De Hoop Shefer: "Nuk ka garanci" që NATO do të ftojë anëtarë të rinj t'i bashkohen


30/10/2007 Vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kushtet në qoftë se shpresojnë të marrin një ftesë në samitin e NATO-s në prill 2008, tha sekretari i përgjithshëm Jaap de Hoop Shefer gjatë një vizite në Bukuresht. Zgjerimi, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe mbrojtja ndaj raketave do të jenë midis çështjeve në axhendën e samitit të prillit 2008 të NATO-s në Bukuresht, tha të hënën (29 tetor) sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Shefer në kryeqytetin rumun.Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë nënshkruar secila Planin e Veprimit të Anëtarësimit me Aleancën dhe shpresojnë të ftohen për t'u bashkuar me paktin 26-vendesh në pranverë. De Hooop Shefer e bëri të qartë të hënën se nuk ishte marrë ende ndonjë vendim. "Në këtë çast nuk ka garanci që NATO do të ftojë shtete të reja por padyshim takimi do të jetë i suksesshëm pasi do të ketë shumë çështje të rëndësishme në axhendën e vet," tha ai në një konferencë shtypi në Bukuresht pas bisedimeve me presidentin rumun Traian Bashesku. Vendet që kërkojnë të bashkohen me NATO duhet të tregojnë arritje të mira, theksoi de Hoop Shefer duke u kërkuar kandidatëve të punonin për të zbatuar reformat në ushtri dhe fushat jo-ushtarake në mënyrë që të përmbushin kriteret strikte të Aleancës. Biletat e ftesave nuk janë "gati" ende, tha ai. Lidhur me mundësinë e Ukrainës për t'u ftuar në NATO, de Hoop Shefer vuri në dukje se dialogu me vendin qe intensifikuar në muajt e fundit por se do të varej nga ukrainasit të vendosnin në qoftë se do të donin të ndërtonin lidhje më të ngushta me Aleancën. "Populli ukrainas do të vendosë se çfar kursi do të ndjekë Ukraina përballë NATO dhe përballë BE," tha shefi i NATO-s. Sa për Gjeorgjinë, raportet të hënën cituan diplomatë të paemër të sugjeronin se duhej të zgjidhej së pari "konflikti i saj i ngecur" me Rusinë lidhur me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Qëllimi i vizitës një-ditore të de Hoop Shefer në Bukuresht ishte të diskutonte përgatitjet për samitin e prillit me Basheskun dhe zyrtarë të tjerë, duke përfshirë kryeministrin Kalin Popesku Tarikeanu dhe ministrin e jashtëm Adrian Kioroianu. Mbrojtja nga raketat është një tjetër çështje e madhe ku krerët e shteteve dhe të qeverive do të përqendrohen gjatë samitit. Duke ju drejtuar shqetësimeve të Rumanisë se ajo do të lihej e pambuluar nga sistemi mbrojtës i raketave që Shtetet e Bashkuara ka në plan të ndërtojë në Evropën Lindore, shefi i NATO-s tha se pandarshmëria e sigurisë së anëtarëve të NATO-s është parimi bazë që duhet të qeverisë bisedimet në Bukuresht. "Rumania është një anëtar i NATO-s. Në NATO ne nuk kemi anëtarë të klasës A dhe të klasës B. Të gjithë anëtarët e NATO-s, të gjithë aleatët janë të barabartë," u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi me Basheskun. Ai tha se mburoja e mbrojtjes raketore të SHBA ka qenë subjekt i takimeve të shumta brenda Aleancës.Projekti parashikon vendosjen e dhjetë interceptorëve tokësorë në Poloni dhe të një sistemi të sofistikuar radari në Republikën Çeke. Përveç Rumanisë, anëtarët e NATO-s, Bullgaria, Greqia e Turqia do të mbeten jashtë gamës së mbrojtjes të mburojës së SHBA. Megjithatë, tha de Hoop Shefer, sistemi i ri mbrojtës i NATO-s duhet t'i bashkëngjitet mburojës së planifikuar të SHBA. "Të gjitha vendet e NATO-s ...gëzojnë të njëjtën shkallë mbrojtjeje,' tha ai. "Po qe se diskutojmë mbrojtjen nga raketat, kjo do të thotë se çdo aleat i vetëm i NATO-s do të ketë të njëjtën mbrojtje si çdo aleat tjetër." Situata në Afganistan dhe kërcënimet e sfidat e reja, duke përfshirë sigurinë e energjisë, do të diskutohen gjithashtu në samitin e Bukureshtit.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
(marrë nga www.balkantimes.com)

Presidenti i Shqipërisë: Integrimi i vendit në NATO dhe BE, përparësi kombëtare


Pallati i Brigadave, 31 tetor, 2007

Të nderuar anëtarë të Qeverisë, Të nderuar ambasadorë, Zonja dhe zotërinj, Politika e jashtme e Shqipërisë, veprimtaria, vizioni dhe strategjia e saj për të përballuar me sukses partneritetin dypalësh dhe shumëpalësh, për të pasur një zë të nderuar në debatin e vështirë të politikës ndërkombëtare, për të ofruar një kosto sa më të vogël në konkurrencën e vështirë të procesit të globalizimit politiko-ekonomik në shërbim të interesave afatgjatë kombëtarë mbetet, jo vetëm në vëmendje dhe në ndjekje të afërt, por përbën edhe një nga përparësitë e Presidentit të Republikës. Unë mendoj se rezultatet e politikës së jashtme janë të lidhura ngushtë me zhvillimin politiko-ekonomik të një vendi dhe me mirëqenien e shtetasve të tij. Vetëm në këtë mënyrë përfaqësuesit tanë diplomatikë, kudo ku ata janë, të të gjitha niveleve, duhet të ndiejnë përgjegjësitë e përfaqësimit dhe të përllogarisin vlerat e tyre në shoqërinë shqiptare, pjesë e së cilës ata janë dhe së cilës duhet t’i shërbejnë me devotshmëri.
Viti që kaloi dhe viti që jemi na japin një bilanc ngjarjesh politike në planin e brendshëm dhe të jashtëm, të cilat kanë nevojë për një analizë të hollësishme.
Shqipëria sot, megjithëse është duke përballuar pasojat e një krize të rëndë energjetike, karakterizohet nga një situatë e qëndrueshme makroekonomike dhe nga një ecuri e domosdoshme reformash. Investitorë të huaj, duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si ato të energjisë, minierave, bankave tregtare, turizmit dhe infrastruktures provojnë se ky vend ka një të ardhme më të mirë. Kjo klimë e përgjithshme pozitive rriti ndjeshëm numrin e turistëve, në krahasim me vitin e kaluar.
Debati politik në Shqipëri po provon dukshëm se ky vend është, në mënyrë të pakthyeshme, i vendosur të ndërtojë demokracinë pluraliste, jo vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në media dhe në publik. Unë do të vazhdoj të nxis debatin dhe shprehjen e ideve alternativave mbi çështje dhe probleme, të brendshme apo të jashtme, të cilat shqetësojnë shoqërinë shqiptare siç janë reforma në drejtësi apo ajo zgjedhore, raportet midis pushtetit qendror e vendor, integrimi i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, çështja e Kosovës, gjithnjë në funksion të interesave kombëtarë të vendit.
Bota dhe zhvillimi njerëzor, në fillimet e këtij mijëvjeçari të tretë, së bashku me zhvillimin dhe shpresën për të jetuar në një shoqëri të hapur, në paqe dhe begati, po përjeton edhe pasigurinë për të ardhmen.
Terrorizmi global, varfëria, prapambetja e uria, krizat rajonale politike apo ekonomike, dhunimi i të drejtave të njeriut nga regjime diktatoriale, të cilat kërcënojnë miliona njerëz, janë përballja me sfida të mëdha, me sfida që kërkojnë përgjigje të ngutshme, përgjigje që duhet të artikulohen jo mbi baza të interesave të ngushtë kombëtarë apo rajonalë, por më tepër mbi bazat e interesave të mirëfilltë të komunitetit botëror dhe të racës njerëzore.
Zonja dhe zotërinj,
Dëshiroj të konfirmoj edhe një herë se dy përparësitë kombëtare të shtetit shqiptar mbeten integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vizitat e mia të para në Bruksel më përforcuan bindjen se Shqipëria ka miq shumë të mirë, të cilët janë të gatshëm të na japin një partneritet të ndershëm, afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Unë besoj se ne jemi të përgatitur t’i përgjigjemi me të njëjtën ndershmëri e përgjegjshmëri miqve tanë në Bruksel.
NATO-ja po jeton sot periudhën më impenjative që prej kohës së krijimit të saj. Shndërrimi i saj, nga një qasje gjeografike në një qasje funksionale të sigurisë, përbën logjikën e partneritetit global dhe sigurisë globale, në përballje me “pasigurinë e globalizuar”.
Përtej bilancit të reformave të brendshme dhe të angazhimeve në partneritete ushtarake jashtë vendit, të detyrueshme për standartet e Aleancës, të cilat tanimë njihen nga të gjithë, argumentet e kontributit të Shqipërisë brenda saj, mund të renditen në vendosmërinë e vendit tonë për përballimin dhe ndarjen e rreziqeve dhe barrës së kërcënimeve ndaj pasigurive rajonale apo globale, ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe organizatave të tyre. Ne mund të kontribuojmë në ndërtimin e kapaciteteve individuale të përshtatshme të sigurisë, në koordinimin sa më të mirë me të gjithë aleatët për siguri dhe zhvillim, si dhe në përsosjen e vlerave strategjike të partneritetit ose të rrjeteve të tjera të tij. Ne e shikojmë NATO-n, si një tribunë të debatit politik në zgjidhjen e natyrës së ndërlikuar të mjedisit tonë të sigurisë, si një forum që gjeneron forcë dhe ofron mundësi sigurie, zhvillim rajonal dhe global, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Nuk mund të ketë zhvillim pa siguri.
Shqipëria në NATO do të ndihmojë zvogëlimin e perimetrit të pasigurisë brenda kontinentit evropian, do të japë modelin e suksesit më të rëndësishëm të arritur në një vend ish-komunist dhe në një rajon nga ku kanë filluar konflikte rajonale dhe botërore dhe, së fundi, do të japë provën se, demokratizimi i shoqërive diktatoriale, janë e vetmja rrugë e drejtë, për t’u shkëputur nga e kaluara e tyre. NATO-ja, me Shqipërinë, do të siguronte shtrirjen e saj Adriatiko-Joniane dhe lidhjen me partneritetet e rëndësishme si Dialogu Mesdhetar dhe Nisma Bashkëpunuese e Stambollit.
Shqipëria është gati për këto sfida partneriteti. Samiti i ardhshëm i Bukureshtit duhet të marrë në konsideratë këto garanci.
Nënshkrimi vitin e kaluar i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian shënon arritjen më të madhe të Shqipërisë në historinë e raporteve të saj me Evropën dhe botën e qytetëruar. Asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë më afër asaj, së cilës ajo i përket që në lashtësi; asnjëherë shqiptarët nuk kanë qenë më afër rikthimit në etnogjenezën e tyre. Ky nënshkrim përmbylli një kapitull të gjatë dhe shumë të vështirë transformimesh të domosdoshme dhe të rëndësishme demokratike, politike, ekonomike, sociale e institucionale. Vlerësimi i përparimit në raportet me Bashkimin Evropian i hapën rrugën nënshkrimit sivjet të Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave me BE-në.
Tashmë, përballë nesh, sfida është më e madhe, më e vështirë, më përgjegjëse, por më konkrete. Brukseli nuk është Santa Klausi. Ai është kryeqyteti administrativ dhe politik i Evropës, ai është e vetmja mbërritje pas një rruge të gjatë, por të vendosur drejt demokracisë. Ai është mishërimi i idesë dhe përpjekjeve të mendimtarëve dhe burrave të mëdhenj si: Monnet, Schuman, Adenauer, De Gasperi.
Sivjet, në 50-vjetorin e “Traktatit të Romës“, Evropa miraton “Traktatin e ri të Lisbonës”, duke e cilësuar këtë si një fitore evropiane, e cila mund të shohë përpara drejt së ardhmes me më shumë besim, duke i dhënë fund pasigurisë së saj institucionale të dy viteve të fundit.
Bisedimet për anëtarësim zhvillohen në Bruksel, por reformat duhet të zbatohen në Shqipëri. Procesi i bisedimeve me institucionet evropiane është vetëm një pjesë e vogël dhe e dukshme e punës, në krahasim me vështirësitë e zbatimit në mjedisin shqiptar.
Për këtë arsye, çdo çështje apo kapitull bisedimesh duhet mirëfilli të përkthehet në veprime konkrete dhe jo të politizohet me ekzaltime nga një anë dhe kritika nga ana tjetër. Suksesi i këtij zbatimi nuk duhet të varet kurrë më nga rezultatet elektorale dhe nga zyrtarët e zgjedhur. Këto dhe sisteme të tjera kombëtare duhet të fillojnë të funksionojnë, pavarësisht nga zyrtarët e emëruar.
Nga ana tjetër, çdo fshehje e problemeve tona apo fajësimi i të tjerëve, do të vonojë dhe do të ngadalësojë procesin e bisedimeve. Ne jemi duke kaluar një periudhë nën një vëzhgim të detajuar dhe diagnostikues në të gjitha fushat nga partnerët tanë në Bashkimin Evropian, të cilët na kanë ofruar kapacitetet thithëse të tyre në shkëmbim të standardeve demokratike .
Unë besoj në marrëveshjen rreth interesave madhorë kombëtarë dhe të zhvillimit; unë jam i gëzuar që ato deklarohen publikisht dhe në mënyrë të qartë, duke mos qenë subjekt i asnjë kundërshtie nga krahët e ndryshëm politikë në Shqipëri.
Shtetet dhe institucionet evropiane dhe euroatlantike janë partnerët tanë në bisedime dhe reforma. Por ka edhe një partner tjetër ekstremisht të rëndësishëm: shoqëria dhe publiku ynë, i cili duhet të përfshihet, duhet të informohet dhe duhet të motivohet duke u bërë pjesë. Publiku duhet të informohet jo vetëm në fund të bisedimeve, jo vetëm në gjysmën e dytë të tyre, jo vetëm thjesht me gjysmë të vërteta, por me fakte dhe argumente që prej minutës së parë të procesit.
Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të realizuar zbatimin e suksesshëm dhe të shpejtë të reformave që na shkurtojnë kohën e mbërritjes në NATO dhe në Bashkimin Evropian; kjo besoj, është e vetmja provë e seriozitetit dhe e përgjegjësisë sonë përballë partnerëve tanë dhe popullit shqiptar.
Zonja dhe zotërinj,
Vendet e Evropës Juglindore po përjetojnë sot zhvillimet më dinamike të historisë së tyre. Udhëheqësit politikë dhe qeveritë e tyre ofrojnë modelet specifike të zhvillimeve demokratike, por brenda një orientimi: integrimit euro-atlantik të vendeve të tyre. Diplomacia rajonale e Shqipërisë, megjithë qëndrimet e qarta dhe maturinë e saj për të cilat është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, duhet të ndërtojë programe dhe strategji të drejtpërdrejta rezultative për Shqipërinë në planin dypalësh me të gjitha vendet e rajonit, shumë të afërta dhe të afërta gjeografikisht. Ajo duhet të vihet në ndjekje të përvojës pozitive të tyre për të krijuar jo vetëm bashkëpunim politik, por edhe ndërvarje dhe liri tregjesh e kapitalesh, shkëmbime energjish dhe burimesh njerëzore.
Shqipëria mbetet një portë strategjike hyrje në tregun ballkanik.Vendodhja gjeografike e saj krijon një akses shumë të mirë në tregjet falë edhe nënshkrimit të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë dhe më vonë CEFTA-n me vendet e rajonit përbëhet nga 25 milionë konsumatorë, të cilët nxiten drejt tregtisë së lirë të produkteve industriale, bujqësore dhe shërbimeve në një zonë ekonomike sipas normave evropiane.
Integrimi i suksesshëm i Shqipërisë në strukturat euroatlantike mund të përmbushet vetëm duke zhvilluar një partneritet dypalësh me vendet anëtare të këtyre strukturave dhe me të gjitha vendet e tjera. Intensifikimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me këto vende duhet të jetë përparësi e diplomacisë dypalëshe të Republikës së Shqipërisë dhe të konsiderohet si çelësi i suksesit të integrimit të vendit. Nëpërmjet thellimit të marrëdhënieve dypalëshe me Italinë, Greqinë e Turqinë, si vende fqinje dhe Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën apo vendet e vjetra dhe të reja, anëtare të BE-së dhe NATO-s, ne duhet të përpiqemi të sjellim në ekonominë shqiptare teknologjitë e reja evropiane të zhvillimit dhe të sigurisë.
Politika e jashtme e Shqipërisë duhet të vlerësojë seriozisht në planin dypalësh marrëdhëniet me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe me të gjitha vendet e tjera, pavarësisht sa larg apo afër Shqipërisë ndodhen ato.
Vizita e Presidentit të SHBA-së George W. Bush në Shqipëri është ngjarja më kulmore në ecurinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është suksesi më i madh në historinë e politikës së jashtme të Shqipërisë. Mesazhet e saj shumëdimensionale vlerësuan arritjet demokratike në Shqipëri, inkurajuan politikën rajonale të saj, mbështetën procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen euroatlantike, dëshmuan për një klimë sigurie në ekonominë shqiptare, krijuan një pasaportë të re për imazhin e saj në botë dhe vërtetuan qëndrimin e SHBA-së se ka ardhur koha që Kosova të jetë e pavarur.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Zotërinj ambasadorë,
Kosova është dhe duhet të jetë e pavarur.
Kosova është e pavarur, sepse ajo nuk mund të kthehet më në situatën e para vitit 1999; ajo nuk mund të bashkohet me asnjë vend tjetër dhe as nuk mund të ketë më në territorin e saj rikthim të forcave ushtarake serbe. Këto parime të pranuara nga të gjithë u bënë bazë e pandryshuar e procesit të bisedimeve Ahtisaari dhe të Planit të tij.
Kosova është e pavarur, sepse ajo ka institucionet e saj të zgjedhura në mënyrë demokratike, ka Presidentin e saj, Kuvendin dhe Kryeministrin me një qeveri të përgjegjshme.
Kosova është e pavarur, sepse ka buxhetin e saj të pavarur, ka programet e saj të zhvillimit, ka ushtrinë e saj dhe forcat e saj policore dhe doganore.
Ajo është e pavarur, sepse në të gjitha raportet e saj me partnerët ndërkombëtarë, me NATO-n, Bashkimin Evropian, me OKB-në po sillet me një pjekuri të pashembullt, me një përgjegjshmëri evropiane, e denjë për të qenë subjekt ndërkombëtar.
Përse ajo duhet të jetë e pavarur?
Sepse Kosova, si procesi i pakthyeshëm, nuk mund të mbetet peng i një statusi të papërcaktuar, as i status quosë së përjetshme dhe as pjesë e papërfunduar e një procesi demokratik të domosdoshëm, të nisur nga NATO dhe BE në vitin 1999;
Kosova nuk mund të bëhet shembulli evropian i dështimit të proceseve të zbatimit dhe shtrirjes së sigurisë, as edhe precedenti i mungesës së një qëndrimi të unifikuar të politikës së jashtme të BE-së;
Ajo mund të ndihmojë, në të kundërtën, në përmirësimin e marrëdhënieve NATO-BE dhe, duke patur parasysh përmasat e sfidave të sotme të sigurisë, do t’i sjellë më afër këto dy struktura në një dialog të qëndrueshëm dhe në një harmonizim të patrazuar për të ardhmen. Kjo marrëdhënie mund të shërbejë si çelës për zhvillimin e një qasjeje vërtet tërësore për sigurinë ndërkombëtare;
Ndaj shqetësimin se ndërlikimet e mëtejshme, të padëshirueshme dhe të pajustifikueshme në procesin e përcaktimit të statusit do të kishin një ndikim negativ me kosto të lartë politike dhe ekonomike për Kosovën, Ballkanin e me gjerë, si dhe do të minonin të gjitha përparimet e arritura nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet vetëqeverisëse të përkohshme në Kosovë.
Shqipëria ndjek me shumë vëmendje procesin e tanishëm të Trojkës, por në pikëpamjen tonë, dhe të një shumice në rritje të vendeve anëtare të OKB-së, fundi i 120-ditëshit është edhe fundi i proceseve të angazhimit të palëve për gjetjen e një zgjidhjeje, dhe, pas kësaj, duhet të kalohet në veprime. Në tryezë kemi një produkt të balancuar, të drejtë, të qëndrueshëm të OKB-së, që është Plani Ahtisaari;
Kosova është një çështje evropiane; Ne gjykojmë se integrimi i Serbisë në BE e NATO mund të merret në konsideratë edhe në varësi të qëndrimit konstruktiv ose jo, të Beogradit në procesin mjaft të rëndësishëm rajonal, evropian e më gjerë, për percaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës;
Shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk është skenari i preferuar për Shqipërinë, por nëse kjo është e vetmja alternativë që i lihet Kosovës, rajonit e vendeve që kanë investuar kaq shumë në stabilitetin e tij, atëherë është në përgjegjësi dhe detyrim moral të hidhet hapi tjetër. Ne do të qëndrojmë afër Kosovës në përcaktimin e të ardhmes së saj jo vetëm si një detyrim kombëtar, por si të vetmin qëndrim që ndihmon Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin që, të ardhmen e brezave që do të vijnë, ta ndërtojnë larg luftrave të dhunshme etnike, nacionaliste dhe fetare, ta ndërtojnë në Evropën e lirë dhe të civilizuar.
Zotërinj ambasadorë,
Dëshiroj së fundi të ndalem në një çështje shumë të rëndësishme.
Për Shqipërinë, emigrimi mbetet ende një problem tejet i madh. Me mbi 20 për qind të popullsisë totale ose me më shumë se 30 për qind të popullsisë aktive, të larguar nga vendi në këto 17 vitet e fundit, Shqipëria përbën një rast unikal, duke u klasifikuar në grupin e vendeve me rrjedhjen më të lartë emigruese në botë. Përmasa të tilla të fluksit migrator e bëjnë, maksimalisht të domosdoshme nevojën që të gjitha institucionet shtetërore pa përjashtim, në mënyrë të veçantë Ministria e Punëve të Jashtme, Trupi ynë Diplomatik, të vihen si duhet në rolin e bashkëbiseduesit kryesor sensibilizues për institucionalizimin e mirëkuptimit dhe bashkërendimit të punëve midis komuniteteve shqiptare kudo në botë dhe shtetit të tyre. Këtë detyrë kushtetuese e përforcon dhe e bën edhe më të ngutshme Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që nënshkruam me Bashkimin Evropian.
Gjykoj që menaxhimi i fenomenit të migrimit, si një çështje madhore me rëndësi parësore edhe për diplomacinë tonë, mund e duhet të përmirësohet më tej në të ardhmen.
Nga ky këndvështrim, kërkohet një vizion më i qartë e bashkëkohor për lidhjen e ngushtë që ekziston midis procesit integrues në BE dhe emigracionit shqiptar. Ky vizion do të mënjanonte çdo lloj defekti të konstatuar deri tani në procesin e hartimit të politikave dhe përparësive në fushën e emigracionit, nëpërmjet një programi realist e të detajuar të diplomacisë sonë për përmirësimin e imazhit për Shqipërinë dhe për emigrantët shqiptarë. Përfaqësitë tona diplomatike e konsullore duhet të përballojnë më me përgjegjesi sfidën për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave demokratike të emigrantëve tanë, të shtetasve tanë, në vendet pritëse, në përputhje me detyrimet që burojnë nga ligji themelor, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Diplomacia jonë, duhet të vlerësojë gjithnjë e më objektivisht ankesat e emigrantëve tanë për vonesat e papërligjura në procesin e legalizimit të tyre, për shfaqje të një klime jofavorizuese, madje deri diskriminimi e ksenofobie, që manifestohen jo rrallë ndaj tyre në disa nga vendet pritëse; po kështu kërkohet një angazhim më i madh për t’i lehtësuar ata në procesin e globalizimit dhe për t’u integruar sa më mirë e denjësisht në tregun ndërkombëtar të punës.
Këto procese integruese, të realizuara sipas standardeve më të përparuara të BE-së, nënkuptojnë edhe një punë tuajën më aktive për integrimin social, ekonomik e kulturor të emigrantëve tanë, duke e gërshetuar këtë me ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Sigurisht, këtu nuk e kam fjalën për romantizmin e folklorizmin e dikurshëm, por që t’i kushtohet kujdesi i duhur problemeve të tilla: fëmijëve shqiptarë të mos u nxirren pengesa për mësimin plotësues në gjuhën amtare dhe të mos u mungojnë librat; të ngrihen realisht Qendrat e Kulturës Shqiptare e të mos vazhdohet me premtime boshe, siç ka ndodhur për vite me radhë; të bashkëpunohet më ngushtë me shoqatat dhe drejtuesit e tyre; të promovohen rregullisht emigrantët e sukseshëm; të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme e transparente problemi i dërgesave në para nga emigrantët, nëpërmjet bashkëpunimit të gjitha institucioneve e faktorëve që lidhen me të, për të rritur ndikimin e këtyre dërgesave në zhvillimin e vendit etj. Sa më mirë të punohet për sa më sipër, aq më normalisht do të ecet edhe për kurorëzimin me sukses të Kongresit të Diasporës, që është planifikuar të zhvillohet në Tiranë, në vitin 2009, për të cilin Instituti Kombëtar i Diasporës dhe gjithë Trupi ynë Diplomatik kanë detyra dhe përgjegjësi esenciale.
Zonja dhe zotërinj ambasadorë,
Dëshiroja të ndaja me ju, në këtë takim të parë, këto mendime, mbi sfidat e vështira që politika e jashtme e Shqipërisë e ka për mision të përballë me sukses në të ardhmen e saj, një të ardhme ambicioze dhe të denjë. Unë besoj se i gjithë Trupi Diplomatik i Shqipërisë e ka tashmë të qartë se vendi ynë i vogël nuk ka kohë të humbë në shpejtësinë e tij integruese. I gjithë trupi ynë diplomatik duhet të jetë sinonim i përgjegjësive, mishërim i interesave kombëtare, njohës shumë i thellë i historisë sonë dhe asaj botërore, vlerësues i vëmendshëm i tendencave ekonomike, i aftë të fitojë, jo vetëm garën informuese me sistemin mediatik, por dhe miqësinë e tij në ndjekjen e zhvillimeve të ditës, krijues në koncepte dhe strategji, i vendosur e i guximshëm për zgjidhje të vështira, parashikues dhe së fundi, vetëm profesionist e aspak partiak.
Jam i prirur të besoj se vetëm këto kritere i japin diplomacisë sonë një fytyrë të re për ta kthyer atë nga një nocion teoriko-mistik, në një shkencë bashkëkohore në shërbim të interesave të shtetasve shqiptarë.
Me këtë rast, ju uroj suksese në përmbushjen e misionit tuaj!

Fjala e Presidentit në konferencën me Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë

Gjenerali amerikan: Trupat ushtarake shqiptare kanë arritur nivelin e NATO-s


TIRANE - 29 tetor 2007
Në mjediset e Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar në Stërvitjen “Cooperative Lancer/Longbow 2007”. Në këtë veprimtari ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, zv.komandanti i Komponentit Tokësor i NATO-s në Heidelberg në Gjermani, gjeneral lejtnant John D. Gardner, komandanti i Forcës së Bashkuar, njëkohësisht dhe bashkëdrejtues i kësaj stërvitje gjeneral major Shpëtim Spahiu, bashkëdrejtuesi tjetër i Stërvitjes gjeneral brigade Claudio Vercelloti, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të NATO-s dhe të Forcave tona të Armatosura, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë etj. Kjo stërvitje ka filluar që me datë 9 tetor 2007 dhe është më e madhja që zhvillohet në vendin tonë në bashkëpunim me NATO-n. Në të marrin pjesë afërsisht 1100 ushtarakë nga 23 vende të NATO-s, PfP-së dhe të Dialogut të Mesdheut. Stërvitja u zhvillua në dy faza. Faza e parë ishte stërvitje e shtabit të një Brigade Shumëkombëshe dhe u zhvillua në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ndërsa faza e dytë ishte stërvitje fushore e një batalioni shumëkombësh për përfshirje në operacione paqeruajtëse, e cila për disa ditë rresht u zhvillua në rajonin e Zall-Herrit. Gjatë kësaj faze është realizuar një program që ka pasur si qëllim trajnimin, stërvitjen dhe nxitjen e ndërveprimit të forcave të PfP, NATO-s dhe vendeve të Dialogut të Mesdheut, duke përdorur standarde të NATO-s në skenarin e një operacioni reagimi në rast krizash. Disa prej detyrave themelore të kësaj stërvitjeje kishin të bënin me sigurimin e pikave kyçe, si dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurtë, duke u përqendruar në operacione kundër terrorizmit që parandalojnë destabilizimin e një rajoni. Pas një brifingu që u mbajt për qëllimin, forcat pjesëmarrëse, detyrat, angazhimin dhe arritjet e shënuara përgjatë këtyre 20 ditëve në këtë stërvitje, Dita e Vizitorëve të Shquar ka vijuar me zhvillimin e një varg demonstrimesh, nëpërmjet të cilave u kombinuan aftësitë dhe përvoja e fituar nga forcat pjesëmarrëse gjatë stërvitjes së tyre. Ndër demonstrimet më kryesore ishin ato të zhvilluara në dislokimin e kompanisë së parë me trupa shqiptare “Zemër luanët” e b.2.k të BrRSH si organizimi i ruajtjes së bazës, veprimet në pikën e kontrollit, menaxhimi i turmës etj. Më tej, kompania multinacionale demonstroi veprime në pikat e kontrollit të lëvizshëm, ndërsa në stacionin e fundit të stërvitjes trupat multinacionale demonstruan veprime luftarake në qendrat e banuara. Vlen të theksohet se, ndonëse në një terren të vështirë dhe në kushte atmosferike të vështira, trupat pjesëmarrëse në të gjithë elementët që demonstruan pasqyruan disiplinë dhe dinamizëm, shpirt sakrifice dhe profesionalizëm në lartësinë e standardeve të NATO-s. Zv.komandanti i Komponentit Tokësor i NATO-s në Heidelberg, gjeneral lejtnant John D. Gardner duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për rolin dhe profesionalizmin e shfaqur nga ushtarakët shqiptarë në këtë stërvitje, theksoi se gjatë këtyre tre jave trupat pjesëmarrëse kanë punuar shumë, ato janë stërvitur në mënyrë intensive duke përballuar më sukses jo vetëm kërkesat e larta që kishte stërvitja, por edhe vështirësitë e tjera të motit, të terrenit etj. “Ne jemi të impresionuar nga bashkëpunimi që kemi pasur me forcat shqiptare që nga fillimi dhe deri më sot, - tha ndër të tjera gjeneral Gardner, - Ky bashkëpunim ka qenë jo vetëm në planin e planizimit të përbashkët të stërvitjes, por edhe gjatë gjithë zhvillimit të saj”. “Ne jemi të impresionuar, ka vijuar më tej ai, nga shkalla e përgatitjes së oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë dhe shpreh konsideratën tim se trupat ushtarake shqiptare janë në nivelin e standardeve të NATO-s. Kjo më bën të pohoj se Shqipëria duhet të jetë krenare për Forcat e saj të Armatosura”. Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, pasi vlerësoi rëndësinë dhe arritjet e shënuara në këtë stërvitje, falenderoi Komandën e Komponeneti Tokësor në Heidelberg në Gjermani që zgjodhi Shqipërinë për zhvillimin e stërvitjes. Ai falenderoi gjithashtu të gjithë trupat pjesëmarrëse për disiplinën dhe profesionalizmin e lartë të manifestuar gjatë stërvitjes, për ndërveprimin e shkëlqyer mes tyre dhe përvojën e fituar, e cila do t’i shërbejë akoma më shumë stërvitjeve tona të përbashkëta në kuadër të NATO-s. Stërvitja e përbashkët “Cooperative Longbow/Lancer 2007” përfundon më 30 tetor 2007.

Shqipëria, gati për kontribute shtesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan


Në datën 24 tetor 2007, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të cilat marrin pjesë në Misionin ISAF në Afganistan, që u zhvillua në Noordvijk të Holandës. Ministri Mediu njohu të pranishmit me reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në prag të Samitit të NATO-s të pranverës së ardhshme në Bukuresht, ku vendi ynë pritet të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Në Samitin e Rigës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërkoi kontribute shtesë nga vendet pjesëmarrëse në Misionin ISAF në Afganistan. Shqipëria iu përgjigj menjëherë kësaj thirrje, duke dërguar një kompani shtesë nën komandën Italiane në Herat”, - theksoi Ministri Mediu. – “Aktualisht, Shqipëria është e pranishme në Afganistan me tre kontribute të rëndësishme, një togë nën Komandën Turke në Kabul, një kompani në Herat dhe ekipin e përbashkët mjekësor në kuadër të Kartës së Adriatikut, nën komandën Çeke”. Ministri Mediu, konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë për të dërguar specialistë ushtarakë në Afganistan, të cilët do të ndihmojnë në rritjen e profesionalizmit të Ushtrisë dhe Policisë Afgane. Ky është prioriteti aktual i NATO dhe ISAF lidhur me Afganistanin. “Shqipëria do të qëndrojë në Afganistan deri në përfundim të Misionit ISAF. Ky angazhim është serioz dhe i pandryshueshëm, për të ndërtuar një demokraci përmes paqes dhe stabilitetit”, theksoi Ministri Mediu. Gjatë takimit me Komandantin Suprem të Aleancës për Europën, Gjeneral John Craddock, u fol për kontributet paqeruajtëse të Shqipërisë dhe mbi çështjen e Kosovës. Gjenerali Craddock u shpreh që “NATO është e përgatitur të qëndrojë në Kosovë, të ruajë sigurinë e saj dhe të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve kosovare të sigurisë”. Ministri Mediu zhvilloi një takim dypalësh edhe me homologun e tij danez Soren Gade. Të dy ministrat shprehën nevojën e shtimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Danimarkës. Ministri danez Gade theksoi se vendi i tij mirëpret anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit me Ministrin Sllovak të Mbrojtjes Frantisek Kasicky, u rikonfirmua mbështetja e Sllovakisë për zgjerimin e Aleancës me vende të tjera. Të dy ministrat shprehën të njëjtën mendim që çdo vonesë në përcaktimin e statusit final të Kosovës, nuk sjellë asnjë të mirë për rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Presidenti i Shqipërisë merr mbështetje nga BE për thellimin e reformave


Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, shprehu mbështetjen e tij që Shqipëria të vazhdojë reformat në vend, pas një takimi me kreun e Shtetit Bamir Topi.“Shqipëria ka një perspektivë të qartë dhe ambicioze europiane me qëllimin përfundimtar, anëtarësimin në BE. Rruga e integrimit europian dihet tashmë dhe kërkon, përmbushjen e kushteve për demokracinë, shtetin ligjor, dhe standardet europiane – tha zoti Barroso. Në takim është folur gjithashtu për statusin e Kosovës. Topi ka bërë të ditur qëndrimin e Shqipërisë pro planit Ahtisaari si një mundësi e mirë për të qetësuar situatën në rajon. Ndërsa Presidenti i Komisionit Evropian Barroso ka bërë të ditur se statusi i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për Ballkanin. "Ne do të presim raportin nga sekretari i përgjithshëm dhe i inkurajojmë të gjitha palët të negociojë me një shpirt të mirë", tha ai.

Sekretari i Mbrojtjes: SHBA mbështet aspiratat e vendeve të “A3” për në NATO


Ministri shqiptar i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe homologët e tij kroat dhe maqedonas patën një takim të veçantë, në formatin US-A3, me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Robert M. Gates, i cili mori pjesë në punimet e takimit të përvitshëm të SEDM-it, që u zhvillua në Kiev të Ukrainës. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Gates vlerësoi me nota pozitive kontributin e vendeve të A3, duke theksuar se: “Për SHBA ju keni qenë aleatë të mirë”. Sekretari Gates përgëzoi ministrat e Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut për progresin e arritur në reformat në fushën e mbrojtjes. “Amerika”, - u shpreh ai, - “vazhdon të jetë mbështetëse e fuqishme e aspiratës suaj për integrim në NATO”. Si shprehje të mbështetjes për vendet e Kartës së Adriatikut, Sekretari Gates pohoi synimin e zhvillimit të një takimi US-A3 në Washington, në janar të vitit 2008. Duke folur në këtë takim të rëndësishëm me Sekretarin Gates, Ministri Mediu bëri një ekspoze të reformave që janë ndërmarrë dhe po intensifikohen për integrimin euroatalantik të vendit tonë, sidomos për progresin e bërë në reformimin e Forcave të Armatosura, përkushtimin tonë për të vazhduar misionin në Irak, përpjekjet për të arritur 8 % të komponentit tokësor të dislokueshëm në dispozicion të NATO-s dhe 40% gati për rotacion etj. Në këtë kontekst, Sekretari Gates u shpreh se do të ishte i kënaqur nëse do të shihte tek aleatët e tjerë të NATO-s gatishmërinë për të kontribuar në Irak dhe Afganistan, siç e sheh tek vendet e Kartës së Adriatikut. Lidhur me çështjen e Kosovës, Sekretari për Mbrojtjen Gates në fjalën që mbajti në takimin e SEDM-it, u shpreh që “po i japim shansin e duhur bisedimeve për konsensus, por më 10 dhjetor NATO, BE dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare duhet të jenë të përgatitur për hapin tjetër. Dhe ai do të jetë zbatimi i planit të Ahtisaarit”. Në ditën e dytë të takimit të SEDM-it Ministri Mediu u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë Vecdi Gonul, ku u fol për marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona , anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe mbështetjen në këtë proces nga Turqia, situatën në Irak si dhe mbi të ardhmen e Kosovës. Gjithashtu Ministri Mediu me datë 22 tetor u takua me Ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Dragan Sutanovac. Ministri Mediu rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e Planit Ahtisaari mbi të ardhmen e Kosovës së pavarur. Ministri Serb Sutanovac deklaroi se: “Bashkëpunimi me KFOR-in ka qenë shumë i mirë dhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë të kemi të njëjtin bashkëpunim të mirë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në Kosovë. Serbia nuk ka asnjë qëllim për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë”. Gjatë takimit të SEDM-it në Kiev, Ministri Mediu pati një takim edhe me komandantin e Komandës së NATO-s në Napoli , Admiralin Ulrich, me të cilin diskutoi për reformimin e Forcave tona të Armatosura, për pjesëmarrjen e e tyre në operacionet e NATO-s në rajon e më gjerë.

Fillimi i besimit të BE-së ndaj kapaciteteve menaxhuese të Shqipërisë


Ani Ruci/ TIRANE
Kohët e fundit BE decentralizoi menaxhimin e mbeshtetjes financiare per vendet kandidate për anëtarësim. 220 milionë eurot e Brukselit për Shqipërinë do të menaxhohen nga vetë autoritetet e saj. Një instrument i unifikuar i BE për vendet kandidate dhe kandidatë potenciale „Ndihma para anëtarësimit“ bën të mundur që edhe Shqipëria, të përfitojë prej tij: një mbështetje financiare prej 220 milionë eurosh për periudhën 2007- 2009. Kjo ndihmë financiare shënon fillimin e besimit të BE tek aftësitë menaxhuese te aktorëve vendas. Ndryshe nga deri më sot kur ato janë menaxhuar nga vetë BE përmes agjensive të tij, kësaj here do të jenë autoritetet kombëtare ato që do të mbulojnë gjithë hallkat e përdorimit të ndihmës financiare të BE. Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan e quajti këtë risi „decentralizim të menaxhimit“. Duke dhënë disa hollësi gjatë nënshkrimit të marrveshjes në Tiranë Lohan tha se“ kjo do të thotë që vetë autoritetet shqiptare janë përgjegjese për programimin prokurimet dhe përdorimin e kësaj shume.“ Por marrëveshja parashikon rregulla të përcaktuara mirë, të detyrueshme për t´u zbatuar nga gjithe aktorët lokalë që do të merren me menaxhimin e 220 milion eurove. Instrumenti i ri i Parazgjerimit, i BE, (IPA) nuk është asgjë tjetër veçse vazhdimi i Programit CARDS. Ai synon të forcojë kapacitetet e vendeve kandidate apo të kandidateve potenciale siç është rasti i Shqipërisë për të zbatuar bazën ligjore të BE.
Si do të përdoren fondet? Gjatë dy muajve që kanë mbetur nga 2007 do të përdoren vetëm 54.3 milionë euro, Kjo shumë do të mbështesë projekte të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve, ngritjen e qendrave të paraburgimit, forcimin e ndërmarjeve të vogla dhe të mesme, pjesëmarrjen në programet e BE me shumë përfitues si Tempus, Erasmus Mundus. Pjesa tjeter prej 185,7 milion eurosh do të përdoret deri në vitin 2009 për përafrimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE, forcimin e institucioneve demokratike dhe vendosjes së shtetit ligjor, reformën në administratën publike, reformën ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve, zhvillimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin rajonal, mbështetjen e zhvillimit dhe zbutjen e varfërisë. Marrëveshja e sapo nenshkruar shihet në Shqipëri si një ngjarje e shënuar, që mbyll një etapë dhe hap një tjetër në marrëdhëniet e Tiranës me Brukselin: atë të besimit të BE në kapacitete menaxhusese vendase. Rritja e këtyre kapaciteteve duket se ecën në të njëjtin kah me rritjen e përqindjes së popullsisë pro anëtarësimit. Në bazë të një sondazhi të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombetare, të publikuar sot në Tiranë, shqiptaret dëshirojnë integrimin europian më shumë se të gjitha vendet e tjera kandidate. 92.5 për qind e të intervistuarve ne rastin e nje referendumi, do të votonin në favor të anëtarësimit të vendit në BE dhe vetëm 1,5 % rezultojnë kundër. Marrë nga Deutsche Welle (shqip)

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, çfarë do të ndodhë në Bukuresht 2008?!


Trazhgim Sokolaj/ TIRANE

Kryeministri Sali Berisha në mënyrë të përsëritur dhe figurative është shprehur kohët e fundit se Shqipëria ndodhet në kilometrin e fundit të rrugës së anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut Verior, NATO. Kreu i Qeverisë shqiptare thotë më tej se hyrja në NATO është prioritet dhe qëllim kryesor i ekzekutivit shqiptar teksa i referohet Samitit të pritshëm të Bukureshtit, ku vendet anëtare të NATO-s pritet të marrin një vendim rreth anëtarësimit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë dhe Maqedoninë, si vende anëtare të kartës “Adriatik 3”.

Presidenti i vendit Bamir Topi i cili pak ditë më parë zhvilloi takime në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel si dhe me vetë Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jap de Hoop Schefer, e cilësoi si shumë të rëndësishëm procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu duket se është aktiv në këtë drejtim. Gjithçka lidhet me anëtarësimin e vendit në NATO por edhe me marëdhëniet me vendet e “A3” duket se është në vëmendjen e Ministrit shqiptar të Mbrojtjes, i cili tashmë i ka sqaruar për të gjithë të mirat që i sjell vendit anëtarësimi në Organizatën e Atlantikut të Veriut.

Por çfarë do të ndodhë? Çfarë ka bërë dhe nuk ka bërë Shqipëria për të merituar ose për të mos merituan ftesën në Bukuresht në prillin e vitit 2008?

Nëse i referohemi deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, pas takimit që ai zhvilloi me Presidentin Topi, është e qartë se mendimi i tanishëm i krijuar rreth Shqipërisë nuk parashikon përgatitjen e ndonjë ftese apo siç u cilësua “bilete” për në NATO. Dhe kjo deklaratë në fakt nuk duhet të kuptohet keq, pasi në të vërtetë filozofia e anëtarësimit në NATO, parashikon që vendet aspirante të monitorohen me kujdes deri në momentin e fundit.

Sekretari i Përgjithshëm Schefer tha se anëtarësimi i Shqipërisë varet shumë nga dy elementë, stabiliteti politik dhe reforma në drejtësi. Pikërisht këtij momenti mendoj se duhet ti kushtohet rëndësi referuar asaj që po ndodh në Tiranë. Politika shqiptare në fakt, duket se i ka kthyer në prioritet dhe tema të ditës dy argumentet e përmendura nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Çështja është si po punohet në këto dy drejtime. Maxhoranca duket e interesuar deri në fund për reformë në drejtësi, ndërsa opozita kërkon që reforma të mos lidhet me emrin e Kryeprokurorit Sollaku, i cili po hyn në vitin e dytë të konfliktit të hapur me Qeverinë dhe anëtarët e ekzekutivit. Të djathtët e argumentojnë këtë qëndrim të opozitës me faktin se ish-qeveritarët që kanë kryer abuzime kanë një garanci tek Sollaku. Nga ana tjetër të majtët, konsiderojnë se tentativat dhe sulmet për largimin e Sollakut jo vetëm që janë pa argumente por edhe nuk kanë të bëjnë shumë me vetë Kryeprokurorin sesa me përpjekjen e Qeverisë për të futur nën ndikimin e saj organin e akuzës. Stabiliteti politik në Shqipëri duket lehtësisht i ndikueshëm nga humori i liderëve apo politikanëve të ndryshëm. Në fakt këtë vit përplasjet në Parlament kanë munguar. Edhe komunikimi dhe dialogu politik duket se është maturuar. Por çfarë do të ndodhë? Askush nuk e di! Është e qartë se vendimi për Shqipërinë do të merret nga vendet anëtare të NATO-s në momentin fundit. Deri atëherë do të ketë kohë të mjaftueshme për të parë ecurinë dhe legjitimitetin e reformës në drejtësi por edhe garancitë dhe qëndrueshmërinë e stabilitetit politik.

Kryeministri i Shqipërisë: Po përpiqemi intensivisht për anëtarësimin në NATO


TIRANE - Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e 12-të të Këshillit të Atlantikut për Shqipërinë, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave në vend dhe rezultateve konkrete dhe të prekshme të tyre. Kryeministri u ndal në rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, në reformën në administratë, reformën në fushën ekonomike, lehtësitë e krijuara për biznesin dhe investimet dhe shmangien e procedurave burokratike, dixhitalizimin e shërbimeve kryesore, reformën në fushën ushtarake, zhvillimin e turizmit, etj. Kryeministri tha se përpjekjet dhe rezultatet e qeverisë në këto dy vjet, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve kanë qenë thelbësore. “Në dy vjet, Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë dhe kjo është arritur me një punë të jashtëzakonshme, duke aplikuar zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”, vijoi Kryeministri. Ai theksoi se organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri ia kanë dalë të çmontojnë mbi 204 grupe dhe organizata kriminale të vendit, 850 anëtarë dhe drejtues të tyre janë vendosur para ligjit, ndërkohë janë vendosur para ligjit mbi 1200 të tjerë, të cilët ishin persona në kërkim. “Ka një rënie dramatike të trafiqeve dhe këtë nuk e tregojnë vetëm statistikat tona, por këtë gjë e tregojnë statistikat e Italisë, bregut përkarshi, të cilat këtë vit janë tërësisht ndryshe dhe tregojnë një rënie shumë të madhe”, u shpreh kryeministri. Në këtë rënie të trafiqeve, shtoi ai, një ndihmesë të madhe ka dhënë ligji i ndalimit të skafeve në ujërat tona territoriale. Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë çdo marrëveshje me qeveritë e vendeve të tjera për të adaptuar në Shqipëri dhe kudo, “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar. Duke u ndalur në luftën kundër korrupsionit, Kryeministri tha se në një hark kohor të shkurtër ka rezultate konkrete inkurajuese, duke permendur ketu shkurtimin e shpenzimeve operative në administratë me 40 për qind, shkurtimin e administratën qendrore me 25 për qind dhe punonjësit e saj me 30 për qind, ulja e kostos së prokurimeve publike me 23 për qind, nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, duke ligjëruar se cilido që gjendet në administratë në konflikt interesi, largohet prej saj. Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria ka realizuar dixhitalizimin e një seri procedurash dhe po privatizon një sërë shërbimesh të tjera. Kryeministri tha se për dy vjet me radhë parlamenti shqiptar ka votuar në muajin qershor një buxhet të dytë suplementar, rreth 24 për qind të buxhetit vjetor, ndërkohë që të ardhurat në buxhetin e shtetit për këtë vit janë 27 për qind, krahasuar me 22 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto që ishin në vitin 2005. “Ne ia kemi dalë të rrisim të ardhurat me 1.2 miliardë dollarë në buxhetin tonë”, tha Kryeministri. Kryeministri siguroi se në drejtim të luftës kundër korrupsionit, ligji nuk do të kursejë asnjë njeri që do të mund të përdorë paratë publike për qëllimet e veta. Me gjithë vështirësitë e njohura që janë hasur, tha kryeministri, janë vendosur para ligjit rreth 50 zyrtarë nga të gjitha nivelet. “Demokracia dhe varfëria nuk ecin njëra me tjetrën. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, të jashtëzakonshme, potenciale të mëdha njerëzore, burime të mëdha natyrore, e megjithatë ajo renditej poshtë në nivelin e tërheqjes së investimeve të huaja. Korrupsioni, krimi i organizuar, burokracia, mungesa e transparencës, të gjitha këto kishin bërë që Shqipëria, ky vend me potenciale shumë të mëdha, të humbasë interesin e biznesit ndërkombëtar”, vijoi Kryeministri. Duke iu referuar nismave të marra për nxitjen e investimeve në vend, Kryeministri theksoi se objektivi më ambicioz i qeverisë ishte të shndërronte Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja dhe kjo është bërë këtë atëherë kur ky objektiv dukej shumë i largët. Krahas luftës kundër krimit e korrupsionit, Kyeministri tha se është bërë një punë shumë serioze në zvogëlimin e barrës burokratike për biznesin. Nëse dy vjet më parë koha e regjistrimit të një biznesi ishte 42 ditë, sot një biznes regjistrohet brenda një ore në “One Stop Shop”. Së shpejti, nis punën nisma “One Stop Shop” edhe për licencat dhe lejet. Një javë më parë, u inaugurua taksa on-line dhe kjo do të jetë edhe për doganat. Shqipëria ka inauguruar dhe së shpejti e instalon përfundimisht prokurimin elektronik, si formën më transparente të prokurimit. Tashmë, Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, vendi me koston e prodhimit më të lirë në Evropë, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se këto dy objektiva janë realizuar plotësisht. Për sa i përket zhvillimit të turizmit, Kryeministri tha se në dy vite Shqipëria ka pasur një bum të madh turistik dhe në këto dy vite turizmi është rritur me 70 për qind. Nga ana tjetër, Kryeministri vuri në dukje se nuk është regjistruar në regjistrat e policisë shqiptare as edhe incidenti më i vogël, qoftë edhe ndaj një turisti të vetëm. Kryeministri u ndal edhe në përpjekjet e qeverisë për krijimin e zonave industriale dhe të parqeve Industriale, ndërsa theksoi se ligji i ri mbi Partneritetin Publik Privat, në disa sektorë, ka një funksionim të shkëlqyer, ndërsa ligji i ri për prokurimet publike i ka bërë ato më transparente. Duke renditur rezultatet e këtyre reformave dhe treguesit e ekonomisë shqiptare, kryeministri tha se ka 28 për qind rritje të eksporteve, ka 22 për qind rritje të indeksit të shitjes, ka 25 për qind rritje të depozitave bankare, ka pothuaj dyfishim të kreditit bankar për ekonominë dhe ka një fluks të panjohur më parë të kompanive të mëdha. Kompani të mëdha nga vendet të huaja, nga Norvegjia në Qipro, ndodhen në Shqipëri, të cilat marrin pjesë me investime në punët publike apo private. Kompani shumë të mëdha janë vendosur në tregjet bankare dhe financiare, të tjera në fushën e energjetikës, në turizë, në çimento. Kryeministri iu referuar shkrimit të një gazete të njohur të Londrës, “Observer”, e cila disa ditë më parë shkruante se Shqipëria është një nga 20 vendet më të përshtatshme për investime dhe për investitorët vendas dhe të huaj dhe siguroi se ambicia e qeverisë mbetet që të konsiderojë këto që janë arritur vetëm si hapat e parë. “Ne mbetemi të vendosur që ta shndërrojmë vërtetë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Ne jemi shumë të inkurajuar për këto rezultate, por absolutisht ato janë thjesht një stacion për të arritur rezultate të tjera”, tha Kryeministri. Për sa i përket reformës në fushën ushtarake, Kryeministri Berisha nënvizoi se ushtria shqiptare është një nga institucionet më të reformuara të këtij vendi, me një ushtri të vogël, profesionale, të mirë trajnuar. Njësitë tona janë shndërruar në përfaqësues të shkëlqyer të vendit dhe të kombit tonë në misionin që kryejnë në Bosnje, në Afganistan, në Irak.“Nga Bukureshti na ndajnë 4 muaj, disa e quajnë 100 metërshi i fundit, disa të tjerë 400 metërshi, por unë e quaj kilometri i fundit. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje me reformat në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake, reformën zgjedhore, reformën në sistemin e drejtësisë dhe reforma të tjera. Jemi të vendosur të aftësojmë çdo ditë e më shumë njësitë tona ushtarake, në mënyrë që këtë kilometër ta përshkojmë ashtu siç kërkohet nga Aleanca e Atlantikut për të arritur kriteret dhe standardet e saj dhe të meritojmë ftesën”, tha Kryeministri Berisha.

Schefer: Anëtarësimi në NATO varet nga reforma në drejtësi dhe stabiliteti politik

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi zhvilloi sot një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Schefer. Kreu i shtetit shqiptar ndodhet për vizitë pune në Shtabin e Përgjithshëm të Organizatës së Atlantikut Verior. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Schefer tha se ftesat për anëtarësim në NATO bazohen në ecurinë e reformave të shteteve kandidate.
“Rëndësi të veçantë paraqesin reforma në drejtësi dhe klima e qetë politike”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm Schefer pas takimit me Presidentin e Shqipërisë. Kreu i Organizatës së Atlantikut Verior, bëri thirrje që shumica dhe pakica politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

FJALA E PRESIDENTIT TOPI në Institutin Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, EGMONT


Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jam shumë i nderuar që ndodhem sot në foltoren e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve më Jashtë, EGMONT sepse e konsideroj këtë vend si një tribunë të demokracisë, të fjalës së lirë, si një hapësirë nga ku lindin, shkëmbehen dhe shpërndahen ide, mendime, opinione për çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e shteteve, kombeve dhe njerëzimit.
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj!
Zonja dhe zotërinj,
Jam sot në Bruksel, me cilësinë e Presidentit të Shqipërisë, në viziten time të parë jashtë vendit tim, për të sjellë në këtë kryeqytet të Evropës përgjegjësinë, mesazhin, vullnetin e sinqertë dhe aspiratën historike të popullit tim për t’u bërë pjesë e pandarë e familjes euroatlantike, si dhe një pasqyrë të kontributit tonë modest në përballjen e sfidave globale të politikës së sotme ndërkombëtare.
Këtë përgjegjësi, të nderuar pjesëmarrës, do ta ndaj së pari nesër me përfaqësuesin më të lartë të NATO-s, Sekretarin e Përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer dhe të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe, javën që vjen, me Presidentin e Komisionit Evropian, Manuel Barroso, me Komisionerin për Zgjerimin, Olli Rehn dhe në pritje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, të cilët kanë qenë jo vetëm nxitësit, por edhe këshilltarët më të mirë dhe të sinqertë të Shqipërisë në sfidën e saj historike integruese. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë publikisht!
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian (BE) mbeten dy përparësitë kombëtare për popullin shqiptar.
Shqipëria po përjeton sot një nga transformimet më të mëdha në historinë e saj.
Ky vend, i cili feston këtë vit 95- vjetorin e krijimit të shtetit të pavarur, ka kaluar më shumë se gjysmën e moshës së tij nën diktaturën më të ashpër të kohëve moderne, ku NATO ishte armiku i betuar, ku demokracia, liria e individit dhe e fjalës ishin të dhunuara, ku bota perëndimore ishte shumë e largët në horizont, ku izolimi kishte mbuluar çdo rreze drite, por shpresa për një të ardhme më të mirë qëndronte e fshehur në shpirtin shqiptar.
Rrëzimi i Murit të Berlinit, përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe ndryshimet demokratike që pësoi Shqipëria i dhanë asaj rilindjen e shpresës së fshehur historike, evropiane. Shqipëria ishte vendi i parё, nga ato tё ish bllokut komunist, qё nënshkroi Dokumentin Themelor të PfP, mё 23 shkurt 1994 dhe qё kёrkoi zyrtarisht anëtarёsimin nё NATO.
Sot 94% e shqiptarëve mbështesin integrimin euroatlantik të vendit të tyre. Kjo është prova e pakundërshtueshme që integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbeten përparësi kombëtare të të gjitha forcave politike dhe qeverive shqiptare.
Vij këtu sot, të dashur miq, si Presidenti i Shqipërisë i zgjedhur në linjë kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky veprim tregoi maturinë e klasës politike parlamentare e cila, jo vetëm e ktheu procesin e vështirë të zgjedhjes së Presidentit në rrugën e vet kushtetuese dhe ndaloi një nga krizat më të thella politike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë që mund të kalonte ky vend pas asaj të vitit 1997, por e zgjidhi këtë situatë pa nevojën e ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Në fjalën time të betimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 20 korrik 2007, unë premtova se do të jem një President mbi palët dhe mes palëve gjatë ushtrimit të misionit tim, konform Kushtetutës së Shqipërisë.
Gjykoj sot se debati politik në Shqipëri është në nivelin e një debati pluralist në Kuvendin e Shqipërisë, në media dhe në publik, në funksion të shprehjes së ideve dhe alternativave mbi çështje dhe probleme, të brendshme apo të jashtme, të cilat shqetësojnë shoqërinë shqiptare në funksion të programeve politike të secilës parti.
Që në fillim, në takimet e organizuara me kryetarët e partive parlamentare gjeta dëshirën dhe vullnetin për të përshpejtuar reformën në sistemin e drejtësisë, reformën zgjedhore, për të nxitur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si rruga e vetme për vendosjen e një demokracie të shëndoshë e funksionale dhe forcimin e shtetit ligjor.
Në tryezën e partive politike parlamentare mbi reformën në sitemin e drejtësisë të organizuar nga Presidenti i Republikës, më 17 shtator 2007, u nënvizua domosdoshmëria e krijimit të një drejtësie të pavaruar dhe larg influencave e mbështetjeve politike dhe u vendos njëzëri krijimi i një komisioni të posaçëm parlamentar i mbështetur nga një komision tjetër me ekspertë të fushës, vendas dhe të huaj. Përshëndes sot, mbledhjen disa ditë më parë, të komisionit parlamentar dhe përgjegjësinë, me të cilën u diskutua në të!
I përgjegjshëm se kjo klimë pozitive politike dhe debati midis pozitës dhe opozitës ka nevojë për frymëmarrje dhe mirëkuptim social e kam shtrirë këtë debat të rëndësishëm, jo vetëm në nivelin e pushtetit lokal, por edhe në Organizatat Jofitimprurëse (OJF) dhe mediat ku kam gjetur mbështetje, përgjegjësi dhe angazhim.
Kam bindjen se edhe komisioni bipartizan parlamentar i 31 majit 2007, për plotësimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve mbi reformimin e sistemit zgjedhor në një proces konform normave të një shteti demokratik, krahas të tjerave, tregon një përgjëgjesi, vullnet dhe emancipim të përbashkët (pozitë-opozitë) politik në Shqipëri.
Ecuria e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike me konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike dhe të mbarë shoqërisë shqiptare është kthyer në një projekt madhor, gjithëpërfshirës, me rëndësi strategjike për kombin dhe shtetin shqiptar, një aspiratë që tejkalon çdo barrierë ideologjike apo çdo interes individual të formacioneve të ndryshme politike. Unë shpreh bindjen se qeveria dhe opozita janë të sinqerta dhe të gatshme të bashkëpunojnë, në mënyrë konstruktive, për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.
Në një vlerësim sintetik, ekonomia e Shqipërisë, megjithëse është duke e përballuar pasojat e krizës energjetike, karakterizohet nga një situatë e qëndrueshme makroekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) ka pësuar rritje vjetore 6%, me një inflacion të kontrolluar në kuotën 2,4 % dhe me një deficit të brendshëm buxhetor prej 2.6%. Eksportet shqiptare janë rritur në 28% gjatë vitit 2007. Investimet e huaja direkte (FDI) janë tre herë më të larta se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe kreditimi i bankave në ekonomi është rritur në rreth 30% të GDP nga 70% shkojnë drejt kreditimit të biznesit privat. Shqipëria po vendoset në fokus të interesit të investitorëve të fuqishëm të huaj duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si ato të energjisë, minierave, bankave tregëtare, turizmit dhe infrastrukturës. Reforma fiskale e këtij viti, me taksën e sheshtë prej 10% më të ulët nga të gjitha vendet e Evropës, si dhe krijimi i agjensisë së regjistrimit të bisnesit vendas në sistemin One-stop-shop gjykoj që krijojnë terren për tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbështetje për bizneset vendas. Kjo klimë pozitive dha një sezon të suksesshëm turistik për Shqipërinë, me një rritje të numrit të turistëve në 70%, në krahasim me vitin e kaluar.
Vlerësimi i progresit në fushat e mësipërme, si dhe synimi për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, i hapën rrugën nënshkrimit, vitin e kaluar, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, si dhe, pak kohë më parë, të Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave me BE-në. Nënshkrimi i MSA-së është një nga arritjet më të rëndësishme për progresin dhe afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria ka siguruar një dokument substancial ku do të mbështetet në të ardhmen e afërt për të kryer reformat komplekse, që do e afrojnë jo vetëm me BE-në, por njëkohësisht dhe më shpejt me NATO–n.
Reforma në Forcat e Armatosura
Qëllimi ynë është krijimi i një force të armatosur nëpërmjet identifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të specializuara (Niche capabilities), për t’u përshtatur me nevojën e NATO-s për forca të specializuara.

Ndihem krenar teksa deklaroj se Shqipëria, në sajë të programit Nun-Lugar, ka eliminuar me sukses të gjitha armët kimike, duke u bërë vendi i parë në botë pa materiale dhe arme kimike. Shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Zvicrës, të cilat kanë dhënë një mbështetje teknike dhe financiare të çmueshme për të kryer këtë objektiv mjaft të rëndësishëm.
Kujdes i veçantë i është kushtuar aftësive të ardhshme operacionale (veprimeve strategjike) sipas rekomandimeve që dolën nga Samiti i Rigës.
Më duhet të nënvizoj që, së fundi u miratua buxheti i mbrojtjes prej 2% të GDP në 2008, dy vjet para afatit të përcaktuar, ndërsa transformimi i ushtrisë në një ushtri tërësisht profesionale, do të plotësohet në vitin 2010, në vend të vitit 2013 që ishte planifikuar më parë.

Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e deputetëve të nderuar në delegacion, dëshiroj të përmend rëndësinë që po merr kontrolli parlamentar mbi ecurinë e procesit për anëtarësimin e vendit në NATO. Kuvendi i SHqipërisë po luan një rol gjithnjë e më thelbësor në monitorimin e zbatimit të programeve dhe reformave të domosdoshme për standardet euroatlantike. Pjesë e këtij angazhimi parlamentar është dhe krijimi i komisionit të përkohshëm bipartizan për promovimin e reformave përkatëse legjislative për integrim në NATO.
Bashkëpunimi me Aleancën e Atlantikut të Veriut
Gjatë 15 vjetëve, vendi ka pasur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vënë në dispozicion të saj portet, aeroportet, territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Gjatë këtij procesi bashkëpunimi, ne shpesh kemi vepruar si anëtarë de facto të Aleancës. Në këtë frymë do të vijojmë dhe pas anëtarësimit de jure në të.
Transparenca dhe konstruktiviteti kanë qenë tipar themelor i këtij bashkëpunimi Shqipëri – NATO, tipar që u përsos dhe u pasurua më tej, pas Samitit të Uashingtonit, me krijimin e procesit të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP). Shqipëria e konsideron procesin e MAP-it si mekanizmi kryesor për vlerësimin e kandidaturave, i mbështetur në performancën individuale të çdo vendi. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj vendet tuaja për mesazhet tepër inkurajuese dhe mbështetjen ndaj aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO, në takimin që hapi ciklin e 9-të të MAP-it për vendin tim, datë 25 shtator 2007! Unë jam i bindur se vizioni perëndimor i veprimit dhe reformave, përqafuar tashmë nga politika dhe mbarë shoqëria shqiptare, si dhe ristrukturimi dhe modernizimi i Forcave tona të Armatosura, na bëjnë gjithnjë e më shumë pjesë të vlerave themelore, mbi të cilat mbështeten strukturat euroatlantike.
Mbështetja e gjerë popullore që gëzon anëtarësimi i vendit tonë në NATO, është një tjetër shtysë, që politika në vend duhet të jetë totalisht e angazhuar, në mënyrë që, në Samitin e Bukureshtit, pritshmëria e njerëzve të bëhet një realitet.
Lufta kundër terrorizmit dhe operacionet paqeruajtëse
Më lejoni të ritheksoj se ngjarjet tronditëse të 11 shtatorit nuk globalizuan fenomenin e terrorizmit, ato globalizuan luftën kundër tij. Këto ngjarje gjeneruan, ndër të tjera, jo vetëm solidaritetin e njerëzve me njerëzit (people to people solidarity), por dhe koalicionin më të gjerë të organizatave dhe shteteve në të dy anët e Atlantikut, pavarësisht madhësisë dhe fuqisë specifike reaguese të gjithësecilit. Në këtë kuadër, dëshiroj të përmend kontributin e Shqipërisë në të dy planet: në planin e përbashkët dhe atë individual. Shqipëria, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, kanë dërguar Skuadrën e Përbashkët Mjekësore në Afganistan.

Vendi im është një nga pjesëmarrësit aktivë në Operacionin “Iraku i Lirë”, me një kontingjent prej 120 trupash komando, si dhe në Operacionin ISAF të udhëhequr nga NATO me një kontingjent prej 135 vetësh.

Një tjetër kontribut, prej 70 vetash, Shqipëria jep në operacionin ALTHEA të udhëhequr nga BE.
Hartimi i legjislacionit përkatës, ngrirja e pasurive të personave të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste, si dhe dëbimi nga vendi i personave të dyshuar, që kanë lidhje me to, janë ndër masat konkrete që janë marrë brenda vendit për të kontribuar në këtë luftë.

Politika e jashtme rajonale e Shqipërisë
Politika e jashtme e Shqipërisë është, me të drejtë, një nga arritjet e saj të viteve të transformimit, sidomos në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. Në shërbim dhe në përmbushje të detyrimeve që vendi im ka në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Evropian e në NATO të harmonizuara me interesat kombëtare Shqipëria ka dhënë shembullin e një politike për forcimin e paqes, të stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon, duke nxitur një klime besimi reciprok nëpërmjet zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, politike e kulturore me të gjitha vendet e rajonit.
Më vjen mirë të përmend se prej vitesh, politika e jashtme e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj këtij vlerësimi dhe ka përforcuar filozofinë perëndimore për bashkëpunim, stabilitet dhe përparim. Ajo e sheh këtë filozofi si një shtysë edhe më të madhe në afrimin më të shpejtë të anëtarësimit të saj euroatlantik.
Në kuadër të veprimtarive të NATO-s, si dhe të nismave dhe organizatave të tjera rajonale, Shqipëria ka zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët në shumë çështje me interes të përbashkët, si: lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe drogave, manaxhimi i integruar dhe siguria e kufijve, krijimi i masave të besimit reciprok, shkëmbimet tregtare dhe ekonomike.
Karta e Partneritetit A-3 që kemi me Kroacinë dhe Maqedoninë, është pjesë domethënëse e një mentaliteti krejtësisht ndryshe tashmë në Ballkan.
Bashkëpunimi i frytshëm që ne kemi vendosur ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e besimit reciprok ndërmjet tre vendeve tona. Ndarja e vlerave dhe qëllimeve të njëjta i kanë dhënë këtij procesi bashkëpunimi rëndësinë e një çasti historik, të nevojshëm për stabilitetin e rajonit, në një kohë, që ndryshime të rëndësishme e presin atë.

Shqipëria është kthyer tashmë nga një vend konsumator i sigurisë, në një vend që prodhon siguri rajonale edhe globale. Ai është shembulli një vendi, që nuk ka asnjë çështje apo problem të hapur me ndonjë vend tjetër për t’u zgjidhur drejtpërdrejt apo nëpërmjet një arbitrazhi a palë të tretë, e cila do të cënonte sigurinë, paqen, apo procesin integrues të vetin edhe të rajonit.
Duke besuar se edhe ju çështjen e Kosovës e konsideroni të rëndësishme si në planin rajonal, ashtu edhe në atë evropian, por edhe më gjerë, më lejoni të ndalem duke shprehur pikëpamjen time:
Unë mendoj se çështja e Kosovës është çështje që duhet të gjejë sa më parë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë duke garantuar jo vetëm tërësinë tokësore të Kosovës, por edhe integritetin funksional të institucioneve të saj në të gjitha planet. Ajo nuk mund të mbetet peng i një statusi të papërcaktuar, as i statuquo-së së përjetshme dhe as pjesë e papërfunduar e një procesi demokratik të domosdoshëm, të nisur nga NATO-ja dhe BE-ja që në vitin 1999. Kosova nuk mund të bëhet shembulli evropian i dështimit të proceseve të zbatimit dhe shtrirjes së sigurisë, ashtu edhe precedenti i mungesës së një qëndrimi të unifikuar të politikës së jashtme të BE-së.
Gjykoj në të kundërtën se Kosova mund të bëhet shembulli më i mirë i zbatimit të sigurisë dhe demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe të shtetit të së drejtës nën veprimin e përbashkët të të gjithë faktorëve ndërkombëtarë, OKB-së, NATO-s, BE-së, Grupit të Kontaktit, Trojkës dhe SHBA-së, të cilët kanë investuar kohë, energji dhe burime njerëzore në këtë proces.
Së bashku me shpresën, më lejoni të ndaj edhe shqetësimin se ndërlikimet e padëshirueshme dhe të pajustifikueshme në procesin e përcaktimit të statusit do të kishin një ndikim negativ me kosto të lartë politike dhe ekonomike për Kosovën, Ballkanin e më gjerë, si dhe do të minonin të gjitha përparimet e arritura nga Kombet e Bashkuara dhe institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme në Kosovë.
Jam shumë i motivuar të nënvizoj këtu dhe të përshëndes të gjithë përgjegjësinë dhe pjekurinë politike të autoriteteve të Kosovës që në fillimet e procesit dhe, njëkohësisht, të shpreh keqardhjen për veprimet refuzuese, paragjykuese dhe mohuese të Beogradit ndaj të gjithë hallkave apo nismave të ndërmarra në mënyrë të sinqertë nga të mandatuarit e partnerëve ndërkombëtarë.
Unë jam i nxitur të vlerësoj në mënyrë optimiste çdo çast të kohës 120-ditore, i cili do t’i vlente përfundimit të një marrëveshjeje mes palëve në bisedime, por në të njëjtën kohë, optimizmi im bëhet më pragmatik kur shikoj se me kalimin e kohës, shtrihet bindja se programi më evropian, më integrues dhe më i plotë, për momentin, për të ndërtuar një shtet ku demokracia dhe të drejtat e njeriut e ato të minoriteteve, konsiderohen vlera sociale të garantuara me ligj, mbetet Plani i Presidenit Ahtisari.
Kam bindjen se zbatimi sa më parë i këtij plani do të ishte hapi më i madh historik jo vetëm për Kosovën dhe për Serbinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Shpresoj se të gjithë popujt e Ballkanit e shikojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në NATO dhe BE dhe jo peng të konflikteve të dhunshme historike, etnike, fetare, nacionaliste dhe dhimbjeve të tyre të shkaktuara nga këto konflikte. Kjo kërkon të dish të falësh. Më duket se shqiptarët e Kosovës e kanë bërë këtë veprim.
Mendoj, së fundmi, se integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, ashtu si dhe integrimi i rajonit, në perspektive do të konsiderohej si një sukses i rëndësishëm i arritur në kontinentin evropian me shmangien e luftërave dhe shndërrimin demokratik të shoqërive diktatoriale të Luftës së Ftohtë. Siguria e shoqërive do të jetë e konsoliduar, qytetarët, me rënien e komunizmit dhe zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, do ndihen më të sigurt dhe më të përgatitur për sfidat dhe rreziqet e tjera rajonale dhe globale që kanosin sigurinë e tyre.
Zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të krijonte, në planin gjeostrategjik, një NATO me karakter Adriatiko-Jonian, dhe mbylljen e plotë të gjirit të rëndësishëm që laget nga këto dete, lidhjen pa pengesa me detin e Mesdheut, duke zgjeruar e forcuar perimetrin e zonës së stabilitetit edhe në këtë rajon të rëndësishëm e të pasur, si dhe duke i dhënë sigurisë globale një dimension të rëndësishëm mesdhetar.
Një Ballkan në NATO do të thotë që këto vende të bëhen më tërheqëse për investime direkte, më të suksesshme në përdorimin e burimeve të tyre njerëzore, natyrore dhe turistike, më të afta për të ndërtuar vlera evropiane dhe më të sigurta për qytetarët e tyre. Ndoshta në fjalën time nuk kam mundur të plotësoj interesimin tuaj të plotë mbi zhvillimet dhe rolin e vendit tim në rajon, ndaj mbetem i hapur për çështjet që dëshironi të ngrini.
Falemnderit!

Presidenti i Shqipërisë zhvillon vizitë zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel


18 tetor, 2007
Presidenti i Republikës, Bamir Topi filloi vizitën zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), në Bruksel (Belgjikë). Në këtë vizitë të tij, Kryetari i Shtetit shoqërohet nga z. Fatos Beja dhe z. Ylli Bufi, Nënkryetarë të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i Republikës mbajti një fjalë në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku është përqendruar në procesin dhe ecurinë e reformave të rëndësishme për integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit i është përgjigjur edhe interesimit të pjesëmarrësve lidhur me aspekte të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe me këndvështrimet e tij sa i përket të ardhmes integruese të vendit. Të pranishmit vlerësuan figurën dhe përvojën politike të z. Topi, e cila është kurorëzuar me zgjedhjen e tij si President i Republikës në mënyrë kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Ditën e nesërme, Kryetari i Shtetit do të ketë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, në përfundim të së cilit do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp. Presidenti Topi do zhvillojë gjithashtu një takim edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Kjo vizitë e parë zyrtare e Kryetarit të Shtetit jashtë vendit vjen në momentin, kur Shqipëria po vijon në rrugën e reformave të saj për integrim dhe është në pritje të samitit të zgjerimit të NATO-s, që do mbahet vitin e ardhshëm në Bukuresht, ku vendi ynë shpreson të marrë ftesën e anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut.

17 tetor 2007
Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të zhvillojë, në datat 18-19 tetor, një vizitë zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), në Bruksel (Belgjikë). Kjo vizitë e parë zyrtare e Kryetarit të Shtetit jashtë vendit vjen në momentin, kur Shqipëria po vijon në rrugën e reformave të saj për integrim dhe është në pritje të Samitit të zgjerimit të NATO-s, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Bukuresht, ku vendi ynë shpreson të marrë ftesën e anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Në këtë kuadër, Presidenti Topi do të ketë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, në përfundim të së cilit do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp. Presidenti Topi do zhvillojë një takim edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa do të mbajë një fjalë në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Bruksel.

Shqipëria mikpritëse e njërës prej stërvitjeve më të mëdha të Nato-s për 2007-ën


18-10-2007 NATO po organizon këto ditë në Shqipëri njërën nga stërvitjet e saj më të mëdha për vitin 2007। Komandantë dhe ushtarë të mbi 20 shteteve anëtare dhe kandidate të Aleances po kryejnë në Tiranë stervitje komandë dhe nesër fillojnë manovrat në terren. Shefi i Shtabit te Pergjithshem të ushtrisë shqiptare, gjeneral lejtnant Luan Hoxha thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se trupat shqiptare në këtë stërvitje do të vlerësohen se sa janë ato teknikisht të gatshme për antarësim në NATO.

Zëri i Amerikës: Duke ju uruar për punën me stërvitjen e re shumëkombshe, që sapo ka filluar, ju lutem na tregoni diçka për sfidat e organizimit të kësaj stërvitje dhe pjesën e kontributit të Shqipërisë si një vend mikpritës në të.
Luan Hoxha: Besoj se ardhja juaj dhe e shumë mediave të tjera, shpreh interesin e madh për këtë stërvitje. Kjo është një nga stërvitjet më të mëdha të zhvilluara në vendin tonë, jo vetëm për vendin tone, por edhe një nga stërvitjet më të mëdha që NATO zhvillon në Shqipëri. Është një stërvitje e cila ka filluar me kohë. Ka më se 7-8 muaj që ka filluar konferenca planëzuese për stërvitjen, një stërvitje që ka një përfshirje shumë të madhe. Janë mbi 20 vende që marrin pjesë, nga këto janë shumë vende të NATO-s, vende partnere dhe aspirante, si dhe vendeve të Dialogut Mesdhetar. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë stërvitje është shumë e madhe, për vetë faktin që ne shërbejmë si vendi pritës për zhvillimin e stërvitjes dhe në këtë stërvitje, në të gjitha fazat e saj, përfshihen rreth 120 oficerë e nënoficerë shqiptarë. Në fazën e dytë, “Lancer”, janë përfshirë edhe trupa që do të lëvizin dhe marrin përsipër stimulime të ndryshme në terren, veçanërisht nga Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe Rregjimenti Komando.
Zëri i Amerikës: Zoti gjeneral, cila është e reja e kësaj stërvitjeje? Kemi dëgjuar që ka një pjesë teorike, ku komandat po mundohen të gjejnë gjuhën e përbashkët në veprimet e përbashkëta. Pra, cila është e veçanta e kësaj stërvitjeje? Ku ndryshon ajo nga stërvitjet e tjera?
Luan Hoxha: Veçanëria e kësaj stërvitje qëndron në faktin se është stërvitje Komando-Shtabi dhe, në vetvete, ka si synim të unifikojë veprimet dhe të standardizojë të gjitha proçeset vendimmarrëse në stërvitjet e tjera Komando-Shtabi për shtabet multinacionale. Duke qënë një stërvitje e tillë, që bazohet në shumë norma e standarde, ose me kodin që përdor, “CPX”, i jep mundësi të gjithë personelit të punojë me një gjuhë të përbashkët, me një kod të përbashkët, me një simbolikë të përbashkët për të ushtruar gjatë stërvitjes të gjitha kompetencat dhe veprimet që kanë të gjitha pjesët përbërëse të shtabit dhe për të dalë në vendimmarrjeje, të cilën e merr komandanti i Brigadës Shumëkombëshe. Veçanëri tjetër është që, në këtë stërvitje personeli shqiptar, i cili është angazhuar totalisht, është zgjedhur qëllimisht që të përfitojë nga kjo stërvitje, në rastin e një anëtarësimi të mundshëm dhe të dëshirueshëm në Aleancë. Ky personel duhet të jetë i gatshëm të punojë me këto standarde, duke përfaqësuar denjësisht dhe cilësisht oficerin shqiptar, në përbërje të shtabeve shumëkombëshe që do të bëhen në të ardhmen.
Zëri i Amerikës: Zoti gjeneral, ju lutem na tregoni diçka lidhur me përpjekjet e FA shqiptare për t’u antarësuar në NATO. Cilat janë detyrat e fundit të cilat kanë mbetur pa u kryer për të plotësuar kriteret, pra për të marrë një ftesë për t’u pranuar si anëtar i plotë? Luan Hoxha: Proçesi i anëtarësimit në NATO, ne kemi folur edhe herë të tjera, është një proçes shumë i gjatë dhe, natyrisht një proçes dinamik, që ndryshon nga koha në kohë. Pra, nuk do të thotë që këto masa do jenë statike. Vazhdimisht, dhe me marrjen e ftesës, do të ketë objektiva të reja, do të ketë sfida dhe objektiva të reja për t’u përballuar. Në këtë kohë që ka mbetur në Samitin e Bukureshtit, ne kemi ndërtuar një program të qartë pune, të cilin e kemi quajtur “Nga Samiti i Rigës deri në atë të Bukureshtit”. Në këtë program pune janë përfshirë të gjitha masat që do merren, të gjitha strukturat që do jenë të angazhuara për plotësimin e këtyre masave, koha në të cilat do të ekzekutohen këto masa dhe, niveli që do të arrihet për ekzekutimin e tyre. Mund të them që sfida kryesore është plotësimi i objektivit për kalimin në ushtri tërësisht profesioniste. Do të thotë që, deri në fund të vitit 2010 ne do të kemi një ushtri krejtësisht profesioniste. Sfida e dytë është përgatitja e një Batalioni të dislokueshëm dhe të gatshëm për t’u angazhuar në operacionet e NATO-s në rast nevoje. Faktikisht, edhe gjatë kësaj stërvitjeje ky batalion do të jetë i angazhuar dhe do të lozë në këtë stërvitje, në mënyrë që të mundësojë vlerësimin e tij për nivelin 1, sipas konceptit OCC, dhe më pas të kalojmë në fazat e tjera. Mendoj që këto janë dy objektiva madhore, të cilat do të kenë peshën kryesore edhe për vlerësimin e përgatitjes së Forcave tona të Armatosura për meritimin e ftesës për anëtarësim.
Zëri i Amerikës: Nuk është vetëm Shqipëria që pret një ftesë, janë edhe Kroacia e Maqedonia, si vende të “Kartës së Adriatikut”. Cili është mendimi juaj për bashkëpunimin dhe garën mes këtyre tre vendeve? Luan Hoxha: Keni të drejtë. Realisht është bashkëpunim e garë. Nuk do të ketë kuptim bashkëpunimi pa patur garë dhe, mendoj që kjo garë është shumë pozitive, sidomos për atmosferën në të cilën tre vendet bashkëpunojnë në kuadrin e A3-it. Ne kemi takime të shpeshta dhe pas disa ditësh kemi takimin e shefave të Shtabeve të A3-it. Mendoj që kjo inciativë ka luajtur një rol të rëndësishëm për përgatitjen dhe përfitimin e ekperiencës së njeri tjetrit, por dhe përfitimin në kuadrin e A3-it të eksperiencave të tjera, nga secili vend që ka patur marrëdhënie ose aktivitete bilaterale me vendet e NATO-s ose jo të NATO-s. Mendoj që të tre vendet kanë arritur, për pjesën ushtarake, nivele jashtëzakonisht të mira. Një nivel të krahasueshëm edhe me vendet që janë pjesë e Aleancës sot dhe, mendoj se bashkëpunimi ynë ka qenë një nga sukseset e arritjes së këtyre niveleve.

Marrë nga Zëri i Amerikës (VOA)

Italia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe në NATO


Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu priti në një takim të veçantë ambasadorin e Republikës Italiane të akredituar në Tiranë, Saba D’Elia.Ministri Mediu, pasi e uroi zotin D’Elia për detyrën e re si ambasador fuqiplotë i Italisë në vendin tonë, vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë prej vitesh midis dy vendeve tona, duke u ndalur sidomos në bashkëpunimin midis Ministrisë tonë të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura Shqiptare me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Italiane.Ministri Mediu shprehu vlerësime të larta për ndihmën e pakursyer që qeveria italiane dhe FA të Italisë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, si dhe për mbështetjen e palëkundur të tyre për integrimin e Shqipërisë në NATO. Tek Italia, theksoi Ministri Mediu, ne kemi gjetur kurdoherë një aleat të fuqishëm dhe të qëndrueshëm dhe për këtë u jemi mirënjohës për gjithçka keni bërë për vendin tonë dhe Forcat e Armatosura.Nga ana e tij, amabasadori Saba D’Elia falenderoi Ministrin Mediu për pritjen e ngrohtë që i rezervoi dhe shprehu bindjen se Italia do të vazhdojë të jetë në mbështetje të plotë të Shqipërisë dhe të Forcave të saj të Armatosura në rrugën për integrimin në NATO dhe BE. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e tij për të vazhduar më tej rrugën e bashkëpunimit dhe të kontakteve të vazhdueshme me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA për të ndjekur e zbatuar të gjitha projektet që ekzistojnë midis dy vendeve tona në fushën ushtarake, si dhe për të rritur më tej këtë bashkëpunim në të ardhmen.Po sot, Ministri Mediu priti në një takim të veçantë edhe ambasadorin hungarez në Tiranë, Sandor Molnari. Ministri Mediu uroi zotin Molnari për detyrën e re të ambasadorit hungarez në Tiranë, ndërsa më pas të dy bashkëbiseduesit evidencuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe ushtrive tona, përpjekjet dhe progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën drejt integrimit euroatlantik, si dhe shprehën qëndrime të njëjta për situatën në rajon e më gjërë.

Ministria e Integrimit dhe Komisioni Europian nënshkruajnë Marrëveshjen Kuadër për programin e para anëtarësimit


Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan nënshkruan sot Marrëveshjen Kuadër mes Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian për menaxhimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian nën Instrumentin e Ndihmës së Para Anëtarësimit (IPA).E veçanta e kësaj Marrëveshjeje qëndron në faktin se përgjegjësia për implementimin e IPA-s në vitet në vijim do të transferohet tek autoritetet kombëtare, ndërkohë që dokumenti parashikon rregulla të përcaktuara mirë lidhur me përgjegjësitë e secilit prej aktorëve të përfshirë në manaxhimin e fondeve të ndihmës të Programit IPA. “Ndihma financiare e ofruar nga Bashkimi Evropian përbën shtyllën kryesore mbështetëse për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Qëllimi i saj është mbështetja e Shqipërisë në procesin integrues të vendit duke përfshirë mbështetjen për forcimin e shtetit të së drejtës dhe stabilizimin demokratik, vendosjen e standarteve europiane si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, tha ministrja Majlinda Bregu, menjëherë pas nënshkrimit. Ndërsa ambasadori Lohan tha se “Komisioni Europian pret që administrata shqitare të marrë në dorë gjithnjë e më shumë programimin dhe përgjegjësinë e vënies në jetë të aktiviteteve të financuara nga IPA”. Z.Lohan sqaroi më tej se IPA ka për qëllim t’i japë ndihmë Shqipërisë për përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, për forcimin e institucioneve demokratike dhe vendosjes së shtetit ligjor, reformën në administratën publike, për reformën ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut, minoriteteve dhe barazisë gjinore, zhvillimin e shoqërisë civile dhe bashkëpunimit rajonal, për mbështetjen e zhvillimit dhe zbutjen e varfërisë. Nga viti 2007, vendi ynë mbështetet nga Instrumenti i ri i Parazgjerimit (IPA), i cili është një vazhdimësi e Programit CARDS. Shuma e programuar për vitin 2007 është 54.3 milion euro dhe do të mbështesë kryesisht projekte të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, ngritjen e qendrave të paraburgimit, forcimin e SME-ve, pjesëmarrjen në programet me shumë përfitues (Tempus, Erasmus Mundus) etj.IPA është një istrument i unifikuar për të gjithë vendet kandidate dhe potencial kandidate dhe ka si qëllim forcimin e kapaciteteve të këtyre vendeve për zbatimin e acquis (bazes ligjore te BE). Shuma totale e fondeve akorduar vendit tonë për periudhën 2007 – 2009 është 219.9 milion Euro. Alokimi i këtyre fondeve është një tregues i qartë i mbështetjes në rritje të Bashkimit Evropian, por edhe një kusht për administratën e vendit përfitues për të forcuar kapacitetet e tij me qëllim përfitimin në kohë të kësaj asistence.

Italia dhe Britania e Madhe ratifikojnë MSA-në me Shqipërinë


Parlamenti italian ka miratuar me shumicë votash Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, e cila pritet të kalojë së shpejti në dhomat e senatit italian. Ministrja e Integrimit, znj.Majlinda Bregu e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë fakt, duke qenë se nuk bëhet fjalë thjesht për një vend më shumë në listën e vendeve që kanë ratifikuar MSA-në me vendin tonë, por një vend fqinj që konsiderohet si partner strategjik i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.
Gjithashtu, edhe Britania e Madhe ka ratifikuar së fundmi MSA-në me Shqipërinë duke çuar në 12 numrin e vendeve që kanë ratifikuar këtë Marrëveshje me vendin tonë: Letoni, Lituani, Luksemburg, Poloni, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Hungari, Irlandë, Itali, Britani e Madhe.

Vizita e Topallit, Kanadaja konfirmon votën pro për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Kryetari i Senatit kanadez: “Jemi shumë të impresionuar me pasurimin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe ky është atribut i Kryetares së Kuvendit dhe i parlamentit tuaj.” Fillim të një epoke të re në marrëdhëniet dypalëshe, u konsiderua vizita e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në Kanada nga autoritet më të larta të shtetit të dytë më të madh në botë. Vizita e zonjës Topalli dhe e delegacionit parlamentar shqiptar, ndër të parat vizita zyrtare të këtij niveli në Kanada u realizua me ftesë të Kryetarit të Dhomës kanadeze të Përfaqësuesve, Peter Milliken. Me një axhendë mjaft të ngjeshur me takime me përfaqësuesit e lartë të shtetit kanadez, kjo vizitë merr një rëndësi të veçantë në prag të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për antarësim në NATO dhe përpara zgjidhjes së statusit të Kosovës. Këto ishin edhe dy çështjet kryesore të diskutuara në takimet që Kryetarja e Kuvendit zhvilloi në ditën e parë të vizitës së saj. Në takimin mjaft miqësor me Kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noël Kinsella, Kryetarja Topalli i shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë edhe përmes projekteve të saj. Pasi e njohu zotin Kinsella me reformat, rezultatet dhe sfidat në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë, zonja Topalli tha se Shqipëria ka si prioritete të saj antarësimin në BE dhe NATO. Nga ana e tij, zoti Kinsella theksoi se Shqipëria ka bërë një progres impresionues në forcimin e demokracisë dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij në proceset integruese të vendit tonë. Çështja e Kosovës ishte një tjetër pikë e diskutimit në takim. Zonja Topalli theksoi qëndrimin e Shqipërisë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje për paqen e qëndrueshme në rajon e më gjerë. Zoti Kinsella tha se Kanadaja mbështet propozimet e Paketës Ahtisari dhe se në Kosovë mund të funksionojë shteti multietnik. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rolin e diplomacisë parlamentare dhe se vizita të tilla duhet të nxisin bashkëpunimin mes parlamenteve, por edhe shkëmbimin e vizitave të grupeve të të rinjve dhe të studentëve. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë e ftoi zotin Kinsella për një vizitë në Shqipëri, në vendin e paeksploruar, siç u shpreh ajo, që po thith gjithnjë e më shumë turistë dhe investitorë të huaj.
Në fund të takimit zonja Topalli dhe zoti Kinsella dhanë një intervistë për mediat shqiptare:
Pyetje: Zoti Kinsella, cila është pikëpamja juaj mbi zhvillimin e Shqipërisë? Zoti Kinsella: Unë dhe shumë kolegë të mi jemi shumë të impresionuar me pasurimin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe ky është atribut i Kryetares së Kuvendit dhe i Parlamentit tuaj. Ne ndamë mendimin se shoqëria civile në Kanada dhe Shqipëri është shumë e rëndësishme në lidhjen mes dy vendeve. Na vjen mirë që Kryetarja e Kuvendit do të jetë këtu e do të marrë pjesë në çeljen e sesionit të ri parlamentar.
Pyetje: Si e shihni antarësimin e Shqipërisë në NATO, në një kohë kur shqiptarët shpresojnë në marrjen e ftesës në Samitin e ardhshëm? Zoti Kinsella: Së pari, jemi të kënaqur që vitin e shkuar anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë, që janë pjesë e organizatës parlamentare të NATO-s, erdhën në Kanada në takimin e përgjithshëm dhe luajtën një rol aktiv dhe nënvizuan rëndësinë e anëtarësimit të vendit tuaj. Kanadaja ka qenë një mbështetëse entuziaste e integrimit tuaj të plotë në NATO dhe ne si parlamentarë në çdo rast do të theksojmë gjithmonë rëndësinë e këtij anëtarësimi. Ne jemi partnertë të mirë në këtë proces dhe e dimë që është një prioritet për Qeverinë, mbështetur edhe nga Parlamenti
Pyetje: Cili është vizioni juaj për çështjen e Kosovës? Zoti Kinsella: Është një sfidë dhe çështje e vështirë. Në fund të pranverës hymë në një proces të ri dhe ne vazhdojmë të inkurajojmë negociatat dhe bisedimet. Në fund të fundit janë njerëzit e atij komuniteti që do të vendosin dhe fqinjët duhet të luajnë një rol të madh në lehtësimin e arritjes së një rezolute.
Pyetje: Si e shihni Paketën Ahtisari? Zoti Kinsella: Kanadaja është e kënaqur me Paketën Ahtisari dhe mbështet propozimet dhe rekomandimet e bëra në këtë dokument. Në fakt, është më mirë të flasësh si historian dhe jo si profet, por unë do të riskoja këtë shprehje, jo duke folur si profet, por kam shpresë që në fund Kosova do ta gjejë rrugën në një unitet kombëtar dhe të luajë atë rol që ajo pjesë e botës ka luajtur në histori.
Pyetje: Zonja Topalli, si e vlerësoni këtë vizitë tuajën në Kanada?
Zonja Topalli: Është një ndër vizitat më të rëndësishme që unë kam bërë gjatë karrierës si Kryetare e Kuvendit. Kjo, jo se nuk ka pasur të tjera takime, por nuk ka pasur vizita zyrtare me takime të një niveli kaq të lartë, në një moment vendimtar siç është ai i marrjes së mbështetjes për ftesën për anëtarësim në NATO dhe, në të njëjtën kohë, për mbështetjen për statusit final të Kosovës, pavarësinë. Edhe në takimin që kam pasur me Ministrin e Jashtëm edhe në takimin me Kryetarin e Senatit kam gjetur mbështetje maksimale për këto dy pika kryesore që janë sfida të kohës për Shqipërinë dhe rajonin dhe unë i jam shumë mirënjohëse, jo vetëm për mbështetjen që kanë dhënë në procesin e antarësimit në NATO, por edhe në perspektivën për t’i bërë më dinamike, më reale dhe më konkrete marrëdhëniet tona, duke shpresuar që kjo vizitë, e para zyrtare, do të pasohet me të tjera vizita shumë të rëndësishme, që do të bëjnë të mundur jo vetëm shkëmbimin e vizitave të grupeve të studentëve, por edhe mbërritjen e investimeve të kompanive më serioze të Kanadasë në Shqipëri. Besoj se është një ndër vizitat më të suksesshme dhe me programin më të veçantë e të ngjeshur që kam realizuar.Në takimin me Ministrin e Jashtëm, Maxime Bernier, Kryetarja e Kuvendit mori garancinë se në politikën e saj të jashtme Kanadaja është partnere dhe mbështetëse në antarësimin e vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut.Kryetarja Topalli e njohu shkurtimisht ministrin Bernier me prioritetet e shtetit shqiptar duke u fokusuar në prioritetet e politikës sonë të jashtme. Ajo nënvizoi rezultatet e arritura në sajë të reformave të guximshme në luftëm kundër krimit, kundër informalitetit dhe në fushën ekonomike.

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania