Shqipëria dërgon edhe 110 trupa ushtarake KOMANDO shtesë në Afganistan


TIRANE - 28/6/2007
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha përshëndeti dje, gjatë një ceremonie përcjellëse në repartin ushtarak të Poshnjes, Berat, nisjen e njësisë së paqeruajtësve shqiptare në Afganistan, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s atje. Kryeministri tha se misioni i paqeruajtësve është i rëndësishëm jo vetëm për të ndihmuar Afganistanin të ndërtojë të ardhmen e vet demokratike, por edhe për Shqipërinë dhe për projektin e saj madhor të anëtarësimit në NATO. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është projekti i parë dhe më i rëndësishëm i vendit dhe i të gjithë shqiptarëve. Kjo është arsyeja se përse për misionin tuaj atje ka vendosur në unanimitet qeveria, parlamenti, keni vendosur ju vetë dhe familjet tuaja,” u shpreh Kryeministri. Njësia paqeruajtëse shqiptare përbëhet nga 110 efektivë ushtarakë të batalionit të tretë të këmbësorisë Poshnje-Berat, i cili vepron në përbërje të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Paqeruajtësit shqiptarë do të vendosen në Herat dhe do të veprojnë sëbashku me forcat italaine atje. Kryeministri siguroi paqeruajtësit se do të kenë të gjithë mbështetjen e qeverisë, duke theksuar se do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ju për të gjitha problemet tuaja dhe të familjeve tuaja.Në ceremoninë e përcjelljes ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, gjeneral major Luan Hoxha, Komandanti i Shtabit të NATO-si në Tiranë, general brigade Anastasios Rintis, ambasadori italian Attilio Massimo Ianucci.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Ky është një çast solemn për ju, për brigadën tuaj, për familjet tuaja, por edhe për mbarë vendin. Ne ju përcjellim sot në një mision shumë të rëndësishëm ndër të gjitha misionet që një ushtarak mund të kryejë. Misioni i paqeruajtësit është misioni i parë më i rëndësishëm dhe fisnik i tij ndaj dhe në librat e shenjtë paqeruajtësit janë cilësuar si ushtarët e Zotit. Në këtë kontekst, ky është çast krenarie të veçantë për ju dhe brigadën tuaj, për familjet tuaja, për ne dhe për të gjithë shqiptarët. Ju niseni me një mision paqeruajtës në një vend të largët, por një vend mik. Shkoni atje për të ndihmuar një komb me tradita të shkëlqyera liridashëse, fisnike dhe njerëzore, i cili në një moment të caktuar të historisë së tij ra në një fatkeqësi të madhe dhe në një dramë ndër më të mëdhatë, përjetoi regjimin më obskurantist që kohët moderne kanë njohur në mbarë planetin. Regjim që u shndërrua në cerdhe të kryeterrorizmit. Ndaj edhe NATO ka zgjedhur këtë vend e këtë komb për t’i dhënë të gjithë ndihmën e duhur që afganasit të ndërtojnë të ardhmen e tyre demokratike. Në këtë konkekst, misioni juaj është një mision i madh, por për Shqipërinë dhe shqiptarët nisja juaj në njësitë e NATO-s, sëbashku me njësitë italiane, përbën gjithashtu një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është projekti i parë dhe më i rëndësishëm i vendit dhe i të gjithë shqiptarëve. Kjo është arsyeja se përse për misionin tuaj atje ka vendosur në unanimitet qeveria, parlamenti, keni vendosur ju vetë dhe familjet tuaja. Shqiptarët shohin në projektin e anëtarësimit të vendit të tyre në NATO të ardhmen më të sigurt e të shkëlqyer për të ndërtuar ekkonominë e tregut, shtetin e së drejtës, për të ndërtuar të ardhmen. Në këtë kontekst dhe për këto arsye, qeveria iu përgjigj kërkesës së Komandës së NATO-s për të shtuar njësitë në Afganistan dhe për të dërguar atje ushtarë paqeruajtës në mision të plotë. Kam bindjen se kurajoja juaj, aftësitë dhe mrehtësia juaj do të bëjë të mundur të përmbushni me sukes të plotë misionin për të cilin ju niseni sot, në Afganistan. Unë kam bindjen se me Komandën dhe trupat italaine, me të cilët do të bashkëpunoni, ju do të shënoni një hap tjetër trë rëndësishëm në miqësinë dhe bashkëpunimin që karakterizon sot të dy kombet e vendet tona. Me këtë rast, dua të falenderoj qeverinë italine, instruktorët dhe ekspertët italiane për kontributin që kanë dhënë dhe dua t’i siguroj se Shqipëria është e vendosur të zgjerojë çdo ditë e më tepër këtë bashkëpunim. Qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje që Shqipëria të meritojë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit. Dua t’ju siguroj se ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ju për të gjitha problemet tuaja dhe të familjeve që ju lini këtu dhe do të bëjmë çdo përpjekje që të mos e ndjeni për asnjë çast vetminë larg familjeve, kolektivit tuaj dhe vendit. Qeveria do të marrë të gjitha masat për çdo problem që do të krijohet dhe do t’u gjendet pranë ju dhe familjeve tuaja. Ju uroj nga zemra suksese në këtë mision të lartë dhe fisnik. Ju shkoni në Afganistan, në një vend mik si ambasadorë të paqes, shkoni si misionarë të saj, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të shkëlqyer politike e ushtarake të të gjitha kohërave. Punëtë mbarë e faqe të bardhë”.
Burimi: Keshilli i Ministrave

Shqipëri, PAMECA u jep diplomat “Drejtues të Lartë” në drekë, pasdite i kap reforma


Trazhgim Sokolaj/ Dashamir Biçaku
TIRANE - "Në këtë kurs të kualifikuar, ju keni arritur rezultate të larta në teori dhe tashmë gjithë këtë bagazh duhet ta zbatoni në praktikë".Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në sallë e dinin mirë se këto fjalë të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, nuk ishin të vërteta të paktën për dy nga 21 oficerët që morën diplomat e trajnimit për "Drejtues të lartë". Ndarja e diplomave është bërë ditën e djeshme pas trajnimit të organizuar nga misionet e asistencës PAMECA dhe ICITAP, si dhe partnerët gjermanë që ndihmojnë policinë shqiptare. Dy oficerët që morën dje diplomat e trajnimit, jo vetëm që nuk patën shansin të zbatojnë në praktikë aftësitë e përfituara gjatë kursit, por u shkarkuan nga detyra vetëm pak orë pasi kishin marrë diplomat e trajnimit. Nuk kishin kaluar shumë orë nga ndarja e diplomave kur dy oficerët që sapo kishin përfunduar trajnimin janë lajmëruar se ishin shkarkuar nga detyra në kuadër të shkurtimeve të fundit në organet e rendit. Ceremonia e ndarjes së certifikatave të trajnimit është zhvilluar dje rreth orës 10:00 në Tiranë, ndërsa pak orë më pas, dy prej oficerëve të trajnuar nga misionet PAMECA dhe ICITAP janë lajmëruar për shkarkimin e tyre nga detyra. Siç pohuan drejtuesit e kursit dje në ceremoninë e dorëzimit të diplomave, oficerët shqiptarë që kanë marrë pjesë në trajnim kanë arritur rezultate të kënaqshme në përvetësimin e dijeve profesionale.
Shkarkimet
Njëri prej të shkarkuarve pak orë pasi ka marrë certifikatën e specializimit ka qenë A. Hajdarmataj, inspektor i Antitrafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ai më parë ka kryer rolin e shefit të komisariatit të Mirditës ndërsa ka prezantuar tema mbi policinë në disa konferenca ndërkombëtare. I shkarkuari tjetër pas trajnimit, mësohet se është punonjës i një komisariati i evidentuar për rezultatet gjatë ushtrimit të detyrës. Asnjë shkelje, asnjë masë disiplinore dhe asnjë vlerësim negativ nuk ka ekzistuar për oficerët që u shkarkuan vetëm pak orë pasi kishin marrë diplomën e specializimit për "Drejtues të lartë". Argumenti i largimit të tyre nga puna ka qenë shkurtimi i 852 vendeve të punës në policinë e gjithë vendit dhe Ministrinë e Brendshme. Gjithçka ka ndodhur me dy prej oficerëve të lartë të policisë që janë njoftuar për shkarkimin vetëm pak kohë pasi kishin marrë diplomat fillimisht ka habitur dhe më pas është përcjellë me shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë. Organizatorët e trajnimit por edhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë që asistojnë policinë shqiptare, dje në mbrëmje kanë zhvilluar një takim me drejtues të Ministrisë së Brendshme. Në këtë takim mësohet se partnerët e huaj e kanë cilësuar shumë të rëndësishëm investimin që bëhet me trajnimin e punonjësve dhe se edhe më parë janë shkarkuar nga policia punonjës të trajnuar sipas programeve bashkëkohore.
Marrë nga gazeta “Panorama”

TURPI YNE

Trazhgim Sokolaj/Koment
TIRANE – Ndodhi që vetëm pak sekonda pasi kisha parë kronikën televizive që lajmëronte nisjen drejt Afganistanit të 110 forcave Komando të tjera nga Shqipëria, në ekran u shfaq lajmi i radhës. Ishte në fakt konfirmimi i radhës për dështimin e negociatave mes forcave kryesore politikë për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Pasi u qartësova se negociatat kishin dështuar dhe se ishte kthyer gjithçka në pikën fillestare (opozita nuk pranonte propozime nga të dhathtët), nuk e ndoqa më tej atë kronikë. Sepse në mëndje më erdhi jo vetëm një, por dhjetëra ndoshta qindra vlerësime shumë pozitive që forcat ushtarake shqiptare në Afganistan, Irak apo në Bosnje kanë marrë vazhdimisht bashkë me apelet se Shqipëria duhet të bëjë më shumë sa i përket integrimit në NATO dhe BE. Nuk ka deklaratë a raport të NATO-s apo të Shteteve të Bashkuara lidhur me Shqipërinë, që nuk vlerëson pjesëmarrjen në Koalicionin Ndërkombëtar Antiterror. Veç faktit se ushtarakët tanë janë aty, bashkë me amerikanët, anglezët, italianët, gjermanët dhe të tjerët, vlerësohet niveli i lartë që kanë demonstruar Komandot shqiptare në realizimin e detyrave që u janë caktuar. Ndërveprimi i tyre me strukturat tjera të këtyre operacioneve ndërkombëtare sërish ka qenë i lavderueshëm. Ka pasur raste që këta ushtarakë shqiptarë kanë rrezikuar jo vetëm duke qëndruar larg familjes, por edhe duke u ndodhur në zona sulmesh dhe luftimesh të vërteta, serioze dhe të rrezikshme. Dhe ia kanë arritur. Prej tyre Shqipëria citohet pozitivisht, është një drejtim në të cilin vlerësohemi dhe me të cilin mund të mburremi. Është edhe një nga parakushtet për anëtarësim në NATO. Por çfarë na pengon. Do të thosha na pengon politika, por derisa politikën e bëjnë politikanët, kam dëshirë të them se na pengojnë këta të fundit. Po po, këta. Aq më tepër kur në Shqipëri edhe sot në 2007, kulti i individit brenda Partive Politike dhe Brenda Institucioneve është shumë ndikues dhe përcaktues. Po përse po i fajësoj këta njerëz? Muaj të shkuar një zyrtar italian, i organizmave euroatlantike ku në shpresojmë të integrohemi, kur po më fliste për krizën politike në Tiranë, para zgjedhjeve lokale, e cilësoi këtë një gjë jo normale. “Nuk mundet që një vend të bllokohet për 6 muaj, për një temë debati si zgjedhjet lokale, ato nuk janë më e rëndësishmja që ndodh në vendin tuaj”. Kështu pra më tha ai njeri me shumë seriozitet dhe unë i dhashë të drejtë. Këtu nuk është se në po vazhdojmë traditën të themi “ok” për gjithçka thonë ndërkombëtarët. Jo,jo. Ne vërtet kemi probleme. Presidenti në këtë vend ka kompetenca gati honorifike, por edhe në këtë rast, si në rastin e zgjedhjeve lokale, u bë kohë që klasa politike nuk po merret vesh. Dhe veç kësaj, askush nuk ka guximin të dorëhiqet, në mënyrë që të testojë vlerësimin e publikut për aksionet e tij politike dhe si rrjedhim të marrë një mandat jo vetëm për zgjedhjen e Presidentit, por edhe për vazhdimin e qeverisjes. Duket se do të shkojmë në zgjedhje, dhe kjo do të jetë një tjetër notë negative për ne, veç notës ngelëse që kemi marrë lidhur me stabilitetin politik. Nuk besoj se kontributi i madh i atyre ushtarakëve shkon dëm, por që sakrificat e tyre sublime e madhore të shkelmohen nga kapriçot e radhës së klasës politike shqiptare, kjo është TURP dhe e turpshme.

Kryeministri i Shqiperise: Te gjitha forcat politike ne vend mbeshtesin integrimin ne NATO


Trazhgim Sokolaj
TIRANE - Kryeministri i Shqiperise Slai Berisha priti në një takim Komandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara të SHBA-ve dhe të Komandës së Lartë të NATO-s për Transformimin, gjeneralin Lance Smith. Kreu i Qeverise shqiptare i shprehu gjeneralit Smith mirënjohjen për qeverinë amerikane, Presidentin Bush, Pentagonin dhe NATO-n për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe për integrimin në NATO. Duke e vlerësuar integrimin në NATO projekt madhor të qeverisë, Kryeministri theksoi se të gjitha forcat politike mbështesin integrimin e vendit në NATO. Ne punojmë me vendosmëri, tha Kryeministri, për përmbushjen e të gjitha standardeve dhe për të qenë gati për samitin e Bukureshtit. Kryeministri e njohu gjeneralin Smith me reformat e ndërmarra për transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri të vogël dhe profesioniste deri në vitin 2010 si dhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2008. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu vendosmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit dhe për të marrë pjesë në të gjitha misionet paqeruajtëse të NATO-s.

Mediu me Komandantin e NATO-s per Transformimin: Shqiperise i kerkohet stabilitet politik


Trazhgim Sokolaj
TIRANE – Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu priti në një takim të veçantë ne dikasterin e mbrojtjes ne Tirane, Komandantin e Komandës Supreme të Aleancës për Transformimin, gjeneral Lance Smith. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral major Luan Hoxha, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të MM-së dhe SHP, si dhe anëtarë të delegacionit të Komandës së Aleancës për Transformimin. Në takim u diskutua për procesin e reformave në fushën ushtarake dhe përpjekjet që po bëhen nga FA Shqiptare për plotësimin e standardeve që kërkohen për integrimin e tyre në strukturatt e Mbrojtjes. Vënd të veçantë në këto bisedime zuri edhe mbështeja që ka dhënë dhe vazhdojnë të japin për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura strukturat e NATO-s, ku Komanda e Aleancës për Transformim është padyshim një ndër më kryesoret. Në fund të takimit Ministri Mediu dhe gjenerali Smith dhanë një konferencë për shtyp ne ambientet e Ministrise se Mbrojtjes. Është në nderin tim, tha zoti Mediu, që të pres sot në Ministrinë e Mbrojtjes komandantin e Komandës Supreme të Aleancës për Transformimin gjeneralin Smith. Kam bindjen që gjenerali Smith nuk e ndjen veten këtu thjeshtë si mysafir, por pjesë e angazhimit të përbashkët që FA të Republikës së Shqipërisë të arrijnë standardet e NATO-s dhe së bashku me të gjitha reformat në institucionet e tjera të bëjmë të mundur që të marrim pjesë për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Ne kemi një marrëdhënie shumë të përcaktuar me Komandën e Aleancës për Transformimin, vijoi më tej Ministri Mediu. Samiti i fundit i Rigës ka qenë pikërisht samiti i fokusuar në transformimin e NATO-s dhe bashkëpunimi ynë me këtë Komandë mendoj që do të na ndihmojë në ngritjen e standardeve tona të brendëshme, në përcaktimin qartë të koncepteve tona për misionet, për detyrat tona kushtetuese, por dhe për një partneritet të qëndrueshëm me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Me gjeneralin Smith, u shpreh zoti Mediu, ne diskutuam për marrëdhënie konkrete, sidomos besojmë që kualiteti i njerëzve në FA është një element thelbësor. Kështu që po shqyrtojmë mundësi të tjera për zgjerimin e trajnimeve dhe të edukimit në kolegjet e NATO-s etj. Një element tjetër i rëndësishëm në marrëdhëniet tona është edhe procesi i modernizimit i Forcave tona të Armatosura. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe besoj jemi të tillë që mbështetja financiare e dhënë nga qeveria na ngarkon me një përgjegjësi shumë të madhe që modernizimin e FA ta lidhim me plane afatgjatë dhe në shërbim të interesave të sigurisë së vendit dhe me angazhimet tona të përbashkëta me NATO-n. Pavarësisht se flasim për raportet ushtarake, theksoi Ministri Mediu, ne kemi bindjen se aleanca e NATO-s është një marrëdhënie jashtëzakonisht e fuqishme politike dhe mesazhi i gjeneralit Smith, ashtu siç dha mesazh edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, por edhe nga vizita e fundit e Presidentit Bush në Shqipëri, është që politika shqiptare duhet ta vlerësojë procesin e anëtarësimit jo vetëm në aspektin e reformave të mbrojtjes, që unë kam kënaqësinë të theksoj se po ecin në drejtimin e duhur, por edhe me maturi dhe përkushtim karshi vendit tonë të përballemi me sfidat politike në shërbim të qytetarëve tanë, duke filluar që nga zgjidhja me konsensus të problemit të Presidentit të Republikës dhe vendosjes të shtetit ligjor në Shqipëri. Qëllimi im në këtë vizitë në Shqipëri, tha ndër të tjera Gjenerali Smith, është sigurisht që të mësojmë dhe të diskutojmë çështje të cilat janë të rëndësishme për NATO-n, por edhe për Shqipërinë. Misioni ynë në Komandën e Transformimit është të mbështesim vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere në transformimet e tyre. Një pjesë e madhe e punës që ne bëjmë është organizimi i programeve për trajnim dhe edukim. Kështu që në diskutimet tona ne u fokusuam në fusha të veçanta ku mund të japim kontributin tonë për trajnim, edukim e arsimim, si dhe diskutuam për fusha të tjera në të cilat mund t’ju asistojmë me shpresën për një vizion të përbashkët në drejtim të anëtarësimit tuaj në NATO. Gjithashtu, u shpreh më tej ushtaraku i lartë i NATO-s, dëshiroja të vija në Shqipëri për të falenderua Ministrin e Mbrojtjes dhe gjithë stafin tuaj për punën e madhe që keni bërë dhe mbështetjen e madhe që ka dhënë Shqipëria në misionet e NATO-s në Irak dhe Afganistan. Kjo është pjesë e një angazhimi që është i dukshëm dhe që ka qenë në vazhdimësi. “Faleminderit për pritjen tuaj sot këtu dhe shpresoj që shumë shpejt do të jemi së bashku dhe ne ta quajmë njëri-tjetrin bashkëpartnerë të NATO-s, anëtarë të përbashkët të NATO-s”, - tha në përfundim të fjalës së tij Gjenerali Smith. Komandanti i Komandës Supreme të Aleancës për Transformimin, gjeneral Lance Smith është pritur në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral major Luan Hoxha, ndërsa më pas për delegacionin që ai kryeson u dha një brifing për transformimin e FA Shqiptare dhe integrimi në NATO.

Berisha në Turqi: Gati lehtësirat për bizneset e huaja, do të ulim barrën fiskale


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ndodhet në Stamboll për të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC). Më poshtë publikohet fjala e plotë e Kryetarit të Qeverisë Shqiptare mbajtur gjatë punimeve të samitit të zhvilluar në kryeqytetin e Turqisë. “Dëshiroj të falenderoj përzemërsisht vendin pritës Turqinë, Presidentin Sezer, kryeministrin Erdogan, për këtë mikpritje të ngrohtë dhe organizim të shkëlqyer, për këtë jubile të këtij samiti në Stamboll, i cili është qytet frymëzues për ditët e tij të arta, historinë e tij, gjithashtu dhe për ndërkombëtarizmin e tij. Si një nga ata që patën privilegjin të jenë në këtë sallë 15 vjet më parë për nënshkrimin e kësaj deklarate, dëshiroj të përshëndes dhe t`ju shpreh mirënjohjen atyre që themeluan iniciativën e Detit të Zi, si një iniciativë që synon pikë së pari rinovimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit që ekziston mes vendeve tona prej shumë shekujsh. Në këtë kontekst unë mendoj se iniciativa ka pasur sukses në shumë aspekte. Aktualisht vendet tona po bashkëpunojnë në mënyrë dypalëshe dhe shumëpalëshe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, volumi shkëmbimeve tregtare është rritur ndjeshëm dhe ne po punojmë në projekte të përbashkëta. Në këtë kontekst unë mendoj se ky bashkëëpunim ishte shumë i frytshëm, dhe inkurajon investimet reciproke. Ju jeni dëshmitarë se investime të mëdha nga vendet e Detit të Zi janë bërë në Shqipëri. Unë ju siguroj se qeveria ime po bën cc`është e mundur për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investimet tuaja. Së shpejti Shqipëria do të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Ne po luftojmë ashpër burokracinë që të lehtësojmë investimet tuaja dhe tregtinë e lirë në Shqipëri.
Mendoj se një qëllim tjetër I madh i kësaj nisme ishte të lehtësojë rrymat e mëdha nga Azia Qendrore për në Europë dhe për të rinovuar rrugët tradicionale që lidhnin rajonet, qytetërimet, shekuj më parë. Për këtë janë hartuar shumë projekte dhe besoj se në vazhdim ato do të zbatohen në vitet në vazhdim. Është shumë e rëndësishme Unaza e Detit të Zi, por edhe Korridori i 8-të dhe rrugët tjera rrethore sikurse edhe projekte të tjera të mëdha që do të sjellin lëvizjen e të mirave materiale, njerëzve, kulturave nga rajone të largëta në drejtim të rajonit tonë dhe Europës. Besoj se ka ardhur koha qe vendet tona të punojnë se bashku në mënyrë dypalëshe apo shumëëpalëshe për të konsideruar me seriozitet për të kontribuuar në këto projekte. Rajoni ynë ka ecur përpara drejt integrimit evropian. 15 vjet më parë ne kishim vetëm një vend anëtar të BE-së. Sot jane 3; Bullgaria dhe Rumania i janë bashkuar Greqisë. Turqia dhe Maqedonia janë kandidatë, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërsa Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi u është ofruar fillimi i negociatave. Nisma e Detit të Zi është shumë e dobishme si bashkëpunim rajonal në atë që kemi arritur.
Përfundimisht, në këto 15 vjet rajoni ka kaluar nëpër konflikte e luftëra. Këto janë lënë pas dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kriza ballkanike ishte nga më të këqijat në Europë. Në disa aspekte është e ngjashme me krizat afrikane, me vrasje dhe varre massive por fatmirësisht tani kjo krizë është lënë pas dhe vendet tona janë shume të vendosura të punojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët. Ekziton një ccështje thelbësore që prêt ende zgjidhje, dhe kjo është statusi përfundimtar i Kosovës. Unë jam plotësisht dakort me deklaratën e fundit të ministrave të Jashtëm të BE-së që Kosova është një rast i veccantë, i vetëm në llojin e tij, sepse nëse shihni historinë, që nga viti 1368 deri më 1912, Kosova ka qenë vilajet i Perandorisë Osmane, i banuar kryesisht nga shqiptarë.
Pavarësisht se populli i saj organizoi kryengritjen më të madhe që Europa përjetoi në atë kohë ajo u ndëshkua dhe iu dhurua një vendi tjetër vetëm për arsyen se ishte një vilajet i një perandori të rënë. Gjatë një shekulli Kosova përjetoi genocidin, spastrimet etnike, varret masive . Ajo që Europa pa në vitin 1999, ishte më pak se gjysma e asaj që Kosova përjetoi në vitin 1945. Kjo detyroi NATO-n të ndërmerrte sulmin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore, për t`i dhënë fund “de facto” lidhjes së Serbisë me Kosovën. Nëse shikoni në rajon ju gjeni aty dy kombe, të dy kombe rajonalë pavarësisht arsyeve të ndryshme apo të kundërta.
Tani është momenti final, momenti “de jure”, për t`i dhënë fund procesit të ndarjes së Kosovës nga Serbia. Besoj se korniza më e mirë për këtë është korniza e dokumentit të Presidentit Ahtisarit. Për këtë Shqipëria ka zgjedhur të mbështesë plotësisht planin Ahtisari dhe besoj se ky propozim mund të bëhet një bazë e fortë për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe më gjerë. Ky plan garanton plotësisht të drejtat e njeriut, dhe të minoriteteve atje. Ky plan gjithashtu njeh si zgjidhje të vetme pavarësinë e Kosovës, për hir të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në gjithë rajonin. Dëshiroj t`ju siguroj se vendi im është i vendosur dhe ka vullnetin të ndryshojë kursin e marrdhënieve me Serbinë. Të dy kombet kanë arsye të shikojnë përpara për të një ardhme të përbashkët, të shkruajnë një kapitull të ri për një të ardhme shumë më të ndryshme nga e kaluara e hidhur.
Ju faleminderit !

Forcat kryesore politike në Shqipëri keqpërdorin mesazhet e ndërkombëtarëve


Trazhgim Sokolaj/KOMENT
TIRANE – U zhvillua sot më 25 qershor 2007 në Tiranë, raundi i katërt i negociatave mes dy forcave kryesore politike lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Qytetarët e kanë të paqartë çfarë konkretisht ka ndodhur në tavolinën e negociatave. Negociatorët po tregohen të kujdesshëm në deklarata me qëllim që të mos dëmtojnë frymën e mirëkuptimit që sikurse pretendohet karakterioi bisedimet e deritanishme, të filluara vetëm një ditë para afatit kushtetues për votimin e Presidentit në Parlament. Analistë të shumtë në Tiranë, janë vendosur në pozicione të ndryshme sa i përket zgjedhjes së Presidentit dhe praktikës që ndjekur deri më tani. Ata po fajësojnë kryesisht dy forcat më të mëdha politike se kanë zvarritur procesin, se kanë shtyrë negociatat të cilat mund të filloheshin më parë dhe në fund, se këto dy forca politike realisht po emërojnë Presidentin dhe se Kreu i Shtetit nuk po vjen si produkt i zgjedhjes por ai produkt i zgjidhjes së “të mesmes së artë” mes pretendimeve të dy kampeve kryesore politike. Zërat që kritikojnë këtë proces negociatash, thonë se dy partitë kryesore së pari nuk po zhvillojnë negociata të zgjeruara, pasi në tavolinën e bidesimeve përfaqësohen vetëm dy partitë e mëdha ndërsa përfaqësuesit politike të partive të vogla, nuk janë ftuar në bisedime. Kritizerët e negociatave, thonë se bisedimet në tavolinë për emrin e Presidentit, si dhe fakti se asnjë forcë politike apo grup deputetësh nuk paraqiti propozime në seancën e zhvilluar në Parlament në afatin kushtetues të votimit të Presidentit, tregon qartë se dy partitë kryesore politike, po e emërojnë Presidentin. Kritikët thonë se Presidenti sipas Kushtetutës, është përfaqësues i Unitetit të Popullit dhe i zgjedhur nga Parlamenti me më shumë se 84 vota. Negociatat mes dy partive kryesore politike, shikohen si një nënshtrim i votave përkatëse në Parlament nga dy kampet kryesore politike, të cilat deri tani janë të bindura se deputetët do të votojnë emrat që hidhen në tavolinën e negociatave. Partia Demokratike drejtpërdrejt dhe indirekt aleatët e saj në qeverisje, e lidhin zgjedhjen e Presidentit më së shumti me shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Fakt për këtë janë deklaratat e dy kandidatëve të vetëshpallur për President, Bamir Topi dhe Fatos Nano, të cilët publikisht kanë pranuar se do ta shkarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm nëse zgjidhen në karrigen e Presidentit. Kjo duket një përpjekje e të dyve për të siguruar vota nga kapitali parlamentar i djathtë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste e lidh zgjedhjen e Presidentit me një paketë reformash e cila siç është deklaruar, është miratuar nga përfaqësuesit e djathtë në negociata. Pjesë e kësaj platforme është edhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, çka nënkupton veç të tjerave edhe mosshkarkimin e Kryeprokurorit. Duket se Presidenti i ardhshëm do të jetë i kushtëzuar së tepërmi nga dokumenti i firmosur nga dy palët në negociata, por më shumë sesa kaq, kreu i ardhshëm i shtetit, duket se do të jetë tërësisht “i kapur” nga mesatarja e artë mes interesave të dy kampeve kryesore politike. A është atëherë ky, Presidenti që i duhet dhe që mund ti shërbejë Shqipërisë? A do të jetë ky President i pavarur në detyrën e tij? A do të përfaqësojë ai Unitetin e Popullit? A janë parimet e paketës së reformave, në përputhje me prioritetet që i duhen Shqipërisë tani në fazën intensive të përafrimit me Bashkimin Evropian dhe me Organizatën e Atlantikut Verior? Dhe a është kjo, e negociatave, një përvojë antidemokratike që po krijohet tashmë në mënyrën e përcaktimit të Presidentit të vendit? Të gjitha këto janë pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje nga aktorët e dukshëm dhe të padukshëm që po luajnë “serialin” e zgjedhjes së Presidentit. Qytetarët fillimisht dhanë idenë se ishin të ndjeshëm lidhur me zgjedhjen e Presidentit, pasi në fjalorin politik po shfaqej termi “zgjedhje të parakohshme”. Interesi u rrit më tej kur përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, bënë thirrje për zgjedhjen e Presidentit sipas parimeve Kushtetuese, dhe për shmangien e zgjedhjeve të parakohshme. Tani, kur loja është komplikuar dukshëm, dhe kur gjithnjë e më shumë po përflitet se President i Shqipërisë do të jetë një emër i pa dëgjuar më parë, qytetarët të shtyrë edhe nga temperaturat e larta që kanë mbërthyer vendin, duket se e kanë humbur durimin të ndjekin apo të hulumtojnë ecejaket e zgjedhjes së Presidentit, nënkuptimet në deklaratat e negociatorëve, rënien në humnerë të kandidatëve të përfolur deri tani dhe mbi të gjitha, shfrytëzimin e keq dhe të turpshëm që dy forcat politike po i bëjnë apelit ndërkombëtar për zgjedhjen e Presidentit sipas parimeve kushtetuese, duke e emëruar Presidentin, duke e kapur atë dhe duke paracaktuar me diktatin e liderit, numrin e votave që kandidati për kryetar shteti do të marrë në Parlament. Dhe siç ndodh gjithnjë në Shqipëri, zgjidhja më e drejtë, duket e pamundur. Ish-Presidenti Rexhep Meidani, e ka bërë publike idenë e tij se zgjedhja e Presidentit nga populli do të ishte ideja dhe zgjidhja më e mirë. Por klasa politike në pushtet dhe në opozitë, justifikohet ta shmangë këtë, duke thënë se Shqipëria është Republikë Parlamentare, së vendi nuk ka infrastrukturë zgjedhore dhe se nuk mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë. Kur forcat politike kanë pasur interesa jetike, në mesin e armiqësisë së shtirur mes tyre, kanë bashkuar votat dhe kanë ndryshuar Kushtetutën. Tani pikëpyetjet janë: A po e zhdukin pluralizmin parlamentar në këtë vend, dy forcat politike dhe udhëheqësit e tyre? A po i keqkuptojnë në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq a po i keqpërdorin forcat kryesore politike në Shqipëri mesazhet e ndërkombëtarëve? Çfarëdo që të ndodhë, koston duket se do ta paguajnë qytetarët shqiptarë që jetojnë edhe në vitin 2007 në një diferencë të largët me realitetin evropian, ndërsa politikanët duket se do të vazhdojnë shfaqjet e tyre aktoriale, rotacionin politik dhe mbajtjen peng të votave jo vetëm në Parlament por edhe në çdo cep të Shqipërisë ku ushtrojnë terror e gënjejnë qytetarët, sa herë që zhvillohen zgjedhje dhe më pas zhduken në kafenetë e Bulevardit kryesor të Tiranës.

Dekreti i Presidentit: Artur Kuko, Ambasadori i ri i Shqiperise ne NATO


Trazhgim Sokolaj
TIRANE – Presidenti i Shqiperise Alfred Moisiu me propozim te Kryeministrit te Vendit Sali Berisha, dekreton emerimin e Ambasadorit te ri te Shqiperise prane Organizates se Atlantikut Verior, NATO. Dekreti me nr. 5368, per emerimin e Artur Kukos ne detyren e re eshte firmosur nga Presidenti i Shqiperise me 21 qershor 2007. Ne nenin e pare te dekretit thuhet se Zoti Artur Kuko, emërohet në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Atlantikut Verior (NATO). Ne nenin e dyte te dokumentit thuhet se “ky dekret hyn në fuqi menjëherë”. Para se Artur Kuko te emerohej ne detyren e re, Presidenti i Shqiperise ka dekretuar lirimin nga detyra te Ilir Bocckes, i cili deri me 21 qershor 2007 ka ushtruar funskionin e Ambasadorit te Shqiperise prane NATO-s. Ne dekretin me nr.5367, thuhet se “në mbështetje të nenit 92, pika dh, të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, Presidenti dekreton “Zoti Ilir Boçka, lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Atlantikut Verior (NATO). Neni i dyte thote se “ky dekret hyn në fuqi menjëherë”. Ne vend te Artur Kukos i cili deri me 21 qershor 2007 ka mbajtur funksionin e Ambasadorit te Shqiperise ne Mbretërinë e Belgjikës dhe i Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, eshte dekretuar te emerohet Mimoza Halimi. Emerimi i Mimoza Halimit ne detyren e re, eshte bere me propozim te Kryeministrit Berisha dhe me dekretin nr. 5266 te Presidentit te Shqiperise Alfred Moisiu. Ndryshimet ne perfaqesine diplomatike te Shqiperise ne NATO dhe ne Mbreterine e Belgjikes, jane bere pas intensifikimit te perpjekjeve te vendit per anetaresim ne NATO dhe ne nje kohe kur po afrohet Samiti i NATO-s qe pritet te mbahet ne Bukuresht ne vitin 2008, kur Shqiperia shpreson te marre ftesen per anetaresim ne Organizaten e Atlantikut Verior.

Kryeministri i Shqipërisë: Do të ndërmarrim çdo reformë për kushtet e anëtarësimit në NATO


Trazhgim Sokolaj/ TIRANE
- Sali Berisha priti në një takim zyrtar në Tiranë, Drejtorin e NATO-s dhe Europës Juglindore në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, zotin Anthony Aldwell

- Kryeministri shqiptar premton se zgjidhja për Presidentin e vendit do të jetë kushtetuese ndërsa premtoi plotësimin e kushteve të TANO-s deri në Samitin e Bukuereshtit në 2008

TIRANE – 21 qersor 2007- Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha priti në një takim zyrtar Drejtorin e NATO-s dhe Europës Juglindore në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, zotin Anthony Aldwell. Takimi është dominuar nga tema e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vizita e Presidentit Bush në Tiranë si dhe reformat në sektorët e tjerë. Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë mirënjohjen për vizitën e Presidentit Bush, duke theksuar se kjo vizitë është një pikë kulmore në historinë e Shqipërisë. Unë u mundova të tregoj mikpritjen time, u shpreh Kryeministri, por ata që e treguan atë më mirë ishte populli i Fushë-Krujës, i cili i tregoi Presidentit Bush ndjenjat më të thella miqësore të shqiptarëve. Kryeministri theksoi gjatë takimit se prioriteti më i madh i qeverisë është integrimi në NATO. Për arritjen e tij, tha Kryeministri, ne jemi të fokusuar dhe të angazhuar të bëjmë çdo përpjekje, të marrim çdo vendim dhe të ndërmarrim çdo reformë që të arrijmë standardet e NATO-s. Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu falënderimet dhe mirënjohjen ndaj SHBA-ve për ndihmën që kanë dhënë në reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Kryeministri e njohu zotin Aldwell me reformat e ndërmarra në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se qeveria ka afruar rritjen me 2 për qind të GDP të buxhetit për mbrojtjes dhe po shkohet drejt një ushtrie profesioniste. Kryeministri e informoi zotin Aldwell se Shqipëria do të dërgojë një kompani shtesë në Herat dhe do të marrë pjesë me kënaqësi në operacionin “Active endeavour”. Koha deri në samitin e Bukureshtit, tha Kryeministri, është e shkurtër, por ne jemi të angazhuar plotësisht për të përmbushur të gjitha detyrimet e ciklit të 9 të Planit të Veprimit për Anëtarësim, e cila u vendos në takimin e Oslos. Lidhur me reformat ekonomike, Kryeministri nënvizoi se ekonomia është e qëndrueshme, deficiti buxhetor është i vogël dhe 80 për qind e prodhimit ekonomik vjen nga sektori privat. Ndonëse kemi probleme, tha Kryeministri, progresi është i qartë dhe i vazhdueshëm. Përsa i përket çështjes së presidentit, Kryeministri shprehu bindjen se ajo do të zgjidhet në mënyrë kushtetuese dhe kandidati që do të përzgjidhet do të jetë i pranuar dhe respektuar nga të gjitha palët. Kryeministri u shpreh se procesi do të jetë i suksesshëm dhe brenda të gjitha kornizave ligjore e kushtetuese të vendit.

Spanja dhe Hungaria mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Trazhgim Sokolaj
TIRANE – Ministria e Mbrojtjes në Tiranë njoftoi se Spanja dhe Hungaria kanë shprehur mbështetjen e tyre lidhur me përpjekjet që po bën Shqipëria për të merituar ftesën e anëtarësimit në NATO. Sipas burimeve zyrtare nga dikasteri i mbrojtjes, të premten më 15 qershor 2007, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu mori pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së 26 vendeve anëtare të NATO-s dhe 11 vendeve partnere, që u zhvillua në Bruksel. Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, u përshëndetën përpjekjet reformuese të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për anëtarësim si dhe kontributi i tyre në operacionet nën drejtimin e NATO-s. Tre vendet e Kartës së Adriatikut u inkurajuan që të bëjnë përparim të mëtejshëm në rrugën e tyre në përputhje me Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO. Ministri ynë i Mbrojtjes zhvilloi një seri takimesh me homologët e tij, ministra të vendeve anëtare të NATO-s. Në takimin me Ministrin hungarez të Mbrojtjes, Imre Szekeres, zoti Fatmir Mediu trajtoi çështje të lidhura me reformat, transformimin dhe modernizimin në Forcat tona të Armatosura, angazhimin e ushtarakëve tanë në operacionet paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe Irak. Çështje të tjera diskutimi ishin dhe arritjet në kuadër të Kartës së Adriatikut si dhe në iniciativën e Ministerialit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore. Ministri hungarez Szekeres, vlerësoi ecurinë e reformave në Shqipëri. “Jemi në favor të integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë dhe ky është mendimi i shumë vendeve partnere në NATO. Hungaria mbështet marrjen e ftesës për anëtarësim nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit”, - u shpreh zoti Szekeres. – “Integrimi Euro-Atlantik është shumë i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit. Vlerësojmë qëndrimin konstant të Shqipërisë për çështjen e Kosovës dhe mbështetjen e treguar ndaj paketës së presidentit Ahtisaari”.Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zhvilloi një takim dy palësh dhe me homologun e tij spanjoll Hoze Antonio Alonso Suarez, me të cilin diskutoi për intensifikimin e ashkëpunimit dypalësh. Ministri spanjoll Suarez vuri theksin tek rëndësia e sigurisë rajonale në Ballkan dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë në rajonin tonë. “Do t’ju mbështesim në dhënie ekspertize në çështjet e luftës kundër terrorizmit si dhe në përgatitjen dhe kualifikimin e ushtarakëve të Forcave Detare”, - u shpreh Ministri spanjoll. Takim të veçantë pune, Ministri Mediu pati dhe me homologun e tij Suedez, Mikael Odenberg, vendi i të cilit është një nga kontribuesit më aktivë të Partneritetit për Paqe. Ministri Odenberg vlerësoi ecurinë dhe progresin e reformave në Forcat tona të Armatosura dhe konfirmoi mundësitë e asistencës suedeze në kualifikimin e ushtarakëve shqiptarë, falë eksperiencës shumë-vjeçare nordike në operacionet paqeruajtëse kudo në botë. Këto takime të ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu janë vazhdim i turit të tij evropian për marrjen e mbështetjes nga vendet anëtare të NATO-s, për ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet pranverën e vitit të ardhshëm në Bukuresht të Rumanisë. Sot, Zoti Mediu është nisur drejt Parisit, për t’u takuar me homologun e tij francez Herve Morin.

Kryeministri Berisha: Anëtarësimi në NATO prioritet i Shqipërisë deri në vitin 2009

Qytetarët mendojnë se Forcat e Armatosura kanë bërë përparim

Trazhgim Sokolaj
TIRANE – Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se prioriteti kryesor i Qeverisë shqiptare deri në vitin 2009 kur pritet të mbarojë mandati 4-vjeçar i maxhorancës aktuale, do të jetë anëtarësimi i vendit në NATO dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. Këtë deklaratë kreu i Qeverisë Shqiptare Sali Berisha e ka bërë ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Oponion” që transmetohet në televizionin kombëtar KLAN. I pyetur nëse maxhoranca aktuale do të arrijë një zgjidhje për çështjen e Presidentit dhe nëse qeverisja e kësaj maxhorance vazhdon më tej, kush do të jenë prioritetet e Qeverisë, Kryeministri Berisha ka deklaruar se absolutisht, qëllimi kryesor i ekzekutivit shqiptar do të jetë anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE. Shefi i Qeverisë përmendi më pas si prioritete edhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sali Berisha konfirmoi se sipas tij mbi 90 për qind e Shqiptarëve e mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ndaj për këtë shkak kjo duhet të kthehet në prioritet të Qeverisë Shqiptare për vitet e ardhshme. Ndërkaq në një “VOX-POP” me qytetarë të ndryshëm të Tiranës, të transmetuan të dielën nga televizioni informativ shqiptar “ORA News”, banorët e kryeqytetit Shqiptar mendonin se vendi ka bërë përparim lidhur me kushtet e vendosura për anëtarësimin në NATO. Pjesa më e madhe e personave të intervistuar, mendoni se viti 2008 do të jetë koha kur Shqipëria mund të marrë ftesën për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut Verior. Gjatë transmetimit gjë zgjati rreth 20 minuta, ra në sy se pjesa më e madhe e të intervistuarve i kishin të qarta disa prej kërkesave themelore që duhet të përmbushë Shqipëria për të marrë ftesën për anëtarësim. Ndërsa qytetarë të tjerë nuk e kishin të qartë kush janë kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për anëtarësimin në NATO. Ata madje kur u shprehën optimistë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e lidhin këtë me faktin se vendi po ecën përpara pa iu referuar konkretisht fushave të caktuara. Gjatë transmetimit televiziv, një nga VOX-POP-et e rralla të kushtuara procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ra në sy se një pjesë e qytetarëve të Tiranës ishin të informuar mirë jo vetëm për kërkesat që duhet të përmbushë Shqipëria por edhe për punën që është bërë në realizimin e tyre. Pjesa më e madhe e të intervistuarve, mendonte se në fushën e mbrojtjes Shqipëria ka bërë përparim por paraqet probleme në aspektin e stabilitetit dhe të sjelljes politike.

Freedom House: Indeksi i vlerësimit të demokracisë në Shqipëri shënon rënie


14-06-2007
Raporti i organizatës Freedom House “Vendet në Tranzicion 2007”, ku vlerësohen zhvillimet demokratike në 29 vende të Evropës Qendore dhe Euroazisë gjatë vitit 2006, tregon se populismi dhe pritjet anti-liberale janë në ngritje dhe pavarësia e gjyqësorit është nën presion të vazhdueshëm. Sipas Freedom House, në vendet e Ballkanit Bosnja dhe Serbia kanë bërë një farë përmarimi në proceset demokratike, ndërsa Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi kanë shënuar një farë rënie. Maqedonia dhe Kosova kanë mbetur në të njejtin stad. Përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në strukturat euro-atlantike në gjatë vitit të kaluar shënuan rezultate, vë në dukje Freedom House. Më 12 qershor vendi nënshkroi Paktin e Stabilizim Associmit me Bashkimin Evropian. Sëbashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, Shqipëria mori sinjalin nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Rigë të Letonisë, se do të marrë ftesë në vitin 2008 për të hyrë në NATO. Ky sukses e ka burimin kryesisht në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Ardhja në pushtet e qendrës së djathtë, që e bëri luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përparësinë e saj kryesore, krijoi një imazh pozitiv tek parnerët perëndimorë dhe forcoi platformën e vendit për reforma. Në vitin 2006 procesi i demokratizimit në Shqipëri humbi tempin e fituar në zgjedhjet parlamentare dhe trasferimin paqësor të pushtetit një vit më parë, thuhet në raportin e organizatës Freedom House. Atmosfera tejet e politizuar në Parlament bllokoi reformën zgjedhore për zgjedhjet lokale të radhës dhe antagonizmi i hapur mes ekzekutivit dhe disa institucioneve të pavarura, si dhe prirja për shtimin e theksuar të pushtetit në duart e ekzektivit, e bënë qeverisjen kombëtare më pak efektive dhe më pak demokratike. Administrata e qendrës së djathtë, thotë Freedom Hosue, zhvilloi një luftë energjike kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por pa respektuar të drejtat dhe liritë kushtetuese. Opozita u tregua intransigjente dhe nuk shprehu ndonjë vizion të qartë për një qeverisje më të mirë. Transferimi i pushtetit solli edhe largime të nëpunësve nga administrata civile pa një proces ligjor, gjë që cënoi efikasitetin e adminstratës publike. Megjithatë, çuditërisht, 2006 demonstroi një forcë të ndjeshme të demokracisë shqiptare, thekson raporti i organizatës Freedom House. Në përgjithësi, institucionet e pavaruara nuk u përkulën para presioneve. 2006 pritej të ishte viti i reformës zgjedhore që do ta përgatiste Shqipërinë për zgjedhjet lokale të Janarit 2007. Megjithë fillimin e mirë, kur partitë politike ranë dakord në fund të vitit 2005 për ndryshimin e kodit zgjedhor, kjo përpjekje ngeci në 2006. Negociatat u bllokuan vazhdimisht për çështje të ndyshme, nga anëtarësia në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, lista zgjedhore e deri tek data e zgjedhjeve. Partitë e opozitës sinjalizuan qëllimin e tyre për bojkotimin e zgjedhjeve, në qoftë se do të dështonte procesi i reformimit konsensual të kodit zgjedhor. Gjatë 2006, thuhet në raportin e Freedom House, afatet e parashikuara me kushtetutë për listat zgjedhore dhe ngritjen e qendrave të votimit nuk u respektuan, gjë që rrezikoi së tepërmi shanset e vendit për të mbajtur zgjedhje të lira e të drejta. Freedom House vë në dukje përparimin e pjesëshëm që është bërë në cilësinë dhe transparencën e gjyqësorit, megjithëse sistemi juridik i Shqipërisë mbetet i dobët dhe i korruptuar. Gjyqësori riafirmoi pavarësinë e vet nga ndërhyrjet politike, veçanërisht kur Gjykata Kushtetuese deklaroi jokushtetues ligjin që u kërkonte anëtarëve të Gjykatës së Kasacionit të hiqnin dorë nga çështjet për të eliminuar konfliktet e interesave. Në 2006, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, thotë Freedom House, ishin laitmotivi i administratës së qendrës së djathtë shqiptare . Përgjithësisht në këtë aspekt u shënuan suksese, me arrestimin e udhëheqësve të njohur të bandave dhe me uljen e korrupsionit në taksimet dhe doganat, dhe ç’është më me rëndësi, u bë fare e qartë se imuniteti dhe mbrojtja e zyrtarëve të korruptuar ka marrë fund. Megjithatë korrupsioni dhe ryshfetet në nivele më të ulta kanë vazhduar dhe asnjë zyrtar i lartë nuk është proceduar. Fridoom House thotë se zgjedhjet lokale të 2007 do të jenë një provë e madhe për vendin. Veç zgjedhjeve lokale, qendra e djathtë në pushtet ka përpara edhe sfida të tjera, mes të cilave edhe përmirësimi i marrëdhëneve të saj me institucionet publike, që vendi të ecë përpra në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Marrë nga Zëri i Amerikës, VOA

Presidenti i Shqipërisë dekreton krijimin e 6 gjykatave për të miturit


TIRANE - Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu dekreton krijimin e seksioneve të veçanta penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Presidencës, ku është bërë publik edhe dekreti përkatës, me anën e të cilit Presidenti i Shqipërisë ka dekretuar krijimin e seksioneve të veccanta të gjykatave për të miturit në disa rretheve të vendit. Krijimi i seksioneve të veccanta për gjykimin e të miturve, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e organizmave ndërkombëtare që janë të pranishme në Shqipëri dhe që asistojnë organet e ndjekjes penale dhe të dhënies së drejtësisë por edhe strukturat vendimmarrëse të kësaj fushe.
DEKRETI I POLOTE
Neni 1
Të krijohen seksionet e veçanta penale për gjykimin e të miturve, pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, si më poshtë:

1. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila do të shtrijë veprimtarinë në rrethet Tiranë, Krujë, Kurbin, Mat, Mirditë, Bulqizë dhe Dibër.
2. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila do të shtrijë veprimtarinë në rrethet Durrës, Kavajë, Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Peqin.
3. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila do të shtrijë veprimtarinë në rrethet Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe, Pukë, Tropojë, Kukës dhe Has.
4. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila do të shtrijë veprimtarinë në rrethet Vlorë, Fier, Mallakastër, Lushnje, Berat, Skrapar dhe Kuçovë.
5. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila do të shtrijë veprimtarinë në rrethet Korçë, Pogradec, Kolonjë dhe Devoll
6. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila do të shtrijë veprimtarinë në rrethet Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Tepelenë dhe Përmet.

Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi më 01.09.2007.
Nr. Dekretit 5351
Tiranë, më 11.06.2007
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ALFRED MOISIU

Ministri i Jashtem Basha në Portugali, kërkon mbështetje për Samitin e NATO-s në Bukuresht


TIRANE - Më 12 qershor 2007, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Portugali. Ministri Basha u prit nga Ministri i Jashtëm portugez, z. Luís Filipe Marques Amado, si dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Asamblesë Portugeze. z. José Luís Arnaut. Çështjet kryesore që Ministri Basha trajtoi në takimin me Ministrin portugez Amado ishin ecuria e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre, integrimi i Shqipërisë në BE dhe NATO, zhvillimet në rajon, me fokus Kosovën. Të dy Ministrat vlerësuan nivelin aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehen gatishmërinë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen. Për këtë qëllim, Ministri Basha i kërkoi homologut të tij të konsiderojë mundësinë e hapjes së Ambasadës portugeze në Tiranë, sugjeroi shkëmbimin e vizitave të zyrtarëve më të lartë të të dy vendeve si dhe ftoi biznesin portugez për të investuar në Shqipëri. Në këtë kuadër, Ministrat ndanë të njëjtin mendim për progresin e qeverisë shqiptare në zbatimin e reformave të ndërmarra në planin e brendshëm, progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rëndësinë e iniciativave të ndërmarra nga qeveria me synim krijimin e një ambjenti sa më tërheqës dhe të sigurtë për investimet e huaja në Shqipëri. Ministri Amado i premtoi z. Basha se do të konsiderojë mundësinë për të vizituar Shqipërinë në gjashtë mujorin e dyte të vitit 2007. Ministri Basha solli në vëmendje të z. Amado se vizita e tij në Portugali zhvillohej pikërisht në ditën e njëvjetorit të nënshkrimit të MSA me BE-në dhe në momentin kur Portugalia po përgatitet për të marrë Presidencën e këtij Unioni. Duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë për plotësimin e standarteve që do të çojnë drejt anëtarësimit të vendit në NATO e BE, Ministri Basha i kërkoi homologut të tij mbështetjen e Portugalisë për marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit dhe intensifikimin e përpjekjeve për ratifikimin e MSA. Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, Ministri Basha solli në vëmendje të ministrit portugez qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të paketës Ahtisaari dhe të përpjekjeve të SHBA e Bashkimit Europian për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke theksuar se çdo vonesë nuk do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit. Ai gjithashtu, solli në vëmendje të z. Amado egzistencën e një mirëkuptimi rajonal përsa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ministri Basha theksoi se, çështja e Kosovës është problemi i fundit i pazgjidhur për sigurinë Europiane. Ministri Amado e konsideroi stabilizimin e rajonit dhe çështjen e statusit të Kosovës, në këtë kontekst, një nga çështjet me kryesore të axhendës portugeze të Bashkimit Europian. Në bashkëpunim me institucionet e tjera të BE-së, veçanërisht me Komisionin Europian, ne do të punojmë për të identifikuar hapat kryesore që duhet të ndërmarrë çdo vend i rajonit për tu afruar më tej me BE-në, u shpreh z. Amado. Në këtë kuadër, ratifikimi i MSA nga Portugalia do të përbëjë një sinjal të rëndësishëm për vendin tuaj. Në takimin me Kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Asamblesë portugeze, z. Arnaut, bashkëbiseduesit ndanë mendimin për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në përpjekjet e saj për integrim në BE e NATO, mbështetjen e Portugalisë në këtë kuadër, si dhe rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve mes parlamentare të të dy vendeve. Z. Arnaut shprehu angazhimin e Asamblesë portugeze për të ratifikuar MSA me Shqipërinë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007.

Kryeministri Berisha: Masa në luftën kundër kriminalitetit që Shqipëria të jetë eksportues sigurie


TIRANE -13.6.2007
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha veçoi, ndër projektligjet dhe projektvendimet e marra në shqyrtim, projektvendimin “Për miratimin në parim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës italiane, në luftën kundër kriminalitetit”, të propozuar nga ministri i brendshëm. Kryeministri e vlerësoi miratimin në parim të kësaj marrëveshjeje si një hap shumë të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë luftë. Duke theksuar rëndësinë përcaktuese që ka lufta kundër kriminalitetit për progresin drejt BE-së dhe anëtarësimit në Nato, Kryeministri Berisha u shpreh se ky kuadër marrëveshjesh duhet tu ofrohet të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Në këtë kuadër, Kryeministri njoftoi krijimin e një task force të re, e cila do ta çojë në një niveltë ri luftën kundër kriminalitetit, në mënyrë që Shqipëria të jetë një eksportuese e sigurisë në rajon. Duke ritheksuar se lufta kundër krimit do të vazhdojë me zero tolerancë, Kryeministri u shpreh se vetëm kështu Shqipëria do të luajë rolin e saj të rëndësishëm në rajon dhe do të mund të ecë e sigurtë drejt anëtarësimit në Nato dhe plotësimit të kushteve për BE. Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh: “Sot do të diskutohen një seri projektligjesh dhe projektvendimesh të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar, bashkëpunimin ushtarak, si dhe plotësimin e disa institucioneve. Sot, miratojmë në parim Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane në luftën kundër kriminalitetit, të propozuar nga ministri i Brendshëm, si një hap shumë i rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë luftë. Kjo luftë ka një rëndësi përcaktuese për progresin drejt BE-së dhe drejt anëtarësimit në NATO, ndaj dhe ky kuadër marrëveshjesh duhet tu ofrohet të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Gjithashtu zoti Rusmali bashkë me ministrin e Jashtëm duhet të bëjnë një punë këmbëngulëse për marrëveshjet e ekstradimit. Lufta kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojë me zero tolerancë. Krijimi i task forcës së re, do të mund ta ngre në një nivel të ri shumë të rëndësishëm këtë luftë, pasi Shqipëria duhet të jetë një eksportuese sigurie, në mënyrë që ajo të luajë rolin e saj të rëndësishëm në rajon dhe të mund të ecë e sigurtë drejt anëtarësimit në NATO dhe plotësimit të kushteve për BE.” Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri informoi gjithashtu gazetaret për përfundimin e ambienteve të reja, nga ku ata do të ndjekin mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Komunikimi me mediat, tha Kryeministri, në këtë mënyrë bëhet më zyrtar, por edhe më komod.

Raporti i Departamentit të Shtetit për 2007: Shqipëria vend origjine për gratë dhe vajzat e trafikuara



“Disa oficerë të policisë, punonjës të doganave dhe të policisë kufitare lehtësuan trafikimin duke pranuar ryshfete, duke informuar trafikantët dhe duke siguruar dokumente udhëtimi për trafikantët”

Raport i Departamentit të Shtetit të Sh.B.A. mbi Trafikimin e Personave
Viti 2007
Shqipëria (Grupi 2)
Shqipëria është vend origjine për gratë dhe vajzat e trafikuara ndërkombëtarisht dhe brenda vendit me qëllim shfrytëzimi seksual komercial; vendi nuk konsiderohet më një vend kryesor tranziti dhe nuk është nje vend i rëndësishëm destinacioni. Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi dhe Itali, shumë prej te cilave trafikohen më tej në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Gjermani dhe Hollandë. Trafikimi i brendshëm seksual i femrave dhe fëmijëve është në rritje.
Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, vendi po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria vazhdoi të tregonte një përpjekje domethënëse për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët, instaloi një linjë telefonike të posaçme falas në mbarë vendin dhe ratifikoi një marëveshje dypalëshe me Greqinë kundër trafikimit të fëmijëve. Qeveria nuk ka krijuar një bazë të dhënash rast-gjurmuese që duhet të formojë thelbin e mekanizmit kombëtar të referimit i cili do të përmirësonte shumë kujdesin për viktimat e trafikut. Shërbimet e riintegrimit dhe rehabilitimit mbeten me rëndësi kritike për të parandaluar ritrafikimin e qytetarëve shqiptarë. Qeveria duhet të vazhdojë zbatimin e aksionit kombëtar dhe të hetojë dhe ndjekë penalisht me forcë korrupsionin e lidhur me trafikimin në të gjitha nivelet ligjzbatuese.
Ndjekja Penale
Në vitin 2006, Qeveria Shqiptare vazhdoi të hetonte dhe ndiqte penalisht me forcë trafikimin. Shqipëria e ndalon penalisht trafikimin për qëllim seksual dhe pune përmes Kodit Penal. Dënimet e parashikuara për trafikim për qëllim shfrytëzimi komercial të seksit i kalojnë ato të përdhunimit. Ligjet parashikojnë dënime mjaftueshëm të rrepta si për trafikimin seksual ashtu edhe për trafikimin për punë. Policia i referoi 51 çështje të reja trafikimi Prokurorisë së Përgjithshme, e cila vuri nën hetim 65 persona për akuza të lidhura me trafikimin. Dyzet e tre çështje iu çuan për referim Gjykatës së Krimeve të Rënda, në të cilën pati 62 procedime dhe 57 vendime fajësie për trafikim. Katër shkelës u dënuan deri në dy vjet burgim, 10 u dënuan me nga 2 deri në 5 vjet burgim, 26 u dënuan me nga 5 deri në 10 vjet burgim, dhe 25 të tjerë u dënuan me mbi 10 vjet burgim. Në vitin 2006, një operues britanik i një jetimoreje u arrestua me akuzen për ngacmim seksual të fëmijëve dhe ofrim të fëmijëve shqiptar për shfrytëzim seksual pedofilëve të huaj që vizitonin Shqipërinë specifikisht për marrëdhënie seksuale me fëmijë. Disa oficerë të policisë, punonjës të doganave dhe të policisë kufitare lehtësuan trafikimin duke pranuar ryshfete, duke informuar trafikantët dhe duke siguruar dokumente udhëtimi për trafikantët. Avokatët dhe gjyqtarët aludohen për marrje ryshfeti duke lejuar trafikantët që përmes pagesave ti shpëtojnë ndëshkimit nëse arrestohen. Një zyrtar policie u arrestua sepse ndihmoi një trafikant të arrestuar që të lirohej. Katër oficerë të policisë kufitare u arrestuan për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Mbrojtja
Qeveria e Shqipërisë i vazhdoi përpjekjet e saj modeste për të mbrojtur dhe reintegruar viktimat e trafikuara gjatë vitit 2006. Shqipëria i inkurajon viktimat që të dëshmojnë kundër trafikantëve por shpesh ato refuzojnë për shkak të frikësimit nga trafikantët. Në vitin 2006, vetëm 20 nga 227 viktimat e trafikimit të identifikuara apo të dyshuara si të tilla ofruan dëshmi kundër trafikuesve të tyre. Ligji shqiptar i lejon viktimat të bëjnë padi civile; viktimat përgjithësisht nuk ndërmarrin padi të tilla për shkak të mosbesimit tek policia dhe gjyqësori. Qeveria nuk penalizon viktimat e trafikimit për veprime të jashtëligjshme kryer si pjesë e trafikimit të tyre. Aktualisht nuk ka dispozitë ligjore për akordimin e lejes së përkohshme apo të përhershme të qëndrimit për viktima të trafikimit nga vende të trata; viktimat mund të aplikonin për azil. Në vitin 2006, qeveria hartoi legjislacion si pjesë e Ligjit mbi të Huajt që e trajton këtë çështje. OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare administruan dhe financuan pjesën më të madhe të shërbimeve për viktimat; megjithatë, qeveria ofroi mjedise dhe staf dhe ndihmoi me referimin e viktimave. Qendra Kombëtare për Referimin e Viktimave e qeverisë ofroi asistencë për 46 viktima të trafikimit nga Shqipëria dhe nga vende të treat; shumë prej tyre u transferuan në streha të tjera për riintegrim. Shqipëria ratifikoi një marrëveshje dypalëshe me Greqinë për të ndihmuar kthimin e viktimave fëmijë të trafikimit.
Parandalimi
Qeveria e Shqipërisë bëri përparim në veprimtari parandaluese dhe ndërgjegjësuese kundër trafikimit gjatë vitit 2006, por u mbështet kryesisht tek OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare për mbështetje financiare. Qeveria, me mbështetje nga IOM dhe UNODC, kreu një fushatë të kufizuar për të ndihmuar hapjen e një linje telefonike anti-trafikim për të publikuar numrin e linjës dhe për të rritur ndërgjegjësimin mes viktimave të mundshme. Në dy muajt e parë, linja e posaçme telefonike mori 11 telefonata që mund të ndiqeshin ligjërisht që lidheshin me trafikimin. Me mbështetje nga ILO, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta vuri në zbatim një program huash të vogla për viktimat femra të trafikimit për t’i ndihmuar të ngrinin biznese të vogla, për të promovuar riintegrimin dhe për të parandaluar ritrafikimin.

Ministri i Mbrojtjes Mediu, dekoron Ambasadoren Amerikane Marcie Ries dhe vlerëson kontributin e saj në mardhëniet SHBA-Shqipëri


TIRANE -11 qershor 2007- Në mjediset e Qendrës Kulturore të FA, u organizua ceremonia e dekorimit të ambasadores së SHBA-së në Tiranë Marcie Ries, e cila përfundoi misionin e saj në Shqipëri. Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zv.ministrat e Mbrojtjes Zana Xhuka dhe Petrit Karabina, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral major Luan Hoxha, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm kolonel Agim Lala, ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti Besnik Mustafaj, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë, të Zyrës së Bashkëpunimit Amerikan në MM, të kompanisë “Cubic”, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues të trupave tona që kanë shërbyer me misione paqeruajtëse jashtë vendit etj. “Nuk është e lehtë për mua personalisht të flas këtu, por dhe për të gjithë të pranishmit, pasi kjo ceremoni mban mbi vete ndjenja të përziera gëzimi për suksesin tuaj, por dhe keqardhje për largimin tuaj nga Shqipëria”, - kështu iu drejtua Ambasadores Ries që në fillim të përshëndetjes së tij ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjatë këtyre tre vjetëve të punës tuaj në Shqipëri, vijoi më tej ai, përveç bashkëpunimit të ngushtë zyrtar, neve bashkërisht ndërtuam edhe një raport miqësor e human që ia shtoi vlerat këtij bashkëpunimi. Gjatë mandatit tuaj që po mbyllet, i cili ka qenë i pasur me evenimente dhe shumë i suksesshëm, marrëdhëniet tona si aleatë shembullorë janë forcuar, partneriteti ynë strategjik ka njohur arritje të mëdha. Duke u ndalur në bashkëpunimin me FA Amerikane në misionet paqeruajtëse, Ministri Mediu u shpreh: “Jemi së bashku në Irak e Afganistan, që, siç u shpreh dje në Tiranë Presidenti Bush: ”duke u përcjellë demokracinë burrave, grave e fëmijëve të atyre vendeve të largëta”; jemi së bashku duke luftuar terrorizmin dhe përpiqemi të ndihmojmë për të shpërndarë demokracinë në botë. Më tej Ministri Mediu u ndal posaçërisht në vizitën që bëri në Tiranë Presidenti Xhorxh Ë. Bush, duke e vlerësuar atë si një moment historik për marrëdhëniet midis dy vendeve tona, “vizitë e cila, iu drejtua zoti Mediu Ambasadores Ries, u realizua gjatë mandatit tuaj, suksesi i padiskutueshëm i së cilës është pjesë e angazhimit dhe kontributit tuaj personal”. Më tej, Ministri Mediu theksoi se Ambasadorja Ries ka kontribuar maksimalisht për të forcuar lidhjet Shqipëri-Amerikë në çdo aspekt, angazhimi saj në misionin e Qeverisë Shqiptare, por dhe të gjithë popullit shqiptarë për të qenë pjesë e alencës së NATO-s ka qenë mbështetja më e fortë dhe pjesë e pandashme e progresit të realizuar në Shqipëri. “Jam i sigurt se dhe pas largimit tuaj, Shqipëria do të vazhdojë të ketë vëmendjen tuaj. Jam i sigurtë se ju do të vazhdoni të jeni aktive në forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, sepse tashmë ju konsideroheni një nga miket më të mira të Shqipërisë dhe popullit të saj”- e përfundoi fjalën e tij Ministri Mediu. Më pas Ministri Mediu i dorëzoi Ambasadores Ries medaljen “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontributin e shquar për transformimin dhe modernizimin e FA Shqiptare dhe mbështetjen e dhënë për integrimin e Republikës së Shqipërisë në strukturat euroatlantike”. Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral major Luan Hoxha përshëndeti Ambasadoren Ries në emër të të gjithë ushtarakëve të FA Shqiptare dhe vlerësoi kontributin e saj në progresin e bërë në procesin e reformave të mbrojtjes në vendin tonë. “E kam të vështirë të gjejë fjalët e duhura për të shprehur falenderimin dhe mirënjohjen time për vlerësimin që po i bëni punës sime”,- tha në fjalën e saj Ambasdorja Ries. Gjatë tre viteve të punës sime këtu, vijoi më tej ajo, kam patur mundësinë të shohë progresin që ka bërë dhe po bën Shqipëria në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, sociale, në infrastrukturë etj, por modernizimi i FA është një fushë ku arritjet janë të mëdha dhe të dukshme. Ju keni kontribuar në operacionet paqeruajtëse në Bosnje, në Irak dhe në Afganistan dhe një kompani e Batalionit të Dytë të Reagimit të Shpejtë po përgatitet për të shkuar me mison në Afganistan. Ata kanë qëndruar krah për krah me trupat tona amerikane dhe janë dalluar për kryerjen me nder të detyrave. Duke folur për progresin e bërë në rrugën drejt integrimit euroatlantik, Ambasadorja Ries theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara për plotësimin e standardeve, por ende duhet punë. SHBA janë vazhdimisht pranë jush, duke ju mbështetur dhe ndihmuar për arritjen e objektivave. Vizita e Presidentit Bush në Shqipëri ishte shumë e suksesshme dhe një tregues i qartë i përkrahjes dhe mbështetjes që SHBA japin për vendin tuaj mik. Jam optimiste për Shqipërinë, tha në fund të fjalës së saj Ambasadorja Ries, sepse shoh këtu shumë energji dhe shumë vendosmëri për të ecur përpara dhe largohem nga vendi juaj me bindjen se ju do t’i arrini objektivat e mëdha që i keni vënë vetes.
Burimi: Ministria e Mbrojtjes

Kryeministri i Shqipërisë Berisha, falënderon Fushe-Krujen për pritjen e Presidentit Bush


TIRANE- “Ju i vutë kurorën kësaj vizite për të cilën çdo shqiptar ndjehet krenar dhe mirënjohës.” Kështu është shprehur sot më 11 qershor 2007, Kryeministri Sali Berisha i cili ndaloi në Fushë-Krujë për të falënderuar autoritetet dhe banorët e këtij qyteti për pritjen që i rezervuan Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush gjatë vizitës në këtë qytet. Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:
“Erdha me padurim për t’ju shprehur ju dhe qytetarëve të këtij qyteti mirënjohjen më të thellë për atë çka bëtë dje me pritjen vëllazërore që i rezervuat mikut më të shquar të shqiptarëve, Presidentit George W. Bush. Në Tiranë, të gjithë ne, qeveria, opozita, presidenti, kryeministri bënë gjithçka për pritjen zyrtare më të mirë të mundshme dhe unë them se e kemi realizuar këtë. Por pritjen më të mirë shqiptare ia rezervuat ju. Qytetarët e Fushë Krujës e pritën presidentin për të gjithë shqiptarët, e përqafuan presidentin për të gjithë shqiptarët, shprehën në mënyrën më fisnike dhe më të zjarrtë dashurinë dhe respektin e shqiptarëve për presidentin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vizitë unike, e para dhe e papërsëritshme në historinë e vendit. Ishit ju, qytetarët e Fushë Krujës, që i vendosët kurorën e stolisur me ndjenjat më miqësore, më të holla dhe më të zjarrta të shqiptarëve për Presidentin Bush. Këtë pritje do ta bënin shqiptarët kudo ku ndodhen, do ta bënte Tirana në të gjitha përmasat, por siguria absolute e mikut nuk mund të mos ishte dhe përparësia absolute. Edhe një herë ju falënderoj zoti kryetar. Ju i vutë kurorën kësaj vizite për të cilën çdo shqiptar ndjehet krenar dhe mirënjohës ndaj jush. Ndaj nuk mund të mos rrija pa ardhur për të shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen që kanë sot të gjithë shqiptarët. Sikundër të gjitha mediat e botës lajmet i kanë hapur me Fushë Krujën. Impakti në këto media ishte pozitiv dhe i jashtëzakonshëm. Ato raportuan se kjo dashuri, respekt dhe miqësi ka një moral dhe ky moral është mirënjohja. Sepse ishte presidenti Willson i shpëtoi shqiptarët nga ndarja e mëtejshme, Presidenti Clinton udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës dhe Presidenti Bush i ndihmon sot fuqishëm shqiptarët. Kjo pritje ka qenë pasqyra e mirënjohjes dhe një komb që është mirënjohës është komb i virtytshëm dhe që meriton respekt. Mediat e të gjithë botës kanë pasur në raportimet e tyre paragrafin se Presidenti Willson bllokoi ndarjen. Këto akte historike kanë qenë përcaktuese për fatet e lirisë së shqiptarëve. Ju bëtë atë që do të donte çdo shqiptar ta bënte. Ju e detyruat presidentin të dalë për të dytën herë nga makina dhe nuk besoj ta ketë thyer ndonjë herë protokollin në këtë mënyrë. Por ndjenjat tuaja ishin të atilla sa kalojnë mbi çdo protokolli. Edhe nga ana zyrtare vizita ka qenë po kaq e përsosur dhe e mrekullueshme në aspektin e vet. Por ju ishit kurora e saj. Ju përfaqësuat vendin me dinjitet të jashtëzakonshëm. Faleminderit.”

Presidenti i Shqipërisë: Vizita Presidentit Bush të na shërbejë si nxitje për zhvillimin demokratik të vendit


Ne foto: Presidenti Amerikan George W.Bush dhe Presidenti shqiptar Moisiu me KOMANDOT shqiptare qe kane marre pjese ne misionet paqeruajtëse ne Irak e Afganistan

TIRANE, 11 qershor 2007
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu pati sot një takim me stafin e Presidencës të angazhuar në vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush në Shqipëri, në të cilin shprehu konsideratën e tij të lartë për këtë vizitë të parë zyrtare të të parit President amerikan në vendin tonë. Kryetari i shtetit e vlerësoi këtë vizitë historike si një dëshmi e qartë e marrëdhënieve të shkëlqyera të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si një ngjarje, e cila përcjell mesazhe të reja e të fuqishme mbështetjeje për Shqipërinë, popullin shqiptar dhe kombin shqiptar. Presidenti Moisiu theksoi se kjo vizitë e suksesshme duhet të na shërbejë të gjithëve, politikës dhe institucioneve të shtetit, si një nxitje për thellimin e reformave, zhvillimin demokratik të vendit dhe për realizimin e aspiratës së Shqipërisë për t’u integruar pa humbur kohë në strukturat euroatlantike.

Shqiptarë, faleminderit për Ditën e Vizitës së Presidentit Bush!


TIRANE - Shqiptarët sot meritojnë një falënderim të veçantë. Personalisht u ndjeva krenar teksa po shikoja sesi bashkëqytetarët e mi, jo vetëm banorë të Tiranës, sot kur në kryeqytetin e Shqipërisë ndodhej për vizitë Presidenti Amerikan George W.Bush, respektuan rregullat dhe masat e sigurisë si rrallë herë më parë. Askush nuk i kaloi shiritat e vendosur nga policia në zonat apo rrugët e kufizuara, askush nuk lëvizi me makinë aty nuk ishte ndaluar, askush nuk u bë pengesë për zhvillimin e një evenimenti të tillë të shumëpritur dhe historik, si vizita e Presidentit amerikan George W.Bush. Besoj se sikurse unë, edhe shumë shqiptarë të tjerë sot, e kanë ndjerë veten qytetarë të vlerësuar, sepse kishim mysafir të mirëpritur në Tiranë dhe në Shqipëri, Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W.Bush. Kishim mes nesh një Udhëheqës që pavarësisht se qëndroi tetë orë, do ta kemi gjatë në mendje imazhin dhe fjalët e tij shpresëdhënëse për të gjithë shqiptarët. Sepse Presidenti Bush erdhi në Shqipëri në një kohë që disa kombe dhe shtete të caktuara, na cilësojnë ende një vend jo të sigurt. Dhe shqiptarët siç duket e kuptuan fort mirë këtë. Ata si asnjëherë tjetër i respektuan rregullat dhe masat e vendosura, duke merituar edhe përshëndetjen e Presidentit Bush, i cili bëri një lëvizje me eskortën e tij në Bulevardin kryesor të Tiranës, pikërisht për të përshëndetur shqiptarët, qe e mirëpritën. Presidenti Bush, pa sot në Shqipëri, atë mikpritje që prej ditësh ishte shfaqur në rrugët e Tiranës, përmes flamujve shqiptarë dhe amerikanë që ishin vendosur dhe qëndronin përkrah njëri tjetrit, përmes afisheve gjigande dhe njerëzve entuziastë, ku Shqipëria shprehte krenarinë e saj për një vend mik të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë pashë sot njerëz që përshëndetën dhe duartrokitën teksa qëndronin në anët e rrugëve ku kaloi eskorta e Presidentit Bush dhe bashkëshortes së tij Zonjës Laura Bush. Unë pashë sesi shqiptarët mbanin në duar flamurin Amerikan dhe sesi ndjeheshin krenarë duke pritur përfundimin e takimeve zyrtare për të përshëndetur përsëri Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë lëvizjes së tij në rrugët e Tiranës. Personalisht isha dëshmitar i përpjekjes së madhe që bënë shumë qytetarë të Tiranës, që u ndodhën në afërsi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Bashkisë së Tiranës, kur eskorta presidenciale Amerikane mbërriti në Tiranë. Shumë qytetarë kishin pritur në dy anët e Bulevardit autokolonën e makinave, por eskorta mbërriti në Bulevard nuk rruga e unazës së kryeqytetit shqiptar. Pashë shqiptarë të dëshpëruar që nuk patën mundësi të përshëndesin Presidentin Amerikan në atë moment. Ata vrapuan në drejtim të ish-hotel Dajtit, për të qenë sa më pranë Presidentit Bush dhe për ti transmetuar atij përshëndetjet dhe mirëseardhjen. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithsesi nuk i zhgënjeu shqiptarët, por i falënderoi dhe i vlerësoi ata, duke bërë një shëtitje në Bulevardin kryesor më pas, dhe duke i përshëndetur të gjithë qytetarët që kishin dalë në anë të rrugëve. Teksa po kuptoja se gjithçka po shkonte mirë, u ndjeva krenar jo për veten time, por për gjithë ata bashkëqytetarë dhe gjithë ata shqiptarë dhe kosovarë, që bashkë me familjet dhe të afërmit e tyre, kishin dalë të gjithë në rrugë për të përshëndetur Presidentin amerikan dhe Zonjën e Tij. U ndjeva krenar sepse mes nesh ndodhej Presidenti i SHBA-ve dhe se ne, po dëshmonim mikpritjen, respektin, vlerësimin dhe konsideratën më të lartë duke treguar gjithashtu se nuk jemi një popull që nuk dimë të respektojmë vlerat e vërteta demokratike. Pashë sesi teksa ndodhej në qytetin e Fushë-Krujës, Presidenti Bush u ndje shumë i sigurt dhe shumë i mirëpritur, aq sa ndaloi në përshëndetje të përzemërta me shumë qytetarë që ishin grumbulluar aty. Teksa po shikoja autokolonën presidenciale amerikane, që po drejtohej për në aeroport doja që kjo ngjarje e madhe, ky eveniment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, të mos harrohej kurrë dhe të mbetej gjithnjë në mendjen e të gjithëve. Jo vetëm sepse në Tiranë kishim të pranishëm një Mik të Madh të shqiptarëve, i cili artikuloi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e Shqipërisë në NATO, por edhe sepse ne, shqiptarët, treguam sot se dimë të respektojmë vlerat e vërteta, partneritetin dhe miqësinë me Kombin e Madh Amerikan. Ndaj si shqiptar, dëshiroj vërtet ti përshëndes të gjithë bashkëkombësit e mi, që më bënë vërtet të ndihem krenar me sjelljen e tyre dhe me qëndrimin që ata mbajtën gjatë kohës që patëm mes nesh në Shqipëri dhe në Tiranë, Presidentin Amerikan George W.Bush.

Presidenti Bush bën vizitë historike në Shqipëri

TIRANE - Presidenti Bush tha sot gjatë vizitës në Shqipëri se ka ardhur koha që të vendoset fati i Kosovës. Ai tha se të gjitha bisedimet për statusin e saj duhet të kenë si objektiv një lloj pavarësie. Duke folur sot në Tiranë, gjatë vizitës së parë të një presidenti amerikan në Shqipëri, zoti Bush tha se është i shqetësuar që nuk po realizohet ajo që duhet në Kosovë ku shumica shqiptare kërkon pavarësinë. Zoti Bush tha se propozimi që bëri javën e kaluar Presidenti francez Nicola Sarkozy për një shtyrje 6 mujore në zbatimin e planit për pavarësi të mbikqyrur do të funksiononte vetëm nëse krijimi i shtetit të pavarur mbetet objektivi përfundimtar. “Varianti i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe mendoj për shumicën e Grupit të Tetëshes, është që, cilido qoftë procesi të arrihet një lloj pavarësie. Kjo është e rëndësishme të dihet”, tha Presidenti Bush. Presidenti Bush u kërkoi gjithashtu udhëheqësve të Shqipërisë të punojnë me shqiptarët e Kosovës për të ruajtur paqen dhe qetësinë derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të jetë gati të votojë për planin e pavarësisë. Vizita e presidentit Bush në Shqipëri është pjesë e turneut të tij tetë ditor në Evropë, gjatë të cilit mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit të Tetëshes. “Shqiptarët e njohin tmerrin e tiranisë, kështu që ata po punojnë që t’u sjellin lirinë njerëzve që nuk e kanë njohur atë. Kjo është një përpjekje fisnike dhe një sakrificë, një sakrificë që unë e vlerësoj. Shqipëria ka dërguar 120 nga komandot e saj elitë në Irak. Unë pata privilegjin të takoj disa nga ushtarët shqiptarë. U thashë atyre që ushtria jonë i respekton që Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë kontributin e tyre. Po ashtu edhe qytetarët irakianë. U thashë gjithashtu që të falënderojnë gratë dhe fëmijët e tyre në emër të Shteteve të Bashkuara”, tha Presidenti Bush në një konferencë shtypi me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha.
Marrë nga Zëri i Amerikës/ VOA

Berisha: Shqiptarët janë krenarë të kenë mik Shtetet e Bashkuara


Intervistoi: Arben Xhixho 08-06-2007
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se në takimin që do të ketë me Presidentin Bush do të diskutojë mbi reformat, bashkëpunimin dypalësh, statusin e Kosovës dhe çështje të tjera. Ai tha gjithashtu se duke ardhur ne Shqiperi, Presidenti Bush realizon së pari një dëshirë të madhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë në shpirt, proamerikanë. Kryeministri Berisha i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive per Zërin e Amerikës.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, Tirana këto ditë i ngjan më tepër një qyteti amerikan. Ju do të takoheni të dielën me Presidentin Bush. Cilat do të jenë temat që do të trajtoni në këtë takim?
Kryeministër Sali Berisha: Ju e thatë me të drejtë: Tirana ka marrë pamjen që i ngjajnë një qyteti amerikan dhe jam i bindur se këtë pamje Tirana e ka marrë me dëshirën e të gjithë qytetarëve të saj, të cilët do të donin t’i dëshmonin presidentit të Shteteve të Bashkuara në vizitën e tij të parë të një presidenti amerikan në Shqipëri, ndjenjat më miqësore, mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të madh. Ndaj edhe Tirana është zbukuruar në këtë mënyrë për nder të kësaj vizite të shumëpritur. Natyrisht, në takimin që do të kem ditën e djelë me Presidentin Bush, krahas mirënjohjes për të gjithë mbështetjen e madhe dhe të jashtëzakonshme të cilën Shtetet e Bashkuara dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka dëshmuar shqiptarëve në momentet më kritike të historisë së tyre duke u dhënë mundësi të ecin në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë, në rrugën e dinjitetit drejt familjes së kombeve të zhvilluara, do të paraqes arritjet e reformave në Shqipëri, arritjet e këtyre 15 viteve të cilat kanë patur mbështetjen e plotë të institucioneve dhe të taksapaguesve të Shteteve të Bashkuara, do të diskutojmë për nivelin e shkëlqyer aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve, mbi aspiratat dhe përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO si objektivi më madhor kombëtar i Shqipërisë, mbështjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces. Do të diskutojmë për zhvillimet në rajon, bashkëpunimin rajonal. Fakti që në këtë ditë unë kam ftuar në Shqipëri kryeministrin e Maqedonisë dhe të Kroacisë në drekën që shtroj për nder të Presidentit Bush – pra do të jetë një drekë e formatit A-3 plus Shtetet e Bashkuara – tregon edhe për rëndësinë edhe rajonale të kësaj vizite. Sigurisht do të diskutojmë edhe për çështjen e cila është sot ndofta çështja më e mprehtë në Europë – çështja e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Shqipëria, siç e thatë edhe ju, ka si objektiv kryesor anëtarësimin në aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur fuqimisht. Mendoni se Shqipëria do të arrijë të bëhet anëtare e NATO-s brenda mandatit të qeverisë suaj?
Kryeministër Sali Berisha: Jam optimisit por jam i vetdijshëm se duhet të bëj një punë të madhe dhe këmbëngulëse. Arritjet janë të pamohueshme. Në rast se bëhet një rishqyrtim i të gjitha kombeve ish komuniste, nuk ka një komb tjetër që të ketë bashkëpunuar në 15 vite më ngushtë me NATO-s se sa kombi shqiptar. Kjo për faktin sepse Shqipëria është e vendosur në një rajon ku pati konflikte të mëdha por me të gjithë potencialin e saj mbështeti NATO-n, operacionet e saj dhe zhvilloi një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ndaj edhe sot në Shqipëri, po të bëhet anketë dhe një anketë e tillë është bërë, 93 përqind e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në NATO. Kjo është dëshmi se ky popull ndjehet shpirtërisht anëtar i NATO-s. Duhen bërë përpjekje për të arritur standardet. Forcat tona të armatosura kanë pësuar ndryshime të jashtëzakonshme, falë ndihmës shumë të çmuar që Pentagoni por edhe NATO-ja i kanë dhënë Shqipërisë për këto reforma. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka dëshmuar se pavarësisht nga vështirësitë është një demokraci që funksionon. Sidoqoftë, plani për anëtarësimin në NATO është në zbatim e sipër dhe çdo gjë do të varet shumë nga efiçenca e zbatimit të tij në mënyrë që ne të marrim ftesën e anëtarësimit në samitin e Bukureshtit.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, shumë analistë thonë se kjo vizitë është po aq e rëndësishme për Shqipërinë sa edhe për Kosovën. A jeni i të njëjtit mendim?
Kryeministër Sali Berisha: Kjo është një vizitë bilaterale e një rëndësie historike dhe një ngjarje kulmore në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Vizita ka rëndësi për rajonin. Mendoj se udhëheqja politike e Kosovës i ka patur dhe i ka dyert e hapura në Uashington. Ka një dialog konstant, është dëgjuar dhe dëgjohet, është këshilluar dhe këshillohet me administratën e Presidentit Bush. Në këtë kontekst, për sa i përket interpretimit se kjo vizitë është e lidhur me dhënien e një mesazhi, mendoj se mesazhin Presidenti Bush e ka shprehur qartë në të gjitha qendrimet e tij gjatë javëve të fundit, e ka shprehur qartë Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, e ka shprehur qartë përmes ambasadorit në Kombet e Bashkuara dhe përfaqësueses në Prishtinë. Pra, nuk gjykoj se kjo vizitë i adresohet parësisht problemit të Kosovës. Natyrisht, Shqipëria, që nga ditët e para e deri sot ka qenë një interlokutor për Shtetet e Bashkuara por edhe për vendet e tjera për çështjen e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, le të ndalemi te problemet e Shqipërisë. Vizita do të bashkojë të paktën për një ditë të gjithë klasën politike shqiptare. Pritet të vazhdojë kjo frymë edhe më tej? E kam fjalën se ngjarja më e madhe politike në në vendin tuaj është zgjedhja e presidentit të ri. Çfarë garancish mund të jepni se vendi nuk do të shkojë në acarime politike si ato që kemi parë në zgjedhjet e mëparshme?
Kryeministër Sali Berisha: Jam dakord me ju. Është moment shumë i rëndësishëm kushtetues zgjedhja e presidentit të republikës. Sot, Parlamenti përcaktoi datën 20 si datën e takimit të parë parlamentar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Forcat politike kanë shprehur vullnetin të punojnë për arritjen e konsesusit për presidentin e republikës. Unë gjykoj se kjo është gjë pozitive. E vlerësoj në tërësi si një dëshirë reale. Kanë kundërshtitë e tyre për kandidaturat por nuk mund të pritej që ato të binin dakord para se të nisë procesi për kandidaturat. Kështu që nëse më kërkoni të bëj një vlerësim të procesit, deri tani e konsideroj një proces normal, një proces në kahje pozitive. Cili do të jetë rezultati, mund të më pyesni. Për një gjë mund t’ju siguroj: se do të ketë zgjidhje kushtetuese. Shqipëria, forcat politike shqiptare e kanë atë maturi dhe vendosmëri që në çdo rrethanë, ligjet dhe kushtetuta e vendit të zbatohen. Unë jam i vendosur të punoj për një president konsensual bashkë me opozitën.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju do të hyni në histori si kryeministri që priti në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri presidentin e Shteteve të Bashkuara. Duke qenë në krye të vendit juve ju takon edhe përgjegjësia për situatën politike. Si u përgjigjeni kritikave se imazhi i Shqipërisë sot në botë, fajin kryesor për këtë imazh të dëmtuar e ka klasa politike e Shqipërisë? Çfarë mund të bëjë qeveria juaj për ta përmirësuar këtë?
Kryeministër Sali Berisha: Jam dakord me ju se Shqipëria ka një problem imazhi. Por problemi më thelbësor në çështjen e imazhit është i lidhur me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Po të ndjekësh zhvillimet e këtyre dy viteve, mund të them se nuk ka qevei apo institucion mik të vendeve të tjera që nuk vlerëson me nota shumë pozitive luftën kundër krimit të organizuar shqiptar nga qeveria shqiptare dhe institucionet në tërësi. Por, duke thënë këtë, nuk mund të them se Shqipëria është çliruar nga damka e këtij problemi. Unë isha para një jave në selinë e NATO-s dhe pothuajse të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare që morën fjalën, përshëndetën arritjet në këtë fushë, por në mënyrë absolute shprehën shqetësimin e tyre nëse këto arritje do të jenë apo jo të pakthyeshme. Dua të them me këtë se Shqipëria ka fituar një betejë, por ajo duhet të fitojë luftën që të ndryshojë imazhin. Dhe lufta është e vështirë. Unë kam besim se do ta fitojmë këtë betejë. Nga ana tjetër, është e vërtetë që ka patur tensione dhe përplasje por ajo që është pozitive dhe e pamohueshme në Shqipëri është se ka patur dy zgjedhje rradhaz, të cilat nuk kanë qenë të përsosura, por që kanë dhënë ndryshime të atilla pushteti saqë askush nuk mund të thotë se nuk u respektua vullneti i qytetarëve shqiptarë. U bënë zgjedhjet e 2005-s. Nuk pati ndonjë degradim si në Gjeorgji apo në Ukrainë. U bënë zgjedhjet e 2007-s. Po të lexoni raportin, aty del se marrëveshja ishte një faktor që i dëmtoi më shumë ato. Askund nuk del se qytetarët nuk zgjodhën kryetarin e bashkisë apo komunave që deshën. Kështuqë ekziston një maturitet i vërtetë demokratik në shoqërinë shqiptare që e bën Shqipërinë një demokraci funksionale. A duhet të përpiqemi që ta përsosim më tej? Duhet të përpiqemi. Por rrugë tjetër përveç reformave nuk ka.
Zëri i Amerikës: Çfarë nënkupton personalisht për ju vizita e Presidentit Bush?
Kryeministër Sali Berisha: Për mua kjo nënkupton realizimin e një dëshire shumë të thellë. Unë vetëm një herë e kam takuar Presidentin Bush gjatë takimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork dhe mendova se çfarë do t’i them për 30 sekonda, një shtrëngim dore dhe fotografi. I thashë këto fjalë duke shprehur atë që kam ndjerë vetë: prej 15 vitesh qytetarët shqiptarë presin me padurim vizitën e një presidenti të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Uroj dhe dëshiroj zoti President që të jeni ju ai që do t’ua plotësojë këtë dëshirë sepse jam i bindur që kam shprehur mendimin në tërësi të shqiptarëve. Jam shumë i gëzuar që presidenti ua plotësoi këtë dëshirë, jam shumë mirënjohës ndaj tij dhe ndaj gjithë atyre të cilët kanë ndikuar pozitivisht. Janë zyrtarët e administratës amerikane të cilët e kanë inkurajuar këtë vizitë, ndonëse duhet të jem i sinqertë që Shqipëria nuk ka qenë e panjohur për Presidentin Bush. Ka qenë mjaft më e njohur për presidentin Bush senior. Pra për mua si kryeministër, Presidenti Bush realizon së pari një dëshirë të madhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë në shpirt, në ndjenja miqësorë, proamerikanë. Ata kanë një krenari të madhe të kenë mik Shtetet e Bashkuara. Në Shqipëri, flitet për Presidentin Uillson sikur ai të kishte qeverisur 15 vjet më parë dhe jo sikur të ketë afërsisht një shekull. Ka një mirënjohje jashtëzakonisht të thellë dhe një kujtesë shumë pozitive. Natyrisht, meqenëse jam edhe kryeministër, nuk mund të mohoj se edhe reformat e ndërmarra nga qeveria, nënshkrimi i marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, progresi i Shqipërisë drejt NATO-s, kanë patur edhe këto ndikimin pozitiv në realizimin e kësaj vizite.

Tiranë, 89.4 % e të anketuarve pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

TIRANE - Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN) ka bërë publik ditën e sotme rezultatet e një sondazhi të titulluar "Perceptime shqiptare mbi integrimin në NATO". Drejtori i Programit të IDN, Gjergji Vrumo, tha gjatë një konference shtypi në Tiranë se sondazhi është organizuar në 10 qytete të shqipërisë, si Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë, Kukës, etj, ku janë pyetur rreth 1200 qytetarë, që i përkasin 6 kategorive të veçanta: persona nga administrata publike qendrore dhe vendore, nga OJF-të, rrethet akademike, biznesi dhe qytetarë. Drejtori Gjergji Vrumo u shpreh se rreth 83.8 % e të anketuarve mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO garanton sigurinë kombëtare, ndërsa 89.4 % të tjerë mbështesin anëtarësimin në Aleancë. Sipas sondazhit, për 83.3 % të personave të anketuar hyrja e Shqipërisë në NATO do të përshpejtojë integrimin në BE, ndërsa për 41 % të tyre Shqipëria ka nevojë për mbrojtje kolektive. Rreth 49.8 % e të pyeturve nga autorët e sondazhit, mendojnë se hyrja e Shqipërisë në NATO do të thotë siguri dhe stabilitet për vendin.

Pandeli Majko: Politika shqiptare konsensus të vazhdueshëm për integrimin në BE dhe NATO

TIRANE – Ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, aktualisht bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për anëtarësimin në NATO, e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut Verior si “paradhomën” e integrimit në Europë. Në daljen e parë publike, të përbashkët me bashkëkryetarin e Komisionit për anëtarësimin në NATO, Pandeli Majko bashkë me deputetin Ferdinand Xhaferri theksoi konsensusin politik të vazhdueshëm në Shqipëri, lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE. "Ashtu si dikur, kur ne ishim në pozicione të ndryshme, reforma për anëtarësimin në NATO ka pasur gjithmonë votën e opozitës së dikurshme dhe sot në pushtet. Kjo kulturë politike që shprehet në këtë proces dhe ky lobing kaq pozitiv për Forcat e Armatosura Shqiptare, mendoj se është një moment krejtësisht normal që të vijojë edhe tani, sigurisht më i strukturuar", u shpreh Majko. Sipas tij, "ky moment integrimi që po kalon vendi, realisht nuk duhet të humbet si moment pasi ka të bëjë me një lobing të fortë nga të gjitha forcat politike shqiptare pranë kancelarive perëndimore për të ndihmuar në radhë të parë Shqipërinë që do të integrohet në NATO".

Mediu: “Karta e Adriatikut” forcoi mardhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë e Kroacinë




TIRANE - Në mjediset e Qendrës Kulturore të Ushtrisë u organizua një takim me përfaqësues të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s me qendër në Romë, të cilët nga data 5-7 qershor 2007 ndodhen në vendin tonë, në kuadër të një turi studimor që ky institucion shumë i rëndësishëm politiko-ushtarak ka parashikuar të bëjë në vende të ndryshme të Aleancës dhe ato partnere. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, zv.ministrat e Mbrojtjes Zana Xhuka e Petrit Karabina, zv.ministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneral major Luan Hoxha, kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare Leonard Demi, si dhe drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Për të pranishmit në këtë auditor ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu prezantoi temën për “Politikën e Shqipërisë për Sigurinë në Rajonin e Ballkanit”. Gjatë referimit të tij, Ministri Mediu e vuri theksin në faktin se Ballkani është në një moment shumë të rëndësishëm, që duhet vlerësuar në çdo aspekt të tij. Në këtë kontekst, nënvizoi ai, Shqipëria është tashmë një faktor shumë i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më pas, Ministri Mediu njohu të pranishmit me një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë dhe të Forcave të saj të Armatosura në proceset demokratike dhe të integrimit euroatlantik, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër, Ministri Mediu u ndal sidomos në rritjen e bashkëpunimit me vendet e rajonit, duke nënvizuar se aktivitetet në kuadër të Kartës së Adriatikut kanë treguar një forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, pasi aspirojmë një rrugë të përbashkët, atë të anëtarësimit në NATO, si çelësi i vërtetë i ruajtës së paqes dhe sigurisë në botë. Ai vlerësoi veçanërisht nismat rajonale, të cilat kanë afruar gjithnjë e më shumë vendet e rajonit tonë drejt integrimit euroatlantik. Drejtimi i procesit të SEDM-it gjatë dy vjetëve 2005-2007 nga Shqipëria ishte një privilegj për ne, që nxori në pah arritjet dhe përkushtimin e FA Shqiptare në fushën e bashkëpunimit ushtarak me vendet fqinje. Shqipëria është një mbështetëse e pakursyer e paqes dhe lirisë në botë, vijoi më tej në fjalën e tij Ministri Mediu, duke u rreshtuar kështu në vendet që përkrahin pa hezitim luftën kundër terrorizmit. Këtë ne e kemi dëshmuar më së miri me pjesëmarrjen tonë në misionet paqeruajtëse duke filluar me Bosnje-Hercegovinën, Irakun dhe Afganistanin, ku në këtë të fundit së afërmi do të rrisim numrin e prezencës së trupave tona ushtarake. Vendi ynë ndodhet aktualisht përballë sfidave të mëdha, u shpreh gjatë fjalës së tij zoti Mediu, që nuk lidhen vetëm me anëtarësimin në NATO, por me përmbushjen e detyrave që kërkon ky organizëm, si dhe procesi i integrimit në BE. Mbështetja që qeveria i ka dhënë Forcave të Armatosura duket qartë edhe në rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 2 % të GDP-së për vitin 2008, çka për ne përbën një një obligim që ky investim të shpenzohet me efektivitet dhe në fushën e duhur. Gjithashtu, qeveria shqiptare vazhdon të jetë e vendosur në rrugën e saj të reformimit ekonomik, politik, ligjor etj. Aktualisht është intensifikuar më shumë lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike. Ministri i Mbrojtjes në referencën e tij u ndal edhe në çështjen e statusit të Kosovës, ku ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të paketës Ahtisaari. Më pas, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral major Luan Hoxha prezantoi përpara të pranishmëve temën “Reformat e mbrojtjes dhe integrimin e Shqipërisë në NATO”. Temat që u referuan në takim u ndoqën me interes të veçantë nga pjesëmarrësit e Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s në Romë, duke bërë edhe mjaft pyetje për çështje e probleme të veçanta, për të cilat u dhanë përgjigjet përkatëse nga referuesit e tyre.
Burimi: Ministria e Mbrojtjes

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania