Parlamenti italian ka miratuar me shumicë votash Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, e cila pritet të kalojë së shpejti në dhomat e senatit italian. Ministrja e Integrimit, znj.Majlinda Bregu e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë fakt, duke qenë se nuk bëhet fjalë thjesht për një vend më shumë në listën e vendeve që kanë ratifikuar MSA-në me vendin tonë, por një vend fqinj që konsiderohet si partner strategjik i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.Së bashku me Italinë, bëhen gjithsej 11 vende që kanë ratifikuar MSA-në me vendin tonë, Letoni, Lituani, Luksemburg, Poloni, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Hungari, Irlandë.
Anëtarësimi në NATO, Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvillon vizitë zyrtare në Vjenë
Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Austrisë, më 11 tetor 2007, ministri ynë i Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvilloi një vizitë zyrtare në Vienë. Takimet e zhvilluara në Parlament dhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Austrisë, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe u shpreh dëshira për të zhvilluar edhe më tej veçanërisht bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes. Ministri Mediu u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Komisionit të Mbrojtjes të Parlamentit të Austrisë, Dr. Peter Fichtenbauer. Në këtë takim, Ministri Mediu vlerësoi ndihmat që Austria i ka dhënë vendit tonë në procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe rolin dhe ndikimin që Austria ka në rajonin e Ballkanit. Të dy palët vlerësuan se midis dy vendeve tona ka lidhje historike, të cilat na afrojnë më shumë në rrugën e bashkëpunimit dhe të miqësisë. Më tej, Ministri Mediu bëri një pasqyrë të reformave të ndërmarra në Shqipëri, sidomos në progresin e bërë për plotësimin e standardeve që kërkon marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO, si dhe shtroi domoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit të komisioneve palamentare të sigurisë të të dy vendeve tona. Në fushën e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve u vlerësua ecuria e tij, si dhe u shpreh dëshira për intensifikimin e mëtejshëm në të ardhmen. Në këtë kuadër, si një shprehje e vullnetit të mire, pala austriake i dhuroi FA Shqiptare sasi të konsiderueshme ndihmash. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua lidhur me çështjen e Kosovës. Ministri Mediu u shpreh për zgjidhjen pa vonesë të statusit përfundimtar të Kosovës në mbështetje të Planit Ahtisari duke e konsideruar këtë plan si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të negociatave. Nisur nga roli i Austrisë në rajon, Ministri Mediu kërkoi mbështetjen e Austrisë lidhur me këtë çështje. Nga pala austriake u theksua se Austria do të vazhdojë të luajë rol aktiv në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Në këtë takim, u diskutua gjerësisht edhe për bashkëpunimin mes vendeve të A3 (Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci), arritjet dhe konkretizimin e projekteve të përbashkëta rajonale, si dhe domosdoshmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e ftuara në PfP nga Samiti i Rigës, Bosnje-Herzegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, Ministri Mediu u takua me Ndihmës Zëvendës Sekretaren e Shtetit të SHBA, Rosemary di Carlo, ku mori edhe njëherë inkurajimin për reformat e bëra. Gjithashtu Ministri Mediu u takua edhe me homologët e tij nga vendet e rajonit ku u rikonfirmuan qëndrimet për një bashkëpunim sa më të mirë dhe të frytshëm në fushën e integrimit Euro-Atlantik.
Mediu: Anëtarësimi në NATO forcon progresin dhe demokracinë në Ballkan
14 Tetor, Tirane- Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes dhe atyre të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (Shqipëri, Kroaci, Maqedoni dhe SHBA), tre vendeve të Balltikut (Estoni, Letoni, Lituani) si dhe përfaqësues të NATO-s, që u zhvillua në Split të Kroacisë më 13 Tetor 2007. Takimi i Splitit pati në qendër të bisedimeve forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave në proçesin e përgatitjeve për anëtarësim në NATO. Çështjet kryesore të diskutimeve përfshinë zgjerimin e NATO-s në Samitin e ardhshëm të 2008, forcimin e bashkëpunimit, marrjen e eksperiencës nga vendet e Balltikut, bashkëpunimin rajonal dhe probleme të sigurisë. Në këtë takim, Ministri i Mbrojtjes Fatmir MEDIU bëri një pasqyrë të ecurisë së reformave politike, ekonomike dhe ushtarake të ndërmarra në Shqipëri për arritjen e standarteve për të merituar anëtarësimin në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Ministri i Mbrojtjes njohu delegacionet pjesëmarrëse me arritjet e fundit të Shqipërisë, si krijimi i Komisionit Parlamentar bipartizan për integrimin në NATO, krijimin e komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, krijimin e institucionit të Koordinatorit Kombëtar për Integrimin në NATO si dhe me rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, Mediu njohu pjesëmarrësit edhe me arritjet e reformave në Forcat tona të Armatosura, me kontributin e tyre në Operacionet Paqeruajtëse si dhe përpjekjet për profesionalizimin, modernizimin, rritjen e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë për përafrimin sa më të shpejtë me standartet e NATO-s. Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu theksoi se Shqipëria e cilëson anëtarësimin e vendit tonë në NATO si mënyrën e vetme të forcimit të progresit dhe demokracisë jo vetëm në Evropën Jug-Lindore por dhe për komunitetin Euro-Atlantik. “Roli i Shqipërisë në misionet ushtarake në Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe Irak ka konfirmuar profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura dhe rolin aktiv të Shqipërisë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në pikat më të nxehta të globit”, - theksoi ai. Ministri Mediu theksoi domosdoshmërinë e zgjidhjes sa më të shpejtë të Statusit Përfundimtar të Kosovës në mbështetje të planit Ahtisari, si element i rëndësishëm që do të kontribuojë ndjeshëm në stabilizimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, takohet me Këshilltarin diplomatik të Presidentit francez Sarkozy
Më datë 11 Tetor, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha u prit në Pallatin Elize nga z. Jean-David Levitte, Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës Franceze, z. Nikolas Sarkozy. Në takim u diskutua gjerësisht për nivelin e shkëlqyer të dialogut politik mes dy vendeve dhe mbi nevojën e rigjallërimit të tij të mëtejshëm në nivel të lartë. Në këtë kuadër, z. Levitte i përcolli Ministrit të Jashtëm Basha ftesën që Presidenti Sarkozy i drejton Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha për të vizituar Parisin zyrtar, në një kohë sa më të afërt. Dy bashkëbiseduesit ranë më tej dakord se arritjet e fundit dhe ecuria e suksesshme e reformave të ndërmarra në Shqipëri, përbëjnë një garanci të sigurt për përmbushjen e objektivave parësorë të Qeverisë Shqiptare në drejtim të integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian.Z. Levitte e siguroi Ministrin Basha për vullnetin personal të Presidentit Sarkozy dhe gatishmërinë e plotë të Francës, për sa i përket aspiratave te Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe ratifikimin e shpejtë të MSA-së me Shqipërinë. Në takim u trajtua gjerësisht edhe zgjidhja e statusit final të Kosovës, si një faktor i domosdoshëm për stabilizimin përfundimtar të rajonit. Bashkëbiseduesit këmbyen mendime dhe informacione duke iu referuar edhe takimit te fundit Putin-Sarkozy ne Moske. Ministri Basha zhvilloi gjithashtu një darke pune me z. Patrick Devedjian, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Bashkimit për Lëvizjen Popullore, (UMP).
Di Carlo: SHBA përkrah vendet e “Adriatik 3” për anëtarësimin në NATO
Split, 13 tetor (MIA) - Zëvendësndihmësja e sekretares amerikane të shtetit Rozmari di Karlo në konferencën e shtypit pas takimit "Adriatik-Baltik-Atlantik" theksoi se SHBA-ja i përkrah vendet e rajonit për anëtarësim në NATO, njoftoi raportuesi i MIA-s nga Spliti."Shpresoj se Maqedonia, Kroacia dhe Shqipëria do të vazhdojnë me reformat dhe do të paraqitin një kandidaturë më të mirë në Samitin në Bukuresht. SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me ta dhe do të kujdeset që anëtarësimi të realizohet. Nuk duam të spekulojmë, NATO ende nuk ka sjellë vendime, por progresi është evident në disa fusha në të tre vendet, ndërsa pjesëmarrjen e tyre në operacionet e NATO-s e vlerësojmë shumë", theksoi Di Karlo. Duke u përqëndruar në situatën në Kosovë, ajo theksoi se status-kuoja nuk është e mirë për rajonin dhe shprehu besim se diskutimet do të japin rezultat. Di Karlo gjithashtu tha se në zgjidhjen e çëshjtes kosovare SHBA-ja e përkrah planin e Marti Ahtisarit. Ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë Urmas Paet pozitivisht e vlerësoi përparimin e Maqedonisë "Pozicioni ynë është se dyert e NATO-s duhet të jenë të hapura dhe vlerësojmë se gjithashtu është e rëndësishme reformat e çdo vendi të vlerësohen në veçanti. Për sa i përket Maqedonisë, reformat lëvizin në drejtimin e dukur, ka akoma për të bërë, por nga ana tjetër ka edhe kohë të mjaftueshme, para jush është një gjysmë viti i tërë. Shpresoj se do të jetë e mundur NATO-ja nga ana e tyre t'u japë përgjigje pozitive në samitin e ardhshëm", theksoi Paet. Ministrat e Punëve të Jashmte dhe të Mbrojtjes së Maqedonis, Antonio Milloshoski dhe Llazar Elenovski shprehën kënaqësi nga përkrahja, si nga ana e SHBA-së ashtu edhe nga shtetet baltike për anëtarsimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike. Pas takimit "Adriatik-Baltik-Atlantik" shefi i diplomacisë maqedonase Antonio Milloshoski theksoi se Maqedonia, Shqipëria dhe Koracia janë në pragun e asaj që ta përsërisin suksesin e vendeve baltike, të cilat nën sponsorizimin e SHBA-së u bënë anëtare të Aleancës Veriatlantike. "Konfirmuam se kemi aftësi për bashkëpunim rajonal dhe solidaritet në vetë Grupin e Adriatikut, që mundëson një kandidaturë më të mirë. Maqedonia me njërën këmbë ka hyrë në NATO, së bashku me partnerët e saj, mbetet që ta bëjmë hapin tjetër, t'i përkushtohemi reformave në periudhën e ardhshme. Në takim u konfirmua se suksesi për NATO-n është zgjerimini saj, ndërsa për Samitin në Bukuresht zgjerimi do të jetë sukses edhe për rajonin", theksoi Milloshoski. Ministri i Mbrojtjes Llazar Elenovski theksoi se në takimin e sotëm u konfirmua përkrahja për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si nga përfaqësuesit e SHBA-së ashtu edhe nga përfaqësuesit e shteteve baltike. Edhe një herë u konfirmua se zgjerimi i NATOs do të jetë në grup. Në asnjë moment nuk u tha se dikush nga vendet e Grupit të Adriatikut është më i avancuar se tjetri në fushën e reformave", the Elenovski. Ai shprehu optimizëm se në samitin e ardhshëm të NATO-s në prill të vitit 2008 Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim. Në margjinat e takimit "Adriatik-Baltik-Atlantik", ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe të Kroacisë, Antonio Milloshoski dhe Kolinda Grabar-Kitaroviq në prani të përfaqësuesve të bashkësisë maqedonase në Kroaci nënshkruan Marrëveshje për mbrojtjen e pakicave. "Marrëveshja është shumë e rëndësishme, me rëndësi të madhe për të dy vendet, të cilët me këtë tregojnë se i respektojnë normat më të larta për të drejtat e njeriut, theksoi Graber-Kitaroviq. Milloshoski tha se pakica maqedonase ka një etablim të mirë në shoqërinë kroate, duke theksuar se ka edhe përfaqësuesin e saj në Parlamentin kroat. Ai dokumentin e vlerësoi si "urë të vogël por të fuqishme për afrim dhe edhe një shembull si në rajon duhet investuar në të drejtat e njeriut. Burimi: MIA
OFICERI SHQIPTAR SHPALLET HEROI I PARE NE STERVITJEN E NATO-s, "COOPERATIVE LONGBOV/LANCER 07"
TIRANE - Major Kosta Jano, oficer i Shtabit Shqiptar, u vlerësua për profesionalizmin e tij, cilësitë e shkëlqyera dhe aftësinë për t’u integruar lehtësisht në një mjedis shumëkombësh, duke u shpallur Heroi i Parë i Ditës për stërvitjen "Cooperative Longbow/Lancer 2007", e cila po zhvillohet aktualisht në Tiranë, Shqipëri.
Major Kosta Jano gjatë kësaj stërvitjeje ka luajtur rol kryesor në Qendrën e Operacioneve Taktike dhe në seksionin e planizimit. Ai drejtoi me sukses aktivitetin operacional të Brigadës Shumëkombëshe dhe aktualisht është duke planifikuar operacione që do të kryhen në të ardhmen.
"Jam shumë i lumtur dhe i nderuar të jem i pari që i akordohet ky shpërblim," tha Major Kosta Jano. "Megjithëse për shumëkënd mund të duket si një shpërblim i vogël, ky vlerësim është mishërim i punës së madhe që ne po bëjmë gjatë kësaj stërvitjeje", shtoi ai.
Me qëllim që të arrinte objektivat e tij në mënyrë të suksesshme, Major Kosta Jano i koordinoi përpjekjet e tij me Major Rudolf Halbartschlager, i cili drejton Qendrën e Operacioneve Taktike. Major Halbartschlager, të cilit iu akordua gjithashtu vlerësimi, është përgjegjës për informimin mbi operacionet aktuale dhe siguron informacionin tërësor mbi situatat operacionale.
Gjeneral Lejtnanti amerikan John Gardner, i cili aktualisht është Zëvendës/Komandant në Selinë Qendrore të NATOS, në Heildelberg, për profesionalizmin e shfaqur gjatë stërvitjes dhe aftësitë drejtuese shumë të mira, vlerësoi Major Kosta Jano dhe Major Rudolf Halbartschlager, dy përfaqësuesit e Vendeve të Partneritetit për Paqe, me një dhuratë simbolike, në praninë e pjesëmarrësve të tjerë.
Stërvitja e Partneritetit për Paqe të NATO-s shërben si instrument jetësor në zhvillimin dhe nxitjen e aftësisë së forcave të ndryshme ndërkombëtare për të punuar sëbashku, në mënyrë efektive gjatë operacioneve në mbështetje të paqes dhe reagimit në raste krizash të drejtuara nga NATO. Burimi: ATSH
Komandanti i Komponentit Tokësor të NATO-s, vlerëson ndryshimet në Shqipëri
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Gjeneral Lejtnant, Roland Kather, Komandant i Komponentit Tokësor të NA
Forcat e Armatosura të Shqipërisë, përfundon stërvitja “Luftëtari i Çeliktë”
Fillimisht për të pranishmit, studenti i vitit të katërt, Adrian Prençi, në cilësinë e shefit të Qendrës Operacionale të stërvitjes, paraqiti një brifing, ku foli për konceptin e arsimimit dhe të stërvitjes në UU “Skënderbej”, për organizimin e trupës studentore dhe shpërndarjen e tyre në këtë stërvitje, për rajonin e stërvitjes dhe specifikat e tij, si dhe për fazat dhe aspekte të shumta të zhvillimit të saj.Më pas, aktiviteti vijoi me një seri veprimtarishë dhe demonstrimesh stërvitore, si kalimi me litar dhe mjete të tjera në liqen, kalimi i pengesave xheniere, kalimi i zonës së infektuar nga lëndët helmuese luftarake, dhënia e ndihmës së parë të të plagosurve, zhvillimi i qitjeve me armët personale etj. Gjajtë këtyre demonstrimeve ushtarake ra në sy disiplina dhe dinamizmi i studentëve dhe i drejtuesve të tyre, si dhe profesionalizmi i lartë në zbatimin e kërkesave dhe të standardeve të përcaktuara në programin e stërvitjes.Stërvitja “Luftëtari i Çeliktë” zhvillohet nga studentët e vitit të dytë në fillim të vitit akademik dhe realizohet në disa faza, gjatë të cilave studentët përpunojnë dhe përvetësojnë mjaft elementë të stërvitjes individuale taktike, njohjen e armatimit dhe qitjen me armët organike të këmbësorisë, kalimin e pengesave të ndryshme malore dhe ujore, të patrullimit, të goditjes së objektit, të stërvitjes me skuadër në operacionet e mbështetjes së paqes, si dhe kombinimin e elementëve të përgatitjes teknike dhe kompaktësimin e grupit.
Në stërvitjen e vjeshtës dhe stërvitjen fushore të koduar “Luftëtari i Çeliktë” morën pjesë 134 studentë të vitit të dytë, ndërsa 17 studentë të vitit të tretë kanë vepruar në rolin e komandantit të skuadrës dhe 15 studentë të vitit të katërt në rolin e komandantit të togës dhe në detyra shtabi. Gjatë këtij muaji, studentët e tjerë të vitit të tretë dhe të vitit të katërt të UU “Skënderbej” janë shpërndarë në në njësitë e repartet e Forcave të Armatosura duke kryer detyra në rolin e komandantit të skuadërs dhe të komandantit të togës.Në mbyllje të stërvitjes, komandanti i Doktrinës dhe Stërvitjes kolonel Sandër Lleshi përshëndeti studentët për përfundimi me sukses të stërvitjes, ndërsa për studentët pjesëmarrës u shpërndanë certifikata.
Rreth meje
- Trazhgim Sokolaj
- GAZETAR / Journalist
Lidhje ne Fokus
Lidhje
- Krasta Krau
- Artikujte tjere ne Google nga T.Sokolaj
- Artikuj nga T.Sokolaj (Ne Google)
- Levizja MJAFT
- Sajmir Kola
- Turizmi Shqiptar, Albanian Turism, Guide
- Gazeta Start
- NATO
- Keshilli i Larte i Drejtesise
- Ministria e Drejtesise
- Partia Demokratike
- Partia Socialiste
- Presidenca e Shqiperise
- Ministria e Kultures, Turizmit, Rinise dhe Sporteve
- Photo from Albania
- Peshku pa Uje, Blogger
- Ministria e Integrimit
- Deutsche Welle (In Albanian)
- BBC (In Albanian)
- Vioce of America (In Albanian)
- Ministria e Mbrojtjes
- Ministria e Brendshme
- Parlamenti Shqiptar
- Qeveria Shqiptare
- Express, Kosove
- Televizioni i Kosoves
- E-mail (Hotmail)
- E-mail (Yahoo)
- Motor Kerkimi (Google)
- Portali Shqiptar
- Revista MAPO
- Tv Klan
- Vizion Plus
- Top Channel
- Gazeta Panorama
- Gazeta Shekulli
- Albania Photo Album (Alket Islami)
Arkivi i blogut
Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE
Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana
Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush
President George W.Bush in Tirana
President Bush, in Fushe-Kruja, Albania
President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

