Scheffer-Berishës: Reformat e kërkuara nga NATO të jenë të qëndrueshme


BRUKSEL

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha zhvilloi në Bruksel, një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë pohuan se gjatë këtij takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, është shprehur se muajt në vazhdim janë shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka bërë hapa të mëdha në drejtim të zbatimit të reformave, me qëllim integrimin në NATO. Sipas Qeverisë Shqiptare, Sekretari i Përgjithshëm Scheffer e përgëzoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e mirë me opozitën dhe ndërtimin e një kulture të duhur politike, kulturë kjo e domosdoshme për çdo demokraci, por veçanërisht për ato vende që inspirojnë të hyjnë në NATO. Kreu i Aleancës Scheffer u shpreh se një tregues i qartë i kësaj fryme bashkëpunimi me opozitën është dhe delegacioni, i cili shoqëron Kryeministrin në Bruksel, një delegacion multipartiak, i cili është një shembull i fuqishëm se si ka ndryshuar kultura politike në Shqipëri gjatë këtyre viteve. Sekretari i NATO-s theksoi se do të ketë një vlerësim pozitiv, në vendimin për të integruar Shqipërinë në NATO, edhe roli i Shqipërisë në stabilitetin e rajonit. “Roli i Shqipërisë ka qenë vendimtar për të ruajtur ekuilibrat në rajon, sidomos lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Shqipëria, është bërë eksportuese e stabilitetit në të gjithë rajonin”, tha Scheffer i cili më tej vlerësoi klimën shumë të mirë të bashkëpunimit që Shqipëria ka ndërtuar me vendet e tjera të rajonit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vlerësoi pozitivisht kontributin e Shqipërisë, në misionet paqeruajtëse përkrah trupave të NATO-s në Ballkan, Irak, Afganistan, si dhe së shpejti në vende të tjera, i cili sipas Scheffer është mjaft i rëndësishëm në ruajtjen e demokracisë në këto vende. Kreu i NATO-s shprehu vlerësim të veçantë për vendimin e Qeverisë me qëllim rritjen me 2 % të GDP-së për Forcat e Armatosura, për të cilin Scheffer tha se Shqipëria po jep një shembull pozitiv për vende të tjera që janë larg këtij standardi. “Tashmë, kilometri i fundit drejt marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit është afruar edhe më shumë dhe Shqipëria po ecën në rrugë të mbarë. Në këtë pikë, është e domosdoshme që zbatimi i reformave të bëhet mbi baza të qëndrueshme dhe zhvillimi i tyre të jetë i pakthyeshëm”, tha Scheffer. Ai vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkaq Kryeministri Berisha u shpreh se është vendimtare për qeverinë shqiptare që procesi i zhvillimit të reformave të jetë i pakthyeshëm. Berisha shprehu bindjen e tij të plotë se ky proces është i tillë. “Ka një klimë të re bashkëpunimi me forcat politike, në interes të kombit dhe të integrimit në NATO”, tha Berisha i cili konfirmoi se ekziston mbështetja e plotë e opozitës në zbatimin e reformave kryesore, të cilat kanë si objektiv integrimin e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit.

Takimi Rajs – Basha


Zëri i Amerikës
Uashington
29-01-2008

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, u takua sot me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Lulzim Basha. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës pas takimit se Sekretarja Rajs përshëndeti përparimin e bërë nga Shqipëria drejt plotësimit të standardeve të anëtarësimit në aleancën e NATO-s, përfshirë përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Zonja Rajs i bëri thirrje ministrit Basha të vazhdojë dialogun me vendet e tjera të NATO-s para takimit të nivelit të lartë të Bukureshtit. Sekretarja e Shtetit po ashtu shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria në rajon.

Basha në Uashington: Shqipëria - më pranë se kurrë anëtarësimit në NATO

Laura Konda
Zëri i Amerikës
29-01-2008
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, u takua sot paradite në Departamentin e Shtetit me Sekretaren Kondoliza Rajs. Takimi u përqëndrua në përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet euro-atlantike dhe tek gjendja në rajon, tani që Kosova ndodhet pranë shpalljes së pavarësisë. Ministri Basha ishte edhe në Zërin e Amerikës, ku dha një intervistë për programin "Ditari".
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju sapo keni ardhur nga një takim, që e përfunduat ndoshta më pak se një orë më pare, me Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs. Për çfarë biseduat në takim?
Lulzim Basha: Takimi me Sekretaren Rajs vjenë në një moment shumë të veçantë për Shqipërinë, disa javë para Samitit të Bukureshtin dhe në një moment kulmor përsa i përket statusit të Kosovës dhe si i tillë, ishte një moment shumë i rëndësishëm për ne, për të njohur zonjën Rajs, administratën amerikane, me përparimin e bërë nga Shqipëri në reforma të ndryshme, që nga takimi i fundit, në maj të vitit të kaluar, si dhe për të rrahur mendimet dhe për të koordinuar veprimet, si për çështjet rajonale në veçanti, statusit politik të Kosovës, qoftë përsa i përket finishit, deri në Bukuresht, në këtë samit historik, ku Shqipëria shpreson të marrë ftesën për anëtarësim. Takimi ishte jashtëzakonisht i përzemërt, mund të them se ndonëse ka një diferencë prej 6 orësh midis Tiranës dhe Washingtonit, akrepat e orave tona rrahin me të njëjtin ritëm, sinkronizimi ynë është i plotë, përsa i përket çështjeve rajonale, përsa i përket çështjes së Kosovës, por edhe përsa i përket perspektivës euroatlantike të Shqipërisë, dhe në fakt të të gjithë rajonit. Kjo sigurisht na jep një këanqësi të veçantë, është fryt i përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për t’u afirmuar dhe për të siguruar perspektivën e saj euroatlantike, dhe vjen në një moment, kur Shqipëria me krenari, tregon arritjet e saj në reforma të ndryshme, dhe në saj të bashkëpunimit dhe pjekurisë të klasës politike shqiptare, është në gjendje të demonstrojë progres të veçantë edhe në ato fusha, të cilat janë në qendër të vëmendjes së partnerëve euroatlantike, siç është reforma në drejtësi dhe reforma elektorale. Prandaj largohem nga ky takim, nga kjo vizitë me përshtypjet më të mira; mendoj se ka qenë një vizitë shumë e suksesshme, dhe mendoj se ashtu siç janë shprehur aleatët tanë në Washington, dhe në kryeqytetet evropiane, Shqipëria ndodhet më afër se kurrë marrjes së ftesës për anëtarësim në aleancën e Atlantikut të Veriut, në Samitin e Bukureshtit.
Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur vazhdimisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar Nato, dhe siç jeni shprehur edhe ju, ky anëtarësim është më tepër një gjest politik se sa ushtarak. A jeni ju i mendimit se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar në Aleancë?
Lulzim Basha: Ka një mekanizën objektiv, i cili quhet “plani i anëtarësimit”, veprimi i anëtarësimit, plan veprimi i anëtarësimit, i cili aplikohet ndaj vendeve që synojnë të marrin ftesën dhe në fakt nesër, kryeministri Berisha është nisur tashmë drejt Brukselit dhe unë do t’i bashkangjitem nesër, për të bërë prezantimin e arritjeve të Shqipërisë në ciklin e 9-të, i cili tashmë shpresojmë që të jetë edhe cikli i fundit, në të cilin shpresojmë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Ky cikël përbëhet nga dy elementë: elementi i parë përbëhet nga reformat, nga hapat që qeveria e vendit aspirant parashtron se do të ndërmarrë gjatë periudhës së ciklit dhe elementi i dytë është vlerësimi, monitorimi i ecurisë së këtyre reformave, të cilat do të jetë në formën e një progres-raporti. Takimi me zonjën Rajs, siç thashë, shërbeu siç thashë, në këtë drejtim, edhe për të ilustruar përparimin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në fusha si lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër informalitetit dhe masat e marra për gjallërimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë, të ilustruara këto nga rritja e vazhdueshme, galopante e investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe nga rritja e eksporteve, nga rritja e të ardhurave buxhetore, pavarësisht uljes së taksave në një nivel rekord më të ulët në Evropë, konsolidimi i praktikave buxhetore, të orjentuar në 5 drejtime kryesore, që janë infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, dhe pensionet, që tregojnë që Shqipëria ka sot teksturën e duhur ekonomiko-politike për të qenë një anëtar i Aleancës, një anëtar i cili i sjell vlera Aleancës, në stabilitetin e brendshëm dhe në aftësinë për të eskportuar sigurinë jo vetëm në rajon, siç bojmë sot, si pjesë e politikës sonë të jashtme, por edhe në Afganistan dhe Irak. Nga ana tjetër, angazhimet tona për këtë cickël, që përkojnë me reforma të tilla si ajo elektorale dhe refroma në drejtësi, kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë një shpirt bashkëpunimi bipartisan, i cili është qartësisht i evidentueshëm sot në Tiranë, jo vetëm për vëzhguesit e brendshëm, por edhe për vëzhguesit e jashtëm, dhe mendoj se parë në totalitet, vlerësimi për Shqipërinë do të jetë një vlerësim pozitiv. Kjo ka shumë rëndësi, pasi pavarësisht prej dëshirës dhe vullnetit të shprehur, për të konsideruar futjen e të tri vendeve në Aleancë, vlerësimi për çdo vend bëhet në mënyrë të veçantë, në bazë të përpjekjeve dhe të sukeseve që ai vend ka arritur, në reformat e parashikuara.
Zëri i Amerikës: Në kushtet kur po thuhet se zgjidhja e statusit të Kosovës, shpallja e pavarësisë është çështje ditësh, në këto momente përgatitjesh të fundit, cili është roli po luan Shqipëria?
Lulzim Basha: Edhe në këtë çështje, ashtu sikurse thashë, gjatë vizitës sime të pare në Shtetet e Bashkuara, ne kemi qenë të sinkronizuar për këtë çështje me Washingtonin. Shqipëri beson se zgjatja e procesit mbart rreziqe, se tani ka ardhur koha që procesi të finalizohet, dhe se është plotësisht e panevojshme të paguhet një kosto e përditshme, pa patur një benefit; sepse çdo ditë, apo çdo javë që kalon, me një zgjatje jo konstruktive të procesit, sjell pasoja negative, duke forcuar radikalët, dhe duke dobësuar të moderuarit, ndërkohë që një zgjidhje në bazë të Planit Ahtisaari, i cili ka dhe vazhdon të ketë një mbështetje të gjerë, jo vetëm tek aleatët tanë euroatlantikë, por edhe në Asamblenë e Përgjithshme dhe në Këshillin e Sigurimit, do t’i jepte fund këtij procesi të lodhshëm, do të hapte perspektivën jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, që t’i bashkangjietet një vizioni euroatlantik, që sot e ndjanë nga të gjitha kryeqytetet e tjera të rajonit. Pra, në këtë kuadër, Shqipëria, jo vetëm që mbështet fuqimisht vënien në zbatim të planit Ahtisaari, pa vonesë, por në koordinim të plotë me Prishtinën, Washingtonin dhe me kryqytetet e tjera evropiane, mendoj se edhe pa u formalizuar pavarësia e Kosovës, çka është me të vërtetë një çështje kohe shumë e shkurtër, Kosova ka filluar tashmë të dëshmojë atributet e një shteti, e një subjekti sovran të së drejtës ndërkombëtare, i cili ka orjentime të qarta dhe ka një vision të qartë. Çfarë dua të them me këtë? Udhëheqja kosovare në Prishtinë, presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi, në të gjitha bisedat e tyre me partnerët ndërkombëtarë, tashmë janë tërësisht të orjentuar jo vetëm tek momenti i shpalljes së pavarësisë, por edhe tek sfidat që vijnë menjëherë pas këtij momenti, në veçanti tek e ardhmja e Kosovës, sigurimi i një jete më të mirë për qytetarët, dhe sigurimi i një perspektive të sigurtë politike për Kosovën, e cila pa dyshim, do të ketë perspektiva euroatlantike.
Zëri i Amerikës: Pikërisht, le të qëndrojmë tek sfidat. Çfarë ndihme do të ofronte Shqipëria për Kosovën, në rast se ajo do të përballej me bllokadë ekonomike nga ana e Serbisë?
Lulzim Basha: Serbia nuk është në gjendje të bëjë bllokadë ndaj Kosovës, pasi Kosova rrethohet nga shumë fqinjë. Përpjekjet për të përdorur ndalimin e shkëmbimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, në radhë të parë do të dëmtonin vetë Serbinë, qytetarët dhe bizneset serbe; do të ishte një gjest që nuk do të vlerësohej pozitivisht nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që sigurisht Kosova i ka rrugët e hapura në të gjitha drejtimet e tjera, për të vazhduar funksionimin normal nëpërmjet tregëtisë, shkëmbimit dhe lëvizjes së lirë. Kështu që, në këtë kuadër, nuk parashikoj që ndonjë përpjekje për të “ndëshkuar”, nëse mund ta them kështu, zhvillimin e pandalshëm të shpalljes së pavarësisë me masa të iniciuara nga Beogradi do të ishte në radhë të parë e drejtuar ndaj publikut në Serbi, drejt opinionit publik në Serbi, sesa ndaj Kosovës. Ndikimet ndaj Kosovës do të ishin shumë të vogla. Sigurisht që ne kemi dhe do të vazhdojmë të mbajmë intensivisht kontakt me autoritetet në Prishtinë për çdo fushë ku ata do të ndjejnë nevojën e një asistence apo bashkëpunimi në rritje për një periudhë kalimtare ne do të jemi të hapur që nga energjitika, transportet e çdo fushë tjetër. Por mendoj se nuk duhet mbivlerësuar aftësia e Serbisë për të patur ndikim mbi Kosovën shpejt të pavarur, nëpërmjet masave të tilla represive. Edhe një herë them që masa të tilla do të kishin në radhë të parë një efekt demagogjik tek vetë qytetarët serbë.
Zëri i Amerikës: Kalojmë tek një çështje tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit ditët e fundit, ndoshta pikërisht ditën kur ju jeni nisur për në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar në Prokurori një raport ku vihte re se ka patur shkelje në rrugën Rrëshen-Kalimash. Tashmë ky është një institucion i specializuar. Cili do të ishte komenti juaj?
Lulzim Basha: Unë nuk jam njohur me raportin pasi kam qenë në udhëtim, siç thatë edhe ju. Sigurisht që institucionet kanë të drejtën e tyre për të vepruar në këtë drejtim dhe fjala e fundit i takon gjithmonë drejtësisë. Unë i mbetem asaj që ky është investimi jo vetëm më madhor në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por është edhe investimi më transparent që është kryer nodnjëherë, dhe këtu fus çdo lloj investimi, nga ato më të voglat, tek ato më të mëdhatë.
Zëri i Amerikës: Pak a shumë në raport flitet për shkelje në procedurat e tenderit, shkelje më vonë në procesin e ndërtimit...
Lulzim Basha: Nuk njihem me detajet e raportit, por mund t’ju them se procedurat e tenderimit të kësaj rruge janë të niveleve më të larta ndërkombëtare. Ato janë më të larta se kërkesat e atëhershme të ligjit shqiptar. Transparenca e këtyre procedurave është vërtetuar katërcipërisht dhe e pranuar si e tillë nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në procedurë. Rruga Shqipëri-Kosovë, e cila është rruga e integrimit euro-atlantik është e pandalshme. Dhe pavarësisht prej përpjekjeve të palëve që mund të kenë interes në ngadalësimin e këtij ritmi, Shqipëria do të ecë e vendosur në këtë drejtim dhe investimet në infrastrukturë dhe veçanërisht investimet në rrugën Durrës-Kukës-Morinë janë vetëm një mishërim i kësaj vendosmërie të Shqipërisë për të kapitalizuar mbi këtë moment të ëndërruar nga breza të tërë dhe për t’i hapur vendit dhe shqiptarëve kudo që janë, horizontet e një prosperiteti vetëm të ëndërruar më parë.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, çështja e vizave të Maqedonisë për shtetasit shqiptarë. A mund të thuhet se është e kaluar tashmë?
Lulzim Basha: Ne vazhdojmë diskutimet me Maqedoninë në këtë drejtim. Me Maqedoninë na bashkojnë aspirata dhe vizione të mëdha, siç është vizioni euro-atlantik. Ne gjithashtu ndajmë shumë aspekte të tjera të bashkëpunimit qoftë në punët e jashtme, qoftë në ekonomi apo në bashkëpunimin kulturor dhe arsimor dhe besoj se kemi bazë të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme, e cila ka për bazë parimet e lëvizjes së lirë midis dy vendeve tona. Kështu që pavarësisht prej vështirësive momentale, shpreh bindjen time dhe besimin tim që asnjë vështirësi e këtij lloji nuk mund të mbetet pa u tejkaluar.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju faleminderit për intervistën.
Lulzim Basha :Ju faleminderit ju.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të BE-së: Shqipëria e angazhuar në sfidat që kërkon anëtarësimi në NATO


Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvilloi një takim të veçantë kryetarin e Komitetit Ushtarak të BE-së, gjeneral Henri Bentegeat, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, shprehu falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe jep Bashkimi Evropian për Shqipërinë, për ecurinë dhe progresin e bërë në reformimin e institucioneve dhe gjithë strukturave tona shtetërore. Mediu e njohu ushtarakun e lartë të BE-së edhe me disa nga arritjet e shënuara në FA Shqiptare, si dhe me angazhimin e gjithanshëm të tyre për të plotësuar objektivat dhe standardet që kërkon anëtarësimi në NATO. Duke folur për angazhimin dhe kontributin e strukturave ushtarake të BE-së, Ministri Mediu theksoi se, pas përfundimit me sukses të misionit ALTHEA në Bosnje-Hercegovië, Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura janë të gatshme për t’u angazhuar me trupa ushtarake edhe në misione të tjera të BE-së, siç është misioni në Çad. Gjenerali Henri Bentegeat vlerësoi arritjet dhe përpjekjet që ka bërë Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura për integrimin euroatlantik. Ai vlerësoi si mjaft konstruktiv rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, si dhe angazhimin e saj për të përballuar të gjitha sfidat që kërkon anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shqipëria, theksoi ai, është pjesë e kontributit të NATO-s, por edhe të BE-së në misionet në interes të ruajtjes së paqes dhe lirisë në botë. Një vend të veçantë në takim zuri situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili konsiderohet si prioritet i parë për BE. Në këtë kontekst u diskutua edhe për çështjen e Kosovës dhe të statusit të saj. Gjenerali Bentegeat tha se BE po bën të gjitha përpjekjet që të jetë unike në mendimin për statusin e Kosovës dhe se plani Ahtisaari është zgjidhja e saj. Kryetari i Komitetit Ushtarak të BE-së gjeneral Henri Bentegeat u prit në një takim të veçantë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral lejtnant Luan Hoxha, ndërsa më pas për gjeneral Bentegeat dhe delegacionin që ai kryeson u dha një brifing për reformimin dhe transformimin e FA Shqiptare dhe integrimin e tyre në NATO.

Parlamenti i Shqipërisë miraton rezolutën për anëtarësimin në NATO


Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje në mbrëmje një rezolutë të propozuar nga Partia Socialiste lidhur me procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Dokumenti mori shumicën e votave nga partitë e gjithë spektrit politik shqiptar, ndërsa Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi gjatë seancës parlamentare më shumë angazhim nga politika dhe institucionet në hartimin e legjislacionit të ri zgjedhor dhe në fushën e reformës në drejtësi. Të dyja këto bëjnë pjesë në kërkesat imediate të artikuluara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Miratimi i rezolutës është përshëndetur nga përfaqësues të Qeverise dhe të opozitës si dhe nga vetë Presidenti i vendit Bamir Topi. Rezoluta për anëtarësimin e vendit në NATO, është argumenti i parë që shënon “paqe të nënshkruar” mes qeverisë dhe opozitës aktuale në Shqipëri. Pak kohë më parë, kryetari i Partisë më të madhe në opozitë deklaroi gatishmërinë për bashkëpunim lidhur me plotësimin e reformave të nevojshme për marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Edhe më parë, Kryetarja e Parlamentit ka përshëndetur këtë qëndrim të opozitës dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim. Shqipëria po bën përpjekje për plotësimin e kushteve të kërkuara deri në Samitin e NATO-s që pritet të mbahet në Bukuresht në muajin prill të këtij viti.

Presidenti Shqipërisë dhe Ministri i Mbrojtjes takime në Tiranë me 5 ambasadorë të vendeve anëtare të NATO-s


Trazhgim Sokolaj
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi priti sot më 17 janar 2008, në një takim pesë ambasadorë të NATO-s që ndodhen në Tiranë për një vizitë pune. Ambasadori i Britanisë së Madhe, Stjuart Eldon, Ambasadori danez Per Polsen-Hansen, Ambasadori francez Rishard Dyk, Ambasadori gjerman Ulrih Brandenburg dhe Ambasadori holandez Herman Shaper janë njohur nga Presidenti Topi me punën konkrete që po bëhet me reformat kryesore në vend, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi si dhe klimën pozitive të bashkëpunimit mes mazhorancës e opozitës për këto reforma thelbësore si një tregues i vullnetit të përbashkët për të marrë një ftesë në Samitin e Bukureshtit në muajin prill të këtij viti. Duke u ndalur në çështje të rajonit Presidenti Topi ka evidentuar rolin dhe mesazhet moderuese të Shqipërisë, që janë përcjellë nga Kryetari i Shtetit gjatë vizitave të zhvilluara në Ballkan e më gjerë, por edhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, qëndrim i koordinuar me atë të faktorit ndërkombëtar. Ambasadorët e NATO-s duke vlerësuar rolin moderues të Shqipërisë në rajon, kanë inkurajuar vazhdimin e reformave me të njëjtin ritëm si rruga e domosdoshme për të marrë rezultatin e pritshëm nga Samiti i Bukureshtit. Presidenti Topi ka vlerësuar mbështetjen konstante të vendeve të NATO-s për procesin integrues të Shqipërisë dhe i ka garantuar ambasadorët për angazhimin e plotë të vendit tonë për të përmbushur detyrimet që do mundësojnë integrimin euroatlantik.
Pas takimeve që ambasadorët e NATO-s zhvilluan në Presidencën e Shqipërisë, rreth mesditës ata janë pritur në një takim të veccantë edhe nga ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ai bisedoi me delegacionin e lartë të NATO-s që përbëhej nga pesë ambasadorët e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Danimarkë, Francë, Holandë, Britani e Madhe dhe Gjermani dhe përkatësisht: ambasadorin danez Poulsen Hansen, ambasadorin francez Richard Duque, ambasadorin holandez Herman Schaper, ambasadorin anglez Steëart Eldon dhe ambasadorin gjerman Ulrich Brandenburg. Në takim merrnin pjesë edhe ambasadorët e këtyre vendeve të akredituara në vendin tonë.

Anëtarësimi në NATO, Shqipëria pritet të raportojë në Bruksel



Trazhgim Sokolaj
BRUKSEL-Vendet aspirante për anëtarësim në NATO, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia pritet që së shpejti të raportojnë në mënyrë të detajuar para ambasadorëve të Aleancës në Bruksel. Objekt i raportimit do të jetë faza e fundit e planit të anëtarësimit të tri vendeve të kartës “Adriatik 3”. Pas këtij raportimi pritet që ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s të japin vlerësimin teknik. Vendimi politik për vendet e “A 3” pritet të merret më pas nga Ministrat e Jashtëm të vendeve që bëjnë pjesë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap De Hoop Scheffer tha para gazetarëve se “niveli i testimit për tri vendet kandidate për në NATO ka arritur në fazën më intensive të tij. Përfaqësuesit e tri vendeve kandidate do të vijnë së shpejti në Bruksel ku do tu përgjigjen pyetjeve të Ministrave të Jashtëm të Aleancës. Pas kësaj do të merret një vendim politik”, është shprehur Scheffer. Vendimi përfundimtar pritet të merret në Samitin e Bukureshtit që do të mbahet në muajin prill të këtij viti. Zyrtarët e NATO-s janë shprehur se monitorimi dhe vlerësimi lidhur me përmbushjen e kushteve nga tri vendet kandidate do të vazhdojë deri në momentin e fundit.

Shanse konsensusi politik në Tiranë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Trazhgim Sokolaj
Pas një viti të tendosur politik në komunikimin e marëdhëniet pozitë-opozitë, kur ndodhemi ende në ditët e para të vitit të ri 2008, në Tiranë u shfaqën shenjat e para të konsensusit politik lidhur me reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit në NATO. Kryetari i Partisë Socialiste, më e madhja në opozitë deklaroi publikisht se mbështet të gjitha nismat që do të ndikonin në afrimin e Shqipërisë me Aleancën e Atlantikut Verior. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste tha se Grupi Parlamentar i partisë së tij do të paraqesë në Kuvend një projektrezolutë përmes të shprehet gatishmëria për bashkëpunim në plotësimin e reformave të kërkuara për hyrjen në NATO. “Partia Socialiste e Shqipërisë, e ndërgjegjshme për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për vendin tonë, Samiti i NATO-s, që do të mbahet në prill të këtij viti, shpreh mbështetjen e saj të plotë për të gjitha masat e nevojshme dhe të domosdoshme që duhen realizuar, që në këtë samit Shqipëria të marrë ftesën historike për anëtarësim në NATO, si dhe siguron e garanton për gatishmërinë dhe vendosmërinë e saj për të kryer të gjitha detyrimet që asaj i takojnë në këtë proces”, tha Edi Rama, kryetari i partisë më të madhe të opozitës shqiptare.
Vetëm pak orë pas këtij qëndrimi të kreut të opozitës ka ardhur edhe reagimi i parë nga kampi tjetër politik. Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka përshëndetur qëndrimin e kreut të Partisë Socialiste si dhe rezolutën që pritet të paraqitet në Kuvend nga grupi parlamentar i kësaj partie. “Jam gati që nesër të mbledh Konferencën e Kryetarëve që të nisim sa më parë punën me komisionet në mënyrë për shqyrtimin e rezolutës së opozitës, që deklaratat të kthehen në veprime”, tha kryeparlamentarja Topalli. Ajo është shprehur e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme me deputetët për të miratuar çdo nismë lidhur me integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Këto duket se janë shanset e para të një konsensusi politik për reformat e nevojshme që Shqipëria duhet të përmbushë me qëllim përafrimin me NATO-n. Fjalori i përdorur nga të dy përfaqësuesit e lartë politikë ka qenë i qetë dhe me terma bashkëpunues. Komunikimi është i hapur dhe deri më tani nuk ka shkak për të paragjykuar se ky aksion i filluar nga opozita dhe i mbështetur deri më tani nga Kryetarja e Parlamentit mund të dështojë apo të transformohet. Megjithatë koha që ka mbetur është shumë pak. Samiti i NATO-s zhvillohet në muajin prill në Bukuresht. Kanë mbetur vetëm më pak se katër muaj kohë. Sfidat që duhet të kalojë Shqipëria në këtë hark kohor janë të mëdha. Bëhet fjalë për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën zgjedhore, pajisjen e shtetasve me karta identiteti, modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, stabilitetin politik dhe një sërë reformash në fusha të tjera. Megjithatë ka gjasa që nëse deklaratat e sotme të dy kampeve politike kthehen në veprime, të krijohet një atmosferë besimi për përmbushjen e reformave e cila mund të marrë vlerësim pozitiv në Bukuresht. Politika shqiptare nuk kishte asnjë pengesë që deklaratat dhe veprimet bashkëpunuese ti artikulonte që vitin e kaluar, atëherë kur realisht kishte më tepër kohë dhe shanse që ky vullnet i përbashkët politik bashkëpunimi të konkretizohej derisa në Bukuresht të mblidheshin përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania