Trazhgim Sokolaj/TIRANE
Shefi i programit amerikan ICITAP në
Tiranë: Kërkohet ndjekje penale efektive
Arrestimet e kohëve të fundit janë vetëm fillimi i luftës efektive kundër korrupsionit. Darrel Hart, shefi i programit amerikan ICITAP që vepron në Shqipëri prej vitit 1997 thotë se ndjekja penale e rasteve të korrupsionit ka efekt vetëm nëse përfundon me dënime. “Korrupsioni në Shqipëri është një prej shkaqeve kryesore, në mos kryesori, për shqetësim në komunitetin ndërkombëtar në lidhje me sigurinë publike dhe sundimin e ligjit”, shprehet Hart. Në intervistën e tij për gazetën “Panorama”, shefi i ICITAP në Shqipëri, komenton reformën dhe shkarkimet në polici të cilat janë përcjellë më shqetësim ndërsa rrëfen fushat ku po bashkëpunohet me organet shqiptare të rendit drejtim të përmirësimit të shërbimeve që ato ofrojnë për qytetarët.
Programi ICITAP është i pranishëm në Shqipëri që në vitin 1998, cilat kanë qenë fushat në të cilat keni bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në këto 9 vjet? A mund të na thoni diçka lidhur me rezultatet që keni arritur në bashkëpunim me palën shqiptare?
Një histori mbi programin e ICITAP në Shqipëri mund të gjendet në faqen e të dhënave bashkëngjitur. Në përgjithësi, jemi të përkushtuar të ndihmojmë me reformat për një drejt një shoqërie demokratike në lindje e sipër dhe në zhvillim, një shoqëri ku sundimi i ligjit përbën një përparësi. Profesionalizimi i policisë mund të marrë shumë drejtime dhe është i mbushur me sfida të përhershme, duke pasur parasysh donatorët e shumtë ndërkombëtarë që janë aktivë këtu. Prandaj është i nevojshëm bashkërendimi nëpërmjet Konsorciumit Ndërkombëtar dhe shtatë Grupeve të Punës në të. Ndërkohë që në Shqipëri janë shënuar shumë arritje të rëndësishme gjatë 10 viteve të fundit, një numër domethënës prej tyre janë arritur vetëm kohët e fundit.
Së pari – Këtë verë, Roja Bregdetare e Sh.B.A. kreu një vlerësim të Porteve Ndërkombëtare Shqiptare dhe gjeti që janë thelbësisht në përputhje me Kodet IMO ISPS. Situata nuk ishte e tillë deri dy vite më parë dhe tregon se çfarë mund të arrijë qeveria shqiptare kur merr asistencë.
Së dyti – Dy shkolla bazë rekrutësh janë diplomuar në programin e ri të Patrullave të Përgjithshme në Akademi. Tani, fokusi do të kthehet mbi trainimin e afro 6,000 oficerëve në detyrë me anë të këtij koncepti. Me pak fjalë, ky trainim ndryshon mënyrën se si Policia e Shtetit kryen punën dhe ofron shërbime. Patrullat e Përgjithshme janë të përgatitur më mirë për të trajtuar sfidat e shumta të policimit në një shoqëri demokratike në krahasim me përgatitjen nga shkolla e mëparshme. Mënyra më e mirë për të sjellë ndryshim në një organizatë është nëpërmjet një programi të gjithanshëm me synime të qarta. Trainimi për të gjitha nivelet e policisë, nga oficeri që sapo fillon shkollën deri në Drejtorin e Përgjithshëm, duhet të jetë i planifikuar, i organizuar dhe i ofruar me anë të një Departamenti Trainimi profesionist.
Së treti – Miratimi i Ligjit të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që PAMECA ka kryesuar hartimin e këtij ligji, edhe ICITAP dhe OSBE ndihmuan dhe ishin të pranishme në Komisionet Parlamentare për të trajtuar pyetje dhe shqetësime. Kjo pikë shqyrtohet më hollësisht më poshtë.
Duke iu referuar bashkëpunimit që keni me Ministrinë e Brendshme në Shqipëri, por edhe ekspertizës tuaj në fushën e ndihmës dhe mbështetjes në drejtim të Hetimit Kriminal, cilat mendoni se janë sfidat e kohës për këtë institucion, kam parasysh këtu në mënyrë të veçantë policinë shqiptare? Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë policia shqiptare për rritjen e efektivitetit të saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët?
Bashkësia ndërkombëtare, përfshi edhe ICITAP, ka punuar për të ndërtuar kapacitetin e Policisë së Shtetit në këtë fushë me anë të programeve të shumta të trainimit, dhurimit të pajisjeve, si dhe udhëzimit e këshillimit të personave përgjegjës për kryerjen e hetimeve penale. Kjo përpjekje minohet kur ata oficerë që i kanë zhvilluar këto aftësi hiqen apo transferohen në detyra të tjera. Operatorët e sistemit TIMS në Pikat e Kontrollit Kufitar, partnerët tanë në Hetimin e Krimit të Organizuar si dhe homologët tanë në Akademinë e Policisë përbëjnë vetëm pak nga shembujt. Ndërkohë që një përqindje ndryshimi stafi është normale dhe e pritshme, përqindja e lartë e ndryshimeve përjetuar në Policinë e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka shkaktuar shqetësim. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë trainim dhe asistencë në këtë fushë, por burimet tona janë të kufizuara. Po punojmë me Policinë e Shtetit për t’i ndihmuar të ndërtojnë kapacitetet e veta në këtë fushë e shumë të tjera.
Duke mbetur përsëri tek policia, këtë vit u miratua Ligji i ri për Policinë e Shtetit, cili ka qenë kontributi juaj për hartimin e kësaj baze ligjore dhe a konsideroni se ajo shërben për përmirësimin e shërbimeve të policisë, konkretisht a ndihmon në rritjen e pavarësisë së policisë, përmirësimin e statusit të punonjësve të policisë apo në aspekte që lidhen me rezultatet në luftë kundër kriminalitetit?
Kjo pyetje është shumë e vlefshme. PAMECA drejtoi përpjekjet për hartimin e Ligjit të Ri të Policisë, ndërsa ICITAP ofroi një Këshilltar dhe Ndihmës të përhershëm për ta mbështetur këtë përpjekje. Është besimi ynë i palëkundur që ky ligj i ri do të çojë në një organizatë më profesionale që ofron shërbime për sigurinë e publikut për qytetarët shqiptarë. Zbatimi do të kërkojë kohë, përpjekje dhe durim. Ligji i ri përbën një ndryshim thelbësor në mënyrën se si Policia e Shtetit kryen punën dhe, për të qenë i suksesshëm, do të duhet udhëheqje si dhe pranim eventual nga të gjitha palët. Ka pasur debate në lidhje me disa dispozita që janë pjesë e Ligjit të Policisë së Shtetit. Ndryshimet organizative nuk ndodhin kurrë pa debate, sidomos ato që kanë të bëjnë me organet e zbatimit të ligjit. Pjesë e këtyre debateve janë pasoja të keqkuptimit të dispozitave në përmbajtje të Ligjit të Policisë së Shtetit. Një pjesë e debateve ekzistojnë për arsye se ligji i ri sfidon status quo-në – e cila, nga një perspektivë ndërkombëtare, ka shumë hapësirë për përmirësime. Nëse zbatohet dhe ndiqet siç duhet, ligji i ri do të çojë në arritjen e synimeve që radhitët në pyetjen tuaj. Do të çojë në një agjenci të pavarur nga ndikimi politik, oficerët e policisë do të fitojnë respekt për rolin e tyre në këtë shoqëri dhe qytetarët shqiptarë do të shohin një shërbim policor më të efektshëm, i cili çon në zbatim më të mirë të ligjit dhe ndjekje më të mirë penale të krimit, ndërkohë që trajtohen edhe masat parandaluese.
Si e konsideroni reformën në polici, nënkuptoj shkurtimet deri në fund të 2006 dhe më pas në muajt e parë të 2007? Disa institucione vendase, si Avokati i Popullit p.sh, e kanë konsideruar fushatën e shkurtimeve në polici po citoj “arbitrare, pa shkaqe ligjore, në vend të efektivave të trajnuar që janë hequr nga puna me argumentime fiktive, kanë hyrë në polici individë pa arsim përkatës....”
Siç e përmenda më parë, komuniteti ndërkombëtar ka qenë i shqetësuar për disa kohë në lidhje me procesin se si ka ndodhur zvogëlimi i efektivave të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që ky organ mund të justifikojë një shkurtim personeli bazuar mbi krahasimet me vende të tjera, mënyra se si bëhet kjo duhet shqyrtuar me kujdes. Shqetësimet tona i janë paraqitur udhëheqjes në qeverinë shqiptare, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit dhe kemi besim që janë duke u trajtuar.
Gjatë dy viteve të fundit kur është fjala për hetimin e ndonjë krimi apo arrestimin e ndonjë të kërkuari, policia shqiptare nënvizon rezultatet e sistemit TIMS, i cili është sot në shfrytëzim falë ndihmës dhe angazhimit tuaj, a mendoni se autoritetet shqiptare sot e kanë infrastrukturën teknike dhe njerëzore të parandalojnë trafiqet e paligjshme, të kontrollojnë kufijtë dhe të parandalojnë krime që lidhen me këtë fushë të veprimtarisë së paligjshme?
Projekti TIMS i ICITAP-it është ndërtuar për t’i dhënë Shqipërisë një sistem menaxhimi të informacionit të kohëve më të fundit, i cili aktualisht përqendrohet në katër fusha: 1) Kontrolli i Kufirit, 2) Trajtimi i rasteve, 3) Zbulimi Penal, dhe 4) Regjistri Kriminal. Por, cilësinë e këtij sistemi e përcakton informacioni që futet në të dhe mënyra se si analizohet dhe përdoret ai informacion. Kjo, sigurisht, varet nga elementi njerëzor. Projekti TIMS është ende në fazën e vënies në zbatim. Megjithatë, edhe me instalimet e kufizuara që ekzistojnë aktualisht, sistemi ka ndihmuar për shumë hetime penale dhe arrestime si dhe ka rritur eficiencën dhe identifikimet në Pikat e Kontrollit të Kufirit. Në kohën kur flasim, vetëm një përqindje e vogël e kapacitetit të këtij sistemi është duke u përdorur.
ICITAP-i është në procesin e zhvillimit të ekspertizës teknike të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Këshilltarët dhe stafi i ICITAP-it janë duke trainuar homologët e tyre dhe po zhvillojmë planet për kalimin përfundimtar të këtij sistemi në duart e qeverisë shqiptare. Këto plane përfshijnë kërkesat e nevojshme buxhetore me qëllim që të ruhet mirëmbajtja dhe operacionet e këtij sistemi. Është shumë i kushtueshëm dhe do të duhet një përkushtim këmbëngulës financiar nga qeveria shqiptare me qëllim që sistemi të vazhdojë të operojë dhe të zhvillohet sipas projektit.
Kohët e fundit u shënuan disa raste të arrestimit të zyrtarëve të lartë në tatime dhe në ministrinë e transporteve, gjatë vitit 2006 dhe 2007 janë arrestuar dhjetëra zyrtarë dhe punonjës policie të implikuar në abuzime të ndryshme me detyrën deri në bashkëpunim me trafikantët, si i komentoni këto goditje të rasteve të korrupsionit dhe a besoni se policia shqiptare ka kapacitete të ndikojë në rënien e nivelit të korrupsionit?
Korrupsioni në Shqipëri është një prej shkaqeve kryesore, në mos kryesori, për shqetësim në komunitetin ndërkombëtar në lidhje me sigurinë publike dhe sundimin e ligjit. Ato që kemi parë kohët e fundit janë përpjekje fillestare për ta luftuar këtë fenomen. Do të jetë më mirë. Policia e shtetit po zhvillon kapacitetet për ta luftuar korrupsionin. Kjo sfidë është e vështirë. Oficerët e ndershëm dhe me integritet druhen prej të korruptuarve. Hetimi i korrupsionit kërkon nder dhe trimëri, sepse në fakt, janë jetët e oficerëve që vihen në rrezik kur zbulojnë korrupsionin dhe përpiqen të ndërmarrin veprime ndaj tij. Aktualisht ka shumë përpjekje për ta ndërmarrë këtë sfidë. ICITAP-i është duke ndihmuar partnerin tonë të Departamentit të Drejtësisë së Sh.B.A., OPDAT, me Njësinë e Përbashkët të Hetimit për Krimet Financiare dhe Ekonomike. Megjithatë, sado arrestime që të bëhen – ato mund të quhen të efektshme nëse ndiqen penalisht me sukses dhe përfundojnë me dënime. OPDAT-i po punon edhe me gjyqësorin për të përmirësuar ndjekjen penale të krimit.
A mund të na tregoni diçka lidhur me projektet dhe fushat ku aktualisht jeni në proces bashkëpunimi duke ndihmuar palën shqiptare?
ICITAP-i ka 5 fusha programore:
1) Menaxhimi i Integruar i Kufirit
a. Policia Kufitare dhe e Migracionit
b. Siguria e Porteve
c. Anti-trafikimi
2) Krimi i Organizuar
3) Llogaridhënia e Policisë dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore
4) Trainimi i Policisë dhe Zhvillimi i Akademisë
5) Sistemi i Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS)
Ky material është publikuar në gazetën “Panorama” më 3 tetor 2007
“Arrestimet për korrupsion duhet të përfundojnë me dënime”
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Rreth meje
- Trazhgim Sokolaj
- GAZETAR / Journalist
Lidhje ne Fokus
Lidhje
- Krasta Krau
- Artikujte tjere ne Google nga T.Sokolaj
- Artikuj nga T.Sokolaj (Ne Google)
- Levizja MJAFT
- Sajmir Kola
- Turizmi Shqiptar, Albanian Turism, Guide
- Gazeta Start
- NATO
- Keshilli i Larte i Drejtesise
- Ministria e Drejtesise
- Partia Demokratike
- Partia Socialiste
- Presidenca e Shqiperise
- Ministria e Kultures, Turizmit, Rinise dhe Sporteve
- Photo from Albania
- Peshku pa Uje, Blogger
- Ministria e Integrimit
- Deutsche Welle (In Albanian)
- BBC (In Albanian)
- Vioce of America (In Albanian)
- Ministria e Mbrojtjes
- Ministria e Brendshme
- Parlamenti Shqiptar
- Qeveria Shqiptare
- Express, Kosove
- Televizioni i Kosoves
- E-mail (Hotmail)
- E-mail (Yahoo)
- Motor Kerkimi (Google)
- Portali Shqiptar
- Revista MAPO
- Tv Klan
- Vizion Plus
- Top Channel
- Gazeta Panorama
- Gazeta Shekulli
- Albania Photo Album (Alket Islami)
Nuk ka komente:
Posto një koment