Kthehet nga misioni në Irak Kontigjenti i 9-të i Paqeruajtësve Shqiptarë

Në mesditën e sotme, në aeroportin “Nënë Tereza” u oganizua ceremonia e kthimit në atdhe të Kontigjentit të 9-të Paqeruajtës, i cili kreu me sukses të plotë misionin e tij në Mosul në përbërje të koalicionit ndërkombëtar “Lira e Irakut”.Për pritjen e trupave paqeruajtëse kishin dalë zv.ministria e Mbrojtjes Zana Xhuka, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral brigade Agim Lala, përfaqësues të pushtetit vendor, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve etj.Gjithashtu, në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zv.ambasadori i SHBA-së në Tiranë Stephan Cristina.Kontigjenti i 9-të Paqeruajtës kishte në përbërje të tij 120 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë të Regjimentit Komando. Ky kontingjent, ashtu si dhe kontigjentet parardhëse të kësaj njësie, kreu me disiplinë dhe profesionalizëm të lartë misionin për ruajtjen e paqes në qytetin e Mosulit, në veri të Irakut, në përbërje të një Brigade Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA.Zv.ministria e Mbrojtjes Zana Xhuka, në emër të ministrit të Mbrojtjes, i uroi mirëseardhjen në atdhe trupave paqeruajtëse të Kontigjentit të 9-të dhe i përgëzoi ata për realizimin me nder të misionit të tyre në Irak. “Ju i kryet me sukses detyrat tuaja në këtë mision fisnik, tha më tej në fjalën e saj zv.ministria Xhuka, duke vepruar me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë përkrah aleatëve tanë, sidomos të forcave amerikane, për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të lirisë së popullit irakenë”. Ajo përgëzoi edhe familjarët e paqeruajtësve për mbështetjen që u kanë dhënë atyre gjatë kohës që realizuan me sukses këtë mision.Trupat e Kontingjentit të 9-të Paqeruajtës i përshëndeti edhe zv.ambasadori amerikan në Tiranë Stephan Cristina. ”Unë, tha zoti Cristina, ju falenderoj në emër të qeverisë amerikane për ndihmën që keni dhënë në krah të forcave tona ushtarake në Irak dhe për shembullin e shkëlqyer që keni dhënë për realizimin e këtij misioni të shenjtë”. Mëpas, paqeruajtësit e sapokthyer nga Iraku u takuan me familjarët edhe të afërmit e tyre që kishin dalë për t’i pritur.

Berisha: Vendet anëtare të NATO-s, mbështesin ftesën për Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit

TIRANE

Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, se në të gjitha takimet që zhvilloi me përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ata pa përjashtim dhanë mbështetjen për ftesën e Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit. Kryeministri tha se kjo mbështetje do të thotë se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë më tej ritmin e reformave, të plotësojë detyrimet që rrjedhin nga Cikli i 9-të i Planit Kombëtar të Veprimit. Raporti i paraqitur disa ditë më parë në Bruksel, vijoi Kryeministri, ka patur një rezonim plotësisht pozitiv, ndërkohë që do të bëhen edhe raportime të tjera gjatë muajve që vijnë. “E rëndësishme është që të tri vendet tona të shkojnë bashkërisht në Samitin e Bukureshtit për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO”, u shpreh Kryeministri.

“Shqipëria, e vendosur të ndërmarrë çdo reformë për anëtarësim në NATO”

BRUKSEL - Koordinatori Kombëtar për Çështjet e NATO-s, zoti Glori Husi, në krye të një delegacioni, zhvilloi sot një vizitë në selinë e NATO-s, në Bruksel. Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar prezantoi para Komitetit të Lartë Politik të Përforcuar të NATO-s. dokumentin e ciklit të 9-të Programit Kombëtar vjetor, në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësim në NATO (MAP). Cikli i 9-të i Planit të Veprimit të për anëtarësim në NATO është ndër më të rëndësishmit, pasi në muajin prill do të mbahet Samiti i Bukureshtit i vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior. Gjatë takimit, delegacioni shqiptar prezatoi arritjet e Shqipërisë gjatë periudhës së ciklit të 8-të të MAP, zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake në vend, si dhe objektivat e Shqipërisë për reformat që do të ndërmerren në kuadër të ciklit të 9-të të MAP-it. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kordinatori Kombëtar për Çështjet e NATO-s, zoti Husi, tha:
“Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,
Jam i lumtur që jam këtu sot për t’ju njohur me progresin dhe arritjet e reformave që kemi përvijuar në Programin Kombëtar Vjetor të Shqipërisë, si dhe me planet e mëtejshme për ciklin e nëntë të Planin të Veprimit për Anëtarësim, e më tej.
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbetet një nga prioritetet kryesore kombëtare dhe ka mbështetjen e të gjitha partive politike shqiptare dhe të mbi 94 për qind të qytetarëve shqiptarë. Samiti i Rigës i dërgoi dy mesazhe të qarta vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e Aleancës: një mesazh inkurajimi dhe mbështetjeje, për të cilin falënderojmë NATO-n dhe gjithë anëtarët e saj, si dhe një mesazh që ftesa për anëtarësim do të varet nga performanca e këtyre vendeve. Gjatë vizitave të tij në Këshillin e Atlantikut të Veriut, në nëntor 2005 dhe maj 2007, Kryeministri shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha, e siguroi dhe një herë Këshillin se shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për përfitimet që do të kenë nga anëtarësimi në NATO, por janë edhe të ndërgjegjshëm për detyrimet që lidhen me këtë anëtarësim. Kryeministri Berisha i konfirmoi Këshillit vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe për të paguar çdo çmim, në mënyrë që Shqipëria të plotësojë të gjitha standardet dhe kërkesat për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO. Në këto takime dhe në takime të tjera midis përfaqësuesve të NATO-s dhe zyrtarëve shqiptarë të të gjitha niveleve, ne kemi identifikuar së bashku fushat në të cilat duhet të jepen rezultate më konkrete dhe ne i dhamë këto rezultate. Më lejoni t’ju paraqes disa fakte dhe shifra konkrete të arritjeve tona në të gjitha këto fusha, gjatë ciklit të 8-të. Ne kemi rënë dakord së bashku që një dialog konstruktiv më i madh midis partive politike në parlamentin shqiptar është i domosdoshëm për suksesin e reformave. Më 18 shkurt 2007, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje me një atmosferë shumë të qetë dhe paqësore. Pavarësisht nga disa vonesa për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështje teknike dhe të infrastrukturës, zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të qetë dhe bashkëpunues, rezultati i tyre shprehu vullnetin demokratik të votuesve, dhe ato u pranuan nga të gjitha partitë politike. Policia shqiptare tregoi profesionalizëm, ndërsa media vendase dhe ndërkombëtare pati akses të pa kufizuar dhe transmetoi të gjitha zhvillimet e ditës së zgjedhjeve drejtëpërsëdrejti. Më 31 maj 2007, parlamenti shqiptar krijoi një komitet bipartizan ad-hoc, i cili drejtohet nga përfaqësues të koalicionit në pushtet dhe nga përfaqësues të opozitës, me qëllimin promovimin e të gjitha reformave legjislative që kanë të bëjnë me integrimin në NATO. Më 20 korrik 2007, parlamenti shqiptar zgjodhi presidentin e ri të vendit me konsensusin më të gjerë të mundur dhe nëpërmjet një procedure krejtësisht kushtetuese, që u mirëprit nga të gjithë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kjo u mundësua nga bashkëpunimi midis koalicionit në pushtet dhe opozitës. Forcat politike shqiptare në parlament vendosën të mos e pengojnë ritmin e reformave, duke e kthyer vendin në zgjedhje të reja, por të zgjedhin një politikan të matur dhe me përvojë për President të Republikës, si një garanci dhe shtysë e mirë për proceset e reformës. Ne kemi rënë dakord që reforma në drejtësi, që ka për synim të forcojë më shumë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit tonë të drejtësisë, ka rëndësi të madhe për rrugën drejt të ardhmes. Më 17 shtator 2007, udhëheqësit e të gjitha partive politike në parlamentin shqiptar u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët, të iniciuar nga Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi. Në këtë mbledhje, udhëheqësit politikë shqiptarë vendosën të krijojnë një komision special parlamentar, i cili, me mbështetjen e një grupi ekspertësh nga institucionet kushtetuese, ekzekutivi dhe gjyqësori, do të përgatisë dhe do t’i paraqesë parlamentit të gjitha instrumentet e duhura ligjore që nevojiten për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të gjyqësorit. Reforma e sistemit zgjedhor, që garanton zgjedhje që i përmbushin të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është thelbësore për çdo sistem demokratik. Komisioni bipartizan i krijuar nga parlamenti shqiptar po punon për krijimin dhe dorëzimin në parlament të këtyre iniciativave për sistemin elektoral, para fundit të vitit. Përpjekjet e qeverisë tani janë fokusuar tek krijimi i një regjistri elektronik të sigurt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe së shpejti do të hapet dhe një tender ndërkombëtar për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave dixhitale. Reforma e pronave ka bërë hapa të mëtejshëm përpara. Shqipëria vazhdon të jetë e angazhuar në zbatimin dhe arritjen e standardeve më të larta për respektimin e të drejtave të të gjitha minoriteteve, në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane “Për mbrojtjen e minoriteteve”. Nga ekonomia shqiptare vijnë lajme të mira. Situata ekonomike karakterizohet nga ritme të larta zhvillimi dhe nga një mjedis makroekonomik i qëndrueshëm. Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet me rreth 6 për qind çdo vit, inflacioni është i qëndrueshëm me vlerë rreth 2.4 për qind dhe defiçiti buxhetor është rreth 2.6 për qind. Eksportet shqiptare u rritën me rreth 28% gjatë vitit 2007. Investimet e huaja ishin tri herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditë bankare për ekonominë u rritën dhe tani janë rreth 30% e PBB-së dhe 70% e tyre i jepen biznesit privat. Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj të mëdhenj që janë të interesuar në eksplorimin e mundësive për investim në fushat e energjisë, minierave, bankave tregtare, turizmit, infrastrukturave të rëndësishme, etj. Reforma fiskale që u paraqit këtë vit nga qeveria do të thjeshtojë procedurat e taksave personale dhe të biznesit dhe do ta zëvendësojë taksën me një taksë të sheshtë prej 10%, më e ulëta në Evropë, me qëllim krijimin e një ambienti më tërheqës për investimet e huaja. Lufta kundër informalitetit vazhdon të jetë një nga prioritetet e axhendës së qeverisë. U vendosën paga dhe çmime reference për të eliminuar evazionin tatimor. Përpjekjet tona për të tërhequr turistë të huaj kanë dhënë rezultat. Numri i turistëve në vitin 2007 u rrit me 70%, në krahasim me vitin 2005. Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar vazhdon të japë rezultate. Mbi 851 anëtarë dhe drejtues të 202 grupeve të ndryshme kriminale janë arrestuar dhe 191 të kërkuar janë ekstraduar nga vendet e rajonit. Shqipëria nuk është më vend burimi ose tranziti për trafikun e qenieve njerëzore. Ajo nuk është më as rruga e preferuar e trafikut të heroinës ose kokainës. Moratoriumi trevjeçar për mjetet lundruese motorike tregoi se ishte një mekanizëm shumë i suksesshëm për këtë qëllim. U miratua ligji i ri për Policinë e Shtetit, i përgatitur me ndihmën e PAMECA-s dhe ICITAP-it. Shqipëria vazhdon bashkëpunimin e saj të ngushtë dhe frytdhënës me fqinjët, BE-në, SHBA-të dhe agjencitë e tyre të rendit dhe të zbulimit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u krijua një sektor i ri i Antikrimit Ekonomik dhe Pastrimit të Parave, kurse, në bashkëpunim të ngushtë me FBI-në dhe Komisionin Evropian u krijua një Task Force e Përbashkët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar. Puna e këtyre sektorëve të rinj ka dhënë rezultate të prekshme. Janë shkatërruar 30 grupe që merreshin me krim ekonomik dhe janë ndaluar 150 anëtarë të këtyre grupeve. Lufta kundër korrupsionit ka vazhduar me tolerancë zero dhe pa marrë në konsideratë ngjyrat politike. Janë shkatërruar 10 grupe dhe janë arrestuar mbi 47 persona me akuza korrupsioni. Jo më larg se javën e kaluar u arrestuan një numër punonjësish të punëve publike dhe transportit, nën akuzën e korrupsionit, përfshi dhe një zyrtar të lartë. Mbrojtja me ligj e informatorëve për rastet e korrupsionit, si dëshmitarë të krimeve të rënda, si dhe shpërblimi me 6% të vlerës së aferës korruptive që kanë denoncuar, ka treguar se është efikase. Në javët në vijim do të shqyrtohet në parlament ligji i ri për kufizimin e imunitetit për zyrtarët, në raste korrupsioni. Lufta kundër korrupsionit në dogana dhe në shërbimet tatimore ka sjellë një rritje prej 27% të të ardhurave dhe menaxhimi më i mirë i burimeve publike ka ulur shpenzimet me 40%. Lufta kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe kontrabandës, bëri të mundur që qeveria shqiptare të miratojë në qershor 2006 dhe qershor 2007 buxhete shtesë, me vlerë deri në 24% të buxhetit të zakonshëm të shtetit. Kjo mundësoi financimin e plotë të reformave për mbrojtjen, duke planifikuar që buxheti i mbrojtjes të jetë në nivelin 2% të PBB-së për vitin 2008, ose dy vjet më herët se ç’ishte planifikuar, si dhe arritjen e një ushtrie tërësisht profesioniste në vitin 2010 dhe jo në vitin 2013, siç mendohej më parë. Këtë tetor do të zbatohen projekte të rëndësishme antikorrupsion për prokurimin elektronik, nën kornizën e ndihmës së Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit. Është krijuar zyra e Avokatit të Popullit për prokurimet publike. Kemi filluar nga puna për procedurat e administrimit të taksave elektronike. Korniza ligjore do të jetë gati në fund të vitit. Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit filloi nga puna në fillim të shtatorit, duke u bazuar në parimin e ofrimit të të gjitha shërbimeve në të njëjtin vend dhe duke e ulur kohën e regjistrimit për kompanitë nga 46 ditë, në 24 orë, nëpërmjet procesit elektronik të regjistrimit. Edhe reforma në sektorin e mbrojtjes ka qenë e suksesshme. Falë bashkëpunimit me NATO-n dhe vendet e tij anëtare, reforma në fushën e mbrojtjes po i transformon Forcat e Armatosura në një ushtri moderne, krejtësisht profesioniste, të pajisur dhe të trajnuar mirë dhe që mund të ndërveprojnë dhe të mbështesin operacionet e udhëhequra nga NATO-ja, kudo nëpër botë. Unë shfrytëzoj këtë rast, për të theksuar se qeveria shqiptare do ta mbështesë plotësisht, në mënyrë financiare dhe në çfarëdo mënyrë tjetër, reformën në fushën e mbrojtjes. Për këtë qëllim, qeveria e ka rritur buxhetin e mbrojtjes për 2007-ën në 1.84 % të PBB-së dhe ka planifikuar që buxheti i mbrojtjes për 2008-ën të jetë në nivelin 2% të PBB-së. Buxheti i mbrojtjes do të mbetet në këto nivele deri në vitin 2020.
Zonja dhe zotërinj,
Si njohje e këtij përparimi Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit me Bashkimin Evropian, më 12 qershor 2006. Kjo ngjarje u pasua nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave në Bruksel. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, zbatimi i Marrëveshjes së Ndërmjetme ka qenë i suksesshëm në rastin e Shqipërisë. Shqipëria do ta vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe do të vazhdojë të luajë rol moderator dhe konstruktiv në rajon. Në këtë kontekst, ne mbështesim plotësisht propozimin e Presidentit Ahtisari, si zgjidhja më e mirë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të inkurajojë lidershipin e Koosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin konstruktiv me faktorin ndërkombëtar gjatë periudhës 120 ditore të negociatavve. Ne shohim me keqardhje sinjalet radikale që vijnë nga Beogradi kohët e fundit. Në qoftë se ky qëndrim jo produktiv dhe jorealist i Beogradit vazhdon dhe, nëse tryeza dështon, ne besojmë se BE dhe NATO duhet të marrin iniciativën diplomatike për implementimin e paketës Ahtisari. Kjo vjen nga bindja jonë se projekti i Presidentit Ahtisari ofron standardet më të mira të mundshme për mbrojtjen e minoriteteve dhe për të drejtat e tyre dhe, në të njëjtën kohë, respekton dëshirën dhe ëndrrën e popullit të Kosovës për pavarësi, si një kusht thelbësor për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kartën e Adriatikut në mënyrë aktive dhe ka arritur suksese të mëdha në bashkëpunimin me dy vendet e tjera të A-3-it. Ne vazhdojmë të mbështesim iniciativën e SEDM, SEEBRIG, RACVIAC, ADRION dhe SEEC-në. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë anëtarët e rinj të Partneritetit për Paqe, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, në përpjekjet e tyre për t’u integruar. Bashkëpunimi ynë i ngushtë me NATO-n do të arrijë maja më të larta gjatë ciklit të nëntë dhe unë do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të falënderuar NATO-n, vendet anëtare, përfaqësuesit e tyre dhe, në veçanti, taksapaguesit e vendeve tuaja, për mbështetjen që i keni ofruar Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Republika e Shqipërisë dënon të gjitha aktet terroriste dhe do të vazhdojë të mbështesë operacionet ndërkombëtare kundër këtij rreziku. Trupat tona do të vazhdojnë të marrin pjesë në operacionet e udhëhequra nga NATO, BE-ja dhe operacione të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë dhe ISAF-in në Afganistan dhe Iraqi Freedom. Ne kemi vendosur të çojmë një kompani tjetër në Afganistan. Kemi firmosur pjesëmarrjen në operacionin Active Endeavour, në detin Mesdhe dhe kemi shprehur vullnetin politik për të marrë pjesë në grupin e Forcave të gatshme të NATO-s.
Z. Kryetar,
Të nderuar përfaqësues të vendeve anëtare,
Tetë ciklet e Planit të Anëtarësimit kanë qenë për ne edhe sfidë edhe mësim. Me ndihmën tuaj ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm dhe mirëpresim atë që na pret. Dokumenti që do të shqyrtojmë jep një imazh pozitiv të asaj që kemi bërë dhe të mundësive tona për të vazhduar të përparojmë në periudha afatshkurtra dhe afatmesme. Megjithatë, ne e dimë shumë mirë dhe nuk hezitojmë të vëmë në dukje se ka akoma një numër mangësish që nuk janë plotësuar. Por një gjë është e sigurt: asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar më shumë se Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit të tranzicionit dhe transformimit. Demokracia jonë është e re, por funksionale, me institucione të konsoliduara dhe me një ndarje të qartë të pushteteve. Ekonomia jonë e tregut po zhvillohet me ritmet më të shpejta në rajon dhe ligji sundon kudo dhe mbi këdo. Gjatë këtyre 2 viteve të fundit Shqipëria kaloi tre provime të rëndësishme, zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, zgjedhjet vendore në shkurt të vitit 2006 dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës para dy muajsh, duke treguar në këtë mënyrë se procesi i reformës është me baza dhe i pakthyeshëm dhe se Shqipëria nuk do t’i habisë më kurrë partnerët dhe aleatët e saj. Ne besojmë se duke pranuar Shqipërinë dhe dy vendet e tjera të Kartës Adriatik 3, si anëtarë, në Samitin e Bukureshtit, Aleanca do të bëhet më e fortë dhe krahu i saj juglindor do të më i sigurt dhe më i qëndrueshëm. Në muajt që do të vijnë, Shqipëria do të vazhdojë të tregojë pjekurinë e shoqërisë së saj, aftësinë për të reformuar dhe konsoliduar më tej institucionet e saj demokratike dhe shtetin ligjor, si dhe zhvillim të mirë ekonomik. Besimi ynë i patundur në vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, si dhe aspiratat e ngahershme të kombit tonë për t’u kthyer e ribashkuar me familjen Euro-Atlantike, do të vazhdojnë të shërbejnë si shtysë që do ta ndihmojë Shqipërinë të plotësojë kërkesat dhe standardet e duhura, për të merituar ftesën për në NATO në samitin e ardhshëm të zgjerimit.
Ju faleminderit.”
Fjala e Koordinatorit Kombëtar për Integrimin e Shqipërisë në NATO

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, vetëm monitorimi i sigurt

Trazhgim Sokolaj / TIRANE

Qëndrimet që mbajnë të huajt kur flasin për procesin e afrimit të Shqipërisë me Organizatën e Atlantikut Verior, NATO, janë optimiste. Në takime a konferenca të përbashkëta me shtetarë shqiptarë përfaqësues dhe qeveritarë të shumicës së vendeve anëtare të NATO-s, kanë vlerësuar përparimin e Shqipërisë dhe kanë nxituar realizimin e reformave. Pak ditë më parë teksa ndodhej me vizitë zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në një deklaratë të Silvio Berluksonit i cili pohoi mbështetjen ndaj Shqipërisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ishte në Spanjë javën e kaluar nga ku mori konfirmimin se ky vend mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut Verior. Përfaqësuesi anglez në NATO, i cili së fundi ishte për një vizitë pune në Tiranë shprehu vlerësim për reformat e ndërmarra dhe tha se Shqipëria ka mbështetjen e Qeverisë britanike në përpjekjet për tu afruar me NATO-n. Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim por shtoi se reformat e ndërmarra do të jenë në mbikëqyrje deri në momentin e fundit kur pritet të merret një vendim në Samitin e Bukureshtit në 2008. Kryeministri i vendit Sali Berisha disa herë në deklaratat e tij e ka shpallur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si një nga prioritetet kryesore të vendit dhe qeverisjes së ekzekutivit aktual. Anëtarësimi në NATO gjendet gjithnjë e më shumë edhe në fjalimet e Presidentit të vendit Bamir Topi kur është fjala për reformën në sistemin zgjedhor apo luftën kundër informalitetit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Parlamenti i Shqipërisë ndoshta përjetoi ditën më “paqësore” të tij kur para mbylljes së sesionit 2006-2007 miratoi me konsensusin e forcave politike, krijimin e Komisionit Parlamentar për Integrimin e vendit në NATO. Afrimi dhe anëtarësimi në strukturat e BE-së dhe NATO-s ka hyrë tanimë në axhendën e krerëve të partive politike duke filluar nga më e madhja në opozitë e drejtuar nga Edi Rama dhe duke vijuar deri në subjektet e vogla politike të dy krahëve politikë.
Në të vërtetë duket se brenda vendit ka një sensibilizim të madh lidhur me rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO. Është me rëndësi të theksohet mbështetja amerikane që Shqipëria gëzon në këtë drejtim. Vendet anëtare të Organizatës dhe vetë forumet e saj duket se kanë një “dashamirësi” ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për tu anëtarësuar në NATO, për të luajtur një rol konstruktiv në rajon dhe për të marrë pjesë në fushatën ndërkombëtare kundër terrorizmit. Por ndërsa imazhi sipërfaqësor i krijuar lidhur me shanset për pranimin e vendit në NATO duket optimist, realiteti ngjan të jetë paksa i ndryshëm. Është e qartë se vendet anëtare të NATO-s dhe forumet e kësaj organizate do të bëjnë një vlerësim objektiv të gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria, reformave dhe përparimit të bërë, ashtu sikurse objektivisht dhe në dritën e diellit do të vlerësohen edhe mangësitë. Nëse ka pikëpyetje lidhur me reformat e bëra qoftë edhe nga një anëtar i vetëm i NATO-s lidhur me Shqipërinë dhe nëse ndonjë vend anëtar vendos veto, atëherë gjithçka mbetet në vend.
A ekziston rreziku që të ndodhë kjo?
Kërkesat bazë për anëtarësimin në NATO, janë: Reforma në mbrojtje, kontrolli demokratik i Forcave të Armatosura, bashkëveprimi i ushtrisë shqiptare me forcat e NATO-s, buxheti i mbrojtjes kërkohet të jetë 2 për qind e GDP-së. Më pas renditet lufta kundër krimit të organizuar, ecuria e institucioneve demokratike, zgjedhjet, mardhëniet mes partive, gjykata, qeveria, Presidenca, transparenca, shteti juridik, aftësitë e policisë, gjyqësori, siguria, çka nënkupton pozicionin e vendit në ajon, mundësia për të dhënë stabilitet.
Kultura që tregoi klasa politike në procesin e pjesshëm zgjedhor në zonën 31 në Tiranë, kriza energjetike, perceptimi për nivelin e korrupsionit, niveli i informalitetit dhe krimi i organizuar si dhe kriza energjetike dhe problemet ekonomike të vendit janë çështje që shkojnë në favor të mospranimit të Shqipërisë në NATO. Problemet e pronësisë, drejtësisë, biznesit, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit ekonomik janë sërish fusha në të cilat Shqipëria nuk vlerësohet mirë. Por nga ana tjetër, në kohën kur përcaktimi i statusit të Kosovës po afron gjithnjë e më shumë duket se roli i Shqipërisë në rajon është më i rëndësishëm se kurrë ndonjëherë. Aq i rëndësishëm saqë është e pamundur të kuptohet cili do të jetë vendimi që Organizata e Atlantikut Verior do të marrë në samitin e Bukureshtit 2008 lidhur me Shqipërinë. Deri atëherë një gjë është e sigurt: Që Shqipëria do të jetë në monitorim deri në momentin e fundit. Dhe këtë, më shumë se kushdo tjetër është e rëndësishme ta kuptojnë qeveritarët dhe shtetarët e këtij vendi që anëtarësimi i vendit në NATO të mos jetë prioritet vetëm “në letrat” e fjalimeve pompoze ku nuk ka asnjë vlerë.

Edhe Spanja mbështet Shqipërinë në NATO

Nga vizita ne Spanje

Spanja mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit të Ministrit tonë të Mbrojtjes Fatmir Mediu në Madrid në 20-21 Shtator 2007, me homologun e tij spanjoll Hoze Antonio Alonso Suarez, u shpreh gatishmëria e Mbretërisë së Spanjës për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe u vlerësuan arritjet e Forcave tona të Armatosura, si në kryerjen e reformave ashtu dhe në transformimin e tyre. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e njohu homologun e tij spanjoll Hoze Antonio Alonso Suarez me intensitetin e punës për arritjen e objektivave për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO si dhe me reformat e qeverisë dhe hapat në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është objektivi ynë kryesor kombëtar”, - u shpreh Ministri Mediu. – “Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetin e mbrojtjes brenda vitit 2008, në mënyrë që brenda vitit 2010 të kemi një forcë tërësisht profesioniste”.

Të dy ministrat diskutuan lidhur me operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare të paqes, duke u ndalur në misionet ushtarake në Afganistan e Bosnje-Hercegovinë, ku të dyja vendet janë së bashku prezente.

Nga vizita ne Spanje

Ministri spanjoll Alonso Suarez deklaroi se: “Arritjet e Shqipërisë janë të dukshme si në kryerjen e reformave ashtu dhe në transformimin e Forcave të Armatosura. Në këtë kontekst, jemi optimistë se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në vitin 2008. Nuk kam dyshim se gjërat po shkojnë gjithnjë e më mirë për Shqipërinë. Tashmë jeni në rrugë të mbarë. Kemi një rrugë të përbashkët që të ecim krah për krah në ndërtimin e Evropës. Industria ushtarake spanjolle mund të jetë një bashkëpunëtor i mirë i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në proçesin e tyre të ristrukturimit për përafrimin me standartet e NATO-s”.
Ministri Mediu u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës janë të shkëlqyera, dhe kanë njohur intensitet të madh së fundmi. “Jam i mendimit që marrëdhëniet në fushën ushtarake të marrin lidershipin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, - theksoi Mediu. – “Në emër të Qeverisë Shqiptare, dua të falenderoj qeverinë spanjolle për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO e BE, dhe veçanërisht për qëndrimin gjatë Samitit të Rigës në nëntor të vitit të kaluar. Samiti i Bukureshtit po afrohet dhe në po bëjmë të pamundurën për të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Integrimi në NATO është prioritet i qverisë shqiptare dhe mbështetet nga i gjithë spektri politik dhe qytetarët tanë”.

Nga vizita ne Spanje

Ministri i Mbrojtjes Mediu i deklaroi homologut të tij spanjoll Alonso Suarez se: ”Kemi nevojë për eksperiencën tuaj për anëtarësim në NATO. Në fushën e mbrojtjes, modernizimi i Forcave të Armatosura Shqiptare në të ardhmen shpresoj të ketë partnerë ushtarakët spanjollë. Trajnimi i oficerëve shqiptarë në institucionet spanjolle, do të krijojë një nivel të lartë bashkëpunimi”.
Dy Ministrat e Mbrojtjes u shprehën dhe për të ardhmen e Kosovës dhe zhvillimet në rajonin tonë. Ministri Mediu deklaroi se: “Shqipëria mbështet plotësisht paketën Ahtisaari për Kosovën. Ky plan mund të bëhet një marrëveshje e vërtetë e paqes dhe stabilitetit jetëgjatë në Kosovë. Por paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë shumë të çmuara për Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë të Kosovës. Në këtë kuptim, ne nuk shohim asnjë alternativë përveçse projektit Ahtisari dhe sa më shpejt të votohet ky plan, aq më mirë do të jetë.

Nga vizita ne Spanje

Ndërsa Ministri spanjoll Antonio Suarez, pasi mbështeti fjalët e homologut tw tij shqiptar, përgëzoi Shqipërinë për rolin moderues që ka luajtur dhe luan në rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu dhe qëndrimin për statusin final të Kosovës.

Photo description

Vizita e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në Madrid është në vazhdën e turit të tij në vendet anëtare të NATO-s, përpara Samitit të Bukureshtit të pranverës 2008, ku Shqipëria pritet të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Methju Kid: Shqipëria përparim me standardet e anëtarësimit në NATO


TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Përfaqësuesin e Përhershëm të Britanisë së Madhe në NATO, z. Methju Kid, i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori anglez në Tiranë, Freizer Uillson. Presidenti Topi, pasi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, kontributin dhe ndihmesën e Britanisë së Madhe në përmbushje të aspiratës së Shqipërisë në drejtim të anëtarësimit në familjen euro-atlantike, vuri në pah edhe rolin pozitiv të Shqipërisë në qetësimin e rajonit dhe sidomos në drejtim të mbështetjes së Planit Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që është pavarësia e saj. Z. Kid u shpreh mjaft i kënaqur për përparimin e dukshëm të Shqipërisë në arritjen e standardeve të anëtarësimit në NATO dhe përgëzoi Presidentin Topi për rolin e tij si katalizator në nxitje të reformave të mëtejshme si ajo zgjedhore dhe reforma në drejtësi.

NATO i kërkon Shqipërisë vazhdimin e reformave, që progresi të jetë i qëndrueshëm



Trazhgim Sokolaj/ Bruksel
Ministria e Jashtme në Tiranë lajmëroi se kreu i këtij institucioni Lulzim Basha zhvilloi një vizitë pune në selinë e NATO- s në Bruksel, gjatë së cilës zhvilloi takime me: Ndihmës Sekretarin Përgjithshëm të Aleancës Atlantike, z. Erdamann, Ambasadoren Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, znj. Victoria Nuland, Ambasadorin e Gjermanisë Ulrich Brandenburg dhe Ambasadorin e Francës Richard Duque. Këto takime u pasuan nga një darkë pune me Ambasadorë të vendeve aleate nё NATO si Hungaria, Italia, Anglia, Franca, Turqia, Bullgaria, Sllovenia, Letonia, Rumania etj.“Vizita e Ministrit z. Basha në NATO dhe takimet me Ambasadorët e vendeve anëtare u zhvillua në një moment me një rëndësi të veçantë për ecurinë e reformave të vendit tonë në prag të Samitit të Bukureshtit, si dhe për të ardhmen e rajonit tonë, në prag të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës”, thanë burimet nga Ministria e Jashtme në Tiranë. Sipas tyre, gjatë takimeve në Bruksel, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë theksoi reformat që qeveria shqiptare po ndërmerr për ta përfunduar me sukses ciklin e 9-të të MAP-it, zgjedhjen me sukses, brenda kornizës kushtetuese të Presidentit të Republikës, ngritjen e Komisionit ad-hoc në Parlament për integrimin në NATO, hapat e marra për reformën në sistemin e drejtësisë dhe nismën e fundit të Presidentit të Republikës dhe tavolinën e partive parlamentare për t’u angazhuar në këtë reforme, arritjet e fundit në luftën kundër korrupsionit si dhe fillimin nga puna të qendrës “One stop-shop” për regjistrimin e bizneseve. Sipas Ministrisë së Jashtme, bashkëbiseduesit me kryediplomatin shqiptar vlerësuan me tone pozitive hapat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare dhe theksuan domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në mënyrë që progresi i arritur të jetë i qëndrueshëm. Ministri Basha vlerësoi si një moment shumë të rëndësishëm të procesit vizitën e pritshme të Ambasadores Nuland dhe ekipit të saj në Tiranë, duke falënderuar nëpërmjet saj, palën amerikane për mbështetjen dhe ndihmën për hartimin e dokumentit për ciklin e 9-të të MAP dhe për procesin në përgjithësi të integrimit të Shqipërisë në NATO. Gjatë vizitës në Bruksel Ministri Basha mori pjesë në darkën e dhënë për nder të tij ku qenë të pranishëm 16 Ambasadore të vendeve anëtare të NATO-s.

Komisioni Europian nënshkruan marrëveshjen e lehtësimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor


Bruksel, 18 Shtator 2007 Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franco Frattini dhe Ministri i Brendshëm i Portugalisë, Ruiz Carlos Pereira nënshkruajnë nëntë marrëveshje për lehtësimin e vizave dhe për ripranimin mes Komunitetit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një ceremoni të mbajtur sot në Bruksel, me praninë e Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Franko Frattini dhe Ministrit të Brendshëm të Portugalisë, Rui Carlos Pereira nga Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian dhe me praninë e Ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë u nënshkruan marrëveshjet e ripranimit dhe të lehtësimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.Zëvendëspresidenti Frattini tha se: "Nënshkrimi i marrëveshjes është një vendim i rëndësishëm politik drejt një bashkëpunimi më të ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e një rëndësie të madhe si migrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve. Vënia në jetë e këtyre marrëveshjeve në mënyrën e duhur, së bashku me një përparim të dukshëm në fushat kryesore të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, do t’i krijojë Komisionit mundësinë për të filluar në të ardhmen një dialog të strukturuar për një regjim të lirë të mundshëm të vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor".Komisioneri për Zgjerimin, Z. Olli Rehn shtoi se: "Unë e prita mjaft mirë nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme. Ato kanë një rëndësi të veçantë për njerëzit në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmojnë në përmirësimin e kontakteve njerëzore mes qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këto marrëveshje janë një provë e mëtejshme që Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të rajonit. Tani ne presim që këto marrëveshje të vihen në jetë ashtu siç duhet, në mënyrë që t’i hapin rrugë dialogut për heqjen e vizave dhe kushteve që secili prej vendeve të rajonit duhet të plotësojë që kjo të arrihet". Pas dhënies së mandatit nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 13 Nëntor 2006, Komisioni Evropian filloi më 30 Nëntor negociatat për nëntë marrëveshje të Komunitetit me këto vende dhe ia doli mbanë të përfundonte të gjithë procesin dhe të siglonte draft marrëveshjet me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në Prill/Maj 2007. Në përgjithësi marrëveshjet kanë për qëllim që të lehtësojnë procedurat për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti për ata që udhëtojnë më shumë drejt BE-së, për të kërkuar viza të shkurtra qëndrimi në Bashkimin Evropian , ndërsa njëkohësisht nga ana tjetër përcaktojnë rregulla të qarta për të luftuar imigrimin e paligjshëm. Marrëveshjet e Lehtësimit të Vizave bëjnë të mundur uljen në një tarifë të përballueshme për vizë deri në 35 Euro në vend të 60 Eurove për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe për disa kategori të aplikuesve parashikojnë një përjashtim të plotë nga tarifa për vizë. Për më tepër, për disa kategori të caktuara qytetarësh, si për shembull, për biznesmenët, për studentët dhe për gazetarët, janë thjeshtësuar edhe dokumentet e nevojshme mbështetëse për aplikimin për vizë. Për disa kategori të qytetarëve që udhëtojnë shpesh për në BE bëhet i mundur lëshimi i vizave me shumë hyrje – dalje për periudha të gjata vlefshmërie. Dhe së fundmi, mbajtësit e pasaportave diplomatike përjashtohen nga detyrimi për të pasur vizë hyrëse në BE. Marrëveshjet e Ripranimit përcaktojnë detyrime dhe procedura të qarta për autoritetet si të vendeve të Ballkanit Perëndimor ashtu edhe të Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian kur dhe si duhet të kthejnë mbrapsht qytetarët që qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme në territoret e përcaktuara nga marrëveshjet. Nga ky këndvështrim, marrëveshjet përfshijnë jo vetëm shtetasit e të dyja palëve që qëndrojnë në mënyrë të jashtëligjshme por edhe shtetasit e vendeve të treta dhe personat pa shtetësi që ndodhen në një situatë parregullsie në rastet kur kanë një lidhje të qartë me vendin të cilit i bëhet kërkesa (p.sh. vizë ose leje qëndrimi). Me vënien në jetë të Marrëveshjeve të Ripranimit garantohet respektim i plotë i të drejtave të njeriut siç është parashikuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qytetarët e Bashkimit Evropian tashmë janë përjashtuar nga detyrimi për të pasur viza nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në pritje të opinionit të Parlamentit Evropian, përmbyllja e Marrëveshjeve të Ripranimit dhe të Lehtësimit të Vizave është parashikuar të bëhet në Nëntor të 2007. Përmbyllja e procesit të ratifikimit dhe vënia në jetë e marrëveshjeve deri më 1 Januar 2008 do të shënojë respektimin e të gjithë axhendës me afate ekstremisht të ngushta të përcaktuar nga Vendimi 2006/440 i Këshillit të BE-së dhe do ta bëjë tarifën e vizave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor 35 Euro. Vënia në jetë më efektivitet e Marrëveshjeve të Lehtësimit të Vizave dhe të Ripranimit do të bëjë të mundur një manaxhim më të mirë të fluksit të migrimit dhe do të shënojë fillimin e një dialogu të ardhëshëm të strukturuar mirë në rrugën që hapi Samiti i Selanikut drejt një regjimi pa viza edhe për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, vendet e Ballkanit Perëndimor pritet që të përshpejtojnë kryerjen e reformave të nevojshme në fushat kryesore të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, siç është forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimi i kapaciteteve administrative në kontrollin e kufinjve dhe vendosja e sigurisë në dokumentat identifikues duke futur të dhënat biometrike.
Për më tepër informacion rreth aktivitetit të Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian ju lutem vizitoni faqen e tij në web :
http://www.ec.europa.eu/commission_barroso/frattini/index_en.htm

Gordon Brown letër Berishës: Mbështesim objektivat e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO

TIRANE - Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha i ka ardhur një përshëndetje nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, z. Gordon Brown, në të cilën thuhet:
“Ju falënderoj shumë për letrën tuaj, dërguar më 4 korrik. Marrëdhëniet e ngushta që Mbretëria e Bashkuar ka me Shqipërinë janë të një rëndësie të veçantë dhe ajo që unë shpresoj është që ato të forcohen vazhdimisht. Unë vlerësoj në veçanti luftën tonë të përbashkët kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe kundër terrorizmit ndërkombëtar. Si jeni në dijeni, Mbretëria e Bashkuar është një mbështetës i fuqishëm i objektivave të Shqipërisë për integrimin në NATO. Po interesohem nga afër mbi progresin e Shqipërisë dhe shpresoj që Ju do të vazhdoni të realizoni reformat qe ju janë kërkuar me pikësynim ftesën për Shqipërinë në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën që më keni bërë për të vizituar Shqipërinë. Për momentin axhenda ime është e plotë, por unë shpresoj se do të jetë e mundur një vizitë e imja në të ardhmen.”
I juaji sinqerisht, Gordon Brown.”

Burimi: Keshilli i Ministrave

“Do të parandalojmë rastet e korrupsionit”


Nis punën Njësia Antikorrupsion, do të hetojë 50 vepra penale

Trazhgim Sokolaj

Njësia Hetimore Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit filloi dje veprimtarinë e saj në Prokurorinë e Tiranës। Struktura speciale e krijuar nën asistencën e specialistëve amerikanë dhe europianë do të ketë në përbërje të saj një staf prej 32 hetuesish oficerësh dhe prokurorësh. Task-Forca Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit përbëhet nga prokurori drejtues, Altrin Dumani, shtatë prokurorë që ndjekin hetimet, shtatë oficerë që emërohen nga Kryeprokurori Sollaku, 10 oficerë që emërohen nga policia dhe Ministria e Brendshme, 4 oficerë nga doganat, tre nga tatimet dhe dy inspektorë nga Shërbimi Informativ. Burime zyrtare të Task-Forcës, thanë se përbërja e strukturës hetimore bashkon të gjitha institucionet në përpjekjen për të parandaluar, zbuluar, hetuar dhe ndëshkuar sipas ligjit veprat penale të krimit ekonomik dhe korrupsionit. Sipas burimeve zyrtare me udhëzim të Prokurorit të Përgjithshëm janë përcaktuar rreth 50 vepra penale për të cilat Njësia Hetimore do të ketë juridiksion hetimi kryesisht ose bazuar në kallëzimet penale. “Qëllimi i të gjithë stafit është të ndryshojmë mentalitetin dhe metodologjinë e hetimit. Njësia do të veprojë duke filluar kryesisht dhe me iniciativën e saj hetimet për veprat penale në juridiksionin e përcaktuar duke mos pasur si qëllim vetën ndëshkimin e rasteve por edhe parandalimin e tyre”, pohuan burimet. Sipas tyre, Njësia do të fillojë regjistrimin e dosjeve penale në hetim duke filluar nga dita e djeshme, 10 shtator 2007.
Njësia Antikorrupsion

Është krijuar mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar mes Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Brendshëm dhe atij të financave si dhe shefit të SHISH, më 22 maj 2007. Katër krerët e institucioneve firmosën marrëveshjen për të krijuar Njësinë Hetimore Task Force Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik. Programi OPDAT i Departamentit të Drejtësisë i SHBA dhe Komisioni Europian kanë dhënë ndihmën e tyre me bazë materiale dhe me trajnimin e hetuesve dhe prokurorëve që do të bëjnë pjesë në zyrën e specializuar hetimore. Ashtu sikurse kishte porositur ish-ambasadorja amerikane në Tiranë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes katër institucioneve, përzgjedhja e emrave që do të inkuadrohen në Njësinë Hetimore po bëhet me kujdes. Ditën e djeshme, e para e punës për strukturën e re, Njësia Hetimore nuk ka qenë e kompletuar me gjithë punonjësit e saj, pasi emrat po përzgjidhen me kujdes të veçantë. Ambientet e punës së Njësisë Hetimore ndodhen në Prokurorinë e Tiranës aktualisht të kufizuara. Megjithatë burimet zyrtare thonë se së shpejti është premtuar të zgjidhet çështja e ambienteve të punës për punonjësit e Njësisë.

ZYRA HETIMORE

Stafi i Njësisë Hetimore

1 drejtues në rang zv/prokuror rrethi

7 prokurorë që ndjekin hetimet

7 Oficerë Gjyqësorë nga Prokuroria

10 Oficerë Gjyqësorë nga Ministria e Brendshme

4 oficerë nga Drejtoria e Doganave

3 oficerë nga Drejtoria e Tatimeve

2 inspektorë nga Shërbimi Informativ

Veprat penale që do të hetojë

Korrupsioni aktiv, korrupsioni pasiv

Shpërdorimi i detyrës

Vjedhja duke shpërdoruar detyrën

Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera

Pastrimi i parave

Financimi i terrorizmit

Krimet në fushën e tatimeve dhe doganave

Kontrabanda

Evazioni fiskal

Fshehja e të ardhurave

Mashtrimet

Gjithsej rreth 50 vepra penale

Shqipëri, niset me mision në Irak Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës

Më 6 shtator 2007, në Regjimentin Komando në Zall-Herr u organizua ceremonia e nisjes së Kontigjentit të 10-të Paqeruajtës me mision në Irak। Për përcjelljen e trupave paqeruajtëse erdhën Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë gjeneral brigade Anastasios Rintis, përfaqësues të pushtetit vendor, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve etj. Gjithashtu, në këtë ceremoni mori pjesë ambasadori i SHBA-së në Tiranë John L. Withers, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të DIE-së, të CUBIC dhe misioneve të tjera këshillimore ushtarake të vendeve partnere. Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës përbëhet prej 120 oficerësh, nënoficerësh dhe ushtarësh profesionistë të Regjimentit Komando. Ashtu si dhe kontigjentet e mëparshme të kësaj njësie, ai do të kryejë misionin në qytetin e Mosulit, në përbërje të një Brigade Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA dhe do të angazhohet për ruajtjen e paqes në këtë zonë të largët, në veri të Irakut.

Ceremonia nisi me paraqitjen e forcës Kryeministrit Sali Berisha nga komandanti i Regjimentit Komando, kolonel Xhemal Gjunkshi. Fjalën e rastit e mbajti komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral major Shpëtim Spahiu. “Për 5 vjet trupat e kësaj njësie me dinjitet, profesionalizëm, vendosmëri e ndërveprueshmëri kanë përfaqësuar Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura, duke rritur prezencën, por dhe aftësitë profesionale. Rritja e buxhetit të Mbrojtjes dhe modernizimi i FA-së shënon fillimin e prezencës tonë në këto operacione me pajisje, armatime e mbështetje logjistike kombëtare”, theksoi, ndër të tjera, gjeneral major Spahiu.

Më pas, të pranishmit i përshëndeti ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. “Çdo ditë që ne vijmë këtu dhe përcjellim djemtë, bijtë tanë është një ditë e veçantë, theksoi në fjalën e tij Ministri Mediu, është një ditë nderi për kombin shqiptar, është një ditë vlerësimi për punën dhe kontributin tuaj, është dita kur ne tregojmë vendosmërinë tonë për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por kudo që kërkohet. Është dita për të ripërcaktuar edhe njëherë qëndrimin tonë se ne do të jemi në krah të SHBA-së deri në përfundim të misionit në Irak, do të jemi në krah të forcave të NATO-s për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit”.

Duke iu referuar vizitës së Presidentit Bush në Tiranë para disa muajsh, Ministri Mediu tha: “Muaj më parë ne patëm një vizitë historike të Presidentit Bush. Një nga takimet e tij të para ai e pati me efektivat që kanë qenë në Irak, sepse ju keni qenë dhe mbeteni ura e lidhjes dhe e angazhimeve të përbashkëta me SHBA dhe mendoj që këtë nder dhe lavdi të cilën ju e keni shtruar me punën tuaj, me angazhimin tuaj, me përpjekjet tuaja ne duhet ta çojmë akoma më lart dhe kam bindjen që ky mision do të jetë një mision tjetër i suksesshëm”. Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Mediu garantoi paqeruajtësit, prindërit dhe familjarët e tyre se Ministria e Mbrojtjes do të jetë afër tyre në çdo moment dhe për çdo nevojë që do të kenë.

“Sot ju niseni në një mision të një rëndësie të madhe dhe shumëplanëshe. Së pari, ju shkoni të ndihmoni një popull mik për të ndërtuar lirinë pas dekadash e dekadash diktature teokratike, ju shkoni të përballeni me një rrezik të madh të lirisë jo vetëm të popullit të Irakut, por të mbarë njerëzimit, terroristëve të cilët janë faktuar armiq kryesor të paqes në këtë shekull. Ju shkoni të ndihmoni një komb i cili do të ndërtojë lirinë për të dalë nga shtypja dhjetëra vjeçare e një pakice dhe që tani nuk pranon rregullat e demokracisë, por përpiqet sërish me akte terroriste të mbajë në terror shumicën e vendit. Ju shkoni në Irak përkrah mikut, aleatit më të çmuar, më të madh të Shqipërisë: SHBA-së, do të qëndroni krah për krah me bijtë dhe bijat më të mira të këtij kombi, të cilët janë në një mision të sigurtë në Irak, në një mision i cili do të ketë dhe do të finalizohet në një Irak të lirë dhe demokratik, me një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin, që do të rrezatojë shpresë në mbarë ato vende të cilat përballen me vështirësitë e regjimeve të tyre”. Kështu i drejtua paqeruajtësve të Kontigjentit të 10-të në përshëndetjen e tij Kryeministri Sali Berisha.Më tej, duke folur për rëndësinë e këtij misioni, Kryeministri Berisha u shpreh se “Misioni juaj është një mision i madh në projektin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për integrim me vendet e zhvilluara të komunitetit euroatlantik. Është misioni i 10-të që niset për në Irak. Forca të tjera të këtij regjimenti operojnë sot në Afganistan, në Bosnjë dhe ne jemi të vendosur që të jemi të pranishëm me ju aty ku do të jetë Aleanca e Atlantikut të Veriut, aty ku do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, ju përmbushni një mision të madh kombëtar, jeni shndërruar në një faktor të fuqishëm të shtytjes përpara të procesit të integrimit të vendit tonë në NATO, si ardhmja më e sigurt e kombit shqiptar”.Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori amerikan në Tiranë John L. Withers.Në mbyllje të ceremonisë, Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi flamurin e kontigjentit major Behar Marës, i cili do të drejtojë paqeruajtësit shqiptar në këtë mision, ndërsa më pas u takua nga afër me paqeruajtësit dhe familjarët e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm NATO-s Schefer: Momente të rëndësishme në mardhëniet me Shqipërinë



Trazhgim Sokolaj
BRUKSEL - Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Atlantikut Veriot Jaap de Hoop Schefer priti në një takim Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shqipërisë pranë NATO-s, Artur Kuko i cili dorëzoi letrat kredenciale. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka vënë theksin gjatë takimit, në faktin se ky moment përbën një periudhë të rëndësishme të marrëdhënieve mes Organizatës së Atlantikut Verior dhe Shqipërisë. Burimet zyrtare diplomatike pohuan se Ambasadori shqiptar në NATO i tha zotit Schefer se Qeveria shqiptare po i kushton vëmendje maksimale objektivit të saj për të marrë ftesën e anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut Verior në Samitin e Bukureshtit 2008. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe diplomati shqiptar pranë këtij institucioni ndërkombëtar kanë diskutuar më pas lidhur me procesin e përcaktimit të Statusit të Kosovës. Schefer ka kundërshtuar zërat për ndarjen e Kosovës, duke cilësuar se një gjë e tillë do të shkaktonte pasoja të paparashikueshme për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Lugar: SHBA mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


TIRANE - Senatori amerikan Ricard Lugar, mbështet Shqipërinë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO vitin e ardhshëm, dhe bën thirrje për vijim të reformave në vend. I shoqëruar nga ish senatori amerikan Sam Nunn, senatori Lugar vizitoi Tiranën me rastin e shkatërrimit tërësor të armëve biologjike shqiptare. Në një intervitë pë r Televizionin Publik Shqiptar, Lugar u shpreh se “kam folur sot me kryeministrin, presidentin e vendit, ministrin e jashtëm dhe atë të mbrojtjes. Unë kam qenë një mbështetës i hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe ne folëm për gjërat që duhet të ndodhin. Lufta kundër korrupsionit, dhe puna e bërë në këtë fushë mundëson investimet dhe kërkon forcimin e shtetit ligjor. Pra bota shikon tani për performancë, jo vetëm Shtetet e Bashkuara por edhe vendet e tjera të BE-së”.
I pyetur nga për cështjen e Kosovës, zoti Lugar tha “Shtetet e Bashkuara mbështesin planin e Ahtisarit që bën thirrje për pavarësi për Kosovën. Ne mbështesim aspiranëtn e Kosovarëve dhe pozicionin e qeverisë shqiptare për këtë çështje-tha Lugar. Ai shprehu keqardhjen për mosarritjen e suksesit në KS apo në ndonjë forum tjetër duke shtuar se ka nevojë për diplomacisë aktive. Ne vazhdojmë bazuar në miqësinë tonë ta mbështesim Shqipërinë ”.
Shqipëria është vendi i parë në botë për pa armë kimike, të cilat nëse nuk do shkatërroheshin mund të shkatërronin shëndetin e qytetarëve. Kjo nismë e senatorëve Lugar dhe Nunn, u përshëndet në një konferencë organizuar nga ministria shqiptare e mbrojtjes.
Senatorët Lugar dhe Nun, përshëndetën qeverinë shqiptare dhe forcat e armatosura për këtë hap të rëndësishëm. “Ne i jemi mirënjohës Shqipërisë për këtë kontribut të dhënë për sigurinë globale thanë ata. Unë ju kërkoj edhe vendeve të tjera të ndjekin shembullin tuaj" tha zoti Lugar. Ai shtoi se Shqipëria ka treguar që është partnere e Perëndimit dhe ka luajtur një rol konstruktiv në zgjidhjen e konflikteve etnike në rajon. “Gazeta Start”

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania