Berisha: Shqiptarët janë krenarë të kenë mik Shtetet e Bashkuara


Intervistoi: Arben Xhixho 08-06-2007
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se në takimin që do të ketë me Presidentin Bush do të diskutojë mbi reformat, bashkëpunimin dypalësh, statusin e Kosovës dhe çështje të tjera. Ai tha gjithashtu se duke ardhur ne Shqiperi, Presidenti Bush realizon së pari një dëshirë të madhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë në shpirt, proamerikanë. Kryeministri Berisha i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive per Zërin e Amerikës.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, Tirana këto ditë i ngjan më tepër një qyteti amerikan. Ju do të takoheni të dielën me Presidentin Bush. Cilat do të jenë temat që do të trajtoni në këtë takim?
Kryeministër Sali Berisha: Ju e thatë me të drejtë: Tirana ka marrë pamjen që i ngjajnë një qyteti amerikan dhe jam i bindur se këtë pamje Tirana e ka marrë me dëshirën e të gjithë qytetarëve të saj, të cilët do të donin t’i dëshmonin presidentit të Shteteve të Bashkuara në vizitën e tij të parë të një presidenti amerikan në Shqipëri, ndjenjat më miqësore, mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të madh. Ndaj edhe Tirana është zbukuruar në këtë mënyrë për nder të kësaj vizite të shumëpritur. Natyrisht, në takimin që do të kem ditën e djelë me Presidentin Bush, krahas mirënjohjes për të gjithë mbështetjen e madhe dhe të jashtëzakonshme të cilën Shtetet e Bashkuara dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka dëshmuar shqiptarëve në momentet më kritike të historisë së tyre duke u dhënë mundësi të ecin në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë, në rrugën e dinjitetit drejt familjes së kombeve të zhvilluara, do të paraqes arritjet e reformave në Shqipëri, arritjet e këtyre 15 viteve të cilat kanë patur mbështetjen e plotë të institucioneve dhe të taksapaguesve të Shteteve të Bashkuara, do të diskutojmë për nivelin e shkëlqyer aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve, mbi aspiratat dhe përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO si objektivi më madhor kombëtar i Shqipërisë, mbështjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces. Do të diskutojmë për zhvillimet në rajon, bashkëpunimin rajonal. Fakti që në këtë ditë unë kam ftuar në Shqipëri kryeministrin e Maqedonisë dhe të Kroacisë në drekën që shtroj për nder të Presidentit Bush – pra do të jetë një drekë e formatit A-3 plus Shtetet e Bashkuara – tregon edhe për rëndësinë edhe rajonale të kësaj vizite. Sigurisht do të diskutojmë edhe për çështjen e cila është sot ndofta çështja më e mprehtë në Europë – çështja e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Shqipëria, siç e thatë edhe ju, ka si objektiv kryesor anëtarësimin në aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur fuqimisht. Mendoni se Shqipëria do të arrijë të bëhet anëtare e NATO-s brenda mandatit të qeverisë suaj?
Kryeministër Sali Berisha: Jam optimisit por jam i vetdijshëm se duhet të bëj një punë të madhe dhe këmbëngulëse. Arritjet janë të pamohueshme. Në rast se bëhet një rishqyrtim i të gjitha kombeve ish komuniste, nuk ka një komb tjetër që të ketë bashkëpunuar në 15 vite më ngushtë me NATO-s se sa kombi shqiptar. Kjo për faktin sepse Shqipëria është e vendosur në një rajon ku pati konflikte të mëdha por me të gjithë potencialin e saj mbështeti NATO-n, operacionet e saj dhe zhvilloi një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ndaj edhe sot në Shqipëri, po të bëhet anketë dhe një anketë e tillë është bërë, 93 përqind e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në NATO. Kjo është dëshmi se ky popull ndjehet shpirtërisht anëtar i NATO-s. Duhen bërë përpjekje për të arritur standardet. Forcat tona të armatosura kanë pësuar ndryshime të jashtëzakonshme, falë ndihmës shumë të çmuar që Pentagoni por edhe NATO-ja i kanë dhënë Shqipërisë për këto reforma. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka dëshmuar se pavarësisht nga vështirësitë është një demokraci që funksionon. Sidoqoftë, plani për anëtarësimin në NATO është në zbatim e sipër dhe çdo gjë do të varet shumë nga efiçenca e zbatimit të tij në mënyrë që ne të marrim ftesën e anëtarësimit në samitin e Bukureshtit.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, shumë analistë thonë se kjo vizitë është po aq e rëndësishme për Shqipërinë sa edhe për Kosovën. A jeni i të njëjtit mendim?
Kryeministër Sali Berisha: Kjo është një vizitë bilaterale e një rëndësie historike dhe një ngjarje kulmore në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Vizita ka rëndësi për rajonin. Mendoj se udhëheqja politike e Kosovës i ka patur dhe i ka dyert e hapura në Uashington. Ka një dialog konstant, është dëgjuar dhe dëgjohet, është këshilluar dhe këshillohet me administratën e Presidentit Bush. Në këtë kontekst, për sa i përket interpretimit se kjo vizitë është e lidhur me dhënien e një mesazhi, mendoj se mesazhin Presidenti Bush e ka shprehur qartë në të gjitha qendrimet e tij gjatë javëve të fundit, e ka shprehur qartë Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, e ka shprehur qartë përmes ambasadorit në Kombet e Bashkuara dhe përfaqësueses në Prishtinë. Pra, nuk gjykoj se kjo vizitë i adresohet parësisht problemit të Kosovës. Natyrisht, Shqipëria, që nga ditët e para e deri sot ka qenë një interlokutor për Shtetet e Bashkuara por edhe për vendet e tjera për çështjen e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, le të ndalemi te problemet e Shqipërisë. Vizita do të bashkojë të paktën për një ditë të gjithë klasën politike shqiptare. Pritet të vazhdojë kjo frymë edhe më tej? E kam fjalën se ngjarja më e madhe politike në në vendin tuaj është zgjedhja e presidentit të ri. Çfarë garancish mund të jepni se vendi nuk do të shkojë në acarime politike si ato që kemi parë në zgjedhjet e mëparshme?
Kryeministër Sali Berisha: Jam dakord me ju. Është moment shumë i rëndësishëm kushtetues zgjedhja e presidentit të republikës. Sot, Parlamenti përcaktoi datën 20 si datën e takimit të parë parlamentar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Forcat politike kanë shprehur vullnetin të punojnë për arritjen e konsesusit për presidentin e republikës. Unë gjykoj se kjo është gjë pozitive. E vlerësoj në tërësi si një dëshirë reale. Kanë kundërshtitë e tyre për kandidaturat por nuk mund të pritej që ato të binin dakord para se të nisë procesi për kandidaturat. Kështu që nëse më kërkoni të bëj një vlerësim të procesit, deri tani e konsideroj një proces normal, një proces në kahje pozitive. Cili do të jetë rezultati, mund të më pyesni. Për një gjë mund t’ju siguroj: se do të ketë zgjidhje kushtetuese. Shqipëria, forcat politike shqiptare e kanë atë maturi dhe vendosmëri që në çdo rrethanë, ligjet dhe kushtetuta e vendit të zbatohen. Unë jam i vendosur të punoj për një president konsensual bashkë me opozitën.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju do të hyni në histori si kryeministri që priti në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri presidentin e Shteteve të Bashkuara. Duke qenë në krye të vendit juve ju takon edhe përgjegjësia për situatën politike. Si u përgjigjeni kritikave se imazhi i Shqipërisë sot në botë, fajin kryesor për këtë imazh të dëmtuar e ka klasa politike e Shqipërisë? Çfarë mund të bëjë qeveria juaj për ta përmirësuar këtë?
Kryeministër Sali Berisha: Jam dakord me ju se Shqipëria ka një problem imazhi. Por problemi më thelbësor në çështjen e imazhit është i lidhur me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Po të ndjekësh zhvillimet e këtyre dy viteve, mund të them se nuk ka qevei apo institucion mik të vendeve të tjera që nuk vlerëson me nota shumë pozitive luftën kundër krimit të organizuar shqiptar nga qeveria shqiptare dhe institucionet në tërësi. Por, duke thënë këtë, nuk mund të them se Shqipëria është çliruar nga damka e këtij problemi. Unë isha para një jave në selinë e NATO-s dhe pothuajse të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare që morën fjalën, përshëndetën arritjet në këtë fushë, por në mënyrë absolute shprehën shqetësimin e tyre nëse këto arritje do të jenë apo jo të pakthyeshme. Dua të them me këtë se Shqipëria ka fituar një betejë, por ajo duhet të fitojë luftën që të ndryshojë imazhin. Dhe lufta është e vështirë. Unë kam besim se do ta fitojmë këtë betejë. Nga ana tjetër, është e vërtetë që ka patur tensione dhe përplasje por ajo që është pozitive dhe e pamohueshme në Shqipëri është se ka patur dy zgjedhje rradhaz, të cilat nuk kanë qenë të përsosura, por që kanë dhënë ndryshime të atilla pushteti saqë askush nuk mund të thotë se nuk u respektua vullneti i qytetarëve shqiptarë. U bënë zgjedhjet e 2005-s. Nuk pati ndonjë degradim si në Gjeorgji apo në Ukrainë. U bënë zgjedhjet e 2007-s. Po të lexoni raportin, aty del se marrëveshja ishte një faktor që i dëmtoi më shumë ato. Askund nuk del se qytetarët nuk zgjodhën kryetarin e bashkisë apo komunave që deshën. Kështuqë ekziston një maturitet i vërtetë demokratik në shoqërinë shqiptare që e bën Shqipërinë një demokraci funksionale. A duhet të përpiqemi që ta përsosim më tej? Duhet të përpiqemi. Por rrugë tjetër përveç reformave nuk ka.
Zëri i Amerikës: Çfarë nënkupton personalisht për ju vizita e Presidentit Bush?
Kryeministër Sali Berisha: Për mua kjo nënkupton realizimin e një dëshire shumë të thellë. Unë vetëm një herë e kam takuar Presidentin Bush gjatë takimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork dhe mendova se çfarë do t’i them për 30 sekonda, një shtrëngim dore dhe fotografi. I thashë këto fjalë duke shprehur atë që kam ndjerë vetë: prej 15 vitesh qytetarët shqiptarë presin me padurim vizitën e një presidenti të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Uroj dhe dëshiroj zoti President që të jeni ju ai që do t’ua plotësojë këtë dëshirë sepse jam i bindur që kam shprehur mendimin në tërësi të shqiptarëve. Jam shumë i gëzuar që presidenti ua plotësoi këtë dëshirë, jam shumë mirënjohës ndaj tij dhe ndaj gjithë atyre të cilët kanë ndikuar pozitivisht. Janë zyrtarët e administratës amerikane të cilët e kanë inkurajuar këtë vizitë, ndonëse duhet të jem i sinqertë që Shqipëria nuk ka qenë e panjohur për Presidentin Bush. Ka qenë mjaft më e njohur për presidentin Bush senior. Pra për mua si kryeministër, Presidenti Bush realizon së pari një dëshirë të madhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë në shpirt, në ndjenja miqësorë, proamerikanë. Ata kanë një krenari të madhe të kenë mik Shtetet e Bashkuara. Në Shqipëri, flitet për Presidentin Uillson sikur ai të kishte qeverisur 15 vjet më parë dhe jo sikur të ketë afërsisht një shekull. Ka një mirënjohje jashtëzakonisht të thellë dhe një kujtesë shumë pozitive. Natyrisht, meqenëse jam edhe kryeministër, nuk mund të mohoj se edhe reformat e ndërmarra nga qeveria, nënshkrimi i marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, progresi i Shqipërisë drejt NATO-s, kanë patur edhe këto ndikimin pozitiv në realizimin e kësaj vizite.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania