Presidenti i takoi Komandot shqiptare në Irak, tani duhet që politika të respektojë sakrificën e tyre!


Trazhgim Sokolaj
“Kryeministri iraken Al-Maliki shprehu mirënjohjen për kontributin e Shqipërisë në rrëzimin e diktaturës në Irak, vendosjen e demokracisë dhe forcimin e institucioneve të saj, si dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar përkrah partnerëve dhe aleatëve të rëndësishëm, që janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar”.
Ky është njëri nga pesë paragrafët e njoftimit zyrtar të Presidencës së Shqipërisë lidhur me vizitën e kryetarit të shtetit Bamir Topi në Mosul, kryeqytetin e Irakut, fundjavën e kaluar. Presidenti shoqërohej në atë vizitë nga delegacioni zyrtar ku bëjnë pjesë Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë.
Sipas njoftimit, Presidenti Topi gjatë vizitës zyrtare në Irak, zhvilloi takim të përbashkët me Komandantin e Forcës Shumëkombëshe, Gjeneralin Dejvid Petraeus dhe me Ambasadorin amerikan në Bagdad, Rajën Kroker. Në këtë takim ishte e pranishme edhe ish-ambasadorja amerikane ne Tiranë, Marsi Rijs.
“Presidenti Topi, pasi vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me aleatët ndërkombëtarë, sidomos me aleatin më të madh dhe mbështetësen e fuqishme e të vendosur të demokracisë dhe lirisë SHBA-ve, shprehu edhe njëherë vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të shtuar numrin e trupave tona paqeruajtëse që shërbejnë në Irak, duke pasur parasysh edhe efektshmërinë, kurajon dhe vlerat që ata kanë shfaqur deri tani, duke u vlerësuar maksimalisht dhe duke e bërë vendin tonë të ndihet gjithnjë e më shume krenar”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Sipas këtij njoftimi Kryetari i Shtetit theksoi se kjo do t'i shërbente Shqipërisë jo vetëm për të kurorëzuar me sukses përpjekjet e saj integruese për në NATO, ku shpresojmë që të marrim ftesën e anëtarësimit në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit, por do t'i jepte Shqipërisë vendin e saj të merituar në familjen e madhe euro-atlantike.
Presidenti Bamir Topi i cilësoi Komandot shqiptare që shërbejnë në Irak krenari kombëtare. Ai zhvilloi me ushtarakët shqiptarë takime të zgjeruara, u publikuan fotografi të përzemërta dhe çaste emocionuese gjatë takimeve të zhvilluara në Irak. Çdokush mundet të kuptojë se Komandot tanë në Irak janë ndjerë optimistë për vëmendjen që u kushtoi Presidenti, i cili konfirmoi vullnetin e Shqipërisë për të shtuar numrin e trupave ushtarake në Irak. Të gjithë shqiptarët, të paktën sipas sondazheve vlerësojnë pozitivisht përfaqësimin tonë ushtarak në Irak. Edhe ndërkombëtarët, madje edhe NATO vlerëson praninë e Shqipërisë me trupa ushtarake në Irak si një rast tipik i importimit të sigurisë që vendi ynë demonstron.
Por pavarësisht vizitës së pa paralajmëruar të Presidentit, takimeve të ngrohta me efektivat ushtarakë dhe bisedave të shpenguara, si dhe premtimit për të rritur numrin e Komandove në Irak, duket se është e nevojshme që politika dhe institucionet e Tiranës të vlerësojnë sakrificën e ushtarakëve shqiptarë në Irak. U bënë vite që Komandot tanë shërbejnë atje, u bënë vite që për ata mbërrijnë vetëm vlerësime pozitive kur flitet për anëtarësimin në NATO. Por pikërisht kur flitet për këtë proces, ndërkombëtarët thonë se Shqipëria duhet të përmbushë kushtet tjera të vendosura për pranimin në NATO. Presidenti Topi, veçanërisht pasi ka parë kushtet ku shërbejnë Komandot tanë, i ka të gjitha kompetencat të ndikojë që politika e Tiranës jo vetëm të mos frenojë, por të ushqejë dhe të zhvillojë ato reforma të shumëkërkuara që do ta afronin vendin me NATO-n. Nëse do të ndodhte kjo, qoftë edhe në respekt të misionit të Komandove në Irak apo edhe të besimit dhe dëshirës së shqiptarëve për të qenë anëtarë të BE-së dhe NATO-s, më shumë se kushdo tjetër nga ne shqiptarët, do të ndiheshin të shpërblyer ata, Komandot shqiptare, vëllezërit, baballarët, shokët dhe të afërmit tanë që shërbejnë atje mes rrezikut që po largohet çdo ditë e më shumë edhe falë kontributit simbolik shqiptar.

“Shqipëria ftesë në Samitin e Bukureshtit nëse përmbush objektivat e NATO-s”


Ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë pune në selinë e NATO-s në Bruksel ku u takua me ambasadoren e SHBA-së znj. Victoria Nuland, ambasadorin e Kanadasë z. Robert McRae, ambasadorin e Holandës z. Herman Schaper, ambasadorin e Portugalisë z. Manuel Pereira dhe ambasadorin e Danimarkës z. Per Poulsen-Hansen në NATO. Ministri Basha gjithashtu mori pjesë ne hapjen e foto-ekspozitës promovuese “Shqipëria e parë nga ajri” të Alket Islamit, në ambientet e selisë së NATO-s në Bruksel.

Ecuria e diskutimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, progresi i reformave në Shqipëri, situata aktuale në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ishin temat kryesore të diskutimit mes ministrit Basha dhe ambasadorëve të vendeve anëtare.Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Shqipëri në planin politik, ekonomik dhe situatën e brendshme, ministri Basha i informoi ambasadorët mbi masat e marra ne kuadër të Plan Veprimit të Anëtarësimit. Ai theksoi se vëmendja e qeverisë shqiptare është fokusuar në drejtim të reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Ministri Basha i njohu ambasadorët me veprimet konkrete që qeveria shqiptare po ndërrmerr deri në Samitin e Bukureshtit dhe më tej, për të konsoliduar dhe cuar përpara reformat edhe pas marrjes së ftesës. Ambasadorët nga ana e tyre, vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria veçanërisht gjatë ciklit të 9-të të MAP-it, kontributin e saj në zhvillimet në rajon dhe qëndrimin e matur dhe konstruktiv në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ata shprehën besimin se me realizimin e objektivave të programuara, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Një vend të veçantë në diskutim ka zënë edhe situata në rajon, në veçanti Kosova dhe sfidat e përbashkëta të aleatëve, para dhe pas shpalljes së statusit. Ministri Basha theksoi angazhimin konstruktiv të qeverisë shqiptare në këtë fazë përmbyllëse të statusit të Kosovës. Duke diskutuar masat e marra nga NATO për t’iu përgjigjur çdo sfide para dhe pas përcaktimit të statusit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë vendimtare që ka angazhimi i plotë dhe i vendosur i trupave të NATO-s në Kosovë për parandalimin dhe frenimin e çdo akti që synon destabilizimin e situatës në Kosovë dhe me gjerë. Gjatë vizitës Ministri Basha mori pjesë në hapjen e foto-ekspozitës promovuese “Shqipëria e parë nga ajri” në selinë e NATO-s në Bruksel. Hapja e kësaj foto-ekspozite është një nga aktivitetet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme në kuadër të promovimit të imazhit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Në pritjen e organizuar me këtë rast morën pjesë ambasadorë të vendeve anëtare të NATO-s si dhe zyrtarë të lartë të Aleancës. Në fjalën e tij përshëndetëse ministri Basha theksoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe vuri në pah vlerat kulturore, historike dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Ai i ftoi të pranishmit të vizitojnë Shqipërinë për t’i prekur këto vlera së afërmi. Ekspozita e cila zgjoi një interes të madh tek të pranishmit do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë javës në vijim.

Basha në Bruksel, takime me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha pritet të diskutojë ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendit në NATO, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Bruksel. Dikasteri i diplomacisë shqiptare njoftoi më 16 dhjetor 2007, se Ministri Basha gjatë qëndrimit në Bruksel do të takohet me më Ambasadorët e SHBA-së znj. Victoria Nuland, Kanadasë z. Dr. Robert McRae, Holandës z. Herman Schaper, Portugalisë z. Manuel Pereira dhe Danimarkës z. Per Poulsen-Hansen në NATO. Në këto takime, sipas Ministrisë së Jashtme në Tiranë, do të diskutohet ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe hapat e mëtejshëm në ditët dhe javët që vijnë, deri në Samitin e Bukureshtit, në prill të vitit të ardhshëm.

Sipas burimeve zyrtare, Ministri Basha do të marrë pjesë në hapjen e Ekspozitës së Alket Islamit “Shqipëria e Parë nga Ajri” në ambientet e selisë së NATO-s në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të anëtarëve të NATO-s: Në Bukuresht ftesë për vendet e “A3”


BRUKSEL - Vendet anëtare të Bashkimit Europian të cilat bëjnë pjesë në NATO, shprehen pro dhënies së ftesës së anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike për vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni. Vendet e BE-së u shprehën dakord që ftesa për vendet e “A 3” të bëhet gjatë Samitit të shteteve anëtare të NATO-s që pritet të zhvillohet në Bukuresht në muajin prill të vitit 2008. Në Samitin e mbajtur në Bruksel, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, dhanë mesazhin se Aleanca e Atlantikut të Veriut mbetet e gatshme të zgjerojë radhët e saj. “Konfirmojmë se Aleanca është e hapur për të pranuar anëtare të rinj në Europë, në zbatim të nenit 10 të traktatit të NATO-s”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s.

Nga deklaratat e zyrtarëve dhe diplomatëve perëndimorë, nuk kuptohet qartë cila nga vendet e Kartës “Adriatik 3” është më pranë anëtarësimit në NATO. Shqipëria është vlerësuar për reformat në fushën e mbrojtjes por ka marrë kritika lidhur me stabilitetin dhe dialogun politik, hartimin e kartave të identitetit, ndërtimin e një kornize të qëndrueshme ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve, reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mesazhi i Romano Prodit, parada e Forcave të Armatosura dhe pranimi në NATO


Trazhgim Sokolaj

06/12/2007-Një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar rëndësinë e politikanit që po qëndronte gjatë atyre orëve në Tiranë do të ishte edhe vëzhgimi i masave te forta të sigurisë që shoqëruan vizitën e Romano Prodit në kryeqytetin e Shqipërisë pak ditë më parë. Në përmasa disi më të reduktuara masat e sigurisë ngjanin shumë në skemë me ato që u aplikuan më 10 qershor të këtij viti kur Presidenti Amerikan Bush qëndroi për një vizitë disa orëshe në Tiranë. Kreu i Qeverisë italiane, simbol i një partie të majtë vizitoi Tiranën, shtrëngoi duart me Kryeministrin e djathtë të Shqipërisë dhe mbajti një konferencë shtypi e më pas takoi edhe Presidentin e vendit dhe liderin e opozitës. Në atë konferencë shtypi Prodi dha një mesazh të qartë lidhur me çështjen e Kosovës, e cila sipas tij “nuk duhet të marrë vendime të nxituara” për shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Nuk është habi të mendohet se në protokollin e Kryeministrit italian, ky ka qenë mesazhi kryesor që ai kishte parashikuar të jepte gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Shqipërisë. Politikani i shquar i cili për shkak të detyrave të tij të mëparshme ka një raport të afërt me strukturat e Bashkimit Europian, i uroi Shqipërisë hyrje sa më të shpejtë në BE dhe në NATO. Ky mesazh u dha nga Romano Prodi, kryeministër i Italisë. Ai artikuloi edhe premtimin se Parlamenti italian së shpejti do të ratifikojë MSA-në Shqipëri-BE. Prodi nuk hyri në hollësira lidhur me kërkesat e NATO-s dhe BE-së, nuk përsëriti frazat e vjetra se “është bërë shumë por duhet ecur përpara me reformat” e të tjera si këto. Ai tha se Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE dhe si Kryeministër uroi që kjo të ndodhte sa më shpejt. Ishte një urim i cili nuk ka pse të paragjykohet në asnjë mënyrë. Nëse pranohet se ndër mesazhet e parashikuara për tu dhënë prej Prodit, për shkak të situatës në rajon e veçanërisht në Kosovë, theksi ka qenë tek kjo e fundit, urimi i Prodit është më shumë një problem yni, sesa një shkak për paragjykimin e asaj çfarë tha Kryeministri italian. Ai gjithashtu shprehu entuziazmin e tij për ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit. Një ditë pas vizitës së Prodit në Tiranë, Bulevardi kryesor i Kryeqytetit të Shqipërisë kishte një gjallëri të mahnitshme. Marshi ushtarak i Forcave të Armatosura bëri kuriozë shumë qytetarë dhe mblodhi në një tribunë liderët e këtij vendi. Ushtarakët tanë demonstruan para publikut ecjen harmonike, uniformën, armët dhe mjetet e zakonshme që kanë në përdorim. Për fat të mirë të paktë kanë qenë ata kureshtarë që janë zhgënjyer nga ajo paradë. Pikësëpari sepse ajo ngjante shumë me paradat ushtarake të viteve të komunizmit dhe së dyti për disa hollësi të neveritshme. Mund të përmendim faktin se një pjesë e mirë e kamionëve dhe automobilave që kaluan në bulevard, mbanin targa italiane të cilat ishin mbuluar derisa bëhej fjalë për paradën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë që mbushën atë ditë plot 95 vjet nga krijimi i tyre. Radhës së fakteve të neveritshme i shtohet edhe veshja e ushtarakëve tanë. Përveçse të gjithë ata mbanin Kallashnikovë në duar, kostumet ushtarake dukej qartë se kishin mangësi, pasi disa efektivave u binin të gjata ndërsa të tjerëve u rrinin ngushtë. Disa prej veshjeve ishin marrë borxh tek Garda e Republikës apo institucione të tjera të policisë. Teorikisht duhet pranuar se shfaqja në publik është një shans i mirë për të përfituar vlerësim pozitiv, famë dhe respekt, por nga ana tjetër shfaqja në publik mund të jetë një veprim mirëfilli vetëekzekutues. Presidenti i vendit tha para paradës së FA-të shqiptare tashmë kanë hyrë në NATO. Natyrisht ky është një mesazh inkurajimi për ata efektiva të ushtrisë shqiptare e cila deri më tani vlerësohet pozitivisht në disa drejtime në raport me kërkesat e NATO-s. Politikanët tanë përmendin plotësimin e kërkesave të NATO-s kur ushtarët dalin në paradë me kostume që nuk u bëjnë, kur gjysma e mjeteve që ekspozohen aty janë ose dhurata të partnerëve ushtarakë ose mjete të tyre. Është shumë e thjeshtë kjo. Po flasim për veshjen e ushtarëve dhe për disa pajisje të thjeshta transporti apo këmbësorie. Shfaqja në atë mënyrë në paradë, krijon terren për mendime pesimiste lidhur me atë çfarë ndodh në repartet dhe në përditshmërinë e atyre ushtarakëve. Përsëri nuk po flasim për armë moderne këmbësorie, për avionë sulmues e gjuajtës F-16 apo për raketa satelitore. Po flasim për gjerat elementare të një ushtrie simbolike jo vetëm në numër por edhe në pretendime dhe në strategji. Pavarësisht çfarë deklarohet nga politikanët, ajo paradë por edhe mesazhet që marrim çdo ditë nga zyrtarët europianë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së apo të NATO-s, duhet ta pranojmë një herë e mirë, se ushtarakët tanë mund të jenë shumë të përgatitur, të përkushtuar, të aftë, ata mund të komunikojnë shumë mirë anglisht me çdo ushtar të NATO-s, mund të zbatojnë teknikat moderne të luftimit dhe veprimeve operacionale të Aleancës Veriatlantike, por ama kemi mangësi të theksuara në logjistikë dhe në administrimin e logjistikës. E ky nuk është problemi i vetëm që kemi. Kaq e rëndë ngjan situata në këtë drejtim, por duket se jemi akoma pas në drejtime të tjera. Aq sa logjistika e ushtrisë shqiptare nuk përmendet në kritikat e ndërkombëtareve të cilët prej vitesh po bëjnë apel për plotësimin e disa gjërave elementare, si regjistrimi i popullsisë apo dhënia e kartave të identitetit apo për të shkuar më tej, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe vendosja e shtetit ligjor. Nëse partnerët tanë na tolerojnë në infrastrukturën dhe logjistikën ushtarake, vendet anëtare të NATO-s kur të votojnë për pranimin apo të Shqipërisë, sigurisht nuk mund të tolerojnë fenomene të tilla si korrupsioni galopant, mungesa e informacionit minimal për numrin e popullsisë dhe karakteristikat e saj, informaliteti në ekonomi apo mungesa e një kuadri ligjor demokratik për zgjedhjet dhe deficitet në kulturën demokratike të institucioneve dhe faktorëve politikë. Të gjitha këto janë elementë stainacioni që ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politikë të një vendi për të cilat duhet pasur frikë se nuk do të ketë tolerancë ndaj nesh në prillin e vitit 2008 në Samitin e Bukureshtit.

Lange: Shqipëria të zgjidhë çështjet e gjyqësorit dhe shtetit të së drejtës


Shefi i Sektorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit, të Komisionit Europian, Dirk Lange, deklaroi sot ( e mërkurë), se "Shqipëria duhet që të zgjidhë çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe se për të siguruar dhe garantuar shtetin e së drejtës duhet të bëjë çdo përpjekje për të zgjidhur çështje si korrupsioni dhe lufta kundër krimit të organizuar". I pranishëm në takimin e 17 të Grupit të Përbashkët Konsultativ Task-Force, BE-Shqipëri, që po zhvillohet në Tiranë, zoti Lange theksoi se kjo kërkon një bashkëpunim politik dhe udhëheqësit shqiptarë duhet të punojnë sëbashku, në mënyrë që vendi të eci në mënyrë të shpejtë drejt BE. Sipas tij, janë bërë përmirësime në një sërë fushash, të cilat kanë çuar në konsolidimin e marrëveshjes Interim. " Shqipëria në fakt ka ecur përpara përsa i përket proçesit të stabilizim-asocimit, por ka nevojë të bëjë më tepër", vuri në dukje zoti Lange. "Shqipëria nuk mund të përballojë t'i vihet gishti shpeshherë si një vend që ka vështirësi në çështje zgjedhore dhe që nuk përmbush standarde ndërkombëtare", theksoi shefi i Sektorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Zgjerimit, të Komisionit Europian, Dirk Lange. ATSH

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania