Shqipëri, Parlamenti krijon Komisionin për Integrimin në NATO


TIRANE – Parlamenti Shqiptar shpalli sot krijimin e grupit Parlamentar për Integrimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut Verior, NATO. Komisioni sipas vendimit të Parlamentit, do të ketë dy bashkëkryetarë nga pozita dhe opozita si dhe një ndarje të barabartë anëtarësh mes dy krahëve të politikës shqiptare. Miratimi i vendimit për krijimin e Komisionit Parlamentar për Integrimin në NATO është bërë me shumicë votash, ndërsa në përbërje të tij, bien në sy Ish-ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi dhe ish-ministrja e Integrimit Arenca Trashani. Komisioni Parlamentar do të ketë si objekt të punës së tij ndjekjen e procesit të reformave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut Verior, huazimin e përvojave të vendeve të tjera fqinje apo më gjerë që janë pranuar në NATO ose që janë vlerësuar pozitivisht në përpjekjet e tyre për anëtarësim. Në dokumentin ku paracaktohet mënyra e funksionimit të Komisionit, thuhet se vendimet merren me shumicë votash dhe se ky komision, do të ketë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të bërë realitet reformat e kërkuara për anëtarësimin në Organizatën e Atlantikut Verior. Politikanët e Tiranës deklarojnë publikisht se kanë shpresë që Shqipëria të ftohet në samitin e radhës të NATOS në Bukuresht në vitin 2008. Por në këtë proces, nga Shqipëria kërkohet të bëhet më shumë në drejtim të stabilitetit politik, forcimit të ekonomisë, vendosjes së shtetit ligjor, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe funksionimin e pavarur të drejtësisë.

Ministri Mediu takon dy zyrtarë të lartë britanikë


TIRANE - Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu priti sot një delegacion zyrtarësh të lartë të qeverisë britanike, i përbërë nga Adam Bye, kryetar i Grupit të Jashtëm për vendet ballkanike, që mbulon politikat e Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perendimor dhe John Thurlow, kryetar i Seksionit të Programeve për Integrimin në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë, i cili drejton në Ministrinë e Jashtme marrëdhëniet direkte mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Delegacionin e shoqëronte ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Fraser Wilson dhe atasheu ushtarak nënkolonel Mark Vickers. Ministri Mediu, pasi vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira mes dy vendeve tona, bëri një përshkrim të shkurtër të reformave të ndërmarra nga Forcat e Armatosura dhe të arritjeve të shënuara në kuadër të marrjes së ftesës për anëtarësim në Aleancë në vitin 2008. Sinjalet e dhëna në Samitin e Rigës, theksoi Ministri Mediu, kanë angazhuar maksimalisht jo vetëm Forcat tona të Armatosura, por edhe qeverinë shqiptare. Në këtë kuadër janë bërë hapa mjaft progresiv përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit e trafiqeve të paligjshme. “Ne, - nënvizoi më tej ai, - do të përdorim në mënyrën më efektive të mundshme kohën e mbetur në mënyrë që të meritojmë ftesën në Samitin e Bukureshtit”. Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, duke u ndalur në mbështetjen që i duhet dhënë Shqipërisë, sidomos në këtë periudhë ku pritet marrja e ftesës për anëtarësim në NATO. Gjithashtu u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit tonë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si rrugën më të mirë për paqen, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik. Karta e Adriatikut, u shpreh Ministri Mediu, provoi se është kthyer në një mekanizëm të qartë bashkëpunimi dhe integrimi rajonal. Zyrtarët e lartë britanikë vlerësuan progresin e bërë nga FA Shqiptare në rrugën e reformimit dhe transformimit të tyre, si dhe mbështetjen që qeveria shqiptare u ka dhënë atyre për plotësimin e standardeve që kërkon anëtarësimi në NATO. Veçanërisht të dy zyrtarët britanikë vlerësuan kontributin që Shqipëria jep në luftën kundër terrorizmit për mbrojtjen e paqes dhe stabitiletit në botë, ku treguesi më i qartë për këtë është pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse e trupave shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë, në Afganistan, në Irak etj, si dhe gatishmërinë për të shtuar prezencën e saj në misionin në Afganistan. Burimi: Ministria e Mbrojtjes

Ekipi i Projektit të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e të Dhënave viziton Shqipërinë


TIRANE - Ekipi i Këshillit të Europës për Mbrojtjen e të Dhënave, i kryesuar nga Znj. Sophie Meudal-Leenders, Shefe e Njësisë për Mbrojtjen e të Dhënave në Këshillin e Europës, vizituan disa nga institucionet e përfshira në çështjet e mbrojtjes së të dhënave nga data 14-16n Maj, në veçanti Ministrine e Drejtësisë së Shqipërisë e cila është një partnere kryesore në këtë projekt. Momentalisht ligji mbi mbrojtjen e të dhënave është duke u amenduar nga kjo ministri me ekspertizë të Këshillit të Europës. Në 22 Maj, Z. Graham Sutton, Ekspert I Këshillit të Europës për mbrojtjen e të dhënave, u takua me ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë që janë përfshirë në hartimin e ligjit të ri, me qëllimin për të ofruar këshillim dhe ekspertizë për projektligjin. Ekspertët diskutuan mbi dispozitat e Konventës lidhur me Mbrojtjen e të Dhënave dhe Protokollin Shtesë si dhe praktikat e mira në shtetet e tjera Europiane ne fushën e mbrojtjes së të dhënave. Takime të tjera u zhvilluan me përfaqësues të OSBE-së si një partner i përbashkët në këtë projekt ku u diskutuan plani i aktiviteteve dhe çështje organizative. Zj. Rovena Demiraj, Kordinatore Projektit, mori pjesë në takime të ndryshme kordinimi me EURALIUS, OSCE, ICITAP, ect, ku u be prezantimi i projektit tek donatorët dhe institucione te tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Burimi: http://www.coealb.org/ (Keshilli i Eurpoes)

Presidenti Alfred Moisiu rikonfirmon angazhimin serioz të Shqipërisë për realizimin e reformave integruese në BE


29 maj 2007
Budva,Mal i Zi - Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu mori pjesë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore me temë “Evropa Juglindore dhe Bashkimi Evropian”. Me rastin e këtij Samiti, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, mirëpriti në qytetin e Budvës dhe Presidentët, Nebojsha Radmanoviç (Bosnje - Hercegovinë), Georgi Parvanov (Bullgari), Stipe Mesiç (Kroaci) dhe Branko Cervenkovski (Maqedoni). Në fjalën mbajtur gjatë punimeve të Samitit, Presidenti Moisiu theksoi se integrimi i Evropës Juglindore në bashkësinë evropiane nuk bën gjë tjetër vetëm sa jetëson edhe bashkimin politik evropian, sepse ky rajon ka qenë, është dhe duhet të jetë i tillë- evropian. “Në këtë mënyrë”, - vuri në dukje Kryetari i Shtetit, - “kemi të bëjmë me një proces riafirmimi politik, një ribashkim natyral me pjesët e tjera të Evropës së tërë”. Në këtë drejtim,Presidenti rikonfirmoi faktin inkurajues se tashmë shtetet dhe qeveritë në rajonin e Ballkanit Perëndimor e shohin procesin e integrimit euroatlantik si një interes madhor kombëtar, si dhe jetik për të ardhmen e rajonit, stabilitetin dhe prosperitetin e tij.
Gjithashtu, z. Moisiu shprehu mendimin se “integrimi evropian i rajonit do t’i japë atij një hapësirë shumë më të madhe për zhvillimin ekonomik, thithjen e investimeve të huaja dhe rritjen e mirëqënies për qytetarët”, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e pranisë intensive të BE-së me ndihma financiare për projekte të mëdha të infrastrukturës, energjitikës dhe sektorëve të tjerë me interes të përbashkët. “Ne duam që problemet e vështirësitë e tranzicionit, siç janë papunësia, niveli i ulët i jetesës, problemet e kujdesit shëndetësor, lëvizjes, arsimimit, etj, të mos lejohet të ndikojë negativisht në vizionin dhe vullnetin e brezit të ri për aspiratën e integrimit euroatlantik. Ndërkohë vetë qytetarët e vendeve tona, pavarësisht nga etnia, kombësia e besimet fetare, duhet të gëzojnë të drejta të barabarta, jo vetëm në legjislacion por edhe në realitetin praktik”, - vuri në dukje Presidenti. Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Moisiu, pasi iu referua disa prej arritjeve pozitive të rajonit tonë në rrugën e integrimit në BE, nënvizoi se “ecja drejt integrimit do të thotë edhe të mos mbyllim sytë ndaj problemeve tona ende të pazgjidhura, por të ndihmojmë për zgjidhjen sa më optimale”, duke patur parasysh këtu çështjen e statusit të Kosovës. Edhe në këtë Samit, Kryetari i Shtetit ritheksoi se “Kosova ka nevojë për një përgjigje përfundimtare për statusin e saj, ka nevojë për një Real Politik, e cila njeh realitetet e reja dhe nuk mbetet peng i së shkuarës. Për përcaktimin e këtij statusi ekziston një bazë e mirë: ky është Plani Ahtisari – një dokument kompromisi, i prodhuar pas një angazhimi serioz ndërkombëtar dhe rolit të Presidentit Ahtisari, i cili për një vit e gjysmë uli në tavolinë Prishtinën dhe Beogradin dhe paraqiti këtë paketë si më të drejtën dhe më të mirën për zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Në Samitin e Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore, sot, në Budva, ishte e pranishme me fjalën e saj dhe europarlamentarja Doris Pack. Gjatë punimeve të Samitit, Presidenti i Republikës u takua dhe bisedoi me znj. Pak, si dhe me Presidentë të tjerë pjesëmarrës në këtë aktivitet.
Burimi: Zyra për Shtyp e Presidencës, TIRANE

Shqipëria: të jetosh në të apo ta ëndërrosh nga larg?

25/05/2007
Blogerët shqiptarë diskutojnë kthimin e diasporës shqiptare, problemin e investimit dhe korrupsionit, kthimin e të rinjve në vendin e tyre të origjinës dhe shqetësime të tjera të emigracionit shqiptar.
Nga Klodjan Seferaj për Southeast European Times në Tiranë – 25/05/07
Blogerët shqiptarë ndahen rreth gjendjes së punëve në Shqipëri. Shumë pohojnë se fushata për kthimin e diasporës nuk po jep shumë ndërsa të tjerë mendojnë se korrupsioni është një pengesë reale për investimet dhe kthimin e emigrantëve shqiptarë. Pikëpamjet e përziera tregojnë qartazi një vend në tranzicion.
Në blogun peshkupauje, Llukan Tako ngre probleme rreth shqiptarëve që punojnë e studiojnë jashtë. "Shtypit shqiptar dhe disa [OJQ] shpesh u pëlqen të flasin rreth kthimit të studentëve, emigrantëve dhe investimeve të tyre në Shqipëri. Atyre u pëlqen të përmendin asetet që diaspora shqiptare do të sillte në Shqipëri, paratë që ata do të investonin. Për çudi, media nuk thotë kurrë në se ftesat patën ndonjë rezultat efektiv, sa shqiptarë aktualisht u kthyen në Shqipëri të ndikuar nga një propagandë e tillë."
Në një tjetër blog, duke diskutuar investimet në Shqipëri, Marjon Gerhazi thotë, "Jeta në Shqipëri është interesante, plot vitalitet e energji. Investimi në Shqipëri është zgjedhja më e mirë për momentin." Ndërsa Pepi është i patundur se diçka duhet bërë rreth korrupsionit që sakaton jetën e përditëshme, Suela justifikon situatën ekzistuese. "Shqipëria po ushqen një demokraci të re dhe ajo ende ka hapa foshnje. Ndaj, [ajo thjeshtë] po përpiqet, kjo është e gjitha." Mbi subjektin e emigrantëve shqiptarë dhe kthimin e tyre në Shqipëri, Blendi thotë se ajo dëshiron që të kishte më shumë informacion mbi subjektin. "Njerëzit nuk emigrojnë thjeshtë për t'u bërë të pasur, po për të pasur perspektiva më të mira në të ardhmen.Unë jam 28 vjeç dhe kam studiuar jashtë por kam dëshiruar kurdoherë të jetoj në Shqipëri. Amerika është atdheu im i dytë pasi kam jetuar atje për dhjetë vjet. Prapë, më merr malli për Tiranën time. A do të kthehem? Mbase po, mbase jo." Edrus është më specifik duke pyetur, "Pse nuk krijon administrata shqiptare një institucion që të mos i përkasë ndonjë partie, i cili do të ishte i vetmi institucion për të vlerësuar të rinjtë dhe potencialin e të rinjve [për t'u kthyer në Shqipëri].?"
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Artikulli është marrë nga website: www.balkantimes.com

Dixhitali, Leskaj: Ligji në kundërshtim me sugjerimet e BE dhe KE


Intervistë me Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit Parlamentar për mediat.
DW: Cilat janë argumentat kryesore të opozites për të mos votuar ligjin e transmetimve dixhitale, për të braktisur mbrëmë sallën e Parlamentit. Për fat të keq konsensusi, aq i kërkuar nga KE dhe Këshili i Europës, nuk u arrit. Ligji u miratua në mënyrë të njëanshme, vetëm me voten e maxhorancës.
Leskaj: Nuk kemi qenë dakort asnjëherë që varianti i ligjit të miratuar mbrëmë të arrinte në Parlament. Për ne ky projekt që në krye të herës ishte parashikuar si pjesë e një marveshjeje të firmosur me KE dhe Keshillin e Europës, pra si pjesë integrale e ligjit të ri për mediat elektronike.
Ky ligj do të zgjidhte edhe akuza të tilla propagandistike për transparencën e burimeve financiare të transemtimeve dixhitale. Pra, kur ky proces kishte filuar maxhoranca mori nismën të hartojë ligjin vetëm për transmetimet dixhitale. Kundershtimi ynë bazohej në atë që të paraqitej ligji i plotë dhe jo vetëm pjesa lidhur me transmetimet dixhitale për të qenë koherent me planin që kemi firmosur me BE dhe Këshillin e Europës. Nga ana tjeter maxhoranca nuk pranoi që projektligji të diskutohej gjërësisht nga grupet e interesit dhe institucione të tilla si KKRT( Këshilli Kombëtar i Radio- Televizioneve apo KRTSH ( Këshilli Drejtues i Radio- Televizionit Publik). Pas dështimit të herës së parë për ta miratuar këtë variant, maxhoranca u detyrua të pranonte ekspertizën ligjore të BE dhe KE. Në një letër prej ketyre dy insitucioneve janë shprehur rekomandimet për ligjin e miratuar mbrëmë, që nuk janë të pasqyruara në të.
DW: Cilat janë këto rekomandime zonja Leskaj?
Leskaj: BE dhe KE kerkuan që projektligji, i shndëruar tani në ligj, të diskutohej me grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Kjo nuk u realizua apo më saktë, mbeti në mës të rrugës.
Rekomandimi i dytë ishte që ligji të mos miratohej pa arritur një konsensus të gjërë. Edhe kjo nuk ndodhi. Ligji u miratua vetëm me forcën e kartonave të maxhorancës. Rekomandimi i tretë lidhet me atë qe ky projektligj, pra ligji i tanishëm, të ishte pjesë e marrveshjes që autoritetet e Shqipërisë kane firmosur me BE dhe KE, për planin e veprimit lidhur me proceset integruese europiane. Edhe ky nuk u respektua.
DW: Veç moszbatimit të rekomandimeve të BE dhe KE, a ka mangësi në përmbajtje ligji për transmetimet dixhitale?
Leskaj: Mendoj se po. Mosmarrja parasysh e asnjë prej sugjerimeve të opozitës. Ne fakt u moren tre: një presje, një tog fjalësh dhe e treta lidhej me përballimin e shpenzimeve për kalimin nga transemtimi analog në dixhital, gjë që ka qenë edhe në rekomandimet e Këshillit të Europës dhe BE. Ligji ka mangësi që prekin lirinë e medias, investimet që janë bërë në media dhe që limitojnë mundesitë e shqiptarëve për të patur akses apo media pluraliste.
Për shembull në nenin 4 të këtij ligji thuhet se ata transmetues që transmetojnë aktualisht jashtë zonës së licensimit nuk kanë të drejtë të aplikojnë për të marë license për transmetime dixhitale. Kjo është fare e qartë se bëhet fjalë për TOP CHANEL-in dhe VIZION PLUS, dy TV, që realisht janë kombëtare por nuk kanë license kombtare, jo se nuk e meritojnë por nuk ua kanë dhënë.
Pra, keta transmetojnë jashtë zonës së licensimit. Shkurt, perfytyroni TOP CHANEL-in, një fuqi e madhe mediatike, të jetë e kufizuar për të transmetuar vetëm në një qark. Sipas ligjit , ai që ka një license lokale duhet të transmetojë vetem në një qark. Kjo do të thotë që TOP CHANEL të mos dalë jashtë Tiranes. Ligji ka edhe një varg absurditetesh të tjera. Por më e rëndësishmja ndër mangësitë është karakteri represiv i ligjit. Për fat të keq kohët e fundit ligjet kanë këtë karakter. Në një shoqëri demokratike ligjet janë rregullatore dhe jo represive si po ndodh me ligjet që kanë të bëjnë me administratën publike, ekonominë me ligjin e taksave dhe tatimet etj. Ligji i transmetimeve dixhitale rezulton me shumë probleme , prandaj ne e kemi kontestuar. Maxhoarnca ka abuzuar duke e cilësuar këtë ligj si një ligj që u shërben shqiptarëve por është e kundërta. Edhe shqiptaret kanë ndjekur në TV sesi njerëzit qanin se CAVEZ u mbylli kanalin televiziv të pavarur. Nuk është nevoja të shkojmë kaq larg, kemi protestat që u bënë në Shkoder, në Librazhd, Gjirokastër kur në këto rrethe u hoqen antenat e TOP CHANEL-it. Pra ky TV është bërë i dashur për publikun dhe qeveria i heq antenat, sjellje kjo që flet për standarte të dyfishta të Qeverisë apo kthimin e KKRT( Keshilli Kombetassr i Radio- Televizioneve) në një instrument të saj.
DW: A mendon opozita të vazhdojë kundershtimin e saj për këtë ligj, a shpreson ajo në kthimin e tij përsëri në Parlament?
Leskaj: Do të përdorim të gjitha mjetet dhe rrugët që lejon kuadri i një shoqerie demokratike. Por kemi një shans: Kemi në dorë një plan veprimi të firmosur edhe nga BE dhe KE, ku në paketen ligjore është edhe ligji për transmetimet dixhitale. Kjo do të thotë se ligji që u miratua me shpejtësi dhe në menyrë të njëanshme në Parlament nuk do ta kete jetën të gjatë. Ai duket se do të pësojë të njëjtin fat qeë pësoi ligji për entet rregullatore, i 28 korrikut të kaluar , që u miratua natën nga maxhoranca duke mos pranuar balancimin e tyre politik të zëvendësuar me diktatin e maxhorances nën maskën e anëtarësisë mes perfaqesuesve më të njohur të shoqerisë civile. Pastaj u kthye, u realizua marveshja e 30 Gushtit me opoziten dhe ligji u miratua ne 20 janar duke plotësuar të gjitha sugjerimet e opozitës. Tani po realizojmë në praktikë balancimin politik të dy enteve rregullatore: të KKRT dhe Keshillit Drejrtues të RTV Publik. Do të thoja që është fatkeqësi kthimi pas, pra kur vjen një qeveri ajo fillon çdo gjë nga e para. Ajo që më shqetëson si politikane, si qytetare është që detyrohemi të çbëjmë. Ky është një problem i madh. Eshtë humbje kohe. Dhe shqiptaret nuk e kanë këtë luks. Perkundrazi duhet të ecim shumë më shpejt për të arritur standartet që kerkojnë shqiptarët.
DW: Megjithatë maxhoranca dhe kryeministri kembëngulën se ligji , kaq fort i kontestuar nga opozita lufton informalitetin dhe rregullon tregun e mediave elektronike. Dhe për këtë në Parlament u paraqitën argumenta.
Leskaj: Eshtë vetëm ironike të abuzohet me informalitetin, me transparencën. Po ju them që ligji i transmetimeve dixhitale nuk ka asnjë rrjesht për informalitetin, asnjë rrjesht për burimet financiare. Ajë që ne kemi propozuar, kemi kërkuar është që në Parlament të shkojë ajo paketë integrale që po punojmë me BE dhe KE . Ku janë të përfshira burimet e financimit, pronësia, pra kush është pronari dhe elemete të tjera lidhur me transparencën. Informaliteti ka të bëjë me taksat dhe jo me transmetimet dixhitale. Dhe ka një ligj për taksat
më të cilin rregullohet informaliteti. Shpresojmë që maxhoranca të ketë vullnetin që të miratojë paketën e hartuar me BE dhe KE. Shpresoj që më pas të mos i kthehemi kësaj teme. Por atyre qm prekin jetën e përditshme të njerëzve. Dhe kjo ka qenë ndoshta edhe aresyeja kryesore pse qeveria ka një ndjeshmëri kaq të lartë për TOP CHANEL-in, sepse ai është një TV që prek jetën e përditshme dhe hallet e njerëzve.
Ani Ruci/ Deutsche Velle (Shqip)

Presidenti Moisiu: Shqipëria gatishmëri politike për anëtarësimin euroatlantik


TIRANE - Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu ndodhet në samitin e Budvës i cili zhvilloi punimet ditën e sotme. Kreu i Shtetit shqiptar, shprehu gatishmërinë politike që ka Shqipëria për të ndërmarrë çdo reformë dhe veprim të duhur në funksion të anëtarësimit të saj euroatlantik, si dhe konfirmoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit rajonal. Presidenti Moisiu tha se në këtë proces “ Maqedonia është gjithashtu afër, kurse Shqipëria e Serbia kanë nënshkruar MSA-në. Gjithashtu edhe Mali i Zi, si shteti më i ri, është pjesë e progresit dhe përcaktimeve euroatlantike të rajonit. Në këtë mënyrë, pavarësisht vështirësive dhe ritmit të ecjes, në tërësi vendet tona janë më afër derës së hapur në Samitin e Selanikut dhe ajo që është më e rëndësishme, e shohin integrimin euroatlantik si interes madhor kombëtar e rajonal”. Sipas tij, procesi i integrimit ecën në dy kahe, është i dyanshëm dhe vjen si një nevojë e madhe e rajonit për anëtarësim euroatlantik. “Një çështje tjetër që meriton vëmendje është rënia e mitit se integrimi mund të jetë dhuratë, që duhet të na jepet. Unë mendoj se ai nuk është i tillë, sikurse as nuk mund të na mohohet. Ai është një proces politik, bazuar në vlera dhe standarde që vendi im dhe vendet e rajonit u besojnë dhe janë të angazhuara t’i arrijnë”. “Ecja drejt integrimit do të thotë edhe të mos mbyllim sytë ndaj problemeve tona ende të pazgjidhura, por të ndihmojmë për zgjidhjen sa më optimale”, tha zoti Moisiu.

Fjala e Presidentit Moisiu në Samitin e Kryetarëve të Shteteve të Evropës Juglindore, në Budva (Mal i Zi). 29 maj 2007

I nderuar z. Vujanoviç,
Të nderuar kolegë Presidentë,

Për mua është kënaqësi pjesëmarrja në një takim të kryetarëve të shteteve, që mbahet për herë të parë në shtetin më të ri të Europës, Malin e Zi. Po ashtu vlerësoj tematikën e këtij takimi, e cila është sa aktuale, aq edhe strategjike për interesat e secilit vend dhe të rajonit në tërësi.
Duke qenë një temë e trajtuar edhe më parë midis nesh, madje edhe në takimin e para tre ditëve në Bërno, mendoj të ndalem vetëm në disa vlerësime, të cilat besoj se shprehin vizionin dhe qëndrimin tonë rreth çështjeve të integrimit dhe marrëdhënieve me BE-në.
Sot ne flasim për Europën Juglindore duke e quajtur atë një pjesë të pandarë gjeografike të Europës, pra njërën prej pjesëve përbërëse të saj. Integrimi i këtij rajoni në bashkësinë europiane nuk bën gjë tjetër vetëm sa jetëson edhe bashkimin politik europian. Edhe nesër kur BE-ja të jetë e plotë dhe vendet tona të jenë anëtare të saj, përsëri rajoni ynë do të quhet Europë Juglindore, sepse e tillë – europiane –, ka qenë, është e duhet të jetë. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një proces riafirmimi politik, një ribashkim natyral me pjesët e tjera të Europës së tërë.
Inkurajues në këtë proces është fakti se tashmë fryma dhe vlerat euroatlantike po bëhen pjesë e platformës së çdo shteti dhe qeverije në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Më 2004 Samiti i Selanikut pohoi vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe prioritetet e reformave të nevojshme për standardet e integrimit dhe tashmë dy vende të rajonit janë bërë anëtarë të BE-së dhe Kroacia ndodhet një hap më afër, gjë për të cilën shpreh përgëzimet e mia. Maqedonia është gjithashtu afër, kurse Shqipëria e Serbia kanë nënshkruar MSA-në. Edhe Mali i Zi, si shteti më i ri, është pjesë e progresit dhe përcaktimeve euroatlantike të rajonit. Në këtë mënyrë, pavarësisht vështirësive dhe ritmit të ecjes, në tërësi vendet tona janë më afër derës së hapur në Samitin e Selanikut dhe ajo që është më e rëndësishme, e shohin integrimin euroatlantik si interes madhor kombëtar e rajonal.
Procesi i integrimit ecën në dy kahe, është i dyanshëm dhe vjen si një nevojë e madhe e rajonit për anëtarësim euroatlantik. Shqipëria beson se integrimi në BE është zgjidhja dhe përgjigjia e duhur për kapërcimin e plotë të problemeve që rajoni ka trashëguar nga e kaluara historike dhe që ka shfaqur gjatë dekadës së fundit. Procesi i rënies së regjimeve të periudhës komuniste dhe i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë solli krijimin e shteteve të reja, por edhe daljen në skenë të skenareve dhe ambicjeve nacionaliste siç u dëshmuan nga Serbia e Millosheviçit, që sollën katër luftra ballkanike. Midis opsionit të luftës e konfliktit dhe të paqes e bashkëjetesës, jam i bindur se shumica absolute e qytetarëve të rajonit kanë zgjedhur të dytin, ndaj edhe ecja e pandalshme drejt integrimit europian është rruga më e mirë për respektimin e këtij vullneti. Vlerat europiane të dialogut, stabilitetit, bashkëjetesës etnike dhe fetare, zhvillimit të lirë të ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës, gjithnjë e më shumë po zënë vend dhe po gjejnë mbështetje në Ballkan, ku po rritet një brez i ri europian, që kërkon të ndahet nga kujtimet e hidhura e dramatike të fëmijërisë së tyre. Pra, procesi i integrimit është mëse i natyrshëm, madje i pakthyeshëm. Ai është jetik për të ardhmen e rajonit, stabilitetin dhe prosperitetin e tij.
Një çështje tjetër që meriton vemendje është rënia e mitit se integrimi mund të jetë dhuratë, që duhet të na jepet. Unë mendoj se ai nuk është i tillë, sikurse as nuk mund të na mohohet. Ai është një proces politik, bazuar në vlera dhe standarde që vendi im dhe vendet e rajonit u besojnë dhe janë të angazhuara t’i arrijnë. Ecja drejt integrimit do të thotë edhe të mos mbyllim sytë ndaj problemeve tona ende të pazgjidhura, por të ndihmojmë për zgjidhjen sa më optimale. Le të sjell edhe njëherë në vëmendjen tuaj Kosovën. Kosova ka nevojë për një përgjigje përfundimtare për statusin e saj. Sot Kosova ka nevojë për një Real Politik, e cila njeh realitetet e reja dhe nuk mbetet peng i së shkuarës. Për përcaktimin e këtij statusi ekziston një bazë e mirë: ky është Plani Ahtisari – një dokument kompromisi i prodhuar pas një angazhimi serioz ndërkombëtar dhe rolit të të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mediatorit të njohur, Presidentit Ahtisari, i cili për një vit e gjysmë uli në tavolinë Prishtinën dhe Beogradin dhe paraqiti këtë paketë si më të drejtën dhe më të mirën për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Zgjidhja e statusit të Kosovës do të ishte një ndihmë reale jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, si edhe për rajonin dhe për vetë bashkësinë europiane, pjesë e së cilës aspirojmë të bëhemi të gjithë.
Ne mendojmë gjithashtu se integrimi europian i rajonit do t’i japë atij një hapësirë shumë më të madhe për zhvillimin ekonomik, thithjen e investimeve të huaja dhe rritjen e mirëqënies për qytetarët. Ne i kemi paraprirë këtij procesi me marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe ato në kuadër dy e shumëpalësh midis vendeve tona. Por njëkohësisht ne mendojmë se prania intensive e BE-së me ndihma financiare për projekte të mëdha të infrastrukturës, energjitikës dhe sektorëve të tjerë me interes të përbashkët, mbetet e domosdoshme. Ne duam që problemet e vështirësitë e tranzicionit, siç janë papunësia, niveli i ulët i jetesës, problemet e kujdesit shëndetësor, lëvizjes, arsimimit, etj, të mos lejohet të ndikojë negativisht në vizionin dhe vullnetin e brezit të ri për aspiratën e integrimit euroatlantik. Ndërkohë vetë qytetarët e vendeve tona, pavarësisht nga etnia, kombësia e besimet fetare, duhet të gëzojnë të drejta të barabarta, jo vetëm në legjislacion por edhe në realitetin praktik.
Të nderuar kolegë,
Siç e thashë edhe më lart, integrimi është proces i dyanshëm. Ne mund të besojmë se kemi bërë më të mirën për arritjen e standardeve të integrimit, pra për ta merituar atë, por duhet që të njëjtin mendim ta ndajnë edhe vetë vendet anetarë të BE-së dhe qytetarët e saj. Zhvillimet e vitit të kaluar në Francë e Holandë apo sondazhet profesionale të herëpashershme që bëhen në vendet perëndimore lidhur me zgjerimin e mëtejshëm, nxjerrin një pah një valë hezitimi dhe lodhjeje në rritje. Pasojë e këtij zhvillimi mund të jenë shtrëngimi i kritereve të anëtarësimit të vendeve të Europës Juglindore, shtyrja e tij në kohë, etj. Unë mendoj se kjo nuk do të jetë zgjidhja më e mirë, përkundrazi. Çdo qytetar i Europës ka nevojë për stabilitet, siguri e mirëqënie, tregues që siç u dëshmuan gjatë dekadës së kaluar, u cënuan edhe për shkak të ngjarjeve në rajonin tonë dhe zhvillimeve të tjera globale. Një familje e madhe dhe e pasur, që jeton pranë një familjeje të vogël, më të varfër e të izoluar, nuk sjell siguri për asnjërën palë në jetën e përbashkët në lagje. Ne, natyrisht i njohim nevojat e mëdha për reforma dhe punën që duhet të bëjmë për arritjen e standardeve, por edhe në këtë drejtim, mesazhi i mbështetjes dhe dyerve të hapura nga BE-ja është mëse i nevojshëm. I nevojshëm për forcimin e demokracisë sonë të brendshme, për zgjerimin e partneritetit dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe për përfitimin nga vlerat më të mira perëndimore, nga kapacitetet dhe nga prania e saj aktive politike dhe ekonomike në vendet tona.
Në përfundim të fjalës time, edhe njëherë dëshiroj të shpreh gadishmërinë politike që ka Shqipëria për të ndërmarrë çdo reformë dhe veprim të duhur në funksion të anëtarësimit të saj euroatlantik, të konfirmoj vullnetin për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe të falenderoj Presidentin Vujanoviç për pritjen e ngrohtë në organizimin e këtij takimi.
Ju faleminderit!

Presidenti Alfred Moisiu merr një mesazh falënderimi nga Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh W. Bush


28 maj 2007
TIRANE – “Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka marrë një mesazh nga Presidenti i SHB-ve Xhorxh W. Bush në të cilin shkruhet:
“I dashur zoti President
Ju falenderoj në emër të popullit amerikan për mesazhin tuaj të ngushëllimit rreth ngjarjeve tragjike të Institutit Politeknik të Virxhinias dhe Universitetit Shtetëror të Bleksburgut. Populli amerikan është i hidhëruar dhe i zemëruar nga dhuna e ngjarjeve të asaj dite, që mori pa kuptim jetët e studentëve dhe pjesëtarëve të fakultetit dhe që plagosi të tjerë.
Në mes të zisë së kombit tonë, shprehja juaj e simpatisë është burim ngushëllimi për familjet e viktimave dhe popullin amerikan. Mesazhi juaj do të mbahet mend me mirënjohje”.
Burimi: Faqja zyrtare e Presidencës

“Brukseli qëndrim tjetër për ligjin e Gjobave dhe Auditit”


TIRANE - Televizioni Top Channel ka bërë publik një dokument sipas të cilit Komisioni Evropian nuk është shprehur pro ligjit të Auditit të Brendshëm apo ligjit “të Gjobave” siç u shprehën dy ditë më parë zv/ministrat Albert Gajo dhe Florian Mima, përkatësisht zyrtarë të Ministrisë së Integrimit dhe Ministrisë së Financave. Sipas televizionit Top Channel, që deklaroi se zotëron dokumentet përkatëse, në të cilat thuhet se ekspertët e Brukselit janë shprehur se “të dyja palët gjithashtu shkëmbyen informacion dhe pikëpamje mbi gjendjen aktuale sa i takon progresit të fundit në kontrollin financiar publik, duke përfshirë auditin e brendshëm dhe të jashtëm”. Sipas Top Channel, në dokument thuhet më tej se Komisioni Europian, shpreson se çështjet e diskutuara që rrethojnë ligjin për Auditin e Brendshëm të zgjidhen shpejt dhe ligjit ti ofrohet asistencë në çdo aspekt teknik. Ligji për Auditin e Brendshëm dhe ligji i ashtuquajtur i “Gjobave”, janë miratuar së fundi në Parlament, por ende nuk janë deklaruar nga Presidenti i Republikës.
Zv/ministrat Albert Gajo dhe Florian Mima, dolën në konferencë shtypi të djëlën pasi u kthyen nga vizita në Bruksel dhe u shprehën se Komisioni Evropian kishte shprehur mbështetje për ligjin e Gjobave dhe atë të Auditit të Brendshëm. Të dy këto ligje, janë bërë shkak debatesh të ashpra dhe acarimi jo vetëm mes Qeverisë dhe opozitës, por edhe mes ekzekutivit dhe grupeve të interesit.

NATO, Ëndrra dhe Diskursi Politik


Koment nga Hamdi Nuhiju
PRISHTINE - Sot është bërë vështirë të konceptohet jeta në qoshin e botës, i vetëm pa barrë dhe shoqëri , pa krah dhe pa mbështetje logjike. Duhet të mendojmë në këtë mënyrë pasi që na u imponua një vlerësim jo i drejtë i përmasave të frikës dhe shpresës. Unionet u krijuan në ato caste kur lindi përcarja , jo se me to përçarjes iu tha lamtumirë , porse u ngushtua vend veprimi i saj. Në shekullin që po jetojmë është bërë rrezik cdo castë i brendisë së njeriut, është bërë e hidhur çdo fjalë e thënë në anën tjetër të urës. Sa është i vërtetë konstatimi se njeriu mund të jetojë një mori sfidash pa thënë asnjë fjalë? Është një tezë e rëndë për t`u peshuar mbi analet e mendjes dhe për t`u strehuar në cikcaket e zemrës. Kreatorët e unioneve nuk menduan gjatë për një imazh gri mbi sensualitetin e masave të ngurta. Ato afruan ëndrrën, e ngjyrosën me ngjyrë realiteti dhe iu përshtatën diskursit politikë. M`u në këtë çastin e fundit u zgjeruan problemet në shoqëri dhe nuk u zgjidhën. Një intervenim jo i drejtë mbi baza ideologjike shkatërroi një pjesë të shoqërisë njerëzore. Sot, ende vuajnë disa pjesë të botës si rezultat i këtij intervenimi kaq të dëmshëm për shoqërinë. Por, kjo nuk na jep të drejtë që të ngritemi kundër këtyre unioneve dhe të themi se janë të dëmshme edhe për shoqërinë tonë ku jetojmë. Për Maqedoninë është imperativ kohe kyçja nëpër këto unione dhe pjesëmarrja e saj nëpër qendra trajnuese për intervenime të shpejta ushtarake, por edhe për çështje tjera. Sepse edhe jeta e njeriut edhe jeta e shteteve jashta gardhit është shumë e vështirë. Këto kohëra edhe pse nuk janë të figuruara nga luftëra të ndryshme botërore, prapë janë të rrezikshme dhe lind nevoja e vetëmbrojtjes nga sulmet eventuale të jashtme. Nuk është luftë ushtarake kjo që paraqitet në shekullin ku po jetojmë , por më shumë mund ta definojmë edhe si luftë ideologjike dhe ekologjike në shoqëri. Ku përmes ngrohjes globale të tokës cenohen të mira natyrore dhe në këtë mënyrë lind nevoja e ndërvarësisë midis shteteve të ndryshme për cështje elementare. Nuk mundemi ta fajësojmë jetën se ajo nuk diti ta ruaj globin , por duhet t`i fajësojmë armët për shkatërrim masiv dhe furnizimin me energji nukleare. Kyçja e Maqedonisë në NATO do të ishte një favor i rëndësishëm edhe për Ballkanin edhe për Europën. Ka kohë që bisedohet për një kycje eventuale, përgaditen strategji, plane, bëhen reforma ushtarake në vend, pranohen standarde botërore të armatës etj. Por , rezultatet po dëshmojnë të kundërtën e kësaj. Maqedonia vërtet duhet të marrë vendim serioz për kyçjen në NATO dhe Unionin Europian. Tashti ju mund të thuani se Maqedonia ka marrë një vendim të këtillë , porse unë ju siguroj se ende nuk ka vizion të qartë ky vend për kyçjen në këto instanca Europiane. Ja se c`thotë Zhan Mone në memoaret e tij : "Nuk mund të them se prej ku rrjedh besimi se në rrethana të rëndësishme të jetës sime, kur mendimet shtresohen një mbi një , mendimi im vazhdon të shndërrohet në vendim. Kjo është ajo që të tjerët e quajnë ndjenjë e çastit. Por, nuk ngarkohem me atë se është e domosdoshme ta bëjë këtë apo atë – nevoja është ajo që më shtyn të bëjë diçka që tani më nuk është zgjedhje e çastit, të cilin e shoh qartë. Që ta shoh qartë , duhet të koncentrohem – e atë mundem ta bëj vetëm në izolim , gjatë ecjeve të mia të gjata...". Kjo përsiatje e këtij ideologu të madh na jep një kahje shumë të qartë rreth rrugëve që duhet të ndërmarr Maqedonia drejtë kyçje në këto instanca. Ecjet vetjake janë bërë përditshmëri e këtij vendi kaq të etshëm për bashkim me inercionet politike brenda suazave demagogjike. Por, ngecjet politike, gjuha e thyer ndërmjet pozitës dhe opozitës këtë shtegtim drejtë synimit final , po e bënë ende më të thellë dhe më të carë. Secili njeri, subjekt ose shtet për të vepruar jashtë vetes, duhet që punët t`i rregullojë brenda njëherë dhe pastaj të dalë në pjesën e jashtme. Në ekonomi ndikimi i mjedisit të jashtëm është bërë vakuum i dyndjeve milionëshe në sentencat financiare. Duhet te kemi parasysh se njeriu jeton me ëndrrën e tij edhe në fund të bjeshkës edhe në fillim të fjalës। Por, ëndrra, dinë të luajë lojën e tenisit dhe të kthehet nga sulmi i orientuar në një vetëmbrojte e vrazhdë। Ëndrra i mban gjallë shpresat , ajo i shtyn proceset të rigjallërohen dhe i bashkon vlerat në një vend të përbashkët। Sikur të mos ishte ëndrra sot Unioni Europian nuk do të frymonte lirshëm e as që dot ekzistonte. Prej nga mbështetem në një konstatim të këtillë? Po , mirë Franca dhe Anglia a nuk ishin në një luftë njëqind vjeçar ndërmjet tyre?! Gjermania theu ëndrrën dhe distribuoi forcën e tij ekonomike në pjesë të ndryshme të botës. Ky vend që ishte në buzë të shkatërrimit ekonomikë dhe politikë u ngritë lartë mbi vendet tjera prijatare të fuqisë. Po , sikur të mos ishte ëndrra a dot arrinin deri në një pozitë të këtillë? Maqedonia i ka të gjitha parametrat si ekonomike ashtu edhe politike për t`u bërë pjesë e këtyre shoqërive evropiane. Ka tokën mjaft pjellore , pozitën e fuqishme gjeografike, malin e pasur, ujin më të pastërt në Europë, rininë, fuqi absorbuese të mallrave të shpejtë, etj. Por, defekti qëndron te diskursi politikë i këtij vendi. Sikur të kishim një qeveri vizionare që do të arrinte t`i vëndojë në shfrytëzim të popullit të gjitha këto të mira natyrore atëherë nuk dot kishim nevoje që ne të kërkojmë kyçje në NATO dhe UE. Fatkeqësisht politika po udhëheq me jetët tona, prandaj edhe jemi bërë për të mos e njohur edhe veten. Marrë nga gazeta “Express” që botohet në Prishtinë.

Artur Liolin: Shqiptarët dhe amerikanët kanë vlera të përbashkëta



Intervistoi: Ilir Ikonomi
28-05-2007
Kancelari i Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë, At Artur Liolin, i tha Zërit të Amerikës se vizita që Presidenti Bush do të bëjë në Shqipëri më 10 qershor është një ngjarje e veçantë që duhet kremtuar me gëzim. Në intervistën e tij ai foli për lidhjet tradicionale midis shqiptarëve dhe amerikanëve, për emigrantët shqiptarë në Amerikë, për çështjen e identitetit fetar të shqiptarëve si dhe për të ardhmen e Kosovës. At Liolinin e intervistoi në Kishën e Shën Gjergjit në Boston kolegu ynë Ilir Ikonomi.
Zëri i Amerikës: Më 10 qershor, Presidenti Bush do të bëhet presidenti i parë që viziton Shqipërinë në postin e presidentit. Çfarë ju sjell në mend kjo ngjarje lidhur me historinë që kanë përshkuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?
At Artur Liolin: Është e para herë që një president i Amerikës që është në fuqi në administratën e tij udhëton për në Shqipëri dhe kjo ka rëndësi jo vetëm për lidhjet që nga koha e Presidentit Uillson, i cili ndihmoi për shpëtimin e Shqipërisë dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve, duke bashkëpunuar edhe me Imzot Fan Nolin tonë, por edhe më kujton se në qershor është Festa e Rushajeve. Dhe ishte pikërisht Dita e Rushajeve kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu u kthye në Krujë për të parën herë në moshë madhore. Pra, është një rast i veçantë që duhet kremtuar me gëzim.
Zëri i Amerikës: Çfarë u ka ofruar dhe u ofron Amerika shqiptarëve? Përse ka patur aq shumë shqiptarë që kanë marrë një rrugë kaq të gjatë për të ardhur këtu në Amerikë?
At Artur Liolin: Mos harroni se ne shqiptarët dhe amerikanët në disa aspekte kemi të njëjtat parime: Pavarësinë, shqiptari e ka në gen ndërsa amerikani në Kushtetutë; ata kanë të përbashkët dëshirën për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre; edhe shqiponjën e kanë simbol si shqiptarët edhe amerikanët. Unë besoj se amerikani e do shqiptarin sepse ka dhimbje për vuajtjet e tij gjatë shekujve, sidomos në kohën tonë. Kurse shqiptari ka admirim për amerikanin, i cili e vlerëson njeriun jo nga prejardhja por nga meritat e tij personale, e vlerëson për punën, për traditat e tij etike dhe morale. Pra, të dy kanë parime dhe vlera të përbashkëta.
Zëri i Amerikës: Komuniteti shqiptar i Bostonit ka patur fatin të ketë në gjrin e tij një personalitet të tillë të shquar si Fan Noli. Cilat kanë qenë përpjekjet e Nolit për të nxitur ndjenjat proamerikane te shqiptarët?
At Artur Liolin: Nolin e njohim jo vetëm si personalitet të shqiptarizmit ose të rilindasve. Edhe si udhëheqës shpirtëror, si peshkop, Imzot Noli forcoi dashurinë e shqiptarëve për Amerikën, për parimet, vlerat dhe Kushtetutën e saj. Këtë ai bënte në një mënyrë praktike sepse duke qenë në krye të Federatës Panshqiptare Vatra dhe në rolin e tij si Peshkop i Kishës Ortodokse, ai e paraqiste atë si një organizatë amerikane. Dhe kështu, me dashurinë për vendin ku ndodheshin, ato kishin më tepër ndikim për të ndihmuar Shqipërinë.
Zëri i Amerikës: Çfarë pune ka bërë Noli me Shtëpinë e Bardhë dhe me zyrtarët amerikanë për t’i bërë ata më të interesuar për Shqipërinë dhe shqiptarët?
At Artur Liolin: Noli përdorte kapelen e peshkopit për çështje fetare por edhe kapelën e Vatrës për çështjen kombëtare. Ai e ndante punën, e kuptonte që nuk duhej përzjerë politika me besimin megjithëse në realitetin e sotëm ne shikojmë që shumë njerëz bëjnë gabim kur thonë se besimi kërkon të përdorë politikën ose kur politika përpiqet të përdorë organizatat fetare për axhendën e saj. Noli i mbante ato të ndara pikërisht ashtu siç kërkon Kushtetuta amerikane. Noli u nderua nga Presidenti Lindon Xhonson duke u ftuar prej tij në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm për të dhënë lutje por edhe për një fjalim që u mbajt aty për Shekspirin. Këtu në Boston, senati i shtetit Masaçusets e ftoi Nolin për të dhënë lutjen e hapjes së legjislaturës në vitin 1963. Pra Noli njihej dhe respektohej për mendjen, rolin udhëheqës dhe parimet e tij.
Zëri i Amerikës: Çfarë e dallon valën e re të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara në krahasim me atë të paraluftës?
At Artur Liolin: Në thelb janë të njëjtë, emigranti është emigrant. Por mund të themi që emigrantët e dekadës së fundit janë më të arsimuar se sa më parë, shqipen e dinë mirë, më mirë se ne, përshtaten shumë shpejt në shoqërinë amerikane, më shpejt se sa baballarët tanë. Jemi krenarë me sjelljet e tyre sepse kanë një nam shumë të mirë, sidomos në Boston, si punëtorë të mirë, si njerëz me moral të mirë dhe me parime. Ata kanë formuar organizata të ndryshme për të ndihmuar veten dhe ata që vijnë më pas. Ky është një fenomen i ndryshëm sepse zakonisht shqiptari ka alergji për të ndihmuar institucionet. Ai mund të japë këmishën për komshinë qoftë edhe jo shqiptar, por për institucionin ka rezerva. Kjo ndoshta lidhet me historinë e shqiptarëve që janë më të afruar me familjen dhe me klanin por besoj se ata do ta kuptojnë se kur ndihmojnë institucionet e tyre shqiptare ndihmojnë edhe vetveten dhe fëmijët e tyre.
Zëri i Amerikës: Vitet e fundit mes shqiptarëve në Shqipëri por edhe në Kosovë janë shtuar debatet lidhur me identitetin fetar të shqiptarëve. Ju si shqiptaro-amerikan dhe si përfaqësues i fesë si e shikoni këtë debat?
At Artur Liolin: Mbase nga që jam lindur këtu në Amerikë por nuk e shikoj si problem thelbësor. Njeriu lidhet me zotin me anën e faltores së tij, kishës apo xhamisë. Ai lidhet me komshiun me anën e lagjes ku jeton. Njeriu lidhet me prejardhjen e tij përmes gjuhës, historisë dhe dashurisë për kombin. Dikush në Shqipëri më pyeti vite të shkuara, në fillim të viteve 90: At Artur, cilën doni më shumë, Amerikën apo Shqipërinë? I thashë se përpara se t’i përgjigjesha do të desha ta pyesja: Po ju cilin doni më shumë, babanë apo nënën? Pra, njeriu ka shumë aspekte por çdo pyetje të tillë duhet ta shikojë të lidhur me vendin e vet.
Zëri i Amerikës: Si e shikoni të ardhmen e Kosovës, këtij shteti të ri që po krijohet në Ballkan, natyrisht me ndihmën aktive të Shteteve të Bashkuara?
At Artur Liolin: Të gjithë diplomatët me mend e kuptojnë që pavarësia e Kosovës është e pashmangëshme. Ne vetëm i këshillojmë kosovarët që të kenë parasysh të ardhmen e tyre dhe t’i trajtojnë grupet e ndryshme etnike, shqiptare ose jo shqiptare, duke patur në vemendje të ardhmen pas pesëdhjetë vjetësh. Kjo është shumë e vështirë. Po të kisha qenë unë në Kosovë këto dhjetë vitet e fundit, nuk do ta kisha bërë dot por kosovarët duhet ta bëjnë sepse kanë një mundësi të rrallë që jo çdo komb e ka. Kur u formuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë se 200 vjet të shkuara, kur hartuan kushtetutën e parë të shtetit amerikan, e bënë atë duke menduar për 100 vjet më vonë dhe jo për kohën aktuale. Duke bërë këtë, ata ndihmuan edhe kohën në të cilën jetonin. Unë besoj se edhe shqiptarët e Kosovës por dhe të Shqipërisë, duke bërë ligjet e tyre duhet të shikojnë 100 vjet më vonë, pra si do të ndihmohen jo vetëm fëmijët por edhe nipërit, stërnipërit dhe stërmbesat e tyre. Nëqoftëse veprojnë kështu, ata do të ndihmojnë edhe kohën e sotme. VOA

Presidenti Amerikan Bush, letër falënderimi Kryeministrit të Shqipërisë, Berisha


TIRANE – “Kryeministri Berisha ka marrë një letër falënderimi nga Presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush, në të cilën Presidenti Bush shpreh falënderimet e tij për mesazhin ngushëllues për tragjedinë që ndodhi në Institutin Politeknik të Virginia Tech”, thuhet në një deklaratë të Qeverisë Shqiptare.
Sipas njoftimit të bërë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, “Presidenti Bush shpreh hidhërimin dhe zemërimin e popullit amerikan për ngjarjet e dhunshme të asaj dite, të cilat u morën jetën pa kuptim disa studentëve dhe pjesëtarëve të fakultetit dhe që plagosi disa të tjerë”. Qeveria shqiptare njoftoi se “Presidenti amerikan i shkruan Kryeministrit Berisha gjithashtu se mesazhi i tij është një burim ngushëllimi dhe prehjeje për familjet e viktimave dhe gjithë popullin amerikan. Mesazhi juaj do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje – përfundon letra e Presidentit Amerikan Xhorxh W. Bush, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha.

Ngec shkrirja e gjykatave e prokurorive


STUDIMI/ Kostoja e një dosje 64 dollarë në Delvinë, vetëm 13 dollarë në Tiranë. Në rrezik reforma.Ministria e Drejtësisë pa strategji për riorganizimin gjyqësor”
Trazhgim Sokolaj
“Ngrin” projekti për shkrirjen e gjashtë gjykatave dhe prokurorive. Ministria e Drejtësisë nuk ka strategji për riorganizimin e gjyqësorit, konkretisht për zbatimin e reformës. Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë ka kërkuar që shkrirja e paralajmëruar e gjashtë gjykatave të bëhet duke u bazuar në një strategji 5 ose 10-vjeçare. Por dikasteri përkatës nuk ka përgatitur planin e kërkuar të veprimit për gjykatat e qyteteve Gramsh, Skrapar, Mirditë, Has, Librazhd, Përmet ose Delvinë që pritet të shkrihen nga funksionimi. Prej më shumë se një viti, Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se gjashtë gjykatat që kishin në shqyrtim një numër dosjesh gjithnjë në rënie vitet e fundit do të shkriheshin. Dalja nga funksioni i gjashtë gjykatave të shkallës së parë në qytetet përkatëse u parashikua të shoqërohej edhe me shkrirjen e gjashtë prokurorive. Nxjerrja jashtë funksionit e gjykatave dhe prokurorive u bë për shkak të numrit të vogël të dosjeve që ato shqyrtonin gjatë një viti dhe shpenzimeve të mëdha në këto institucione krahasuar me volumin e punës që ato përballonin. Pavarësisht se riorganizimi i pushtetit gjyqësor shihet nga partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Drejtësisë si një veprim i duhur, për këtë reformë EURALIUS ka kërkuar strategji konkrete.
RekomandimiLëvizjet demografike të popullsisë nga veriu dhe jugu në drejtim të pjesës qendrore të Shqipërisë kanë rritur numrin e popullsisë në këtë pjesë. Rritja e numrit të popullsisë është shoqëruar me më shumë vepra penale të regjistruara, më shume konflikte dhe konkretisht me më tepër dosje në gjykatat dhe prokuroritë që kanë në juridiksion qytetet e kësaj zone të vendit. Nga ana tjetër, disa gjykata dhe prokurori, ndërsa konsumonin para nga buxheti i shtetit, janë përballur me rënie të dukshme të ngarkesës në punë. Për këtë shkak është vendosur shkrirja e gjashtë gjykatave, një reformë kjo për të cilën misioni EURALIUS ka kërkuar hartimin e një strategjie pesë ose dhjetëvjeçare. Sipas rekomandimit, strategjia duhet të marrë në konsideratë mundësinë e banorëve për t’ju drejtuar gjykatës, rendimentin e punës së gjyqtarëve, transparencën e pushtetit gjyqësor, zhvillimin e infrastrukturës, aspektet kulturore, historike, etnike dhe politike. Një problem serioz që paraqitet në këtë rast është largësia e gjykatave më të afërta me banorët e qyteteve ku ndodhen gjykatat që do të shkrihen. Por ndërkohë që organeve kompetente u mungon strategjia e riorganizimit të gjyqësorit misionet e huaja të asistencës kërkojnë që procesi i reformës të fillojë sa më shpejt.
StudimiMisioni evropian për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë ka bërë një studim të gjyqësorit shqiptar. Në kushtet e mungesës së strategjisë së riorganizimit, EURALIUS propozon zbatimin e një programi pilot në këtë drejtim. Sipas studimit, Tirana ka nevojë për një gjykatë me 50 gjyqtarë, në mënyrë që ata të mos jenë të mbingarkuar me dosje. Gjithashtu raporti thekson se kostoja financiare e gjykimit të një dosje është shumë e lartë në qytetet e vogla, ku edhe gjykatat kanë më pak dosje, sesa në gjykatat e mëdha. Kostoja mesatare financiare për një dosje që shqyrtohet në Tiranë llogaritet me 13 dollarë, ndërsa kostoja e një dosje që shqyrtohet në Delvinë, shkon në mbi 64 dollarë. Për këtë shkak, edhe me qëllimin e uljes së shpenzimeve gjyqësore dhe kanalizimin e fondeve në institucionet ku ka më shumë nevojë, EURALIUS rekomandon që sa më parë të fillojë riorganizimi i sistemit gjyqësor shqiptar, bazuar në një projekt pilot që mund të zhvillohet më tej deri në vitin 2011. Në raportet e mëparshme të EURALIUS është theksuar edhe “luksi” i gjykatave shqiptare, ku me paratë e shtetit blihen makina luksoze nga drejtuesit e tyre, duke u bërë shkak për rritjen e shpenzimeve dhe përdorimin e fondeve pa efekt në dhënien e drejtësisë.

Në Gjykatën e Tiranës, proceset në zyrat e gjyqtarëve
Gjyqtarët shqiptarë nuk janë të ngarkuar me punë, s‘kanë produkt
TIRANE – Projekti për shkrirjen e gjashtë gjykatave i shpallur tashmë prej më shumë se një viti, ka sjellë edhe një efekt tjetër të papritur. Sipas studimeve të EURALIUS, rezulton se në gjykatat që është parashikuar të shkrihen, ka pasur në periudha të caktuara vende gjyqtarësh të mbetura vakante. Kjo për shkak se vetë gjyqtarët kanë kërkuar të transferohen në rrethe të tjera gjyqësore. Mirëpo një fenomen i tillë në disa qytete, i vetorganizimit të gjykatave për shkak të mungesës së strategjisë, ka sjellë pasojat e veta. Studimi i misionit evropian citon se gjyqtarët shqiptarë krahasuar me ata të vendeve të huaja, nuk janë të ngarkuar me punë dhe për më tepër nuk kanë shumë rezultat në kuptimin e numrit të dosjeve që marrin në shqyrtim dhe dhënien e vendimeve. “Ideja e riorganizimit të gjykatave të rrethit, e shpallur në vitin 2004, (mbyllja e gjykatave të vogla), ndoshta vepron si katalizator i disa proceseve spontane që ndodhin në vendet e tjera të Shqipërisë. Për shembull, gjyqtarët nuk i mbushin aktivisht vendet vakante në këto gjykata”, citohet në një studim të misionit EURALIUS. Një situatë e tillë krijon pak mundësi edhe për planifikimin e investimeve në këto gjykata. Ndërkaq, rasti i Gjykatës së Tiranës është cilësuar si një problem i vërtetë jo vetëm nga raportet e huaja por edhe nga juristët vendas. Aty mungojnë sallat e gjyqeve dhe pjesa më e madhe e proceseve zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Sipas studimeve të bëra në këtë fushë, zhvillimi i seancave në këtë formë krijon mundësi për një raport jo të drejtë dhe të dyshimtë mes palëve në gjyq, prokurorëve, gjyqtarëve dhe avokatëve. Në ambientet ku zhvillohen gjyqet në Gjykatën e Tiranës media e ka të vështirë të monitorojë proceset dhe gjyqeve u mungon ambienti që mund të krijojë një sallë e mirëfilltë gjyqi. Deri pak kohë më parë, gjykata nuk kishte kafaze metalike për mbajtjen e të akuzuarve për krime të rënda. t.s

Shkak, numri i vogël i dosjeve
Pas gjykatave në rrezik 6 prokurori
TIRANE – Një prokuror në Prokurorinë e Tiranës heton mesatarisht 22-23 dosje penale। Një numër të tillë dosjesh hetojnë gjatë një viti disa prokurori në rrethe apo qytete të ndryshme të vendit. Për këtë shkak, që vitin e kaluar Prokuroria e Përgjithshme kishte parashikuar shkrirjen e mundshme të gjashtë prokurorive. Shkrirja e tyre do të bëhej me argumentin e ngarkesës së vogël me dosje, por siç duket, ndryshe nga Ministria e Drejtësisë, organi i akuzës kishte një strategji. Zyrtarët e akuzës konfirmuan se shkrirja e gjashtë prokurorive ishte parashikuar të mos krijonte distancë me qytetarët apo me policinë e lokaliteteve, ku nuk do të kishte më organe të ndjekjes penale. Pra, edhe pse do të shkriheshin gjashtë prokurori në qytetet ku do të shkriheshin edhe gjykatat, ndjekja penale e krimeve në këto zona do të bëhej nga Prokuroria më e afërt ku organet e akuzës që ishte planifikuar të shkriheshin do të funksiononin si zyra më të kufizuara në organikë. Por edhe shkrirja e prokurorive siç duket është një proces që diktohet nga ajo që pritet të ndodhë me gjashtë gjykatat e destinuara për të dalë jashtë funksionit. Nga të dhënat e organit qendror të akuzës parashikohej se Prokurori si ajo e Delvinës, ku praktikisht numri i dosjeve është i vogël, të shkriheshin. Krimet në këto zona do të ndiqeshin nga Prokuroria më e afërt, edhe për shkak që prokurorët të kishin mundësi më të mëdha të shkonin në vendin e ngjarjes. Marrë nga Gazeta “Panorama”, datë 28 maj 2007

Ministria e Mbrojtjes: “Edhe Bullgaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”


TIRANE – Ministria e Mbrojtjes në Tiranë, deklaroi se edhe Bullgaria mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit të Ministrit shqiptar të Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvilluar në Sofje në 26-27 Maj 2007, me homologun e tij bullgar Veselin Blizankov, burimet zyrtare thanë se u shpreh gatishmëria e Bullgarisë për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në takim, referuar burimeve zyrtare, u vlerësuan arritjet e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si në kryerjen e reformave ashtu dhe në transformimin e tyre.
Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e njohu homologun e tij bullgar Veselin Bliznakov, me intensitetin e punës për arritjen e objektivave për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO si dhe me reformat e qeverisë dhe hapat në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është objektivi ynë kryesor kombëtar”, - u shpreh Ministri Fatmir Mediu. – “Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetin e mbrojtjes brenda vitit 2008, në mënyrë që brenda vitit 2010 të kemi një forcë tërësisht profesioniste”. Ministri bullgar Bliznakov deklaroi se: “Arritjet e Shqipërisë janë të dukshme si në kryerjen e reformave ashtu dhe në transformimin e Forcave të Armatosura. Në këtë kontekst, jemi optimistë se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në vitin 2008”.
Ministri Mediu u shpreh më tej se momenti në prag të anëtarësimit në NATO kërkon konsolidimin e stabilitetit politik në vend dhe zhvillim të mëtejshëm ekonomik, që është i rëndësishëm për kryerjen e plotë të reformave. Ministri bullgar Bliznakov, theksoi se anëtarësimi në NATO sjell edhe zhvillim ekonomik, duke sjellë shembullin e vendit të vet, që ka katërfishuar investimet e huaja pas hyrjes në Aleancën e Atlantikut të Veriut si dhe u vlerësua alokimi i 2 përqindëshit të GDP, pasi sot, vetëm shtatë vende anëtare të NATO-s e kanë këtë shifër dhe kështu, është plotësuar një nga kriteret kryesore të anëtarësimit.
Dy Ministrat e Mbrojtjes u shprehën dhe për të ardhmen e Kosovës dhe zhvillimet në rajonin tonë. Ministri Mediu deklaroi se: “Shqipëria mbështet plotësisht paketën Ahtisaari për Kosovën. Ky plan mund të bëhet një marrëveshje e vërtetë e paqes dhe stabilitetit jetëgjatë në Kosovë. Por paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë shumë të çmuara për Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë të Kosovës. Në këtë kuptim, ne nuk shohim asnjë alternativë përveçse projektit Ahtisaari dhe sa më shpejt të votohet ky plan, aq më mirë do të jetë.
Ndërsa Ministri bullgar Bliznakov deklaroi se “Presim nga qeveria e re serbe të tregojë konstruktivitet dhe dëshirë për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës. Bullgaria mbështet paketën e presidentit Ahtisaari dhe qëndrimin e BE për Kosovën”.
Vizita e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në Sofje është në vazhdën e turit të tij në vendet anëtare të NATO-s, përpara Samitit të Bukureshtit të pranverës 2008, ku Shqipëria pritet të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Hendeku që duhet ta kapërcejmë


TIRANE - Vendimi i Qeverisë shqiptare për të rritur taksën doganore të hyrjes në Shqipëri të makinave të reja nuk kaloi pa interes në median dhe publikun shqiptar. Në fakt, mua ky vendim më ngjau i drejtë pikërisht sot kur u ndodha në një nga rrugët e Tiranës, dhe më vranë veshin “grahmat” e motorit të një makine tip “Mercedes Benz 240”. Ishte pikërisht ajo zhurmë jo e zakonshme e asaj makine që më tërhoqi vëmendjen. Mu shfaq një makinë e vjetër, që dukej paska e ndryshkur, që në mos gaboj, kishte një ngjyrë të blertë të hapur. E ndërsa ajo makinë u largua në një prej rrugëve që sapo është shtruar me asfalt në Tiranë, në mendje më erdhi Brukseli. Jo vetëm sepse pata rastin që para disa ditëve të ndodhem atje, por sepse pikërisht në atë qytet të mrekullueshëm, nuk më ra në sy përgjatë katër ditëve të qëndrimit tim, asnjë automjet “Mercedes Benz 240”. Kam dijeni se ky lloj automjeti ka vite që është prodhuar dhe këtu në Shqipëri i thonë “makinë për rrugët tona”. E quajnë kështu sepse është paska makinë e lartë për rrugët me gropa e baltë dhe me sa pretendojnë, është një automjet rezistent dhe i fuqishëm, që për më tepër nuk ka shumë shpenzime. Me aq sa kam mundur të kuptoj jo vetëm në Bruksel por gjithandej, automjetet e vjetra janë nxjerrë nga qarkullimi ose lejohet të lëvizin vetëm në zona të caktuara nuk qytetarët nuk janë të ekspozuar nga ndotja siç janë zonat industriale. Por le të kthehemi tek vendimi i Qeverisë për rritjen e taksës doganore të makinave që do të hyjnë në Shqipëri. Në momentin e parë, mua më ngjau i pranueshëm fakti se ekzekutivi shqiptar po ndërhyn në këtë fushë për të ndrequr diçka, për të vendosur barriera ndaj hyrjes së makinave të vjetra në vend. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes, që është e dhimbshme. Ata qytetarë shqiptarë që duan të vendosen në Tiranë, për 1001 arsye të ndryshme, po përballen me çmime katastrofike të apartamenteve të banimit që po shkojnë gjithnjë në rritje. Gjendja është e tillë saqë stimulon mendime sipas të cilave ata që zotërojnë një shtëpi në Tiranë, janë të pasur dhe kanë mundësi ekonomike. Ata që nuk kanë një shtëpi banimi në Tiranë dhe që nuk kanë para për ta blerë atë, gati, gati cilësohen të pa shpresë. Ky është një hendek social, që dashur pa dashur është krijuar dhe ekziston. Tani rritet edhe çmimi i makinave! Nuk mbaj mend edhe sa artikujve të tjerë industrialë apo të konsumit u janë rritur çmimet këto dy vitet e fundit. A e përballojnë shqiptarët këtë faturë të lartë? A janë cilësore shërbimet që na ofrohen me çmimet e Evropës? A është e përballueshme blerja e një apartamenti në Tiranë me këtë ritëm çmimesh që njeh vetëm rritje? Është vështirë të përgjigjesh. Mund të them se ata që po i përballojnë këto dhe që do ti përballojnë, do të jenë një grup i vogël dhe jo përfaqësues për shoqërinë. Ashtu siç janë sot një grup i vogël, ata që lëvizin me makina që janë prodhuar pas vitit 2005. Janë shumë pak këta tipa. Në rrugët ku ata bredhin me makinat luksoze, qytetarë të tjerë shkojnë të marrin ushqime me listë. E pra, ka një polarizim të shoqërisë këtu në vendin tonë. Edhe në vendet evropiane ka nivele të ndryshme shoqërore. Por mendoj se pjesa më e madhe e atyre që plotësojnë kushtet normale të jetesës janë të shumtë. Ndaj edhe Qeveria dhe shteti shqiptar, para se ti hedhë në letër disa reforma të kërkuara nga ndërkombëtarët, duhet jo vetëm të sigurohet, por edhe të punojë që ato direktiva të saj, do të zbatohen deri në fund nga qytetarët. Sepse flitet shumë se Shqipëria ka ligje shumë të mira, por çalon në zbatimin e tyre. Po, po, mendoj se mund të punohej më shume edhe me ligjin Antiduhan i cili me sa kam parë, nuk është zbatuar gjatë këtyre di ditëve të para që kur hyri në fuqi. Them se shteti shqiptar duhet të ketë kujdes, sepse besoj se ndërkombëtarët duan që realisht të zbatohen reformat dhe jo vetëm që ato të hidhen në letër. Sepse unë kam shumë frikë, se nëse këtu në Shqipëri nuk do të merren masa të forta jo vetëm tek trau i doganës, por edhe për stimulimin e biznesit, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave për frymë, apo qoftë edhe stimulimin me çmime apo figuracione më pak të kushtueshme të atyre që blejnë apo përdorin makina që nuk ndotin ambientin, rritja e taksës së makinave do të stimulojë kontrabandën e tyre. Unë e kam këtë frikë dhe mirë është të kesh frike. Uroj të mos ndodhë kjo. Ashtu siç kam dëgjuar se ligji i pak kohëve më parë për pagën minimale dhe sigurimet shoqërore në biznesin privat shkaktoi kalimin në të zezë të dhjetëra personave që punonin deri diku të legalizuar. Me dhimbje duhet pranuar se ndoshta shume vite na ndajnë nga hyrja në familjen evropiane, por kjo nuk është tragjedia e vërtetë. E rëndësishme është që kushtet ti plotësojmë siç duhet dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është të hedhim bazat e nevojshme për plotësimin real të kushteve që me të drejtë na janë vendosur. Dhe tragjedia e vërtetë është nëse lejojmë ndokënd nga drejtuesit tanë, që të na vonojë në hedhjen e bazave të nevojshme që do të na ndihmojnë nesër në plotësimin e kërkesave që na janë vendosur, një veprim që duhet ta bëjmë duke ruajtur edhe anët e mira të individualitetit shqiptar.
Foto është marrë nga adresa: www.capetocape.org

Florian Mima: KE mbështet ligjin e “gjobave” dhe Auditit të Brendshëm

TIRANE – Zyrtarët e Qeverisë Berisha pretendojnë se Komisioni Europian ka shprehur mbështetje për miratimin e ligjit të Auditit të Brendshëm dhe Ligjin e Gjobave. Albert Gajo dhe Florian Mima, zv/ministra përkatësisht të Integrimit dhe Financave, deklaruan pas kthimit nga Brukseli se “Komisioni Europian mbështet miratimin e ligjit të Auditit të Brendshëm, ligjin e gjobave, vlerëson shërbimin doganor dhe atë tatimor, si dhe vlerëson përpjekjet e Qeverisë shqiptare për menaxhimin e borxhit publik”. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, dhënë në mjediset e Ministrisë së Integrimit, zv. ministrat Gajo dhe Mima informuan mediat rreth mbledhjes së punës Shqipëri - BE që u zhvillua në Bruksel më 23-24 maj. Duke iu referuar ligjit të gjobave, zv/ministri i Financave Florian Mima, tha se “Komisioni Europian ka qenë në të njëjtin mendim me FMN-në, që procesi i mbledhjes së detyrimeve të papaguara duhet të ndahet nga procesi i ankimimeve të subjekteve”. Sipas Mimës përfaqësuesit e Komisionit Europian kanë inkurajuar qeverinë në miratimin e këtyre dy ligjeve. “Sa i përket ligjit të Auditit, ata thanë se ka një keqkuptim të madh me këtë ligj dhe ofruan asistencën e tyre teknike për të argumentuar se projekti i paraqitur nga Qeveria shqiptare i përmbush të gjitha standardet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e KE-së nënvizuan se ky projektligj nuk është një ligj konkurrues me ligjin ekszistues të Kontrollit të Lartë të shtetit, por ndihmon edhe më shumë këtë të fundit, për plotësimin e funksioneve të tij”, tha zv/ministri Mima gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Integrimit në Tiranë.
I pyetur nga media nëse Komisioni Europian dha mbështetje në lidhje me taksën e sheshtë, z.Florian Mima iu përgjigj duke thënë se “Qeveria shqiptare e ka prezantuar këtë taksë 1 muaj përpara dhe përfaqësuesit e KE, në atë kohë deklaruan se duhet të diskutojnë më Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por pasi është dhënë mbështetje nga FMN-ja, edhe KE ka mbështetur këtë iniciativë të Qeverisë”. Gjatë konferencës për shtyp të dy zv.ministrat thanë se në këtë takim Komisioni Europian u njoh gjithashtu me përmirësimet e situatës energjitike dhe minimizimin e efekteve që vijnë nga mungesa e energjisë mbi ekonominë shqiptare, si dhe masat afatshkurtra dhe afatmesme që po ndërmerren për përmirësimin e situatës financiare të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Në këtë mbledhje delegacioni shqiptar përfaqësohej nga zv.ministri i Integrimit Albert Gajo dhe ai i Financave, Florion Mima, ndërsa pala komunitare, nga Kristof Pavret de la Roshfordiere nga Drejtoria e Përgjithshme e Ekonomisë dhe Financës pranë KE-së.
Ligji i gjobave ka ngjallur reagimin e ashpër të biznesit në Shqipëri i cili ka hedhur kritika të forta se përmbajtja e projektit po shmang gjykatat nga vendimmarrja në këtë rast. Ndërsa Ligji për Auditin e Brendshëm, është vënë në pikëpyetje kryesisht nga opozita e cila mendon se ky projektligj dublon Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Presidenti Moisiu merr mbështetjen e Presidentin çek, Klaus, për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO


26 maj 2007
TIRANE – “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu zhvilloi bisedime me Presidentin e Republikës Çeke, Vaslav Klaus”, njoftohet nga burime zyrtare. Sipas tyre, kreu i shtetit shqiptar, Presidenti Moisiu, e uroi homologun e tij çek për organizimin e Samitit të 14-të të Presidentëve të vendeve të rajonit të Evropës Qendrore, që ishte një kontribut më tepër në traditën e shkëmbimit ideve dhe të mendimeve, si dhe të dialogut të përbashkët, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit, mes krerëve të shteteve të këtij rajoni.
Sipas njoftimit të burimeve zyrtare, në këtë takim, dy presidentët vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Çekisë dhe shprehën besimin për intensifikimin e mëtejshëm të tyre në fusha me interes reciprok.
Në vijim, Presidenti i Republikës bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve në Shqipëri dhe të disa arritjeve të saj në rrugën drejt integrimit euro-atlantik, si prioritet i politikës së jashtme shqiptare. “Shqipëria e vlerëson shumë eksperiencën integruese të Çekisë në BE dhe e shikon me shumë interes mbështetjen e saj ndaj proceseve integruese të Shqipërisë”, - u shpreh z. Moisiu, duke vënë në dukje se “ne dëshirojmë që Parlamenti cek të ratifikojë sa më parë MSA-në, që vendi ynë nënshkroi me BE-në, në qershor të vitit të shkuar”.
Temë e bisedës ishte dhe çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Presidenti Moisiu theksoi se zgjidhja për Kosovën ka ardhur si një domosdoshmëri e zhvillimeve historike, sidomos të këtyre dy dekadave e fundit në rajonin e Ballkanit që u karakterizuan nga konfliktet, luftërat, gjakderdhjet, madje dhe spastrimet etnike. “Kosova nuk ka më kthim mbrapa”, - u shpreh Presidenti, duke nënvizuar se “është koha tashmë për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme”. Gjatë bisedës, z. Moisiu mbrojti qëndrimin se rasti i Kosovës është një rast unik dhe nuk përbën precedent për trajtimin e problemeve në rajone të tjera.
Nga ana e tij, Presidenti çek, Klaus vuri në dukje interesimin e Çekisë për zhvillimin e Shqipërisë, sidomos në aspektin ekonomik, vlerësoi përparimet e bëra në këtë drejtim dhe shprehu mbështetjen e shtetit të tij për vendin tonë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Për Presidentin çek, edhe ky Samit i zhvilluar në Bërno, evidentoi problemin e Kosovës si më të rëndësishmin të pazgjidhur në Ballkan. Sipas tij, mendimet e ndryshme të shprehura për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës duhen marrë parasysh për të pasur një zgjidhje që do të gjenerojë paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit, gjë për të cilën të janë të interesuara të gjitha palët.

PS: TVSH, monumenti i shpërdorimit, projektligji i transmetimeve televizive kaloi në mënyrë klandestine


TIRANE - Partia Socialiste shprehu sot shqetësimin e saj për atë që zëdhënësi i partisë më të madhe të opozitës Sajmir Tahiri, e cilësoi "shkatërrim të Televizionit Publik Shqiptar”. Sipas deklaratës së bërë ditën e sotme nga PS-ja, Televizioni publik Shqiptar “është kthyer në monumentin e shpërdorimit dhe abuzimit me shërbimin publik". Sajmir Tahiri deklaroi në konferencë shtypi se "TVSH është kthyer në armën politike të maxhorancës, duke manipuluar percepsionin publik, duke abuzuar me parimet e funksionimit të këtij operatori televiziv që mbahet me taksat e shqiptarëve, siç janë barazia, paanshmëria dhe informacioni në interes të vendit”. Në deklaratën e Partisë Socialiste thuhet se “sot TVSH është shumë larg së qënit i barabartë, i paanshëm dhe në shërbim të publikut, por është fatkeqësisht shumë mirë njësh me maxhorancën në interes të politikës së saj të mbrapshtë”.
Deklarata e Partisë Socialiste fokusohet më tej në zhvillimet e fundit për projektligjin e transmetimeve televizive. "Një shembulli i mendësisë totalitare të Kryeministrit Berisha për të dhunuar dhe kontrolluar mediat e pavarura, është edhe rasti i djeshëm, kur në mes të natës, një grusht deputetësh klandestinë, pa marrë parasysh sugjerimet imperative të BE-së, sugjerimet e medias dhe grupeve të interesit si dhe sugjerimet e deputetëve të opozitës, miratuan projektligjin për transmetimet numerike”, tha zëdhënësi Tahiri. Sipas tij, një grusht deputetësh jo të maxhorancës, por vetëm të Partisë Demokratike, të cilët me urdhër të prerë të shefit të tyre, dhe me ndihmën shpëtimtare të forcave speciale nga pjesa tjetër e grupit parlamentar të PD-së për të plotësuar numrin e nevojshëm, nëpërkëmbën jo vetëm frymën konsensuale që duhet të shoqëronte miratimin e këtij projektligji, por edhe standardet minimale të diktuara nga BE", cilësoi Partia Socialiste. Projektligji për transmetimet televizive është bërë objekt debati kohët e fundit në Tiranë, jo vetëm mes forcave politike por edhe mes maxhorancës dhe grupeve të interesit. Pak kohë më parë, projektligji u shqyrtua edhe nga organet e Bashkimit Evropian të cilat i kërkuan Kryetares së Parlamentit Shqiptar të njiheshin me përmbajtjen e projektligjit. Grupet e interesit dhe opozita, thonë se projektligji kaloi së fundi në mënyrë klandestine ndërsa përmbajtja e tij nuk pasqyron rekomandimet e Brukselit.

"Gjoleka, djali i Abazit" hap javën e Filmit Shqiptar në Athinë


Në Athinë u hap mbrëmë Java e Filmit Shqiptar, një aktivitet i përbashkët i Qendrës Kinematografike Shqiptare edhe asaj greke. Pasazhi që sapo dëgjuat është shkëputur nga filmi shqiptar "Gjoleka, djali i Abazit" i regjisorit të shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti, që me dramën që mbarte por edhe vlerat e tij artistike, përmes kontradiktës së brezave duke qenë njëkohësisht dhe një reçensë e së sotmes, mbajti të gozhduar për rreth 2 orë të 500 spektatorët e sallës së kinemasë së njohur të Athinës "Trianon". Pa ekzagjerim ishte ishte një premierë befasuese e Javës së Filmit Shqiptar të organizuar për herë të parë në Athinë nga Qendra Kinematografike Greke edhe ajo Shqiptare, duke përligjur kështu edhe publicitetin e madh paraprak të këtij aktiviteti në median qendrore greke. Një fillim i zgjuar –duhet thënë- nga ana e drejtorit artistik të këtij aktiviteti, regjisorit shqiptar të emigracionit Bujar Alimani, që është nderuar me çmim për filmin "Gazi" në Festivalin e filmit me metrazh të shkurtër të Dhramës së Greqisë dhe në këtë aktivitet prezantohet me filmin "Busulla", dhe që paralajmëron për supriza të tjera gjatë kësaj jave: "Mbi të gjitha ishte një film kombëtar, një film ku spikaste qartë nota shqiptare. Jam shumë i kënaqur që shkoi kaq mirë dhe u pëlqye shumë edhe nga publiku grek. Nesër, pasnesër do të kemi supriza të tjera". "Është një film që përcjell një epokë të caktuar. Tregon me vërtetësi dhe realizëm të madh se nga vijmë ne të gjithë fqinjët e Ballkanit" na thotë zoti Iliopullos, përfaqësues i Qendrës Kinematografike Greke edhe sekretar ekzekutiv i një rrjeti kinematografik ku marrin pjesë 11 vende ballkanike duke shprehur njëkohësisht edhe urimin e tij për vijimësinë e aktiviteteve të kësaj natyre. "Ishte vërtet një diçka e mrekullueshme, u gëzova shumë që pashë sallën kaq të mbushur. Kjo ndodh rrallë. Më pëlqeu shumë filmi, i cili ishte tragjik dhe komik, i ëmbël edhe i zgjuar. S’ kemi asgjë për të ndarë, shumë gjëra na bashkojnë" na thotë grekja Marina Kondi si për të ndarë të njëjtin vlerësim me bashkëspektatorët e saj shqiptarë si aktori dhe regjisori Lefter Simoni. "Në këtë Javë të Filmit Shqiptar do të jem i pranishëm me dy angazhimet e mia: në filmin e regjisorit Gjergj Xhuvani "I dashur armik" dhe në filmin me metrazh të shkurtër "Busulla" të Bujar Alimanit. Mbi të gjitha dua të theksoj se është një ngjarje vërtet e madhe, me mesazhe jashtëzakonisht të mëdha".Miho Gjini, shkrimtari i njohur i emigracionit, do t’i kërkojë rrenjët e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit thellë në histori: "Kjo Javë krijon atë që kërkojmë vazhdimisht: urën e miqësisë, urën e dashurisë midis dy popujve, midis dy vendeve. Se historia jonë është kaq e vjetër, kaq e lashtë. Perenditë greke ishin të përbashkëta me ato shqiptare. Aktorët shqiptarë luanin në Budrint, Apolloni dhe Durrës së bashku me fqinjët e tyre grekë". Një prezantim dinjitoz i vlerave të artit kinematografik shqiptar por edhe festë e përbashkët kulturore midis dy popujve është kjo javë e filmit shqiptar edhe për ambasadorin shqiptar në Athinë Vili Minarolli, i cili i mëshon njëkohësisht aspektit kulturor të integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi: "Kultura dhe arti shqiptar këtu po lulëzojnë si pjesë e proçesit të integrimit të emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke jo vetëm ekonomikisht, miqësisht e familjarisht, por edhe me kulturën dhe artin shqiptar, me identitetin tonë". Të enjten në darkë me drejtorin e Qendres Kinematografike shqiptare Xhevdet Ferri prezent, ditët e tjera me regjisorë të tjerë, që do të kenë edhe një diskutim të përbashkët me kolegët e tyre grekë, me rreth 25 filma, katër të periudhës komuniste si "Ferri 1943" i Rikard Ljarjes, dhe 21 të asaj postkomuniste si "Tirana viti zero" i Fatmir Koçit, që u nderua me çmimin Aleksandri i Artë i vitit 2001 në Festivalin Ndërkombëtar të Selanikut, kinematografia shqiptare pritet të shpalosë për një javë të tërë para një publiku të etur vlerat e saj më të mira. Ndër to edhe dy filma nga Kosova, "Kosova" e Burbuqe Berishes dhe "Kukumi" i Isat Qoses, që plotësojnë mozaikun e kinematografisë shqiptare.

Niko Anagnosti, Deutsche Velle, Seksioni Shqip

FJALA E PRESIDENTIT ALFRED MOISIU NË SAMITIN E BËRNOS (Çeki)


26 maj 2007
I nderuar zoti President Klaus,
Të nderuar kolegë Presidentë,
Shpreh kënaqësinë që jemi këtu së bashku për të diskutuar mbi çështje me interes të përbashkët dhe që aktualisht qëndrojnë lart në axhendën tonë politike.
Ky Samit tashmë ka krijuar një traditë të vlefshme, duke ndikuar në forcimin e bashkëpunimit politik dhe shërbyer si mundësi e mirë për të përfituar nga përvojat e suksesshme.
Jam i prirur të falenderoj ata që mendojnë edhe për vendet që akoma nuk janë në BE. Shqipëria mendon se procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj duhet të mbetet i hapur dhe i vazhdueshëm. Pritjet hezituese apo lodhja ndaj zgjerimit nuk duhen lejuar të ndëshkojnë aspiratat e një pjese të madhe të banorëve të vjetër të Evropës, për t’u bërë edhe qytetarët më të rinj të saj.Pas pranimit të dy shteteve të rajonit tonë si anëtare të BE-së, ka mbetur një ishull shtetesh me rreth 25 milionë banorë, të cilët gjithashtu aspirojnë anëtarësimin. Zhvillimi demokratik dhe përparimi i përgjithshëm i vendeve tona si edhe mbështetja e BE-së për këto zhvillime përbëjnë rrugët paralele, të cilat do t’i shpien ato drejt vendmbërritjes së aspiruar të anëtarësimit në BE.Në Salsburg, Mamaja, Zagreb, Varna dhe qytete të tjera evropiane kemi bërë temë të diskutimeve tona nevojën e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, sfidat ekonomike dhe problemet e bashkëpunimit konkret si dhe çështje të tjera të trashëguara apo të krijuara në rrjedhën e kohës. Procesi mbetet i hapur, ndaj debati i sotëm është i dobishëm dhe i nevojshëm.
Në vijim të fjalës time dëshiroj të ndalem në disa çështje të përfshira në axhendën e Samitit. Çështja e parë lidhet me Kosovën, si një problem shqetësues i rajonit nga vjen dhe që ka të bëjë me aktualitetin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe për të cilat BE-ja është e interesuar.
Tashmë janë bërë të njohur mendimi i Kosovës dhe i Serbisë, si edhe ai i Shqipërisë dhe i shteteve të tjera. Mëse njëherë kemi dëgjuar të flitet për Kosovën, madje dhe dje kishte një artikulim për të, sikur atje të mos kishte ndodhur asgjë, sikur të kemi mbërritur në këtë pikë ku jemi nga një vakum. Dhe dihet që e vërteta është krejt ndryshe. Pa qënë nevoja të futem thellë në historinë e Ballkanit, ose ish- Jugosllavisë, tashmë është bërë e njohur se çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës erdhi si domosdoshmëri e përballimit të realiteteve të reja, e ndryshimeve të thella që ndodhën në Ballkan pas shembjes së Murit të Berlinit, fundit të Luftës së Ftohtë dhe përmbysjes së komunizmit. Këto ndryshime epokale zgjuan aspiratën e popujve për liri, demokraci dhe vetëvendosje. Ishin këto motive të thella që çuan në shkëputjen e ish-republikave dhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Sikurse e dimë, kjo shpërbërje u bë me tronditje, me luftra dhe gjakderdhje, bile edhe me spastrim etnik. Kjo sepse nacionalizmi agresiv serb, me përfaqësuesin e vet, Millosheviçin, nuk u pajtua dot me këtë zhvillim të rëndësishëm post-komunist. Por në të kundërtën, bëri të tijën ëndrrën e krijimit të Serbisë së Madhe. Ai, shpërbërjen e Jugosllavisë u përpoq ta shndërronte në realizimin e Serbisë së Madhe. Të gjithë janë dëshmitarë për çmimin e lartë që paguan popujt e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 90-të.
Në rastin e Kosovës, ishte njësi konstituive e Federatës Jugosllave, dhuna dhe represioni serb, të cilët nuk kishin munguar edhe më parë, si në ‘68 dhe ‘81, në ‘89 dhe më pas morën trajta të egra dhe të përçudnuara. Ato mbërritën kulmin gjatë pranverës së ‘99 me përzënien me forcë nga shtëpitë dhe trojet e veta të 1.3 milion kosovarëve dhe vrasjen e mijëra të tjerëve. Kjo i detyroi kosovarët të organizonin luftën e tyre për shpëtim kombëtar. Kjo ishte dhe arsyeja themelore që NATO-ja u detyrua të ndërhynte me fushatën e saj ajrore për t’i dhënë fund kësaj situate të rëndë, e cila mori trajtat e spastrimit etnik dhe shpërnguljeve me forcë të Luftës së Dytë Botërore. Kjo s’mund të tolerohej më në fund të shekullit të XX. Pas kësaj, Kosova kaloi nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara dhe Serbia humbi të drejtën morale dhe juridike për ta qeverisur atë. Pra, sot ne përballemi me një realitet të ri; Kosova gjendet de facto jashtë Serbisë dhe nuk ka rrugë tjetër veçse që ky realitet të shndërrohet në de juro. Kjo është arsyeja që komuniteti ndërkombëtar përmes Grupit të Kontaktit dha këtë formulë për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës; Kosova nuk mund të kthehet aty ku ishte para ‘99; ajo nuk duhet të ndahet dhe nuk duhet t’i bashkangjitet ndonjë shtetit tjetër. Kjo formulë është shprehje e Real Politikës. Të mbyllësh sytë para këtij realiteti të ri do të thotë të mbetesh peng i së kaluarës. Sot jo vetëm nuk ekziston më ish-Federata Jugosllave dhe njësitë e saj përbërëse, por në vend të saj është krijuar një realitet i ri historik si pjesë e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në të gjithë Ballkanin. Sot në Ballkan nuk dëgjohen më armët – ai është i qetë dhe i orientuar drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit duke e parë të ardhmen e vet si pjesë e integrimeve euro-atlantike. Çdo tentativë për të sjellë edhe njëherë në hapësirën ballkanike ngricat e Luftës së Ftohtë jo vetëm është anakronike dhe kundër rrjedhave të kohës, por është dhe e rrezikshme.
Tashmë jashtë nesh kemi një plan të Presidentit Atisari, një plan realist, kompromisi, i cili është mbështetur edhe nga vetë qytetarët e Kosovës. Ky plan, është pranuar jo vetëm nga shqiptarët, por shihet edhe nga faktorë relevante ndërkombëtare si një bazë e mirë që shpie në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ne mendojmë se pranimi dhe mbështetja e këtij plani do të ishte një kontribut real për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike, ku garantohen dhe mbrohen të drejtat e pakicave.
Ne mendojmë se tetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund represionit serb në Kosovë, qytetarët e Kosovës meritojnë ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre. Sot në Kosovë po rritet një brez i ri, i cili lindi dhe u rrit me frikën nga ndëshkimi i krimeve të Millosheviçit, dhe për të cilin, NATO-ja, BE-ja dhe Perëndimi u bënë engjëj mbrojtës, simbole të lirisë dhe demokracisë. Ky potencial i madh njerëzor ndeshet me varfërinë, papunësinë si dhe provokimet e grupeve ekstremiste, relike të frymës nacionaliste të Millosheviçit. Aktualisht në Kosovë nuk ka parti politike që kërcënojnë me luftë vende fqinje, por në kryeqytetet e tjera ka të tilla, madje me një përfaqësim të lartë në parlament. Ne mendojme se shtyrja e mëtejshme e statusit është e pajustifikueshme, e dëmshme dhe e rrezikshme. Tratativat mbi një vit e gjysëm të z. Atisari treguan se ajo që mund të arrihej është ezauruar. Pra çdo shtyrje jo vetëm nuk justifikohet, por do të nxiste rritjen e frymës dhe grupeve ekstremiste, do ta privonte Kosovën të futej dhe të lidhej me institucionet financiare ndërkombëtare për të marrë kredi të huaja, për thithje investimesh, për zhvillim ekonomik dhe për të forcuar stabilitetin e brendshëm. Kosova ka bërë progres të dukshëm. Ajo ka institucionet e veta legjitime, ka siguri e stabilitet në rritje dhe vullnet të qartë për të ardhmen euro-atlantike të saj. Ne presim që BE-ja, por edhe Këshilli i Sigurimit të mbështesë Planin Atisari, në mënyrë që Kosova të fitojë sa më parë statusin e saj të ri dhe t’u bashkohet rrjedhave demokratike e integruese të të gjithë rajonit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Një muaj më parë kryetarët e shteteve të Evropës Juglindore u mblodhën në Ohër për të folur për nevojën e bashkëpunimit në fushën energjitike. Një takim tjetër është programuar në Kroaci, takime të tilla po bëhen edhe në nivel qeverish dhe ekspertësh. Kriza energjitike e vitit të kaluar rrezikon të përsëritet duke prekur ndjeshëm standartet e jetesës dhe ekonomitë tona. Po përballemi me mungesë energjie në tregun rajonal, me pamundësi për shfrytëzimin si duhet të burimeve të brendshme energjitike si dhe me rrezikun që kriza të bëhet rajonale. Ne mendojmë se shtetet tona mund të kenë një bashkëpunim më të mirë në koordinimin e projekteve dhe veprimeve për shfrytëzimin racional të burimeve të energjitikës, por ndërkohë ne mendojmë se BE-ja duhet të jetë e pranishme me investime dhe projekte rajonale, siç është edhe projekti AMBO për furnizimin me gaz apo ai i Korridorit 8. Çështje të tjera ekonomike me rëndësi për rajonin mbeten nevojat për mbështetje në zhvillimin e infrastrukturës, lëvizjes së lirë të mallrave, rritjes së shkëmbimeve teknologjike e të turizmit, etj.
Të nderuar kolegë,
Shqipëria i kushton rëndësi prioritare marrëdhënieve të mira dhe intensive me fqinjët dhe vendet e rajonit. Fakti që në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Serbi, Greqi, Itali etj., jeton një numër i madh shqiptarësh e bën bashkëpunimin tonë me këto vende të një rëndësie të veçantë. Tashmë janë bërë periodike takimet dhe vizitat në nivelet e larta politike me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, vend në të cilin gjatë mandatit tim presidencial kam qenë dy herë dhe po ashtu kam pritur në Tiranë Presidentin e Federatës dhe atë të Serbisë. Po ashtu, në favor të frymës së bashkëpunimit kanë punuar edhe nivelet e tjera të politikës dhe ekzekutivit, të ekspertëve, grupeve akademike, etj, çka e bën atë të prekshme edhe në nivele të tjera të shoqërisë. Ne pohojmë me krenari se në asnjë rast qëndrimet dhe veprimet tona nuk kanë rënë ndesh me stabilitetin e rajonit, përkundrazi, ashtu siç ka pohuar bashkësia ndërkombëtare në mëse një rast, ato i kanë shërbyer forcimit të paqes e stabilitetit dhe të marrëdhënieve të mirëkuptimit e bashkëpunimit në rajon. Ne kemi nënshkruar një vit më parë MSA me Bashkimin Evropian, dokument i cili është rafitikuar nga një pjesë e vendeve të BE-së. Me këtë rast dëshiroj t’i drejtohem Presidentëve të pranishëm të vendeve anëtare të BE-së me kërkesën që parlamentet e vendeve të tyre të shohin mundësinë e përshpejtimit të ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë. Shqipëria mendon se procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj duket të mbetet i hapur dhe i vazhdueshëm. Prirjet hezituese apo lodhja ndaj zgjerimit nuk duhet lejuar të të ndëshkojë aspiratat e një pjese të madhe të qytetarëve të vjetër të Evropës, për tu bërë edhe qytetarët më të rinj të saj. Pas pranimit të dy shteteve të rajonit tonë si anëtarë të BE-së, ka mbetur një ishull shtetesh me rreth 25 milion banorë, të cilët gjithashtu aspirojnë anëtarësimin. Zhvillimi demokratik dhe përparimi i përgjithshëm i vendeve tona si dhe mbështetja e BE-së për këto zhvillime përbëjnë rrugët paralele, të cilat do t’i shpien ato drejt vendmbërritjes së aspiruar të anëtarësimit në BE. Ne e shohim integrimin në BE si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve historike të rajonit tonë. Integrimi sjell stabilitet politik, hapësirë për zhvillim ekonomik, besim e bashkëpunim reciprok si dhe krijimin e mentaliteteve të reja në rajon, i cili pas viteve ’90 përjetoi katër luftra etnike. Përcaktimi i kryeqytetit të përbashkët, Brukselit, do të ishte një përgjigje më e mirë dhe afatgjatë për qarqet ekstremiste dhe nacionaliste që ende kanë pozita vendimmarrje në politikat rajonale, si dhe të do ishte një mbështetje e fuqishme për forcat demokratike në rajon. Në përfundim të fjalës time, dëshiroj të theksoj se vendi im çmon së tepërmi këtë Forum të Kryetarëve të Evropës Qendrore dhe beson se institucionalizimi i tij edhe nga pikëpamja strukturore dhe e funksionimit do të prodhonte rezultate më konkrete e të ndjeshme në bashkëpunimin midis vendeve tona dhe vetë hapësirës së Evropës Qendrore si pjesë e BE-së. Po ashtu dëshiroj të falenderoj Presidentin Klaus dhe shtetin çek për pritjen dhe organizimin e shkëlqyer të këtij Samiti.
Ju faleminderit!

Presidenti i Shqipërisë: Mbështesim plotësisht paketën “Ahtisari”


TIRANE - Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu mbështet plotësisht Planin Ahtisari si një dokument kompromisi dhe kontribut real për një Kosovë të pavarur. Kreu i Shtetit Shqiptar, Alfred Moisiu, mori pjesë në Samitin e 14-të të Presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore, që u zhvillua në Brno (Çeki), në datat 24-26 maj. Gjatë punimeve të këtij Samiti, Kryetari i Shtetit zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me homologë nga rajoni dhe në seancën e dytë, ditën e sotme, mbajti një fjalë në të cilën theksoi se “pranimi dhe mbështetja e Planit Ahtisari do të ishte një kontribut real për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike, ku garantohen dhe mbrohen të drejtat e pakicave”.
Duke aluduar qartë ndaj fjalës së Presidentit të Serbisë, Tadiç, një ditë më parë, Presidenti Moisiu tha se nuk është normale të flitet për zgjidhjen e problemit të Kosovës, sikur atje të mos kishte ndodhur asgjë në këto dy dekadat e fundit. Me referencë në të kaluarën së afërt të rajonit të Ballkanit me ngjarje tronditëse, luftëra dhe gjakderdhje, madje dhe spastrim etnik, Presidenti Moisiu nënvizoi se “çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës erdhi si domosdoshmëri e përballimit të realiteteve të reja, e ndryshimeve të thella që ndodhën në Ballkan pas shembjes së Murit të Berlinit, fundit të Luftës së Ftohtë dhe përmbysjes së komunizmit. ishin këto motive madhore që ndihmuan në ndryshimet e thella që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë”. “Të mbyllësh sytë para këtij realiteti te ri”, - u shpreh Presidenti, “do të thotë të mbetesh peng i së kaluarës” dhe shtoi se “çdo tentativë për të sjellë edhe një herë në hapësirën ballkanike ngricat e Luftës së Ftohtë, jo vetëm është anakronike dhe kundër rrjedhave të kohës, por është dhe e rrezikshme”, - theksoi z. Moisiu. Në vijim fjalës së tij, Kryetari i Shtetit vlerësoi Planin e Presidentit Atisari, si një dokument realist, kompromisi, i cili është mbështetur edhe nga vetë qytetarët e Kosovës dhe që është pranuar jo vetëm nga shqiptarët, por shihet edhe nga faktorë relevante ndërkombëtare si një bazë e mirë që shpie në zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Ne mendojmë se tetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund represionit serb në Kosovë, qytetarët e Kosovës meritojnë ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre”, - tha Presidenti Moisiu, duke nënvizuar se “çdo shtyrje jo vetëm do të ishte e pajustifikueshme, por do të nxiste rritjen e frymës dhe grupeve ekstremiste, do ta privonte Kosovën nga marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare për të marrë kredi të huaja, për thithje investimesh, për zhvillim ekonomik dhe për të forcuar stabilitetin e brendshëm”. Çështjes së Kosovës iu kushtua një vëmendje e veçantë në Samtin e Bërnos. Gjatë seancës së parë ditën e djeshme Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shprehu qëndrimin e njohur të shtetit të tij ai drejton se Kosova është historikisht pjesë integrale e Serbisë, se statusi i saj duhet të jetë i pranueshmë për të gjitha palët, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët e Kosovës dhe se ai duhet të jetë një zgjidhje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti Tadiç vuri në dukje se tashmë Serbia e ka treguar karakterin evropian të saj dhe është për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut dhe kompromisit dhe jo nëpërmjet konflikteve. Presidentë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së, të cilët morën pjesë në Samit, shprehën mbështetjen për proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar faktin se perspektiva evropiane është një stimul i brendshëm për këto vende për forcimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit ligjor, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe se një Ballkan i stabilizuar, që ka lënë pas të kaluarën problematike dhe që ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, një Ballkan i qetë, me vlera dhe atribute demokratike, është një garanci për integrimin e tij dhe prosperitetin në Bashkimin Evropian. Dy çështje të tjera që u trajtuan nga Presidenti i Republikës në fjalën e tij, të përfshira po ashtu në axhendën e këtij Samiti, ishin dhe sigurimi i energjetikës dhe marrëdhëniet me vendet fqinje të rajonit. Sa i përket pikës së parë, z. Moisiu vuri në dukje se “shtetet e rajonit mund të kenë një bashkëpunim më të mirë në koordinimin e projekteve dhe veprimeve pлr shfrytëzimin racional të burimeve të energjetikës, por ndërkohë ne mendojmë se BE-ja duhet të jetë e pranishme me investime dhe projekte rajonale, siç është edhe projekti “AMBO” për furnizimin me gaz apo ai i “Korridorit 8”. Ndërsa për çështjen tjetër, Kryetari i Shtetit ritheksoi se “Shqipëria i kushton rëndësi prioritare marrëdhënieve të mira dhe intensive me fqinjët dhe vendet e rajonit. Fakti që në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Serbi, Greqi, Itali etj., jeton një numër i madh shqiptarësh e bën bashkëpunimin tonë me këto vende të një rëndësie të veçantë”. Sa i përket çështjes së integrimit të vendeve të rajonit në BE, Presidenti Moisiu shprehu qëndrimin se "Shqipëria mendon se procesi i zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj duhet të mbetet i hapur dhe i vazhdueshëm. Prirjet hezituese apo lodhja ndaj zgjerimit nuk duhet lejuar të të ndëshkojë aspiratat e një pjese të madhe të qytetarëve të vjetër të Europës, për tu bërë edhe qytetarët më të rinj të saj” dhe se “ne shohim integrimin në BE si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve historike të rajonit tonë”. Presidenti Moisiu pati sot takime bilaterale me Presidentin e Polonisë, Leh Kazinski, Presidentin e Austrisë, Hans Fisher dhe Presidentin e Çekisë, Vaslav Klaus. Përveç marrëdhënieve dypalëshe temë bisedimesh në këto takime ishte çështja e Kosovës. Samiti i 14-të i Presidentëve të Evropës Qendrore mbylli sot punimet e tij. Samiti i ardhshëm do të mbahet në Maqedoni. Në mbrëmje Presidenti Moisiu do të kthehet në atdhe. Burimi: Faqja zyrtare e Presidencës

Rreth meje

Arkivi i blogut

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Tirane, Festohet 12 Qershori, 1-vjetori i nenshkrimit te MSA-se Shqiperi-BE

Welcome Mr.President Bush

Welcome Mr.President Bush
Rruga e Elbasanit, Tirana

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

Qytetaret shqiptare mirepresin Presidentin Bush

President George W.Bush in Tirana

President George W.Bush in Tirana

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania

President Bush, in Fushe-Kruja, Albania