Tenderi që la ushtarët me shapka


Trazhgim Sokolaj
“Shqipëria duhet të jetë krenare për ushtarët e saj që marrin pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare. Ata nuk kanë dallim nga kolegët e tyre të vendeve që janë pranuar në NATO”. Kështu do të shprehej disa javë më parë një ushtarak i lartë i Organizatës së Atlantikut Verior në selinë qendrore të këtij institucioni në Bruksel. Kur nuk kanë kaluar më shumë se dy javë nga ky pohim, në Brigadën Kombëtare të Stërvitjes Bazë në Bonavi disa rekrutë janë shfaqur, teksa bëjnë stërvitje me atlete dhe shapka shtëpie në këmbë. E gjitha kjo nuk ka ndodhur me dëshirën e ushtarëve për të mbajtur atlete apo shapka në stërvitje. Ata ushtarë mbajnë armën në duar dhe uniformën në trup, por këpucë nuk kanë. Një tender i zhvilluar rreth një viti më parë është shkaku i mungesës së këpucëve në radhët e Forcave të Armatosura shqiptare. Të cilët së paku në rastin e stërvitjes në Bonavi treguan se kanë një ndryshim me forcat që shërbejnë sot në radhët e Organizatës së Atlantikut Verior, ku Shqipëria shpreson të marrë ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit vitin e ardhshëm.
TenderiProcedura e blerjes së këpucëve për ushtarët është zhvilluar rreth një vit më parë. Tenderi mësohet se ka ecur normalisht deri disa ditë, pasi ka filluar shpërndarja në reparte e këpucëve të blera. Sasia e parë e këpucëve të blera është shpërndarë në reparte, ndërsa është bllokuar pak kohë më pas. Shkak për bllokimin e këpucëve të blera në tender ka qenë fakti se sasia e parë e tyre, që ishte shpërndarë është grisur, pasi kishte vetëm pak ditë që ishte përdorur nga ushtarët. Burime nga dikasteri i mbrojtjes thonë se vlera financiare me të cilën është blerë një palë këpucë në tenderin e një viti më parë ka qenë rreth 20 euro. Nuk ka të dhëna cila është firma fituese e tenderit apo sasia totale e mallit, por organet përkatëse kanë bërë likuidimin financiar, kurse këpucët ndodhen të bllokuara në magazinat e ushtrisë. Burimet nga FA, konfirmuan dje se këpucët e blera një vit më parë nuk kanë pasur probleme vetëm me rezistencën por edhe me numrat. Pjesa më e madhe e sasisë së parë të këpucëve që është shpërndarë pas zhvillimit të tenderit, nuk korrespondonte me numrin e këmbës së ushtarëve, duke krijuar kështu vështirësi serioze në përdorimin e tyre. Por rezistenca e dobët dhe grisja brenda një afati të shkurtër ka qenë shkaku i bllokimit në magazina të këpucëve që ishin marrë në dorëzim deri në atë moment.
HetimiOrganet përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes mësohet se nuk kanë qëndruar indiferente ndaj tenderit të një viti më parë. Verifikimet e bëra kanë provuar se këpucët e blera në këtë tender ishin grisur dhe kishin dalë jashtë përdorimit, pak kohë pasi ishin dhënë në përdorim të reparteve ushtarake. Ministria e Mbrojtjes ka përmbushur të gjitha kërkesat e ligjit në këtë rast, por gjithsesi ditën e djeshme nuk u konfirmua që në zyrat e Antikrimit Ekonomik të Prokurorisë së Tiranës, apo në Prokurorinë Ushtarake të kishte mbërritur ndonjë kallëzim penal për tenderin e këpucëve. Verifikimet e bëra prej organeve të specializuara kanë hedhur dritë mbi faktin se subjekti që ka ofruar këpucët në tender ka marrë vlerën financiare sipas çmimit dhe sasisë së mallit, porse këpucët prej më shumë se 10 muajve mbahen në magazinat e ushtrisë, ndërsa ushtarët rekrutë stërviten me shapka shtëpie e atlete që mësohet se i kanë blerë me paratë e tyre.

Shqipëria, 1.8 e GDP për mbrojtjen
TIRANE – Ushtria shqiptare aktualisht gëzon në buxhetin e saj vjetor një shifër rreth 1.8 të prodhimit të brendshëm bruto. Parametri i Organizatës së Atlantikut Verior është që çdo vend anëtar të ketë 2 për qind të GDP-së, të destinuar për buxhetin e mbrojtjes. Edhe pse Shqipëria është pranë shifrës së kërkuar nga NATO, duket se Forcave të Armatosura shqiptare nuk u mungojnë vetëm këpucët. Vendet që shpresojnë të anëtarësohen në NATO, duhet të kenë një bazë mjetesh luftarake dhe një trupë forcash që të jetë e ndërveprueshme me Organizatën e Atlantikut Verior.
Flet zv/ministrja e Mbrojtjes, Xhuka“Standardet e NATO-s, janë prioriteti ynë”
TIRANE – “Pajisja e ushtarëve shqiptarë me të gjithë aksesorët e duhur në përputhje me kërkesat e NATO-s është prioriteti i Ministrisë së Mbrojtjes”. Ky është pohimi i zv/ministres së Mbrojtjes, Zana Xhuka. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, zyrtarja e lartë e Mbrojtjes nuk ka preferuar të flasë për hollësi të tenderit të këpucëve. Ajo tha se Ministria e Mbrojtjes është tërësisht e angazhuar për pajisjen e Forcave të Armatosura shqiptare me të gjithë aksesorët e kërkuar nga standardi i Organizatës së Atlantikut Verior. E pyetur nëse qëllimi i Ministrisë së Mbrojtjes ishte përmbushur kur ushtarët në Bonavi stërviten me shapka e atlete, zv/ministrja Xhuka nuk komentoi, por tha se varet nga rrethanat në të cilat janë fiksuar fotografitë e publikuara dje në shtypin e shkruar. Ditën e djeshme, gazeta “Panorama” publikoi foto të fiksuara gjatë stërvitjes së rekrutëve në qendrën 51-vjeçare të Bonavisë. Ushtarët po stërviteshin me shapka dhe atlete, pasi nuk kanë këpucë që i përkasin uniformës së Forcave të Armatosura.
BOVANIA
Kanë qenë ushtarakë dhe specialistë të Pentagonit (Departamenti Amerikan i Mbrojtjes) ata që kanë bërë propozimin që Bonavia të jetë Qendra Kombëtare e Stërvitjes së Rekrutëve। Pozicioni gjeografik, hapësira e shfrytëzueshme, poligonet, sipërfaqet e stërvitjes dhe volumi i ndërtesës kanë qenë elementët mbi të cilët Bonavia është përcaktuar si vendi ku rekrutët shkelin në momentet e para të shërbimit ushtarak.
STERVITJA
Brigada Kombëtare e Stërvitjes Bazë në Bonavi, numëron aktualisht 769 rekrutë të rinj। Ata janë mbledhur nga degët e mobilizimit ushtarak në të gjitha rrethet e vendit dhe për shtatë deri në 9 javë qëndrojnë në Bonavi, ku stërviten për të vijuar më pas shërbimin ushtarak në repartet e gjithë vendit. Siç kanë pohuar vetë ushtarët tri ditë më parë, vetëm 70 prej tyre kanë këpucë të mirëfillta ushtarake, ndërsa pjesa tjetër stërviten me atlete e shapka.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania