Hendeku që duhet ta kapërcejmë


TIRANE - Vendimi i Qeverisë shqiptare për të rritur taksën doganore të hyrjes në Shqipëri të makinave të reja nuk kaloi pa interes në median dhe publikun shqiptar. Në fakt, mua ky vendim më ngjau i drejtë pikërisht sot kur u ndodha në një nga rrugët e Tiranës, dhe më vranë veshin “grahmat” e motorit të një makine tip “Mercedes Benz 240”. Ishte pikërisht ajo zhurmë jo e zakonshme e asaj makine që më tërhoqi vëmendjen. Mu shfaq një makinë e vjetër, që dukej paska e ndryshkur, që në mos gaboj, kishte një ngjyrë të blertë të hapur. E ndërsa ajo makinë u largua në një prej rrugëve që sapo është shtruar me asfalt në Tiranë, në mendje më erdhi Brukseli. Jo vetëm sepse pata rastin që para disa ditëve të ndodhem atje, por sepse pikërisht në atë qytet të mrekullueshëm, nuk më ra në sy përgjatë katër ditëve të qëndrimit tim, asnjë automjet “Mercedes Benz 240”. Kam dijeni se ky lloj automjeti ka vite që është prodhuar dhe këtu në Shqipëri i thonë “makinë për rrugët tona”. E quajnë kështu sepse është paska makinë e lartë për rrugët me gropa e baltë dhe me sa pretendojnë, është një automjet rezistent dhe i fuqishëm, që për më tepër nuk ka shumë shpenzime. Me aq sa kam mundur të kuptoj jo vetëm në Bruksel por gjithandej, automjetet e vjetra janë nxjerrë nga qarkullimi ose lejohet të lëvizin vetëm në zona të caktuara nuk qytetarët nuk janë të ekspozuar nga ndotja siç janë zonat industriale. Por le të kthehemi tek vendimi i Qeverisë për rritjen e taksës doganore të makinave që do të hyjnë në Shqipëri. Në momentin e parë, mua më ngjau i pranueshëm fakti se ekzekutivi shqiptar po ndërhyn në këtë fushë për të ndrequr diçka, për të vendosur barriera ndaj hyrjes së makinave të vjetra në vend. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes, që është e dhimbshme. Ata qytetarë shqiptarë që duan të vendosen në Tiranë, për 1001 arsye të ndryshme, po përballen me çmime katastrofike të apartamenteve të banimit që po shkojnë gjithnjë në rritje. Gjendja është e tillë saqë stimulon mendime sipas të cilave ata që zotërojnë një shtëpi në Tiranë, janë të pasur dhe kanë mundësi ekonomike. Ata që nuk kanë një shtëpi banimi në Tiranë dhe që nuk kanë para për ta blerë atë, gati, gati cilësohen të pa shpresë. Ky është një hendek social, që dashur pa dashur është krijuar dhe ekziston. Tani rritet edhe çmimi i makinave! Nuk mbaj mend edhe sa artikujve të tjerë industrialë apo të konsumit u janë rritur çmimet këto dy vitet e fundit. A e përballojnë shqiptarët këtë faturë të lartë? A janë cilësore shërbimet që na ofrohen me çmimet e Evropës? A është e përballueshme blerja e një apartamenti në Tiranë me këtë ritëm çmimesh që njeh vetëm rritje? Është vështirë të përgjigjesh. Mund të them se ata që po i përballojnë këto dhe që do ti përballojnë, do të jenë një grup i vogël dhe jo përfaqësues për shoqërinë. Ashtu siç janë sot një grup i vogël, ata që lëvizin me makina që janë prodhuar pas vitit 2005. Janë shumë pak këta tipa. Në rrugët ku ata bredhin me makinat luksoze, qytetarë të tjerë shkojnë të marrin ushqime me listë. E pra, ka një polarizim të shoqërisë këtu në vendin tonë. Edhe në vendet evropiane ka nivele të ndryshme shoqërore. Por mendoj se pjesa më e madhe e atyre që plotësojnë kushtet normale të jetesës janë të shumtë. Ndaj edhe Qeveria dhe shteti shqiptar, para se ti hedhë në letër disa reforma të kërkuara nga ndërkombëtarët, duhet jo vetëm të sigurohet, por edhe të punojë që ato direktiva të saj, do të zbatohen deri në fund nga qytetarët. Sepse flitet shumë se Shqipëria ka ligje shumë të mira, por çalon në zbatimin e tyre. Po, po, mendoj se mund të punohej më shume edhe me ligjin Antiduhan i cili me sa kam parë, nuk është zbatuar gjatë këtyre di ditëve të para që kur hyri në fuqi. Them se shteti shqiptar duhet të ketë kujdes, sepse besoj se ndërkombëtarët duan që realisht të zbatohen reformat dhe jo vetëm që ato të hidhen në letër. Sepse unë kam shumë frikë, se nëse këtu në Shqipëri nuk do të merren masa të forta jo vetëm tek trau i doganës, por edhe për stimulimin e biznesit, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave për frymë, apo qoftë edhe stimulimin me çmime apo figuracione më pak të kushtueshme të atyre që blejnë apo përdorin makina që nuk ndotin ambientin, rritja e taksës së makinave do të stimulojë kontrabandën e tyre. Unë e kam këtë frikë dhe mirë është të kesh frike. Uroj të mos ndodhë kjo. Ashtu siç kam dëgjuar se ligji i pak kohëve më parë për pagën minimale dhe sigurimet shoqërore në biznesin privat shkaktoi kalimin në të zezë të dhjetëra personave që punonin deri diku të legalizuar. Me dhimbje duhet pranuar se ndoshta shume vite na ndajnë nga hyrja në familjen evropiane, por kjo nuk është tragjedia e vërtetë. E rëndësishme është që kushtet ti plotësojmë siç duhet dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është të hedhim bazat e nevojshme për plotësimin real të kushteve që me të drejtë na janë vendosur. Dhe tragjedia e vërtetë është nëse lejojmë ndokënd nga drejtuesit tanë, që të na vonojë në hedhjen e bazave të nevojshme që do të na ndihmojnë nesër në plotësimin e kërkesave që na janë vendosur, një veprim që duhet ta bëjmë duke ruajtur edhe anët e mira të individualitetit shqiptar.
Foto është marrë nga adresa: www.capetocape.org

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania