SHBA: Shpresojmë të hyni në NATO, anëtarësimi është meritë e gjithë popullit shqiptar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, shprehu bindjen e tij se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e Aleancës Veriatlantike që pritet të mbahet në Bukuresht gjatë ditëve të para të muajit prill.
Diplomati John Withers që përfaqëson SHBA-të në Tiranë, e bëri këtë deklaratë në një takim me drejtuesit e opozitës. Ambasadori amerikan përshëndeti kontributin e opozitës shqiptare në procesin e integrimit të vendit në NATO duke pohuar se anëtarësimi nuk do të shikohet nga Shtetet e Bashkuara si një meritë e një grupi të caktuar politik, por si një arritje të Popullit Shqiptar.
“Është e rëndësishme ftesa e Shqipërisë në NATO. Mund të jeni informuar dje se Presidenti Bush shprehu vendimin e tij se do të ndihmojë vendet e Kartës së Adriatikut, mes tyre dhe Shqipërinë për ftesën në NATO. Shpresojmë që kjo të bëhet realitet në ditët që vijnë”, tha ambasadori amerikan në Tiranë.
Drejtuesi i partisë më të madhe në opozitë, Edi Rama tha se integrimi i vendit në NATO kërkon thellimin e mëtejshëm të reformave.

"Mos na gërric shumë..."

Së bashku me një kolegun tim, ndodhesha diku në brendësi të fshatit Gërdec, atje ku më tepër se një javë më parë, ndodhi shpërthimi i një fabrike demontimi municionesh luftarake që shkaktoi tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Isha zgjuar në mëngjes me idenë se kjo është një ditë e diel, kur në Tiranë nuk ka shumë aktivitete, me idenë se kaloi një javë nga tragjedia e Gërdecit, dhe, se tani ja vlente të shkoje edhe njëherë atje, për të parë më ftohtë pasojat e asaj që ka ndodhur. Po ecnim në një rrugicë të fshatit, ishim nisur drejt zonës ku ndodhej krateri i shpërthimit, kur një makinë e policisë ushtarake, u shfaq në fund të rrugicës. Prej saj zbritën dy efektiva të policisë ushtarake. Vërshëlluan prej larg ndërsa u nisën me vrap drejt nesh. “Kjo është zonë e ndaluar”, thanë duke na zënë rrugën e më pas duke na thënë se “duhet të ktheheni, kemi urdhër të mos ju lejojmë”. I kërkova një urdhër, policit që në moshë dukej më i madh, i thashë dua ta shikoj atë urdhër zotëri. Hajde të shkojmë tek komandanti tha, është atje poshtë, tek postblloku. Epo mirë i thashë, shkojmë. Në fund të rrugicës, ndodhej po aty ku kishte ndaluar më parë, makina e policisë ushtarake. Njëri nga efektivat hapi derën dhe na ftoi në makinë. Jo zotëri i thashë, unë do të eci në këmbë, dua të shikoj fshatin, nëse mundeni më shoqëroni deri tek komandanti juaj, unë nuk jam kriminel dhe as keqbërës që të më ndaloni, të më shoqëroni me makinë. Kjo ndjesi me nervozoi pak. U thashë se do të ishte mirë sikur të merreshin me banorët e zonës që kanë nevojë për ndihmë dhe të mos harxhonin kohë me gazetarët. Ky natyrisht nuk ishte një incident. Unë nuk e konsideroj të tillë, por pas kësaj që u thashë dy policëve, njëri prej tyre mu kthye duke më thënë “ec ore, mos na gërric shumë”. Ndalova. Iu afrova dhe i kapa uniformën ushtarake në krahun e majtë. “Zotëri i thashë, respektoje këtë uniformë që ke veshur, unë nuk po kërkoj të më respektosh. Ky që përdor ti, nuk mundet të jetë kurrë, fjalor i një ushtaraku që ka vend në NATO”. U step por nuk kisha dëshirë të vazhdoja më tej. U pendova që ia thashë tani këto fjalë, sepse në fakt kisha menduar tja thosha në sy të Komandantit. Fillova ecjen dhe pashë se po afroheshim tek qendra e Komandës. I pyeta ku ndodhej Komandanti. Njëri nga policët më tha se ai ishte lart në zonë. Sa mund të vonohet zotëri. Nuk e di më tha. Unë nuk kam kohë të pres këtu me orë i thashë, por ai si duket nuk e kishte mendjen. Ia përsërita dhe mu kthye gjithë ironi: Përse zotëri doni të hyni në atë zonë, përse doni të filmoni?. E sqarova duke i thënë se unë nuk dua të filmoj, dua të flas me njerëzit, ti pyes. “Kush ti pyesë, ti?, mu përgjigj. Po unë i thashë do ti pyes, kam dëshirë të shkruaj për ata dhe jo për ju. Në këtë kohë mbërriti komandanti, i cili nuk kishte qenë aty. Policët e tij më kishin gënjyer kur më thanë hajde se na pret komandanti poshtë. Ai erdhi pasi kisha pritur rreth 35 minuta. U zemërua me një kolegun tim, u tha ushtarëve se kishin bërë shumë mirë që ishin sjellë në atë mënyrë me të, dhe harroi fare që unë, i kisha bërë një telefonatë dhe i kisha thënë se po prisja një konfirmim nga ai për të hyrë në zonë. Kaloi kufizimin e zonës ushtarake dhe po ecte. I thirra disa herë por nuk ktheu kokën. E telefonova kur kishte hyrë brenda çadrave ushtarake dhe i thashë se të paktën duhej të komunikonte me mua. Përfundimisht unë hyra në zonë dhe mbarova çfarë kisha për të bërë. Ky episod mu fiksua keq në mendje, parë në dritën e një diskutimi që kam pasur këtu e muaj të shkuar me një Komandant të Forcave Speciale Gjermane. E pata takuar në repartin RENEA. “Problemi kryesor i Shqipërisë është reformimi. Unë nuk e di çfarë nënkuptojnë politikanët tuaj me reforma, por unë flas për reformimin e njeriut. Ju keni policë të mirë, ata kanë vullnet dhe aftësi, por më vjen keq kur i shikoj që vijnë në punë sa për të qenë, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë nga vetja. Nuk përpiqen çdo ditë ti japin një kuptim asaj që bëjnë, nuk mundohen të gjejnë forma për tu përmirësuar gradualisht”. Ngjarja e mësipërme dhe dialogu me efektivin gjerman mu kujtuan ndërsa po mendoja edhe unë si shumëkush në këtë vend: A do të ketë ndikim ngjarja e Gërdecit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO? Pa dyshim që do të ketë ndikimin e saj, por gjithsesi, Shqipëria hyn në NATO atëherë kur ta meritojë. Atëherë kur ushtarët e saj, të paktën në kohën kur kanë uniformën mbi trup, të lënë mënjanë fjalorin prej gangsteri, atë sjelljen prej rrugaçi dhe zyrtari që bën insinuata personale ndaj shtetasve të këtij vendi. Edhe nëse Shqipëria nuk hyn në NATO, për shqiptarët do të jetë një fitore e madhe nëse reformohen këta njerëz, nëse policia ushtarake, apo çdo efektiv i ushtrisë, e konsideron vetën në shërbim të qytetarit dhe partner të denjë e të besueshëm të tij. Unë kam qenë i ftuar në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, kam qenë edhe në Komandën e Operacioneve në Mons, një qytet thuajse tërësisht ushtarak në Belgjikë. Aty kam pasur rastin të komunikoj me ushtarakë të ndryshëm gjatë qëndrimit disaditor. Nuk më vjen aspak mirë, që ushtarakët grekë, italianë, francezë apo polonezë, u sollën dhe komunikuan me mua në një mënyrë shumë më zyrtare, njerëzore dhe korrekte, sesa ushtarakët e vendit tim, Shqipërisë, të cilët doja të doja me gjithë shpirt, që një ditë të silleshin, të shërbenin dhe të komunikonin me qytetarët si ata, ushtarakët e NATO-s.

Qeveria Shqiptare miraton Strategjinë e Integrimit 2007-2013

TIRANE-13 mars, 2007-Qeveria e Shqipërisë miratoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013 (SKZHI). Dokumenti i Strategjisë, sikurse shprehen burimet qeveritare, është një përcaktim prioritetesh qeverisëse në ato fusha dhe ata sektorë që renditen ndër më të kritikuarit nga raportet ndërkombëtare. Kryeministri Berisha, duke prezantuar Strategjinë, tha se ajo përcakton programin e reformave, prioritetet dhe standardet për përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe NATO. “Strategjia, - u shpreh Kryeministri - është dokument themelor që përcakton vizionin dhe përparësitë e qeverisë për vitet 2007-2013. Ajo sintetizon mendimin më të avancuar të kohës për të adresuar të gjitha problemet e vendit, në mënyrë që t’i ofrojë qytetarëve shqiptarë të njëjtat standarde që u ofrohen qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, standarde të detyrueshme dhe që kanë të bëjnë me liritë e të drejtat e tyre, lirinë ekonomike, me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.” Kryeministri falënderoi grupin e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj për punën e bërë në përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësishëm, që adreson problemet e të gjitha fushave. “Në përgatitjen e këtij dokumenti kanë punuar mbi 300 ekspertë shqiptarë të fushave të ndryshme dhe me dhjetëra ekspertë ndërkombëtarë, të cilët kanë sjellë ekspertizën më të mirë në të gjitha fushat, në atë ekonomike, sociale, arsim, shëndetësi, shkencë, bujqësi, në fushën e mbrojtjes, infrastrukturë, kulturë, financa, çështjeve sociale, mjedisit.” Duke vlerësuar se Strategjia konsolidon revolucionin dhe performancën fiskale të vendit, Kryeministri tha se liberalizimi i tregut, privatizimi dhe digitalizimi janë objektivat kryesore të këtij viti. “Liberalizimi, privatizimi dhe digjitalizimi janë drejtimet më kryesore të këtij viti, por që do të konsolidohen edhe në vitet në vazhdim, si edhe derregullimi i tregut, ‘one stop shop’ për licencat e lejet, thjeshtimi i madh i sistemit fiskal. Shqipëria do të jetë një nga vendet me sistemin më të mirë fiskal në Europë. Ne premtuam se Shqipëria do të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët dhe e bëmë këtë, tani vendi do të ketë sistemin më të thjeshtë. Qëllimi ynë është nxitja e biznesit,” u shpreh Kryeministri. Gjithashtu shëndetësia, bujqësia, problemet sociale janë drejtimet e tjera të rëndësishme të parashikuara në dokumentin e SKZHI-së. “Reforma në sistemin shëndetësor dhe kompletimi i saj është një nga objektivat madhore. Qeveria është gjithnjë shumë e ndjeshme ndaj problemeve sociale, ndaj edhe këto shërbime do të kenë programet, projektet dhe financimin e tyre, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve sociale. Po ashtu, bujqësia zë një vend të rëndësishëm në këtë Strategji. Fermerët shqiptarë kanë konstatuar se kanë tek qeveria një mike të vërtetë, e cila, në sajë të luftës kundër kontrabandës, ka bërë të mundur që prodhimet e tyre të shiten. Por tashmë do të ketë edhe masa të tjera nxitëse, në mënyrë që të inkurajohet prodhimi dhe eksporti i prodhimeve të tyre,” theksoi Kryeministri. Mbrojtja, tha Kryeministri, do të mbetet me programin dhe buxhetin të palëvizur, sepse roli i Shqipërisë do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, besojmë si vend anëtar i NATO-s, duke shpresuar te marrja e ftesës në samitin e Bukureshtit, në misionet dhe në të gjitha detyrat që rrjedhin nga përgjegjësitë që duhet të marrë. Strategjia parashikon gjithashtu, - vijoi Kryeministri - një ndryshim rrënjësor pozitiv në institucionet e vuajtjes së dënimit, të cilat po ecin me shpejtësi drejt zhvillimit dhe që duhet të fitojnë standardet që këto institucione duhet të kenë në një vend të lirë. Kryeministri tha se Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim e përgatit plotësisht vendin për integrim, drejt këtij stacioni, ku Shqipëria po udhëton në mënyrë të pandalshme.

Hyrja e vendeve të “A3” në NATO vendim politik i momentit të fundit


Afrimi i kohës së paralajmëruar për zhvillimin e punimeve të Samitit të NATO-s në Bukuresht është shoqëruar me rritjen e interesit publik lidhur me këtë proces, në tri vendet ballkanike që aspirojnë të bëhen anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në dialogun politik dhe veprimtarinë institucionale të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë gjithnjë e më shumë muajt dhe javët e fundit zë vend integrimi në NATO dhe përpjekjet për përmbushjen e kushteve e reformave të kërkuara. Rritja e dukshme e interesit publik lidhur me këtë proces, është pasqyruar edhe në Shqipëri. Politikanët dhe shtetarët gjithnjë e më shumë veprimtarinë shtetërore të kohëve të fundit ia referojnë përgatitjeve për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO. Mediat gjithashtu po i kushtojnë më tepër hapësirë se më parë, çdo reagimi nga brena apo jashtë Shqipërisë që flet për procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Kjo rritje e interesit publik, në rastin e medias ka shkaktuar brenda Shqipërisë edhe konfuzion. Disa javë më parë, Ambasada Amerikane në Tirënë u detyrua të sqaronte publikisht se nuk kishte ndonjë ftesë të firmosur për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Përfaqësia diplomatike e SHBA-ve në Shqipëri, sqaroi po ashtu se vendimi do të merrej në përfundim të monitorimit të përparimit që ka bërë vendi deri momentin e fundit dhe se, vendimi për ftesën, i përkiste të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Ky sqarim erdhi pasi mediat referuar burimeve qeveritare nga Tirana, e bënë fakt të kryer marrjen e ftesës nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit. Pak kohë më vonë, mediat shqiptare, kësaj radhe referuar burimeve nga Brukseli, përmendën se NATO kishte nënshkruar tri ftesa “të bardha” në të cilat nuk ishte hedhur ende emri i ndonjë shteti kandidat. Nga ana tjetër, Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili përgjigjet drejtpërdrejt për procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe reformat në fushën e mbrojtjes, ka pasur një aktivitet intensiv muajt e fundit. Ai ka zhvilluar takime të rëndësishme në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve dhe në Qeverinë Britanike në Londër, ku ka marrë mbështetje dhe sinjale pozitive rreth hyrjes së Shqipërisë në NATO. Qëndrimi i deritanishëm i faktorit ndërkombëtar rreth përpjekjeve të Shqipërisë me qëllim meritimin e ftesës së NATO-s në Bukuresht, mund të konsiderohet pozitiv. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike Jaap de Hoop Scheffer ka vlerësuar reformat e ndërmarra së fundi nga Shqipëria, konkretisht konsensusin politik mbi reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. Scheffer kërkoi konsolidimin e këtyre reformave duke thënë se dyert e NATO-s janë të hapura për vendet e Kartës së Adriatikut nëse ato i përmbushin kushtet për anëtarësim në NATO. Është e qartë se Aleanca e Atlantikut të Veriut ka një objektivat e saj zgjerimin në Ballkan përmes anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. Ndryshe nuk do të kishte kuptim mardhënia aktuale e partneritetit mes këtyre tri vendeve dhe NATO-s. Nga ana tjetër një prani më e zgjeruar e NATO-s në Ballkan, do të thotë më tepër siguri, stabilitet dhe demokratizim. Roli i NATO-s në rajonin e Ballkanit, si një faktor madhor në ruajtjen e sigurisë bashkë me faktorin amerikan, u konfirmua edhe njëherë gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë nga Republika e Kosovës. Mirëpo përkundër këtyre argumenteve, votimi i vendeve anëtare të NATO-s në Bukuresht, në fakt veç të tjerave, do të vlerësojë mbi një parametër të domosdoshëm: Arritjet dhe reformat e ndërmarra nga secili prej vendeve kandidate. Sikurse mund të mendohet, pavarësisht gjithë faktorëve të tjerë nxitës, anëtarësimi i vendeve të “A3” në këtë moment mund të konsiderohet i vështirë. Secili vend anëtar i NATO-s rreth 2 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm, ia dedikon fushës së mbrojtjes. Kjo është bërë shkak për përparime dhe përmirësime të dukshme jo vetëm të forcës ushtarake të secilit vend anëtar të NATO-s, por edhe për vetë Aleancën. Nga ana tjetër, për të gjitha operacionet ushtarake ndërkombëtare të NATO-s, secili vend anëtar paguan dhe paguan shumë në fakt, për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe të paqes. Vendet e Kartës së Adriatikut nuk kanë shumë për ti ofruar NATO-s, në fakt. Shqipëria aktualisht nuk ka asnjë skuadër avionësh gjuajtës nga ata që i afrohen parametrave të NATO-s. Më tepër si rezultat i programeve të mbërritura në kuadër të përpjekjeve dhe programit të anëtarësimit, Forcat e Armatosura shqiptare kanë krijuar një trupë elitë, e cila është stërvitur dhe formuar mbi bazën e koncepteve të NATO-s. Është e vërtetë së FA-të Shqiptare e kanë arritur këtë, ato janë të pranishme në disa misione paqeruajtëse ndërkombëtare në kuadër të Partneritetit për Paqe. Pra Shqipëria me kapacitetet e saj po importon siguri. Nga ana tjetër, roli i Shqipërisë në rajon është vlerësuar pozitiv ashtu si dhe mardhëniet e saj me fqinjët apo edhe me vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Është e qartë se në shumë fusha është bërë përparim ashtu sikurse ka shumë për të bërë në drejtime të tjera të domosdoshme. Rezultantja e të gjithë këtyre do të mësohet në fund të punimeve të Samitit të Bukureshtit. Vendimi siç e kanë përsëritur vazhdimisht zyrtarët ndërkombëtarë, do të jetë politik. Është e qartë se vendimi do të merret në momentin e fundit, sepse në fakt nuk është një vendim i lehtë, jo vetëm sepse kërkon votën e 26 vendeve anëtare të NATO-s, por sepse vendosja në peshore e arritjeve dhe të metave të tri shteteve kandidate, duket se ka shkaktuar diskutime serioze edhe brenda vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Reformat mjaftojnë për kualifikim, por duhet të jenë të qëndrueshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Schefer vlerësoi reformat e ndërmarra nga vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci, aspirante për anëtarësim në Organizatën Veriatlantike në Samitin e Bukureshtit që mbahet në prill 2008. Shefi i NATO-s tha se reformat e ndërmarra deri më tani janë të mjaftueshme për kualifikimin e vendeve kandidate. Ai tha më tej se Aleanca nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për ftesat për anëtarësim. Schefer konfirmoi se vendet kandidate për anëtarësi, tani duhet të tregojnë se reformat e ndërmarra deri më tani, janë stabile dhe të qëndrueshme.

Departamenti i Shtetit: Lufta kundër narkotikëve në Shqipëri, frenohet nga korrupsioni

01-03-2008
Në raportin e përvitshëm për drogën dhe pastrimin e parave, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se Shqipëria ka bërë përmirësim në luftën kundër narkotikëve dhe krimit financial, por se përpjekjet e saj pengohen nga korrupsioni, mangësitë profesionale në strukturat e rendit, sistemi i pareformuar gjyqësor, si edhe ekonomia informale.
Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në BE dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin.
Shqipëria thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, shërben si një vend tranzit për trafikun e heroinës nga vendet e Azisë Qendrore në Evropën perëndimore.
Në vitin 2007, kapja e heroinës ra disi, ndërsa kapja e drogave të tjera mbeti e lartë. Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, në përgjigje të trysnisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, po i lufton më me agresivitet elementët kriminalë, por puna e saj vazhdon të pengohet nga mungesa e burimeve dhe përhapja e madhe e korrupsionit.
Portet, kufijtë jo shumë të ruajtura tokësore, së bashku me një polici dhe dogana të financuara e menaxhuar keq dhe me mangësi në paisje, e bëjnë Shqipërinë një vend të lakmueshëm tranzit për trafikantët që transportojnë droga në Evropën Perëndimore.
Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë disa hapa kundër korrupsionit: si miratimi i ligjit për Parandalimin e Konflikteve të Interesave dhe nxjerrja e një afati kohor për zbatimin e tij. Po ashtu vëzhdimi nga ana e shoqërisë civile i ka rritur shpresat se korrupsioni do të bjerë. Qeveria nxorri jashtë ligjit qarkullimin e gomoneve dhe disa llojeve të tjera mjetesh lundruese në të gjitha ujrat territoriale për një periudhë prej tre vjetësh, gjë që duket se e ka pakësuar lëvizjen e drogave përmes mjeteve të vogla të lundrimit veçanërisht në Itali. Shqipëria punon me fqinjët në marrëdhënie dypalëshe dhe nisma rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet.
Sipas raportit, policia shqiptare vazhdoi të shënojë përparim në operacionet kundër narkotikëve. Sasia e drogës së kapur si nga Italia, ashtu edhe Greqia ka rënë çka do to thotë se Shqipëria ka pasur sukses në përpjekjet e saj. Bashkëpunimi ndërkombëtar u rrit, përfshirë operacione të përbashkëtar me autoritetet italiane, maqedonase, greke dhe turke.
Në raport thuhet se korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Pagat e ulëta, rryshfetet dhe rrjetet e lidhje të ngushta sociale në Shqipëri e vështirësojnë luftën ndaj korrupsionit në polici, gjykata dhe dogana. Në kuadër të përpjekjeve anti-korrupsion, Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB-së kundër korrupsionit. Në vitin 2007 policia dhe gjyqësori u bënë më aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të rendit për korrupsion. Në raport përmenden shifrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme në bazë të së cilave nga rritja 13 për qind e rasteve që arritën të paraqiten në gjykata, shumica kishte të bënte me korrupsionin, veprimtaritë e paligjshme të zyrtarëve të qeverisë dhe trafikimin.
Grupet e krimit të organzuar, thekson më tej raporti, vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si pikë tranziti për drogat dhe kontrabanda të tjera, për shkak të pozitës strategjike gjeografike të vendit, dobësisë së shtetit ligjor dhe sistemit të pareformuar gjyqësor, si edhe kufijve lehtësisht të depërtueshëm. Shqipëria është pikë tranziti për heroinën që vjen nga Afganistani, përmes rrugës së Ballkanit Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri pastaj në Itali, Mal të Zi, Greqi dhe pjesën tjetër të Evropës Perëndimore. Një sasi e kufizuar por që sa vjen e rritet e kokainës kontrabandohet nga Amerika Jugore në Shqipëri, si për konsum të brendshëm dhe për eksport. Përveç kësaj rrjetet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë shqiptarët për të transportuar koakinë dhe heroinë nga vendet e tjera në Shqipëri, Itali dhe Greqi.
Qeveria e Shqipërisë vazhdon të mirëpresë ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore. Shtetet e Bashkuara po i intensifikojnë aktivitetet në fushat e rendit dhe reformës ligjore. Një nga problemet e hasura lidhur me ndihmën në kualifikim, është politizimi i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes që sjell si rezultat mungesën e një administrate civile të fortë, kështu që shumë punonjës që i nënshtrohen kualifikimit, bëhen objekt largimi nga detyra gjatë tranizicioneve politike. Ky problem ishte veçanërisht i mprehtë në policinë e shtetit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 për qind e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur, apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit.
Shqipëria e ka bërë përparësi luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut dhe policia po e rrit rolin në operacionet kundër narkotikëve. Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë për të bërë përaparim në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, për të përdorur me efektivitet të ndihmës për strukurat e rendit dhe për të mbështetur reformën ligjore.
Si vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave
Në kapitullin për pastrimin e parave, raporti thekson se Shqipëria nuk ështe qendër e rëndësishme financiare rajonale. Megjithatë, thekson raporti, duke qënë një vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Të ardhurat që sigurohen me rruge kriminale burojnë kryesisht nga trafiqet, korrupsioni zyrtar dhe mashtrimet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Përmasa e saktë që të shumat nga këto aktivitete të paligjshme zenë tek të ardhurat totale të krimit dhe të pastrimit të parave nuk dihet.
Kriminelët investojnë para të pista në ndërtimin e banesave dhe në projektet e zhvillimit të bizneseve. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrollit të dobët në dogana. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë operacionesh për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh i kthejnë fitimet e paligjshme në Shqipëri. Fitimet nga këto aktivitete pastrohen lehtësisht në Shqipëri falë ekonomisë që zhvillohet me para në dorë dhe kontrollit të dobët të qeverisë ndaj veprimtarive bankare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, 25 për qind e parave në qarkullim janë jashtë sistemit bankar, krahasuar me 10 për qind në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga imigrantët hyjnë në vend përmes kanaleve jozyrtare. Këmbimet në tregun e zi janë ende të pranishme me gjithë përpjekjet e qeverisë. Sipas shifrave të qeverisë, të ardhurat nga tregu informal përbëjnë 30-60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithëse ka pasur nisma të vazhdueshme për të përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar krimet financiare dhe pastrimin e parave, mungesa e rezultateve pozitive dhe paaftësia për t’u bërë ballë siç duhet mangësive në programe, vazhdojnë të pengojnë përparimin।
Marrë nga VOA

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania