Shqipëri, niset me mision në Irak Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës
Më 6 shtator 2007, në Regjimentin Komando në Zall-Herr u organizua ceremonia e nisjes së Kontigjentit të 10-të Paqeruajtës me mision në Irak। Për përcjelljen e trupave paqeruajtëse erdhën Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë gjeneral brigade Anastasios Rintis, përfaqësues të pushtetit vendor, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve etj. Gjithashtu, në këtë ceremoni mori pjesë ambasadori i SHBA-së në Tiranë John L. Withers, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të DIE-së, të CUBIC dhe misioneve të tjera këshillimore ushtarake të vendeve partnere. Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës përbëhet prej 120 oficerësh, nënoficerësh dhe ushtarësh profesionistë të Regjimentit Komando. Ashtu si dhe kontigjentet e mëparshme të kësaj njësie, ai do të kryejë misionin në qytetin e Mosulit, në përbërje të një Brigade Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA dhe do të angazhohet për ruajtjen e paqes në këtë zonë të largët, në veri të Irakut.
Ceremonia nisi me paraqitjen e forcës Kryeministrit Sali Berisha nga komandanti i Regjimentit Komando, kolonel Xhemal Gjunkshi. Fjalën e rastit e mbajti komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral major Shpëtim Spahiu. “Për 5 vjet trupat e kësaj njësie me dinjitet, profesionalizëm, vendosmëri e ndërveprueshmëri kanë përfaqësuar Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura, duke rritur prezencën, por dhe aftësitë profesionale. Rritja e buxhetit të Mbrojtjes dhe modernizimi i FA-së shënon fillimin e prezencës tonë në këto operacione me pajisje, armatime e mbështetje logjistike kombëtare”, theksoi, ndër të tjera, gjeneral major Spahiu.
Më pas, të pranishmit i përshëndeti ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. “Çdo ditë që ne vijmë këtu dhe përcjellim djemtë, bijtë tanë është një ditë e veçantë, theksoi në fjalën e tij Ministri Mediu, është një ditë nderi për kombin shqiptar, është një ditë vlerësimi për punën dhe kontributin tuaj, është dita kur ne tregojmë vendosmërinë tonë për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por kudo që kërkohet. Është dita për të ripërcaktuar edhe njëherë qëndrimin tonë se ne do të jemi në krah të SHBA-së deri në përfundim të misionit në Irak, do të jemi në krah të forcave të NATO-s për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit”.
Duke iu referuar vizitës së Presidentit Bush në Tiranë para disa muajsh, Ministri Mediu tha: “Muaj më parë ne patëm një vizitë historike të Presidentit Bush. Një nga takimet e tij të para ai e pati me efektivat që kanë qenë në Irak, sepse ju keni qenë dhe mbeteni ura e lidhjes dhe e angazhimeve të përbashkëta me SHBA dhe mendoj që këtë nder dhe lavdi të cilën ju e keni shtruar me punën tuaj, me angazhimin tuaj, me përpjekjet tuaja ne duhet ta çojmë akoma më lart dhe kam bindjen që ky mision do të jetë një mision tjetër i suksesshëm”. Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Mediu garantoi paqeruajtësit, prindërit dhe familjarët e tyre se Ministria e Mbrojtjes do të jetë afër tyre në çdo moment dhe për çdo nevojë që do të kenë.
“Sot ju niseni në një mision të një rëndësie të madhe dhe shumëplanëshe. Së pari, ju shkoni të ndihmoni një popull mik për të ndërtuar lirinë pas dekadash e dekadash diktature teokratike, ju shkoni të përballeni me një rrezik të madh të lirisë jo vetëm të popullit të Irakut, por të mbarë njerëzimit, terroristëve të cilët janë faktuar armiq kryesor të paqes në këtë shekull. Ju shkoni të ndihmoni një komb i cili do të ndërtojë lirinë për të dalë nga shtypja dhjetëra vjeçare e një pakice dhe që tani nuk pranon rregullat e demokracisë, por përpiqet sërish me akte terroriste të mbajë në terror shumicën e vendit. Ju shkoni në Irak përkrah mikut, aleatit më të çmuar, më të madh të Shqipërisë: SHBA-së, do të qëndroni krah për krah me bijtë dhe bijat më të mira të këtij kombi, të cilët janë në një mision të sigurtë në Irak, në një mision i cili do të ketë dhe do të finalizohet në një Irak të lirë dhe demokratik, me një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin, që do të rrezatojë shpresë në mbarë ato vende të cilat përballen me vështirësitë e regjimeve të tyre”. Kështu i drejtua paqeruajtësve të Kontigjentit të 10-të në përshëndetjen e tij Kryeministri Sali Berisha.Më tej, duke folur për rëndësinë e këtij misioni, Kryeministri Berisha u shpreh se “Misioni juaj është një mision i madh në projektin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për integrim me vendet e zhvilluara të komunitetit euroatlantik. Është misioni i 10-të që niset për në Irak. Forca të tjera të këtij regjimenti operojnë sot në Afganistan, në Bosnjë dhe ne jemi të vendosur që të jemi të pranishëm me ju aty ku do të jetë Aleanca e Atlantikut të Veriut, aty ku do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, ju përmbushni një mision të madh kombëtar, jeni shndërruar në një faktor të fuqishëm të shtytjes përpara të procesit të integrimit të vendit tonë në NATO, si ardhmja më e sigurt e kombit shqiptar”.Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori amerikan në Tiranë John L. Withers.Në mbyllje të ceremonisë, Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi flamurin e kontigjentit major Behar Marës, i cili do të drejtojë paqeruajtësit shqiptar në këtë mision, ndërsa më pas u takua nga afër me paqeruajtësit dhe familjarët e tyre.
Nuk ka komente:
Posto një koment