Vizita e Topallit, Kanadaja konfirmon votën pro për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Kryetari i Senatit kanadez: “Jemi shumë të impresionuar me pasurimin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe ky është atribut i Kryetares së Kuvendit dhe i parlamentit tuaj.” Fillim të një epoke të re në marrëdhëniet dypalëshe, u konsiderua vizita e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në Kanada nga autoritet më të larta të shtetit të dytë më të madh në botë. Vizita e zonjës Topalli dhe e delegacionit parlamentar shqiptar, ndër të parat vizita zyrtare të këtij niveli në Kanada u realizua me ftesë të Kryetarit të Dhomës kanadeze të Përfaqësuesve, Peter Milliken. Me një axhendë mjaft të ngjeshur me takime me përfaqësuesit e lartë të shtetit kanadez, kjo vizitë merr një rëndësi të veçantë në prag të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për antarësim në NATO dhe përpara zgjidhjes së statusit të Kosovës. Këto ishin edhe dy çështjet kryesore të diskutuara në takimet që Kryetarja e Kuvendit zhvilloi në ditën e parë të vizitës së saj. Në takimin mjaft miqësor me Kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noël Kinsella, Kryetarja Topalli i shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë edhe përmes projekteve të saj. Pasi e njohu zotin Kinsella me reformat, rezultatet dhe sfidat në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë, zonja Topalli tha se Shqipëria ka si prioritete të saj antarësimin në BE dhe NATO. Nga ana e tij, zoti Kinsella theksoi se Shqipëria ka bërë një progres impresionues në forcimin e demokracisë dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij në proceset integruese të vendit tonë. Çështja e Kosovës ishte një tjetër pikë e diskutimit në takim. Zonja Topalli theksoi qëndrimin e Shqipërisë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje për paqen e qëndrueshme në rajon e më gjerë. Zoti Kinsella tha se Kanadaja mbështet propozimet e Paketës Ahtisari dhe se në Kosovë mund të funksionojë shteti multietnik. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rolin e diplomacisë parlamentare dhe se vizita të tilla duhet të nxisin bashkëpunimin mes parlamenteve, por edhe shkëmbimin e vizitave të grupeve të të rinjve dhe të studentëve. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë e ftoi zotin Kinsella për një vizitë në Shqipëri, në vendin e paeksploruar, siç u shpreh ajo, që po thith gjithnjë e më shumë turistë dhe investitorë të huaj.
Në fund të takimit zonja Topalli dhe zoti Kinsella dhanë një intervistë për mediat shqiptare:
Pyetje: Zoti Kinsella, cila është pikëpamja juaj mbi zhvillimin e Shqipërisë? Zoti Kinsella: Unë dhe shumë kolegë të mi jemi shumë të impresionuar me pasurimin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe ky është atribut i Kryetares së Kuvendit dhe i Parlamentit tuaj. Ne ndamë mendimin se shoqëria civile në Kanada dhe Shqipëri është shumë e rëndësishme në lidhjen mes dy vendeve. Na vjen mirë që Kryetarja e Kuvendit do të jetë këtu e do të marrë pjesë në çeljen e sesionit të ri parlamentar.
Pyetje: Si e shihni antarësimin e Shqipërisë në NATO, në një kohë kur shqiptarët shpresojnë në marrjen e ftesës në Samitin e ardhshëm? Zoti Kinsella: Së pari, jemi të kënaqur që vitin e shkuar anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë, që janë pjesë e organizatës parlamentare të NATO-s, erdhën në Kanada në takimin e përgjithshëm dhe luajtën një rol aktiv dhe nënvizuan rëndësinë e anëtarësimit të vendit tuaj. Kanadaja ka qenë një mbështetëse entuziaste e integrimit tuaj të plotë në NATO dhe ne si parlamentarë në çdo rast do të theksojmë gjithmonë rëndësinë e këtij anëtarësimi. Ne jemi partnertë të mirë në këtë proces dhe e dimë që është një prioritet për Qeverinë, mbështetur edhe nga Parlamenti
Pyetje: Cili është vizioni juaj për çështjen e Kosovës? Zoti Kinsella: Është një sfidë dhe çështje e vështirë. Në fund të pranverës hymë në një proces të ri dhe ne vazhdojmë të inkurajojmë negociatat dhe bisedimet. Në fund të fundit janë njerëzit e atij komuniteti që do të vendosin dhe fqinjët duhet të luajnë një rol të madh në lehtësimin e arritjes së një rezolute.
Pyetje: Si e shihni Paketën Ahtisari? Zoti Kinsella: Kanadaja është e kënaqur me Paketën Ahtisari dhe mbështet propozimet dhe rekomandimet e bëra në këtë dokument. Në fakt, është më mirë të flasësh si historian dhe jo si profet, por unë do të riskoja këtë shprehje, jo duke folur si profet, por kam shpresë që në fund Kosova do ta gjejë rrugën në një unitet kombëtar dhe të luajë atë rol që ajo pjesë e botës ka luajtur në histori.
Pyetje: Zonja Topalli, si e vlerësoni këtë vizitë tuajën në Kanada?
Zonja Topalli: Është një ndër vizitat më të rëndësishme që unë kam bërë gjatë karrierës si Kryetare e Kuvendit. Kjo, jo se nuk ka pasur të tjera takime, por nuk ka pasur vizita zyrtare me takime të një niveli kaq të lartë, në një moment vendimtar siç është ai i marrjes së mbështetjes për ftesën për anëtarësim në NATO dhe, në të njëjtën kohë, për mbështetjen për statusit final të Kosovës, pavarësinë. Edhe në takimin që kam pasur me Ministrin e Jashtëm edhe në takimin me Kryetarin e Senatit kam gjetur mbështetje maksimale për këto dy pika kryesore që janë sfida të kohës për Shqipërinë dhe rajonin dhe unë i jam shumë mirënjohëse, jo vetëm për mbështetjen që kanë dhënë në procesin e antarësimit në NATO, por edhe në perspektivën për t’i bërë më dinamike, më reale dhe më konkrete marrëdhëniet tona, duke shpresuar që kjo vizitë, e para zyrtare, do të pasohet me të tjera vizita shumë të rëndësishme, që do të bëjnë të mundur jo vetëm shkëmbimin e vizitave të grupeve të studentëve, por edhe mbërritjen e investimeve të kompanive më serioze të Kanadasë në Shqipëri. Besoj se është një ndër vizitat më të suksesshme dhe me programin më të veçantë e të ngjeshur që kam realizuar.Në takimin me Ministrin e Jashtëm, Maxime Bernier, Kryetarja e Kuvendit mori garancinë se në politikën e saj të jashtme Kanadaja është partnere dhe mbështetëse në antarësimin e vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut.Kryetarja Topalli e njohu shkurtimisht ministrin Bernier me prioritetet e shtetit shqiptar duke u fokusuar në prioritetet e politikës sonë të jashtme. Ajo nënvizoi rezultatet e arritura në sajë të reformave të guximshme në luftëm kundër krimit, kundër informalitetit dhe në fushën ekonomike.

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania