Presidenti Moisiu: Shqipëria gatishmëri politike për anëtarësimin euroatlantik


TIRANE - Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu ndodhet në samitin e Budvës i cili zhvilloi punimet ditën e sotme. Kreu i Shtetit shqiptar, shprehu gatishmërinë politike që ka Shqipëria për të ndërmarrë çdo reformë dhe veprim të duhur në funksion të anëtarësimit të saj euroatlantik, si dhe konfirmoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit rajonal. Presidenti Moisiu tha se në këtë proces “ Maqedonia është gjithashtu afër, kurse Shqipëria e Serbia kanë nënshkruar MSA-në. Gjithashtu edhe Mali i Zi, si shteti më i ri, është pjesë e progresit dhe përcaktimeve euroatlantike të rajonit. Në këtë mënyrë, pavarësisht vështirësive dhe ritmit të ecjes, në tërësi vendet tona janë më afër derës së hapur në Samitin e Selanikut dhe ajo që është më e rëndësishme, e shohin integrimin euroatlantik si interes madhor kombëtar e rajonal”. Sipas tij, procesi i integrimit ecën në dy kahe, është i dyanshëm dhe vjen si një nevojë e madhe e rajonit për anëtarësim euroatlantik. “Një çështje tjetër që meriton vëmendje është rënia e mitit se integrimi mund të jetë dhuratë, që duhet të na jepet. Unë mendoj se ai nuk është i tillë, sikurse as nuk mund të na mohohet. Ai është një proces politik, bazuar në vlera dhe standarde që vendi im dhe vendet e rajonit u besojnë dhe janë të angazhuara t’i arrijnë”. “Ecja drejt integrimit do të thotë edhe të mos mbyllim sytë ndaj problemeve tona ende të pazgjidhura, por të ndihmojmë për zgjidhjen sa më optimale”, tha zoti Moisiu.

Fjala e Presidentit Moisiu në Samitin e Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore, në Budva (Mal i Zi). 29 maj 2007

I nderuar z. Vujanoviç,
Të nderuar kolegë Presidentë,

Për mua është kënaqësi pjesëmarrja në një takim të kryetarëve të shteteve, që mbahet për herë të parë në shtetin më të ri të Europës, Malin e Zi. Po ashtu vlerësoj tematikën e këtij takimi, e cila është sa aktuale, aq edhe strategjike për interesat e secilit vend dhe të rajonit në tërësi.
Duke qenë një temë e trajtuar edhe më parë midis nesh, madje edhe në takimin e para tre ditëve në Bërno, mendoj të ndalem vetëm në disa vlerësime, të cilat besoj se shprehin vizionin dhe qëndrimin tonë rreth çështjeve të integrimit dhe marrëdhënieve me BE-në.
Sot ne flasim për Europën Juglindore duke e quajtur atë një pjesë të pandarë gjeografike të Europës, pra njërën prej pjesëve përbërëse të saj. Integrimi i këtij rajoni në bashkësinë europiane nuk bën gjë tjetër vetëm sa jetëson edhe bashkimin politik europian. Edhe nesër kur BE-ja të jetë e plotë dhe vendet tona të jenë anëtare të saj, përsëri rajoni ynë do të quhet Europë Juglindore, sepse e tillë – europiane –, ka qenë, është e duhet të jetë. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një proces riafirmimi politik, një ribashkim natyral me pjesët e tjera të Europës së tërë.
Inkurajues në këtë proces është fakti se tashmë fryma dhe vlerat euroatlantike po bëhen pjesë e platformës së çdo shteti dhe qeverije në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Më 2004 Samiti i Selanikut pohoi vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe prioritetet e reformave të nevojshme për standardet e integrimit dhe tashmë dy vende të rajonit janë bërë anëtarë të BE-së dhe Kroacia ndodhet një hap më afër, gjë për të cilën shpreh përgëzimet e mia. Maqedonia është gjithashtu afër, kurse Shqipëria e Serbia kanë nënshkruar MSA-në. Edhe Mali i Zi, si shteti më i ri, është pjesë e progresit dhe përcaktimeve euroatlantike të rajonit. Në këtë mënyrë, pavarësisht vështirësive dhe ritmit të ecjes, në tërësi vendet tona janë më afër derës së hapur në Samitin e Selanikut dhe ajo që është më e rëndësishme, e shohin integrimin euroatlantik si interes madhor kombëtar e rajonal.
Procesi i integrimit ecën në dy kahe, është i dyanshëm dhe vjen si një nevojë e madhe e rajonit për anëtarësim euroatlantik. Shqipëria beson se integrimi në BE është zgjidhja dhe përgjigjia e duhur për kapërcimin e plotë të problemeve që rajoni ka trashëguar nga e kaluara historike dhe që ka shfaqur gjatë dekadës së fundit. Procesi i rënies së regjimeve të periudhës komuniste dhe i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë solli krijimin e shteteve të reja, por edhe daljen në skenë të skenareve dhe ambicjeve nacionaliste siç u dëshmuan nga Serbia e Millosheviçit, që sollën katër luftra ballkanike. Midis opsionit të luftës e konfliktit dhe të paqes e bashkëjetesës, jam i bindur se shumica absolute e qytetarëve të rajonit kanë zgjedhur të dytin, ndaj edhe ecja e pandalshme drejt integrimit europian është rruga më e mirë për respektimin e këtij vullneti. Vlerat europiane të dialogut, stabilitetit, bashkëjetesës etnike dhe fetare, zhvillimit të lirë të ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës, gjithnjë e më shumë po zënë vend dhe po gjejnë mbështetje në Ballkan, ku po rritet një brez i ri europian, që kërkon të ndahet nga kujtimet e hidhura e dramatike të fëmijërisë së tyre. Pra, procesi i integrimit është mëse i natyrshëm, madje i pakthyeshëm. Ai është jetik për të ardhmen e rajonit, stabilitetin dhe prosperitetin e tij.
Një çështje tjetër që meriton vemendje është rënia e mitit se integrimi mund të jetë dhuratë, që duhet të na jepet. Unë mendoj se ai nuk është i tillë, sikurse as nuk mund të na mohohet. Ai është një proces politik, bazuar në vlera dhe standarde që vendi im dhe vendet e rajonit u besojnë dhe janë të angazhuara t’i arrijnë. Ecja drejt integrimit do të thotë edhe të mos mbyllim sytë ndaj problemeve tona ende të pazgjidhura, por të ndihmojmë për zgjidhjen sa më optimale. Le të sjell edhe njëherë në vëmendjen tuaj Kosovën. Kosova ka nevojë për një përgjigje përfundimtare për statusin e saj. Sot Kosova ka nevojë për një Real Politik, e cila njeh realitetet e reja dhe nuk mbetet peng i së shkuarës. Për përcaktimin e këtij statusi ekziston një bazë e mirë: ky është Plani Ahtisari – një dokument kompromisi i prodhuar pas një angazhimi serioz ndërkombëtar dhe rolit të të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mediatorit të njohur, Presidentit Ahtisari, i cili për një vit e gjysmë uli në tavolinë Prishtinën dhe Beogradin dhe paraqiti këtë paketë si më të drejtën dhe më të mirën për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Zgjidhja e statusit të Kosovës do të ishte një ndihmë reale jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, si edhe për rajonin dhe për vetë bashkësinë europiane, pjesë e së cilës aspirojmë të bëhemi të gjithë.
Ne mendojmë gjithashtu se integrimi europian i rajonit do t’i japë atij një hapësirë shumë më të madhe për zhvillimin ekonomik, thithjen e investimeve të huaja dhe rritjen e mirëqënies për qytetarët. Ne i kemi paraprirë këtij procesi me marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe ato në kuadër dy e shumëpalësh midis vendeve tona. Por njëkohësisht ne mendojmë se prania intensive e BE-së me ndihma financiare për projekte të mëdha të infrastrukturës, energjitikës dhe sektorëve të tjerë me interes të përbashkët, mbetet e domosdoshme. Ne duam që problemet e vështirësitë e tranzicionit, siç janë papunësia, niveli i ulët i jetesës, problemet e kujdesit shëndetësor, lëvizjes, arsimimit, etj, të mos lejohet të ndikojë negativisht në vizionin dhe vullnetin e brezit të ri për aspiratën e integrimit euroatlantik. Ndërkohë vetë qytetarët e vendeve tona, pavarësisht nga etnia, kombësia e besimet fetare, duhet të gëzojnë të drejta të barabarta, jo vetëm në legjislacion por edhe në realitetin praktik.
Të nderuar kolegë,
Siç e thashë edhe më lart, integrimi është proces i dyanshëm. Ne mund të besojmë se kemi bërë më të mirën për arritjen e standardeve të integrimit, pra për ta merituar atë, por duhet që të njëjtin mendim ta ndajnë edhe vetë vendet anetarë të BE-së dhe qytetarët e saj. Zhvillimet e vitit të kaluar në Francë e Holandë apo sondazhet profesionale të herëpashershme që bëhen në vendet perëndimore lidhur me zgjerimin e mëtejshëm, nxjerrin një pah një valë hezitimi dhe lodhjeje në rritje. Pasojë e këtij zhvillimi mund të jenë shtrëngimi i kritereve të anëtarësimit të vendeve të Europës Juglindore, shtyrja e tij në kohë, etj. Unë mendoj se kjo nuk do të jetë zgjidhja më e mirë, përkundrazi. Çdo qytetar i Europës ka nevojë për stabilitet, siguri e mirëqënie, tregues që siç u dëshmuan gjatë dekadës së kaluar, u cënuan edhe për shkak të ngjarjeve në rajonin tonë dhe zhvillimeve të tjera globale. Një familje e madhe dhe e pasur, që jeton pranë një familjeje të vogël, më të varfër e të izoluar, nuk sjell siguri për asnjërën palë në jetën e përbashkët në lagje. Ne, natyrisht i njohim nevojat e mëdha për reforma dhe punën që duhet të bëjmë për arritjen e standardeve, por edhe në këtë drejtim, mesazhi i mbështetjes dhe dyerve të hapura nga BE-ja është mëse i nevojshëm. I nevojshëm për forcimin e demokracisë sonë të brendshme, për zgjerimin e partneritetit dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe për përfitimin nga vlerat më të mira perëndimore, nga kapacitetet dhe nga prania e saj aktive politike dhe ekonomike në vendet tona.
Në përfundim të fjalës time, edhe njëherë dëshiroj të shpreh gadishmërinë politike që ka Shqipëria për të ndërmarrë çdo reformë dhe veprim të duhur në funksion të anëtarësimit të saj euroatlantik, të konfirmoj vullnetin për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe të falenderoj Presidentin Vujanoviç për pritjen e ngrohtë në organizimin e këtij takimi.
Ju faleminderit!

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania