritet të ndodhë me gjashtë gjykatat e destinuara për të dalë jashtë funksionit. Nga të dhënat e organit qendror të akuzës parashikohej se Prokurori si ajo e Delvinës, ku praktikisht numri i dosjeve është i vogël, të shkriheshin. Krimet në këto zona do të ndiqeshin nga Prokuroria më e afërt, edhe për shkak që prokurorët të kishin mundësi më të mëdha të shkonin në vendin e ngjarjes. Marrë nga Gazeta “Panorama”, datë 28 maj 2007

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania