Solana: Drejtësia dhe zgjedhjet, duhet të vazhdoni reformat me vendosmëri


Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Havier Solana.Kreu i Shtetit shqiptar mori mbështetjen e Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së për përmbushjen e aspiratës integruese të vendit tonë në familjen e madhe europiane. Në këtë takim ku u diskutuan edhe ekuilibrimi i jetës politike në vend, rëndësia e thellimit të reformave dhe përkushtimi ndaj procesit të integrimit, roli moderator i Shqipërisë në rajon, situata në Ballkan dhe çështja e Kosovës, Presidenti Topi shoqërohej nga z. Preç Zogaj, Kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe nga znj. Arta Dade, Nënkryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar. Në përfundim të takimit Presidenti Topi dhe Z. Solana dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Përfaqësuesi i Lartë i BE-s për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, z. Solana: Z. President, jeni i mirëpritur këtu dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë për t’ju takuar dhe biseduar me ju. Patëm një takim të mirë e të gjatë, ku analizuam situatën në Shqipëri, evolucionin e saj dhe rajonin në përgjithësi. Më lejoni të them vetëm disa gjëra. E para, Shqipëria është një vend i rëndësishëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor, është një vend që ka nënshkruar tashmë Marrëveshjen e Associm Stabilizimit me Bashkimin Europian, një proces që po ratifikohet nga vendet anëtare të BE-së, dhe për elementin tepër të rëndësishëm të reformave në Shqipëri. Pa kurrfarë dyshimi, nënshkrimi dhe zbatimi i kësaj Marrëveshjeje duhet të sjellë si rezultat edhe kryerjen e disa reformave të nevojshme në Shqipëri, nga pikëpamja ekonomike, gjyqësore dhe politike gjithashtu. Kohët e fundit ka pasur një farë tensioni në Parlament, por kjo i përket tashmë së shkuarës dhe nuk do të jetë pjesë e së ardhmes. Unë shpresoj shumë që me këto lëvizje në marrëdhëniet tona mes BE-së dhe Shqipërisë të gjitha këto çështje do të trajtohen, dhe jo vetëm do të trajtohen, por do të zgjidhen. Ashtu si edhe mund ta imagjinoni, ne folëm edhe për situatën në rajon, por nuk do të them shumë për këtë, sepse ju jeni vetë këtu në Bruksel dhe i dini mirë sesi po shkojnë gjërat lidhur me Kosovën, për takimin që u bë dje, për takimin që do të bëhet pas disa ditësh në Vjenë dhe për aktivitetin që po zhvillohet rreth çështjes së Kosovës në Bashkim Europian. Fola me zotin President edhe për angazhimin e tij në mënyrë konstruktive. Po i afrohemi shumë shpejt mesit të dhjetorit ku do të jetë një datë e rëndësishme dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë të bëjnë përpjekje gjatë kohës që ka mbetur për të arritur vërtet një zgjidhje që të jetë e pranueshme dhe e rënë dakord nga të gjitha palët. Trojka do të vazhdojë të ruajë të gjithë unitetin dhe vendosmërinë për të drejtuar procesin në këtë rrjedhë dhe jam i sigurt që do të gëzojmë edhe mbështetjen konstruktive të Shqipërisë si edhe të shumë vendeve të rajonit për të mundësuar një qëndrim konstruktiv që i shërben garantimit të qëndrueshmërisë në Ballkan, që është qëllimi ynë kryesor dhe i rëndësishëm tani. Edhe një herë ju faleminderit shumë! Presidenti ka ardhur me një delegacion të përbërë nga përfaqësues nga të dyja partitë kryesore në Parlament dhe e vlerësoj shumë vendimin e Presidentit për të ardhur këtu së bashku me dy anëtarët e Parlamentit shqiptar. Edhe një herë shumë faleminderit, suksese dhe ju uroj gjithë të mirat!
Presidenti Topi: Ju falenderoj shumë për këtë mundësi dhe për mikpritjen! Ne diskutuam sot për çështje mjaft të rëndësishme me Përfaqësuesin e Lartë z. Solana. Mund t’ju them që prezantuam arritje, por natyrisht ndamë së bashku dhe shqetësimin që gjërat duhet të ecin më shpejtë konkretisht, së pari në bashkëpunimin mes forcat politike në funksion të ekuilibrimit të jetës politike në Shqipëri, për reformën në drejtësi, nga vullneti politik të futemi menjëherë në implementimin për ta transformuar vullnetin politik në ligje dhe për të kthyer në mënyrë definitive shtetin e së drejtës në Shqipëri. Moment mjaft i rëndësishëm është përfundimi sa më i shpejtë i reformës elektorale, me regjistrin e votuesve dhe kartat e identitetit. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin moderator në rajonin ballkanik për një klimë sigurie në rajon dhe, sigurisht për çështjen mjaft të rëndësishme të Kosovës. Institucionet shqiptare inkurajojnë autoritetet e Kosovës që të krijojnë sa më shpejt institucionet që dolën nga zgjedhjet e përgjithshme politike dhe lokale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me vendet e Bashkimit Europian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që harmonizimi i axhendës së tyre të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm dhe unë besoj që do të shkojë në këtë linjë. Unë e falenderova z. Solana për mesazhet mjaft të qarta, shumë konkrete, që do t’u shërbejnë institucioneve të Shqipërisë, forcave politike që të kenë më pak fjalë dhe më shumë punë. Ne jemi shumë të qartë për këtë dhe kjo është një eksperiencë shumë e vyer që ne e marrim nga një personalitet kaq i shquar si z. Solana.

Top Channel: Zoti Solana, mesazhi juaj është i qartë, por cilat janë çështjet më të rëndësishme që Shqipëria duhet t’i zgjidhë në muajt e ardhshëm, sipas mendimit tuaj! Dhe pyetja për Presidentin Topi: Masat e kohëve të fundit që qeveria dhe opozita kanë ndërmarrë për reformën në drejtësi dhe pjesëmarrja juaj a janë të mirëpritura nga zoti Solana?

Z. Solana: Udhëheqësit e vendit e dinë shumë mirë se ç’duhet të bëjnë dhe MSA-ja që kemi nënshkruar me ta i përmban të gjitha elementët që duhen bërë. Më lejoni të jem tepër i qartë për këtë. Procesi i reformave duhet të vazhdojë me vendosmëri. Ne nuk mund të bëjmë gjë, por janë ata vetë që duhet t’i bëjnë. Ne do të jemi të gatshëm t’ju shoqërojmë gjatë procesit dhe zhvillimeve, gjatë zbatimit të pjesës së vështirë, të punës, e cila duhet të bëhet në Shqipëri nga vetë shqiptarët, nga shoqëria dhe udhëheqësit e vendit. Në këtë drejtim ne nuk mund të bëjmë dot asgjë, ata duhet ta bëjnë këtë gjë. Këto ia thashë edhe Presidentit Topi, sepse ne duam të kemi marrëdhënie të thella mes Shqipërisë dhe BE-së. Nëqoftëse ju doni çështje të veçanta, mendoj që Presidenti i përmendi në deklaratën e tij; duhen reforma, në gjyqësor, luftë kundër krimit të organizuar, të gjitha këto çështje që ju i dini, janë të rëndësishme. U përmend gjithashtu edhe ligji zgjedhor, për të cilin mendoj se do të jetë shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë politike të vendit. E përmenda edhe në ndërhyrjen time të parë, ato që keni përjetuar në jetën parlamentare duhet të ndryshojnë, duhet të ecin në rrugën e duhur dhe duhet të ketë kompromis.Fakti që dy anëtarë të Parlamentit po e shoqërojnë Presidentin sot këtu është shumë i rëndësishëm dhe pata mundësinë të takohesha me ta. Ashtu si e tha edhe Presidenti dhe këtu po e citoj: ‘’Fjalët janë shumë të rëndësishme, deklaratat janë shumë të rëndësishme, por veprat janë edhe më të rëndësishme’’.

Presidenti Topi: Unë shoqërohem nga znj. Dade, që është Nënkryetare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe përfaqësuese e Partisë Socialiste, një njeri me eksperiencë në politikë dhe ish-ministre e Jashtme, si dhe z. Preç Zogaj, Kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe përfaqësues i Partisë Demokratike, si një shenjë e qartë e domosdoshmërisë për bashkëpunim të së gjitha forcave politike në sfidat e integrimit. Të gjitha janë shumë të rëndësishme. Besoj se këto që janë në këtë moment në Parlament, reforma elektorale dhe reforma në sistemin e drejtësisë janë imediate për t’u përfunduar. Ne shpresojmë që do të ecim shumë fort në këtë drejtim.

Televizioni Satelitor Shqiptar: Pyetja e parë për z. Solana, lufta e ashpër politike ka dëmtuar sërish ecurinë e reformave në Shqipëri. Është hera e parë që ka edhe përfaqësues të opozitës me Presidentin. Cili ishte mesazhi juaj i qartë për bashkimin e energjive për reforma akoma edhe më të mëdha integruese dhe pyetja për Presidentin Topi. Kemi të dhëna nga media në Tiranë, që ju e keni dekretuar tashmë heqjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe që do ta bëni publike gjatë kthimit tuaj. A mund ta konfirmoni këtë gjë?

Z. Solana: Unë dhashë një mesazh të qartë, të cilin po jua jap edhe ju të medias. Presidenti Topi ka një të kaluar, e cila është e rëndësishme. Ai ka qenë dikur kreu i grupit parlamentar të njërës prej partive politike dhe mundi të organizonte konsensus mes dy partive dhe është e rëndësishme që të vazhdohet në këtë frymë dhe kjo gjë e rëndësishme u pranua dhe u njoh edhe nga dy anëtarë të rëndësishëm të Parlamentit dhe ky mesazh nuk është vetëm i imi, por jam i sigurt që është edhe mesazhi i Presidentit të Republikës.

Presidenti Topi: Lidhur me pyetjen tuaj për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Institucioni i Presidentit është institucion kushtetues i pavarur, ka marrë në shqyrtim raportin e Parlamentit shqiptar, është konsultuar me një grup konstitucionalistësh dhe ekspertësh të fushës, të cilët janë në përfundim të raportit të tyre. Pavarësisht nga lajmet që vijnë, ende, në këtë moment që ne po diskutojmë, nuk ka një vendim të Presidentit të Republikës

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania