Solana: Drejtësia dhe zgjedhjet, duhet të vazhdoni reformat me vendosmëri


Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Havier Solana.Kreu i Shtetit shqiptar mori mbështetjen e Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së për përmbushjen e aspiratës integruese të vendit tonë në familjen e madhe europiane. Në këtë takim ku u diskutuan edhe ekuilibrimi i jetës politike në vend, rëndësia e thellimit të reformave dhe përkushtimi ndaj procesit të integrimit, roli moderator i Shqipërisë në rajon, situata në Ballkan dhe çështja e Kosovës, Presidenti Topi shoqërohej nga z. Preç Zogaj, Kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe nga znj. Arta Dade, Nënkryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar. Në përfundim të takimit Presidenti Topi dhe Z. Solana dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Përfaqësuesi i Lartë i BE-s për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, z. Solana: Z. President, jeni i mirëpritur këtu dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë për t’ju takuar dhe biseduar me ju. Patëm një takim të mirë e të gjatë, ku analizuam situatën në Shqipëri, evolucionin e saj dhe rajonin në përgjithësi. Më lejoni të them vetëm disa gjëra. E para, Shqipëria është një vend i rëndësishëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor, është një vend që ka nënshkruar tashmë Marrëveshjen e Associm Stabilizimit me Bashkimin Europian, një proces që po ratifikohet nga vendet anëtare të BE-së, dhe për elementin tepër të rëndësishëm të reformave në Shqipëri. Pa kurrfarë dyshimi, nënshkrimi dhe zbatimi i kësaj Marrëveshjeje duhet të sjellë si rezultat edhe kryerjen e disa reformave të nevojshme në Shqipëri, nga pikëpamja ekonomike, gjyqësore dhe politike gjithashtu. Kohët e fundit ka pasur një farë tensioni në Parlament, por kjo i përket tashmë së shkuarës dhe nuk do të jetë pjesë e së ardhmes. Unë shpresoj shumë që me këto lëvizje në marrëdhëniet tona mes BE-së dhe Shqipërisë të gjitha këto çështje do të trajtohen, dhe jo vetëm do të trajtohen, por do të zgjidhen. Ashtu si edhe mund ta imagjinoni, ne folëm edhe për situatën në rajon, por nuk do të them shumë për këtë, sepse ju jeni vetë këtu në Bruksel dhe i dini mirë sesi po shkojnë gjërat lidhur me Kosovën, për takimin që u bë dje, për takimin që do të bëhet pas disa ditësh në Vjenë dhe për aktivitetin që po zhvillohet rreth çështjes së Kosovës në Bashkim Europian. Fola me zotin President edhe për angazhimin e tij në mënyrë konstruktive. Po i afrohemi shumë shpejt mesit të dhjetorit ku do të jetë një datë e rëndësishme dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë të bëjnë përpjekje gjatë kohës që ka mbetur për të arritur vërtet një zgjidhje që të jetë e pranueshme dhe e rënë dakord nga të gjitha palët. Trojka do të vazhdojë të ruajë të gjithë unitetin dhe vendosmërinë për të drejtuar procesin në këtë rrjedhë dhe jam i sigurt që do të gëzojmë edhe mbështetjen konstruktive të Shqipërisë si edhe të shumë vendeve të rajonit për të mundësuar një qëndrim konstruktiv që i shërben garantimit të qëndrueshmërisë në Ballkan, që është qëllimi ynë kryesor dhe i rëndësishëm tani. Edhe një herë ju faleminderit shumë! Presidenti ka ardhur me një delegacion të përbërë nga përfaqësues nga të dyja partitë kryesore në Parlament dhe e vlerësoj shumë vendimin e Presidentit për të ardhur këtu së bashku me dy anëtarët e Parlamentit shqiptar. Edhe një herë shumë faleminderit, suksese dhe ju uroj gjithë të mirat!
Presidenti Topi: Ju falenderoj shumë për këtë mundësi dhe për mikpritjen! Ne diskutuam sot për çështje mjaft të rëndësishme me Përfaqësuesin e Lartë z. Solana. Mund t’ju them që prezantuam arritje, por natyrisht ndamë së bashku dhe shqetësimin që gjërat duhet të ecin më shpejtë konkretisht, së pari në bashkëpunimin mes forcat politike në funksion të ekuilibrimit të jetës politike në Shqipëri, për reformën në drejtësi, nga vullneti politik të futemi menjëherë në implementimin për ta transformuar vullnetin politik në ligje dhe për të kthyer në mënyrë definitive shtetin e së drejtës në Shqipëri. Moment mjaft i rëndësishëm është përfundimi sa më i shpejtë i reformës elektorale, me regjistrin e votuesve dhe kartat e identitetit. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin moderator në rajonin ballkanik për një klimë sigurie në rajon dhe, sigurisht për çështjen mjaft të rëndësishme të Kosovës. Institucionet shqiptare inkurajojnë autoritetet e Kosovës që të krijojnë sa më shpejt institucionet që dolën nga zgjedhjet e përgjithshme politike dhe lokale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me vendet e Bashkimit Europian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që harmonizimi i axhendës së tyre të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm dhe unë besoj që do të shkojë në këtë linjë. Unë e falenderova z. Solana për mesazhet mjaft të qarta, shumë konkrete, që do t’u shërbejnë institucioneve të Shqipërisë, forcave politike që të kenë më pak fjalë dhe më shumë punë. Ne jemi shumë të qartë për këtë dhe kjo është një eksperiencë shumë e vyer që ne e marrim nga një personalitet kaq i shquar si z. Solana.

Top Channel: Zoti Solana, mesazhi juaj është i qartë, por cilat janë çështjet më të rëndësishme që Shqipëria duhet t’i zgjidhë në muajt e ardhshëm, sipas mendimit tuaj! Dhe pyetja për Presidentin Topi: Masat e kohëve të fundit që qeveria dhe opozita kanë ndërmarrë për reformën në drejtësi dhe pjesëmarrja juaj a janë të mirëpritura nga zoti Solana?

Z. Solana: Udhëheqësit e vendit e dinë shumë mirë se ç’duhet të bëjnë dhe MSA-ja që kemi nënshkruar me ta i përmban të gjitha elementët që duhen bërë. Më lejoni të jem tepër i qartë për këtë. Procesi i reformave duhet të vazhdojë me vendosmëri. Ne nuk mund të bëjmë gjë, por janë ata vetë që duhet t’i bëjnë. Ne do të jemi të gatshëm t’ju shoqërojmë gjatë procesit dhe zhvillimeve, gjatë zbatimit të pjesës së vështirë, të punës, e cila duhet të bëhet në Shqipëri nga vetë shqiptarët, nga shoqëria dhe udhëheqësit e vendit. Në këtë drejtim ne nuk mund të bëjmë dot asgjë, ata duhet ta bëjnë këtë gjë. Këto ia thashë edhe Presidentit Topi, sepse ne duam të kemi marrëdhënie të thella mes Shqipërisë dhe BE-së. Nëqoftëse ju doni çështje të veçanta, mendoj që Presidenti i përmendi në deklaratën e tij; duhen reforma, në gjyqësor, luftë kundër krimit të organizuar, të gjitha këto çështje që ju i dini, janë të rëndësishme. U përmend gjithashtu edhe ligji zgjedhor, për të cilin mendoj se do të jetë shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë politike të vendit. E përmenda edhe në ndërhyrjen time të parë, ato që keni përjetuar në jetën parlamentare duhet të ndryshojnë, duhet të ecin në rrugën e duhur dhe duhet të ketë kompromis.Fakti që dy anëtarë të Parlamentit po e shoqërojnë Presidentin sot këtu është shumë i rëndësishëm dhe pata mundësinë të takohesha me ta. Ashtu si e tha edhe Presidenti dhe këtu po e citoj: ‘’Fjalët janë shumë të rëndësishme, deklaratat janë shumë të rëndësishme, por veprat janë edhe më të rëndësishme’’.

Presidenti Topi: Unë shoqërohem nga znj. Dade, që është Nënkryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe përfaqësuese e Partisë Socialiste, një njeri me eksperiencë në politikë dhe ish-ministre e Jashtme, si dhe z. Preç Zogaj, Kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe përfaqësues i Partisë Demokratike, si një shenjë e qartë e domosdoshmërisë për bashkëpunim të së gjitha forcave politike në sfidat e integrimit. Të gjitha janë shumë të rëndësishme. Besoj se këto që janë në këtë moment në Parlament, reforma elektorale dhe reforma në sistemin e drejtësisë janë imediate për t’u përfunduar. Ne shpresojmë që do të ecim shumë fort në këtë drejtim.

Televizioni Satelitor Shqiptar: Pyetja e parë për z. Solana, lufta e ashpër politike ka dëmtuar sërish ecurinë e reformave në Shqipëri. Është hera e parë që ka edhe përfaqësues të opozitës me Presidentin. Cili ishte mesazhi juaj i qartë për bashkimin e energjive për reforma akoma edhe më të mëdha integruese dhe pyetja për Presidentin Topi. Kemi të dhëna nga media në Tiranë, që ju e keni dekretuar tashmë heqjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe që do ta bëni publike gjatë kthimit tuaj. A mund ta konfirmoni këtë gjë?

Z. Solana: Unë dhashë një mesazh të qartë, të cilin po jua jap edhe ju të medias. Presidenti Topi ka një të kaluar, e cila është e rëndësishme. Ai ka qenë dikur kreu i grupit parlamentar të njërës prej partive politike dhe mundi të organizonte konsensus mes dy partive dhe është e rëndësishme që të vazhdohet në këtë frymë dhe kjo gjë e rëndësishme u pranua dhe u njoh edhe nga dy anëtarë të rëndësishëm të Parlamentit dhe ky mesazh nuk është vetëm i imi, por jam i sigurt që është edhe mesazhi i Presidentit të Republikës.

Presidenti Topi: Lidhur me pyetjen tuaj për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Institucioni i Presidentit është institucion kushtetues i pavarur, ka marrë në shqyrtim raportin e Parlamentit shqiptar, është konsultuar me një grup konstitucionalistësh dhe ekspertësh të fushës, të cilët janë në përfundim të raportit të tyre. Pavarësisht nga lajmet që vijnë, ende, në këtë moment që ne po diskutojmë, nuk ka një vendim të Presidentit të Republikës

Ministri Mediu: Ambasadorët e NATO-s, mbështetje Shqipërisë për integrimin në Aleancën Veriatlantike


Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvilloi më 16 nëntor 2007 në Bruksel një takim me ambasadorët e NATO-s të akredituar në Selinë Qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s u njohën me progresin e bërë nga Shqipëria në reformat në fushën e mbrojtjes, si dhe në angazhimet madhore që ka vendi ynë për të marrë ftesën e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut në pranverën e vitit të ardhshëm. Ministri Mediu mbajti një fjalë përshëndetëse, ku ndër të tjera foli për kontributet e pranisë së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përparimet e rajonit në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin rajonal, sfidat dhe arritjet e vendeve të A3 në përgjithësi e të Shqipërisë në veçanti. Në fjalën e tij, Ministri Mediu theksoi rëndësinë e marrjes së ftesës për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit dhe sigurinë që kjo do të reflektojë në mbarë rajonin. Të gjithë ambasadorët vlerësuan arritjet e Shqipërisë në reformat e mbrojtjes dhe dhanë mbështetjen e vendeve të tyre për marrjen e ftesës për anëtarësim nga Shqipëria në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Bukuresht, në pranverën e vitit të ardhshëm. Gjatë takimit, Zëvendës Sekretari i NATO-s, Claudio Bisognero theksoi kontributin e Shqipërisë në operacionet paqeruajtëse në kuadër të NATO-s dhe kërkoi që për periudhën e mbetur deri në Samitin e Bukureshtit, të hidhen hapa konkretë nga Shqipëria në reformën zgjedhore dhe atë ligjore. Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri Mediu zhvilloi një takim të veçantë me Ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Planizimin dhe Politikën e Mbrojtjes, Jiri Sedivy. Zoti Sedivy ritheksoi vlerësimin e NATO-s për arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave të mbrojtjes. “E rëndësishme është që të ruhet dhe të çohet më tej progresi i arritur veçanërisht në fushën e mbrojtjes, si dhe të demonstrohet në muajt që vijnë që sukseset e arritura në reforma janë të pakthyeshëm”, - deklaroi zoti Sedivy. Ai vlerësoi rolin e Shqipërisë në marrëdhëniet e mira me fqinjët, e cila ka ndikuar pozitivisht në stabilitetin rajonal. Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s vlerësoi qëndrimin e Qeverisë Shqiptare për rritjen buxhetit të Mbrojtjes në masën 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe faktin që ka një plan të qartë afatgjatë për mënyrën e përdorimit në mënyrë efektive të parave të taksapaguesve shqiptarë në fushën e mbrojtjes. Ministri Mediu zhvilloi dhe një takim me Ambasadoren e SHBA-së në NATO, Victoria Nuland, të cilën e njohu me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe me angazhimet e Qeverisë Shqiptare lidhur me reformat zgjedhore, në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Kërkesat e NATO-s, Shqipëria nënshkruan marrëveshje për blerjen e anijeve luftarake


13 nëntor 2007.

Në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, u organizua një ceremoni me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe kompanisë holandeze “Damen Shipyards”. Në këtë ceremoni të rëndësishme ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zv.ministrat e Mbrojtjes Zana Xhuka dhe Petrit Karabina, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Agim Lala, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, përfaqësues të kompanisë amerikane CUBIC etj. Të pranishëm ishin gjithashtu Menaxheri i Përgjithshëm i kompanisë holandeze “Damen Shipyards”, Rene Berkvens, ambasadori i Holandës në Tiranë Van Voorst tot Voorst, si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe Menaxheri i Përgjithshëm i kompanisë “Damen Shipyards”, Rene Berkvens. Duke folur për këtë marrëveshje, Ministri Mediu theksoi se nënshkrimi i saj përbën një eveniment shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Forcat tona të Armatosura dhe qeverinë shqiptare, por për të gjithë popullin shqiptar. Ai është një projekt i gjërë që përfshinë investime të rëndësishme dhe që rrit më tej kapacitetin operacional të forcave tona detare. Realizimi me sukses i tij do të ndikojë dukshëm në forcimin e kontrollit të ujrave tona detare nëpërmjet forcimit dhe modernizmit të Rojes Bregdetare. Gjithashtu, ky projekt do të kontribuojë edhe për garantimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, në forcimin e luftës kundër trafiqeve dhe kontrabandës etj. Të gjitha këto, nënvizoi Ministri Mediu, flasin për bashkëpunimin dhe ndihmën e vyer që qeveria dhe kompanitë holandeze kanë dhënë për vendin tonë, si dhe përbëjnë për ne një hap tjetër të rëndësishëm në procesin e reformimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura dhe në arritjen e standardeve për anëtarësimin në NATO. Në bazë të kësaj marrëveshje, Ministria e Mbrojtjes do të blejë nga kompania holandeze “Damen Shipyards” 4 anije të patrullimit detar për Rojen Bregdetare Shqiptare. Vlera totale e kësaj kontrate është 31 milion euro, nga të cilat 11 milion euro do të subvencionohen në formë granti nga qeveria holandeze në kuadër të Programit ORET. Ky program ndihmon vendet në zhvillim, të cilat kanë nevojë për produkte dhe shërbime të huaja duke iu afruar kështu mundësi grantesh speciale. Anija e parë e patrullimit detar do të ndërtohet në Hollandë, ndërsa tre të tjerat do të ndërtohen në Shqipëri, në Bazën e Pashalimanit në Vlorë, e cila do të rihabilitohet në kuadrin e këtij projekti. Këto anije, përveç funksionit ushtarak, do të kryejnë edhe një serë funksionesh civle në ujrat detare shqiptare.

INTEGRIMI NË NATO, NJË NDËR PROJEKTET MË MADHORE TË SHQIPËRISË


TIRANË, 11 Nëntor 2007 - Integrimi në NATO mbetet një ndër projektet më madhore të Shqipërisë dhe qeverisjes së saj. Në këtë kuadër, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, me qëllim marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit në prill të vitit 2008.
Aktualisht vendi ynë është më afër se kurrë procesit të anëtarësimit në NATO dhe ky proces, përveç se ka mbështetjen e gjithë politikës shqiptare, gëzon mbështetjen edhe të mbi 94 % të shqiptarëve. Ministria e Mbrojtjes, pas Samitit të Rigës, me synimin për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, hartoi një platformë me 15 objektiva. Shumë prej tyre do të realizohen para Samitit të Bukureshtit, që do të mbahet në prill të vitit 2008, dhe të tjera parashikohen deri dhe matanë vitit 2010. Objektivat ambicioze, por të planifikuara, janë të mbështetura me fonde, me përgjegjësi dhe me afate të përcaktuara qartë.

ECURIA E INTEGRIMIT NË NATO DHE
PLANI AFATGJATË DERI NË VITIN 2020
Ndër objektivat më të rëndësishme të platformës është implementimi i konceptit “Joint & Jointness” jo vetëm përsa i përket strukturës së FA, por edhe përsa i përket trajnimit, doktrinës dhe operacioneve të përbashkëta, sistemeve dhe pajisjeve te ndërveprueshme, dhe atje ku është e mundur, edhe vendosjes në vendbazime të përbashkëta.
Përmbushja e Direktivës së Samitit të Rigës për të zhvilluar 8 % të sasisë së komponentit tokësor të aftë për pjesëmarrje të menjëhershme në operacione të drejtuara nga NATO dhe 40 % të komponentit tokësor deri në 2013 janë të tjera objektiva të platformës.
Plani Afatgjatë, i cili shtrihet deri në 2020, ka një vizion strategjik që mbështetet në disa prioritete; Planin Afatgjatë të Zhvillimit të FA, ku përfshihet vizioni strategjik i Ministrisë së Mbrojtjes, 2007 – 2020. Disa supozime të Planit Afatgjatë të Zhvillimit të FA-së, deri në vitin 2020, janë; mjedisi strategjik i sigurisë të mos ketë ndryshime madhore; marrja e ftesës për në NATO do të realizohet në Samitin e Bukureshtit 2008, parashikojmë dhe pranimi si anëtar me të drejta të plota do të bëhet para vitit 2010; krijimi i forcës 100% profesioniste do të bëhet sipas planit deri në fund të vitit 2010; mbështetja e Planit Afatgjatë të zhvillimit me rritje vjetore konstante të buxhetit të mbrojtjes te paktën 2% të PPB nga 2008-2020; rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) të vendit, me 5-6% për çdo vit si dhe mbajtjes nën kontroll të inflacionit në 3%; përmbushja nga ministritë dhe institucionet e tjera përkatëse te detyrimeve në kuadrin e MAP-it.
Plani Afatgjatë i Zhvillimit 2020 reflekton me koherencë angazhimet e Qeverisë në fushën e mbrojtjes dhe integrimit në NATO. Gjithashtu ai orienton zhvillim të kapaciteteve operacionale, sipas eksperiencës së vendeve të NATO-s dhe konceptit Strategjik të Aleancës. Plani Afatgjatë i zhvillimit 2020 mbështetet në dy vlerësimet e mbrojtjes të bëra gjatë vitit 2006, nga Komanda për Transformimin e NATO-s (ACT) dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA (US OSD).
Shqipëria është Anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut që nga qershori 1992, bëhet e ditur nga historiku dhe të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes, të bëra publike në faqen zyrtare të saj.
Sipas këtij historiku, Shqipëria përkrahu Iniciativën e Partneritetit për Paqe në janar 1994 dhe nënshkroi Dokumentin Kuadër më 23 shkurt 1994, duke u bërë vend anëtar i Partneritetit për Paqe. Më 22 shtator 1994, paraqiti Dokumentin e Prezantimit, në të cilën përcaktohen fushat, përmasat dhe niveli i pjesëmarrjes në bashkëpunim me NATO-n.
Dokumentet e mësipërme përbënë dhe bazën e hartimit të Programit Individual të Partneritetit për vitet 1995, 1996, 1997, Programet Individuale Speciale NATO -Shqipëri për vitet 1997-2000.
Programi i Partneritetit Individual (IPP) është zhvilluar që të përkrahë programet kryesore që burojnë nga rishikimi i mbrojtjes. Ky program përforcon vazhdimësinë e procesit të ristrukturimit, duke synuar rritjen e aftësive operacionale të FA. Prioritetet kryesore të mbrojtjes për 2002 u fokusuan në zhvillimin e një strategjie ushtarake kombëtare, të shoqëruar nga një strukturë organizimi, e orientuar në nivel të lartë profesionalisht, me një numër më të vogël të FA, adaptimin e konceptit të trajnimit të forcës, një sistem menaxhimi personeli dhe një sistem menaxhimi burimesh.
Programi i Partneritetit Individual (IPP), i vitit 2002, synoi tre çështje kryesore bashkëpunimi; të ndihmojë Shqipërinë në ristrukturimin e FA të saj, nën kontrollin demokratik të autoritetit civil, sipas planit afatgjatë të implementimit; të sigurojë përkrahjen në fusha të interesit të NATO-s dhe Shqipërisë; t’i japë më shumë përmbajtje marrëdhënieve me PfP, në një afat kohor më të gjatë.
Qëllimi kryesor për NATO-n dhe Shqipërinë në IPP 2002, ishte arritja e rezultateve konkrete, me qëllim që të demostrohen efektet pozitive të PfP.
Shqipëria ka marrë pjesë dhe në Proçesin e Planifikim - Rishikimit që nga viti 1996 e në vazhdim. Për vitin 2000, ajo pranoi 53 Objektiva Partneriteti, ndërsa në shkurt 2002 diskutoi për Paketën e Re të tyre.
Në nëntor 1999, Shqipëria paraqiti Planin e Veprimit për Antarësim, duke u bërë një nga 9 vendet aspirante për antarësim në Aleancë.
MAP (Membership Action Plan), Plani i Veprimit për Antarësim është fokusuar në përpjekjet që bën Shqipëria në rrugën e saj drejt Integrimit.
Shqipëria konsideron se anëtarësimi saj në NATO do të paraqiste në shtrirjen natyrale të Aleancës në krahun e saj Juglindor. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë është i favorshëm për implementimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s, të aprovuar në Samitin e Washingtonit.
Nëpërmjet MAP-it, Shqipëria është e angazhuar të arrijë këto objektiva; të vazhdojë të përmirësojë rendin dhe ekonominë e tregut, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të rendit dhe luftës kundër korrupsionit; të inkurajojë dhe zhvillojë respektin për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve; të forcojë institucionet demokratike dhe, si pasojë, rolin e tyre në shoqëri; të vendosë një administratë publike efektive; të forcojë kontrollin civil demokratik mbi FA; të ruajë rezultatet e arritura vitet e fundit në rritjen ekonomike dhe të vazhdojë reformat e saj ekonomike, veçanërisht në fushën e privatizimit, etj.

BASHKËPUNIMI SHQIPËRI-SHBA
Ndërkohë, në fushën e mbrojtjes, Shqipëria ka bashkëpunime dypalëshe me vende të ndryshme. Përsa i përket bashkëpunimit dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai mbështetet në Memorandumin e Mirëkuptimit për marrëdhëniet ushtarake midis Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë (tetor 1993); Memorandumin e Mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Komandës Europiane të SHBA-së për mbështetjen (LIASON TEAM) (janar 1993); Memorandumin e Marrëveshjes, lidhur me studimet hidrografike (korrik 1994); Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së SHBA për Sigurimin e Pajisjeve të Komunikimit SY-71E për vendet partnere (1998); Memorandumin e Mirëkuptimit midis Task Force dhe Drejtorisë së Aviacionit Civil mbi kontrollin e aeroportit të Rinasit (maj 1999); Marrëveshje midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA (USDAO) për punësimin e nje koordinatori për problemet e PfP-SE (qershor 2000); Marrëveshje sigurimi midis SHBA dhe Qeverisë shqiptare, në lidhje me masat e sigurimit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ushtarak; Marrëveshje midis Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë për shkatërrimin e municioneve (dhjetor 2001).
Për realizimin e bashkëpunimit, SHBA kanë ngritur disa struktura; Ekipi Amerikan i Koordinimit ne MM, që mbulon shkëmbim ekipesh për dhënie asistence teknike dhe familjarizim me përvojën e SHBA-së, asistencë për Ristrukturimin e FA, plotësim të kuadrit ligjor të FA; Zyra e Asistencës së Sigurimit, që mbulon Menaxhimin e Programit të Asistencës së Sigurimit.

SHQIPËRIA NË MISIONE PAQERUAJTËSE
Shqipëria është pjesëmarrëse me forca paqeruajtëse në Forcën e Stabilizimit (SFOR), e drejtuar nga NATO në Bosnje dhe Hercegovinë. Misioni parësor i SFOR-it është që të kontribuojë për një situatë të qetë dhe të sigurtë çka është e nevojshme për konsolidimin e paqes.
Në Shtator 1996, Shqipëria dërgoi 33 trupa për të shtuar Forcën e Aplikimit të Paqes “Peace Implementation Force” (IFOR). Këta ushtarë u dërguan nga Gjermania, ku kishin marrë pjesë në trajnime paqeruajtëse. Ata e filluan dislokimin duke u vendosur fillimisht në Kroaci, por tani janë të vendosur në Kampin Franko – Gjerman në Rajlovac.
Nga viti 2000, në Bosnje Shqipëria dërgon një personel prej 70 officerë, n/oficerë dhe ushtarë. Deri tani Shqipëria ka dërguar 15 misione ushtarake në Bosnjë.
Detyra e Paqeruajtësve shqiptarë në Afganistan është ruajtja dhe sigurimi i aeroportit te Kabulit, në kuadrin e një njësie shumëkombëshe të përbërë prej 1400 vetësh, me forca nga shtetet anëtare të NATO-s. Kontigjenti i parë ka filluar misionin në terren më datë 16.08.2002. Ishin 30 paqeruajtës shqiptarë, efektiv i Batalionit special “Komando”, trupa profesioniste dhe ndër më të përgatiturit për situata paqeruajtese, si ajo në Afganistan.
Përsa i përket forcave komando në Irak, misioni i tyre është përgatitja dhe zhvillimi i operacioneve stabilizuese dhe të sigurimit, në mbështetje të koalicionit “Liria e Irakut”. Përbërja e kontigjentit është; 9 oficerë, 17 kapterë, 3 ushtarë profesionistë, 42 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm.
Detyrat që ka kontigjenti ynë paqeruajtës në Irak janë shoqërim konvoi, pikë kontrolli (check point), patrullim në qytet, kontroll objektesh (banesash), ruajtja e qetësisë dhe e rendit publik (gaz, karburant), detyra siguruese (sigurimin e bazës, të shtabit, stacioni i trenit, etj), patrullim brenda dhe jashtë perimetrit të bazës.

KONTRIBUTI I SHQIPËRISË NË SEEBRIG
Iniciativë, që konsiston në qëllimet dhe principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB), është dhe SEEBRIG. Duke besuar se bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet vendeve të Evropës Jug – Lindore duhet të zhvillohet më tej dhe duke patur në konsideratë dedikimin e këtyre vendeve që të kontribojnë për siguri dhe stabilitet në rajon, si dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet këtyre vendeve, Ministrat e Mbrojtjes së shtatë vendeve pjesëmarrëse firmosën në Shkup më 26 shtator 1998, Marrëveshjen për një Forcë Shumëkombëshe për Paqe të Europës Jug-Lindore.
Sllovenia dhe Shtetet e Bashkuara, si vende vëzhguese, shprehën mbështetjen e tyre totale dhe dedikimin për të kontribuar në këtë iniciativë.
Gjatë takimit të pestë të SEDM-it në Selanik më 9 tetor 2000, Kroacia u pranua si vëzhguesi i tretë në Forcën Shumëkombëshe për Paqe të Europës Jug-Lindore. Pas kësaj, Ukraina u bë vëzhguesi i radhës gjatë Takimeve Ministrore në Proçesin e SEDM-it.
Në përgjigje të ofertës së forcës, dërguar NATO-s në prill 2003, një grup i NATO-s vizitoi Shtabin e SEEBRIG-ut në shtator, me qëllim caktimin e programit të vlerësimit dhe të kritereve. Në prill 2004, NATO bëri vlerësimin e Aftësisë Fillestare Operacionale. Në përfundim të këtij proçesi, SEEBRIG-u do të çertifikohej nga NATO si e aftë për pjesëmarrje në Operacione në Mbështetje të Paqes të drejtuara nga NATO ose EU.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, janë zhvilluar disa stërvitje përgjatë viteve.

Shenim i Agjencise Telegrafike Shqiptare

Qytetarët, politika shqiptare dhe iluzioni i integrimit

Trazhgim Sokolaj
Politikëbërësit shqiptarë kanë qenë optimistë gjatë muajve të fundit lidhur me përpjekjet e vendit për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në samitin e Bukureshtit në pranverë 2008. Në fakt përpjekjet dhe rëndësia e procesit të anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut Verior kishin disa muaj që ishin kthyer në pjesë të përditshme të ligjërimit politik dhe publik të politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë. Është përmendur se Shqipëria ndodhej në kilometrin e fundit të rrugës së saj drejt NATO-s. Ka pasur pretendime se pas arritjeve të vlerësuara në fushën e mbrojtjes, kryesisht me reformimin e Forcave të Armatosura dhe plotësimin e 2 për qind të GDP-së për investime në këtë fushë, anëtarësimi do të ishte më i lehtë dhe më i sigurt. Të dy krahët e politikës janë përpjekur të “rrëmbejnë” suksesin e përafrimit me NATO-n ose ti faturojnë kundërshtarit mangësitë që na shkaktojnë vështirësi në përpjekjet për anëtarësim. Së fundi morëm dy mesazhe shumë të rëndësishme lidhur me përpjekjet e vendit për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut. Ambasadorja e SHBA-ve në NATO, konfirmoi se tani, Shqipëria nuk është gati për ftesën. Po kështu raport-progresi i autoriteteve evropiane gjeti përparim në disa fusha por mangësi të dukshme dhe të theksuara sa i përket luftës efektive kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, stabilitetit dhe dialogut politik dhe reformës zgjedhore. Në fakt këto nuk janë gjëra që thuhen për herë të parë. Gjithnjë kemi pasur probleme në këto aspekte. Çfarë po ndodh? Po ndodh që politikëbërësit dhe vdimarrësit e këtij vendi jo vetëm që nuk po i kuptojnë ose nuk po duan ti kuptojnë mesazhet e Brukselit por nuk po na lejojnë edhe ne qytetarëve të kuptojmë si duhet. Sepse pas çdo raporti apo deklarate të Brukselit lidhur me Shqipërinë dhe procesin e saj të hyrjes në BE apo anëtarësimit në NATO, vendimarrësit tanë dalin në konferenca shtypi dhe na bëjnë interpretime boshe për qëllime krejt elektorale. Përfundimisht nuk kemi nevojë për këtë gjë, i ka ikur koha. Tani na duhet që të kemi vendimarrës dhe politikëbërës që i dëgjojnë mirë këshillat dhe kërkesat e Brukselit dhe që mbi të gjitha përpiqen seriozisht ti zbatojnë ato në mënyrë të efektshme gjatë mandatit të tyre qeverisës si dhe të hedhin baza për pasardhësit e tyre në vendimmarrje që procesi të mos ndalojë. Pra nesh arrijmë përparim në një fushë të caktuar, të ecim përpara aty dhe jo të ndodhë siç në fakt ka ndodhur që me rotacionet politike gjithçka është arritur shkatërrohet dhe këtu e kam fjalën për ata nëpunës të zotë që duhet të vazhdojnë të punojnë seriozisht për të kapur standardet dhe kërkesat e BE-së dhe NATO-s, pa menduar se një ditë të bukur zgjedhjesh do të mësojnë lajmin e shkarkimit nga puna. Tani nuk kemi nevojë të na mburren politikanët se 2 për qind të GDP-së po e investojnë në fushën e mbrojtjes, dhe kjo është një arritje sepse këtë kërkon NATO. Ka vende anëtare të NATO-s që nuk investojnë 2 për qind të GDP-së në fushën e mbrojtjes dhe pse përpiqen të jenë afër kësaj shifre. Kjo ndodh sepse në këto vende demokratike, qytetarët janë aktivë dhe pjesëmarrës në vendimmarrje dhe duan që veç ushtrisë së fortë e moderne të kenë edhe shkolla, spitale, librari, rrugë, kanalizime dhe infastrukturë. Në Shqipëri politikanët nuk u vendosën asnjëherë jo vetëm nën presionin e qytetarëve po as përballë tyre, për të debatuar nëse është me vend që ato pak miliona të GDP-së në masën 2 për qind ti harxhojmë për investime në fushën e mbrojtjes. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur kemi probleme me rrugët, spitalet, shkollat, kanalizimet, ujësjellësit, rrjetin e transmetimit të energjisë apo krizën energjetike. Më shumë se 92 për qind e shqiptarëve janë dakord me anëtarësimin e vendit në NATO edhe pse sondazhet tregojnë se qytetarët nuk janë të qartë me përfitimet apo detyrimet që vijnë nga anëtarësimi. Mbi të gjitha konferencat e shtypit të ministrave dhe qeveritarëve që dalin dhe “zbusin” kritikat e Brukselit për Shqipërinë përbëjnë një kohë të çmuar që nëse do të harxhohej duke punuar do të kishim bërë ca përpara në fushat ku kritikohemi më shumë, lufta kundër korrupsionit, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Komunikimi politik natyrisht që nuk zgjidhet me një ditë, ai më së shumti ka të bëjë me karakterin e gjithsecilit aktor në politikë dhe mënyrën se ai ka vendosur të ndërtojë aksionin e tij politik. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë mirënjohës ndaj atyre që nuk na lejuan të krijojmë iluzione për anëtarësimin e sigurt në NATO në Bukuresht, sepse nëse do të vazhdonim të dëgjonim politikëbërësit tanë, atëherë kur të mësonim vendimin e Samitit të ardhshëm do të pësonim një zhgënjim të madh. Deri atëherë do të ndërgjegjësohemi për problemet që kemi dhe për ato që nuk shkojnë në mënyrë që kur të mësojmë se duhet bërë akoma më shumë, së paku të mos zhgënjehemi por të fillojmë të arsyetojmë shkaqet e vendimit.

Ambasadorja e SHBA në NATO: Shqipëria nuk është gati për hyrjen në Aleancë


Politikanët dhe pushtetarët e Tiranës duket se kanë rënë “me këmbë në tokë” pas deklaratës së Ambasadores së SHBA-së në NATO. Viktoria Nuland, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Organizatën e Atlantikut të Veriut qëndroi për një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Shqipërisë. Në një konferencë shtypi përkrah Ambasadorit Amerikan në Tiranë, diplomatja nga SHBA u shpreh se “ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, varet nga arritja konkrete e reformave të nevojshme”. “Shqipëria ka shumë për të bërë derisa të marrë një ftese për anëtarësimin në NATO, në fillim të vitit 2008”, tha Viktoria Nuland. Ajo bëri thirrje që forcat politike të arrijnë rezultate konkrete në realizmin e reformës në drejtësi, në atë zgjedhore dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ne besojmë se me më shumë punë Shqipëria mund të ishte gati, por nuk është gati sot. Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme, por sa më shumë që i afrohemi Samitit të Bukureshtit, prillin e ardhshëm, lipset të garantohet shpejtësia në realizmin konkret të reformave të domosdoshme”, është shprehur ambasadorja e SHBA në NATO. Diplomatja Nuland tha se gjatë qëndrimit në Tiranë ka shprehur nevojën e forcimit të sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të reformës zgjedhore. Duke iu referuar angazhimit të Shqipërisë në kartën “Adriatik 3” bashkë me Kroacinë dhe Maqedoninë, Nuland sqaroi se vlerësimi për secilin vend do të bëhet në mënyrë të ndarë.

Raporti i Komisionit Evropian mbi Shqipërinë-kritik mbi reformat elektorale, gjyqësore dhe punën e Parlamentit


Armand Mero
06-11-2007
Raporti I komisionit europian për ecurinë e vendeve të Ballkanit perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, u prezantua sot nga komisioneri europian për zgjerimin Olli Rehn. Raporti bënë një përshkrim të hollësishëm të zhvillimeve në të gjitha fushat. Komisioneri Rehn duke njohur përparimet e bëra deklaroi se nevojitet ende shumë punë për të bërë dhe sipas shefit të departamentit për Shqipërinë në Komisionin Europian Dirk Lange i cili ishte sot në Tiranë për t’i dorëzuar autoriteteve shqiptare raportin e progresit pikat kritike kanë të bëjnë me reformat elektorale, atë në gjyqësor dhe veprimtarinë e parlamentit: "Do të përmendja në veçanti mungesën e progresit në reformën elektorale dhe atë gjyqësore. Funksionimi i gjyqësorit është i rëndësishëm për shtetin ligjor. Është kritik roli i parlamentit. Ne shikojmë se parlamenti nuk ka ecur përpara me axhendën e reformave." Sipas raportit puna e parlamentit është dominuar shpesh nga ngjarjet e politikes së ditës dhe debatet e përqendruara nga interesa të ngushta partiake kanë shtyrë vendimet e parlamentit ose këto vendime janë future me nxitim dhe pa përgatitjen e duhur. Dështimi i partive politike për të bashkëpunuar vazhdon të frenojë reformat e nevojshme për të përmbushur detyrimet e Marëveshjes së Asocim Stabilizimit. Sipas raportit reforma e duhur e kuadrit zgjedhor në një kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare kërkon pjesmarrjen konstrukltive të partive politike në komisionin e reformës elektorale ndërsa sistemi gjyqësor kritikohet për proceduar përgjithësisht të ngadalta dhe me mungesë transparence. Masat e qeverisë për të luftuar korrupsionin në gjyqësor cilësohet në raport kanë cuar në konflikte të vazhdueshme mes ekzekutivit dhe gjyqësorit e veçanërisht prokurorit të përgjithshëm. Ndonëse bëhen vlerësime për masat e marra çështja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar konsiderohen ende si mjaft serioze për Shqipërinë. Kryeministri Sali Berisha theksoi se për këto probleme priten tani e tutje zhvillime shumë të rëndësishme, duke nënkuptuar qartë se ato lidhen me ndryshimin e prokurorit të përgjithshëm: "Qeveria mbetet thellësisht e angazhuar në konsolidmin dhe thellimin e reformave. Se lufta jonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të njoh zhvillime shumë të rëndësishme të reja".Raporti vlerëson ecurinë ekonomike të vendit por shpreh shqetësimin lidhur me situatën energjetike e cila sipas zotit Lange pengon zhvillimin e shpejtë të ekonomisë.

Marrë nga VOA

Komisioneri i KE-së pas vizitës në Shqipëri: Koha të kaloni nga standardet te veprimi




“Ka ardhur koha të kalohet nga vendosja e standardeve tek zbatimi i tyre, ” tha Z. Thomas Hammerberg, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, pas vizitës së tij vlerësuese në Republikën e Shqipërisë. ”Keni shumë ligje të rëndësishme e janë aprovuar mjaft strategji, por tashmë të gjitha përpjekjet duhen përqëndruar tek zbatimi i tyre në praktikë”. Gjatë vizitës së tij zyrtare 6-ditore, të nivelit të lartë, Komisioneri u takua me Presidentin, Kryeministrin, Kryetaren e Parlamentit dhe përfaqësues të tjerë të lartë të organeve ekzekutive, gjyqësore e legjislative, për të diskutuar rrugët për rritjen e domethënies praktike të standardeve të të drejtave të njeriut në jetën e përditshme të qytetarit shqiptar. Gjatë vizitave të tij në Shkodër, Elbasan e Vlorë, Komisioneri u takua me autoritete vendimmarrëse të pushtetit lokal dhe përfaqësues të grupeve minoritare, si dhe vizitoi drejtoritë e policisë, vendet e paraburgimit, qendrat e strehimit të viktimave të trafikimit, spitalet psiqiatrike, si dhe një jetimore. “Akuzat e shpeshta në lidhje me brutalitetin e ushtruar nga policia dhe mbipopullimi i qelive të paraburgimit errësojnë zhvillimet përmirësuese të kohëve të fundit dhe duhen trajtuar me efektivitet”, vuri në dukje Komisioneri Hammarberg, duke shtuar se autoritetet politike relevante në nivelin më të lartë duhet të japin një mesazh të qartë ndëshkimi në lidhje me këto fenomene. Duke denoncuar të metat e konstatuara në sektorin e paraburgimit, Komisioneri bëri thirrje për futjen e mënyrave alternative të ndëshkimit përveç atij me burgim, si dhe të shërbimeve efikase të lirimit me kusht; e për më tepër, ngritjen e një sistemi drejtësie të veçantë e të specializuar për minorenët.
“Mbajtja e minorenëve të moshës 14-vjeçare në të njejtin vend me të burgosurit në moshë madhore është jo vetëm çnjerëzore, por edhe e kundër-efektshme”, theksoi Komisioneri. “Këta të rinj mund të jenë lehtësisht të influencueshëm nga kriminelët e burgosur bashkë me ta, e kjo gjë veçse nxit pikërisht atë çka ne po përpiqemi të luftojmë”, përfundoi ai.
Gjithashtu, duhen bërë më shumë përpjekje për integrimin me efektivitet të popullsisë rome në shoqëri dhe në jetën politike. Sigurimi i mbështetjes dhe shërbimeve për romët është përgjegjësi , në radhë të parë, e Qeverisë, përmes angazhimit edhe të ekspertizës së Organizatave jo-Qeveritare. Duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm që luan media në një shoqëri demokratike, Komisioneri nënvizoi tendencën e përgjithshme në Europë për heqjen totale të sanksioneve penale në lidhje me shpifjen në media.
“Klima e vazhdueshme e informalitetit dhe korrupsionit – qoftë ky një perceptim apo realitet – kërcënon të minojë të gjithë sistemin e drejtësisë”, përfundoi Komisioneri.
Raporti i Komisionerit do të bëjë vlerësime për fusha prioritare, si shteti ligjor, kushtet në burgje e trajtimi i të burgosurve, mos-diskriminimi, të drejtat e fëmijëve, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe gjendja në sektorin e medias, si dhe do të bëjë rekomandime praktike.

Harper: Shqipëria,e para në listën e zgjerimit të NATO

Kryeministri kanadez, Stephen Harper, tha dje gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha, se Shqipëria është vendi i parë në listë për t'u anëtarësuar në NATO. "Kryeministri Harper, pasi falënderoi dhe vlerësoi lart kontributin e Shqipërisë në NATO, dhe veçanërisht në Afganistan, nënvizoi se Kanadaja mbështet zgjerimin e NATO-s dhe se Shqipëria është në krye të listës së vendeve që kërkojnë të anëtarësohen", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Kryeministri kanadez vlerësoi programin e qeverisë shqiptare dhe arritjet e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, politikën fiskale, reformat e ndërmarra, etj. Më tej, ai u shpreh se qeverisja Berisha është një qeverisje shumë e mirë konservatore. Nga ana e tij kryeministri Berisha i bëri një paraqitje të plotë të punës së qeverisë, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve midis Kanadasë dhe Shqipërisë. Më tej, kryeministri u shpreh, se Shqipëria do të ishte e gatshme për një marrëveshje tregtare me Kanadanë në mënyrë që të nxiten më tej marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, si dhe investimet kanadeze në Shqipëri. Kryeministri Berisha e informoi z. Harper për interesin e kompanive kanadeze për të investuar në Shqipëri, si dhe për përpjekjet e qeverisë për të krijuar një klimë sa më të favorshme për investimet e huaja", thuhet më tej në njoftim. Kryeministri zhvilloi një takim edhe me presidentin e EDC-së (Agjencia për Zhvillimin e eksporteve) ku inkurajoi investitorët kanadezë për të investuar në Shqipëri. Siegel tha, se ai ishte në dijeni të progresit të reformave dhe ekonomisë shqiptare në këto 2 vite, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftën ndaj konfliktit të interesit dhe evazionit fiskal. Mesditën e djeshme kryeministri zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Parlamentit, Peter Milliken. Kreu i Parlamentit kanadez u shpreh në këtë takim, se "Ne jemi në Afganistan dhe çmojmë shumë edhe angazhimin serioz të Shqipërisë atje. Unë shpresoj që të vazhdoni në këtë rrugë me reformat dhe për këtë do të keni tërë mbështetjen tonë". Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Traktatit të Atlantikut, kryeministri Berisha u ndal edhe në çështjen e Kosovës. Berisha theksoi, se "Shqipëria u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos marrin veprime të njëanshme në shpalljen e pavarësisë, por qëndrimet e tyre t'i bashkërendojnë me qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera mike, që kanë mbështetur planin e Ahtisarit. Ne gjithashtu përshëndesim traktatin për bashkëpunim dhe pajtim me Serbinë, që udhëheqja politike e Kosovës ka paraqitur gjate bisedimeve të fundit, si një kontribut për paqen, qëndrueshmërinë dhe për të ardhmen e Ballkanit".
Marrë nga gazeta “Panorama”

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania