FJALA E PRESIDENTIT TOPI në Institutin Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, EGMONT


Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jam shumë i nderuar që ndodhem sot në foltoren e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve më Jashtë, EGMONT sepse e konsideroj këtë vend si një tribunë të demokracisë, të fjalës së lirë, si një hapësirë nga ku lindin, shkëmbehen dhe shpërndahen ide, mendime, opinione për çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e shteteve, kombeve dhe njerëzimit.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj!
Zonja dhe zotërinj,
Jam sot në Bruksel, me cilësinë e Presidentit të Shqipërisë, në viziten time të parë jashtë vendit tim, për të sjellë në këtë kryeqytet të Evropës përgjegjësinë, mesazhin, vullnetin e sinqertë dhe aspiratën historike të popullit tim për t’u bërë pjesë e pandarë e familjes euroatlantike, si dhe një pasqyrë të kontributit tonë modest në përballjen e sfidave globale të politikës së sotme ndërkombëtare.
Këtë përgjegjësi, të nderuar pjesëmarrës, do ta ndaj së pari nesër me përfaqësuesin më të lartë të NATO-s, Sekretarin e Përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer dhe të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe, javën që vjen, me Presidentin e Komisionit Evropian, Manuel Barroso, me Komisionerin për Zgjerimin, Olli Rehn dhe në pritje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, të cilët kanë qenë jo vetëm nxitësit, por edhe këshilltarët më të mirë dhe të sinqertë të Shqipërisë në sfidën e saj historike integruese. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë publikisht!
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian (BE) mbeten dy përparësitë kombëtare për popullin shqiptar.
Shqipëria po përjeton sot një nga transformimet më të mëdha në historinë e saj.
Ky vend, i cili feston këtë vit 95- vjetorin e krijimit të shtetit të pavarur, ka kaluar më shumë se gjysmën e moshës së tij nën diktaturën më të ashpër të kohëve moderne, ku NATO ishte armiku i betuar, ku demokracia, liria e individit dhe e fjalës ishin të dhunuara, ku bota perëndimore ishte shumë e largët në horizont, ku izolimi kishte mbuluar çdo rreze drite, por shpresa për një të ardhme më të mirë qëndronte e fshehur në shpirtin shqiptar.
Rrëzimi i Murit të Berlinit, përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe ndryshimet demokratike që pësoi Shqipëria i dhanë asaj rilindjen e shpresës së fshehur historike, evropiane. Shqipëria ishte vendi i parё, nga ato tё ish bllokut komunist, qё nënshkroi Dokumentin Themelor të PfP, mё 23 shkurt 1994 dhe qё kёrkoi zyrtarisht anëtarёsimin nё NATO.
Sot 94% e shqiptarëve mbështesin integrimin euroatlantik të vendit të tyre. Kjo është prova e pakundërshtueshme që integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbeten përparësi kombëtare të të gjitha forcave politike dhe qeverive shqiptare.
Vij këtu sot, të dashur miq, si Presidenti i Shqipërisë i zgjedhur në linjë kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky veprim tregoi maturinë e klasës politike parlamentare e cila, jo vetëm e ktheu procesin e vështirë të zgjedhjes së Presidentit në rrugën e vet kushtetuese dhe ndaloi një nga krizat më të thella politike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë që mund të kalonte ky vend pas asaj të vitit 1997, por e zgjidhi këtë situatë pa nevojën e ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Në fjalën time të betimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 20 korrik 2007, unë premtova se do të jem një President mbi palët dhe mes palëve gjatë ushtrimit të misionit tim, konform Kushtetutës së Shqipërisë.
Gjykoj sot se debati politik në Shqipëri është në nivelin e një debati pluralist në Kuvendin e Shqipërisë, në media dhe në publik, në funksion të shprehjes së ideve dhe alternativave mbi çështje dhe probleme, të brendshme apo të jashtme, të cilat shqetësojnë shoqërinë shqiptare në funksion të programeve politike të secilës parti.
Që në fillim, në takimet e organizuara me kryetarët e partive parlamentare gjeta dëshirën dhe vullnetin për të përshpejtuar reformën në sistemin e drejtësisë, reformën zgjedhore, për të nxitur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si rruga e vetme për vendosjen e një demokracie të shëndoshë e funksionale dhe forcimin e shtetit ligjor.
Në tryezën e partive politike parlamentare mbi reformën në sitemin e drejtësisë të organizuar nga Presidenti i Republikës, më 17 shtator 2007, u nënvizua domosdoshmëria e krijimit të një drejtësie të pavaruar dhe larg influencave e mbështetjeve politike dhe u vendos njëzëri krijimi i një komisioni të posaçëm parlamentar i mbështetur nga një komision tjetër me ekspertë të fushës, vendas dhe të huaj. Përshëndes sot, mbledhjen disa ditë më parë, të komisionit parlamentar dhe përgjegjësinë, me të cilën u diskutua në të!
I përgjegjshëm se kjo klimë pozitive politike dhe debati midis pozitës dhe opozitës ka nevojë për frymëmarrje dhe mirëkuptim social e kam shtrirë këtë debat të rëndësishëm, jo vetëm në nivelin e pushtetit lokal, por edhe në Organizatat Jofitimprurëse (OJF) dhe mediat ku kam gjetur mbështetje, përgjegjësi dhe angazhim.
Kam bindjen se edhe komisioni bipartizan parlamentar i 31 majit 2007, për plotësimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve mbi reformimin e sistemit zgjedhor në një proces konform normave të një shteti demokratik, krahas të tjerave, tregon një përgjëgjesi, vullnet dhe emancipim të përbashkët (pozitë-opozitë) politik në Shqipëri.
Ecuria e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike me konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike dhe të mbarë shoqërisë shqiptare është kthyer në një projekt madhor, gjithëpërfshirës, me rëndësi strategjike për kombin dhe shtetin shqiptar, një aspiratë që tejkalon çdo barrierë ideologjike apo çdo interes individual të formacioneve të ndryshme politike. Unë shpreh bindjen se qeveria dhe opozita janë të sinqerta dhe të gatshme të bashkëpunojnë, në mënyrë konstruktive, për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.
Në një vlerësim sintetik, ekonomia e Shqipërisë, megjithëse është duke e përballuar pasojat e krizës energjetike, karakterizohet nga një situatë e qëndrueshme makroekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) ka pësuar rritje vjetore 6%, me një inflacion të kontrolluar në kuotën 2,4 % dhe me një deficit të brendshëm buxhetor prej 2.6%. Eksportet shqiptare janë rritur në 28% gjatë vitit 2007. Investimet e huaja direkte (FDI) janë tre herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditimi i bankave në ekonomi është rritur në rreth 30% të GDP nga 70% shkojnë drejt kreditimit të biznesit privat. Shqipëria po vendoset në fokus të interesit të investitorëve të fuqishëm të huaj duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si ato të energjisë, minierave, bankave tregëtare, turizmit dhe infrastrukturës. Reforma fiskale e këtij viti, me taksën e sheshtë prej 10% më të ulët nga të gjitha vendet e Evropës, si dhe krijimi i agjensisë së regjistrimit të bisnesit vendas në sistemin One-stop-shop gjykoj që krijojnë terren për tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbështetje për bizneset vendas. Kjo klimë pozitive dha një sezon të suksesshëm turistik për Shqipërinë, me një rritje të numrit të turistëve në 70%, në krahasim me vitin e kaluar.
Vlerësimi i progresit në fushat e mësipërme, si dhe synimi për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, i hapën rrugën nënshkrimit, vitin e kaluar, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, si dhe, pak kohë më parë, të Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave me BE-në. Nënshkrimi i MSA-së është një nga arritjet më të rëndësishme për progresin dhe afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria ka siguruar një dokument substancial ku do të mbështetet në të ardhmen e afërt për të kryer reformat komplekse, që do e afrojnë jo vetëm me BE-në, por njëkohësisht dhe më shpejt me NATO–n.
Reforma në Forcat e Armatosura
Qëllimi ynë është krijimi i një force të armatosur nëpërmjet identifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të specializuara (Niche capabilities), për t’u përshtatur me nevojën e NATO-s për forca të specializuara.

Ndihem krenar teksa deklaroj se Shqipëria, në sajë të programit Nun-Lugar, ka eliminuar me sukses të gjitha armët kimike, duke u bërë vendi i parë në botë pa materiale dhe arme kimike. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Zvicrës, të cilat kanë dhënë një mbështetje teknike dhe financiare të çmueshme për të kryer këtë objektiv mjaft të rëndësishëm.
Kujdes i veçantë i është kushtuar aftësive të ardhshme operacionale (veprimeve strategjike) sipas rekomandimeve që dolën nga Samiti i Rigës.
Më duhet të nënvizoj që, së fundi u miratua buxheti i mbrojtjes prej 2% të GDP në 2008, dy vjet para afatit të përcaktuar, ndërsa transformimi i ushtrisë në një ushtri tërësisht profesionale, do të plotësohet në vitin 2010, në vend të vitit 2013 që ishte planifikuar më parë.

Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e deputetëve të nderuar në delegacion, dëshiroj të përmend rëndësinë që po merr kontrolli parlamentar mbi ecurinë e procesit për anëtarësimin e vendit në NATO. Kuvendi i SHqipërisë po luan një rol gjithnjë e më thelbësor në monitorimin e zbatimit të programeve dhe reformave të domosdoshme për standardet euroatlantike. Pjesë e këtij angazhimi parlamentar është dhe krijimi i komisionit të përkohshëm bipartizan për promovimin e reformave përkatëse legjislative për integrim në NATO.
Bashkëpunimi me Aleancën e Atlantikut të Veriut
Gjatë 15 vjetëve, vendi ka pasur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vënë në dispozicion të saj portet, aeroportet, territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Gjatë këtij procesi bashkëpunimi, ne shpesh kemi vepruar si anëtarë de facto të Aleancës. Në këtë frymë do të vijojmë dhe pas anëtarësimit de jure në të.
Transparenca dhe konstruktiviteti kanë qenë tipar themelor i këtij bashkëpunimi Shqipëri – NATO, tipar që u përsos dhe u pasurua më tej, pas Samitit të Uashingtonit, me krijimin e procesit të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP). Shqipëria e konsideron procesin e MAP-it si mekanizmi kryesor për vlerësimin e kandidaturave, i mbështetur në performancën individuale të çdo vendi. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj vendet tuaja për mesazhet tepër inkurajuese dhe mbështetjen ndaj aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO, në takimin që hapi ciklin e 9-të të MAP-it për vendin tim, datë 25 shtator 2007! Unë jam i bindur se vizioni perëndimor i veprimit dhe reformave, përqafuar tashmë nga politika dhe mbarë shoqëria shqiptare, si dhe ristrukturimi dhe modernizimi i Forcave tona të Armatosura, na bëjnë gjithnjë e më shumë pjesë të vlerave themelore, mbi të cilat mbështeten strukturat euroatlantike.
Mbështetja e gjerë popullore që gëzon anëtarësimi i vendit tonë në NATO, është një tjetër shtysë, që politika në vend duhet të jetë totalisht e angazhuar, në mënyrë që, në Samitin e Bukureshtit, pritshmëria e njerëzve të bëhet një realitet.
Lufta kundër terrorizmit dhe operacionet paqeruajtëse
Më lejoni të ritheksoj se ngjarjet tronditëse të 11 shtatorit nuk globalizuan fenomenin e terrorizmit, ato globalizuan luftën kundër tij. Këto ngjarje gjeneruan, ndër të tjera, jo vetëm solidaritetin e njerëzve me njerëzit (people to people solidarity), por dhe koalicionin më të gjerë të organizatave dhe shteteve në të dy anët e Atlantikut, pavarësisht madhësisë dhe fuqisë specifike reaguese të gjithësecilit. Në këtë kuadër, dëshiroj të përmend kontributin e Shqipërisë në të dy planet: në planin e përbashkët dhe atë individual. Shqipëria, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, kanë dërguar Skuadrën e Përbashkët Mjekësore në Afganistan.

Vendi im është një nga pjesëmarrësit aktivë në Operacionin “Iraku i Lirë”, me një kontingjent prej 120 trupash komando, si dhe në Operacionin ISAF të udhëhequr nga NATO me një kontingjent prej 135 vetësh.

Një tjetër kontribut, prej 70 vetash, Shqipëria jep në operacionin ALTHEA të udhëhequr nga BE.
Hartimi i legjislacionit përkatës, ngrirja e pasurive të personave të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste, si dhe dëbimi nga vendi i personave të dyshuar, që kanë lidhje me to, janë ndër masat konkrete që janë marrë brenda vendit për të kontribuar në këtë luftë.

Politika e jashtme rajonale e Shqipërisë
Politika e jashtme e Shqipërisë është, me të drejtë, një nga arritjet e saj të viteve të transformimit, sidomos në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. Në shërbim dhe në përmbushje të detyrimeve që vendi im ka në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian e në NATO të harmonizuara me interesat kombëtare Shqipëria ka dhënë shembullin e një politike për forcimin e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon, duke nxitur një klime besimi reciprok nëpërmjet zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, politike e kulturore me të gjitha vendet e rajonit.
Më vjen mirë të përmend se prej vitesh, politika e jashtme e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj këtij vlerësimi dhe ka përforcuar filozofinë perëndimore për bashkëpunim, stabilitet dhe përparim. Ajo e sheh këtë filozofi si një shtysë edhe më të madhe në afrimin më të shpejtë të anëtarësimit të saj euroatlantik.
Në kuadër të veprimtarive të NATO-s, si dhe të nismave dhe organizatave të tjera rajonale, Shqipëria ka zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët në shumë çështje me interes të përbashkët, si: lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe drogave, manaxhimi i integruar dhe siguria e kufijve, krijimi i masave të besimit reciprok, shkëmbimet tregtare dhe ekonomike.
Karta e Partneritetit A-3 që kemi me Kroacinë dhe Maqedoninë, është pjesë domethënëse e një mentaliteti krejtësisht ndryshe tashmë në Ballkan.
Bashkëpunimi i frytshëm që ne kemi vendosur ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e besimit reciprok ndërmjet tre vendeve tona. Ndarja e vlerave dhe qëllimeve të njëjta i kanë dhënë këtij procesi bashkëpunimi rëndësinë e një çasti historik, të nevojshëm për stabilitetin e rajonit, në një kohë, që ndryshime të rëndësishme e presin atë.

Shqipëria është kthyer tashmë nga një vend konsumator i sigurisë, në një vend që prodhon siguri rajonale edhe globale. Ai është shembulli një vendi, që nuk ka asnjë çështje apo problem të hapur me ndonjë vend tjetër për t’u zgjidhur drejtpërdrejt apo nëpërmjet një arbitrazhi a palë të tretë, e cila do të cënonte sigurinë, paqen, apo procesin integrues të vetin edhe të rajonit.
Duke besuar se edhe ju çështjen e Kosovës e konsideroni të rëndësishme si në planin rajonal, ashtu edhe në atë evropian, por edhe më gjerë, më lejoni të ndalem duke shprehur pikëpamjen time:
Unë mendoj se çështja e Kosovës është çështje që duhet të gjejë sa më parë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë duke garantuar jo vetëm tërësinë tokësore të Kosovës, por edhe integritetin funksional të institucioneve të saj në të gjitha planet. Ajo nuk mund të mbetet peng i një statusi të papërcaktuar, as i statuquo-së së përjetshme dhe as pjesë e papërfunduar e një procesi demokratik të domosdoshëm, të nisur nga NATO-ja dhe BE-ja që në vitin 1999. Kosova nuk mund të bëhet shembulli evropian i dështimit të proceseve të zbatimit dhe shtrirjes së sigurisë, ashtu edhe precedenti i mungesës së një qëndrimi të unifikuar të politikës së jashtme të BE-së.
Gjykoj në të kundërtën se Kosova mund të bëhet shembulli më i mirë i zbatimit të sigurisë dhe demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe të shtetit të së drejtës nën veprimin e përbashkët të të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, OKB-së, NATO-s, BE-së, Grupit të Kontaktit, Trojkës dhe SHBA-së, të cilët kanë investuar kohë, energji dhe burime njerëzore në këtë proces.
Së bashku me shpresën, më lejoni të ndaj edhe shqetësimin se ndërlikimet e padëshirueshme dhe të pajustifikueshme në procesin e përcaktimit të statusit do të kishin një ndikim negativ me kosto të lartë politike dhe ekonomike për Kosovën, Ballkanin e më gjerë, si dhe do të minonin të gjitha përparimet e arritura nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme në Kosovë.
Jam shumë i motivuar të nënvizoj këtu dhe të përshëndes të gjithë përgjegjësinë dhe pjekurinë politike të autoriteteve të Kosovës që në fillimet e procesit dhe, njëkohësisht, të shpreh keqardhjen për veprimet refuzuese, paragjykuese dhe mohuese të Beogradit ndaj të gjithë hallkave apo nismave të ndërmarra në mënyrë të sinqertë nga të mandatuarit e partnerëve ndërkombëtarë.
Unë jam i nxitur të vlerësoj në mënyrë optimiste çdo çast të kohës 120-ditore, i cili do t’i vlente përfundimit të një marrëveshjeje mes palëve në bisedime, por në të njëjtën kohë, optimizmi im bëhet më pragmatik kur shikoj se me kalimin e kohës, shtrihet bindja se programi më evropian, më integrues dhe më i plotë, për momentin, për të ndërtuar një shtet ku demokracia dhe të drejtat e njeriut e ato të minoriteteve, konsiderohen vlera sociale të garantuara me ligj, mbetet Plani i Presidenit Ahtisari.
Kam bindjen se zbatimi sa më parë i këtij plani do të ishte hapi më i madh historik jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Shpresoj se të gjithë popujt e Ballkanit e shikojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në NATO dhe BE dhe jo peng të konflikteve të dhunshme historike, etnike, fetare, nacionaliste dhe dhimbjeve të tyre të shkaktuara nga këto konflikte. Kjo kërkon të dish të falësh. Më duket se shqiptarët e Kosovës e kanë bërë këtë veprim.
Mendoj, së fundmi, se integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, ashtu si dhe integrimi i rajonit, në perspektive do të konsiderohej si një sukses i rëndësishëm i arritur në kontinentin evropian me shmangien e luftërave dhe shndërrimin demokratik të shoqërive diktatoriale të Luftës së Ftohtë. Siguria e shoqërive do të jetë e konsoliduar, qytetarët, me rënien e komunizmit dhe zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, do ndihen më të sigurt dhe më të përgatitur për sfidat dhe rreziqet e tjera rajonale dhe globale që kanosin sigurinë e tyre.
Zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të krijonte, në planin gjeostrategjik, një NATO me karakter Adriatiko-Jonian, dhe mbylljen e plotë të gjirit të rëndësishëm që laget nga këto dete, lidhjen pa pengesa me detin e Mesdheut, duke zgjeruar e forcuar perimetrin e zonës së stabilitetit edhe në këtë rajon të rëndësishëm e të pasur, si dhe duke i dhënë sigurisë globale një dimension të rëndësishëm mesdhetar.
Një Ballkan në NATO do të thotë që këto vende të bëhen më tërheqëse për investime direkte, më të suksesshme në përdorimin e burimeve të tyre njerëzore, natyrore dhe turistike, më të afta për të ndërtuar vlera evropiane dhe më të sigurta për qytetarët e tyre. Ndoshta në fjalën time nuk kam mundur të plotësoj interesimin tuaj të plotë mbi zhvillimet dhe rolin e vendit tim në rajon, ndaj mbetem i hapur për çështjet që dëshironi të ngrini.
Falemnderit!

Nuk ka komente:

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania